Monday, September 11, 2017

Farudin Hoxha: "Shqipëria, si i ndërtoi 650 diga, Ju rrëfej sekretet e ndërtimit të Fierzës dhe Komanit"


INTERVISTA I 
Akademiku Farudin Hoxha, parashtron rrezikun që mund të vijë nga amortizimi i ujëmbledhësve

Shqipëria, si i ndërtoi 650 diga

nga Leonard VEIZI

Nuk e ka në plan të pushojë pa e vrarë mendjen, të ndjekë me fanatizëm edicionet e lajmeve në televizor dhe as të shohë me ankth ndeshjet e “Champion League”. E megjithatë, koha nuk i jep as mundësinë të bëjë shëtitje rreth liqenit artificial e të mendojë qoftë dhe për një çast të vetëm, se për një digë si ajo që është ndërtuar në kodrat e kryeqytetit për mbledhjen e ujit, ai ka punuar për ta lartuar atje, në Fierzë, Koman apo gjetkë. Por dhe nëse gjen kohën për t’u qetësuar e për të mbledhur veten pak, atij sërish i duhet të jetë atje, në tavolinën e tij të punës, ku projektet që zëvendësojnë njëra tjetrën e presin vazhdimisht. Ndaj ai, është gjithmonë në lëvizje të pandërprerë, për të ideuar ndërtimin e një digë të re, apo për të bërë oponencën e një punimi të me të njëjtat vlera. Dhe digat, vazhdojnë të jenë në projektet letër, që ndonjë ditë më pas të ngrihen atje, në shtratin e një lumi të rrëmbyer...

...Tanimë kohët kanë ndryshuar. Thuhet se ishin më të sigurta dhe se shteti kujdesej më shumë për to. Por jo të gjitha digat e ndërtuara në Shqipëri tashmë e kanë këtë siguri. Vitet kanë kaluar dhe parametrat e tyre nuk mund të jenë ato të viteve të para pas ndërtimit. Dhe këtu nuk flitet vetëm për digat e hidrocentraleve, por dhe për ato të liqeneve apo rezervuarëve që përdoren për vaditjen e tokave, apo si burim për ujë të pijshëm. Tanimë një pjesë prej tyre janë në fazën e amortizimit dhe, më mos qoftë e thënë, nëse ndonjëra prej tyre shembët a çahet, pasojat do të jenë katastrofike. Kjo sidomos kur bëhet fjalë për 306 digat më të mëdha të vendit. Ky rrezik evident, i lançuar ndonjëherë edhe nga ndonjë gazetë a televizion, duket se nuk është marrë fort seriozisht nga strukturat përkatëse që duhet të përgjigjen për to. Profesor Farudin Hoxha, i njohur më së shumti si një prej heronjve të ndërtimit të hidrocentraleve, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” rrëfen për rrezikun që ka sot vendi ynë, nga mosmirëmbajtja e digave ujëmbledhëse:
Cila është gjendja aktuale e digave të ndërtuara në vendin tonë?
“Me ujin dhe me zjarrin mos luaj”, thotë populli ynë. Pikërisht këtë intervistë dëshiroj ta zgjeroj për veprat dhe objektet që trajtojnë ujin, për të cilat po nuk u kujdesem me maksimumin e përkushtimit e të dijeve bashkëkohore, ato kthehen në një “cunam” të papërmbajtshëm që merr dhe shkatërron çdo gjë që gjen përpara. Lidhur me këtë temë, meqenëse m’u drejtuat, më lejoni edhe mua të them në mënyrë mjaft të përmbledhur disa nga mendimet e mija.
Ku do të ndalemi më konkretisht?
Po e fillojmë me problemet e ujit. Në rruzullin tokësor rezervat e ujit të ëmbël po bëhen nga dita në ditë më të pamjaftueshme për plotësimin e nevojave të përdoruesve. Shkaqe të kësaj dukurie tashmë janë të njohura dhe e kanë burimin kryesor në zhvillimet demografike dhe veprimtarinë e gjithanshme jetësore të shoqërisë njerëzore. Është rritur mjaft norma e konsumit të ujit dhe e qëllimeve për të cilat përdoret, është rritur mjaft numri i konsumatorëve dhe i nevojave të tyre gjithnjë në rritje, është rritur me ritme shumë të shpejta numri i popullsisë së globit dhe përqendrimi i saj në metropole dhe qytete, në kërkim të një jetë më të mirë, por që bie ndesh me shpërndarjen e burimeve ujore, është rritur ndjeshëm ndotja e mjedisit si rrjedhojë e veprimtarisë intensive ekonomike të njeriut në kërkim të standardeve jetësore më të larta etj. Në këto kushte uji mbetet për njerëzimin një pasuri me rëndësi strategjike, vlera e të cilit vjen çdo ditë duk e u rritur. Ai është i pazëvendësueshëm. Pa të nuk ka jetë.
Cili është konsumi i ujit në ditët e sotme, kur tashmë është i njohur fakti i krizës së burimeve ujore?
Gjatë periudhës 50-vjeçare, nga viti 1950 deri në vitin 2000, popullsia e globit është rritur 2,5 herë kurse konsumi i ujit është rritur 4 herë, në një kohë kur burimet ujore, nga pikëpamja sasiore, mbeten po ato. Në vitin 2025 popullsia e globit me ritmet e sotme të shtesës do të shkojë në rreth 11 miliardë banorë. Këta dy tregues, duke pasur parasysh zhvillimet në botë, paralajmërojnë një përkeqësim të mëtejshëm të situatës, por njëkohësisht shtrojnë domosdoshmërinë e ruajtjes dhe përdorimit me shumë kujdes të rezervave të ujit të ëmbël, Ndoshta në një të ardhme shumë të afërt, do të lindi nevoja për burime të tjera ujore, të cilat gjithsesi për t’u sjellë në gjendje të përdorshme do të kërkojnë shpenzime të konsiderueshme.
Po Shqipëria në çfarë kushtesh ndodhet?
Uji, si një nga elementet thelbësore të mjedisit, është bërë objekt studimi e trajtimi i shumë institucioneve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për të cilin janë zhvilluar shume aktivitete dhe janë hartuar një sërë dokumentesh për mbrojtjen e tij. Dukuria e pamjaftueshmërisë së burimeve ujore në vendin tonë ndonëse në stadin e sotëm të shoqërisë shqiptare nuk vërehet dukshëm, është prezent. Kjo vërehet si në rrjedhjet ujore sipërfaqësore ashtu dhe në ujërat nëntokësore, të cilat krahas ndotjes intensive, i nënshtrohen edhe shfrytëzimit të tyre pa kriter. Në burimet ujore të vëna në shfrytëzim dhe në sistemet e ujësjellsave që furnizojnë popullatën me ujë vërehet një administrim i keq si nga furnizuesit ashtu edhe nga përdoruesit.
A kanë filluar mungesat e burimeve ujore?
Shqipërisë nuk i mungojnë rezervat e ujit, të këtij elementi jetësor, me vlera të gjithanshme e të pazëvendësueshme dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko-shoqëror të saj. Vendi ynë renditet ndër vendet me ujëshmëri të bollshme. Në territorin e Shqipërisë bien mesatarisht 1460 m/m reshje atmosferike në vit. Rrjeti hidrografik lumor derdh në det mesatarisht rreth 42 miliard m3 ujë në vit, ose rreth 12.000 m3 në vit për banor. Disa prej lumenjve kryesorë të vendit, si Drini dhe Vjosa, pellgu ujëmbledhës të tyre e shtrijnë edhe në territorin e shteteve fqinje, çka bën që të rritet ndjeshëm rrjedhja ujore e tyre.
Po shfrytëzimi në çfarë kushtesh është?
Anë negative e këtyre rrjedhjeve mbetet jouniformitet i theksuar i tyre në kohë dhe në hapësirën e vendit tonë. Shfrytëzimi i burimeve ujore në kushte natyrore, pa ndërhyrjen e njeriut, karakterizohet nga një shkallë e ulët e përdorimit të tyre dhe shoqërohet me mospërputhje të theksuara në kohë dhe në sasi midis nevojave të konsumatorëve dhe atyre që ofron natyra. Për zbutjen e këtyre mospërputhjeve, që çojnë njëherësh edhe në rritjen e shkallës së shfrytëzimit të rezervave ujore, del nevoja e ndërtimit të digave, të cilat në varësi të lartësisë dhe kushteve të terrenit krijojnë ujëmbledhës me vëllime të ndryshme uji. Janë pikërisht këta ujëmbledhës, që në sajë të kapacitetit të tyre bëjnë të mundur rishpërndarjen e rrjedhjes natyrale. Ata grumbullojnë ujin në periudhën e lagur me reshje atmosferike të bollshme dhe e lëshojnë atë në periudhën e thatë, në përputhje me nevojat e përdoruesve të ndryshëm të tij.
A ka në Shqipëri diga të përmasave të mëdha?
Sigurisht që janë ndërtuar dhe ka të tilla. Është një trashëgimi që brezat e sotëm gëzojnë nga brezat paraardhës. Në Shqipëri janë ndërtuar rreth 650 diga, 306 nga të cilat plotësojnë kushtet e vëna nga Komisioni Ndërkombëtar i Digave të Mëdha, ICOLD, për t'u quajtur diga të mëdha. Midis 82 vende anëtare të ICOLD-it, ku vendi ynë aderon që nga viti 1964, Shqipëria zë vendin e parë për diga të mëdha për çdo banorë dhe vendin e 18 për numrin e përgjithshëm të digave të mëdha. Për çdo 10.000 banorë vendi ynë ka afërsisht një digë të madhe. Diga e Fierzës është midis 150 digave me të larta të botës. Ajo, së bashku me digën e hidrocentralit të Komanit ka hyrë në botimet e specializuara të ICOLD-it.
Cili është kapaciteti ujëmbledhës i tyre?
Kapaciteti i ujë mbledhësave i krijuar nga këto diga arrin në 4’6 miliard m3 ujë ose rreth 12% të rrjedhjes së përgjithshme natyrale që lumenjtë tanë derdhin në det, në vitin mesatar. Sipërfaqja e përgjithshme e pasqyrës së ujit të krijuar nga të gjithë ujë mbledhësit tanë arrin në 226 km2. Sa renditëm më lart tregon për një shkallë të kënaqshme të mundësive që krijohen për ujë dhe rregullim relativisht mirë të rrjedhjes natyrale të lumenjve tanë, meritë kjo e digave të ndërtuara dhe e ujëmbledhësve të krijuar prej tyre.
(Vijon)

Ujëmbledhësit, ja dobitë nga ndërtimi i digave
Akademik Farudin Hoxha thotë se ndërtimi i digave ujëmbledhëse ka mundësuar që:
- Të prodhohen 5,34 miliardë KVV orë energji elektrike mesatarisht në vit
- Të vihen nën ujë ose të ujiten, se bashku edhe me burime të tjera ujore, rreth 400.000 ha tokë
bujqësore ose 57% e tokës se punueshme e cila deri ne vitin 1990 ka qenë rreth 700.000 ha
- Të zvogëlohen ndjeshëm përmbytjet e tokave dhe të qendrave të banuara nga vërshimet e lumenjve në kohë dimri
- Të krijohen kushte të favorshme për kultivimin e peshkut jomigrues
- Të mundësohet transporti i pjesshëm lumor
- Të ndikohet në përmirësimin e mikroklimës së zonave pranë ujëmbledhësave.
- Të krijohen kushte për shtrirjen në thellësitë territorit të aktivitetit turistik dhe rekreativ
- Të krijohen kushte për sigurimin e ujit të pijshëm dhe atij komunal.
- Të ndikohet në zvogëlimin e erozionit nga rrjedhjet e ujërave sipërfaqësorë.


