Jeta mes Tiranës, Firences e Nju Jorkut. Njohja me “mbretëreshën” e Firences, Bona Freskobaldi dhe Tatianën, mbesën e Xhani
Anjelit. Lidhja me artin amerikan, jeta e
artistit tej Atlantikut dhe dalja disa miutëshe në televizionin prestigjioz
“FOX”
nga Leonard
Veizi
Nuk ka
dilema dhe sforco nuk është se ndjen teksa rreshket penelin me bojën mbi një
telajo, a kur tërheq majën e lapsit mbi një fletë formati çfarëdo. Grafikë,
akuarel a tablo në vaj marrin të njëjtin përkushtim dhe vlerë padyshim. Talentin
e falur pa kursim tashmë ai e ka fokusuar në një punë që duket se nuk ka ndër
mend të ndali ndonjëherë. Në Firence, Nju Jork apo Tiranë, ai është frymëzuar
me të njëjtin pasion, dhe ashtu siç i “dhuroi” jetë princeshës së një oborri perëndimore,
u dha “frymë” dhe baballarëve të kombit shqiptar, atyre që firmosën për
Pavarësinë...
...Pasi
ka njohur jetën mondane të elitës evropiane dhe ka shëtitur nëpër sallonet e
disa prej familjeve të mëdha njujorkeze, Arben Morina, piktori shqiptar me
origjinë të përbërë nga Morina e Gjakovës dhe Kanina e Vlorës është stacionuar
në qytetin e tij, Tiranë. Kjo ka ndodhur disa vite më parë, ndërsa ftesat që e
thërrasin sërish të jetë i pranishëm me penelin e tij në oborret princërore,
nuk kanë reshtur asnjëherë. Thotë se ndjeshmëria që ka është dhuratë e natyrës dhe se
kjo mbase nuk merr shumë rëndësi për artin e tij, për derisa i duhet shtuar dhe
volumi i një pune këmbëngulëse. Madje është pikërisht një gjë e tillë që e ka
çuar drejt një suksesi të pabesueshëm. Për gazetën “Shekulli” Arben Morina
tregon jo vetëm odisenë që e çoi në oborret më të famshme të Firences, e që
padyshim njihet dhe një prej qyteteve më të famshëm të botës së artit, por dhe
iniciativën stërmunduese për të bërë të njohur me penelin e tij portretet e 40
firmëtarëve të harruar.
Si u njohët
me botën perëndimore të pikturës?
Rasti e
solli që një kushëriri im, i cili punonte në Tregtinë e Jashtme, kishte krijuar
marrëdhënie shumë të mira me princin austriak Egon Von Fuerstenberg, i cili nga
ana e nënës ishte dhe nip i familjes Anjeli, pasi nëna e tij ishte motra e
Xhani Anjelit. Ai ishte një koleksionist i madh dhe i pëlqente ndjesia e
pikturës, që vinte nga vendet e Lindjes. Ishte viti 1988 kur Egon Von
Fuerstenberg i kërkon kushëririt tim ta ndihmonte me një piktor të mirë, pasi
donte të bënte disa portrete të familjes. Ai i adresoi emrin tim, që në fakt,
edhe pse i ri, në atë kohë kisha fituar goxha emër të mirë në Tiranë.
Si u
lidhët me Princin Egon Von Fuerstenberg?
Vetëm në
rrugë shtetërore. Në atë kohë s’mund të bëhej ndryshe. Nga ambasada më erdhi
një zarf me stemën e familjes, ku brenda saj ishin katër fotografi: e Egon Von
Fuerstenberg, e djalit Alesandro, e vajzës, Tatiana, dhe e mikes së tij të
ngushtë, një gazetare e njohur e “Il Messagiero”.
Ju
ndoqët të njëjtën procedurë për t’ia dërguar pikturat?
Jo.
Shteti shqiptar në atë kohë ishte i interesuar që Egon Von Fuerstenberg të
investonte në industrinë e tekstileve në Shqipëri, dhe kushëriri im (natyrisht
në emër të shtetit) e ftoi princin austriak për një vizitë private. Ai u prit
në hotelin e gjuetisë, në ishull Lezhë, në një drekë madhështore, ku isha i
ftuar edhe unë. Egon Von Fuerstenberg erdhi vet i gjashtë, me mikeshën e tij,
presidentin e sallonit më të madh të modës në Itali, presidentin e klubit të
Gjuetisë, si dhe dy pilotët e avionit personal, me të cilin zbriti në Rinas.
Si
reagoi nipi i Anjelit kur u njoh me punët tuaja?
