Sunday, September 13, 2026

Shkolla filloi. Po arsimi, kur do fillojë?

 

Nga Leonard Veizi
 
Shkollat filluan. Jemi në shtator. Oborret u mbushën përsëri me uniforma, çanta të reja, prindër të shqetësuar dhe fëmijë që, në varësi të moshës, ose mezi presin të takojnë shokët, ose do të kishin preferuar që vera të zgjaste edhe ca.
Dikur, megjithatë, kishte një rregull të thjeshtë: Shkolla fillonte m 1 shtator. Dhe 1 shtatori ishte 1 shtatori.
Shkolla tetëvjeçare, shkolla e mesme, universiteti – sistemi kishte një ritëm të përcaktuar. Nuk pyetej shumë për humorin e ditës, për kalendarin e ndonjë zyre apo për axhendën e ndonjë zyrtari të lartë. Vinte 1 shtatori dhe shkolla fillonte.
Sot kemi hyrë në një epokë tjetër.
Nëntëvjeçarët dhe të mesmit fillojnë në shtator. Arsimi i lartë andej nga tetori. Masterat e gjejnë veten diku nga nëntori. Dhe, me sa duket, po ta lëmë edhe pak, mund të arrijmë që semestri i parë të fillojë pasi të kemi festuar Vitin e Ri.
– Ec aty, tu befsha! – do të thoshte ndonjë xhaxha në moshë.
Dhe ndoshta nuk do ta kishte fare gabim. Sepse çështja nuk është vetëm data. Data është thjesht simptomë. Çështja është se si e kemi konceptuar arsimin.
Kemi të shtunën. Kemi të dielën. Kemi festat zyrtare. Kemi pushimet e dimrit. Kemi pushimet e pranverës. Kemi ditët e veçanta, ditët e zgjedhjeve, ditët kur bie shi, ditët kur ka vapë dhe, herë pas here, edhe ditët kur sistemi vendos se nxënësit kanë nevojë për pak pushim nga pushimi.
Dhe pastaj çuditemi pse një vit shkollor po bëhet gjithnjë e më shumë një fotokopje e zbehtë e një semestri të dikurshëm.
Po të kthehemi pas, sidomos te arsimi i para viteve ’90, mund të diskutojmë gjatë për problematikat politike  dhe ideologjike të pedagogjisë. Por një gjë nuk mund t’ia mohojmë: shkolla kishte peshë. Mësimi ishte mësim. Provimi ishte provim. Dhe vazhdimi i studimeve nuk ishte një e drejtë që ta merrje automatikisht vetëm sepse kishe kaluar klasën. Duhej të kishe rezultat. Nëse nuk kishe mesataren e duhur, dera e universitetit mund të mbyllej përpara teje.
Sot kemi bërë përmbysjen e madhe.
Dikur luftohej për të hyrë në universitet. Sot luftohet për të prodhuar sa më shumë universitete, sa më shumë diploma dhe sa më shumë tituj.
Dhe ja ku kemi mbërritur.
Pothuajse të gjithë kanë universitet. Shumica e shqiptarëve kanë mbaruar juridikun. Edhe më idjoti, madje.
– Shkollë e mirë, me perspektivë.
Kështu thuhej dikur. Pastaj erdhi koha kur juridiku nuk mjaftonte më. Duhej masteri.
Një master? Mirë.
Dy mastera? Edhe më mirë.
Tre? Pse jo!
Inflacion mesterash.
Sepse tani lufta nuk bëhet më për dijen. Bëhet për letrën që dëshmon se di. Dhe në këtë garë të çuditshme shqiptare, diploma po humbet atë që duhej të ishte thelbi i saj: vlerën.
Një njeri mund të ketë tre diploma dhe të mos dijë të shkruajë një paragraf pa gabime.
Mund të ketë dy mastera dhe të mos ketë lexuar një libër të plotë jashtë programit të detyruar. Mund të ketë një titull akademik dhe të mos jetë në gjendje të shpjegojë me fjalë të thjeshta se çfarë ka studiuar.
 Por dokumenti është aty. I vulosur. I firmosur… I dyllosur.
Dikur Tili, - personazhi I famshëm I filmit “Shoku ynë Tili” - që nuk ia thekte për shkolle, e kërkonta ta linte fare, pyeste shoferin e autobuzit të Unazës:
– Sa shkollë ke ti, xhaxhi Vaso?
Dhe përgjigjja ishte:
– Të mesmen, veç nja tre kurseve...
Sot pyetja është bërë më moderne:
– Sa shkollë ke?
– Baçelorin përveç nja dy masterave.
– Po doktoraturë?
– Jam duke punuar për të marrë titullin shkencor.
Aferim
Shkolla mund të fillojë më 1 shtator, më 15 shtator apo më 1 tetor. Kjo është çështje kalendari. Por arsimi duhet të fillojë shumë më herët. Dhe duhet të vazhdojë shumë më gjatë se ceremonia e diplomimit. Përndryshe, do të vazhdojmë të kemi një vend plot me njerëz me diploma dhe, paradoksalisht, gjithnjë e më pak njerëz të ditur.
Alfabet funksional, i cilësojnë ca e ca.
Dhe kjo do të është një nga ato fitoret shqiptare ku kemi humbur pikërisht atë që mendonim se kishim fituar.

No comments:

Post a Comment