Thursday, December 27, 2018

Kur ulesh në tepsinë e qeverisë dhe trazon mbi kazanin mediatik


Nga Leonard Veizi

Dashamirësit e tij thonë se ai është orator i lindur dhe ku nuk i shkon mendja për të nxjerrë një batutë të re, të padëgjuar e fort të qëlluar. Kundërshtarët gjithashtu e aprovojnë pa zë një gjë të tillë. Përjashtohen vetëm asnjanësit, ose ata që abstenojnë. Por ne jemi popull politik dhe nuk lëmë rast pa e dhënë një mendim, jo vetëm për kreun e shtëpisë tonë, por dhe për burrat e botës. Si përfundim mund të themi me gojën plot se ai është alamet djali, ose më saktë është nga ata çuna që di të të mbajë me muhabet, sa mund të shtysh rehat një natë të gjatë dimri me gallatë.
Në hulumtimet e herëpashershme brenda fjalorëve të gjuhës shqipe te këta të rinjtë me nga 40 mijë fjalë dhe ata të vjetrit me më pak se kaq, gjetja e tij e radhës ishte fjala “kazan”.
Eureka!
Përdoret rëndom kjo fjalë kur flitet për kazanin me groshë të ushtarëve apo kazanët që zienin të linjtat e pista. Por kryeministri ynë e përdor me marifet këtë fjalë, por më së shumti tullë fare, edhe për të simbolizuar gjithçka ka të bëjë me median, gazetarët, redaksitë e punën e tyre që ose transmetohet në letër ose në ekranet e televizorëve: pra sipas tij kemi të bëjmë me një “kazan mediatik”.
Edhe qëndron. Duhen bërë analiza për këtë çështje. Por analistët i kemi lënë në panel të merren me probleme pak më të rëndësishme se kjo.
“Kazan mediatik”
Tani ç'është e vërteta, fjalën “kazan” mund ta marrësh dhe për fyerje. Fjala vjen, ata që kanë qejf alkoolin ndihen akoma më të fyer, sepse ballin e kazanit të rakisë e duan për konsum me opingë. Ndërsa kryeministri e fut në hulli të tjera, ua deformon.
Kur kjo batutë u hodh fillimisht, ç’është e vërteta u mor ca me sportivitet, pak me humor, dhe jo në pak raste duke i dhënë të drejtë “atij të gjatit”. Se duhet gjetur gjithmonë një tabelë për qitje, ndryshe nuk dihet nga të shkojnë fishekët. Media i ka fajet. Ore, troç fare, gazetarët, se ata gënjejnë mëngjes, drekë, darkë. Ose meqë ra fjala: Çfarë bëjmë ne mëngjes, drekë, darkë...?
Do kalojë dhe kjo, menduam. Dhe hapëm veshët për të dëgjuar batutën që do të mund ta varroste çështjen e kazanit.
Por jo... kryeministri e bëri ca si të rrugës. “Kazan” këtu e “kazan atje”. S’kishte të ndaluar çështja mbi kazanin, nuk shteronte për qamet. Jep e merr e “kazani mediatik” në mes. Refren gati i përditshëm. “Kazani mediatik”, ai e ka fajin për dështimet në qeveri, për protestën e studentëve, për rrëmujat e Astirit, për dokumentet e Unazës së Re, madje dhe për Vettingun.  
Kryeministri është duke i ra fort “kazanit”, me shpresën e pashuar që do të ndihet o nga “tepsia” o nga “tenxherja”. Se në inventarin e enëve të kuzhinës ka dhe disa instrumente të tjerë që ende nuk na kanë dalë në skenë.
Po pse e ka kapur kryeministri me institucionin mediatik?
Ca e ca thonë që Rama është pikërisht produkt “kazani”, pra produkt mediatik. Ka shkruar dikur komente e fejtone, dhe thonë se reçensat i bënte mirë. Po diku iu fut politikës dhe pasioni i mbeti në mes i pashprehur.
Tanimë është kryeministër. Ka në dorë buxhetin e shtetit. Por kjo është një gjë e pavlerë. Tek e fundit, ekonomia nuk është pasioni i tij.
Çështja qëndron tek ata të lajmeve. Dhe zakonisht lufta brenda llojit është ajo që e ka marrë në qafë njerëzimin.
Rama Kryeministër, edhe pse i pari i fshatit, duket se vazhdon ta shikojë me zili kazanin dhe punëtorët që trazojnë dynjanë, ata që sipas tij e mbushin kazanin rrafsh ose me fasule pllaqi, ose me ndërresa të pëgëra.
E me sa duket edhe pse ka më shumë se 5 vite në krye të qeverisë, në fund të fundit Rama ende nuk po e ndan dot veten si njeri politik, nga punëtori mediatik. 
Vite më parë, kur u përplas me Nanon, thërriti gazetarët që në atë kohë ende nuk ishin bërë pjesë e setit të kuzhinës, dhe u tha atyre se Tosi ishte bërë si Robert Çamçakizi që vinte vërdallë nëpër kantier pa zënë punë me dorë. Dhe media e papërtuar e transmetoi batutën e tij të radhës, që këtë herë çuditërisht nuk ishte më për Doktorin por për Profesorin, shefin e Partisë ku Rama ende nuk aderonte.
Sot Rama thërret mediat për të shpërndarë batutat e tij, dhe si gjithmonë në fund u kujton se edhe pse punëtorë të devotshëm, sërish mbeten pjesë e sistemit të “kazanit”.
Mjerë gazetarët.
Se gazetarët u dashkan kur do të hedhësh romuze, kur kërkon t’i biesh defit te orkestra filarmonike, kur do t’ia marrësh në kthesë propagandistit më të mirë të fshatit e të dukesh burrë i zgjuar. Se mund të flasësh edhe me veten, apo para pasqyrës, por s’të dëgjon kush. Ndaj duhet kazani, që të përçojë “fjalën dhe mendimin e lirë”. Pra “kazani” mund të përdoret edhe si portovoç kur ta do puna.  Po përsëri “kazan” mbetet.
Lëmsh muhabeti.
Pakënaqësi e madhe ndaj pushtetit të katërt.
Se pushtetet janë pushtete, por kur je në fund të rreshtit mund të dalësh dhe tepër... Sidomos kur i bën bllok demagogjisë.
Atëherë fillon avazi.
E si padashur kryeministri bën dhe kryeredaktorin, duke orientuar se ku është lajmi dhe çfarë është e vlefshme për t’u transmetuar.
Habi e madhe.
Ky të jep dhe mend...
Por sikur t’i japim dhe ne një këshillë. Them “ne” duke konsideruar se kam dhe ca të tjerë pas vetes që mendojnë tëpkë si unë...
Rama bën mirë të lejë “kazanin” mediatik të bëjë punën, ndërsa ai vetë të merret me tepsinë e qeverisë, të kësaj të resë dhe të asaj të vjetrës që i preu triskat, se me sa duket lugët nuk kanë më vlerë, dhe po përdoren duart për të marrë ç’të munden. Këtë nuk e them unë, e thotë “kazani”. E thonë dhe kazanët e tjerë, me të cilët na ndan kufiri, domethënë “kazanët ndërkombëtarë”.
Dhe pasi ta këtë përfunduar me nder ciklin si administrator i shtetit, ish-kryeministri, mund të aplikojë për një vend pune si kryeredaktor, a drejtor nëse e mban më lart pazarin, e të shprehi deri në fund pasionin e tij të pashteruar në artin e të shkruarit.

