Wednesday, May 10, 2023

Në kalanë e Beratit, me kisha, xhami dhe 24 kulla

Shënime udhëtimi




Nga Leonard Veizi
 

Berati është një atraksion i mrekullueshëm turistik. Ndoshta sepse bashkohet elementi natyral me atë historik. Ndoshta them, sepse për shumë të tjerë vlen më shumë arti i kulinarisë. Por të marrësh rrugën për në Berat, se të ka shkuar mendja të hash tre a katër pjata, bashkë me ëmbëlsirën në fund, hyn te mundimet e kota. Sepse mund të kënaqesh duke pirë vetëm një kafe dhe duke u njohur me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë.
Nëse nisesh nga Tirana me destinacion përfundimtar Beratin ka dy rrugë: E para nga autostrada e Durrësit 131 kilometra që përshkohet për pak më shumë se dy orë.
E dyta nga Autostrada e Elbasanit 97 kilometra që bëhet për 1.40 minuta. Natyrisht versioni i dytë është më i dobishëm...
 
...Kalaja e Beratit çdo ditë ka vizitorë të panumërt, sepse ajo është një nga monumentet më të mëdha, më të bukur dhe më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare. Por në fundjavë turistët bëhen më të shumtë. Rruga që të çon deri në hyrje është e asfaltuar. Vetëm disa vite më parë ajo ishte një rrugë krejtësisht e amortizuar dhe vështirësia më e madhe ishte e autobusëve me turistë që mezi merrnin kthesat. Databaza të tregon se gjatë vitit 2022 Berati ka shënuar një fluks të lartë turistësh, prej rreth 400 mijë vizitorësh, 80 përqind e të cilëve ishin të huaj. Sepse vitet e fundit kalaja është bërë lehtësisht e aksesueshme.
Tek parkingu në hyrje të kalasë, vende ka sa të duash, por vend gjen me vështirësi. Por gjithsesi rregullohesh.
 

Historia
Po çfarë thotë Fjalori Enciklopedik, që është dhe zëri zyrtar i Akademisë së Shkencave?
Mendohet se në lashtësi Berati i sotëm është quajtur“Antipatrea” dhe përmendet që prej vitit 216 para erës sonë, kur e mori Skerdilajdi gjatë luftërave maqedono-romake. Nga romakët u quajt edhe “Albanorum oppidium” apo e ardhur në shqip si: Fortesa e Arbërve. Fillimisht, kalaja ishte një vendbanim protourban. Si një pikë strategjike e rëndësishme, ajo u shndërrua në qytet-kështjellë me një sipërfaqe prej 10 hektarësh. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik.
Në shekullin IX u pushtua nga bullgarët kur ishte epiqendër e luftës kundër bizantinëve dhe u quajt Beligrad (qyteti i Bardhë), emër nga i cili vjen trajta e sotme shqipe Berat. Bullgarët e mbajtën qytetin deri në shekullin XI. Mbeti përsëri qendër me rëndësi në periudhën e Anzhuinëve. Mihail Komneni e zgjeroi dhe bëri rindërtime në vitin 1205.
Pushtuesit serbe hynë në qytet në vitin 1345. Zgjerimin më të madh e pati gjatë kohës së principatave të Arbrit, që ishte dhe qendër e Muzakajve. Lulëzoi zejtaria e sidomos punimi i mëndafshit. U ndërtuan brenda në kala disa kisha me afreske të çmuara dhe pati një shkollë pikture e të bukurshkrimit, që vijoi me pas si traditë.
Me zmadhimin e qytetit përtej mureve të kalasë, rrëzë kësaj lindi lagjja Mangalem. Më pas qytetin e kanë zotëruar Balshajt. Osmanët e pushtuan në vitin 1417. Por Muzakajt e rimorën në periudhën e Skënderbeut.
Ndërtimi i Kalasë u përket periudhave të ndryshme që nisin qysh nga shekulli IV para Krishtit dhe përfundojnë gjatë viteve 1813-1821, kohë e sundimit të Ali Pashë Tepelenës.
 

Kalaja
Për t’u njohur më shumë me Kalanë e Beratit i referohemi dokumentacionit:
Gërmimet arkeologjike janë bërë më 1973-1975 dhe 1978.
Kalaja e Beratit, me formën e saj të spikatur në trajtë trekëndëshi, është ngritur në një kodër 187 metra të lartë, e cila ndodhet në bregun e djathtë të lumit Osum, duke dominuar luginën e tij. Muret kanë një perimetër prej 1400 metrash, brinja lindore e këtij trekëndëshi është e gjatë 620 metra ndërsa dy tjerat janë të barabarta dhe janë të gjata 410 m.
Ndryshe nga kështjellat e tjera kalaja e Beratit ka qenë e pajisur me 24 kulla.
Brenda kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, sarajet turke, rrënojat e dy xhamive (Xhamia e Kuqe dhe Ak Mesxhid), sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur Fusha e Madhe etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborri të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, bahçesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur Kala.
Kalaja ka gjithashtu katër porta komunikimi. Njëra prej tyre dhe pikërisht ajo që paraqet më shumë interes për shkak të elementeve përbërës të saj është ajo e anës juglindore. Pasi kalon në të futesh në një oborr të fortifikuar, ku përpara të del një portë e dytë pikërisht në murin ballor të saj, në anën e djathtë të një harku, ndodhet një monogram me tulla të kuqe që i përket ndërtimeve bizantine të vitit 1204. I ndërtuar ashtu si i gjithë kompleksi mbrojtës nga Despoti i Epirit Mihail I. Porta me monogramin në formë kryqi me inicialet M.K. edhe sot ruan po këtë emër “Porta e Mihail Komnenit”.
Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.
Në të kaluarën siguria e kësaj kështjelle ka qenë maksimale, sepse projektuesit e saj e ndërtuan pikërisht në këtë kodër ku ana jugore bie thikë mbi Osum, anët lindore dhe perëndimore kanë pjerrësi të madhe ndërsa në anën veriore kodra ulet ëmbël drejt qafës së Biftës, duke siguruar komunikimin. 
 

