Leonard Veizi
Një herë e një kohë,
kur njerëzia merrte lejen vjetore e shëllohej në diell para detit, u bë e
zakonshme të përsëritej shprehja se as më pak e as më shumë por në shtator rrjeta
e drejtësisë do të kapte një peshk të madh, sepse grepi nuk e mbante dot e
këputej filispanja.
Shtatorët ikën një e
nga një, dhe vetëm shkolla fillonte në këtë muaj të mbarë. Peshkimi nuk ecte
për qamet.
Këto dy vitet e
fundit, fushata e peshkimit është shtyrë për në tetor. Por keni parë ju që
funksionoi e në rrjetë kanë mbetur goxha peshq të mëdhenj. Ndoshta
peshkaqenë... Edhe pse thuhet që në Adriatik nuk para notojnë nga këto lloj
speciesh.
Me këtë rast ndoshta
shpëtojmë dhe nga shprehja e moçme proverbiale se: peshku i madh e ha të
voglin.
Shqipëria është në
një pikë kthese, një periudhë ku drejtësia është bërë temë diskutimi i
vazhdueshëm dhe shpesh i zjarrtë. Reforma në drejtësi, e cila mori hov të madh
disa vite më parë, premtoi një epokë të re të drejtësisë së pavarur dhe të
barabartë për të gjithë qytetarët. Megjithatë, pyetja që sot mbetet pezull në
mendjet e shqiptarëve është: a po funksionon vërtet kjo drejtësi?
Ec e t’i japësh
xhevap kësaj pyetjeje “Një” milion dollarëshe.
Në rrënjën e kësaj
pyetjeje qëndron perceptimi publik, i ndërtuar ndër vite mbi një sistem të
lëkundur nga korrupsioni, ndërhyrjet politike dhe mungesa e transparencës. Kjo
trashëgimi e vjetër nuk është thyer me lehtësi. Reformimi i institucioneve si
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK - dhe
Gjykata Kushtetuese pati qëllim të largojë influencat politike dhe të krijojë
një drejtësi të lirë nga presionet e jashtme. Mirëpo, për një pjesë të
shoqërisë, veprimet konkrete ende duken të mangëta.
-Fshijeni atë parrullë,
mos shkruani budallallëqe: Plani dyvjeçar do sjellë begatinë. Eh, sa djersë
duhet derdhur që të vijë begatia.
Kanë kaluar 34 vite
që Shqipëria po përpiqet të ndërtojë një sistem drejtësie që i ngjan diçkaje të
drejtë. Megjithatë, për këta 34 vite, ka pasur një shpërfillje kolektive ndaj
drejtësisë, si një restorant ku të ftuarit hanin e pinin pa e vrarë mendjen për
faturën. Dhe, kur më në fund fatura erdhi, si çdo shqiptar me ‘kurajo’
financiare, kushdo që kishte tepruar nuk e kishte me mendjen të paguante.
Hajde simbolikë
hajde. Shqiptarët vdesin të paguajnë... Por jo në këtë lloj restoranti, ama.
Ç’është e vërteta për
më shumë se 30 vite me radhë drejtësia ngjante më shumë me një kalë që shinte
grurin në lëmë.
-Hop, hop si në Evropë.
Hop Salooo... hop Kuqooo...
Por ngjante dhe me
një makinë pa motor që herë-herë duhej të shtyhej nga dikush për të marrë
tatëpjetën. Por a ishte kjo për shkak të infrastrukturës së vjetër ligjore, apo
mos ishte ndonjë marifet për të mbajtur ‘të ngopur’ ata që hanin shumë dhe nuk
paguanin asgjë? Pikëpyetje që ndoshta edhe sot e kësaj dite mbetet ende pa
përgjigje.
Një ndër arsyet
kryesore për skepticizmin që ekzistonte ndaj sistemit të drejtësisë ishte
fenomeni i pandëshkueshmërisë për figura të larta politike apo të biznesit.
Nëse një qytetar i zakonshëm përballet me gjykatën për një shkelje të thjeshtë,
ai e ndjen peshën e ligjit. Por kur bëhet fjalë për krime më të mëdha, si
korrupsioni në nivele të larta, qytetarët shpesh shohin gjyqe të zvarritura, akuza
të tërhequra dhe dënime të papërfillshme. Kjo diferencë në trajtim krijon një
hendek të thellë midis drejtësisë teorike dhe asaj praktike.
Kur në sekuencën e
filmit “Nëntori i Dytë” Luigj Gurakuqi iu kthye mytesarifit të Durrësit me
shprehjen se: Nuk ishin 500 vjet vëllazëri me turqit-osmanë, por 500 vjet
hasha... të jep idenë e një paralelizmi, si të thuash se pasi fituam
Pavarësinë, përveç 50 viteve që kaluam në diktatin komunist, të paktën 30 vite
të jetës i kaluam me zullume pas dajakut, ku ata që ishin më të zotët në luftën
e tregut, e konsideruan “Nënën Shqipëri” si një çanak ku mund të shtroheshe me
lugën në brez. Dhe merr ç’të mundesh.
Mirëpo dhe ahengu me
çingije mbaron një ditë. Ndaj duhet ta dish se pasi ke larë buzët dhe duart, -
si Ponc Pilati, - të vjen dhe fatura. Se nuk beson më njeri tek “duart e
pastra”. Ndaj duhet të paguash.
Por, duhet të
kuptojmë se transformimi i një sistemi kaq të rrënjosur kërkon kohë e vet. Në
të njëjtën kohë, presioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar për reforma të thella
mbetet i lartë. Pyetja se sa do të zgjasë ky tranzicion drejt një sistemi të
vërtetë të drejtësisë mbetet e hapur, por ajo që është e qartë është se
Shqipëria nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në pragun e reformës. Drejtësia
funksionon vetëm kur është e barabartë dhe e lirë për të gjithë, pa dallime për
pushtet, pasuri apo status.
Megjithatë janë 30
vjet zullume. Ndaj dhe fatura është shumë e gjatë.
Në fund të ditës, ky
është një çast për reflektim të thellë. A ka kuptim drejtësia kur ajo shërbehet
vetëm pasi të gjithë janë shqepur së ngrëni dhe darka ka përfunduar? Kjo mbetet
ironia e madhe e drejtësisë në Shqipëri – ajo që gjithmonë vjen vonë, por më në
fund mbërrin me pretendimin se çdo gjë është e ndershme dhe e barabartë.
Sot, në Shqipëri, qytetarët
e shohin drejtësinë ende si një fushë beteje midis të shkuarës së errët dhe të
ardhmes që ka dritë në fund të tunelit. Ajo që kërkohet është një drejtësi që
jo vetëm mbështetet mbi ligj, por që gjithashtu ndan drejtësinë me integritet
dhe përgjegjësi. Drejtësia nuk është thjesht një proces ligjor – ajo është një
kontratë morale me shoqërinë. Dhe Shqipëria ende po përpiqet të gjejë çelësin e
saj.
No comments:
Post a Comment