Botuar në:
http://www.gazetadita.al/kur-ulesh-ne-tepsine-e-qeverise-dhe-trazon-mbi-kazanin-mediatik/



Friday, December 21, 2018

Romani “Rrënimi“ i Leonard Veizit, një pasqyrë e trishtë e një realiteti të hidhur

Gjithë proza e gjatë e Leonard Veizit karakterizohet nga disa elementë që janë evidente në të gjithë krijimtarinë e tij, por unë, me pak fjalë, do t’i përmbledh ato në një analizë më të detajuar të romanit të fundit “Rrënimi”, si për vetë faktin që ky roman është në vazhdim të gjithë romaneve të para të tij, si në stilin, formën, mënyrën e veçantë të ndërthurjeve të ngjarjeve, dialogëve dhe vizatimit të detajuar të personazheve, por në mendimin tim, ky roman vjen më i arrirë, si në formën e tij, si në mënyrën e transmetimit të saj nëpërmjet penës së një autori, që e njeh mirë mjeshtërinë e vet, por ajo që e bën më të rëndësishme këtë gjykim, është tematika shumë e fortë, tepër aktuale dhe me nota të një radiografie të hollësishme që autori i bën zhvillimeve të mprehta me karakter politik dhe shoqëror të realitetit që po jetojmë, mision ky i vështirë, që jo gjithmonë kapet nga kushdo që rrok penën e vet për të shkruar, si në gjininë e romanit, por dhe të prozës në përgjithësi e pse jo dhe të poezisë dhe dramaturgjisë.





Romani “Rrënimi“ i Leonard Veizi, një pasqyrë e trishtë e një realiteti të hidhur 


shkruar nga Ferdinand HYSI*

Leonard Veizi dhe Ferdinand Hysi
Që në hyrje të këtij shkrimi doja të saktësoja një gjë: Leonard Veizin, autorin e romanit, për të cilin mora përsipër të shkruaj këto rreshta, e kam shumë mik. Rastësia e të qenit në të njëjtën punë, e lidhur kjo me përputhjen e interesave të përbashkëta, ai në prozë e unë në dramaturgji, edhe pse për një kohë të shkurtër, u kthye në një miqësi të fortë dhe të sinqertë. Por qëllimi i këtij shkrimi nuk ka fare të bëjë me miqësinë mes nesh! Përkundrazi jam i parimit që të shkruarit thjesht për miqësi, apo dhe për armiqësi, asnjëherë nuk është një vlerë, si për letërsinë dhe artin në përgjithësi, por dhe në veçanti, dhe një gjë e tillë vetëm se i bën keq autorit për të cilin shkruhet. Këtë parim e kam te shenjtë dhe për veten time! Më ka ndodhur që miq të mi edhe pse autorë të shumë shkrimeve të ndryshme kritike, nuk kanë shkruar për ndonjë vepër timen dhe i kam kuptuar dhe i kam shumë miq dhe tani, ashtu si dhe një zonjë të cilën nuk e njihja fare, pasi në një diskutim të hapur foli jo mirë për një dramën time, pas kësaj e takova dhe u bëmë miq, pa i kërkuar të ndryshonte mendim. Ashtu si falënderoj dhe shumë studiues e kritikë që kanë shkruar për veprën time, ku me disa prej tyre nuk jemi njohur fare në momentin e analizave. E parashtrova të gjithë këtë për të thënë se ky shkrim, është nisur nga emocionet e mia personale për një vepër që për mendimin tim, është me të vërtetë një nga prozat më të arrira në fushën e romanit shqip.
Romani “Rrënimi” nuk është i pari roman që lexoja nga i njëjti autor. Duhet ta pranoj, se tërheqja ime drejt letërsisë së Leonardit, ishte e rastësishme. I larguar për shumë vite nga Shqipëria, duke lexuar më shumë në italisht, leximin e prozës shqipe e kisha të rrallë dhe deri diku me zgjedhje të qëllimshme. Për korrektesë të njohjes me Leonardin i kërkova vetë të lexoja ndonjë nga librat e tij. Por e pranoj, që në leximin e parë, romani “I çmenduri i pavionit 3”, ngela rob i rrjetës të një libri, të atij lloji për të cilin thuhet: “Po e fillove nuk e lë dot pa përfunduar”! Ishte kjo ndjesia e parë. E lexova me një frymë dhe me kënaqësinë që ndjen, kur sapo mbaron së lexuari një libër, pa u futur në analiza të thella, kupton se ai të ka pëlqyer dhe të ka bërë për vete në tërësinë e tij. Dhe kështu kërkova të lexoja libra të tjerë që ai i kishte botuar. Dhe kështu mora në dorë njëri pas tjetrit: “Surpriza e natës së fundit“, “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, “Rrëfimi”, “Lora” dhe së fundi romani i botuar këtë vit “Rrënimi”.
Kuptova një të vërtetë! Rastësia nuk më kish bërë të njihja vetëm një mik të mirë si Nardi, i qeshur dhe dashamirës me këdo duke falur vetëm miqësi, por po njihja një mjeshtër të romanit triller, të atij romani që sot në botë ka shumë autorë të njohur me mijëra e miliona kopje të shitura dhe të kërkuara me shumicë në tregun e leximit. Unë nuk jam kritik letrar, as ndonjë që ka bërë studime në këtë fushë, ndaj të më falë dikush nëse gaboj në terma profesionalë, por unë flas si lexues, që falë këtij leximi, kam zhvilluar dhe intuitën time në fushën e dramaturgjisë. Dhe në këtë këndvështrim, në mendimin tim personal, ndjej se romani i Leonard Veizit sjell në prozën e gjatë shqiptare një realitet, ku kritika letrare duhet ta thotë fjalën e saj, sepse jam i bindur që nëse më mirë do të punohet në drejtim të njohjes dhe propagandimit të tij (sepse modestia e vet autorit nuk ndihmon në këtë gjë, e cila me sa e kam njohur është shumë e theksuar), lexuesi do ta lexojë atë me shumë dëshirë, jo vetëm për faktin se stili e bën të thithet në lexim, por dhe për tematikën e tyre, të fortë dhe aktuale.
Gjithë proza e gjatë e Leonard Veizit karakterizohet nga disa elementë që janë evidente në të gjithë krijimtarinë e tij, por unë, me pak fjalë, do t’i përmbledh ato në një analizë më të detajuar të romanit të fundit “Rrënimi”, si për vetë faktin që ky roman është në vazhdim të gjithë romaneve të para të tij, si në stilin, formën, mënyrën e veçantë të ndërthurjeve të ngjarjeve, dialogëve dhe vizatimit të detajuar të personazheve, por në mendimin tim, ky roman vjen më i arrirë, si në formën e tij, si në mënyrën e transmetimit të saj nëpërmjet penës së një autori, që e njeh mirë mjeshtërinë e vet, por ajo që e bën më të rëndësishme këtë gjykim, është tematika shumë e fortë, tepër aktuale dhe me nota të një radiografie të hollësishme që autori i bën zhvillimeve të mprehta me karakter politik dhe shoqëror të realitetit që po jetojmë, mision ky i vështirë, që jo gjithmonë kapet nga kushdo që rrok penën e vet për të shkruar, si në gjininë e romanit, por dhe të prozës në përgjithësi e pse jo dhe të poezisë dhe dramaturgjisë. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se autori Leonard Veizi, me këtë roman (pa përjashtuar dhe të tjerët më parë) misionin e vet e ka arrirë!
Romani, jo pa qëllim, hapet me një porosi për vrasjen e një personi dhe mbyllet me vrasjen e një tjetri, ku pavarësisht ndryshimit të objektit të vrasjes, thelbi është i njëjtë, duke qenë si kllapa hapëse dhe mbyllëse të një fjalie të gjatë, ku në përbërje të saj është vetë titulli i librit “rrënimi“. Dhe ky rrënim, nuk është thjesht fati i një apo disa personazheve në libër, që bien nga fronet e tyre të ndërtuara mbi padrejtësinë, krimin, vjedhjen, se sa është rrënimi i plotë i një shoqërie që e kapur keq, si një rrjetë merimange, nga ndërthurja e krimit në disa fusha të jetës shkon drejt degradimit moral.
Në këtë rrjet merimange, ku ne shohim të kapur insekte të ndryshme, por nuk e shohim merimangën, jepet qartë dhe pa ekuivoke ideja se krimi i organizuar dhe viktimat që shohim herë pas here, janë pjesë e spastrimeve që herë pas here krimi i organizuar i nxjerr si jashtëqitje nga trupi i vet, por koka dhe truri i këtij trupi mbeten të paprekura, duke e bërë konceptin rrënimi, jo si një fjalë e një ngjarje të shkuar, por si kambanë alarmi dhe për të ardhmen. Kjo e vërtetë e hidhur jepet realisht sidomos në fundin e romanit (që për mua është gjetja më simbolike e këtij romani), kur në fund vritet me porosi, pikërisht “më i pafajshmi i kësaj historie”, gazetari Nik Morina, por ama “më i fajshmi” për kokën e krimit të organizuar, pasi ishte ai që denoncoi gjithë rrjetën e merimangës. E trishtë dhe shumë e hidhur, ndërsa mbaron së lexuari romanin, ndjen se ndërsa disa insekte të kapura në rrjetën e merimangës bien, rrjeta ekziston dhe merimanga është diku lart e paprekur e gatshme të vrasë të tjerë denoncues të saj! 
Në morinë e personazheve, personazhi kryesor i romanit, Martini, një arkitekt i talentuar, por shumë ambicioz, është vizatuar me detaje dhe me logjikën që fat i tij, pavarësisht talentit, do të shkonte natyrshëm drejt rrënimit të vet. Janë pikërisht këto lloj tipash, që për vetë karakterin e tyre kapen dhe thithen nga rrjetat e krimit dhe që hap pas hapi, diku me ndërgjegje diku si pa kuptuar shkojnë thellë e me thellë në vetfundosjen e tyre. Por fuqia e të vërtetave që ky roman demaskon, është fakti, se arkitekti është një pjesë e këtij Rrënimi të madh, ashtu si janë dhe të tjerë të cilët autori i ka dhënë në detajet e veta dhe jo pa qëllim me gjithë kompleksitetin e tyre. Koloneli Ernest Arbana, heroi i luftës së Kosovës, në pamje të parë, personifikimi i njeriut të ndershëm që gjithë jetën e tij ia ka kushtuar ushtrisë, por duke pasur shpesh motiv të jetës së vet termin “mbijetesa” dhe duke u shprehur herë pas here “Me sa vështirësi përballemi në jetë” bie dhe ai pre rrjetës së merimangës, duke qenë një nga pikat kyçe të gjithë atij organizimi kriminal. (Ndërsa lexoja për një çast mendova: Këtu e ka prishur Nardi, si ka mundësi një kolonel i ndershëm në detyrë të dy fëmijët i ka me shkollë jashtë shtetit, por kur lexon në vijim, dhe kësaj dileme i jep përgjigjen që i ka dhënë vetë autori).
Në fakt, mjeshtëria e Leonardit si romancier, në formë, është pikërisht në ndërtimin e shumë linjave, të cilat lidhen me njëra-tjetrën në vijim dhe asnjëherë nuk të lë në dilemat paraprake që mund të të lindin gjatë leximit. Ngjarjet vijnë në pamje të parë si të ngatërruara, pa sensin e kohës, diku në retrospektivë, diku në të njëjtën kohë, por në vende të ndryshme, por qartësisht ato e bëjnë romanin intrigues, të qartë, pa dilemat fillestare, por gjithmonë me dëshirën për të mos ta lënë përgjysmë deri në përfundimin e tij. Ndërsa nga ana e përmbajtjes, edhe pse në roman hasemi me shumë vendngjarje të ndryshme, personazhe që në pamje të parë njihen apo nuk njihen mirë, faqe pas faqe shohim një lidhje të drejtpërdrejtë të tyre, ku fijet e rrjetës së merimangës, të shtrira në sektorë të ndryshëm, janë të lidhura fort me njëra-tjetrën në funksion të krimit që i mban të lidhur këto fije.
Një hotel abuziv diku buzë detit, edhe pse në jo në pronë të vet, i kthyer në depo armësh, me armë ligjërisht të nxjerra jashtë përdorimit, por disa të shitura jo legalisht jashtë shtetit, disa të tjera të demontuara nga ndërmarrje fantazmë, të gjitha në funksion të larjeve të parave të pista, bën bashkë pjesë të strukturave shtetërore, si qarqe të larta të ushtrisë, Banka të ndryshme, Studio projektimi dhe Ndërmarrje ndërtimi, investitorë me para që nuk dihet ku e kanë burimin organe që duhet të kontrollojnë, por të shurdhër dhe të verbër bëhen pjesë e kësaj rrjete merimange!
Kështu, në roman, ndërsa ndjekim Gregun në kërkim të viktimës së radhës, Martinin në udhëtimin e tij drejt vrasësit që e priste, Nik Morinën në kërkimet të të vërtetave, Admir Trinën, specialistin e bankës në manovrimet e tij, Kolonel Ernest Arbanën me firmat në emër të ligjit, për të afirmuar antiligjin, ndeshim dhe kapiten Arianin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, që edhe pse i ndërgjegjshëm për sa di, preferon më shumë të flasë për ca të vërteta me gazetarin se sa të çojë deri në fund detyrën e tij, duke ruajtur statuskuone e një mosfojle për hir të prekjes së interesave të instancave më të larta. I gjithë ky ingranazh korrupsioni, që lëviz si një makineri e mirë drejtuar, me fije të padukshme, por që autori lë të kuptojë se shkojnë lart, shumë lart, me zgjidhjen që ai i jep fundit të romanit, kupton se ndodhesh para një pasqyre të trishtë, që pasqyron imazhet e një realiteti të hidhur. Rrënimi personal i disa personazheve nuk është asnjë gjë para rrënimit total të një shoqërie, ku padrejtësia, krimi, korrupsioni bëhen fjalë e zakonshme e ditës, ku vritet e vërteta (jo vetëm moralisht, por dhe fizikisht me vrasjen e Nik Morinës) dhe morali i vlerave vihet në diskutim me atë të antivlerave.
Së fundi, thjesht si lexues i prozës së gjatë, unë do ua rekomandoja gjithë lexuesve dhe dashamirësve të romanit si gjini, se në krijimtarinë e Leonard Veizit do të gjejnë me siguri pritshmërinë e asaj që janë duke kërkuar!
Problemi është sa ta filloni se pastaj ai vetë nuk ju lë pa e përfunduar. Këtë e kam provuar vetë disa herë.

