Wednesday, February 14, 2018

Arian Leka: Letërsia, mjeti që më mbron nga cunami i lajmeve

 Falë kërkesës gjithmonë në rritje për letërsi omgj dhe shkrimtarë që punojnë me ngut e me mall fason, letërsia si art, mezi arrin të mbijetojë.

Arian Leka - poet

Nga Leonard Veizi

E kam dashur gjithmonë poezinë e tij, edhe pse nuk jam vënë në radhë e as jam grindur me librarët për të marrë kopjen e fundit nga vëllimi i sapodalë. E dua poezinë e tij,edhe pse nuk është nevoja që për t’i dhënë një kuptim estetik me elozhe të skajshme,të bëj cilësime banale. Poezinë e tij e kam lexuar pa zë, në “sheshin tim të xhirimit”, herë shtrirë mbi kanape e herë me këmbët vendosur mbi jastëk, duke u vetëkënaqur me tingullin tim të brendshëm,të cilit në vazhdimësi i rregulloja regjistrin që çakordohej me një mikster profesional studiosh. Dhe si kisha mësuar dorën, kisha menduar pa dilemë gjithashtu se disa poezi të miat, të hershme, do t’i nxirrja prej dosjes së harresës për t’u dhënë të njëjtin ngjyrim. Por m’u zhvlerësua gjithçka kisha regjistruar në studion time imagjinare, databaze me emra të koduar poetikë, kur në një ambient publik me plot akustikë,poezitë mrekulluese të Arian Lekës i recitonte mrekullisht Timo Flloko. Mund të mos ishin të tilla, veç mua ashtu m’u dukën atëherë dhe nëse do të përsëritet e njëjta situatë,do të më duken edhe tani. E meqë ishim në shtëpinë e Zotit, te Qendra Kulturore e Katedrales Ortodokse, isha gati të bëja kryq e të ndizja një qiri, se pikërisht Ai, nuk më kishte lënë të bëja marrëzinë time, të futesha në konkurrim me Arianin e Timon bashkë.E gjithë kjo sa për hyrje, sepse për më tepër, Arian Leka flet vetë për lexuesit e gazetës “Fjala”:

Tanimë karantina cilësohet e mbyllur, por a kanë qenë frymëzuese për ju ditët e izolimit?
Tani që duket se “lufta” po shkon drejt “armëpushimit” dhe “armiku i padukshëm”, me sa duket, do të bashkëjetojë me ne, mund të them se për mua ishte një gjendje e tendosur, aspak krijuese dhe e pakëndshme herë-herë.Mbyllja nuk luajti ndonjë rol kryesor, izolimi i detyrueshëm, po. Nga fëmijëria unë jetoj brenda një urdhri pune e disipline, që i ngjan vetëmbylljes me pëlqim, por kthimi në regjimin e detyrimit, përcaktimi prej të tjerëve i orareve të tua, sigurisht që krijoi kundërshtim. Por, ngaqë me frymëzim unë kuptoj gjendje tjetër, them se bëra ndonjë përpjekje, shpesh të kotë, për të kuptuar diçka më shumë nga sa ndodhte dhe nga sa na paraqitej. Edhe pse mes shumë të panjohurash dhe paqartësish (që sigurisht do të qartësohen më vonë, kur të mos i hyjnë kujt në punë, veç historisë), diçka u bë e kuptueshme. Ishim të thyeshëm, të pambrojtur e të papërgatitur, të trembur e të manipulueshëm, deri në komizëm tragjik. Vura re se komunikimi i një qytetërimi pa frymëzim,si ky në të cilin jetojmë, me botën e epidemive na bëri të rivlerësojmë marrëdhënien me falsitetin, që zgjodhi maskat dhe dorezat për simbolikë. Gjithë sa proverbat, si anatomi e sistemit shoqëror, na kishin këshilluar (“fol pa dorashka!”, “hiqe maskën!”) u zhvleftësuan. Miti “i mesdhetarit dhe ballkanasit të ngrohtë”, që shpreh çdo gjë me përqafim, u shkërmoq atypëraty.Nga të vetëkënaqur, të mllefosur, nacionalistë, ksenofobë  dhe arrogantë, pothuajse të gjithë popujt, përfaqësuar nga liderët e tyre dritëplotë, u shndërruan në lypsarë. Mbetëm me sytë nga qielli, prej nga mbërrinin ndihma dhe me sy nga tabelat e rishpërndarjes së pasurisë së Bashkimit Evropian.Kujt i vlejti krekosja, institucionet, kur u gjendëm aq të papërgatitur? Po institucionet? Eufemizmi, edhe në këtë rast u gjet. Ç’ishte cinizëm, u quajt solidaritet. Një gjendje e tillë, zakonisht prodhon më shumë frikë sesa art, më shumë çoroditje sesa përqendrim. Por gjendje si këto mund të jenë nxitëse për të mbajtur shënime, për të kryer vëzhgime a ndoshta për të filluar ndonjë prozë distopish a dialogë komedish të zeza. Gjendja shtypëse, që krijohet gjatë izolimit, jeta në duart e të tjerëve, mungesa e përgatitjes dhe e edukimit mbi ndodhi të tilla, sjellin para nesh fytyrëne çmendurisë, histerinë kolektive,shtetëzimin e lirive dhe ringjalljen e formave  të fobive shoqërore. Pashë se jo rrallë mbyllja, izolimi dhe këqyrja e tjetrit si armik kaloi nga ndrydhja në histeri.Krahas solidaritetit, mendjelehtësisë së fillimit apo ndjenjës së egoizmit ekstrem, dëgjova pashpirtësi në komunikimet mes njerëzve, ndjeva sadizëm, shfaqje dhune dhe kënaqësi nga dhunimi fizik, psikologjik e kulturor ndaj tjetrit. Ata që dinë të përfitojnë gjithmonë nga gjendje të tilla janë politikanët dhe njerëzit në pushtet.Në një mënyrë, nga gjendje të tilla “përfitojnë” dhe artet, kur dinë të nxjerrin lëndë nga ndodhitë dhe ngjarjet me turma e politikanë që, ndonëse pretendojnë shumë,janë gjithmonë e më pak“guru” frymëzues të kombeve të tyre. Në kohën kur jo pak nga mediet kanë hyrë në shërbim e janë radhitur nën armë, krijimtaria artistike ka ende hapësirë për rebelim, për ta bërë të dukshme që gjithë sa politikanët prodhojnë është mbivlerësuar, njëlloj siç është mbivlerësuar edhe inteligjenca,mirëdashja, kultura apo aftësia e tyre qeverisëse. Artet, proza sidomos dhe veprat skenike, mund të vëzhgojnë se ligjet dhe veprimet e tyre (me gjithë ambiciet, vepra zor se do të kenë) janë pjesë e së përkohshmes, ato mund ta bëjnë qesharake “krenarinë dhe të lavdishmen”e pretenduar deri në shpërdorim, ato mund të tregojnë se në shoqëri pa kulturë demokratike, si kjo e jona dhe të ngjashmet e saj në Evropën Juglindore, hija e fronit mbretëror rri galiç në trurin e çdokujt që qeveris a drejton, qoftë edhe në periferi.Të gjitha këto instinkte pandemia i vuri në provë e në veprim. Por në vendet me liri të kontrolluar, në një pikë njeriu vazhdon të jetë i lirë të zgjedhë diçka. Ai e ka ende lirinë të zgjedhë mënyrën dhe mjetin për t’u vetëposhtëruar.

Leximi apo krijimtaria,cila ka qenë  parësore në ditët e izolimit?
Kam lexuar më shumë, sesa kam shkruar, duke u kujdesur me sa munda t’i rrija disi më larg kompjuterit dhe çdo forme të ekranit. Mund të kem humbur shumë por, mendova se kjo ishte mënyra ime, ndoshta jo më e mira, për të krijuar largësi nga cunami i lajmeve, jo gjithmonë të dobishme. Më dukej sikur dëgjoja: - Je ankuar gjithmonë se nuk ke kohë! Ja ku e ke tani. 24 në 24 orë. Kohën e fituar ia kushtova leximit. Librave të palexuar dhe leximit të teksteve të mia, si përmirësim, korrekturë, plotësim detajesh.Kisha kohë pra, të hyja me kujdes më në thelb të çdo fjale të përdorur nga unë, të hulumtoja kuptime të tjera, përdorimin e së njëjtës fjalë në poezi, në prozë a në përditshmëri. Desha që teksti të mos ushtronte presion ndaj lexuesit, sidomos me fjalë aktivizmi, fraza politike, slogane e klishe, që i gjemë dendur në letërsinë e sotme, thua se mes letërsisë dhe gjuhës e stilit të medias, nuk ka më dallim, thua se letërsia nuk është më art, por thjesht komunikim. Unë e çmoj angazhimin domethënës të artit, e çmoj edhe aktivizmin, por jo deri sa kjo përditshmëri frazash, klishesh e sloganesh të shkatërrojë kërkimin për stil, kërkesën për art, imagjinatë dhe atë që është mirëfilli krijimtari letrare.Falë kërkesës gjithmonë në rritje për letërsi omgj dhe shkrimtarë që punojnë me ngut e me mall fason, letërsia si art, mezi arrin të mbijetojë.

