Shënime udhëtimi
Nga Leonard Veizi
Perëndia na ka dhënë diell aq sa duhet, rreth
300 ditë në vit. Jo si në Afrikë ku përcëllohesh edhe në mes të natës, dhe as
si vendet nordike, që kur shohin diell, dalin me mëngë të shkurtra, edhe në
minus 20 gradë celcius. Prandaj dhe si popull, jemi të gjallë e gjaknxehtë, e
marrim zjarr si... “pushka e Dules”.
Zyrtarisht, Shqipëria e nis sezonin veror në
15 maj dhe e mbyll në 15 shtator. Pra 4 muaj fiks, ose thënë më qartë 120 ditë
të plota plazhi. Por realisht sezoni më i ngjeshur është 45 ditë. E që të jemi
të saktë deri në fund, në Shqipëri piku i plazhit janë 30 ditë, që do të thotë
se mes datave 20 korrik deri në 20 gusht, ku jo dhomë hoteli nuk gjen të lirë,
por asnjë shezlong nga ato të rreshtit 15-të në fundit të rripit të rërës, ku
dielli nuk pyet as për çadrën por të shapllakos e të bën gajde, sa mund të
bëhesh për serum në urgjencë. Në këto ditë nga më të nxehtat e verës më e mira
nuk është që t’i vësh gjoksin kondicionerit, por të rehatohesh poshtë ndonjë
peme, ose të rrish brenda në det, por me një kapele në kokë.
Por ende nuk ka ardhur puna këtu, sepse sezoni
sapo ka nisur, dhe ditët e para me diell të gënjejnë ca.
Marr rrugën e plazhit, që ashtu si dhe shumë
të tjerë, duam të jemi të parët që "të presim" shiritin e hapjes së
sezonit.
Po kush të lë të jesh i pari... gara është e
fortë!
Fillimi i sezonit në gjirin e Durrësit, - që
kap vijën bregdetare nga porti deri në Qeret e Karpen, por dhe më thellë akoma,
- plazhi kishte nisur gati në të gjithë dimensionin e tij. Mëngjesi është ca i
freskët. Por motorët e ujit kanë nisur të bëjnë xhirot poshtë e lart me klientë
të paduruar që kanë me shumicë adrenalinë të pastimuluar. Ndërsa nëpër hotele,
shumica e dhomave janë të prenotuara për fundjavën.
E ndërsa shqiptarët që frekuentojnë Durrësin
dhe përgjithësisht vijnë nga e rajonet e Shqipërisë së Mesme ia kanë marrë me
kafe e muhabet, shqiptarët e Kosovës që kanë ardhur me shumicë, - sepse ose ca
e ca kanë shtëpitë e tyre në bregdet e plot të tjerë mbërrijnë të organizuar me
autobusë, - kanë shpejtuar të shijojnë ujët dhe kripën e Adriatikut. Fëmijët
dalin e hyjnë në ujë pa vështirësi aty në breg, ndërsa më të mëdhenjtë
llokoçiten në bregun e parë.
Meqenëse mendoj që uji për një banjë është në
temperaturë optimale, nxitoj të fus këmbët, dhe.... në alarm e sipër, duke
shtrembëruar keq fytyrën ajo që më vjen në mend menjëherë është një batutë nga
filmi “Beni ecën vetë”.
-Po ky qenka akull fare.
-Urdhër çuna... hiqjani...
Rrekem të futem deri tek gjunjët, ndërkohë që
një pjesë e fëmijëve kanë dalë siç i ka bërë nëna. Epo dielli dhe uji janë
ilaçi më i mirë. Këta të Kosovës janë mësuar me klimë më të ashpër dimërore e
mbase temperaturat e majit u duken të nxehta. Ndërsa ne që kemi jetuar më afër
Mesdheut na duhet më shumë ngrohtësi për të qenë të gatshëm të hidhemi vetë në
det, pa na shtyrë kush.
Ndërkohë jo se gjithçka është në rregull për
të akomoduar turistët e shumtë, që këtë vit i presim të na vijnë edhe nga ca
vende që deri dje nuk e preferonin Shqipërinë. Nëpër një pjesë lokalesh të
shërbimit social po jepet dora e fundit para se të futen tërësisht në përdorim,
ndërsa punët publike që administrohen nga bashkitë përkatëse vazhdojnë të kenë
në krye betoniere, fadroma dhe ekskavatorë. Kjo tregon se puna për përmirësimin
e performancës nga ana e jashtme do të vazhdojë edhe gjatë qershorit, sepse
sezoni i plotë, ai i vërteti fare, nis ditën e parë të korrikut. Dhe po erdhi
korriku, nuk flitet më për punime, sepse dyndjet janë të tilla sa që nuk ke ku
të parkosh as biçikletën e jo makinën.
Në zonën e Durrës-Golemit gjërat kanë
ndryshuar fort. Nuk ka më kanale ujërash të zeza mbi sipërfaqe që derdheshin në
det, ku mund të të zinte purtha e javën e plazhit ta kaloje në nevojtore, ose
shtrirë në krevat në një temperaturë ambienti 40-gradëshe e me 40 gradë
temperaturë të trupit. Dhe kjo ka qenë një praktikë jo e pakët e sezonit veror
në këtë segment të rëndësishëm të plazhit. Por pas shumë vitesh ato së fundi
janë kanalizuar nën tokë për t’u përpunuar nëpër impiante.
...E ta lumsha moj demokraci...
Çadrat me shezlongë në shumicën e rasteve
ishin vendosur uniformë dhe rëra ishte e pastruar. Por herë pas here syri të
kapte dhe ndonjë plazh publik ku ti mund të ngulësh çadrën tënde, të shtrosh
një peshqir mbi rërë e të shtrihesh sa gjatë-gjerë pa pasur frikë se të vjen
mbikëqyrësi e të thotë:
-Paguj içik lekët, se nuk je në shpin tate
këtu.
Po t’u referohesh plazheve të famshëm të
botës, në Spanjë e Brazil, fjala vjen - dhe nuk është e nevojshme të kesh qenë
medoemos se video të publikuara gjen boll në youtube, - plazhet publike janë jo
një bythë vend siç janë katandisur këtu tek ne, të cilat janë sa për sy e faqe
e për të thënë se ligji është zbatuar, por me kilometra të tëra. Dhe njerëzit
shtriheshin ku t’u vijë për mbarë po ashtu si ne një herë e një kohë, që ca e
ca janë mësuar ta quajnë si “koha e Dullës” e ca të tjerë si “epoka e Enverit”.Por ne, meqë e vuajtëm atë kohë, tani na i ka
qejfi të qëndrojmë si kapadainj mbi shezlong e nën çadrën që na bën hije, edhe
pse e thartojmë fort surratin kur mbikëqyrësi të lë kuponin në dorë, sepse tek
e fundit 20 përqind TVSH i kalojnë shtetit tonë të dashur, që me këto para
kujdeset për investimet në arsim, mjekësi e kulturë.
Dhe përsëri jemi të kënaqur, se tek e fundit
mendojmë se gjërat më kryesore që na i ka falur Perëndia, ajrin, ujin dhe
diellin, i kemi falas.
-Eh ç’e gënjen mendja të ziun njeri!
Ndaj mblidheni mendjen kur shkoni në plazh
sepse kur të përballeni me çmimet e reja do t’u bjerë damllaja më shumë se nga
dielli.
Gjithsesi, duhet marrë më me sportivitet.
Ditët e verës janë të gjata, por ditët e pushimeve të kufizuara. Ndaj
shijojini!
No comments:
Post a Comment