*Ferdinand Hysi – dramaturg



Wednesday, December 5, 2018

“Rrënimi”, një roman ndaj mafies së kontrabandës së armëve në post-komunizëm



“Rrënimi”, një roman ndaj mafies së kontrabandës së armëve në post-komunizëm

Nga Rezart PALLUQI
Rezart Palluqi - Shkrimtar


Është e trishtë kur shkrimtari, përveç krijimeve të tij duhet të plotësojë edhe vakumin e tmerrshëm të kritikës së pavarur letrare. E nuk jam i pari që e ngre këtë problem, sidoqoftë duke  qenë se kritika letrare shqiptare heshti me porosi, mora mundimin që ta lexoj romanin më të fundit të shkrimtarit të begatë, Leonard Veizi, roman i cili mban edhe një titull mjaft domethënës: “Rrënimi”, botuar prej shtëpisë botuese "BUZUKU", i cili e ka bërë tashmë traditë botimin e letërsisë shqiptare anembanë.
Puna ka shkuar deri aty saqë letërsia shqipe po i ngjan Biblës në zanafillën e saj: ajo lexohej dhe vlerësohej kryesisht vetëm prej dishepujve të saj.
Sidoqoftë ky shkrim, kurrsesi nuk është një qokë. Në të kundërtën, është një vetreflektim i sinqertë ndaj një vepre të re që na vjen.