Në kushte të tilla, a janë treguar të gatshëm bashkëpunëtorët tuaj që ju të vazhdoni të nxirrni revistën “Poeteka”?
Në këtë pikë besoj se bashkëpunimi i autorëve dhe përkthyesve me revistën “Poeteka” ka qenë i mirë. Arritëm të përfundojmë numrin 54 të revistës dhe të përgatisim për shtyp numrin 55, në të cilët lexuesi shpresoj të vlerësojë jo vetëm “kokëfortësinë” për të vazhduar edhe në kohë shkretimi, por edhe cilësinë letrare. Janërreth 400 faqe të reja, të papublikuara më parë,zgjedhur me përkushtim e kujdes.Në to paraqitet letërsi e artnga D.Kiš, M.Velo, A.Lushi, A.Cupşa,N.Sardžoska, S.Temali, L.Haziri, R.Soler, L.Ahmeti, R.Ismaili,  H.Meçaj, I.Diaconsecu, K.Fragkeskaki, A.Swirszczynska,D.Drndić eA.Dielli.Ka përkthime tëC.Milosz-ite W.Szymborska-s, sjellë në shqip nga P.Çina, të J.Prevert, nga E.Bido, tëE.Jabès, nga M.Karafilaj, të K.Jaio, nga Valbona Sulçe, të J.Brown – fitues i çmimit Pulitzer 2020,tëW.Borchert-in, nga B.Spahia, siç ka edhe kritikë letrare mbi G.Perliçevin, nga A.Mustafa, P.Palushi mbi letërsinë e S.Peposhit, A.Jurukovska-s mbi F.Parmakovska-n dhe L.Dimkovska-n, studimengaS.Risto, S.Leka e B.Shalarietj. Veç kësaj, ka pasur edhe një tjetër lajm të mirë në lidhje me “Poetekën” dhe ata që bashkëpunojnë me të. Pas anëtarësimit në “Eurozone”– një nga rrjetet më rëndësishme të revistave kulturore evropiane, “Poeteka” tanimë është edhe pjesë e “Versopolis”.

A mund të përbëjë ky precedent (pra ditët në karantinë) një motiv që në të ardhmen të kemi prozë dhe vargje rreth saj?

Ndoshta! Gjatë periudhës së mbylljes kam bashkëpunuar me grupe të ndryshme shkrimtarësh, herë për eksperimente letrare, si në rastin e 50 poetëve nga bota, që morëm pjesë në projektin letrar “poezi në rrjedhë–metafora e fundit të izolimit” dhe herë me punë përkthimore, si në rastin e poetes kineze Yin Xiaoyuan, e cila ka përkthyer dhe paraqitur për lexuesin kinez një cikël poezish në format audio dhe të shtypur. Kjo periudhë mbylljeje përkoi edhe me botimin në Vjenë të  fact/fiction-it tim, me titull “Where Does Light Come From?Prej nga vjen Drita?”, si pjesë e “Circle-Surface-Sun: from somewhere in the Mediterranean, botuar ngaShtëpia Botuese vjeneze SCHLEBRUGGE.EDITOR. Në Berlin, gjithashtu, në fund të muajit maj, doli në qarkullim edhe libri im me titull “ENVER UND SEIN PARADIES Illusionen und Propaganda im kommunistischen Albanien.” 




--------------------------------------------------------


Perceptim mbi një poemë të palexuar

Përsiatje

nga Leonard Veizi


Vargjet janë aty, por varet si ti i lexon.
Se televizori qëllon hapur dhe në ekranin 50 inç trasmetohet një nga ndeshjet e Champion Liga, centrifuga e lavatriçes ka marrë superxhirot dhe procesi i larjes së të brendshmeve nuk ka ndër mend të mbarojë, ndërsa në sobën me korrent uji që vlon pret një dorë oriz apo makaronat e gjata si turjelë. Dhe për çudi, në këtë “magji” kakofonie, ti vazhdon të lexosh poezi.
Djalli e marrtë

Dashuria në vjeshtë është bimë fatkeqe.
Frutat lind nën dhè, në errësirë.
Dhe lulet nuk i rrojnë gjatë, as gjethet.
Fëmijë të thjeshtë, pa bekim, ardhur ditën, ikur natën.
Pagëzuar me ujë të zi dhe me baltë.

Ç’po ndodh kështu...?
Mund t’i perceptosh tërësisht vargjet edhe pse decibeli i zhurmave ka ardhur në rritje, pasi “filarmonisë” i është shtuar uturima e makinës fshirëse, e cila ka marrë tapetin tej e tej, ashtu siç mund të mos e kuptosh fare çfarë thuhet në to edhe kur në nerva e sipër stakon çelësin e automatin për të krijuar një qetësi absolute dhe krejt boshe.
E mbyll librin dhe e rihap, sepse gjithmonë do gjesh një arsye për ta lexuar apo për ta lënë mbi tavolinë. Dhe gjithmonë do të gjesh një arsye për të justifikuar mospërqendrimin tënd ndaj vargut: sepse, ose dielli i plazhit të ka rënë në kokë dhe kërkon të hidhesh me kokë në pishinë, ose shkreptimat që shoqërojnë shiun rrëzëgjerë të kanë tronditur me krismat e tyre të thata.

Dashuria në vjeshtë ishte bimë fatkeqe.
Që nga lulja, fruti dhe gjethja mbi të cilën
e gjelbra shkon pa i hapur udhë të blertës.

Poezia është aty, por varet kush e reciton.
Mund të jetë gjimnazist i pasionuar më zë ende të papjekur mirë, apo një student i artit dramatik që ka marrë veç pak leksione nga e folura skenike. Dhe ti ende nuk e shijon. Sepse, në fund të fundit po kërkon diçka që mendon se është afër përsosmërisë, diçka që mbase nuk ekziston, por që ti çuditërisht vazhdon ta kërkosh e ta kërkosh.

Dhe ku unë.
Me të vetmen formë që më ka mbetur.
Atë të gjilpërës së madhe, me një sy,
më duhet të futem në trupin tënd të lodhur.
Të qep gjithë sa shqepa vetë
dhe gjithë sa gjeta të shqepur tek ti”.

“Ndreqje Gabimesh”. Kështu quhet poema. Dhe vjen qetësisht tek ty, për t’u futur pak nga pak në tërësinë tënde, deri në inde. Duhet një recitues të mirë, edhe një tjetër... një skenë e hijshme dhe një koreografi e çartur...
Dhe kaq për të bërë spektaklin, asgjë më shumë s’ka vlerë.

 Ndreqja e gabimit të vjetër
me një gabim të ri
ishte rritje.
Dalje nga vetvetja,
dëfrim.

Sepse, nëse ajo çfarë ke menduar në tërësinë tënde tek deliron në një çast magjiplotë del nga goja e një aktori brilant, gjithçka merr vlerën e duhur.
Poezia është aty, por varet si e lexon. Apo... varet apo kush ta lexon.
Arian Leka ia kishte besuar vargjet e tij Timo Fllokos.




Botuar në:





