Thursday, September 15, 2016

PORTRET/ Teodor Laço, të mbijetoje si shkrimtar në diktaturë

Teodor Laço - foto: Soela Zani
Leonard Veizi

Sot, në moshën 79 vjeçare me një kompromis fjale krejt pa vend mund ta quajmë se ka dalë në pension. Por kjo nuk është diçka që i shkon fare. Ai nuk shtyn kohën me tavëll a letra spathie deri sa t’i vijë dita që të marrë paratë në sportel. Është shkrimtar, dhe si i tillë, i duhet të prodhojë edhe pse pensionin e merr për shkak të marrëveshjes që ka si qytetar korrekt me shtetin e tij. Por si njeri me jetë të gjatë në politikë hyn tek ata administratorë që ka ditur të tërhiqet në kohën e duhur. Tek e fundit gjithçka ka limitet e saj.
Ai u lind në Dardhë të Korçës, në 27 shtator 1936. Quhet Teodor Laço. Me një diplomë në bujqësi në vitin 1958 punon si agronom e zv/kryeagronom në Seksionin e Bujqësisë të Komitetit Ekzekutiv, Korçë. Por ky ishte vetëm një segment jete. Për më tej do ta udhëhiqnin letrat. Mes viteve 70-‘74 punon në Sektorin e Letërsisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk besoj se ka njeri që nuk ia ka dëgjuar emrin, t’i ketë lexuar një libër a të ketë parë një film me skenar të tij.
Sot mund ta konsideroj mik të vjetër. Intervistën e parë ia kam bërë kur ishte ministër kulture, të fundit kur folëm për revoltën e vitit 1990 në Kinostudio, gjë që i solli jo pak kokëçarje Komitetit Qendror e të dërguarit të tij Foto Çami. Në atë kohë Laço drejtonte sektorin e filmit artistik. Ishin ditë të nxehta kur ai, i thirrur nga instinkti i lirisë e la mënjanë penën, për t’ju përkushtuar një veprimtarie më madhore. Fuqia e fjalës së shkruar dhe e imazhit në film e kishte humbur fuqinë. Duhej veprimi konkret, përndryshe...
E lemë mënjanë këtë çështje, e kemi trajtuar gjerë e gjatë. Gjendet pa vështirësi në internet, në gjithfarë portalesh.
Teodor Laço, apo më shkurt Todi, siç e thërrasin shokët e gjimnazit, ka dëshirë t’i presë miqtë në një kafe të këndshme te rruga “Don Bosko”. Aty ndihet krejt i shpenguar, si në shtëpinë e tij. Bashkëshortja Miriam, një nga emblemat e teatrit të Korçës, por dhe e kinemasë shqiptare,  i rri pranë. Diku në të hyrë të asaj rruge që dikur na çonte te Uzina “Partizani”, ata kanë dhe apartamentin ku banojnë prej vitesh. Megjithatë, kryeqyteti nuk është dashuria më e madhe e Teodorit. Ai është mësuar ta ndajë jetën e tij mes Tiranës dhe Dardhës. Verën e nxehtë e kalon në male, dimrit zbret në qytetin e zhurmshëm, por me klimën e zbutur mesdhetare.
Në fushën e letërsisë ai do t’i bëhej i njohur për publikun që me romanin e tij të parë në vitin 1970 “Tokë e ashpër”. Më pas do të vazhdonin “Portat e dashurisë”, “Korbat mbi mermer”, "Një ditë dhe një jetë”, “Zemërimi i një njeriu të urtë”, etj. Të shumta do ishin pjesët që ai do shkruante për kinematografinë e teatrin bashkë, ku mund të përmendim skenarët e filmave, “Streha e re”, “Përballimi”, “Shtëpia jonë e përbashkët”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time” etj., ndërsa në teatër kujtojmë komedinë “Shi në plazh”, dramën “Kambanat e muzgut”...
Më tregon se asokohe raportet e shkrimtarëve me regjimin ishin fort delikate. Thotë se shkrimtari ishte gjithmonë njeriu i survejuar për shkak të letërsisë që bënte dhe pikëpamjeve që mund të shprehte. “Në atë kohë mund të shkoje si ‘qeni në vresht’ për një gabim fëmijëror, ose një tekë të shkrimtarit. Për shembull: Në vitin 1972 disa letrarë të rinj tiranas, mes të cilëve ata që u bënë shkrimtarë ishin Roland Gjoza dhe Bedri Myftari, dilnin nga kodrat e Liqenit Artificial, shkëmbenin dhe lexonin krijimtarinë e njëri-tjetrit, madje jepnin dhe çmimin ‘Nobel’. Vetëm një gjë e tillë bëri që ata të kapen dhe të dënohen të gjithë. Kjo diktaturë te shkrimtari ndikonte që të krijonte dhe autocensurën”.
