Në
biletarinë e Teatrit Popullor artdashësit që shtypeshin në radhë pyesnin nëse
do të ishte ai në trupën e aktorëve që ngjisnin në skenë komedinë e radhës.
Sepse pavarësisht cilësisë së aktorëve, dhe trupave që dublonin njëra-tjetrën
për të njëjtën shfaqje, ai kishte një vend të veçantë. Dhe rolet e luajtura
prej tij tërhiqnin më shumë spektatorë.
Ai
ishte i rrallë në skenë, një aktor mjaft popullor, sharmant e plot elegancë dhe
lëshues batutash të papërballueshme. Dhe jo vetëm në skenë, por dhe në sheshin
e xhirimit ku xhirohej me film 35 milimetërsh.
-Baxhanaku më tha se kandidatura kryesore për drejtor
jeni ju. Ai më tha se dhe shoku Sali vetëm për ju kishte folur. Kështu më tha
baxhanaku.
Do
të shkëlqente si Vaska tek filmi “Ëndërr për një karrige” pasi kishte luajtur
më parë Nestin tek filmi “Koncert në vitin 36”.
-Neni 503, 505, 506, ju i dini apo i keni harruar?!
Kodi Penal. I thoni tellallit t’jua kujtojë.
Në
skenën tragjikomike, emri i tij zë një vend të veçantë. U kanalizua më së
shumti në personazhet me sens humori, por ai dinte të luante në mënyrë të
shkëlqyer edhe një rol dramatik deri në tragjedi.
-Karonti jam, fol. Fol më fort se s‘të marr vesh.
Ashtu...! E kush kështu...? E mirë s’ka problem. S’ka problem se paret i kish
paguar. Mbuloje me gjethe dhe plase aty...
Dhe
ky ishte roli i një skafisti tek drama “Gomonia” e Mihal Luarasit e regji të
Gëzim Kames. Por po aq dramatik ishte dhe në rolin e Petros tek drama “Dadot”
të autorit Jorgos Kurti.
-Pavllo, Pavllo mblidh mendjen. Ato që kemi dashuruar
kanë qenë të gjalla, kanë qenë të lëvizshme, kanë qenë me naze, lozonjare. Ato
vetëm pak t’i prekje dhe të rrëqethej mishi. Ndërsa këtë gërdallën e këtij, pak
ta shohësh e të ngrihen qimet përpjetë.
E
filloi karrierën e tij artistike në 1961me rolin e Kostës, tek filmi “Debatik”.
Por vetëm në vitin 1971 do të bëhej pjesë e Teatrit Kombëtar.
Në
vitin 1979 regjisori Rikard Ljarja do t’i jepte një rol tek filmi “Radiostacioni”.
Në pelikulë ai është i fiksuar me fytyrën e frikësuar të një punonjësi të Radio
Tiranës, i cili në ditët e para të çlirimit të kryeqytetit, teksa një partizan
i patrullës i vinte prangat në duar, arrinte t’u thoshte:
-Jo, jo. Unë nuk u shërbej komunistëve.
Ndonëse
në kinema ka lënë shumë pak role, Roland Trebicka u shqua më së shumti në
skenën e teatrit.
Shumëkush
e cilëson kulmin e suksesit në rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176.
-Kësaj i thotë t’ia japësh vetes: bam...
Mund
të jetë edhe kështu. Por në fakt nuk është ashtu. Megjithëse një rol i spikatur
e me shumë humor, si “xhaxhi Vani”, Roland Trebicka pati një rol tjetër shumë
më të arritur, ku ai është nën lëkurën e xha Spirakes, apo Spiridon Gaqe
Neçuleskut, tek komedia e njohur e autorit rumun Tudor Mushatesku “Valsi i
Titanikut”.
-Edhe ju të tjerët faleni Spiraken që nuk donte të
zgjidhej deputet, por siç e shikoni është një zanat që nuk më shkon për shtat.
Por
shumë më herët ai ka dhe rolin e Lonit tek komedia “Karnavalet e Korçës” të
Spiro Çomorës. Dhe vite më vonë kur kjo komedi rierdhi në skenë, Roland
Trebicka do të ishte Nikollaq Opingari që i thosh të shoqes:
-Jeta është aritmetikë Olimbi. Posi.
Por
shumë pak mund ta mbajnë mend për interpretimet e tij të shkëlqyera si sër
Endriu Egyç në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit, ngjitur në skenë në
vitin 1982, dhe në rolin e Janit tek drama “Përballë vetes” e Ruzhdi Pulahës,
interpretuar në vitin 1984.
Padyshim,
një rol fort simpatik i interpretuar mjaft mirë prej tij ka qenë dhe avokati
amerikan, zotin Piterson, që në fakt ishte Petro mavria nga Shqipëria, por që
për shkak të famës si avokat i talentuar i vinin propozime nga më të çuditshmet
për martesë.
-Xhejms dëgjo se ç’thotë: “Jam e bukur si Helena e
Menellaut. Të gjithë më adhurojnë, po unë pa përfillur kandidatët e tjerë për
të lidhur fatin tim me juve pranoj vlim dhe martesë të menjëhershme. Kostanca”.
U mos më arrifsh moj Kostaqe... e që më qenke e bukur si Lenka e Nellës.
E
do të vinin dhe rolet e tjera më pas, si ai i shërbëtorit Dranio tek “Zbutja e
Kryeneçes”.
-Më profondo baba.
Një
rol fantastik është i i taksistit Vënson tek komedia “Të Gjithë me Huqe”.
-Në fillim më shan nënën putanë ti dhe pastaj pa pikë
turpi më kërkon ndjesë. Xhaxhi,,, s’ke parë ndonjë hundëlesh ti. Të ta jap
ndonjë turinjve të të lëshojnë sytë xixa.
Dhe
nëse do të kishte një rol pa kategori, ai padyshim është Lipi tek “8 persona
plus” një personazh banal që vetëm një aktor si ai mund ta ngrinte në art, aq
sa sot të cilësohet si i suksesshëm.
-Neve jemi, lideri i familjes...
Padyshim,
me kaq nuk mund të cekësh të gjitha rolet e një aktori të madh, por gjithsesi me
një kolazh të cunguar i bëhet një homazh sipërfaqësor veprës së tij të thellë.
Roland
Trebicka u lind në 17 janar në vitin 1947 në Korçë. Dhe u nda nga jeta ne
moshën 66-vjeçare pas një sëmundjeje të
rëndë më 6 mars 2013. Për kontributin e tij në skenë, Trebicka është nderuar me
titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe Korça i akordoi titullin
“Nder i qytetit”.
No comments:
Post a Comment