Kisha më
se një muaj që punoja me katër portretet. Dhe i vendosa në murin përballë
tryezës së ngrënies. Për rreth 45 minuta ai vetëm diskutoi me mua dhe të
pranishmit e tjerë për katër pikturat. Kishte mbetur fort i kënaqur. Pastaj u
ul për të ngrënë dhe kërkoi që piktori, pra unë, të kishte vendin përballë tij.
Them se në atë kohë, për dy orë u ndjeva si një mbret, pasi isha në qendër të
vëmendjes.
Sa
kohë qëndroi në Shqipëri princi Egon Von Fuerstenberg?
Ai
qëndroi dy ditë, por me sa mora vesh, kishte mbetur i pakënaqur nga industria
shqiptare e tekstileve dhe nuk e pranoi propozimin e palës shqiptare.
Kur u
takuat sërish me të?
Sapo
mbërrita në Itali në fund të vitit 1990. Isha vendosur në një hotel të vogël.
Kisha kartëvizitën e tij dhe i rashë numrit të telefonit. Më doli sekretarja,
por e ndjeva që ai e ndërpreu sapo njohu emrin tim: “Përshëndetje Morina, ku
je? – më pyeti. “Jam vendosur në Itali, në Firence”, i thashë. Ai qeshi dhe më
tha. “Urime, ke bërë zgjedhjen e duhur. Ndërsa unë do të të njoh me
Mbretëreshën e Firences, që është Bona Frescobaldi”.
Dhe
ju njohu me të?
Natyrisht.
Madje Bona Frescobaldi telefonoi vetë në hotel dhe e zonja e hotelit hidhej
përpjetë nga gëzimi që gruaja më e fuqishme e Firences i kishte telefonuar. Më
kujtohet që Bona Frescobaldi më priti në pallatin e saj, ndërsa unë
shoqërohesha nga vëllai im dhe e zonja e hotelit, pas këmbënguljes së kësaj të
fundit, dhe natyrisht pasi unë kisha marrë leje që edhe ajo të ishte e
pranishme në takim. Duhet të them se Frescobaldët ishin një familje
1000-vjeçare në Firence, përfaqësuesit më të mëdhenj në botë të verërave të
Toskanës. Familje që i ka dhënë jo vetëm Italisë, por edhe Evropës.
Ndërkohë,
ju keni pasur dhe suksesin e duhur në Amerikë. Si mbërritët aty?
Në fakt,
ishte një çift amerikanësh, që, pas një rekomandimi, erdhën në studion time në
Firence. Burri ishte zv/president i një prej firmave më të mëdha të optikës, të
quajtur “Bausch&Lomb”, në Rochester të Nju Jorkut. Në këtë mënyrë u lidha
edhe me pjesën e artit amerikan. Pas disa kohësh e kuptova se emri im kishte
filluar të lakohej në disa qarqe, madje edhe televizioni “FOX”, nga më të
rëndësishmit në SHBA, më la një hapësirë disa minutëshe në edicionin e lajmeve,
pra në një transmetim të drejtpërdrejtë.
Prej vitesh jeni stacionuar në
Shqipëri, pse kjo zgjedhje?
U ktheva në Shqipëri sepse ndieja një thirrje, ndieja një detyrim ndaj
vendit tim... Lirisë t'i japim një dimension tjetër, të thyejmë
barrierat, të bashkojmë njerëzit, të krijojmë ura të fuqishme lidhëse, të
bashkojmë idetë, të prekim kordat e ndjeshmërisë njerëzore dhe të gjithë bashkë
të ndërtojmë, të krijojmë, ta bëjmë jetën më të bukur, t'i lëmë kësaj toke
vlera e vetëm vlera.
Portrete nga Arben Morina |
Frymëzimi prej Firences
Pikërisht
në Firence ai gjeti vendqëndrimin e tij. E duke e konsideroni këtë qytet, të
cilin e viziton shpesh thotë: “Firence! Kjo zgjedhja
ime është ëndrra e çdo artisti. Firence, nga hyjnore në tokësore.
Pikërisht në këtë vend, në shekullin XV mori formë të jashtëzakonshme ai
fenomen që shënjoi një kthesë thelbësore në art dhe kulturë: Rilindja. Firence
është qyteti i shpërthimeve krijuese. Firence është dhe qyteti i njerëzve të
imagjinatës... Firence është gjithashtu qyteti që la gjurmë të rëndësishme në
thellësi të qytetërimit. Për të gjitha këto arsye çdo artist, po të kish
mundësi, do të zgjidhte Firencen sigurisht”.