Friday, February 9, 2018

Leksion i hapur nga Shirli Valentina

Impresione pas një premiere në 
Teatrin Kombëtar




nga 
Leonard Veizi



Në ndarjet e sotme administrative të hartës së botës, e më konkretisht në Evropë, për të cilën thuhet se është një kontinent i plakur e largqoftë jashtë mode, duket se pushteti i burrave ka dominuar po aq shumë në pragun e mijëvjeçarit të tretë, sa dhe në mesjetën e hershme e obskurantiste. Këtë na jep të kuptojmë një autor anglez, Willy Russell, nëpërmjet një personazhi shkruar prej tij e që quhet Shirli Valentina.
Komedia e njohur angleze, e shkruar në vitet ’80 të shekullit të kaluar, në vitin 1988 do të ishte dhe fituese e çmimit “Lorenc Oliver” si komedia më e mirë e vitit. Por në gamën e famës së saj përtej Britanisë erdhi edhe në shqip për publikun e kryeqytetit, pasi kishte kaluar më parë bankëprovën në skenën e teatrit të Durrësit.
Shirli Valentina u bë e famshme, jo vetëm në Liverpul, ku jetonte si një grua shtëpie që veç lante dhe gatuante për bashkëshortin e saj Tom e dy fëmijët e tyre ekscentrik, por dhe në ishullin turistik grek të San Torinit, ku pas vitesh monotonie do të gjente çlirimin dhe jetën e vërtetë.
E megjithëse lëvizja feministe mund të quhej si e ezauruar në Anglinë e fundshekullit të kaluar, duket se Liverpuli, Londra apo Mançesteri kishin ende nevojë për një rifreskim të protestave masive, qoftë edhe nëpërmjet revoltës me tone të buta, por shumë domethënëse lëshuar në eter nga një grua e vetme, me moshë 42 vjeç, që ndryshe cilësohet dhe si një "middle..." apo mesogrua.
Driada Dervishi si regjisore, kishte zgjedhur një aktore si Olta Dakun për të frymuar Shirli Valentinën. Duket se me këtë zgjedhje inteligjente, regjisorja, që paradokohësh na njohu me një nga bëmat e vështira të Pirandelos, kishte futur afrofe në xhep dhe suksesin. Dalja e saj në fund të shfaqjes vetëm sa konfirmonte gjithçka flitej, përpara se komedia të jepej premierë: suksesin e garantuar.
Nga ana e saj Olta Daku e solli Shirli Valentinën të plotë, jo si një angleze shtëpiake, por si një shqiptare të tillë, - që gjendet pa vështirësi nga Unaza e tutje, - me batuta të përshtatura për realitetin ku jetojmë, gjë që sillte vazhdimisht ngacmimin e platesë, ku ndoshta gabohem, por dukej se dominohej nga spektatori femër. Pra, ishte si një leksion i hapur, për ato që i vunë mend e u thelluan dhe jo për ndonjë që mund të kishte ardhur me qëllim për të ekspozuar rrobat e reja firmato, "prej mëndafshi".
Leksion thashë...? Mos u gabova gjë? Se, kush di të marrë leksione, kërkon t'i zbatojë ato edhe në jetë.
Po a thua që një komedi e tillë, me kripë e piper bashkë, të bëhet shkak për të filluar një lëvizje feministe edhe në Shqipëri?
Ndoshta.
"Viva la Revolution".
Sepse ne shqiptarët kemi shumë etapa të padjegura. E duhen djegur ca prej tyre se ndryshe marrim flakë për fare. Vetëm se zakonisht ndodh që kur këto etapa, të cilat Perëndimi i ka kaluar një shekull më parë, duam t’i implementojmë me nja dy a tri kohë vonesë bëhemi qesharakë sa më s’ka.
Por ta lëmë mënjanë lëvizjen feministe, meqenëse gratë kanë fituar goxha të drejta, e po lulëzojnë në Parlament e Qeveri, dhe të vijmë te komedia.
Mes dilemash të mëdha, Shirli Valentina vendosi të largohej nga jeta e saj monotone prej mjeraneje dhe të hapte një kapitull të ri, ku për çudi do të zbulonte jo vetëm dashurinë për veten, por dhe... seksin me një burrë vendas, të paprovuar kurrë më parë si të tillë. Dhe këtë, mesogruaja angleze e gjeti pikërisht në Greqi. Tani, gojët e liga mund të thonë se, “ç’donte Shirli në Greqi mor amani kur kishte Shqipërinë si shpirt. Ja, një "vrap pele" larg, se afër jemi, kufiri na ndan. Helbete po të kishte kaluar nga nahija jonë, mjerë Shirli çdo të hiqte e çfarë zbulimesh do të kishte bërë. Hata fare. Se këtej hamshorët bridhnin rrugëve të hazdisur e pa fre”. Por ja që në ato vite kur autorit iu tek të shkruante këtë komedi sociale, Shqipëria nuk hynte në axhendën e askujt, sepse për shëndetin tonë të tepruar nuk ishim as me Lindjen as me Perëndimin. Shkurt nuk ishim më asnjë. E për pasojë Shirli Valentina nuk mund të kalonte mbi Shqipëri as me avionin e linjës “British Airways” dhe as me “Olympic”-un e Athinës, se si mjete fluturuese të paidentifikuara do te asgjësoheshin nga bateritë kundërajrore të Babicës dhe ato të Karaburunit. Por gjithsesi, ajo erdhi me më shumë se 30 vite vonesë për të na rikujtuar edhe një herë se teknologjia e ka lëvizur botën në mënyrë të skajshme, por jo mentalitetin njerëzor, e për më tepër mentalitetin e një mashkulli.
Këto mendime që po shpreh në këtë shkrim të shkurtër janë thjeshtë të një spektatori, i cili e ndoqi shfaqjen nga lozha, e pëlqeu dhe e shijoi atë në çdo detaj, në regji, lojë aktori e skenografi. E mbi të gjitha, në humorin aq fin të anglezit Willy Russell. Se bën vaki vënia në skenë nuk ishte kurrkund, me teknikë të gabuar, mizanskena të pavendosura mirë... e ku ta di unë se çfarë, që thënë troç, syri im i pavëmendshëm s'i kap dot. Por nisur nga niveli i të qeshurave dhe duartrokitjeve të vazhdueshme, them se sprova kaloi e pastër dhe pa ngërçe. E në këtë mënyrë mora rolin e një zëdhënësi, ku edhe pse mund të refuzohem nga shumica absolute e spektatorëve të pranishëm, them përsëri se shpreh mendimin e shumicës absolute të tyre në natën premierë të Tiranës, të atyre që ndoshta s’kanë shumë dhunti për të shkruar, e as mundësi për të botuar materiale publicistike, sidomos në një revistë me prestigj të lartë si “Psikologjia”.

Botuar në:


Sunday, January 14, 2018

Punonjësit e administratës dhe gaztorët e një mbreti të vdekur

-Pas premierës së shfaqjes “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” shkruar nga Ferdinand Hysi-

nga Leonard Veizi

Një shoqëri, jo rrallë bie në krizë. Ndërsa mundësia që vetë kriza të shoqërohet dhe më një luftë frontale apo demonstrim armësh nukleare, është ulur në kufijtë më minimalë të saj. Shoqëria shqiptare padyshim nuk mund të bëjë përjashtim nga ky tërmet global, në mos po vetë kriza është shtruar këmbëkryq mbi territorin shtetëror të saj e nuk ka ndër mend të ngrihet. Ndërsa institucionet propagandojnë mbajtjen nën kontroll të problematikës, arti e pasqyron atë sipas një këndvështrimi të lëvizshëm, herë me tone dramatike e herë si satirë a grotesk.
Në garën e fortë të nihilizmit, atëherë kur vet mosbesimi është kthyer në modë, dukesh fals a ndoshta fare idiot nëse thua dy fjalë që mendon se duhet t’i japin fund vetë inatit të verbër dhe sharjes vençe që i bëjmë njëri-tjetrit, sidomos kur luajmë në të njëjtën fushë e për më tepër me të njëjtat mjete. Në fakt, thelbi i shprehjes është pak më racional nga sa mund ta imagjinosh në mënyrë filozofike ose fare absurde: mjaft me këto marrëzira!
Për dramën shqipe e kam fjalën. Dhe kur them dramën nënkuptoj dhe komedinë. Por nuk kam ndër mend të bëj ndonjë autopsi të saj, se edhe nëse e shkruaj, nuk ka njeri nge e kohë ta lexojë. Jetojmë epokën e break news. Gjërat ose duhen thënë shkurt ose duhen pasqyruar me imazhe.
Gjithsesi do të shkruaj pak reshta nisur nga një fakt konkret: vënien në skenë nga regjisorja Elma Doresi të një komedie-satirë shkruar nga Ferdinand Hysi “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”.
Edhe sot vazhdon të vihet në dyshim qenësia e dramës shqipe, e për më tepër ngjitja e saj në skenën e Teatrit Kombëtar. Por kjo duket si një temë e tejkaluar prej kohësh. Ferdinand Hysi, një prej dramaturgëve tanë më të mirë, na e tregoi këtë jo me ndonjë kumtesë hulumtuese, por me një shfaqje, premiera e të cilës përkoi me të shtunën e 13 janarit 2018. Mora si shembull Ferdinand Hysnin pasi në harkun kohor të tre muajve, dy pjesë të tij janë ngjitur në skenë, që do të thotë se drama shqipe vazhdon traditën e saj, madje të suksesshme. Por në këtë vorbull vërtiten dhe dramaturgë të tjerë si Bashkim Hoxha, Stefan Çapaliku e Bashkim Kozeli, të cilët nuk e kanë lënë bosh hapësirën e krijuar padrejtësisht nga amatoristët që ishin gati të shkruanin  mes dy godinave atje ku sot qëndron sentenca “#ejanëteatër#” shprehjen tjetër më konfuze  “#shtetitnëtranzicion#”.
Vetë regjisorja e shfaqjes Elma Doresi, veç një Shekspiri me sukses të garantuar si “Zbutja e Kryeneçes”, apo “14 vjeç dhëndër” të Çajupit, ka ngjitur në skenë komedi shqipe, të zbuluarën nga pluhuri i harresës si: “Nusja në thes” shkruar prej Hekuran Zhitit, pa përmendur këtu dhe bashkëpunimin tjetër të saj po me Ferdinand Hysnin, “Tri mendje në ankand” e cila u shoqërua edhe me çmime nga pas.
Pra kemi dramë shqipe. Edhe komedi natyrisht.
Maratona drejt veprave të huaja, herë me dy aktorë e herë me tre, skenografi të sajuar nga materialet e rekuizitës dhe kostume të marra borxh ka kaluar me kohë. Teatri dhe vetë skena e tij është po aq dinjitoz sa dhe 35 vite më parë kur mendohej se kishte kapur majat. Por spektatori shqiptar kërkon edhe një ngjarje me mendësi shqipçe, ku “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” vjen si një apel mbi problematikën që ndeshet rëndom në administratën shtetërore, korrupsionin dhe matrapazllëqet e vogla, të cilat ngadalësojnë procesin e shtetit si një makineri universale me ingranazhe të dalë nga boshti.
Pra, jemi në ditët ku drama shqipe duket se e ka gjetur hapësirën e duhur dhe jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por dhe në atë Eksperimental, të Metropolit, tek “Aleksandër Moisiu” në Durrës e “Andon  Zako Çajupi në Korçë,  Petro Marko në Vlorë e Migjeni’  në Shkodër.
Mendimin tim për komedinë me satirën e hollë shkruar nga Ferdinand Hysi “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” do ta përmbledh me fjalët e personazhit Çesk, i cili duke iu drejtuar publikut thotë se ata, nëpunës të shtetit me kostum e kravata, në fakt janë kthyer në gaztorë të mbretit. Një drejtor vdes, një tjetër i zë vendin. “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”. Nëpunësit janë gjithmonë me atë që merr frenat në duar, pasi kanë qarë atë që u ka marrë shpirtin. Por mbijetesa... U duhet të ruajnë vendin e punës, duke u treguar të zellshëm, që nga transmetimi i informacionit paraprak deri te dhënia e trupit ku drejtori mund të relaksohet. Dhe si gjithmonë, ligjin e bën një më lart se të gjithë këta, ai që ka para sa mund të blejë gjithçka.
Dhe për më tej shfaqja merr vlerat e vërteta nga loja e mrekullueshme e aktorëve: Rajmonda Bulku, Gladiola Harizaj, Dritan Boriçi, Klod Hoxha, Klea Huta e Devis Muka, ku padyshim kanë shkëlqyer me protagonizmin e tyre Sokol Angjeli e Bujar Asqeriu.

