Thyen
karrige e shishe birre, thyen dhe tavolina lokalesh. Por në fund fare thyen dhe
një koncept. Atë që ka bërë vend në nënndërgjegjen tonë e nuk e çrrënjosim dot.
Është koncepti i drojës dhe i frikës së përballjes me shtetin dhe strukturat e
tij në mënyrë tërësore a si një trup i vetëm. Dhe kjo ka të bëjë me strukturën psikologjike,
të cilët në çastin që e ndjejnë se liritë e tyre, ato që i kanë fituar me gjak,
dhunohen, reagojnë bashkarisht.
Ne
si popull kemi të kundërtën, reagojmë individualisht dhe pastaj si komitët pas
një atentati i ngjitemi malit. Edhe kjo ka të bëjë me strukturën psikologjike
të një populli.
Gjellët
gatuhen në kuzhina të ndryshme.
Vitet
e fundit jemi katandisur edhe më keq, sepse dorëzohemi vetëm me një urdhër
televiziv. Na u dha një ditë pushimi me sebepin se do vinin ca tifozë të çakërdisur
nga Roterdami e mund të bënin trazira. Dhe ne u ngujuam brenda duke e kyçur derën
katër herë me çelës. Kjo do të thotë se jemi “trima e liridashës” por që dhe fermanët
e dalë nga zyrat e shtetit i nderojmë dhe i respektojmë deri në detaj.
Oh...,
mjerë ne.
Huliganët
e Romës italiane, por më shumë ata të Fejnordit holandez, na dhanë një mësim të
mirë neve si shqiptarë, që veten e mbajmë për trima, por në fakt hezitojmë ta
bëjmë trimin në grup. Ne vetëm duam të dukemi trima, dhe të bëjmë diçka
“trimërore” e cila të na vihet në pah: demek “filani” e bëri të vetën, e mori hakun...,
e shtriu përdhe hasmin..., i futi thonjtë në fyt gruas. Dhe ende nuk e kemi
hequr nga kurrizi barrën e madhe dhe të pakuptimtë se vrasjet dhe kusaritë nuk
janë ato që dallojnë për trimëri. Por ne këtë peshë vazhdojmë ta mbajmë edhe
sot, kur bota e civilizuar na jep manuale të gatshme për zbatim.
I
kanë hequr vetë të shkretët, ndaj dhe u dhimsemi aq sa manualin na e japin
falas, të shumëfishuar. Por ne nuk e rruajmë fare për letra e blloqe shënimesh.
Se jemi trima.
Ne
si shqiptarë jemi njerëz me ambicie, dhe kudo të na hedhësh biem në këmbë dhe
përshtatemi shpejt. Por si shoqëri çuditërisht jemi të fllashkët e amorfë, dhe
mbi kurrizin tonë luajnë të gjithë.
U
deshën të vijnë ca tifozë të pabindur, që deheshin rrugëve të Tiranës me birrë
vendase, por që dinin të bëheshin bashkë për t’u bërë ballë shkopinjve të
policisë.
Huliganët
e Romës italiane dhe të Fejnordit holandez përveçse na dhanë një leksion të
hapur, - ashtu sipas mënyrës së tyre, - na e shurruan dhe Tiranën që mezi e
mbajmë të pastër, dhe pastaj me një përqafim vëllazëror, - se nuk kishin gjë me
ne tek e fundit, - u hipën autobusëve për t’u kthyer në vendet e tyre. Sepse,
në fund të ditës – ose më mirë të themi në fillim të saj, - edhe ata do të
paraqiten në punë e do çekojnë te porta e ndërmarrjes. Të pasur vërtetë këta
qytetarë të Evropës Perëndimore, e nuk pyesin shumë as për biletat e stadiumit,
as për ato të avionit dhe as për faturat e hoteleve, por kjo nuk do të thotë që
paratë u bien nga qielli.
Punë
punë natë e ditë...
Edhe
ata punojnë e u bie bretku në 5 ditë të javës. E i paguajnë faturat një më një
shtetit të tyre. Por dhe e kanë sensin qytetar të revoltës për ta vënë dorën
mbi plagë atëherë kur duhet.
Ata
nuk erdhën në vendin e shqiponjave si instruktorë, për të na mësuar sipas
literaturës bashkëkohore se si duhet të përballen civilët e paarmatosur me
policinë që mban në kokë skafandra e në duar mburoja, shkopa gome dhe granata
me gaz lotsjellës. Por ata na e dhanë mësimin, ashtu, në natyrë, në mënyrë brutale
e të shëmtuar, si ultrasit e të gjithë vendeve të botës ku futbolli është
kthyer në mit.