Firmëtarët e pavarësisë në 40
telajo
Ata që
firmosën për pavarësinë e Shqipërisë tanimë e kanë nga një portret, me ngjyra e
plot jetë Në vit më parë, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, në mjediset
e Këshillit të Ministrave u hap ekspozita e portreteve të 40 firmëtarëve të
deklaratës së Pavarësisë, të piktorit
Arben Morina. At për “Shekullin: rrëfen odisenë e gjatë që përfundoi me ekspozitën
e jashtëzakonshme ky 40 firmëtarët me Ismail Qemalin ën krye zonë vend në
hollin e kryeministrisë. “Nuk ishte aspak një rastësi, as një përzgjedhje e
paramenduar. Pavarësinë e kisha thellë në shpirt, ajo ishte brenda meje, ajo
ishte brenda në familje. Gjyshi im, Zihni Abas Kanina (Hamzaraj), ishte njëri
nga 40 firmëtarët e Pavarësisë. Janë dhe pesë kushërinj të tjerë të mij firmetarë
të pavarësisë. Ata jane: Iljaz Vrioni, Qemal Mullaj, Ferid Vokopola, Qazim
Kokoshi, Qemal Elbasani (Karaosmani). Natyrisht ajo mbetet një ditë epokale, një
ditë historike, një emocion i mirëfilltë, ku filloi rrugëtimi. Më është dashur
punë jashtëzakonisht e madhe për t'i mbledhur bashkë dhe ia kam dalë mbanë falë
edhe ndihmës së vyer të historianit të talentuar Niko Kotherja, njëkohësisht
miku im. Ai më ndihmoi me fotot e firmëtarëve dhe më pas kam gjetur edhe vetë
disa. Nuk ishte e lehtë, shumë miq e dashamirës më pyesnin: a do mund t’i
realizosh 40 portretet e firmëtarëve të Pavarësisë? Shumë prej tyre ishin
skeptike. Një ndërmarrje e madhe, pothuaj e pabesueshme për t’u realizuar. Unë
isha i vendosur, në heshtje u betova ...!!! Dhe kështu “aventura" filloi. Ishte
një pune kolosale. Fillova grumbullimin e materialeve fotografike dhe
dokumenteve. Nga çastet më të bukura ishin takimet me familjaret e firmëtarëve
të pavarësisë, rrëfimet e tyre. Unë jetoja dy kohë në të njëjtën kohë. Ata
firmosën pavarësinë, unë firmosa 40 portretet. 40 firmat kishin ngjyrën e
flamurit”, thotë Arben Morina
Kosova pjesë e
trupit tim
Ai është
nga Gjakova po aq sa dhe nga Vlora. Me një origjinë dyfishe prej prindërve të
tij. E padyshim kjo e bën të ndihet shumë krenar kur shprehet: “Kosova është pjesë e trupit tim, pjesë e qenies sime,
pjesë e popullit tim. Që fëmije jam edukuar me ndjenjat e dashurisë për
njerëzit e vendin. Kosova gjithmonë ka qenë objekt i bisedave në familjen time.
Kjo falë edhe origjinës nga babai. Motivet e Kosovës kanë shoqëruar gjithë
krijimtarinë time. S'kishte si të ndodhte ndryshe. "Jehona kosovare", e titullova ekspozitën e
hapur me disa artistë kosovarë në Tiranë., ku ideatori isha unë. Ekspozita
parapriu në kohë ngjarjen më të madhe në historinë shumëshekullore të Kosovës:
Pavarësinë!”
Autoportret |
Jeta
e piktorit
Arben
Morina u lind më 10 gusht të vitit 1956, në Tiranë. Vazhdoi Akademinë e Arteve
të Bukura në vitet 1978-1982 dhe ka punuar në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në
dhjetor të vitit 1990 transferohet në Firence, ku qëndroi deri në fund të vitit
1998. Gjatë kësaj periudhe pikturoi një numër të madh tablosh. Veprat e tij
janë të ekspozuara në koleksionet private italiane shumë të famshme. Në
pallatin e Markez Frescobaldit në Firence ka të ekspozuara pjesëtarët e
familjes dhe peizazhe me natyrë të qetë. Në pallatin e Markez Antinorit,
Firence, ka hedhur mbi telajo pjesëtarët e familjes. Për princin austriak Egon
Von Fuerstenberg ka punuar gjithashtu pjesëtarët e familjes. Në dhjetor
të vitit 1998 transferohet në Rochester Nju Jork, e më pas, në muajin shkurt
2000, në Nju Jork City. Në shtator 2000 rikthehet sërish në Firence. Tanimë,
prej disa vitesh jeton në Tiranë, ku ka hapur dhe një seri ekspozitash.
Botuar në gazetën SHEKULLI më 24. 11. 2013
No comments:
Post a Comment