Tuesday, January 9, 2018

Parathënie / Vëllezërit e bashkuar të Polikumit

Piro Jani dhe Leonard Veizi
Parathënia e librit "Djemtë e Politeknikumit" shkruar nga Piro Jani

nga Leonard Veizi

Nuk kishte asnjë vështirësi që në Tiranën e viteve ‘90, me xhiro në bulevard dhe mbledhje njerëzish tek shkallët e Pallatit të Kulturës, të gjeje rëndom një person, i cili me një vetëmburrje të çlirët e të pakontestueshme, të shprehej se shkollën e mesme e kishte bërë tek “Politeknikumi”. Për më tepër, nëse bëheshin më shumë se dy të tillë në të njëjtin grup, qoftë dhe të brezave të ndryshëm dhe aspak nga i njëjti qytet, biseda rreth jetës në korridoret apo oborrin e shkollës, marrëdhënies me mësues konkretë por dhe rrëfenjat për bëmat e nxënësve të spikatur, merrte “flakë” menjëherë. Pa dyshim, një gjë e tillë ndodhte ne çdo gjimnaz, të kryeqytetit apo të çdo rrethi të ishin, por ajo që transmetohej në ambientet e Politeknikumit merrte një trajtë disi më të veçantë.
Në këtë mënyrë “Djemtë e Politeknikumit”, i shkruar nga një shok “armësh” si Piro Jani, vjen pas kaq vitesh për të na trazuar dhe një herë kujtesën e ditëve të nxehta të adoleshencës a rinisë së hershme, ku në një vend që për së voni mësuam se quhej “diktaturë” ne gëzonim një liri të patrajtuar, ndoshta të imponuar për shkaqe nga më ambiciozet.
Ç’është e vërteta, maturat e pas viteve ’80, nuk gëzuan ngjarjet e mëdha që ndodhën 10 apo 15 vjet para tyre e që kulmuan në botën perëndimore me protestat para Shtëpisë së Bardhë kundër luftës në Vietnam, revoltat e studentëve në Francë e Itali, revolucionin seksual, modën e hipive apo koncertin madhështor në fushën e Utstokut britanik ku bandat e muzikës rrok uleshin në skenën e improvizuar e të rrethuar nga turma njerëzish të dehur e të palarë, me helikopter. E gjitha kjo kërkonte të thoshte se në Evropën e plakur dhe Amerikën dinamike po frynte një erë e re konceptesh, e cila depërtoi përmes murit rrethues dhe në Shqipërinë arkaike, por në një miniaturë gati të shëmtuar e aspak origjinale, për shkak të presionit që vinte nga ana tjetër e globit. Pantallona kauboj, flokë të gjata e baseta poshtë veshit, ishin modelet e reja, aspak të përshtatshme për moralin socialist. E megjithatë ishte një kohë e artë dhe e pa mbytur nga “dacibaot” dhe shtrëngesat e modifikuara të revolucionit kulturor, që për çudinë e të gjithëve u “implementua” si një zbulim nga Lindja e Largme. Në një kohë të tillë “dekadence” kur radio shqiptare hidhte në eter këngët e Bitëllsave, ndërsa në ekranin e televizorit mund të shije një Marlon Brandon pervers apo një narkotik si Xhimi Morrison, edhe në jetën e në një prej shkollave të mesme emblemë të kryeqytetit, u shfaq dukshëm e pa keqkuptime një frazë që më pas do të përdorej si gogol persekutimi, e që simbolizohej në tre germa të pakapshme e fare të deshifrueshme për fillestarët e të huajt jashtë murrit rrethues: “PBC”. Imazhi i kodifikuar, që mbushi faqet e fletoreve, librat, u gdhend nëpër banka dhe në llërët e meshkujve si tatuazh ekzotik, në anglishten zyrtare transkriptohej: “Polikum Brothers Company”, ndërsa në shqip përkthehej si: “Vëllezërit e bashkuar të polikumit”. Ishte një shprehje e bukur, që dukej gati hyjnore, por që ishte po aq e frikshme, pasi kjo emërtesë gjysmëzyrtare, fuste në të njëjtin rreth të gjithë ata që me qejf apo krejt pa dëshirë kishin futur emrat në regjistrat themeltarë të shkollës, qysh prej themelimit të saj nga një “armik” amerikan si Harri Fullc.

Në vitin 2013, kohë kur libri “Djemtë e Politeknikumit” të autorit Piro Jani, del në qarkullim, gjithçka ka ndryshuar. Ndërsa në faqet e tij gjithkush prej atyre që kanë qenë pjesë e armatës së madhe të “PBC”-së padyshim që gjen vetveten dhe ndjen emocionet e një kohe të shkuar tashmë. Gjenden në faqet e këtij libri emra shokësh të harruar dhe mësuesish me vlera. Kalojnë para sysh, si në një film te vjetër e të restauruar, kabinete metodikë e ambiente argëtimi nga më të rrallat, aktivitete masash dhe parakalime me hap rreshtor e lule në duar për udhëheqësit në tribunë. Por gjithashtu të jepet mundësia të kujtosh dhe të pabërat e atyre brezave që mundoheshin t’i shpëtonin çdo lloj kufizimi me koston më të ulët të mundshme. Duke lexuar faqet e këtij libri gjithkush nga ne do të ndeshet me një Tiranë më të vjetër, e ndoshta më të bukur se sot, ku pikat nevralgjike të saj të koduar me emra spontan, kishin një vlerë krejt universale. Ishte një botë ku gjithkush që kërkonte të bëhej pjesë e saj do të paguante një haraç të vogël, tjetërsimin e shijeve të jetës, të zakoneve, zhargonit e madje dhe të zanoreve në shqiptim, për të qenë pjesë e atij rrethi qe prej kohësh kishte marrë qytetarinë e pakundërshtueshme e që përmblidhej në një togfjalësh të vetëm dialektor: “Çunat e Tironës”.

