Thursday, July 9, 2026

Boni Tajler, zëri që theu heshtjen e një Shqipërie të mbyllur

 
 
 

Nga Leonard Veizi
 
Për një brez të tërë shqiptarësh që rritej mes mureve të betonit dhe antenave të kthyera fshehurazi nga Italia, zëri i ngjirur i Boni Tajlerit ishte më shumë se muzikë. Ishte një çarje në mur. Ishte një frymëmarrje…
 
…Në fundvitet '70 dhe '80, kur emri i saj shkruhej keq në kopertinat e kasetave të kopjuara 100 herë, dhe kur “Total Eclipse of the Heart” dëgjohej me zë të ulët që të mos e kapnin fqinjët, Boni u bë himni i fshehtë i lirisë. Një eklips zemre në një vend ku edhe të ëndërroje ishte rrezik. Atë zë të thyer, që dukej sikur vinte nga një tjetër planet, rinia shqiptare e vuri në magnetofonët ILIRIA dhe e ruajti si një sekret të shtrenjtë. Sot, ajo ikonë e pop-rokut është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare.
Sipas një njoftimi të shkurtër nga familja dhe ekipi i saj, artistja u nda papritur nga jeta në një spital në Portugali, pas një beteje shëndetësore që nisi me një ndërhyrje kirurgjikale urgjente në zorrë.
 
Nga lagjet e Uellsit në kasetat e Shqipërisë
Boni Tajler, emri i vërtetë i së cilës ishte Gejnor Hopkins, lindi dhe u rrit në një lagje sociale në Uells. E zbuloi agjenti i talenteve Roxher Bell në një klub nate. Debutoi në 1977 me "Humbur në Francë".
Por shpërthimi që tronditi botën, dhe që depërtoi edhe Perden e Hekurt, erdhi me tri bomba muzikore:
 
"Një thyerje zemre" - It's a Heartache, 1977
Balada që i theu zemrën Amerikës dhe Britanisë, dhe që në Shqipëri qarkullonte dorë më dorë në kaseta TDK ku mbishkrimi "BONI TAJLER" ishte bërë me stilolaps.
 
"Eklipsi i plotë i zemrës" - Total Eclipse of the Heart, 1983
Kryevepra e Xhim Stajmanit që e bëri atë gruan e parë nga Uellsi në majë të Billboard. Në Shqipërinë e izoluar, kjo këngë ishte sinjali se diku jashtë kishte drama, dashuri dhe dritë. Sapo kaloi 1 miliard dëgjime në Spotify.
 
"Duke pritur një hero" - Holding Out for a Hero
Himni i "Footloose" që më vonë pushtoi edhe "Shrek 2". Për shqiptarët e asaj kohe, çdo kush priste heroin e vet.
 
Një trashëgimi që nuk njeh kufij
E nominuar për Gremi dhe e nderuar me titullin MBE nga Mbretëria e Bashkuar, Boni Tajler nuk e uli kurrë mikrofonin. Vetëm vitin e kaluar u rikthye me Devid Getën për një version të ri të hitit që i ndryshoi jetën.
Ajo la pas bashkëshortin, Robert Salivan, dashurinë e 50 viteve. Por mbi të gjitha la pas një zë. Një zë të ngjirur që në Shqipërinë e kasetave dhe frikës u bë sinonim i shpresës. Një zë që i mësoi një brezi të tërë se edhe pas eklipsit më të errët, zemra vazhdon të rrahë.
Dhe për ne, ajo do të mbetet gjithmonë vajza nga Uellsi që këndoi lirinë kur ne nuk mund ta thoshim dot.
 

No comments:

Post a Comment