Tematika

Shkrimtari Leonard Veizi na ka sjellë ndoshta romanin më të veçantë të vazhdës së gjithë atyre romaneve që kanë si qëllim kryesor ruajtjen e kujtesës kolektive. Mirëpo këtu NUK kemi të bëjmë siç jemi mësuar me një roman që trajton kujtesën e gjakosur të diktaturës komuniste, genocidit çam, luftën në Kosovë, qindra betejave shqiptaro-turke, etj. Jo! Kemi të bëjmë me një tekst letrar që trajton plagët më të freskëta gjatë pluralizmit post-komunist. Çështja e tregtisë së armëve të prodhuara gjatë regjimit komunist është përmendur shkaras në shtypin shqiptar. Mirëpo kjo nuk mjafton. Rinia nuk lexon gazeta, as dëgjon lajme. Nën këtë prizëm ky roman do të shërbejë për më vonë si një ndër kronikat më të mrekullueshme letrare të çerekshekullit të parë të tranzicionit shqiptar. Leonard Veizi ka plotësuar deri diku një boshllëk të madh letrar. Kjo, ngaqë midis shkrimtarëve shqiptare dominon ende ajo ideja tinëzare (post) komuniste se letërsia nuk merret me aktualitetin por vetëm tematikat e mëdha. Veizit i dhëmb më shumë plaga e hapur dhe e mohuar e një shoqërie sesa mania absolute e të sjellit në jetë vetëm romane mbimesatare.

Struktura e romanit

Veizi, - e them këtë me përgjegjësinë më të madhe, - është mjeshtër i strukturës, të paktën në këtë roman. Kjo më gëzon shumë ngaqë ajo që vërej shpesh tek brezi im i shkrimtarëve është paaftësia për të strukturuar tekstin letrar. Ata e bëjnë ndoshta këtë gabim kryesisht prej manisë për të trajtuar shumë  tematika njëherësh e që zakonisht janë tematika madhore por që nuk letrarizohen në nivelin madhor ngaqë shkrimtari nuk ka pjekurinë as talentin sipëror .  Veizi, ndoshta falë gazetarisë, që edhe njihet për koncizitetin dhe kompaktësinë e saj, ia ka dalë mbanë që romanin “Rrënimi” ta ndërtojë mbi një arkitekturë të admirueshme. Edhe pse në roman ndeshim dhjetëra personazhe, ato riciklohen siç riciklon natyra muajt e vitit. Struktura përbëhet prej kapitujsh të shkurtër e që përfaqësohen çdo herë prej njërit nga personazhet e shumtë. Në total hasim rreth 80 personazhe.  Falë kësaj aftësie, tematika trajtohet fort mirë.
I gjithë lëmshi i romanit janë arsenali i madh i armëve të prodhuara në komunizëm, por që kontrabandohen  mbas vitit 1992 prej krerëve post-komunistëve nëpër shtetet ballkanike dhe ato afrikane. Përkrah kësaj ulërin lavatriçja e madhe që pastron paratë e mafiozëve shqiptarë me pozita shumë të larta në qeveri dhe bizneset e saj paralele. Veizi, nuk e humbet rrugën. Nuk ka asnjë çast kur thua: u bë lëmsh kjo histori. Çfarë rrëmuje e pashpjegueshme!

Gjuha

Ajo është e kthjellët dhe ka një dinamikë të paulshme. Kjo vjen jo vetëm prej talentit të shkrimtarit por edhe personazheve që luftojnë kush për të mbijetuar, kush për t’u pasuruar edhe më shumë. Veizi nuk e mundon lexuesin me sinonime e fjalë të harruara. Kjo vjen ngaqë ai fokusohet tek rrjedha e ngjarjes që është e ndërthurur me frymën policore. Ndoshta ngaqë Veizi ka dashur që të krijojë një tekst lehtësisht të lexueshëm dhe të depërtueshëm.  
Kemi një ndërthurje të zhargonit zyrtar dhe gegnishtes me toskërishten. Veizi ndonjëherë nuk e shmang fjalorin banal e kjo justifikohet plotësisht po të marrim parasysh sferat dhe figurat mafioze që edhe e përçojnë tekstin tejpërtej. Një prej përbërësve të suksesit të një romani është lexueshmëria e tij. Në këtë pikë Veizi ia ka arritur më së miri. Romani lexohet me kërshëri deri në faqen e fundit.  E ai me sferat e tij herë gjakngrirëse herë romantike, të bën të kujtosh shkrimtarin e famshëm italian, Roberto Savianon!

Leonard Veizi - shkrimtar
Personazhet dhe fatet e tyre

Veizi di mjeshtërisht që të na servirë 80-të personazhe. Për personazhet e tij do të doja të flisja orë të tëra. Kjo, ngaqë Veizi është me të vërtetë një mjeshtër për t’i gdhendur ata në mënyrë të atillë që ty të përngjajnë me persona reale. Ato janë sa të pangjashëm aq të trishtë por ndonjëherë edhe dinjitozë. Ashtu si gjykatësve romakë, që nuk kursenin as fëmijët e tyre kriminelë,  edhe Veizit nuk i dhimbsen personazhet e tij, sidomos kur ata janë parazitë.
Romani dominohet kryesisht prej të paktën dy personazhesh. Ata janë arkitekti Martin dhe gazetari investigativ, Nik Morina. Nuk ka qenë rastësi që Veizi ka zgjedhur një arkitekt ambicioz, të talentuar dhe kokëfortë. Ai projekton rregullisht ndërtesa, hotele gjigante anembanë Shqipërisë. Mirëpo Martinit i ka rënë për hise të marrë projekte prej padronëve të mafies shqiptare e që nëpërmjet kontrabandës së armëve shpëlan miliona euro. E këtu qëndron edhe ironia e madhe. Ata që deri dje krenoheshin për armatimin komunist, sot i tregtojnë ato kundrejt shumave qesharake. Martini beson në kapacitetet e tij profesionale, grindet me eprorët e tij, është i etur për karrierë dhe shpesh ndërmerr rreziqe që nuk i shkojnë për shtat. Mirëpo ai rrënohet prej pasojave që vijnë nga lufta e brendshme mes dy grupeve konkurrente, ku secili tenton të përlajë llokmën më të madhe prej shitjes së armëve. Projekti i tij më i madh, një hotel me 850 dhoma, restorante, meqenëse përdorej ilegalisht për demontim armësh,  shembet i tëri, çka nënkupton edhe shembjen e të  tërë ngrehinës së shtetit shqiptar por edhe tragjedinë e Gërdecit.   

Përkrah Martinit ndeshim një femër nobël në kuptimin e plotë të fjalës: Ingridi.  Ajo zotëron një trup shumë  të bukur, e ky trup drejtohet prej një mendje po aq te bukur, fisnike dhe besnike. Ingrid nuk e tradhton Martinin, e këtu kemi të bëjmë me një rast të rrallë në Tiranën e sotme që është shndërruar në një lagje pornografike.  Por edhe Ingrid luhatet. Veizit i pëlqejnë personazhet e lirë dhe që janë vetvetja. Ndaj edhe Ingridit i shkon shpesh ndër mend të shtrihet në krevat me burra të tjerë. Ingrid është edhe piktore. Duke qenë se ajo e do vërtetë Martinin, ajo përpiqet që ta pikturojë atë  ndër vite. Njeriu evoluon, po kështu edhe personazhet e Veizit. Ingrid e mbaron portretin e të shoqit e përfundimi i tij na jep një Martin me dy personalitete: ai i buti, romantiku dhe ai i babëzituri dhe karrieristi.