Më gërryen kureshtja të di se si vepronin shkrimtarët në një regjim të ashpër për të ruajtur veprat e tyre të mirëfillta? Teodori më thotë se në të gjithë krijimtarinë e tyre shumica e shkrimtarëve shqiptarë vërtiteshin në një lloj dualizmi. “Kanë botuar vepra politikisht në shërbim të asaj kohe dhe vepra, të cilat i kanë shpëtuar realizmit socialist, që në rastin më të mirë mund të quhen vepra realiste dhe me sens kritik për realitetin e asaj kohe. Këtu e kam fjalën për prozën, sepse poezia është një kapitull më vete, ku dhe mëkatet i ka më të mëdha. Mund të them se ka pasur goxha shkrimtarë që i kanë shërbyer sistemit madje me bindje. Por kishte dhe shumë të tjerë, të cilët në subkoshiencën e tyre ishte liria që mungonte dhe që shoqëria, e cila po ndërtohej në Shqipëri ishte e padrejtë. Megjithatë duke parë që ishte e vështirë të luftohej drejtpërdrejtë, bënin kompromise”.
Kompromise!? Epo natyrisht, - them me vete, - edhe sot bëhen kompromise. Madje shumë. Kompromise të cilit lloj? - e pyes me kast. “Bënin vepra që priteshin të përgjoheshin e të goditeshin, por realizonin dhe vepra, të cilat i përmbushnin të pesë kushtet themelore të realizmit socialist. Një gjë të tillë e ka shpjeguar dhe Ismail Kadare, kur thotë që në këtë mënyrë shkrimtari bën kompromis me vetveten. Pra bëheshin vepra që shërbenin si pasaportë për të botuar dhe vepra të çliruara”.
Në nënndërgjegjen e tij prej shkrimtari, çdo gjë është e dyzuar dhe e dyshimtë padyshim që është. E kundërta as që do kish kuptim. Prandaj, atje ku askush nuk mund të hyjë veç qenies së tij të padukshme, nuk ka manual rregullash dhe në trafikun marramendës, ku gjithçka përplaset me dëshirë, lindin ide të reja. Ai nuk ngurron ta hedhë synopsusin e porsalindur me laps plumbi mbi një fragment letre, ku një djall e di pse në faqet ballore me germa të ngjeshura kompjuteri me siguri ishte shkruar fjalimi politik i vlefshëm për  seancën e radhës të Parlamentit, a një notë verbale për Ministrinë e Jashtme. Por kjo duket se nuk ka fare rëndësi. Ajo që është bërë nuk mund të zhbëhet dhe sigurisht, ajo që është zhbërë nuk mund të ngrihet më. Në raportin pa balancë, ku gjithçka duket se merr trajtën e një pragmatizmi pozitiv, ajo që mund të fitosh pa frikë është… vetvetja.
E pyes se cila ishte krijimtaria e tij e kompromisit dhe jo e saj? Jam i drejtpërdrejtë. Pyetjes nuk ke nga t’i shpëtosh. Por Teodor Laço nuk është nga ata që përdor truke të shpejta për t’ia hedhur. Ai njihet për temperamentin e tij liberal dhe aspak tendencioz. Më thotë se në vitin 1971 boton romanin “Tokë e ashpër”, i cili ka si subjekt formimin e një kooperative bujqësore në zonat malore. “Ky është një roman që nuk ka lajthitje për kohën, - bën ai një parantesë e më pas vazhdon: - Por në vitin 1973 botoj vëllimin me tregime ‘Ajri i ftohtë i mesnatës’, ku një pjesë e tregimeve lirike kishin sens kritik. U cilësua si libër i gabuar dhe u hoq nga qarkullimi. U tha se në të nxihej realiteti. Një shkrim për këtë novelë u botua në gazetën ‘Drita’ në formë redaksionale me titull ‘Nuk ka për të ndodhur kështu’, ku mund të them se në fakt ishte një pretencë. Një vit më pas, në vitin 1974 doli novela ‘Ditë dhe net që mund të vijnë’. Ky libër u botua në fillim të vitit 1974 dhe fillimisht nuk solli asnjë shqetësim. Por në tetor të po këtij viti, kur doli grupi ‘puçist’ në ushtri, kundër librit dhe meje u dërguan shumë letra në Komitetin Qendror nga disa shkrimtarë ushtarakë. Ky libër u akuzua se i bënte jehonë ‘Teorisë së rrëshqitjes’, për të cilën u dënua grupi i ushtarakëve të lartë, sepse bënte fjalë për një stërvitje ku trupat tërhiqeshin dhe sulmonin për të rimarrë sërish pozicionet. Libri jo vetëm që u hoq nga qarkullimi, por edhe unë e pagova duke qëndruar 7 vjet larg Tiranës”.