AKTUALITETI/ Çfarë po ndodh me 650 digat e ndërtuara në gjithë Shqipërinë

Ju rrëfej rrezikun e digave, po u çanë na pret katastrofa

Nga viti 1957 kur daton dhe ngritja e digës së parë ne vend, e deri në vitin 1990, kujdesi për to ka qenë maksimal. Por pas viteve ‘90 problemet janë shfaqur dukshëm. Mendohej vetëm për shfrytëzimin e tyre dhe për mirëmbajtjen shumë më pak, ose aspak fare. Duke iu referuar kësaj gjendje, akademik Farudin Hoxha, thotë për “Telegraf”:

“Bërja e burimeve ujore të komandueshme, përmirëson mjaft ndikimin e tyre në mjedisin natyral të vendit tonë. Nga studimet e kryera për shfrytëzimin kompleks dhe optimal të të gjithë lumenjve të Shqipërisë, parashikohet të ndërtohen edhe shumë diga të tjera të mëdha, të cilat do të bëjnë të mundur komandimin pothuajse të plotë të rrjedhjes së lumenjve tanë. Kjo do të çojë në rritjen e ndjeshme të mundësive të përmendura më sipër, madje disa prej tyre do të shumëfishohen. Siç mund të kuptohet lehtë nga sa thamë më sipër digat dhe ujëmbledhësit e krijuar prej tyre janë një pasuri kombëtare me vlera të mëdha, të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të vendit. Prezenca e digave dhe e ujëmbledhësve të krijuar prej tyre, aktualisht në shfrytëzim në vendin tonë, nuk është e rastësishme. Ato janë produkt i investimeve kolosale monetare, njerëzore e intelektuale, të brezave paraardhës të popullit tonë që sot me modesti thonë “kemi bërë detyrën”. Arritjet në këtë fushë janë vërtet të konsiderueshme. Por. Që këto të jenë të qëndrueshme, në shërbim të ekonomisë e zhvillimit të vendit, lind domosdoshmërisht nevoja për një mirëmbajtje të vazhdueshme e të kujdesshme të veprave. Kërkesa për të mirëmbajtur e mbrojtur digat dhe ujëmbledhësat dhe për t’i vlerësuar ato si “objekte të rëndësisë së veçantë” - lind jo vetëm për shkak të vlerave të mëdha ekonomike që ato kanë në vetvete por mbi të gjitha nga fakti se, në rrethana të caktuara, në një moment të caktuar, ato nga një burim të mirash të mëdha materiale, kthehen në burim fatkeqësish, me pasoja të rënda ekonomike e mbi të gjitha njerëzore. Kjo ndodh kur një digë çahet ose prishet. Falë punës së mirë projektuese e ndërtuese por dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të tyre, në vendin tonë, që nga viti 1957, kur u ndërtua diga e parë, e deri më sot, nuk ka pasur katastrofa me pasoja të rënda. Ka pasur vetëm dëmtime të pjesshme digash, të cilat janë riparuar në kohë. Kjo është pozitive dhe inkurajuese por nuk është e mjaftueshme dhe gjithçka. Me keqardhje digat dhe ujëmbledhësit e tyre, nga viti 1990 e këtej, tranzicionin e shoqërisë tonë e kanë përjetuar me shumë probleme të mëdha për qenien e tyre”.

Kujdesi
Digat, në mëshirën e fatit
“Pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive, kujdesi për to ka qenë shumë i vogël, për të mos thënë që në disa raste është shkuar deri në braktisjen e tyre. Diga të caktuar në periudha të caktuara janë lënë në mëshirë të fatit të njerëzve, të pakualifikuar për shfrytëzimin e tyre. Në to, për arsye absurde, me dashje, janë shpërthyer edhe ngarkesa eksplozivi. Një pjesë e Digave tashmë i janë nënshtruar procesit të vjetërimit. Ky fakt kërkon nga shfrytëzuesit të forcojnë kërkesat për mirëmbajtje cilësore të digave, për të garantuar sigurinë dhe jetëgjatësinë e tyre. Mosvlerësim i drejt i të mirave që ato japin dhe i pasojave të rënda dhe shkatërruese që digat dhe ujëmbledhësit shkaktojnë kur prishen. Mungesa e specialistëve të kualifikuar dhe të profilit në shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tyre, bën që prishja e një dige dhe pasojat që vijnë prej saj, të mbeten një rrezik real potencial shumë i madh. Mosha relativisht e madhe e digave dhe kujdesi i pakët për to, ka bërë që një pjesë e elementëve përbërës të tyre, të kenë humbur vetitë e nevojshme, që garantojnë funksionimin normal dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kjo vihet re në bllokimin e sistemit të drenazheve, të pajisjeve hidromekanike të portave, saracineskave, e pajisjeve të tjera. Të gjitha këto krijojnë premisa për ndodhi të rrezikshme në këto vepra”, thotë akademik Farudin Hoxha gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”.


INTERVISTA II 

Akademiku Farudin Hoxha: Ndërtimet pa leje poshtë digave, ja ku rrezikohen jetët njerëzore

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)
Një pjesë e mirë e jetës së tij ai e ka kaluar në kantieret e ndërtimit të digave të mëdha. Ndaj dhe sot, e ndjen krejt organike të shqetësohet për administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Dhe duket se ky shqetësim vjen pikërisht në çastin e duhur. Atëherë kur nuk ka ndodhur asgjë. Megjithatë, këmbanat e alarmit tashmë kanë rënë. Por, për fatin tonë të mirë, jemi ende në kohën kur gjithçka mund të mbahet nën kontroll, nëse ndërhyet atje ku duhet dhe ashtu siç duhet. Sepse, nëse katastrofa ndodh, humbasin jetë njerëzish dhe shkatërrohen të mirat materiale, çdo gjë tjetër do të ishte i kotë.

Ato nuk janë pak por 650 diga në të gjithë Shqipërinë nga të cilat 306 prej tyre njihen si diga të mëdha. Por duket se e keqja nuk është vetëm tek administrimi dhe mirëmbajtja e tyre, por dhe tek ndërtimet e pakontrolluara që shumë shtetas shqiptarë, kanë bërë në rrethinat e tyre. Në këto kushte edhe rreziku bëhet më i madh. Të gjitha këto si dhe masat që duhet të merren për të pasur nën kontroll situatën, flet ekskluzivisht për “Telegraf” njeriu i hekurt i ndërtimit të digave, akademiku Farudin Hoxha:
Cili është niveli i mirëmbajtjes së digave vitet e fundit?
Me keqardhje digat dhe ujëmbledhësit e tyre, nga viti 1990 e këtej, tranzicionin e shoqërisë tonë e kanë përjetuar me shumë probleme të mëdha për qenien e tyre. Pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive, kujdesi për to ka qenë shumë i vogël, për të mos thënë që në disa raste është shkuar deri në braktisjen e tyre. Diga të caktuar në periudha të caktuara janë lënë në mëshirë të fatit të njerëzve, të pakualifikuar për shfrytëzimin e tyre. Në to, për arsye absurde, me dashje, janë shpërthyer edhe ngarkesa eksplozivi. Një pjesë e Digave tashmë i janë nënshtruar procesit të vjetërimit. Ky fakt kërkon nga shfrytëzuesit të forcojnë kërkesat për mirëmbajtje cilësore të digave, për të garantuar sigurinë dhe jetëgjatësinë e tyre. Mosvlerësim i drejt i të mirave që ato japin dhe i pasojave të rënda dhe shkatërruese që digat dhe ujëmbledhësit shkaktojnë kur prishen.
Ku qëndron defekti më i madh në administrimin e digave?
Mungesa e specialistëve të kualifikuar dhe të profilit në shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tyre, bën që prishja e një dige dhe pasojat që vijnë prej saj, të mbeten një rrezik real potencial shumë i madh. Mosha relativisht e madhe e digave dhe kujdesi i pakët për to, ka bërë që një pjesë e elementëve përbërës të tyre, të kenë humbur vetitë e nevojshme, që garantojnë funksionimin normal dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kjo vihet re në bllokimin e sistemit të drenazheve, të pajisjeve hidromekanike të portave, saracineskave, e pajisjeve të tjera. Të gjitha këto krijojnë premisa për ndodhi të rrezikshme në këto vepra.
Ku është më alarmante kjo gjendje?
Gjendjen e sigurisë se digave veçanërisht në sektorin e bujqësisë e rëndoi edhe më shumë kalimi i tyre në nën administrimin dhe shfrytëzimin e shoqatave të Përdorimit të Ujit, të cilat jo vetëm që kanë qenë  fare të papërgatitura për këtë detyrë, por nuk kanë treguar as më të voglin interes për mirëmbajtjen e tyre. Me përjashtime shumë të rralla, shoqata dhe organizatat që sot merren me përdorimin e ujit, nuk kanë mjetet dhe mekanizmat e domosdoshëm për të shfrytëzuar e mirëmbajtur objekte të tilla. Digat dhe rezervuarët teknikisht duhet të menaxhohen nga specialiste që përgatitjen e duhur, ndërsa organizatat e mësipërme të jenë blerës të ujit.
A ka diga që tanimë kanë dalë jashtë funksionit?
Shumë diga të bujqësisë, me rezervuarët që kanë krijuar kanë humbur aftësinë ujitëse të tyre për shkak të mbushjes së rezervuarëve me sedimente të ngurta. Në të tilla raste, një dëmtim apo prishje eventuale e digës, do të shkaktonte përmbytje me pasoja të rënda për njerëzit dhe të mirat materiale sepse rrjedha ujore mund të kalojë dhe mbi digë, veçanërisht kur ka reshje të mëdha. Për digat që kanë humbur aftësinë ujitëse për shkakun që thamë më sipër duhet domosdoshmërisht të bëhen studimet dhe projektet përkatëse për abandonimin e tyre. Studimi dhe projektimi për abandonimin e digave është një proces teknik i vështirë, sepse lidhet me shumë faktorë që duhet të merren parasysh. Mendoj se ka ardhur koha që atyre me akte dhe vendime ligjore t'u ndryshohet qëllimi fillestar i destinuar, duke i konsideruar vepra jo ujitëse, por me funksione të tjera.
Po digat e hidrocentraleve të mëdhenj, sa të sigurta janë?
Digat e HEC-ve dhe veçanërisht ato të kaskadës se lumit Drin janë ndërtuar me teknologjinë e kohës dhe paraqiten mjaft më të sigurta. Kujdesi për to ka qenë më i madh. Megjithatë në këto vepra ka probleme të cilat cenojnë sigurinë e tyre, veçanërisht në veprat anekse, siç janë shkarkuesit e prurjeve të mëdha dhe gërryerjet ne anën e poshtme të tyre.
Sa kanë ndikuar lëvizjet demografikë që kanë bërë ndërtime në afërsi të digave?
Problem i madh që duhet pasur parasysh me prioritet absolut, të cilit po me prioritet absolut duhet t'i jepet zgjidhje është ngritja e qendrave të reja të banimit në luginat poshtë digave. Kjo lëvizje e pakontrolluar e popullsisë, për të cilin sipas nesh përgjegjësi mban pushteti qendror e sidomos ai lokal, ka bërë që këta njerëz, të cilët kanë ardhur dhe janë vendosur në këto vende për një jetë më të mirë t'i ekspozohen një rreziku të madh, duke u vendosur me banim ne hapësirat nën digat ekzistuese.
Janë bërë studime në këtë drejtim?
Në kohën kur këto diga janë projektuar, nuk është marrë parasysh prania e qendrave të banuara sepse ato nuk ekzistonin dhe nuk parashikoheshin të ndërtoheshin. Këto raste duhet të shihen nga shfrytëzuesit e digave dhe pushteti lokal një për një, dhe të jepet zgjidhja e duhur për parandalimin e katastrofave të mundshme, mbi të gjitha të atyre njerëzore. Për shkaqet e përmendura më lartë lidhur me rreziqet që paraqet qëndrueshmëria e këtyre digave duhet që me akte ligjore të posaçme të rishihet klasa e veprës dhe e si dhe të parashikohen punimet shtesë që duhen kryer për rritjen e sigurisë së tyre.
Cili është roli i pushtetit lokal në këto raste?
Pushteti lokal, nëpërmjet strukturave të tij jo vetëm që duhet të ushtrojë kontrolle periodike për të parë në vend zbatimin e ligjshmërisë për mënyrën e shfrytëzimit të këtyre veprave dhe mirëmbajtjen  e tyre, por mbi të gjitha për gjendjen fizike të tyre dhe sa të sigurta janë, sepse ato mbartin rrezik potencial të përhershëm për katastrofa njerëzore dhe ekonomike. Këto duhet të jenë gjithnjë nën kontroll dhe në vëzhgim të përhershëm ashtu siç veprohet në çdo vend të botës që ka vepra të tilla, aq më shumë tani që akte terroriste mbajnë nën kërcënim mjaft vende të globit. Në këtë proces nuk mund të jenë indiferent dhe publiku u gjerë, deri tek qytetari i thjeshtë. Ata kanë gjithashtu mënyrat dhe rrugët për të kontribuar në ruajtjen e kësaj pasurie dhe për mënjanimin e katastrofave të ndryshme.
A njihen shumë raste të katastrofave të kësaj natyre në botë?
Prishjet e digave dhe pasojat katastrofike të ndodhura në vende të ndryshme të botës nuk janë të pakta. Analiza e shkaqeve dhe nxjerrja e mësimeve për t’i mënjanuar ato duhet të jenë objekt i punës së specialistëve të kësaj fushe dhe veçanërisht i atyre që merren me administrimin dhe shfrytëzimin e tyre.
Mendoni se duke përmendur fakte të tilla ngjallet më shumë panik?
Përmendja e katastrofave nuk synon ngjalljen e panikut, por shikimin e realitetit në sy, me qëllim që të ndërgjegjësohemi të gjithë për vlerat e mëdha që kemi në përdorim dhe për pasojat e rënda që mund të shkaktojmë. Të gjithë, brenda kuadrit ligjor, jemi detyruar të punojmë dhe të kontribuojmë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin optimal të kësaj pasurie.