Një ndër personazhet më kompleksë por edhe rrëqethës është vrasësi me porosi, Gregu. Veizi, si rrallë shkrimtarë ka ditur që vrasësin serial të na e skicojë në mënyrë të atillë që të bën edhe ta urresh sepse merr jetë njerëzish të pafajshëm por edhe ta mëshirosh. E këtu qëndron humanizmi dhe mjeshtëria e një shkrimtari. E Veizi e arrin këtë sepse ai e zhbiron të kaluarën e vrasësit. Ai na jep informacione se si u rrit vrasësi. Cilat ishin arsyet që e detyruan të bëhet vrasës me pagesë. Gregu, bëhet i tillë prej drejtësisë së kontrolluar shqiptare. E atëherë mafia e shpëtoi nga burgu duke e shndërruar në vrasësin e saj me pagesë. Përkrah Gregut, Veizi vendos një nënë të dashur, të butë dhe që e ka shumë të vështirë të depërtojnë në skutat e errëta të të birit. E kjo i jep ngjyresa tragjikomike fatit të Gregut e nënës së tij. Mirëpo edhe Gregu duket sikur është ngopur me këtë lloj mbijetese. Ai i premton vetvetes se mbas vrasjes së radhës do t’ia mbathë larg për të krijuar një jetë të re. Kjo lloj perspektive na paraqet edhe anën humane, sado e vogël qoftë ajo, e një njeriu të zhytur në humnerën e krimit.     

Mirëpo “Rrënimi” nuk është vetëm një roman politik. Aty ndeshim personazhe të dashuruar ose jo. Një prej tyre është punonjësi i bankës, Admir Trina. Admiri përballet me një dashuri të dyfishtë por që vendoset në kohë të ndryshme. Ai dashurohet me mësuesen e tij, e prej kofshëve të saj ai zbulon edhe ndjenjat e ereksioneve të para. Fati do t’ia rrokullisë jetën në mënyrë të atillë që më vonë ai do të dashurohet me vajzën e mësueses së tij. Veçse këtë ai nuk e dinte paçka se ruante një marrëdhënie të fshehtë me të bijën e mësueses. Rrënimi i troket Admirit dyfish në  portë dhe përnjëherë. Në të njëjtën ditë ai zbulon se e dashura e tij, Gresa është e bija e mësueses. Admiri u përball papritur me dy lloj dashurish shumë-shumë komplekse. E kjo e hutoi keq. Sikur të mos mjaftonte ky shok, në të njëjtën ditë e thërret shefi i tij, i cili e kërcënon me jetë nëse ai nuk e shlyen një kredi për të cilën ky kishte dalë garant. Admir Trina rrënohet dyfish. Rrënimi i parë është një lloj dhurate e zezë e fatit, ndërsa i dyti, është pjesëmarrja e tij në shpëlarjen e parave të pista. 

Një tjetër personazh tragjik është edhe koloneli Ernest Arbana. Ky në fillim u përpoq që të bllokojë çdo hetim gazetaresk që do të zbulonte edhe shitjen e jashtëligjshme të armëve. Mirëpo në fund kur punishtja gjigante e çmontimit të armëve u bë hi, ai u vetëvra në korridorin e Ministrisë. 

Edhe pse romani i Veizit përmban një konotacion shkatërrues, për mua, i vetmi personazh që nuk rrënohet është gazetari investigativ Nik Morina. Kam vite që pyes vetveten: përse lundrojmë në një det të thellë kriminaliteti dhe nuk na është vrarë deri më sot një gazetar shqiptar? Nuk më pëlqen aspak që ata të vriten, por në një shoqëri si e jona ata edhe mund të zhduken, ashtu siç ndodh në Rusi, Ukrahinë etj,. Në romanin në fjalë, Nik Morina është një gazetar trim i cili në fund ekzekutohet. Ai nuk e bën këtë punë vetëm për të fituar para, paçka se joshet prej tyre, por sepse ndjen përgjegjësinë morale që mbart mbi supe dhe është i vetëdijshëm për pasojat katastrofike me të cilat do të përballet një shoqëri nëse krimi dhe korrupsioni i organizuar nuk dalin në shesh. E kjo është detyra e gazetarit të racës, gazetarit të betuar. Nik Morina është një i tillë. Veizi duket sikur e ngre shumë lart etalonin e me këtë duket sikur u thotë gazetarëve aktualë shqiptarë: se ju nuk mund të konsideroheni të tillë nëse nuk e bëni punën tuaj me aq ndershmëri dhe guxim, sa Nik Morina. Ai mund të merret si një shembull ideal i gazetarit të vërtetë. Më tragjikja këtu qëndron se Nik Morinën nuk e vret vetëm  mafia nga lart, por e tradhton edhe vetë kryeredaktori i tij.

Romani i dhjetë i shkrimtarit, Leonard Veizi, “Rrënimi” është një tablo e të gjitha atyre pasojave të një shoqërie që ka rënë në rrethin vicioz të mafies së organizuar e dirigjuar nga lart. Ndaj edhe pothuajse të gjithë personazhet e tij, edhe pse janë shumë dinamikë, të mprehtë, të talentuar, rrënohen. E kjo ndodh, sepse ata, e këtu qëndron tragjikja, e hedhin vallen e vdekjes në ring  me vetëdije. Ata e dinë se janë pjesë e një mulliri mafioz, por secili shpreson që një ditë do të dalë i palagur. Mirëpo në kësi lloj situatash nuk nevojitet profeci. Të gjithë janë të destinuar të rrënohen. E përmasa e rrënimit varet pastaj se sa lart pretendon të fluturojë dikush nën një qiell që i vjen era barut, fishekë e hajdutëri lakuriqe.  


“Rrënimi” është një kronikë letrare sa e trishtë por aq edhe e mrekullueshme e Shqipërisë mbas viteve 1992. Jam i mendimit se ky roman duhet përfshirë në tekstet shkollore: jo për fabulën e veçantë të tipit  kafkian, sepse atë nuk e ndeshim këtu. Dhe kjo është një prej arsyeve që Veizin e bën origjinal. Ai nuk vuan prej sëmundjes së riprodhimit/ riletrarizimit të fabulave helene, as imitimin e shkrimtarëve gjenialë. Veizi është ai që është.  Ai i urren heronjtë hollivudiane dhe hijet e huaja, sado të lavdishme qofshin ato.   
Ky roman nuk dallohet edhe aq për gjuhën tejet të pasur figurative. As për erudicionin e spikatur. Jo. Ky roman duhet bërë pjesë e letërsisë shkollore për personazhet e jashtëzakonshëm që ndeshim aty. Për moralin gjithëpërfshirës, një vlerë që i mungon fort letërsisë shqipe. Për strukturën fantastike në të cilën rri në këmbë teksti. POR arsyeja kryesore, gjithnjë sipas mendimit tim modest është ruajtja e kujtesës kolektive. Unë uroj që Shqipëria të bëhet sa më shpejt një vend i jetueshëm dhe të MOS mbesë një mitër që syrgjynos bijtë e saj. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë ky roman do të jetë një burim i vyer për të gjithë ata që do të donin të kuptonin Shqipërinë e viteve 1992-2018 në të gjitha aspektet e saj: politike, financiare, shoqërore, erotike dhe shpirtërore.

Uroj që Veizin ta ndjekin edhe shkrimtare të tjerë duke hedhur në koshin e plehrave idenë fikse se letërsia nuk duhet të merret me problemet aktuale. E kanë gabim. Një shkrimtar i denjë mund të shkruajë 7 romane që trajtojnë problemet e përjetshme por DUHET të bëjnë kurban nja 2-3 romane që trajtojnë kohën e tij e nuk duhet të shqetësohen nëse ata nga ana letrare mund të qëndrojnë pak më poshtë se romanet e kategorisë tjetër. Ky është një lloj flijimi letrar i domosdoshëm e që e bëjnë vetëm ata shkrimtarë që nuk i tuten murtajës së kohës së tyre e nuk  arratisen si burracakë drejt betejave me krokodilët e vdekur të së  kaluarës vetëm e vetëm që të mos përballen letrarisht me bishën e gjallë të shekullit të tyre.  