Botuar në gazetën NACIONAL






Monday, January 8, 2018

“E Drejta e Autorit”, sfidë ndaj plagjaturave

Leonard Veizi

“E Drejta e Autorit”, kjo duhet të jetë dhe sfida më e madhe ndaj plagjiaturave në art, që herë pas here duket se na kanë zënë frymën.
Por nëse është i suksesshëm dhe shitet shpejt në treg, prodhimin tënd të krijuar nga “asgjëja” mund ta gjesh në çdo anë rruge, duke u ekspozuar me një çmim shumë më të lirë, shpesh herë me një kopertinë ku ngjyrat janë të shpëlara dhe letra është jashtë standardi. Po t’i hedhësh një sy vëzhgues nuk do t’i gjesh emërtimin e shtëpisë botuese dhe as shtëpisë diskografike, sipas rastit. Gjithçka është anonime, ndërkohë që gjithçka është po e jotja, sigurisht. Dhe më e mundshmja, pas një irritimi agresiv sharjesh dhe fyerjesh, që mund të të vijnë në mend, është pikërisht qetësimi i nervave dhe blerja e disa kopjeve nga ky prodhim pirat. Pasi ke prenotuar dhe një avokat të mirë, je i detyruar të bësh një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku do të të presë një procedurë e gjatë deri në zgjidhjen e çështjes.
Ndodh edhe kështu.
E Drejta e Autorit? Në fakt, në shumë raste pyetja mbetet pa përgjigje. Ndonjëherë neglizhohet, anashkalohet, por ndodh jo rrallë që të shkelet me të dyja këmbët. E Drejta e Autorit në Shqipëri nuk merr ndonjë rëndësi të veçantë, madje edhe kur gjyqet për një cilësim të tillë “valojnë” nëpër gjykata. “Është e imja apo është e jotja?”, në disa raste barazohet si një pronë e “kooperativës së tipit të lartë”, ku gjithkush mund të bëhet zot dhe mund të bëjë qejf me radhë.
Botimet pirate kanë mbytur për vite të tëra tregun shqiptar, ndërsa ka ende plot nga ato, që ua minojnë punën botuesve të vërtetë, atyre që i respektojnë këto të drejta. Në ekrane televizive mund të gjesh pa frikë filma artistikë apo dokumentarë, që nuk kanë kaluar fare nga “shtëpia” e autorit, apo nga Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve. Ndërsa plagjiaturat, gati janë futur në modë. Më së shumti kjo shihet në skenat e teatrove ku një pjesë e regjisorëve, në mungesë të theksuar të fantazisë, punojnë me kaseta të gatshme. E në këto raste ndëshkimet për shkelësit nuk duhet të kenë ndonjë mirëkuptim të veçantë. Sepse një rrugë e tillë, edhe pse e njohur dhe e shkelur mirë, do të sjellë përplasje pa fund, gjyqe pa mbarim dhe akuza të ndërsjella.
Por jo çdo gjë përfundon këtu. Epidemia e plagjiaturës, apo thënë ndryshe: prodhimeve fallco ka kapur jo pak edhe fushën e arteve vizuale, sidomos piktura. E ndërkohë që ky një riprodhim fallco, shitet me shifra të pabesueshme, në Galerinë Kombëtare të Arteve apo galeritë private, qëndrojnë varur punët krijuese të shumë piktorëve me emër. Dhe si për ironi të fatit, tregu informal furnizohet vazhdimisht me të tilla telajo. Ai nuk gjen ngopje.
E Drejta e Autorit rezulton si një nga problemet më serioze të jetës kulturore-artistike dhe të botimeve të vendit pas viteve ’90. Për të thënë të vërtetën deri në fund, deri tani, në Shqipëri, këto të drejta s’janë respektuar. Për sa u takon viteve më parë nuk ka pasur as mundësi ligjore mbrojtjeje. Për pesëdhjetë vjet me radhë u vodhën të drejtat e autorëve të huaj dhe u cënuan e nuk u paguan të drejtat e autorëve shqiptarë. Kjo ishte një amulli, që vepronte sipas, të themi: “kanunit komunist”, dhe kërkesa e llogarisë mbetej në kufijtë e absurdit.
Gjatë periudhës 1992–2007, në një epokë të re zhvillimesh shqiptare, janë miratuar një sërë ligjesh e nënshkruar një sërë konventash e traktatesh ndërkombëtare për këtë qëllim nga qeveritë shqiptare, por zbatimi i tyre në praktikë ndeshet me sfida të shumta, që lidhen me aftësitë e strukturave shtetërore e ndërgjegjësimin dhe informacionin jo të plotë të komunitetit të artistëve rreth këtij problemi.
Ndërkohë prej pak vitesh mund të thuhet se po funksionon Ligji i së Drejtës së Autorit, një ligj shumë i rëndësishëm, që gjithnjë e më shumë ka gjetur terren. Pjesa më e madhe e botuesve shqiptarë nuk botojnë më libra pa të Drejtë Autori. Dhe, në një farë mënyre, kjo tregon njëfarë ndërgjegjësimi, që po e rregullon dhe po i jep identitet vitrinës shqiptare të librit. Moda e gjyqeve nuk është shpikje shqiptare. Modele vijnë nga Perëndimi, ku “E Drejta e Autorit” është kthyer në mit.
Por fatkeqësia e terrenit shqiptar është se, nga shumë administratorë, jo vetëm nuk njihen procedurat e funksionimit të Ligjit të së Drejtës së Autorit, por edhe mekanizmat për ta vënë në lëvizje janë të fjetura. Ndonjëherë pa dashje, ndonjëherë më dashje të plotë. Sepse ky është tregu i zi, norma e një fitimi të shpejtë, duke shkelur mbi pronën intelektuale të një krijuesi.

Ende nuk është kuptuar, që ajo është pronë si gjithë të tjerat, si një shtëpi, si një makinë, si një tokë prodhuese, apo pyll me dru arre, apo si gjithçka tjetër, ku mund të thuash pa frikë: “Kjo është e imja”. 

Botuar në suplementin  "Pena shqiptare", gazeta Telegraf - 22 mars, 2009

Monday, December 25, 2017

Një gjeneralmajor dhe një kryepeshkop për ushtrinë e vdekur të grekëve

Nga Leonard Veizi 

Në fundin e viteve ‘50, qeveria italiane dërgoi në Shqipëri një gjeneral brigade me misionin e mbledhjes së eshtrave të ushtarëve që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte 68-vjeçari Domeniko Bandini, i cili qëndronte në dhomën “13” te Hotel Dajti në Tiranë. Numër tersi për një ushtarak që nuk drejton më një divizion që lufton të marrë territore, por mbledh disfatat e kolegëve të tij. Kësaj të vërtete historike Ismail Kadare i ka veshur dhe tisin e tij fiksonal, duke i bashkangjitur misionit të gjeneralit të dëshpëruar e fatkeq dhe një prift.
Me shumë gjasa, qeveria gjermane, në po në të njëjtën periudhë kishte të njëjtin objekt, por këtë herë, sipas trillit të Kadaresë, ushtaraku me gradën e lartë të gjeneral lejtnantit ishte i shoqëruar dhe me një kryetar bashkie. Misioni ishte i njëjtë: Të gërmonin tokën e të nxirrnin prej andej çfarë kishte mbetur nga trupat e ushtarëve të vrarë. Skeletet dezinfektoheshin me “Universal 62”, mblidheshin në thasë najloni të kaltër me dy vija të bardhë e një shirit të zi, e më pas të futeshin në arkivole të vogla të përbërë nga dru kompesatoje dyfishe e të lyera me bojë zmalto të bardhë.
Çast deliri  në një prolog romani, për një situatë trilleri e të vajtueshme.
Por le të kthehemi me këmbë në tokë.
Në po të njëjtën periudhë kohore, qeveria greke as që mendonte të niste ndonjë nga gjeneralët e armatës së saj drejt Shqipërisë. Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore mes Tiranës dhe Athinës nuk kishte asnjë përfaqësues diplomatik. Prej mbi 30 vitesh ato ishin prishur. Dhe sebep ishte bërë sulmi i ushtrisë së Benito Musolinit drejt Athinës, pikërisht nga kufiri Shqiptar, shtet të cilën Fasho e kishte aneksuar një vit më parë se të fillonte kjo luftë. Në vitin 1967 në Greqinë fqinje mbizotëronte “junta e kolonelëve”. Gjeneralët kishin dalë nga skena. As që mund të mendohej për misione. Pas më shumë se 30 vjet shkëputje në vitin 1971 marrëdhëniet diplomatike mes Tiranës dhe Athinës u rivendosën. Por do të duheshin më shumë se 30 vjet të tjera që nga Athina të vinte kërkesa, e çuditshme fillimisht, por me një prapavijë të fortë: varreza e memorialë për ushtarë grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-1941, pikërisht në territorin shqiptar.
Grekët nuk i morën të rënët e tyre.
Të afërmve të këtyre të vrarëve u kanë munguar varri me eshtrat e vërteta, ku të kishin mundësi të qanin e të ndiznin një qiri. Por duket se çështja ishte “konservuar” për një qëllim më madhor.
A përbën ky një precedent?
Nuk besoj, gjithsesi.
Në vitin 1975, pas arritjes së një marrëveshje të përbashkët, qeveria shqiptare gjithashtu dërgoi në Jugosllavinë fqinje 4 ekipe, ku tërhoqi eshtrat e partizanëve shqiptarë të inkuadruar në divizionin V dhe VI të ushtrisë nacionalçlirimtare, të cilët kishin dhënë jetën në përpjekje me trupat naziste të Rajhut III.
Rivijmë sërish te çështja e nxehtë.
Misioni i qeverisë greke ka dështuar. Dhe kjo nuk përbën më lajm. Varrezat janë ngritur e do të ngrihen, sipas një vendimi mes dy palëve, por lajmi që poshtë pllakave të bardha të varreve, gjenden arkivole pa eshtra u bënë objekt i talljes ekstreme, me pamflete,  groteske televizivë dhe deri tek një film artistik me sens të theksuar humori.
Megjithatë parodia vazhdon.
Për ne shqiptarët po thuhet gjithnjë e më shpesh se ndjenjën më të madhe atdhetare e kemi kur luan kombëtarja. Se nuk jemi aq nacionalistë sa grekët e as sa serbët. Pra jemi disi më kozmopolitanë sa popujt e tjerë të Ballkanit. Dhe ajo që thuhet më së shumti ka të bëjë me faktin se varrezat po ndërtohen në një zonë ku Greqia ka pasur pretendime territoriale dhe ekziston kufiri i hamendësuar i Vorio Epirit. Këtu ndoshta asnjanësit, ata që na shohin pa emocion, kanë të drejtë. Se ja... vjen një turk e kërkon ndryshimin e librave të historisë, pasi iu dhimbka dështimi i turpshëm i dy sulltanëve në muret e kalasë së Gjergj Kastriotit. E ne fshihemi pas gishtit, edhe pse monumentin e Heroit e kemi në qendër të kryeqytetit. Pastaj vjen një grek që ëndërron helenizimin e jugut të Shqipërisë qoftë dhe duke shfrytëzuar të vdekurit e një lufte që ka mbaruar 70 e ca vite më parë. Ne vazhdojmë po njëlloj, dhe vetëm hedhim ndonjë foto në facebook, duke formuar me pëllëmbë simbolin e shqiponjës, e duke sharrë vend e pa vend.
Po, po... Front i dobët. Çahet me dy të shtëna pushke e një mjet të blinduar.
Ndërkohë, partnerët tanë, strategjikë e jo të tillë, vazhdojnë të këmbëngulin në të tyren, qetësisht dhe pa e ndërprerë procesin asnjëherë.
Në Shqipërinë e jugut do të hapen sërish varreza për ushtarët grekë, me arkivole ku do të ketë eshtra, dhe nga ata krejt bosh, si në rastin e Kosinës. Pritet vetëm ndryshimi i historisë... mos qoftë thënë...
Por gjithsesi, duket se fjalia tek “Gjenerali...” që Kadare e ka vënë në gojën e një fshatari: “Bën mirë që mbledh ushtarët e vrarë, sepse çdo rob i perëndisë duhet të prehet në vatanin e vet”, nuk pi më ujë. Në të kundërt, grekëve do t’u duhej të nisnin për mision në shkrepat e jugut të Shqipërisë, jo një kolonel me një prift a peshkop nga pas, por një gjeneral major shoqëruar nga një kryepeshkop për të bërë meshën e fundit.