KATASTROFAT
Si janë përmbytur Italia e Franca
Duket e pabesueshme por është e vërtetë. Shpërthim të digave ujëmbledhëse ka pasur dhe në vendet e zhvilluara Evropiane madje dhe në Amerikë. Duke iu referuar rasteve të tilla akademik Farudin Hoxha thotë: “Nuk duhet harruar se katastrofa me pasoja shumë të rënda ekonomike, dhe veçanërisht njerëzore, nuk kanë kursyer as vendet më të zhvilluara si SHBA, France, Itali, Spanjë etj., ku kultura e studimit, projektim-it, ndërtimit dhe veçanërisht e shfrytëzimit dhe e mirëmbajtjes së digave, është në një nivel shumë më të lartë, të pakrahasueshëm me atë në vendin tonë. Në kushtet e realitetit shqiptar, nga ana e institucioneve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në projektimin, ndërtimin, ndërtimin administrimin dhe shfrytëzimin e kontrollin e digave/dambav, duhet të kenë një përgjegjshmëri të lartë në punë. Byrotë e projektimit dhe ndërmarrjet e ndërtimit duhet të përdorin teknika dhe teknologji bashkëkohore. Administruesit dhe shfrytëzuesit e këtyre veprave duhet të rrisin nivelin cilësor të specialistëve dhe të ngrenë kulturën e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tyre si dhe të jenë korrekt në zbatimin e rregullave e udhëzimeve përkatëse që ka legjislacioni në vendin tonë. Organet e kontrollit duhet të ushtrojnë kontroll cilësor, të bëjnë punën sensibilizuese, por mbi të gjitha të kërkojnë zbatimin me rigorozitet të ligjit  Për administrimin dhe shfrytëzimin e këtyre veprave, njerëzit duhet të zgjidhen. Ata duhet të jenë specialistë të profilit, nga më të mirët që ka vendi. Këto vepra nuk janë për t’i gjetur punë njeriut, por për t’i gjetur njeriun punës”.

EPILOGU
Të ndryshohet legjislacioni në fushën e administrimit të digave
“Në këtë intervistë u përpoqëm të vëmë në dukje disa nga çështjet më të mprehta që janë sot në fushën e ujërave të ëmbla dhe trajtimin e tyre me rezervuarët që krijohen nga ndërtimi i digave, vlera e tyre dhe rreziqet që paraqesin. Është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur që në një intervistë si kjo të trajtohen dhe të shterohen të gjitha problemet që shqetësojnë. Në përmbyllje të kësaj interviste do të dëshiroja të theksoja se mbështetur në përvojën e grumbulluar në këto 15-20 vitet e fundit ndoshta është e nevojshme të analizohet puna e kryer si dhe legjislacioni e ndërtimi institucional në këtë fushë me synimin që të eliminohen ato të meta të cilat nuk janë të pakta dhe që sot pengojnë për të bërë vepra plotësisht të sigurta dhe shumë më të dobishme. Kjo është një nga temat  më të rrahura e më të diskutuara në forume e kongrese ndërkombëtare e Botërore. Është e domosdoshme që legjislacioni në fushën e administrimit të shfrytëzimit dhe të mirëmbajtjes së digave, jo vetëm të përputhet me atë të rezervave ujore, por kërkesat ndaj shfrytëzuesve administratorëve dhe përdoruesve të tyre si dhe përgjegjësit e detyrimit që ata duhet të kenë duhet të të bëhen shumë më të mëdha dhe mjaft më të rrepta”, thotë akademik Farudin Hoxha gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”.


INTERVISTA III 

Farudin Hoxha rrëfen për ndërtimin e veprave të mëdha hidro-energjitike. “Ato i ndërtuan njerëzit heroik jo Partia e Punës”