Ky
ishte një mësim që nuk e kishim marrë kurrë më parë. Sepse asnjëherë më parë dy
skuadra të huaja nuk ishin ndeshur për fitore në kryeqendrën tonë. Një mësim që
ka të bëjë me forcën e kundërshtimit. Me forcën e përballjes.
Por
edhe këtu sërish ne si shqiptarë shumë pikë më poshtë dolëm. Edhe pse vendalinj
e me stadium modern. Sepse ndërsa në rrjetet sociale vërshuan videot nga
përleshjet e tifozëve anormalë, po aq vërshoi dhe lumi i komenteve banale, ku
ne qytetarët e Botës së Tretë, kërkonin herë drejtësi se po na shkatërrohej
qyteti, e herë shtronim për zgjidhje kërkesën se halabakëve të Evropës u duhej
dhënë një mësim i mirë. Ndaj duhet t’u futeshim me dru atyre “kuajve”
dymetroshë që ishin ënjtur nga alkooli e nuk shikonin nga sytë.
Po
kush do ta bënte këtë punë se...?
-Do
hosten bualli, jo pickima pleshti, - do të shprehej Jaho Labi, që ishte lab
prej vërteti.
Një
mik shkroi një status në Facebook ku thoshte: “Naçut e shqipes kontrollojnë
prej vitesh Portin e Roterdamit, naçut e tulipanit prej orësh kontrollojnë
pedonalen e Tiranës”. Pa dashur të hyj në polemikë me të, dua të them se Holandës
qytetërimin nuk ia dhamë ne, - që në performancën e 300 viteve të fundit quhemi
shqiptarë, - por e ngritën vetë. Nëse duan që t’ua prishim po, mund të jemi një
ndërmarrje nënkontraktore e jashtëzakonshme dhe mund ta kthejmë tokën e Holandës
si orizore në një kohë rekord.
Prandaj
këtu nuk flitet më për trimërira kaçakësh e trafikantësh, por për ndërgjegje
qytetare. Nëse do të ishte kështu, holandezet nuk do vinin të linin thasë me
para në Tiranë, por do kërkonin punë te rruga Bardhyl, apo tek ajo e Kavajës, që
të pastronin haletë e këtij kryeqyteti ballkanik.
Dhe
të shash mbarë e prapa nga kolltuku i shtëpisë, - sidomos kur e ke një profil
fals, - është një komoditet i paparë. Sepse i shtrirë me këmbë përpjetë, ku një
sy e ke nga televizori e tjetrin nga celulari, padyshim, të lindin idera të
parapa. Por të përballesh atje, në “sheshin e luftës” nuk ta mban. Se nuk ta ka
mbajtur as atëherë kur ta tjetërsuan pronën, as atëherë kur të nxorën nga
shtëpia me gjithë rraqe dhe as atëherë kur ta prishën strehën e të lanë pa
gjë...
Ç’i
do fjalët o shqiptar... trim e liridashës! Ti vazhdon të mos jesh i gatshëm të
përballesh me fadromën, kova metalike e të cilës të bie mbi oxhak e pullaz.
Ç’të kruhet kot me ata të Botës së Parë, që edhe barkun e kanë mbushur mirë
edhe xhepat i kanë plot me “argumenta të forta” po aq sa dhe konti Almaviva i
“Dasmës së Figaros”. E mira është të vazhdosh të ndjekësh rrjedhën e ngjarjeve
nga televizori, se po dole në shesh veç për të prishur punë je, se nga përvoja,
deri më sot asnjë nuk ke rregulluar.
Edhe
pse ata janë tifozë skuadrash, huliganët e Romës dhe Fejnordit na mësuan se po
të bashkohemi, - si një herë motit me Skënderbeun, - e bën çdo lloj qeverie të
japi dorëheqje pa i mbushur 12 orë, se 24 janë shumë dhe për aq duhet të jetë
futur në punë qeveria e re.
Mbase
ky është mësimi i duhur, edhe pse i vonuar.
Dhe
për çudi këtë mësim na e bënë “dhuratë” vetë kryeministri e kryetari i
bashkisë. Ndaj këtu ata i marrin pikët maksimale, më shumë se votat tek
zgjedhjet për Kryetar Fronti.
Me
siguri, ta dinin ekzaktësisht se çfarë mësimi do të merrnin shqiptarët nga ca
tifozë të pabindur, jo Romën e Fejnordin, por as ekipet e lagjeve të tyre që
luajnë me porta të vogla nuk do kishin lënë të futeshin në Tiranë.
Tifozeria
ekstreme, edhe pse në performancën e saj ka thyerje të gjithçka që thyhet, po
aq përmban dhe është shpirti i revoltës dhe i jo nënshtrimit.
No comments:
Post a Comment