Thursday, December 14, 2017

Kosova, e pushtuar prej 30 shërbimeve sekrete

Perëndimi, sa larg dhe afër. Çfarë ndodh në rrugët e Prishtinës së pasluftës. Kosova, e pushtuar prej 30 shërbimeve sekrete


Reportazh nga Leonard Veizi


Prishtina është një qytet që, edhe pse i ndërtuar më së shumti në vitet e socializmit jugosllav, përcjell aromë civile të Perëndimit. Tashmë gjurmët e luftës janë zhdukur krejt. Vetëm në qendër të qytetit, një godinë 7-katëshe vazhdon të tregojë se ajo çka ndodhi mes shqiptarëve dhe serbëve, u mbyll me goditje plumbash, shpërthime minash dhe goditje artilerie. Dikur kjo ndërtesë ka shërbyer si komandë e policisë. Tashmë pritet vetëm të shembet, pasi nuk ka asnjë mundësi rikonstruksioni. Ndërsa pallatit të sportit i ka mbetur ende emri “Boro e Ramiz” në kujtim të “vllazërimit” serbo-shqiptar,ku sllavi Boro përfaqësonte minorancën në vendin e shqiptarit Ramiz. Ndërkaq jeta në kryeqytetin e Kosovës është po as e gjallë, sa dhe në pjesën tjetër të Evropës. Në 360 dhomat e hotelit “Grand” më së shumti gjen zyrtarë të vendeve të tjera që kanë ardhur për bisedime, apo biznesmenë që zbarkojnë për të lidhur kontrata të reja, ndërsa nga taverna çdo natë dëgjohen tinguj nga muzika vendase. Në rrugët e Prishtinës tashmë shihen shumë më pak “Toyota”-t me shenjat UN dhe po më pak shihen mjetet e blinduara më inicialet KFOR. Vetëm gjatë udhëtimit me avion, pranë Ferizajt, shihej nga lart baza ushtarake që po ndërtojnë amerikanët. Ndërkaq Kosova njeh si gjuhë zyrtare shqipen dhe serbishten, por për shkak të komunikimit masiv po kaq e njohur është dhe gjuha angleze. Në zyrat e administratës përpunoheshin vrullshëm platforma pa fund, ndërsa pranë kompjuterave më së shumti shihje teknicienët e rinj të shkolluar jashtë vendit. Ndërkohë, tregu i vendit pa status funksionon vetëm me monedhën e re europiane.