Ju rrëfej sekretet e ndërtimit të Fierzës dhe Komanit

Leonard VEIZI

Një pjesë e mirë e jetës së tij ai e ka kaluar në kantieret e ndërtimit të digave të mëdha. Ndaj dhe sot, e ndjen krejt organike të shqetësohet për administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Akademik Farudin Hoxha, në këtë intervistë për gazetën “Telegraf” rrëfen për sekretet e ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës, vepra më e madhe hidroenergjetike në vend, që dikur mbante emrin “Drita e Partisë”.
Pse propaganda ndaj veprave të mëdha si Fierza dhe Komani, ishin të ndaluara gjatë regjimit komunist?
Për shumë arsye. Por historia duhet shkruar ashtu siç ka ndodhur. Duhet shkruar me të gjitha detajet, hollësitë. Puna për ndërtimin e veprave të tilla ka qenë në kushte të vështira, shumë të vështira. Ato vepra nuk i ka ndërtuar as partia as ideologjia, por populli i mrekullueshëm shqiptar, teknikët dhe inxhinierët tanë të talentuar. Populli ynë nga Vermoshi në Konispol ka dhënë djersën dhe gjakun e tij në këto vepra… Po, po gjakun. Por për efekte sigurie (gjoja), për të mos nxjerrë sekretin në rast sulmi, që të mos dihej asgjë për çka ndërtohej në Shqipëri nuk shkruhej asgjë për këto vepra.
Çfarë doni të thoni me “punë në kushte të vështira”?
Dua të them shumë gjëra. Punohej ditën dhe natën. Punohej në dimër, në verë, në, vjeshtë apo pranverë. Aty ishte një qytet i ri me jetë 24 -orëshe. Pra punohej në dimër në temperature minus 20 gradë, por punohej në verë edhe kur të binte dielli si saç mbi kokë. Mbi ne, gjithë kohën ishte vetëm një copë qiell. Asgjë tjetër. Male, shkurre, dhe një copë qiell. Këto ishin ato që na rrethonin.
Sa vjet punë është bërë për të realizuar një vepër të tillë si Fierza?
Rreth 7 vjet punë. Por flitet për punë titanike. Flitet për punë që sot askush se imagjinon. Flitet për punë dhe vetëm punë që sot kur e mendoj s’mund ta besoj. Shtatë vjet sa 70 vjet punë.
Po sot a mund të ndërtohet një vepër me përmasa të tilla?
Jo. Nuk bëhet. Në asnjë mënyrë. Askush nuk mund të punojë në ato kushte. Asnjë s’mund të bëjë sakrifica të tilla. Sot do punohet në kushte shumë më të mira, në kushte luksi e me ushqim të bollshëm. Kapanone, apo mjete shumë moderne, por sërishmi në ato vende dhe me ato kushte kurrë sot s’mund të ndërtohet një vepër e tillë. Kjo e padiskutueshme. Ata njerëz ishin heronj. Nuk e di se çfarë i shtynte të punonin ashtu, frika, ndërgjegjja, dëshira për të jetuar, mos njohja e realitetit jashtë? Nuk e di, nuk e di. Ajo që di të them se sot vepër si Fierza s’mund të bëhet dot kurrë sot në Shqipëri. Sot, jo vetëm që nuk shkon njeri të punojë, por s’mund të ndërtohet një qytezë e tillë me disiplinë si ajo. Ishte një trysni ideologjike që të bënte t’i përkushtoheshe punës. Në atë kohë Fierza ishte 10 mijë banorë. Një qytet i ngritur enkas për ndërtimin e hidrocentralit. Ka qenë një organizim i madh dhe u bë një punë e përkryer.
Po teknologjia me të cilën u vu në punë hidrocentralit, a ishte një teknologjinë e kohës?
Po! Fierza është ndërtuar në atë kohë me teknologjinë e kohës. Teknologjinë më moderne të asaj kohe. Kjo është e sigurt. Edhe sot përdoret kjo teknologji, por me disa ndryshime të vogla dhe me mjete të tjera më moderne.
Nga janë marrë materialet në atë kohë?
Makinat 60 tonësh u blenë në Angli. Fierza ka histori të mëdha. Shumë të mëdha. Në fillim ndërtimi nisi me makina 4 tonësh kineze. Ishin makina Zis (ripotabla) që sa binte mbi karroceri dheu, apo gurët ato shqyheshin. Turbinat janë franceze. Transformatorët janë Jugosllavë. Pra u morën turbinat e prodhimit të fundit francez nga më të kërkuarat në treg në botë.
A është dënuar ndonjë inxhinier i Fierzës, për “sabotim” apo “punë armiqësore”?
Jo, nuk është dënuar asnjë.
Si ishte ndërtuar kjo qytezë?
Fierza ka qenë zonë kufitare dhe ka qenë ngjitur me Tropojën. Ka pasur male rreth e qark, kodra dhe një pëllëmbë qiell. Fierza në atë kohë kishte spital, shkollë të mesme, dhe shumë dyqane, klube. Jeta ishte gjithë gjallëri. Njerëzit kanë qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ishte një qytet i izoluar por plot jetë dhe dashuri. Në Fierzë u ngritën pallatet pesë katëshe për strehimin e punëtorëve.
Ky ishte dallimi kryesor?
Po, dallimi thelbësor. Njerëzit e donin shumë njeri- tjetrin. Ishin si vëllezër. Ishin si një familje. Edhe copën e bukës e ndanin në mes. Ishin njerëz të dashur, punëtor, të respektueshëm, të dëgjueshëm. Sot pak njerëz të tillë gjen. i gjendeshin njeri-tjetrit në situate të vështira. Ka pasur një gjallëri të madhe Fierza në ndërtimin e saj. Dita ishte ditë, por nata ishte më shumë se dita. Kishe kënaqësi të rrije.
Në Fierzë punohej me plane apo..?
Po! Pa diskutim me plane dhe plane shumë rigoroze. Atëherë ishte e vështirë të realizohej plani. Vetëm diga e Fierzës ka 8 milion metër kub zhavorr, hekur, beton etj. Njerëzit që e kanë përjetuar Fierzën është zor ta përjetojnë më. Po të ngresh kokën të shikosh digën e Fierzës të bie kapelja nga koka.
Ka qëlluar që të ta shikojë ndonjë i huaj këtë digë gjigande?
Fierza është vizituar nga shumë turistë italianë e francezë, por vetëm me kërkesën e tyre.
Po Enver Hoxha e ka vizituar ndonjëherë Fierzën?
Jo nuk e ka vizituar asnjëherë. Por ka qenë Mehmet Shehu. Nexhmija vizitoi Komanin.
Si punohej nga inxhinierët dhe teknikët në Fierzë?
Në kohën që shkova unë në Fierzë doli që kuadrot të shkonin në bazë, ku projektuesit etj do të shkonin edhe në hidrocentral. Atëherë ka qenë një libër shumë i trashë për udhëzimet e projektit të Fierzës. Pra libër udhëzues i posaçëm. Aty ishte gjithçka e detajuar për mënyrën e ndërtimit dhe masat e sigurimit teknik. Nuk mund të hidhej beton pa firmën e projektuesve. Nuk mund të vihej asnjë skarë hekuri pa firmën e projektuesit. Pra çdo punë që bëhej me firmën e projektuesit. Kaq përgjegjësi të madhe kishte kjo punë. Fierza prandaj qëndron sot në këmbë. Po të ishte bërë ndryshe me ndërmarrjet e sotme nuk do të kishte qëndruar. Atëherë ka pasur një disiplinë të hekurt që shumë zor se mund të vihet sot. Lidhja e hekurit dhe derdhja e betonit bëhej në kushtet e sigurisë dhe përgjegjësisë maksimale. Nuk lejohej as lëvizja më e vogël. Ndërsa sot…
Po sot një shtet në Ballkan a mund ta bëjë një vepër të tillë?
Sigurisht që mund ta bëjnë. Por jo si atëherë. Në atë kohë me një vinç mbaheshin dy ndërmarrje. Dhe e bënim me kontratë 15 ditë njëri dhe 15 ditë tjetri. Pra mund të ndërtohet por vetëm me mjetet e sotme.
A kanë humbur jetën në këtë vepër kaq gjigande?
Sigurisht. E them me keqardhje të madhe. Mua shumë herë më kanë thirrur në KQ dhe shumë herë në Organizatën Bazë të Partisë për punimet. Nuk ka hidrocentral në Shqipëri të mos ketë marrë me vete 50 të vdekur. Sot shumë prej tyre nuk u dihet as varri.
Puna e Fierzës u bë shkak që ju emëruan ministër?
Jam bërë ministër rreth viteve ‘80. Dhe nuk e di edhe sot arsyen që unë u vura ministër.
Çfarë pozicioni ka pasur Petrit Radovicka në Fierzë?
Petriti ka qenë pedagog në universitet dhe ishte kryeinxhinier i kaskadës së Drinit. Petriti ka pasur një shoqëri dhe simpati të madhe me Mehmetin. Ishin dy shokë. Petriti ka qenë partizan me të. Mehmeti besonte vetëm fjalën e Petritit, pasi Petriti ishte i aftë, punëtor, besnik, inteligjent. Të tjerët as që i vinte në kandar as ministrat dhe asnjë tjetër.
Si ishin marrdhëniet e punonjësve në Fierzë me pijet alkoolike?
Kishte dy vjet e gjysmë që kishte filluar Fierza dhe puna ishte shumë e vështirë. Pikërisht në këtë kohë u ndalua një herë me vendim të qeverisë rakia dhe konjaku. Ne punonim në temperaturën -20 gradë Brenda në tunele, në inerte, në fabrikat e betonit. Ishte një punë rraskapitëse. Alkooli ishte i domosdoshëm. Por më vonë u lejua, apo u bë sikur u harrua vendimi. Nuk mund të punohej në atë temperaturë pa pak alkool. Ishte e domosdoshme pija. Atëherë s’kishte shumë lloj pijesh. Të frekuentuara ishin fërneti, konjaku, rakia.
Cilat ishin profesionet më të vështira?
Shofer. Fierza është një histori më vete. Nuk kishim shoferë për makinat 60 tonësh. Kur vinin ato bëhej zhurma sikur me ardhë kuçedra, ishin 40 makina rresht. Ishin eskavatorët që me kovë mbushnin katër metër kub. Automjetet e fundit ishin Centaura. Fierza ka qenë e pajisur vetëm me këto, pastaj u pajisën të tjerët. Vetëm shoferë mund të ishin 200. 200-300 ishin për tu zëvendësuar dhe i bie 400-500 shoferë. Saldatorët ishin të kategorisë së lartë. Punëtorët që hynin aty ishin me kategori. Prandaj rri në këmbë ajo vepër.
Çarë ushqimi kishte për punëtorët?
Fasule sa të duash, bukë, çaj. Minimumi Fierza ka pasur 2500 punëtorë. Gjithsej në pikun e saj 10.000 punëtorë. Sa qyteti i Sarandës. Fluksi më i madh i punëtorëve ishte në verë që rritej edhe më shumë sepse ishte fluksi më i madh i punës. Nëpër mensat e punëtorëve fasulja ishte natë dhe ditë. Kishte edhe ushqime të tjera si mish apo supë, makarona. Furnizimi i Fierzës me ushqime bëhej nga ushtria. Ishte e pamundur të përballohej ajo vepër vetëm me Bajram Currin.
Sot kjo vepër ka kujdesin e duhur nga ana teknike?
Jo vetëm ajo. Sot në përgjithësi është më shumë t’i gjejmë punë njerëzve. Nuk tregohet kujdesi i duhur. E di si duhet mirëmbajtur ajo digë?! Eh! Fierza duhet t’i ketë të gjithë inxhinierë ata që e shfrytëzojnë. Atëherë ishin të gjithë me kategori; shoferët, drejtuesit, mekanikët saldatorët etj. Tani i ke të gjithë me shkollë të mesme dhe me shtatë klasë..
Po riparime a i bëhen rregullisht Fierzës dhe Komanit?
I kanë bërë para një viti pas 30 e më shumë vjetësh. Ka një rregull siç është bota industriale. Siç i bëjnë makinës riparime çdo 3-6 muaj. Kështu ka qenë edhe për HEC-et. Ka qenë shërbimi i mesëm dhe shërbimi i plotë. Atëherë kishte SHT-I dhe SHT-2. Sot nuk ka më, me përjashtim makinave që kontrollohen se janë private. Sot ka një liri më shumë seç duhet. Nga ana teknike ka mungesa të theksuara. Duhen bërë provat tani që vjen dimri të hapen dhe të mbyllen portat. Të jenë lyer ato. Të shikohen mekanizmat etj.. Kur është në shtet ka dobësi të mëdha ruajtja, mirëmbajtja. Rregulloret e dikurshme nuk ekzistojnë. Privati nuk e merr. Ndaj është gjithnjë ai oreksi i privatizimit.
Pse ishte kjo përgjegjshmëri e punëtorëve në atë kohë?
Ishte edhe rregulli, por edhe frika dhe vetë sistemi diktatorial. Nga ana tjetër në ndërtim do të punoje se s’bën. Se nuk kishe ku të shkoje më. Se po të kundërshtoje asaj librezës së punës i vihej një vijë e kuqe dhe kishe marrë fund. Prandaj ka qenë edhe parulla “Të gatshëm atje ku na kërkon atdheu”. Atëherë nuk ka qenë ky oreksi për tu pasur. Atëherë nuk mund të dilje mbi të tjerët. Atëherë nuk mund të mendoje se çfarë mund të bëje. Nuk ka pasur punë private çdo gjë ka qenë e shtetit.
Kush ka qenë çasti më i vështirë?
Çaste të vështira ka kudo. Por kur punon dhe nxjerr themelin e këtyre veprave. Këto themele duhen përgatitur mirë. Nuk duhet të kenë papastërtira. Duke ngritur ujin 160 metra të filtrohet uji. Këto vepra sa të mira janë aq edhe të rrezikshme janë. Sa janë të këndshme aq edhe të rrezikshme janë.
Kush ka ardhur në inaugurimin e Fierzës?
Adil Çarçani që ishte kryeministër, pasi Mehmeti ishte vetëvrarë. Kishte dhe ministra e drejtorë të tjerë. Për Enverin s’bëhej fjalë sepse ishte i sëmurë. Ramizin nuk e kam parë në këto inaugurime. Por kur isha ministër marrëdhëniet i kam pasur shumë të mira. Ramizi nuk ka qenë i grushtit të tavolinës. Me të flisnim lirshëm. S’të bënte gjë të keqe. Mehmeti ishte më i ashpër, por shumë korrekt, i palodhur, kërkues që i respektonte të aftët.
Në kohën kur ishte ministër, a u bë ndonjë vepër tjetër industriale?
Bëmë Komanin. Aty kam qenë projektues dhe shkoja vazhdimisht dhe e shikoja. Në atë kohë ka qenë objekti më i madh që ndërtohej. Po me Fierzën nuk krahasohet asnjë vepër.
Të gjithë këta projekte janë bërë vetëm nga inxhinierët tanë?
Ç’ka qenë pjesë ndërtimore dhe mekanike janë bërë vetëm nga inxhinierët shqiptarë. Kaskada e Drinit nuk mund ta ketë më shoqen në Shqipëri. Drini është gjigand dhe i rrallë. Në Drin është bërë punë me gjak. Në Kaskadën e Drinit ka minimumi 150 të vrarë. Por hidrocentrali nuk është një godinë. Hidrocentrali ka pjesën ndërtimore, tunele, vende me ujë, etj.. Po të shkosh në Fierzë vetëm një tunel është sa një pallat pesëkatësh i lartë, dhe i gjatë 800-900 metra. Ato e çojnë ujin me shpejtësi 30 m në sekondë.
Po Komani në çfarë viti mbaroi?
Inaugurimi u bë në vitin 1982, por si punë mbaroi në vitin 1984. Dhe mbas këtij nuk është ndërtuar më asnjë vepër. Në atë kohë unë kam qenë ministër. Përgjegjësia ishte më e madhe sepse isha projektues dhe përgjigjesha për të gjithë veprën.
Po në këto dy vepra a ka pasur arrestime politike?
Jo s’ka pasur. Ka pasur njerëz që janë sëmurë dhe janë edhe sot e kësaj dite sëmurë. Nuk ka qenë e lehtë të realizoheshin këto vepra. E para kanë qenë vështirësitë e natyrës që kanë qenë të mëdha. Komani ka qenë më i lehtë në punime. Ka qenë klima më e ngrohtë.
Makineritë e rënda kush i solli në Shqipëri?
Në Vaun e Dejës kanë qenë një ekip kinezësh që e morën përsipër, ku ka qenë viti 1963-1964. Vau i Dejës në atë kohë është filluar me makina “Zis” që erdhën nga Kina dhe ishin me karroceri metalike. Vau i Dejës ka pasur volume shumë më të vogla se Fierza, pasi është në fund të Drinit. Më pas erdhën disa specialistë anglezë të cilët i cilësuan spiunë. Kontrata ishte që këta për një periudhë të caktuar do të provonin makinat në punë se sa janë rezistentë, sa e kanë rendimentin dhe sa janë të forta. Ata vetëm në mëngjes donin secili nga një shishe konjak Skëndërbeu, biftek, vezë etj.. Ata habiteshin me ushqimin e shqiptarëve. Pastaj më vonë i përzunë ata. Dhe çdo gjë mbeti me forcë shqiptare.
Po vendet fqinje Maqedonia apo Greqia a kanë hidrocentrale të këtyre përmasave?
Asnjë nga vendet rrotull nesh nuk ka më shumë se ne hidrocentrale të këtyre përmasave. Mali i Zi ka disa ndërsa shumë vende të tjera përdorin TEC-et me qymyr. Por ka shumë ndotje. Ato prodhojnë gaz karbonik që është i ndaluar. Që të kesh TEC-in duhet të kesh edhe qymyr. Mbeturinat e TEC-eve duhet vend se ku t’i hedhësh. TEC-et nuk janë ekologjik, por janë ndotës të mëdhenj. TEC-et duan fuqi të madhe punëtore. HEC-i është i pastër. Hidrocentrali ka vetëm të vështirë fillimin e ndërtimit të saj, po pastaj ajo ecën, nuk ke mbeturina, nuk do shumë fuqi punëtore etj..