Muzeu
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga ikonografët si: Onufri, Nikolla, i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini). Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX.
Ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë mban si datë vitin 1807. Ajo konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes. Në një arkë të drunjtë pranë ikonostasit konservohen eshtrat e dy Shenjtorëve Gorazdi dhe Angjellari. Nën dyshemenë e absidës me 12 Gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shek. VI pas Krishtit dhe “Codex Aureus Anthimi” i shek IX pas Krishtit. Dy Kodikët e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e Unesco-s.
 
Ura

Në vendin e quajtur Ballkon, dallohet qartazi e gjithë struktura e qytetit të Beratit. Një teleskop u ofron vizitorëve pamjet me atraksion të qytetit. Ajo që bie në sy është ura mesjetare, ku regjisori Viktor Gjika ka regjistruar disa nga episodet e filmit epope “Gjeneral Gramafoni”.
-Po i ndez o Veiz?
-A po i ndez o, po i ndez...
Ura e Goricës është një nga urat e gurit më të mëdha në trevat shqiptare, njëkohësisht njëra prej urave më të vjetra të vendit. U ndërtua në shekullin XVIII dhe është e ngritur mbi lumin Osum, në qendër të Beratit. Konsiderohet prej urave më të bukura të periudhës së Perandorisë Osmane ku vlerësohet veçanërisht për vlerat e veçanta arkitektonike. Gjatësia e urës është 127 metra dhe gjerësia 5 metra. Ka tetë këmbëza të ngulura thellë në ujë si dhe dy këmbëza të forta anësore në brigjet e lumit Osum. Ura lidh qendrën e qytetit me lagjen Goricë. Kurse në mesjetë, ajo ka pasur funksion më të madh, pasi lidhte Beratin me Janinën dhe Gjirokastrën me Vlorën.
 

Kisha
Kisha e Shën Triadhës ka afreske mjaft interesante. Ajo është një nga më të vjetrat në qytetin e Beratit. Pavarësisht terrenit të pjerrët ku ajo ndodhet, kisha hedh një vështrim panoramik mbi Goricë dhe një pjese të qytetit. Kisha është një nga më të vizituarat në zonën muzeale të Kalasë dhe konsiderohet nga më cilësoret e 28 kishave që ka patur gjithë zona e Mangalemit në qytetin e Beratit. Ndërtimi i kishës daton rreth fundit të shekullit të XIII ose në fillim të shekullit XIV. Ajo është një nga modelet më interesante në strukturën e ndërtimit ku gërshetohen tjegulla të modelit bizantin me radhë të forta guri, si mbajtëse të pjesës së poshtme të ndërtesës. Kjo teknikë duket se ka qenë vendimtare për të mbrojtur objektin nga dëmtimet. Afresket murale në faqet e brendshme janë të dëmtuara për shkak të vjetërsisë. Megjithatë gjurmët e temave biblike që tregojnë dishepujt e Krishtit, elementë të “Darkës së Fundit” apo ditët dhe ritualet që i paraprijnë Pashkëve duken ende mbi muret e kishës. Kohët e fundit po bëhen përpjekje për të rikuperuar pjesët më të dukshme të afreskeve të brendshëm.
Pas kishës së Shën Todrit gjenden dhe kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj.
 

Qyteti
Është quajtur ndryshe dhe si qyteti i “një mbi një dritareve”. Ka një popullsi prej të paktën 60 mijë banorësh, nëse i referohesh censusit të vitit 2011.
Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) në vitin 2008 ka marrë në Listën e Trashëgimisë Botërore qytetin e Beratit, i cilin në vitin 1961 ishte shpallur "Qytet Muze".
 
Turistët

Vetëm gjatë një dite të vetme në rrugicat e kalasë së Beratit mund të dëgjoje të flitej në gjuhën gjermane, italiane, franceze, polake. Por kishte dhe turistë brazilianë. Dhe nuk mund të mungonin aziatikët. Me aparate në duar, të gjithë bëjnë fotografi, dhe padyshim ulen të pushojnë dhe të drekojnë në një nga restorantet me gatime tradicionale. Pamjet janë vërtet mahnitëse. Përballë Kalasë është Mali i Tomorit. Poshtë Kalasë qyteti dhe lumi i Osumit. Brenda Kalasë koka prej guri e Konstandinit të Madh.
Dhe pasi ke bërë të gjithë itinerarin, ke blerë dhe ndonjë suvenir... vjen ikja.


No comments:

Post a Comment