“Sigurimi i të drejtave të pakicave në Kosovë është testi kryesor për përmbushjen e standardeve demokratike, të cilat janë parakusht për fillimin e negociatave për adresimin e statusit dhe sa më shumë të jetë i plotësuar ky standard, aq më i fuqishëm do të jetë pozicioni i palës kosovare në negociatat për statusin e Kosovës”. Duke iu përshtatur kësaj sentence, tashmë qeveria e Kosovës si të vetmin qëllim kryesor të saj ka plotësimin e standardeve që do ta çojnë drejt pavarësisë shtetin e ri të shqiptarëve.
Ftesa
Të paktën 6 gazetarë nga Tirana fluturuan drejt Prishtinës me avionin e linjës direkte. Për të pasqyruar sa më mirë realitetin konkret, duhet ta prekësh vetë me dorë atë. Disa ditë më parë, nëpërmjet një ftese me postë elektronike, Daut Dauti, zëdhënës-këshilltar për media i kryeministrit Bajram Kosumi, ka njoftuar për një vizitë disaditore të disa gazetarëve nga vendet e rajonit në mënyrë që të informohen me gjendjen aktuale në Kosovë.
Në Prishtinë
Pas rreth 45 minutave fluturim, një avion modest i linjës Albania Airlines i ngritur në mesditën e 28 qershorit nga aeroporti Nënë Tereza do të ulej në Airport Prishtina. Vetëm pak minuta përpara se grupi i gazetarëve nga Tiranë të akomodohej në hotelin e njohur Grandaty kishte mbërritur dhe grupi i gazetarëve serbë nga Beogradi. Ndërsa pak më vonë do të mbërrinin dhe gazetarët nga Shkupi i Maqedonisë. Edhe pse e njëjta ftesë kishte shkuar dhe në Malin e Zi, nga Podgorica fqinje nuk erdhi asnjë gazetar. Por duket se kjo nuk i prishi punë askujt.
Gazetarët
Të paktën 15 gazetarë nga tri vende të rajonit udhëtuan nëpër Kosovë për t’u njohur nga afër me realitetin e ri. Nuk kishte dyshim që gazetarët e ardhur nga Beogradi panë bardhë e zi gjithçka që u servir para syve të tyre. Por edhe ata të Shkupit ishin po aq skeptikë ndaj asaj që do të shihnin në ditët e ardhshme. Gjithsesi, e justifikueshme apo jo, tendenca e gazetarëve sllavë nuk solli asnjë gjë të re të skenën e deklaratave të zyrtarëve të lartë, përveç faktit që administratori Petersen, duke iu përgjigjur gazetares Zhelka, tha: “Po ju jap një lajm të keq. Në Kosovë punët po shkojnë shumë mirë”.
Hapësira
Në Kosovë jetojnë rreth 125 mijë serbë, ku 100 mijë prej tyre nuk u larguan nga shtëpitë as gjatë bombardimeve. Aktualisht 18% të vendeve në Parlament i kanë minoritetet. Në Kosovë janë të licensuara 111 masmedia të ndryshme, nga të cilat 39 u përkasin minoriteteve, 26 prej tyre trasmentojnë në dy gjuhë, ndërsa 10 të tjera transmetojnë në gjuhën e minoriteteve të vogla.
Shoqërimi
Në dispozicion të grupit të gazetarëve “miks kryeministri Kosumi kishte vënë në dispozicion dy nga këshilltarët më të rëndësishëm të tij, Daut Dautin, zëdhënës dhe këshilltar për median, dhe dr. Naser Rugovën, këshilltar politik. Jo vetëm informacion i detajuar, por çdo kërkesë e gazetarëve u plotësua duke plotësuar kështu dhe axhendën e paralajmëruar, si dhe takimet shtesë që u kërkuan më pas.
Takimi i parë
Vizita e parë do të bëhej në selinë e Kuvendit të Kosovës, ku në një bisedë me Arifin, koordinator i qeverisë për standarde, dhe Armenika Etemi, zyrtare e lartë në zyrën e kryeministrit, gazetarët e tri kombësive u njohën me punën e përshpejtuar që po bënte qeveria "Kosumi" në arritje të plotësimit të standardeve. Tabloja ishte e qartë. Një nga pikat kryesore ishte dhe trashëgimia kulturore.
Pengesat
Serbia vazhdon ta pengojë Kosovën atje ku mundet. Regjistrat kadastralë janë një nga pengesat kryesore që ka hasur administrata e qeverisë së Kosovës. Po gjatë tërheqjes serbët i morën me vete të gjithë regjistrat orgjinalë. Gjatë bisedimeve diplomatike në dy raste administrata serbe ka premtuar për kthimin e regjistrave, por në asnjë nga rastet nuk e ka mbajtur fjalën. Por jo vetëm kjo.
Privatizimet
Më pas ishte organizuar një takim me ministrat e qeverisë: Lutfi Haziri, ministër për Pushtet Lokal; Bujar Dugolli, ministër për Tregti dhe Industri; z. Ščepanović, sekretar i përhershëm në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim; dr. Astrit Ajeti, zëvendësministër për Shëndetësi; Arjeta Emra, këshilltare e kryeministrit. Ministri Dugolli bëri të njohur se tashmë privatizimi ishte një proces pa pengesa dhe se çdo muaj në Kosovë hidheshin në tregun e privatizimeve 30 ndërmarrje nga 570 ndërmarrje publike që ishin trashëguar nga sistemi i kaluar. Ndërkohë miniera e njohur e Trepçes ishte nën administrimin e UNMIK-ut. E kështu sipas tij, definicioni mbi një status real e përfundimtar të Kosovës, do të largonte dyshimet dhe do të afronte investitorët e rinj.
Integrimi
Në fjalën e tij Lutfi Haziri, ministër për Pushtetin Vendor, tha: “Kemi dy kategori të serbëve në Kosovë, ata që janë integruar dhe ata që janë kundër integrimit. Megjithatë, u është garantuar gjuha, buxheti, punësimi, ndërtimi i shtëpive të reja. Tashmë ne po zbatojnë formulën më pozitive në botë që cilësohet “diskriminim pozitiv”.
Laboratori
Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur një pyetjeje, pranoi se Kosova është kthyer në një laborator, ku dhe pse shpesh janë tejkaluar normat, ka pasur dhe arritje pozitive. “Diskriminimi pozitiv” është një nga projektet laboratorike që po aplikohet në Kosovën e sotme. Edhe pse minoritetet serbe, rome, egjiptas, ashkali përbëjnë vetëm 10 për qind të banorëve të Kosovës, pjesëmarja e tyre në vendimmarrje, Kuvend, qeveri e administratë është shumë më i madh. Për këtë arsye kjo është emërtuar me termin “Diskriminim pozitiv”. “Nga 120 vende që kemi në Parlament, 20 i posedojnë minoritetet”, u shpreh Daci. Duke folur për ngritjen e institucioneve Daci tha se në Kosovë vepronin më shumë se 30 shërbime të huaja inteligjente, ndërsa vetë Kosova nuk e kishte ende një të tillë.
Mbrojtja
Gazetarët e tri vendeve vizituan edhe Akademinë e Trajtimit dhe Doktrinave. Aktualisht Kosova ka një trupë mbrojtëse të përbërë nga 3032 trupa aktive dhe 2020 rezervistë. Duke bërë një rezyme të Akademisë, kolonel Shemsi Syla tha se TKM ka si mision kryesor mbrojtjen e popullsisë. Ai u shpreh se 10% e efektivit përbëhej nga minoritetet, ku shumicën e dominonte minoriteti serb. Por ata nuk i kishin zënë vendet e tyre në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.

KRYEMINISTRI
Është lindur më 20 mars 1960 në Tuxhec, komuna e Dardanës. Përgatitja profesionale e tij lidhet me Fakultetin Filologjik, dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, magjistër i shkencave filologjike. Fillimisht është angazhuar si gazetar dhe më pas ka vazhduar me politikën. Gjatë takimit me gazetarët kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, tha se gjatë këtyre viteve të pasluftës janë evidente përparimet e mëdha që janë bërë në Kosovë në të gjitha fushat e jetës. Në Kosovë janë mbajtur katër parë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nga të cilat kanë dalë institucionet demokratike të Kosovës, të cilat janë funksionale dhe të ndërtuara në bazë të parimit pozitë-opozitë. Ndër prioritet bazë të qeverisë, kryeministri ka numëruar zbatimin e standardeve, decentralizimin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe dialogun me shtetet e rajonit. “Zbatimi i standardeve ka marrë deri tash notë pozitive dhe nuk ka arsye që të mos jetë kështu edhe gjatë muajve të ardhshëm. Ne presim po ashtu një vlerësim pozitiv nga emisari special i OKB-së, Kai Aide, me çka do t’i hapet rruga fillimit të bisedimeve për statusin final të Kosovës. Bisedimet duhet të fillojnë në shtator dhe ato nuk do të zgjasin deri në pakufi. Unë shpresoj se në vitin 2006 Kosova do të jetë krejtësisht ndryshe. Ne aspirojmë të krijojmë shtetin e pavarur të Kosovës, në të cilin të gjithë do të kanë të drejta të barabarta dhe qasje të barabartë në jetën publike”, u shpreh kryeministri Kosumi.

ADMINISTRATORI
I vendosur në atë që thoshte, shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jessen Petersen, për gazetarët “miks” të tri vendeve rajonale u shpreh: “Është shënuar progres, por ka dhe mangësi. Liria e lëvizjes është përmirësuar, por ka dhe serbë që nuk e ndiejnë veten të lirë për të lëvizur lirisht. Por them se ka nja konfuzion midis realitetit dhe perceptimit. Gjatë këtyre 15 muajve ka pasur shumë pak incidente me baza etnike dhe ka më shumë siguri. Nuk mendoj se duhet të ketë kthime të organizuar të serbëve në Kosovë, por ai duhet të jetë individual, pasi ka shumë njerëz që duan të integrohen në Serbi. Për sa i përket çështjes kadastrale, them se ishte një nga zhgënjimet e mia me Beogradin. Tashmë statusi përfundimtar i Kosovës është në interes të rajonit dhe nga kjo do të përfitojnë të gjitha shtetet në rajon”.

Rahoveci, krahina ku serbët po rikthehen në shtëpitë e tyre të paraluftës. Ngritja e shtëpive të reja, meremetimi i oblekteve të kultit dhe ruajtja e trashëgimisë kulturor

Bashkëjetesa e vështirë e pasluftës

Në krahinën e Rahovecit e rreth saj është bërë luftë e ashpër mes trupave të UÇK-së dhe atyre serbe. Mbas lufte shumë nga familjet serbe, sidomos ato që i lyen duart me gjak, u zhvendosën. Të tjerët qëndruan në një bashkëjetesë të vështirë me shqiptarët e tradhtuar prej tyre. Automjeti ynë ndalon në qendër të qytetit. Një xhami fare pranë qendrës po meremetohej. Autoritetet lokale na shpjegojnë se po rikonstruktohen gjithashtu dhe kishat e manastiret ortodokse. Ato futen në trashëgiminë kulturore të Kosovës. Kryetari i kësaj komune, Esat Haxhijaha na shpjegon se para lufte marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve ishin shumë të mira. Ata hynin e dilnin tek njëri-tjetri. Por pasojat e luftës e kishin çrregulluar këtë raport. Por pas lufte autoritetet vendase nisën sërish të gjenin mënyrën se si bashkëjetesa të normalizohej. “Është krijuar një grup pune prej 17 vetash që prej vitit 2002, i cili kthen dhe integron të larguarit. Që prej pesë vjetësh nuk kemi pasur incidente të rënda në këtë komunë, ndaj them se gjendja është e mirë”, na thotë kryetari. Ndërsa nënkryetari shtesë, Lubisa Duricic, i cili i përket etnisë serbe, thotë se bashkëkombasit e tij e ndjejnë frikën ndaj shqiptarëve dhe nuk janë të lirë. Gazetarët serbë kërkuan të kontaktonin me familjet serbe. Ne të tjerët gjithashtu. Lagjja e serbëve është vendosur në lartësi të qytetit. Opinione të ndryshme. Kemi dhe s’kemi frikë. E megjithatë të gjithë serbët janë aty, me shtëpitë dhe lokalet e tyre. Shesin e blejnë. Nga ana tjetër marrin ndihma dhe rroga dyfishe nga Beogradi. Një familje serbe ofron gazetarët shqiptarë në oborrin e shtëpisë. “Eja të pini një gotë nga vera jonë”. Pranojmë. Në komunën e Klinës një serb 75-vjeçar na thotë: “U larguam për 6 të vjet për në Vojvodinë, por jetuam si mos më keq. Atëherë, menduam të kthehemi në shtëpinë tonë. Unë kam lindur këtu. Nuk kam bërë asgjë të keqe dhe s’kam pse ta ndjej veten fajtor. Tanimë kemi hapur një dyqan”. Ndërkaq me një “Pasat” vjen djali i tij. Nga bagazhi nxjerr ushqime. Marrim vesh se ishte furnizimi i zakonshëm që vinte nga Beogradi. Ndërsa kryetari i kësaj komune, Prenk Gjataj shpjegon se zona fillimisht ishte goditur fort nga serbët, por më pas ishte rimarrë po me luftë nga shqiptarët. E tashmë po investohej që të dyja palët të bashkëjetonin. Rruga po bëhej e re dhe shtëpi të reja po ngriheshin gjithashtu.