Arkiva e Institutit
Si u vodhën projektet e mëdha
“Unë isha shefi i grupit të projektimit. Kisha një pjesë të projektuesve që rrinin në Fierzë. Sepse doli rregullorja që nuk mund të bëhej gjë pa firmën e projektuesit. Ajo rregullore mund të jetë në arshivën e ndërtimit. Ka qenë edhe në arshivën e institutit tonë, por në vitin 1991 arshiva u vodh, ku u morën projekte dhe gjëra të tjera. Është shumë e vështirë të gjesh llogaritjet e këtyre veprave. Mund të gjesh vetëm vizatimet, por gjithë punën që është bërë nuk mund ta gjesh në asnjë vend. Atëherë ka pas një rregull se një projekt që mbaronte, futej në disa tuba llamarine dhe çoheshin në arshivën e shtetit. Ato që ishin në punë e sipër, mbaheshin nëpër institute. Në vitin 1991 që filloi përmbysja dhe çfarë ka qenë brenda në institute është zhdukur.

Sekreti shtetëror
Përse nuk më besoi drejtori francez, kur i fola për Fierzën
Duket se dhe specialistët e huajt nuk janë njohur me punimet që bëheshin në atë kohë në Fierzë. Projektuesi i njohur i hidrocentraleve, akademik Farudin Hoxha, i pyetur rreth kësaj teme sqaron: “Në atë kohë të huajt nuk ishin njohur me këtë projekt. Quhej sekret shtetëror. Unë në kohën që do të bëhej Vau i Dejës kam qenë në Francë. Shkova në Francë në dy studiot më të mëdha të botës për studimet hidro-energjetike. Shkova në një nga këto për eksperiencë. Në një çast Drejtori i Energjetikës së Studios më rezervon një takim. Atë ishte shumë e vështirë ta takoje. Çdo takim ishte i kronometruar. Pasi më takon më thotë: “Ti vjen nga Shqipëria?” Po, i them unë. “A keni bërë ju më thotë vepra të mëdha në Shqipëri?” – më pyeti. Kemi bërë, i përgjigjem unë. “Çfarë madhësie kanë?” Unë e orientoja duke ia shpjeguar. Komunikoja në frëngjisht. i thashë për lartësinë e digës së Fierzës. Ai thartoi buzët. “Ti me siguri nuk e di mirë gjuhën frënge që më thua këto shifra. Dua që të mi shkruash të gjitha këto që më thua” – nuk më besoi ai. Ja shkrova. Buzëqeshi hidhur. Tundi kokën me mosbesim të theksuar. U detyrua të njoftojë sekretaren. i tha që të më kërkojë t’i shkruaja edhe njëherë të dhënat e Fierzës. i shkrova. Duket nga padurimi apo mosbesimi m’u drejtua: “Ti ose se di mirë gjuhën, ose të kanë kërkuar apo detyruar që tek unë të bësh propagandën e shtetit”. Unë i shpjegova se e kisha të vështirë që të t’i thosha ndryshe. “Por ju ftoj që të vini t’i shikoni në Shqipëri. Fierza është një nga veprat më të mira që ka bota”, i sugjerova në fund.


DETAJE NGA INTERVISTA

Pse ndodhi përmbytjet sot
“Nuk i përmbytën hidrocentralet. Njerëzit i interpretojnë gabim ngjarjet. Duhet të jemi realist. HEC-et nuk mund ta mbajnë të gjithë këtë ujë që bie. Në Drin në atë periudhë erdhën 4200 metra kub. Kur vjen periudha me shumë shira kaskadat nuk kanë ku e çojnë ujin e tepërt dhe e shkarkojnë dhe bëhen përmbyten. Përmbytja më e madhe është bërë në vitin 1962, ku erdhën 5500 metër kub. Uji i Drinit nuk vjen vetëm nga Shqipëria vjen nga 48 mijë km katror tokë që rrjedh ujë në territorin shqiptar. Këtu formohen edhe prurjet e mëdha. Kur shkrin bora është e paevitueshme që do të kesh prurje të mëdha. Kaskada lehtëson përmbytjet. Merr dhe mban dhe disa mijëra metra kub ujë”.

Çastet e vështira si ministër
“Dy herë në muaj do të raportonim në mbledhjen e qeverisë. Çdo 2-3 muaj ishte mbledhja e Byrosë Politike. Gjëja më e mirë ishte se s’kishe nevojë të mbaje dietë që të dobësohej. Në një nga këto mbledhje të qeverisë apo një paraqitje në Byronë Politike bije në peshë katër kg. E vërtetë, i kishe të sigurta që bije nga pesha. Ministrat e sotëm janë mbretër në postet e tyre. Ata kanë në dorë ministrinë që e mbulojnë. Shtojnë organikë. Zvogëlojnë. Emërojnë. Kanë makina luks. Kanë vetëm lehtësira dhe privilegje. Atëherë ministër ishte vetëm përgjegjësi. Këto njerëz kanë punuar në mënyrë heroike me të vërtetë. Atëherë punonte një dhe mbante dy veta”.

Rrugët në krahasim me digat
“Po të marrësh rrugën Durrës-Kukës, është e shkëlqyer, e ndërtuar shumë mirë, por është një vepër e shtrirë në 200 km. Në ndërtimin e Fierzës ishte e gjithë puna e grumbulluar, tunelet, vinçat, sallat, makineritë etj. Në Fierzë nuk shikohet asgjë tjetër, as tunelet, as zhvendosjet, as makineritë. Shihet vetëm diga, ndërtesa e centralit dhe çdo gjë është në tokë. Dihet që një metër nën tokë temperatura nuk lëviz, por puna aty ishte qindra metra nën tokë. Fierza në kohën që është ndërtuar ka qenë në krye të veprave të Europës. Revista “IGOL” tregon ndërtimin e digave më të larta. Është. Atje tregohej se Fierza është në krye. Kur ndërtohej Fierza tregohej sa kanë qenë apo jo 7-8 në të gjithë botën”.

Si cilësohen Fierza apo Komani sot
“Po të prishet Komani, Fierza dhe Vau i Dejës, përmbyset më shumë se gjysma e Shqipërisë. Këto vepra janë lënë shumë mbas dore. Kaskada e Drinit jep çdo vit gjysmë milioni dollarë fitim për shtetin. Në rastet kur ka reshje ajo prodhon maksimumin. Minimumi i saj është 40 vjet që punon, e sa do të punojnë akoma. Interesi është që të mbahen ato. Që të mirëmbahen ato duhet të vihen njerëzit e posaçëm që t’i përmbajnë. Këto vepra duan përkushtim e ndërgjegje. Njerëzit nuk duhen parë nga bindjet politike, por nga aftësitë e të vihen në shërbim të veprave të mëdha. Prodhimi i energjisë së vendit mbahet nga këto dhe kur ka thatësirë importohet”.





x

Thursday, September 7, 2017

Astrit Çerma: Ju rrëfej filmin, si “vlonte gërshëra” nga udhëheqja dhe Sigurimi

Puna në kinema dhe teatrin “Skampa”. Si e zëvendësoi Robert Ndrenikën, pasi u refuzua nga Sigurimi i Shtetit, në rolin e hetuesit tek “Fijet që priten”. “Shpëtimi” i dha medaljen e më të mirit.

Leonard Veizi

Mbahet mend për rolet protagoniste e të spikatura fort, apo siç përcaktohej asokohë “hero pozitiv”. Një herë u fut në lëkurën e Shpëtimit, e më pas luajti si Kujtimi, Miloja, Gjergji... Ndërsa në sheshin e xhirimit do të përballej me Sandër Prosin, Demir Hyskjen, Ndrek Lucën...

...Me mbi 80 role si aktor në teatër e kinema, ai është dhe regjisor i 25 premierave në teatër dhe estrade, autor komedie, drame i dhjetëra skeçeve. Astrit Çerma thotë se gjithsesi: “ia ka bërë ‘hallall’ teatrit ‘Skampa’ gjithçka: rolet, regjtë, shkrimet, sukseset, por edhe dështimet e marrëzitë”. Ndërsa për 8 vitet kur ishte drejtori i tij, thotë se e mbajti gjalle atë teatër. “Unë e di ç’kam hequr për 8 vite. Edhe skenograf, dramaturg, balet maestër, punëtor skene, sherrxhi, llafazan, jam zënë grushte, edhe shtëpinë e braktisa, për atë teatër... Megjithatë, teatrin ‘Skampa’ e kam dashur dhe e dua”. Kjo është gjithçka mund të thotë një njeri që ia ka kushtuar jetën teatrit. Për më tej, në një interviste me plot të papritura, Astrit Çerma rrëfen për “Shekullin”:

