Leonard
Veizi
Fitorja është
fitore edhe kur është si ajo e Pirros. Sepse në betejën e Herakleas me ushtrinë
e Romës, në vitin 280 para Krishtit, kryekomandanti Pirro humbi aq shumë nga
ushtria e tij saqë tha shprehjen lapidare e cila ka mbërritur deri në ditët
tona: "Edhe një betejë tjetër si kjo dhe më duhet të kthehem vetëm në
Epir”. Dhe prej asaj kohe, - 2300 vite më parë, - ka mbetur shprehja:
"Fitore si e Pirros".
E vendosur në
kontekstin e zgjedhjeve në Shqipëri, krahasimi nuk merr vlerën e duhur. Sepse
krahasimet gjithmonë çalojnë. Por nënkuptimet janë të qarta, gjithsesi.
Në Shqipëri
zgjedhjet vazhdojnë të fitohen. Nga njëra palë sigurisht. Por me numër
gjithmonë e më pak votuesish. E megjithatë, një fitues përfaqëson shumicën. Por
cilën shumicë? Të asaj që e votuan. Sepse Kodi Elektoral nuk ka vendosur një
kufi, i cili do të çonte në përsëritje të procesit nëse numri i votuesve do të
ishte më poshtë se steka.
Shifra 37 përqind
e pjesëmarrjes në votime, e bërë me dije nga kreu i Komisionit Qëndror të
Zgjedhjeve, është një shifër domethënëse.
Përse shqiptarët
nuk dolën të votojnë?
Natyrisht, çdo
pyetje e ka një përgjigje. Në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023 elektorati që
hodhi votën në kutinë e votimit ishte më i pakët se çdo herë tjetër në 30 vitet
e fundit.
Analiza është e
thjeshtë. Nuk është se do të të duhet kohë për t’u menduar e për të dalë në
përfundime.
Mosbesim dhe
zhgënjim.
Problemi është që
këtë analizë duhet ta bëjnë partitë politike dhe të gjejnë mekanizmin që do t’i
joshte shqiptarët drejt kutisë së votimit.
Qytetarët tanimë
po i qëndrojnë më larg zgjedhjeve. Janë më pak entuziastë. Ata janë në dilemë
dhe e kanë më të thjeshtë të mos dalin fare nga shtëpia ditën e zgjedhjeve, por
procesin ta ndjekin nga televizori.
Prej ca kohësh,
për këta njerëz është formuluar togfjalëshi: “Elektorati gri”. Padyshim,
përbërësit e elektoratit gri nuk kanë të bëjnë me militantët, të cilët në kohë
me diell a në kohë me shi, të shëndoshë si kokrra e mollës apo të sëmurë sa për
t’u shtruar në spital, janë të paepur në mbajtjen e radhës për të hedhur
votën e tyre në shërbim të kauzës.
-Ja provinca.
Do ta mposht me dy oficerë, dy kuaj dhe tetë ushtarë... ah po, dhe me ty o
mbretëresha ime!
Por kjo është
vetëm një batutë filmi.
Elektorati gri
janë ata të pavendosurit, që herë votojnë për njërën forcë politike e herë për
tjetrën, ashtu si t’u mbushet mendja, pasi kanë dëgjuar programin dhe e kanë
shoshitur mirë se nga qëndron e mira e tyre apo e mira e shoqërisë në tërësi.
Por në këto
zgjedhje, ashtu si dhe në ato më përpara që ishin për pushtetit legjislativ,
nuk kishte program. Sepse në Shqipëri, prej ca kohësh është futur në modë
praktika që zgjedhjet fitohen dhe pa program, vetëm duke i rënë defit e duke
hedhur batuta që të gajasin së qeshuri.
-Rrugës u
shkulëm së qeshuri me shakatë e kripura të Duçes, - u thosh gjeneral Piçioni vartësve të tij, duke kujtuar
udhëtimin me kreun e fashos në karrocatën “Roma”.
Padyshim,
zgjedhjet janë manifestime të rëndësishme. Dhe si të tilla duhen respektuar,
sepse çdonjëri prej nesh si pjesë integrale e shoqërisë ka detyrimin moral për
të hedhur një votë vetëm një herë në dy vjet: një herë për zgjedhjet kuvendore
e një tjetër për drejtuesit lokalë.
Problemi këtë herë
është edhe më i thellë, sepse do të ishte gjysma e së keqes nëse votuesit do të
shkonin drejt kutisë edhe pse fletën me emrat e kandidatëve do ta bënin të
pavlefshme. Ata kanë gjetur një rrugë më të thjeshtë. Atë të bojkotit masiv.
Në Shqipëri e
drejta e votës është një e drejtë kushtetuese. Por jo detyruese. Që do të thotë
se detyrimi mbetet moral. Por në demokraci, e drejtë kushtetuese është edhe të
mos votosh. Sepse kjo ka të bëjë me lirinë e individit.
Fakti që një
shumësi votuesish as nuk i hodhën sytë nga qendrat e votimit, lë vend për t’i
vënë gishtin kokës: Pse shqiptarët nuk po na ndjekin më?
Paralelizmi që
bëhej në media e rrjete sociale kishte të bënte me vënien përballë të dy
elektorateve, atij shqiptar që nuk i kapërceu dot 50 përqind të votuesve dhe të
atij turk, i cili në po të njëjtën ditë kishte zgjedhje, por që shifra e pjesëmarrjes
në këtë vend kapi vlerën e 90 përqind të elektoratit.
Qytetarët janë mosbesues.
Qytetarët janë të zhgënjyer. Fitorja me një pjesëmarrje prej 37 përqind e
elektoratit është një triumf shqetësues. Është një fitore si ajo e Pirros në
vitin 280 Para Erës Tonë.
No comments:
Post a Comment