RAHOVECI
Komuna e Rahovecit shtrihet në pjesën jugperëndimore të Kosovës dhe kufizohet në veri me komunën e Malishevës, në lindje me Therandën, në perëndim me Gjakovën dhe në jug me Prizrenin. Kjo komunë ka rreth 75 mijë banorë, nga të cilët 95 % janë shqiptarë, 3% serbë dhe 2 %, romë, ashkali dhe egjiptas. Në komunën e Rahovecit ekzistojnë dhe funksionojnë disa objekte industriale, ku më i madhi është kantina e verërave NBI. Komuna e Rahovecit ka gjithsej 25 shkolla me ente parashkollore, një shkollë të mesme me dy paralele të ndara. Gjithsej 23 shkolla fillore, prej tyre 2 shkolla fillore serbe. Në sferën e shëndetësisë ekzistojnë 6 qendra të mjekësisë familjare nëpër bashkësitë lokale dhe një qendër shëndetësore është në lagjen serbe.

STANDARDET
Ja si do përmbushen standardet
Standardet për Kosovën adresojnë një axhendë për tejkalimin e problemeve. Kjo axhendë është e afatizuar dhe sfiduese për institucionet kosovare, shoqërinë civile dhe UNMIK-un.
1-Institucionet demokratike funksionale – IPVQ-ja është zgjedhur në mënyrë të lirë e të drejtë. Ajo qeveris në mënyrë të paanshme, transparente dhe të përgjegjshme. Mediat janë të pavarura dhe të gjitha bashkësive u ofrojnë qasje në informim. Ekziston një organ i pavarur rregullativ për t’i vëzhguar të gjitha mediat dhe ky organ është reduktuar pa diskriminim. Fjalimi urrejtës dënohet nga mediat, komisioni rregullativ dhe komentatorët e mediave.
2-Sundimi i ligjit – Ekziston një kornizë e mirëfilltë ligjore dhe një zbatim efektiv i ligjit, në pajtim me standardet evropiane. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk mund të ndiqet penalisht për krim pa marrë parasysh kush janë ose kë e njohin. Ekzistojnë masa të rrepta për të luftuar krimin e motivuar etnikisht, si dhe krimin ekonomik dhe financiar. Personat të cilët kërkojnë dhe ofrojnë ryshfet, dënohen.
3-Liria e lëvizjes – Të gjithë njerëzit në Kosovë mund të udhëtojnë, punojnë në siguri, pa frikë nga sulmi, ngacmimi apo kërcënimi. Të gjithë njerëzit janë të lirë ta përdorin gjuhën e tyre amtare kudo në Kosovë. Të gjithë njerëzit kanë qasje në tregje, shërbime publike e sociale dhe shërbime komunale.
4-Kthimet e qëndrueshme dhe të drejtat e bashkësive dhe të anëtarëve të tyre – Anëtarët e të gjitha bashkësive duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore në Kosovë dhe nuk duhet të ballafaqohen me kërcënime për siguri dhe mirëqenie për shkak të përkatësisë etnike. Të gjithë personat e zhvendosur që dëshirojnë të kthehen në Kosovë duhet ta bëjnë këtë në siguri e dinjitet.
5-Ekonomia –Zbatohet korniza ligjore për një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese të tregut. Është themeluar një komision rregullativ, që i mban përgjegjës nëpunësit qeveritarë dhe sektorin privat. Ka një regjim taksash që mbështet funksionimin e qeverisë, që inkurajon investimin dhe që ofron shërbime themelore si kujdesin shëndetësor dhe arsimimin.
6-Të drejtat pronësore – Të gjithë duhet të kenë të drejtë të posedojnë dhe jetojnë në shtëpitë e tyre kudo në Kosovë. Zbatimi i drejtë i të drejtave pronësore është esencial për ta inkurajuar kthimin e PZHBV-e dhe trajtimin e barabartë të të gjitha bashkësive etnike.
7-Dialogu – Duhet të ketë dialog konstruktiv dhe të vazhdueshëm ndërmjet IPVQ-së dhe homologëve të tyre në Beograd për çështje si energjia, transporti, komunikacioni, të zhdukurit etj.
8-TMK – TMK në tërësi e zbaton mandatin e vet, siç ceket në Kornizën Kushtetuese, si organizatë civile për emergjenca, që kryen detyra të ndërhyrjes së shpejtë për sigurinë publike në kohë të fatkeqësive natyrore ose emergjencave. TMK i përfaqëson të gjitha bashkësitë e Kosovës.

KUSHTET
Çfarë janë standardet
Standardet janë 8 fusha në të cilat Kosova duhet të përparojë në mënyrë që të funksionojnë, të ketë stabilitet dhe të marrë rrugën drejt Evropës. Kur të arrihet përparim në këto fusha, jeta në Kosovë do të jetë dukshëm më e mirë. Standardet janë çelësi për vende pune dhe siguri. Ky është një plan i detajuar që i përshkruan veprimet konkrete që nevojiten për t’i përmbushur standardet. Qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u punuan në këto dokumente në partneritet. Më pas dy tekstet u miratuan nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, BE-ja, Grupi i Kontaktit dhe aktorë të tjerë kryesorë ndërkombëtarë. Të 8 standardet u publikuan më 10 dhjetor 2003, kurse plani për zbatimin e tyre për Kosovën më 31 mars 2004.

SITUATA
Ndërlikueshmëria e realitetit kosovar
Kosova gjendet në një nga periudhat më sfiduese të historisë dhe zhvillimi të saj, të bëjë hapa vendimtarë në realizimin e vullnetit politik të qytetarëve për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, prosperuese dhe me shanse të barabarta për të gjithë, si dhe të inkuadrohet në proceset e integrimeve euroatlantike. Në Kosovë janë mbajtur katër palë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nga të cilat kanë dalë institucionet demokratike të Kosovës, që janë funksionale dhe të ndërtuara në bazë të parimit pozitë-opozitë. Megjithatë, kalimi nga faza emergjente e ndërtimit të pasluftës në fazën e zhvillimit të qëndrueshëm social e ekonomik po shoqërohet me probleme në rritjen ekonomike dhe ashpërsim të gjendjes sociale, në efektivitetin e strukturave qeverisëse, transferimin e ngadalshëm të kompetencave nga UNMIK-u tek institucionet kosovare, problemet e integrimit të minoritetit serb dhe kthimin e të zhvendosurve nga Kosova: ekzistenca e enklavave jashtë tërësisë institucionale të Kosovës, ngjarjet e marsit dhe pasojat e rënda të tyre, problemet në marrëdhëniet me Serbinë dhe personat e zhdukur. Të gjitha këto paraqesin anën tjetër të realitetit. Ato shprehin ndërlikueshmërinë e realitetit kosovar. Raportet ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë kanë shënuar një ndryshim pozitiv në raport me periudhën e kaluar, respektivisht nga koha e ngjarjeve të marsit 2004, ngjarje këto që patën rënduar këto raporte. Në një masë bojkotimi i votimeve nga serbët e Kosovës në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar do të ndikonte negativisht në raportet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, dhe para së gjithash në integrimin e pakicës serbe në institucionet qendrore të Kosovës. Sidoqoftë, angazhimet e vazhdueshme të qeverisë së Kosovës, si në kohën kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj, ashtu edhe tanimë në drejtimin e kryeministrit Bajram Kosumi, kanë krijuar një tendencë pozitive dhe një politikë më integruese në krahasim me periudhën e kaluar. Si rezultat i kësaj ka ndodhur një shtensionim i marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, respektivisht një komunikim ndëretnik më intensiv dhe një inkuadrim i grupeve etnike në administratën lokale dhe qendrore të Kosovës.


Botuar në gazetën Ballkan - Korrik 2005