![]() |
Kliton Nesturi, Xhevdet Bajraj, Leonard Veizi |
Nga
Leonard Veizi
Duket sikur në libraritë e Shqipërisë, vëllimet
poetike me titujt elegantë e kopertina joshëse, kanë mbetur në vendin e suvenireve, të paprekura. Prurjet janë aq të shumta
sa duken si masë pa mbarim. Pyetja vetëm një: A lexohet poezi sot? Situata bëhet edhe më e vakët po të mendosh se
jetën tonë të përditshme, shumë të rëndomtë e krejt vulgare, e masim aq fort me mjetet teknike të kibernetikës.
...mundet të mos e lexosh poezinë, por nëse
të recituar nga dikush tjetër e dëgjon...
Ushtarët
e armikut në Kosovë
Kishin
meny të pasur shqiptare
Në
mëngjes
Qumësht
nga gji të shqyer nënash
Dhe
foshnje të palindura të ziera në zjarr shtëpish
Servirur
me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe
Dhe
nga një shishe lot të valë
Dikush
kënaqej sall me nga një kokë të pjekur…
Ose unë nuk isha i përqendruar sa duhet dhe
isha duke lundruar në një hapësirë imagjinare, ose mes meje dhe vargjeve që
kishin filluar të troknin, si rrallëherë, po ndodhte një kimi e pazakontë.
Nuk po e besoja dot. Ishte një poezi. Fjalë
të shqiptuara ethshëm që kthyen vëmendjen time në një masë përqendrim të
panevojshëm, ndoshta njëqind e njëzet për qind, a diçka më shumë. E pra ishte e
mjaftueshme vetëm nëntëdhjetë për qind, ndoshta dhe më pak, dhe sërish do të kisha marrë të njëjtin emocion.
Por jo...
Autori, që në pamje të parë dukej njeri i
thjeshtë, mbante në kokë një kapele republike fine. Edhe me ecjen e tij
gjithashtu të qetë, të krijonte ndjesinë dhe vetë reflektimin e energjive pozitive. Miqtë
e mi më thanë se vinte nga Meksika e largët, ku pavarësisht viteve dhe
largësisë po aq shqiptar kishte mbetur në shpirt, sa dhe kur ishte larguar në vitin po aq të largët 1999. Dhe quhet Xhevdet Bajraj.
Poet me nam në ato anë.
Ndihesha ligsht që nuk e njihja, dhe më
vinte të haja veten me dhëmbë që isha aq i papërgatitur sa kisha përtuar t’i
hidhja dhe një sy internetit.
Por ndoshta më mirë që ndodhi kështu.
Surpriza ishte e pamëshirshme.
Në
drekë
Zemra
të plasura të të gjitha moshave
Të
ziera në lëng eshtrash në njërën anë
Dhe
mish kurrizi të pjekur në gacë
Përcjellë
me tru të fërguar fëmijësh
E
sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri
Dhe
nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara...
Xhevdeti i recitonte vetë vargjet e tij, me
një ritëm të pazakontë, si rënkimi i rrotave metalike të trenit tek përplasen
mbi shina e binarë apo fishkëllima e një avioni supersonik i cili ka marrë
lartësi duke çarë qiellin, të përziera aty-këtu e të ndara hera-herës.
Në
darkë
Mushkëri
të zeza e të bardha
Aty
këtu ndonjë veshkë
Mish
fëmije të përzier me gjakun e nënave
Ca
tul plake a plaku pjekur në hell
Njelmësuar
me kripën që nxirrej nga lotët
Ej, çfarë po ndodh kështu. Krejt papritur
ndihesha në një marramendje. Isha përfshirë i tëri në një vorbull magjike e
cila kishte filluar të ma mpinte trurin vazhdimisht. Mos isha droguar gjë, dhe
fjalët injektoheshin në vena me një frymë që shponte më shumë se vetë gjilpëra?
Në
meskohë
Bluanin
vesh të majtë e të djathtë
Gishtërinj
duarsh e këmbësh
Aty
këtu ndonjë hundë të përgjakur
Dhe
ëndrrat tona të thara në murin e pushkatimit
Mund të vajtoje e të vije kujën... Por jo. Nuk kish vend për
trishtim. As për të kthyer në kohë një ngarkesë historike ku të dëshpëroheshe
deri në marrëzi. Në fakt më kishte përfshirë një valë entuziazmi i paparë...
...poezia e vërtetë, ajo që shpesh na
humbet kur e kërkojmë, ishte aty, vargje delikate që përshkruanin gjëmën. Ishin
fare pranë, fjalë e togfjalësha, të ndjeshme dhe krejt e prekshme nëse doje.
Ndihesha dyfish i turpëruar.
E pra, ç’është e vërteta, prej vitesh nuk është
se poezisë i kisha dhënë ndonjë vëmendje të veçantë në leximet e mia. Dritën e
“diellit” ma kishte zënë herë Dan
Braun, e herë Kahled Hoseini, herë Pambuku e herë Murakami.
Por u desh një pasdite mesviti dhe u ktheva
tek zanafilla.
Në korrikun e vitit 2018 Tirana përjetonte
ditët më të nxehta të vitit. Ndërsa unë, në një lartësi prej 1150 metrash mbi
nivelin e detit, nën një fllad të freskët sa të ngjethej mishtë, furnizoja
pjesën e zbrazët të shpirtit me poezi shqiptare.
Klubi poetit “De Rada” me qendër në
Ferizaj, organizonte takimin e dytë "Muzat e Jezercit" në rang
shqiptarësh, me poetë e prozatorë, e pa asnjë të huaj. Ndodhesha aty si i
ftuar.
Gazmend Bytyçi, kryetari i këtij Klubi, na bëri
të ditur që në fillim se aktiviteti treditor, nuk kishte asgjë të përbashkët me
kumtesa akademikësh. Në majë të Jezercit, tek një pllajë ku të “mbyste” gjelbërimi,
në një ceremoni pa protokoll e për më tepër pa kollare, por me bluza ku
stampoheshin heronjtë e muzikës metal, mund të shijoje verë dhe poezi së
bashku.
Dhe pikërisht aty për herë të parë u njoha
me poezinë e Xhevdet Bajrajt.
Duhet ta kisha njohur më parë këtë
superpoet, apo poet pa superpozim, siç mendova ta quaja njëherë me mendjen
time.
Ai recitonte e unë nuk arrija ta besoja. Nuk
e mbaja mend që kur nuk kisha shijuar një ritëm të tillë poetik. Ndoshta që prej
Migjenit...
Nuk ishin vargje dekadente, as poezi për
dashurinë e tradhtinë të marra bashkë, madje nuk flitej as për “malet me blerim”
dhe as për “kodra e lugina”. Por thuhej gjithçka.
-Na recito dhe një poezi tjetër o Xhevdet!
Dhe ai nis nga fillimi:
Për
shëndetin e nënës sime
nganjëherë
pi raki
të
fortë si loti...
Botuar në:
https://www.gazetaobserver.com/i-thjeshti-xhevdet-bajraj-poeti-pa-superpozim/
https://www.gazetaobserver.com/i-thjeshti-xhevdet-bajraj-poeti-pa-superpozim/
No comments:
Post a Comment