Në mbyllje, vlera e këtij romani dyfishohet nëse do të merrja parasysh se Leonard Veizi ka karakter dhe  moral. Ai është ndër gazetarët e paktë shqiptarë që edhe pse ka punuar si gazetar gati 30 vjet ai ka ruajtur integritetin e tij profesional dhe moral. E kjo e bën atë që ky roman të jetë vërtetë një pasqyrë shpirtërore e tij. Që këndej e tutje, sa herë që do të shoh gazetarët e mercenarizuar shqiptarë nëpër ekrane  do të them: sa të vegjël që jeni o qyqër përballë gazetarit trim, NIK MORINA!

Botuar në:

Thursday, November 8, 2018

"Grekët" pisanjosë të "Vorio Epirit"



Nga Leonard Veizi

“Ty të shkojnë Fizët njëzetë herë te dera e shtëpisë dhe ti rri e i vështron si gallof. O Pika, pika…. Pse nuk vete t’u ndezësh cingarin”. Kjo sentencë letrare, marrë nga filmi “Njeriu me Top”, skenarin e të cilit e ka shkruar Dritëro Agolli, m’u kujtua teksa shihja prej ekranit të televizorit një tubim provokativ prej një tufe grekësh pisanjosë, bash në tokën shqiptare. Këta pisanjosë, të hipur në autobusë firmato, kaluan kufirin nën hundën e autoriteteve shqiptare, me flamuj e banderola të shtetit tjetër. Nuk vinin për festën e hallouinit, aspak, por sepse do merrnin pjesë në një varrim. Dhe në banderolat e tyre shkruheshin thirrje ekstremiste. Ndërkohë, në tokën shqiptare, me banderola si dacibaot e revolucionit kulturor, e flamuj me kryqe ortodoksësh, kërkonin të varrosnin si hero, një sharlatan që ishte aq idiot sa shkoi për dhjamë qeni, sepse në keqkuptim e sipër mendoi se do të arrinte të kthente në kauzë të paqenën. Kështu e kishin instruktuar kapterët e shërbimit sekret apo të forcave komando greke. Dhe tjetri bie në thes kokë e këmbë, a thua se nuk kishte jetuar deri dje mes shqiptarëve në atë pjesë të tokës që u kishin bërë vend.
Dje, në tokën shqiptare, grekë histerikë me simbole të ortodoksisë fetare, guxuan të thërrisnin “qen shqiptar”. Epo domosdo, sipas forcës së zakonit buçat qentë do kërkojnë. Se ndryshe s’ka si ndodh. Por gjithsesi fjalën nuk e kisha për thirrjet që çojnë në ndërzim, shkërdhim e përmirësim race. Grekët pisanjosë u trimëruan sot, në mungesë të shtetit shqiptar. Se këto fjalë i shkojnë më shumë për shtat shtetit shqiptar, që edhe 30 vjet pas rënies së murit të Berlinit, vazhdon të mbetet me brekë nëpër këmbë.
E në këto kushte, kjo tufë pisanjosësh, që kujtuan se me tre euro spray kundra djersë ia hodhën bythës, thirrën e kënduan këngë patriotike nga të tyret, nxorën mllefet si në një të vjellë pas dehjes, na shanë ne shqiptarëve me libër shtëpie e çuditërisht kaluan dhe në orgazmë.
Dhe ende nuk e kanë marrë vesh këta pisanjosë grekë se ky fshat me emrin Bularat, është tokë krejtësisht shqiptare. Dhe Shqipëri është dhe ca më tej kufirit, që kur ua përmend u bie pika m’u në çaçkë të kokës. Dhe sa shpejt e harruan që të parët e tyre erdhën në këto toka si plebej, të punonin për llogari të bejlerëve shqiptarë, të cilët ç’është e vërteta e kishin zakon të luanin tespihet e të bënin sehir nga lart, teksa shihnin argatët të lëronin në arat e tyre.
“Palikarët” grekë që u trimëruan në një ceremoni funebër, nuk ishin dhe aq trima kundër osmanëve të Portës së Lartë,  dhe revolucionin me të cilën mburren, pritën t’ua bënin shqiptarët. Ata ishin trima me gratë shqiptare, që në vitin 1914 i thernin për t’u nxjerrë fëmijët që kishin në bark. Në këtë pikë po, kanë treguar trimëri të rrallë. Kështu e shprehnin ata “mirënjohjen” dhe urrejtjen bashkë për shqiptarët që u dhanë lirinë, e ku në parlamentin e parë të tyre për pako vota fitoi greqishtja, përndryshe dhe ajo pjesë e Ballkanit që e quajnë Hellas, do fliste po shqip si kjo pjesa jonë në po të njëjtin Ballkan.
Ekstremistët grekë u munduan që varrimin e një ekstremisti ta kthenin në një protestë provokative, dhe padyshim ia arritën falë dhe mbylljes së syrit të shtetit shqiptar, nën ankthin e frikën se, jarabi mos na nxehen grekët e na lenë jashtë Evropës, mos na nxehen grekët e na përzënë emigrantët, mos na nxehen grekët e na bëjnë namin, mos na nxehen grekët e na hanë… “K….”
Shteti palaço i shqiptarëve e bëri vetëm një herë detyrën e vet, vrau një ekstremist që me uniformë të forcave komando të ushtrisë greke, me armë snajper qëlloi mbi policët e këtij shteti. Por për të treguar se ne jemi më të hapur nga sa duhet i lejoi ekstremistët e tjerë të mbushnin rrugët e Bularatit, të shpalosnin flamujt e helenizmit fals, të atij helenizmi që për hir të së vërtetës ka vdekur para 2000 vjetësh. Dhe më e keqja ishte se në tokën shqiptare u lejua të thirrej, “Kjo është Greqi”.
U raportuan fyerje nga ana e palikarëve pisanjosë ndaj reporterëve shqiptarë të cilët po kryenin detyrën në tokën e tyre. Se dhe reporterët shqiptarë po transmetonin pamje nga ceremonia e varrimit, që për të thënë të vërtetën edhe po të mos i transmetonin këto pamje nuk do të kishim pësuar asnjë humbje, në mos po drekën do ta konsumonim me qetë se kaq.
Patën guximin grekët të hidhnin parulla kundër Shqipërisë, sepse u trimëruan nga përulësia e shtetit shqiptar. Sepse shteti ynë u mjaftua me ndalimin e ca dhjeramanëve që se demek mbanin me vete sende të papranueshme për të lakuar kufirin, e që me siguri do kenë qenë armë të ftohta se ato të nxehtat kam përshtypjes që dhe nuk arrijnë t’i përdorin sado të trajnohen si komando në njësitet speciale.
“Ty ta përvëluan shtëpinë Fizët dhe s’je i zoti të shkrepësh një kobure kundër tyre”. Kjo sentencë letrare, marrë nga filmi “Njeriu me Top”, skenarin e të cilit e ka shkruar Dritëro Agolli, mu kujtua teksa shihja prej ekranit të televizorit se si një tufë grekësh pisanjosë shanin: “qen shqiptar”.



Botuar në:


Saturday, October 13, 2018

Behar Gjoka: Kronikë e një vrasje të (pa)paralajmëruar





Shënime për romanin "Rrënimi" të Leonard Veizit, botim i shtëpisë botuese “Buzuku”, Prishtinë


 Nga  Behar GJOKA

Behar GJOKA
Romani “Rrënimi” titullohet libri më i ri i autorit Leonard Veizi.  Ky tekst pason librat e tij në prozëshkrim, ku vihet re se bëhen gjithsej gjashtë romane, si dhe katër libra me tregime dhe novela. Duke parë librat e botuar në këto vite të autorit, pra si lëvrues i prozës së shkurtër dhe të gjatë, vetvetiu më erdhi në mend ajo që pati pohuar dikur Julio Cortazar, ku mes të tjerash, theksonte: “Tregimi është gjithmonë veli i artë, ndërsa romani është historia e kërkimit të velit të artë.” Në këtë rast, pra të një autori që i ka lëvruar zhanret e prozës, natyrshëm vjen pyetja, në cilin prej zhanreve të prozës ka prurje më të spikatura letrare? Një çështje me vete, që mbetet e hapur për ta parë në ndonjë rast tjetër, si një mënyrë e verifikimit të shkrimit të prozës. Ndërkaq nuk duhet harruar se me shkrimin e prozës, është një proces i hapur, që jo rrallë ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës letrare, për librat e botuar. Megjithatë, në këtë paraqitje të librit më të ri të autorit, si tipar kryesor mbetet fakti se jemi në shkrimin e prozës, që në linjat më kryesore, shpërfaq një përvojë të realizimit të saj.
                               