Ishin vitet kur mezi futeshe në Tiranë, të të hiqnin prej saj ishte padiskutim një lloj internimi. Ku të degëdisën? - e pyes. “Lidhja e Shkrimtarëve më dërgoi si mësues në Libofshë. Por më pas më tërhoqën në Fier. Në atë kohë në Fier ishte emëruar Sekretar i Parë i rrethit Pipi Mitrojorgji. Duke dashur t’i japë një hov jetës artistike në qytet, ai na mblodhi të gjithëve dhe bëri një bërthamë shumë të mirë. Dhe vërtet që jeta artistike në Fier pati një hop cilësor. Aty nuk isha vetëm unë, por edhe Neritan Ceka e Myzafer Korkuti, arkeologë; Vilson Kilica, piktor; Paskal Milo e Myslym Islami, historianë; Pëllumb Kulla, skenarist e Fatos Sela, aktor. Të gjithë të ardhur nga Tirana”.
Rroftë Tirana... I mblidhte të gjithë, i shpërndante gjithashtu.
Ca kohë më parë ai botoi një tjetër vëllim me tregime kuptimplotë, por pena e tij e mbushur me bojë e me majë metalike krejt të re, nuk ka ndërmend të reshtë asnjë çast. Kujtimet të fragmentarizuara për ngjarje fort të diskutuara, të cilat do të qepen hollë nga dora e mjeshtrit, presin të na vijnë së shpejti si një informacion i plotë e solid, për të zbardhur më tej terrin që sundon atje, ku drita është e pafuqishme. Teodor Laço, shkrimtar e skenarist filmi, e për më tepër politikan jetëgjatë e diplomat me karrierë të shkurtuar, vazhdon rrëfimin e tij pa asnjë çast të dyshimtë, në duhet të flasë për krijimtarinë letrare apo aktivitetin politik, për të dyja bashkë, apo për asnjërën prej tyre. E nëse ka pasur vërtet një dyshim të tillë, ai duhet të ketë zgjatur vetëm një sekondë ose më pak se aq, ndërsa kompromisi duket se nuk ishte aspak i vështirë: të flasë për gjithçka, pa kompleksin se diku, një gjë krejt e papritur e dashakeqe do të mund t’i prishë imazhin e lartuar.
Si do ta rregullonit biografinë me pushtetin? Ha, ha... mund të qeshte pak. Të thoshte se biografia tanimë ishte e prishur. Ai ishte në frontin e kundërt me pushtetin, në një luftë për jetë a vdekje... Por jo. Ka një kompromis gjithsesi, me të tjerët apo thjesht me veten. Teodor Laço nuk i bën bisht pyetjes: “Pas këtyre dy librave, që për të thënë të vërtetën prisja të përfundoja edhe në burg, po në fund të vitit 1975 u botua romani ‘Përballimi’. Ajo u pëlqye si vepër, e cila figurën e Sekretarit të Parë të një rrethi e nxirrte njerëzore dhe jo skematike siç kishte ndodhur deri në atë kohë. Kështu që u zbut masa e dënimit. Ndërsa në vitin 1978 u botua romani ‘Lëndina e lotëve’. Kjo është dhe vepra më e mirë e imja e para viteve ‘90, e cila ishte gjithashtu dhe krejtësisht e papolitizuar. Në vitin 1982 u ktheva nga Fieri dhe fillova punë në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku merresha me talentet e reja”.
Në vitin 1986 Teodor Laço do të merrte postin e përgjegjësit të filmit artistik pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku do të punonte deri në vitin 1990. Në periudhën 1991-1992 do të emërohej edhe drejtor i saj.
Mendohem pak, pyetja më duket provokative, por gjithsesi dua ta bëj: Keni menduar ndonjëherë që për konjukturë duhet të militonit në radhët e Partisë së Punës? Laço është i qetë. As që i shkon në mendje të triblojë për të marrë ndonjë pikë të pavlerë. “Nëse do të më afrohej një gjë e tillë me siguri do ta bëja, - më përgjigjet, - por unë kam pasur babain emigrant ekonomik në Amerikë dhe gjithsesi nuk shihesha si pjesë e kontigjentit të partisë. Gjithashtu, një i afërmi im ishte në burg politik, çka e bënte dhe më të vështirë situatën”.
Teodor Laço dhe Leonard Veizi
Në fushën politike Teodor Laçon do ta gjejmë që me fillimet e demokracisë. Ai është një nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate duke qenë edhe nënkryetar i saj deri në vitin 1994. Do të bëhej deputet në zgjedhjet e para të lira në vend. Prej vitit 1994 deri në 1997 do të mbante postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në vitin 1995 krijoi një parti të re “Bashkimi Social Demokrat”. Për dy vjet shërbeu në Moskë si Ambasador Fuqiplotë. Ndërsa për veprat e tij letrare, Teodor Laço është nderuar me 3 Çmime të Republikës dhe Çmimin “Migjeni” gjithashtu.

Postuar në 20 Shtator, 2015 ResPublica





No comments:

Post a Comment