Astrit Çerma
A ishte e vështirë të bëje art në një vend me kufizime si Shqipëria?
Natyrisht, që të vlerësosh apo zhvlerësosh artin dhe kulturën e 45 viteve monizëm nuk mund të mos marrësh parasysh kufizimet e atij pushteti. Por, mbi çfarë konkretisht kanë rënduar kufizimet? Tani dalin estetë, kritikë, analist, studiues që në shumë fusha të artit e kulturës i tjerrin dhe ç’tjerrin vitet e pas çlirimit e deri në demokraci jo vetëm për kufizime por edhe për shkatërrime, sakatime, izolime, ndalime. Madje sot është bërë “mode” që në biografitë e krijimeve dhe krijuesve të stampohet vend e pa vend brenda “persekutimit” titulli “i persekutuar” edhe për të nderuar e respektuar të asaj kohe, qoftë me poste e detyra, qoftë me tituj e ndere. Çuditërisht askush nuk bën analizë se çfarë arti e kulture profesioniste trashëgoi vendi ynë nga thellësia e viteve e deri me 1945? E vërteta është: Përjashto disa individë të shquar, kryesisht në pikturë e muzikë gjithë tjetra ishte një amatorizëm arkaik. Të gjitha institucionet dhe formacionet profesioniste u ngritën në vitet 45-85; dhe të gjithë u ngritën mbi bazat institucioneve e formacioneve të vendeve të lindjes, kryesisht të Bashkimit Sovjetik. Edhe drejtuesit në drejtim të krijimit e ekzekutimit u arsimuan dhe u përgatitën po nga Lindja. Ndoshta ky ishte kufizimi i parë. Por edhe kufizim s’mund ta quash sepse arti i atyre vendeve edhe sot e kësaj dite gëlon dhe vlerësohet. Atëherë? Me thoshte Kadri Roshi: “Astrit. E kam mësuar motin në oqean unë, e jo si ju në pellgje e përrenj.” E kishte fjalën tek “oqeani” për kryeveprat botërore që Teatri Popullor (edhe teatro të tjerë) vunë në skenë gjatë atyre viteve dhe në “pellgjet e përrenjtë” për ato palo drama që u vunë në skenë sidomos pas viteve ‘74. Këtu po. Le te flasim për kufizimet, madje, për... shabllonizimet. Politika dhe pushteti ndërhynte dhe impononte me forcë tek teksti por, ishte inkurajues dhe kërkues për interpretimin. E dinte shume mirë se “pamfletet politike” thitheshin nga publiku nëpërmjet interpretimit të lart. Unë vetë e kam marr titullin “Artist i merituar” në 1992, por e them me bindje të plotë se titujt para ‘90, vërtetë nuk janë dhënë aty ku politikisht, pse jo dhe moralisht, nuk i kanë shërbyer pushtetit por, kurrë, e theksoi kurrë, nuk janë dhënë vetëm për vlera politike dhe morale. Më thoni cili nga ata që e ka marr nuk e ka merituar titullin dhe nderin? Kështu shpjegohet që brenda kufizimeve të kohës u krijuan vepra me vlera artistike, që sot e kësaj dite janë të pëlqyeshme jo vetëm nga “nostalgjiket” por edhe nga shumë të rinj. Shpërthyen talente që mbeten e do mbeten të papërsëritshëm për krijimet e tyre në tërësi e veçanti.
Sa ndërhynte politika në një film, në skenar, regji e montazh, pasi filmi shikohej nga Këshilli Artistik?
Deri në bllokim të filmit. Në teatër deri në ndalim të shfaqjes. Me detaje për ndërhyrjet në filma s’mund të flas sepse si çdo aktor tjetër në Kinostudio isha “i jashtëm”. Vinim nga teatrot, xhironim, dublonim e ktheheshim prapë në teatër. Por as nuk diskutohej që gjatë montimit të filmave “vlonte gërshëra”. Di që filmi “Thirrja” është shkurtuar thuajse në një të treten e tij. Një nga skenarët letrar ndër më të bukurit që kam lexuar ka qenë “Ata ishin 4”, mirëpo “u bënë vërejtjet”, “u futen duart” dhe përfundimi, ai që është... Ç’do gjë kalonte në sitat ideologjike. Këto sita fillonin nga vetë krijuesi dhe ekzekutuesi, tek këshilli artistik, kolektivi, drejtoria dhe përfundonin deri në KQ të Partisë. Ndërsa në teatër, pothuajse të gjitha shfaqjet, rrallë janë thënë për publikun pas premierës, ku asistonte këshilli artistik, aparatçikët e partisë së rrethit dhe “kontrolli i klasës punëtore”. Dy-tri ditë, ka pasur raste edhe me jave, janë rregulluar “gabimet”. Madje për një periudhë mbas shfaqjeve, aktorët, ashtu siç ishin, me grim e të veshur sipas karaktereve, dilnin në skenë dhe prisnin “vërejtjet” e publikut. Filloi të mos qëndrojë publiku dhe u hoq dorë... Pushteti i kohës, natyrisht për qëllimet e tij, investonte jo pak për artin dhe kulturën. Ai pushtetet e kishte zbërthyer dhe mëshiruar saktë idenë e tregimit të famshëm të M.Tuenit, për dështimin e pushtimit të vendit me 5000 avionë, 5000 tanke e 5000 ushtarë. Në fund mjaftuan 5 këngëtarë...
Ishte e vështirë të luaje hetuesin tek “Fije që priten”? Keni pasur një model për t’u mbështetur?
Ku kisha kohe unë për “model”. Në këtë film nuk kisha kohë të mësoja tekstin e jo me të krijoja mbi të. Filmi “Fijet...” kishte mbaruar me kohë, ishte shfaqur për kolektivin krijues të Kinostudios e për disa institucion përkatëse nga ku kishte marrë vlerësimet më të mira. Madje për vlerat e tij ishte vendosur të jepej si “film-premier” me rastin e mbylljes se Festivalit të Parë të Filmit shqiptar, që do te zhvillohej nga data 2-11 prill. Ishte fundi i muajit mars. Në teatrin e Elbasanit u vu dhe po jepej me sukses drama e shkruar nga unë “Hakmarrja e madhe”. Një natë, pas shfaqjes, shoh drejtorin e filmit Josif Kromitha që kishte ardhur urgjent nga Tirana për të më marrë. Ç'ne?! Siç më thanë, filmin “Fijet...” me që ishte me temë nga “sigurimi” e kishte parë edhe “Drejtoria e Dytë”, dhe... urdhër: “Robert Ndrenika në rolin e hetuesit te zëvendësohet sepse ka vëllanë të arratisur.” Këto lloj urdhrash në atë kohë as mos të shkonte ndërmend t’i diskutoje. Atëherë stafi i filmit më kërkoi mua për zëvendësimin!!! Dhe duhej zëvendësuar për një javë për festivalin. Dhe më e bukura: Drejtoria e teatrit për aq kohë sa ishte reklamuar shfaqja premier nguli këmbë që për pesë ditë të shkoja e të vija nga Tirana sepse nuk kisha dublant. Për arsye kohe dhe për të më “orientuar” për rolin më dhanë filmin që ta shoh!!! Ç’të shihja! Ku “zëvendësohej” Berti? Rrolin, siç i thonë, e kishte “qarë”. Ju pyesni për modelin e “figurës”. Edhe kostumi që kam veshur i Bertit është. Tre triko vishja që ta mbushja. “Ti ke prerë dhe ke qepur një kostum të bukur - i thashë Muharremit (Fejzo), regjisorit të filmit, - por ai fatkeqësisht diku t'u gris. Do s’do do të vësh një arnë dhe arna jam unë. Të përpiqemi që këtë arnë mos e dallojnë të tjerët, se ti gjithmonë do ta dish që kostumin e ke me arnë, dhe unë gjithmonë do di se në këtë kostum jam arnë.”. Mbas tre muajsh rastësisht u takova me Bertin tek lulishtja para hotel “Dajtit”. U ulem në stol dhe pimë disa cigare radhazi. Ç”të bënim tjetër???...
Keni pasur rast kur keni dashur një rol dhe s’ua kanë dhënë, apo keni marrë një rol dhe ua kanë hequr?
Tani, disa të vërteta tingëllojnë, si sajime, por... Unë vetëm në 3 filma kam shkuar me dëshirë “Brazdat”, “Në fillim të verës”, “Ilegalet”. Kam dashur edhe tek filmi “Tokë e përgjakur” ku do te interpretoja dy role; babanë dhe djalin, por për arsye se xhirimet e filmit ishin njëkohësisht me “Ilegalet” zgjodha këtë të dytin. Në të gjithë filmat e tjerë kam shkuar me urdhër. Po, po... urdhër. Tani ti hyj historive si e qysh s'ka vlerë. “Në Kinostudio nuk kam hyrë duke i lëpirë këmbët njeriu dhe nuk kam ndërmend të qëndroj duke lëpirë këmbët” - ia “përplasa” një herë një regjisori që kishte mbaruar jashtë shtetit një kurs dy vjeçar për... operator. Më shumë në këtë drejtim mund t'ju flas i nderuari Faruk Basha. Me të dhe Demir Hyskien shpesh “qaja hallet”. Minella Borova thoshte: “Ore shoku regjisor, ty nuk të lejohet të mendosh si do të dalë filmi. Ti ke për detyrë të bësh filmin. Pastaj, filmit, po t'i dojë bytha, del mirë, po të mos i dojë del keq. Është punë e filmit, s’është puna jote.” Natyrisht ishte shaka e tij, por që kishte diçka të vërtet. Dikush shkroi për mua se pas viteve ‘80 “u zhduka”! Natyrisht nuk kam shkuar nëpër filma megjithëse gjithmonë më kërkonin. E para që nuk shkoja ishte se më pëlqente më shumë teatri. Ne teatër unë ç’do natë krijoja, kurse në film më dukej dhe se ç’do gjë ishte e stamposur. Sandër Prosi thoshte gjithmonë: “Mjeshtëria e aktorit blihet në teatër dhe shitet në kinematografi”. Siç duket mua nuk më pëlqente “tregtia”. Por ishin edhe kushtet familjare dhe ekonomike. -E, mo. Edhe këtë nuk ka kandar ta mbaj byrazer - më thoshte Jani Riza - 110 lekë dietë për një kalë në ditë dhe 13 lekë për një aktor... (Kaq thoshin e kishte dietën ditore kali i bardhë i P. Dumes). Vetëm 2% të rrogës merrnim dietë, asgjë tjetër.
Është legjendë roli i Shpëtimit tek “Në fillim të verës”. Si e kujtoni këtë rol?
Propozimi për mua në rolin e Shpëtimit u bë nga Esat Mysliu që ishte as/regjisor. U bënë 10 kinoprova para meje, fitova unë i 11-ti. Megjithëse (e çuditshme) regjisori i filmit G.Erebara dhe gjatë xhirimit edhe mbasi mbaroi filmi, ishte pishman që më zgjodhi mua. Madje edhe në fundin e filmit ku sakrifikohem donte të më ndërronte me Sandrin. Pothuajse do të bëhej ky ndërrim po të mos ndërhynte fillimisht Demiri dhe operatori Faruk Basha e me pas, me ta marr vesh, skenaristi i filmit Peçi Dado. Unë fillimisht, përveç Demirit që e kisha shokun e teatrit, kur u ndodha befas midis tërë atyre aktoreve të shquar e pata vështirë t'u afrohesha sepse me dukej sikur nuk “do më qasnin”, por më vonë kur më rrethuan ata njerëz të mëdhenj, e pata vështirë t’u largohesha sepse nuk “më shtynin”. Nuk ka pasur për mua as një “çak” xhirimi pa vërejtjet, sugjerimet e përgëzimet e tyre. Nuk e harroj xhirimin e episodit të fundit. Sipas skenarit teknik kamera fillonte, thuajse gjithmonë me portretin e Ndrekës. Ai sapo u filmua plani i parë kërceu përpjetë siç dinte ai të “kërcente”- “Ç’a Zotin, o Gëzim!... Plani duhet me fillu e duhet mbaru me djalin more, ky është heroi jo unë... Unë jam “hija e tij”... Mbasi filmi mbaroi, dhe u pa “bruto” doli i domosdoshëm edhe ai portreti kur mbas arrestimit, xha Jaho dhe shokët largohen dhe unë mbetem. E xhiruam diku në Kinostudio. A e dini? E kishte marr vesh Sandri edhe erdhi enkas për të më ndihmuar. Më qëndronte përball dhe përpiqej me të gjitha ndjenjat të ndillte sa me pranë asaj gjendje që duhej për çastin. Ehhh, ata ishin jo vetëm artist të mëdhenj por edhe njerëz të mëdhenj... Artiste bujar... Nuk e di por, në atë film sikur u mblodhën me dorë të gjitha gjërat e bukura. Ne festivalin e parë të filmit fitoi kupën, ndërsa ne aktorët medaljonet e festivalit që përkonin me çmimet e para. Çuditërish, vetëm një, dhe ndofta edhe një nga vlerat e pa diskutueshme të filmit-muzika e Kujtim Laros, as çmim nuk mori dhe as u përmend! Nga film me ka mbetur edhe emri i dytë: Shpëtim. Shumë kështu më quajnë edhe unë edhe sot e kësaj dite nuk ua prish. Natyrisht që koha me “hesapet” e veta ndryshon shume vlera; shpesh i ç’vlerëson, por shpesh edhe i flak tutje sepse për të bëhen të rrezikshme, por.. çuditërisht edhe sot e kësaj dite filmi pëlqehet edhe shihet me nostalgji nga të gjithë. Natyrisht që ka edhe “analistë” që çoç analizojnë. Shpesh me vjen t'i kap për veshi e t'u thërras: “Ejjj... Shpëtimi i "fillimit të verës" nuk është ai "komunisti" që llomotitni ju. Shpëtimi i "fillimit të verës", është Heroi i Popullit i luftës nacional-çlirimtare, Shyqyri Alimerko, djali i Vlorës heroike, djali i rrugëve, shesheve dhe i luftës se saj. Djali që bëri të gjëmonin tre ditë e netë tunelet e ushtrisë pushtuese. Që varri një gjeneral dhe pushkatoi 3 oficerë e 20 ushtarë armiq. Në se ka shenjtëri në historinë e atdheut tonë, lufta nac-çlirimtare është brenda kurorës se saj dhe “komuniste” si Shyqyri Alimerko (Çudi: - Shyqyri me thërriste edhe nëna e tij...) janë margaritarët e saj...
Po marrdhënia juaj me regjisorët...?
Regjisori im i parë ka qenë operatori i kinemasë së Cërrikut, ku jetoja, Dilaver Beribati. Njeri i dashuruar me profesionin e tij dhe artin skenik. Ne 1962, me rastin e 50 vjetorit te Pavarësisë me ne nxënësit e shkollës 7 vjeçare vuri dramën “Abetaria”. Ndoshta këtu filloi rruga ime. Me 1968 fillova Institutin Lartë të Arteve, dega dramë. Udhëheqësi artistik i kursit ishte i madhi Kujtim Spahivogli. Pedagogë të mjeshtërisë Bujar Kapexhiu, Vladimir Prifti, Petrit Llanaj, Bexhet Nelku. Këta ishin “ustallarët”e parë. Në vitin e tretë për arsye ekonomike vendosa të braktis shkollën për një vit. Me gjithë kundërshtimet e drejtorit Tefik Çaushi dhe të Kujtimit, ika në mes të shtatorit e fillova punë në fonderinë e uzinës mekanike të Cërrikut ku kisha punuar më parë por, u ktheva prapë në dhjetor sepse ata të dy më “gjetën” punë në Tiranë. U emërova në teatrin e “Të rinjve” që krijoi Kujtim Spahivogli në Institutin e Arteve. Në atë teatër, që kur e dënuan Kujtimin e shpallen si një nga “levat e luftës se brezave”, ka bërë pjesë fillimisht edhe Vaçe Zela, ishin Bert Ndrenika, Timo Flloko, Gëzim Kame, Nand Radi, Bashkim Rada, etj. Spahivogli ishte pra edhe regjisori im i parë e i rolit te parë në aktivitetin tim si profesionist tek drama e Kiço Blushit “Midis dy njerëzve”. Ishte një drame tepër e veçante, me regji tepër moderne, me skenografi po aq moderne nga Ali Oseku e muzikë të mrekullueshme nga Shpëtim Kushta. Pastaj ne teatrin e Elbasanit kam punuar me regjisoret Xhelal Bilali e Tomorr Shishani deri sa erdhi Spiro Duni. Spirua ishte dhe është shtrati i florinjtë për prehjen e shume krijimeve. Ai e ribëri teatrin “Skampa” në të gjitha dimensionet. Natyrisht na ribëri edhe ne. Kujtimi i shkollës, Spirua i teatrit, Kristaq Dhamo i filmave. Këta janë më të mirët.
Demir Hyskja dhe Astrit Çerma
Cila do të ishte përvoja në teatrin “Skampa”
Atmosfera në Teatrin “Skampa” ishte e shkëlqyer! Si në të gjithë teatrot edhe tek ne punohej. Kishte plan që duhej realizuar në numër premierash, shfaqjesh, në të ardhurat, plan për shfaqje fshati, për koncerte. Kishte disiplinë zyrtare edhe artistike. Punohej... është e vërtetë se institucionet artistike janë folur e përfolur për “sherre e grindje”, dhe atje-këtu edhe ka pasur, por e them me plot gojë që në teatrin tonë kemi pasur një harmonin të plotë. Dhe s'kishte si të ishte ndryshe. Ishte teatri i qytetit të Elbasanit, qyteti i arsimit, kulturës dhe artit, rrjedhimisht qyteti i harmonisë dhe mirëkuptimit. Por, edhe nga që secili aktor/e në një fare mase ishte në vendin e vete brenda karakterit të papërsëritshëm vetjak. “Artisti i Merituar”, aktori i shquar i humorit elbasanas Hysen Biza kur “kërciste debati” për vlerat e njërit apo tjetrit e “mbyllte muhabetin” me dy fjale: “Hof - Të shof”. Teksti dhe nënteksti ishte i qarte: “Hip në skenë, (Hof) interpretojë atë që “tjerr teorikisht” (Te shof) pastaj të jap ‘karatin' sa e ke”. Por, ne kishim edhe “Artistin e Popullit” Demirin-strumbullari e harmonisë në shumë drejtime dhe shumë hallka delikate. Unë këtë taban, të shtruar në krijim e teatrit profesionist nga regjisori i parë i tij, i madhi Lec Shllaku gjeta, me të jetova dhe punova dhe me Spiro Dunin dhe atë u mundova të le pas kur ika me ‘98. Mirëpo... “Qëkur ike o Astrit, kafe-teatri ‘Skampa’ ka mbetur pa aktorë, pa regjisorë, nuk ka teatër, s’ka estrade, po ama festival ndërkombëtar ka. Para bashkia për të paguar një trupë profesioniste nuk ka, por para për të paguar 7 marangozë, 7 fonista, 7 elektricista, 7 kompjuteristë, 7 oksigjenista, 7 roje, ka. Vjet ishte 50 vjetori i teatrit. Nuk u festua. E vetmia përgjigje që m’u dha (gojarisht- kështu që mund të mohohet) është ajo e drejtorit të qendrës kulturore, z.Bashkim Paheshti. “Nuk do të bëjmë gjë sepse s'kemi fonde”!