Konkretja si realitet letrar
Kamera, futet në vorbullën e kohës, madje të fokusimit të momentit të hidhur kur po jetojmë, mbase edhe si një marrëdhënie e autorit, me këtë realitet, si gazetar. Jemi pikërisht në rrethanën e pazakontë, kur realiteti konkret është më absurd dhe më surreal se sa vetë arti dhe letërsia. Teksa lexon, me vëmendje dhe ankth, faqet e librit, gjithnjë pushtuar nga makthi i ndodhive makabër, ke ndjesinë e fortë se më tepër je në jetën reale, në realitetin e vrazhdë ku tashmë dukshëm janë përmbysur vlerat humane dhe njeriu është më vetmitar dhe i zbuluar para mbrapshtive të politikës dhe krimit të organizuar. Teksti dhe struktura romanore, krejt natyrshëm, krijojnë atmosferën e gjallë të tablosë së përditshmërisë, ku ndërkohë në secilën ditë rrëzohet në humnerën ekzistenciale, individi dhe shoqëria shqiptare. Pamjet konkrete, të krimit të organizuar, të korrupsionit në nivelet më të larta të administratës shtetërore dhe të biznesit privat, e sidomos të kapjes së shtetit nga mafia, që ofron teksti i romanit “Rrënimi”, ndonëse në tekst shpesh feksin hije fotografizmi, të një natyralizmi të ngrirë, që jo rrallë të fanit reagimin mediatik, megjithëse nuk ka rënë përfundimisht në shtjellat informuese, të bind më në fund se realiteti letrar, është ngritur mbi konkreten e ditëve të sotme. Jeta tepër e vështirë e njeriut, në aspektin shoqëror dhe politik, ka çaste kur e tejkalon letërsinë dhe artin. Mesazhet që lëshohen në faqet e romanit, krejt të hapura, teksa përcillet shëmtimi i demokracisë, së brishtë dhe jofunksionale, të ndërmendin atë që pohonte më herët Rousseau-i: “Njeriu ka lindur i lirë dhe kudo është i lidhur me zinxhir.” Hedhja e vështrimit në fatin e qenies, në hemisferat e jetës individuale dhe shoqërore, sidomos në marrëdhëniet e ndërlikuara me kohën, me shtetin e korruptuar gjer në palcë, gjë që në fakt përbën shtratin ligjërimor, përfaqëson atmosferën e plotë të tekstit, që hedh dritë në terrin e ndritçëm dhe tejet të errët në të cilin gjellojmë. Përditshmëria e lodhshme, gjer në rraskapitje, fiksuar në qendër të veprës, kuptimësohet nëpërmjet shumështresëzimeve semantike dhe shprehëse. Libri, në një masë të caktuar, ngërthen tiparet e romanit policesk-pa qenë mirëfilli i tillë, po kaq të romanit shoqëror dhe psikologjik (si klimë shoqëruese e tekstologjisë), duke formësuar kështu një tip romani me shumë rrafshe dhe anë, të cilat shpalosen përmes realizimit pa cak, që enkas zbulon gjithçka të kësaj kohe, në gjithë lakuriqësinë e vetë, përpara lexuesit. Përvoja e gjatë e gazetarit, për ta gjurmuar të vërtetën, pavarësisht se ku fshihet ajo, e bashkëshoqëruar me përkujdesni e shkrimtarit, që jeta reale tashmë të futet në kornizat e kumteve letrare, shënjojnë dy shinat e zbulimit të universit shkrimor të romanit. Fundi tragjik i gazetarit, që vjen si furtunë në gotë, pra larg "haapy end"-it, që e ndeshim shpesh në prozën shqipe, vjen e treguar si një befasi, që vë në vështirësi kompromiset e pranishme të medias me politikën dhe me krimin. Vendosja në qendër të romanit, pikërisht e momentit të tanishëm, si një kredhje qëllimore në ndodhitë e kohës, të cilat janë më surreale se vetë letërsia, është gjetje, por edhe risk, për të rënë në vështrim analitik, që buron nga makthi i realitetit konkret.

Formësimi kompozicional dhe strukturor
Teksti “Rrënimi”, me një hapësirë tekstologjike romanore, pra të gjerë, të pasur në linja dhe problematika, në shtjellimin e kohës reale, e fiksuar si kohë artistike, e rrafsheve të shumëfishta kuptimore dhe artistike, në pikëpamje të sendërgjimit të plotë të shenjëzimit artistik, veçmas tjerash, zbulohet në dy nivele, që janë realizuar si të ndërthurura dhe evidentohen  në marrëdhënie të ndërsjellë:
               
A – Niveli klasik i strukturimit, ose makrostruktura e librit, që përbën thelbin e shkrimit të zhanrit, ku bie në sy fare thjesht, i cili përmblidhet dhe shpalohet në njëmbëdhjetë krerë. Episodet e konceptuara si krerë të librit, relativisht janë të gjatë dhe organizojnë dhe shpalosin ndodhitë e shumta të romanit, skicojnë fabulën tërësore, si dhe konfigurojnë morinë e personazheve të librit, një pasuri e përveçme e prozëshkrimit të autorit, që lëvrijnë në hapësirën e tekstit, e cila madje përbën bazamentin e ngrehinës së romanit.
                
B – Nivelin dinamik të botëperceptimit strukturor, ose mikrostruktura e kësaj proze, gjithnjë brenda strukturës së parë, që e pasuron dhe zgjeron frymimin e saj. Vihet re, se në hapësirat e secilit prej krerëve të librit, që përkon me lëvrimin e zhanrit të romanit, po ashtu ato paraqiten të ndara në gjashtë episode, ku madje shpesh herë ngjet largimi i beftë, me dhe pa shkak, i personazhit të pranishëm, që madje ngjet me një shpejtësi rrufe, si dhe hyrja e një protagonisti tjetër në skenë, gjë që në fakt shënon pauzë të ngjarjeve dhe vonesën narrative, që e rrëshqet natyrshëm shkrimin e prozës në shtjella bashkëkohore.
Gërshetimi i të dy niveleve, të një kompozimi të beftë, pra klasik dhe dinamik, u ka dhënë ngjarjeve dhe vetë fabulës së pranishme, e cila ngërthen në vetvete një mori ngjarjesh nga më të çuditshmet, si dhe kumteve të tekstit një temporitmikë tjetër, ku megjithatë ngjyresa klasike përfaqëson fondamentin e sendërtimit romanor, e po kaq të tonaliteteve realiste, të skalitura në vatrën e realitetit konkret, aq i vrazhdë e telendisës, për ekzistencën e qenies shqiptare, në këto çaste.
               
Parakalimi i personazheve
Personazhet e shumtë të romanit, pavarësisht hapësirës që ata zënë në këtë tekst, në dhënien e tipareve fizike dhe morale, konfigurohen dhe portretizohen si të individualizuar, në tërësinë e vetë. Nga njëra anë, ke përshtypjen se më tepër janë personazhe të marra në rrjedhën e kohës, pra të realitetit të aktualitetit, gjë që ju jep atyre një pamje konkrete dhe të besueshme. Nga ana tjetër, vetë larmia e figurimit të narratorit, përshkrimi i detajuar i mjediseve, ku luhen ngjarjet, replikat e shumta, madje shpesh të ashpra, që shkëmbejnë në tekst, bëjnë të mundur mishërimin e tyre, si personazhe letrare të këtij romani. Në hapësirat e tekstit, pra të librit të dhjetë të autorit, parakalojnë dhe lënë gjurmët e tyre, shumë protagonistë, që kanë peshë të ndryshme, kryesore ose dytësore, në ndodhitë e romanit, veçmas në shënjimin letrar të atmosferës që përcillet. Themi parakalojnë sepse personazhet e romanit, ashtu siç ngjet në jetë, ndalen vrulltas e me po kaq me shpejtësi, mandej rishfaqen përsëri aty, për të rrëfyer atë që nisën në episodet e tjera. Një ikje dhe ardhje e rrufeshme, megjithatë e organizuar, i bënë ato pjesë e konturimit të kohës. Kurba e lëvizjes së tyre, e paraqitur në qarkun e hapësirës romanore, ndërkaq dukshëm krijon rrethanën e kundrimit të tyre, edhe në përqasje të ndërmjetme, madje ndonjëherë edhe në pranvënie të befta, të natyrës së tyre karakteriale. Aq më tepër, që linjat intime dhe shoqërore, më tepër vijnë e plasohen të ndërthurura ndërmjetshëm, dhe të japin dorë për të zbuluar dritëhijet e personazheve. Në mesin e personazheve, në syrin tim, si më i ploti dhe më kompleksi, me gjasë edhe si epiqendra e realitetit letrar, veçohet Martini, arkitekti i hotelit, që në fund të librit hidhet në erë, si një fat që paralajmërohet gjatë tregimit të ngjarjeve. Martini është figura qendrore e romanit, ku madje edhe pikëtakohen fatet e personazheve të tjerë, e linjave të ndryshme, e përplasjes së linjave intime dhe shoqërore. Po kaq, nëpër shtjellat ligjërimore të jetës së inxhinierit, që nuk merret vesh është një ëndërr e shfaqur apo zhgjëndërr e përjetuar, e plakut që i shfaqet në momentet e ankthit personazhit kryesor të romanit. Plaku, figura më interesante dhe enigmatike e këtij teksti, e gdhendur deri në skalitje, një mister që çapon hapat e qenies, e cila më tepër buron nga nënvetëdija e arkitektit, me shumë gjasa shqipton praninë e Tjetrit, një gjendje që e përmend Ernesto Sabato, përsëdytësit të njeriut, që ka shumë raste që fle, si në fashitje, në subkoshiencën e njeriut. Përballë arkitektit qëndrojnë të tjerët, Ingridi, gruaja e bukur “sygjarpër”, drejtori ekzekutiv, Aleksi, miku i hershëm, e sidomos Gregu, që e gjurmon arkitektin për ta qëlluar me plumba. Po ashtu, për tipat që përfaqësojnë, për rolin që kanë në rrjedhën e ngjarjeve, të mbeten në mendjen figura të tilla si: koloneli, gjenerali, gazetari kurajoz, Nik Morina, si pjesë e sfondit makabër ku edhe ka rrëshqitur jeta e qenies shqiptare, në motet e rrumpallës, kinse demokratike.

Teknika e vonesës narrative
Sendërgjimi i prozës, pra edhe i tekstit të romanit të radhës, lidhet ngushtësisht me rolin dhe mënyrën e shpalimit të narratives, si mjeti unik i materializmit të prozës letrare. Teksti i romanit “Rrënimi” në formësimin e vetë narratologjik, ecën në dy vatra ligjërimi:

Së pari: Rrëfimtari-autor, që zbulon universin letrar, si marrëdhënie e gjithdijes. Rrëfimtari, pra epiqendër e realitetit tekstologjik, që skicon vendet, paraqet ngjarjet dhe portretizon personazhet e romanit, ka peshën kryesore në mishërimin e realitetit letrar.

Së dyti: Vonesa narrative, një teknikë e shtrirë në hapësirat e librit, si një element që sublimon dhe sendërgjon fytyrën e kohës. Kuptohet se teknika e vonesës, pauzat e pranishme në tekst, të cilat megjithatë mbajnë të ndezur kërshërinë e leximit, porse në shtjellën e përsëritur në secilin prej kapitujve dhe nëndarjeve, ndonëse përcjellin një sfond monotoninë, luan rol për të materializuar atmosferën. Fakti që tipologjia e vonesës rrëfimore, është e përhapur në gjithë krerët e librit, ka krijuar rrethanën e përveçme letrare, që ndodhitë dhe personazhet, pavarësisht një tisi mediatik, të fitojnë status të veçantë. Pohimi i dikurshëm i T. Todorov: …çdo rrëfim ka diçka të tepërt, një tepricë, një shtesë që mbetet jashtë formës së mbyllur, të përftuar nga zhvillimi i intrigës. (2000: 37), e ndriçon terrin që e krijon letërsia, e sidomos zhanri i gjatë i prozës, romani. Ngjarjet në libër vijnë si ndalim i rrjedhës së realitetit, kundruar tashmë si një hapësirë vetëmse letrare. Personazhet nëpërmjet vonesës narrative, organikisht u krijohen gjasat që të zbulohen si karaktere, me gjithë hijedritat që bart jeta konkrete, e plazmuar në konturet e prozës së gjatë. Pranëvënia e ndërliqshme e rrëfimtarit-autor, si ngjyresë gjithdije, e zgjeruar me teknikën e vonesës narrative, ka mundësuar që hapësira e tekstit, pavarësisht strukturës klasike, të anësohet nga lëvrimi i prozës bashkëkohore.
               
Kolazh filmik i ndodhive
Vendosja e ngjarjeve në Shqipëri, në zona apo qytete të ndryshme të saj, si dhe marrja e personazheve nga vetë realiteti konkret, natyrshëm i jep tekstit tiparet realiste, me gjasë të një neorealizmi krejt pa cak, që i zbulon të vërtetat e kohës, në të gjitha përmasat e veta. Kuptohet se shenjat e realizmit të këtillë, vetvetiu kanë formësuar edhe një tip të një proze imazhi, të një realiteti letrar tejet dinamik, që lëviz në sytë e lexuesit si në një kolazh filmik. Ndërkaq, narrativa e vonesës dhe ndërprerjet e vazhdueshme në të gjithë krerët dhe nëndarjet e hapësirës tekstologjike, pavarësisht se personazhet dhe rrëfimtarët, i mbajnë të ndërlidhura hallkat subjektive, figurimin e fatit të qenies, ka endur shenjat e prozës së fragmentuar, madje të grimcuar nëpër episode, të domosdoshme dhe rastësore, që lehtësisht i kuptimëson prania e personazheve. Në lidhje me interpretimin e letërsisë në përgjithësi, pra edhe të romanit, ka vlerë pohimi i Ernesto Sabatos, kur shprehet: Çdo përpjekje për ta shpjeguar fenomenin letrar nga pikëpamja thjesht estetike ose thjesht sociale është, si rrjedhim, e dënuar të dështojë.”(2015: 52), krijon një hapësirë reale për ta parë tekstin në marrëdhënie më të ndërlikuar, dhe jo për të kundruar si një realitet skematik. Struktura, e përndarë në krerë, kryesisht e tipologjisë klasike, ndonëse vjen e zgjeruar, si hapësirë komunikimi, me përndarje të brendshme, në dhjetëra episode, ndërfutur brenda krerëve, ku ndërlikimi i kahjeve ligjërimore, sjellë në skenë protagonistë të ndryshëm të romanit, që ndikon në zbulimin e tipareve karakteriale. Sfumatura imazhiniste, si vende dhe hapësirë, fjala si rrëfim dhe dialogim, sekuencat ligjërimore, që përftojnë gjurmët e stilit të autorit, si dhe plazmimi i personazheve, e ka përtheksuar fragmentaritetin e prozës. Në krijimtarinë e Leonard Veizit, si lëvrues i prozës, ky roman shënon një moment të veçantë, në kuptimin e shenjimit të realitetit letrar, ndonëse marrëdhënia me konkreten është tepër e rrokshme, ajo vjen përmes ombrellës artistike, që zbulohet në lexim.