Afër dhe larg Hollivudit
“Kur largohesh nga vendi yt ke një arsye, një ëndërr, ose një shpresë, por si mund të quhesh “emigrant” kur shteti ku shkon të fton vete dhe ti po pranon ftesën e tij? Sa për vështirësitë... eh. Ndërron shtëpinë nga një lagje në tjetrën dhe ke vështirësi, jo me nga një shtet në tjetrin, apo nga një civilizim në një tjetër. Vështirësitë ishin e janë të panumërta, sepse shumë mundësi janë të pamundura për profesionin tim-aktor. E di. Edhe unë kam lexuar e stërlexuar shumë intervista nga artistë dhe artiste të ardhur nga Shqipëria qe “kanë bërë namin” këtu në Amerikë. Jo vetëm që e kanë sulmuar Hollivudin por edhe e kanë pushtuar. Unë për vete, megjithëse jetova një vit vetëm pesë minuta larg Hollivudit, nuk qullosa gjë. Ndoshta unë kam qëlluar ky që jam: humbameno dhe i pa talentuar, por siç duket jam dhe budalla që them të vërtetën, sepse si shtrenjtë shiten gënjeshtrat, në vendin tonë. Nejse... Unë jetoi në një shtet që, ligjërisht njeriun e respekton si njeri, pastaj të tjerat varen nga karakteri dhe nga përgatitja e secilit. Ne fund te fundit: Te jetosh në vend te huaj si i huaj s’është çudi, ama, të jetosh në vendin tënd si i huaj nuk është vështirësi, është ndyrësi, pavarësisht se ne ç’begati apo në ç’varfëri jeton”, thotë Astrit Çerma në fund të kësaj interviste.


Botuar në gazetën SHEKULLI më 09/11/2013




Monday, September 4, 2017

“Mbërritja e Nënë Terezës në Shqipëri, negociova bisedimet”

INTERVISTA/ Bashkim Pitarka, ish-ambasadori shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.


nga Leonard Veizi


Nënë Tereza mbërriti në Shqipëri, aty ku ia kishin ndaluar gjithmonë vendzbritjen. Rruga ishte e gjatë, kërkesat të shumta, por në fund zyrtarët komunistë që e kishin parë me syrin e armikes, e lejuan nobelisten shqiptare të zbriste në aeroportin modest të Rinasit, pikërisht aty ku vite më pas porta hyrëse nga ajri për në Shqipëri do të merrte emrin e saj...

...Vetëm 12 orë do të duhej që radiogramet shifër të udhëtonin nga rezidenca shqiptare e Manhatenit, për në selinë e Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Dhe prej andej për në Komitetin Qendror, ku Ramiz Alia në zyrën e Sekretarit të Parë mendohej se cilat do të ishin hapat e tjera që do të hidhte për t’i dhënë frymëmarrje vendit të izoluar prej 40 vjetësh diktaturë. Nuk kishte as dy muaj që nga koha kur 5.600 shqiptarë e kishin braktisur atdheun socialist, duke kërkuar strehim nëpër ambasadat e huaja të kryeqytetit. E në këto çaste, vizita e Nënë Terezës dukej se ishte një ogur i mirë.
Ish-ambasadori pranë OKB-së për 5-së vite me radhë, Bashkim Pitarka, gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, thotë se në fund të fundit vizita e Nënë Terezës në Shqipëri kishte dhe nxitjen e politikës amerikane.

Kur do të emëroheshit ambasador në OKB?
Në vitin 1986. Por në vitin 1990 duke parë dhe situatën e trazuar në Shqipëri, kërkova të largohesha nga posti. Në atë kohë unë isha caktuar si kryenegociator për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me Amerikën. Ishte marsi i vitin 1990. Dy vite më parë, në vitin 1988 kisha paraqitur letrat kredenciale edhe në Kanada. Pra me Kanadanë ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike. Ndërsa në fillim të muajit maj, u thirra nga Tirana për të pritur e shoqëruar shefin e OKB-së, Peres De Kuelar, i cili mbërriti në Rinas në 2 maj 1990.
Cilat do ishte lëvizja e radhës që do linte shijen e ndryshimeve?
Vizita e Nënë Terezës. Ajo ishte shumë kuptimplotë në ato çaste. Mesa mora vesh më vonë edhe në takimin që patën kokë më kokë, Ramiz Alia-De Kuelar, ky i fundit e kishte ngritur problemin e Nënë Terezës. De Kuelar, ashtu si shkarazi ia kish ngritur pyetjen Ramiz Alisë se përse i refuzohej viza Nënë Terezës dhe, si mik i vendit tonë, këshillonte t'i jepet fund këtij gabimi. Ai i përmendi Alisë faktin se kjo çështje përdorej si argument i fortë i “kritikëve” të gjendjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri. Duhet theksuar këtu fakti, se në përgatitjet për vizitën e De Kuelarit në Tiranë, diplomatët serbe e greke bënë lobingje edhe me lobet e përfaqësues të shteteve anëtare në OKB e në shtyp, që të silurohej kjo vizitë, nën pretendimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, të të drejtave të minoriteteve, etj. Por është gjithashtu fakt se edhe brenda sistemit të OKB-së, kryesisht nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë, iu kërkua Perez De Kuelarit që në axhendën e tij të bisedimeve me presidentin dhe zyrtarët e tjerë të lartë shqiptarë, të fokusoheshin çështjet e të drejtave të njeriut. Dhe këtu, siç kuptohet, hynte si shigjetë mohimi i dhënies së një vize për Nënë Terezën.
Si do të mbërrinte ajo në Shqipëri?
Në fakt unë kam qenë negociatori, midis Misionit të Nënë Terezës e Qeverisë Shqiptare. Në 24 gusht 1990 në përfaqësinë shqiptare, rezidenca të cilës ishte në Manhaten - Nju Jork, trokiti një zonjushë, e cila kërkoi ambasadorin duke thënë se ishte kanadeze. Në atë kohë ne nuk prisnim në ambasadë asnjë shtetas amerikan, meqenëse nuk kishim marrëdhënie diplomatike. Dola dhe e prita. U prezantua si Zhanette Petrie dhe si kronistja e Nënë Terezës. Ajo më tha: “Zoti ambasador, mund të ndërhyni që Nënë Tereza të marrë një vizë e të udhëtojë për në Shqipëri. Ajo insiston të shkojë në Shqipëri, te varri i nënës së saj për të vënë një tufë me lule. Por mund të kërkojë të hapë dhe misionin e saj në këtë vend, jo me qëllime fetare, por thjesht humanitare”. Pastaj ajo më tregoi dy videokaseta të realizuara prej saj nga takimet e shumta të Nënë Terezës nëpër botë.
Cila do të ishte përgjigja juaj?
I shpjegova kronistes se nuk mund të flisja apriori, sepse kjo ishte një çështje që vendosej nga instancat e larta të shtetit shqiptar, por se unë do ta përcillja menjëherë kërkesën e saj në Qendër. Por e sigurova gjithashtu se do të isha dashamirës ndaj kësaj kërkese, duke i referuar Tiranës zyrtare edhe mendimin tim personal, sepse unë isha mik në familjen e Nënë Terezës. I shpjegova Zhanetës se në rininë time njihja Agen, motrën e Nënë Terezës, e cila më kishte qepur një këmishë dhe më jepte mësime italishteje. Gjatë kësaj kohe nëna e Ages, nënë Drania, u nda nga jeta dhe unë mora pjesë në varrimin e saj duke vënë dhe një tufë me lule mbi varr. Madje, atje kam njohur dhe miken e afërt me familjen Bojaxhiu që ishte Marije Kraja.
Si e priti Zhanet Petri këtë lajm?
Ajo ishte entuziaste dhe më tha se vetëm dy ditë më pas, në 26 gusht Nënë Tereza kishte ditëlindjen. Mbushte plot 80-vjeç. Atëherë unë shpreha dëshirën time që për këtë përvjetor t’i bëja Nënë Terezës një telefonatë personale, jo si ambasador, por si mik i familjes.
Sapo përcolla Zhenet Petri, i dërgova një telegram me shifër Qendrës ku e vija në dijeni për gjithçka rreth vizitës së kronistes së Nënë Terezës dhe kërkesës së kësaj të fundit për të bërë një vizitë në Shqipëri. Madje nuk harrova të përmend dhe faktin që mes të tjerash Nënë Tereza do të kërkonte dhe ngritjen e misionit të saj në Shqipëri, si i vetmi vend në botë ku ajo nuk kishte përfaqësues. Por duke qenë se unë isha dhe analist, dhashë dhe mendimin tim duke e lidhur gjithçka me zhvillimet e fundit ndërkombëtare. Kështu më duhej të bëj një analizë logjike se përse Nënë Tereza kërkonte të vinte në Shqipëri. Por gjithashtu, unë e njoftova qendrën edhe për 80-vjetorin e Nënë Terezës. Sugjerova që t’i bëhej një telegram si dhe kërkova që nga ana ime t’i bëj një telefonatë urimi me të drejtën e mikut të familjes. Për të gjitha këto unë guxoja, duke ditur se si po shkonin punët. Ndërkohë sugjerova që Nënë Terezës mund t’i jepej një vizë për në Shqipëri gjatë ndonjë udhëtimi të “rastësishëm” të saj në Itali, ku këtë detyrë ta merrte ambasadori ynë në Romë, Dashnor Dervishi. Vetëm 12 orë më pas në emër të Ramiz Alisë, erdhi përgjigja. Në radiogramin shifër që erdhi në emër të Ramiz Alisë, unë njoftohesha se kërkesa e Nënë Terezës për të vizituar Shqipërinë pranohej dhe se këtë njoftim duhet t’ia bëja unë. M’u bë gjithashtu e ditur që Nënë Tereza do ta merrte vizën shqiptare, në Romë, në aeroportin e Fiumiçinos. Ndërkohë m’u bë e ditur se ishte vendosur që me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së saj, në emër të Frontit Demokratik, një telegram urimi do të nënshkruhej nga Nexhmije Hoxha.
Kur e lajmëruat Nënë Terezën për pranimin e vizitës së saj në Shqipëri?
Ditën e 80-vjetorit të lindjes së saj. E mora në telefon për ta uruar. Natyrisht doli sekretarja. U prezantova. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Nënë Terezës, e cila ia ka marrë nga dora sekretares së saj receptorin. Biseda nuk ishte e gjatë dhe u zhvillua në anglisht. Ajo më tha tekstualisht: “Ambasador, u bëfsha zog me flatra që të vij aty e të t’i puth duart, sepse me ato duar ke vënë lule në varrin e nënës time”. Ajo më tha gjithashtu se Zhanet Petri e kishe informuar mbi gjithë takimin tonë. Në fund më tha këto fjalë shqip “Të bekoftë perëndia”.
Si do të mbërrinte Nënë Tereza në Shqipëri?
Unë nuk e ndoqa vizitën e saj. Kur Nënë Tereza mbërriti në Shqipëri, unë ndjeva një kënaqësi të veçantë që më në fund ishte ndërmarrë një hap i tillë historik. Nënë Tereza i duhej Shqipërisë dhe frymës së re demokratike që po trokiste në vendin tonë. Ajo sigurisht nuk fliste për demokracinë, por për paqen dhe dashurinë njerëzore, të cilat aq bukur ishin mishëruar në shpirtin zemrën e saj, në Kalkutë dhe në të gjithë botën. Të them të drejtën edhe si diplomat ndihesha i çliruar, sepse Shqipëria jo rrallë dënohej në rezolutat e ndryshme që bëheshin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Në parantezë, a kishte shumë debate mbi Shqipërinë kur flitej për liritë e njeriut?
Eh sa herë na duhej ne diplomatëve shqiptarë të kërcenim përpjetë në sallat e konferencave ndërkombëtare kur Shqipëria kritikohej apo përmendej për shkeljen e të drejtave themeltarë te njeriut dhe jo rrallëherë mosdhënien e vizës për hyrjen në Shqipëri të Nënë Terezës, gruas së mençur e të famshme dhe veprimtares së shquar të paqes e dashurisë njerëzore. Dhe duhet të dimë se mbi të gjitha, Nënë Tereza ishte ambasadorja më e madhe e kombit shqiptar në botë. Sepse ajo kudo që shkonte deklaronte: Jam shqiptare. Pra gëzohesha që u realizua vizita e Nënë Terezës në Shqipëri dhe që diplomatët shqiptarë nuk do të ishin më i detyruar të punonin për të zhdukur sadopak efektet akuzuese e propagandistike të moslejimit të së madhes Nënë Tereza në Shqipëri.
Ju ishit ndërmjetësi i vizitës së saj në Shqipëri. Por a jeni takuar ndonjëherë me të?
Në vitin 1991, kur unë isha kthyer në Atdhe, pas kërkesës time këmbëngulëse, për arsye familjare që të lija detyrën time si ambasador në OKB, një ditë mora rrugën dhe shkova te qendra bamirëse e motrave të Nënë Terezës. Rezidenca e saj ishte vendosur në një lagje të vjetër tiranase dhe në atë kohë Nënë Tereza ndodhej aty. Fillimisht u vura në pozitë të vështirë dhe u detyrova të mbaj radhë për t’u takuar me të. Ishin me qindra njerëz, të cilët ishin futur në radhë për të takuar Nënë Terezën dhe motrat e saj. Kishte që donin ta takonin për qëllime fetare, por kishte dhe të sëmurë që kërkonin ndihmën dhe bekimin e saj.
Qëndruat gjatë në radhë?
Mund të kisha qëndruar gjatë. Por për fat një kolegia ime e Ministrisë së Jashtme, Natasha Haznedari, e cila ishte shoqëruese dhe përkthyese e Nënë Terezës në vizitat e saj në Shqipëri, më pa dhe më thirri. Ajo më çoi drejt e brenda në qendër dhe njoftoi për mbërritjen time. Mbas pak Nënë Tereza zbriti shkallët me shpejtësi dhe e gëzuar që po më shikonte më në fund m’u drejtua me urimin “Të bekoftë perëndia ambasador Pitarka”. Ajo më mori për dore, më shoqëroi kudo për të parë dhomat e misionit, si dhe më prezantoi me motrat e saj duke përdorur lëvdata dhe elozhe për implikimin tim mbi ardhjen e saj për herë të parë në Shqipëri.
Po roli i amerikanëve cili ishte lidhur me zhvillimet shqiptare të kësaj kohe?
Ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri nuk ishte një vizitë turistike apo për një shërbesë në varrin e së ëmës, por një provë e fortë në kuadrin e bisedimeve zyrtare që po zhvilloheshin në atë kohë midis Departamentit të Shtetit dhe mua, si kryenegociator i palës shqiptare për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Unë thellësisht mendoja se kjo kërkesë, e cila fare mirë mund të bëhej në Romë apo Paris, ku ambasadat tona merreshin me çështje vizash, ishte tatim pulsi, pra trokisnin në derën e selisë ku ndodhej bashkëbiseduesi i tyre për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Të marrit me një çështje të tillë kaq delikate në kohën e regjimit komunist, kërkonte kujdes e vëmendje të posaçme, por edhe pak guxim në paraqitjen e çështjeve nga ana ime dhe e kolegeve e mi në mision. Në ato vite Shqipëria ishte kritikuar shumë për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe nëse nuk do të pranohej kërkesa e Nënë Terezës për të vizituar varrin e nënës së saj në Shqipëri, kjo do të tregonte se Shqipëria ishte po aq radikale në qëndrimet e saj sa dhe vite më parë. Ndërkohë isha përzgjedhur unë për të ndërhyrë, sepse isha dhe kryenegociatori për të vendosur marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Sipas logjikës time, ky ishte një tatim pulsi, për të nxitur zhvillimet e mëtejshme në Shqipëri. Dhe pas kësaj ishin amerikanët. Thënë shkurt vizita ishte një akt politik. Në ato çaste më kaloi si në një film gjithë çështja e refuzimit të një vize apo e kontakteve të diplomateve tanë me Nënë Terezën, për shkaqet e veprimtarisë dhe qenies së saj si misionare fetare, se si refuzimi i hyrjes së Nënë Terezës në Shqipëri, qoftë edhe për një vizitë në varrezat e nënës e familjes së saj, ishte bërë shpesh një argument i fortë në komisionet e OKB-së mbi të drejtat e njeriut për kritika e rezoluta të forta kundër vendit tonë. M'u kujtua fakti se ndonjë prej paraardhësve të mijë ambasadorë pranë OKB në vite të shkuara, u ishte dashur t’i fshiheshin ose të largoheshin nga sallat e korridoret e selisë së OKB-se kur aty ishte për vizitë Nobelistja dhe Humanistja e Madhe shqiptare, Nënë Terezë.


Bashkim Pitarka


Ftesa nga Vatikani
“Disa vite më parë, kronistja Zhanet Petri më njoftoi për zhvillimin e ceremonisë në Vatikan, ku humanistja shqiptare do të lumturohej nga Papa Gjon Pali II. Më kërkoi adresën time, ku do të më dërgonte një ftesë zyrtare që të merrja pjesë në ceremoni. Ajo pati mirësinë të më thoshte: “Ju jeni pjesë e historisë së Nënë Terezës dhe si një ndër aktorët e vizitës së saj historike në Shqipëri, por dhe mik i vjetër i familjes së saj, ju takon të jeni atje”, thotë ambasadori Bashkim Pitarka.

Konkluzioni
Në fund të intervistës së tij ambasadori Bashkim Pitarka thotë: “Nënë Terezën nuk e solla unë në Shqipëri. As Ramiz Alia, ndonëse ishte aktori kryesor për zhvillimin e kësaj vizite. Ishte epoka, ajo periudhë historike e ndryshimeve të mëdha që vinte për Shqipërinë tonë. Ishte roli i madh që luanin SHBA-të, për t’i sjellë këto ndryshime në Shqipëri. Në këtë kontekst, Nënë Tereza konsiderohej nga ata si një lajmëtare e lirive, paqes dhe lumturisë në atdheun e saj. Dua të them se, si për ardhjen në Nënë Terezës në Shqipëri ashtu dhe për ngritjen e madhështisë së emrit të saj, një meritë të pamohueshme ka jo vetëm Vatikani, por edhe qeveritë amerikane. Ato kurdoherë e kanë ngritur lart rolin e saj dhe i kanë nxitur hapur veprimtarinë bamirëse me mesazhin: “Bëni mirë që të gjeni mirë”. Mendoj se ne shqiptarët kemi shumë arsye t’i falënderojmë amerikanët. Në çastet më historike të kombit shqiptar pranë na janë gjendur Presidenti Uillson, apo presidentët Bush, i famshmi Klinton e sot presidenti Obama”.


Botuar në gazetën SHEKULLI
http://www.shekulli.com.al/3620/