Sunday, December 29, 2024

“Eiffel”, ikona gjermane e arkitekturës franceze


Gustav Eifel mbreti i hekurit në “Belle Époque”
 

Nga Leonard Veizi
 
Nuk ka asnjë çudi që në gjithë botën shumë vepra inxhinierike e sidomos ato arkitektonike, të mbajnë emrat e konstruktorëve të tyre. Nju Jorkun amerikan, një pjesë e urave gjigante që hidhen mbi “Hudson Rive” apo “East River”, identifikohen me emrat e projektuesve apo ndërtuesve. Dhe flitet për konstruksione të jashtëzakonshme që ka bërë dora e njeriut. Por gjithsesi, asnjëri prej tyre nuk e ka lartësuar aq shumë emrin e tij sa konstruktori evropian Eifel...
 
...Gustave Eifel, njihet si francez, edhe pse në origjinal emri i tij ishte Alexandre Gustave Bönickhausen, që tregonte se në fakt origjina e tij ishte gjermane.
Referencat e shumta thonë se gjyshi i tij, ishte nga Marmageni gjerman por që në fillim të shekullit të XVIII emigroi në Francë. Marmagen është një fshat tregtar gjerman në Eifel. Ndërsa Eifel është një varg malor i ulët në Gjermaninë perëndimore. Duke e konsideruar mbiemrin e tij shumë të vështirë për t'u shqiptuar nga francezët, paraardhësi i Gustavit vendosi ta ndryshojë atë në "Eiffel", pra duke marrë për mbiemër emrin e maleve nga ku kish lindur dhe kishte origjinën.
Ndërkohë Alexandre Gustave Eiffel u lind më 15 dhjetor 1832 në Dizhon të Francës. Ai ishte ende i regjistruar si “Bönickhausen”, por e ndryshoi mbiemrin e tij përgjithmonë në “Eiffel” në vitin 1880.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se studioi për inxhinieri por në 1855 mori vetëm një diplomë mesatare në fushën e kimisë. Më pas kur nisi një stazh pune në një fabrikë hekuri pranë qytetit të tij të lindjes, Dizhon, zbuloi interesin e tij për këtë material të ri dhe njohu mundësitë e mëdha që gjenden në ndërtesat prej hekuri.
E nëse mund të themi diçka tjetër mbi jetën e tij private mund të përmendim se në vitin 1862, Eifel u martua me francezen Marie Gaudelet, me të cilën pati gjithsej 5 fëmijë 3 vajza dhe 2 djem. Por bashkëshortja e tij u nda shpejt nga jeta dhe ai vetë nuk u martua më.
Gustave Eiffel u cilësua ndryshe dhe si  mbreti i “Belle Époque”. Ai është njeriu që projektoi monumentin simbolik të Parisit dhe madhështisë franceze, "Tour Eiffel".
Eifel e tronditi botën kur në vitin 1889, me rastin e Ekspozitës Universale në Paris ai prezantoi “Kullën” e tij madhështore, një strukturë mega hekuri 324 metra, më e larta e ndërtuar ndonjëherë deri në atë kohë.
E quajtur "Tour Eiffel"  apo në shqip “Kulla Eifel” ajo u ndërtua mes viteve 1887–1889. Kjo i solli konstruktorit të famshëm pseudonimin "magjistari i hekurit" pikërisht në atë që cilësohej si “Epoka e Hekurit”
Megjithatë, kulla ngjalli ndjenja kontradiktore, mes atyre që e konsideronin kryevepër dhe atyre që e urrenin. Fillimisht kulla nuk pati miratimin e plotë të popullatës parisiene dhe në fakt ishte menduar të çmontohej plotësisht pas përfundimit të ekspozitës botërore.
Megjithatë, Eiffel vazhdimisht u përpoq t'i jepte kullës një arsye të re për ekzistencë. Ai kreu eksperimente të panumërta mbi gravitetin e tokës. Më në fund ai ia arriti qëllimit: Kulla Eifel mbeti dhe u bë simboli i kryeqytetit francez gjë që e ndihmoi atë të arrinte famën e përjetshme.
Por jo vetëm Kulla.
Gustave Eiffel ishte ai që projektoi kupolën e lëvizshme të observatorit në Nice si dhe kornizën e Statujës së Lirisë – një skulpturë madhështore të krijuar nga Frédéric Auguste Bartholdi, - e të vendosur në “Liberty Island” në hyrje të Nju Jorkut të cilën qeveria franceze në vitin 1886 ua dhuroi amerikanëve në shenjë miqësie mes dy popujve.
E megjithëse shumica prej nesh e njohin Gustave Eiffelin kryesisht për "kullën e tij", duhet thënë se "Magjistari i Hekurt", krijoi shumë më tepër: veçanërisht ura revolucionare të bëra prej hekuri e çeliku.
Në vitin 1866, në moshën 34-vjeçare, ai kishte themeluar kompaninë e tij dhe realizoi një shumëllojshmëri të gjerë projektesh ndërtimi çeliku. Në vitet që pasuan, ai dhe kompania e tij projektuan dhe ndërtuan ura në të gjithë Evropën, por edhe në Bolivi, Peru dhe Egjipt. Shumica e tyre ishin ura për hekurudhën, pasi triumfi i këtij mjeti transporti ishte në kulmin e tij në këtë moment.
Arritja kurorëzuese e karrierës së ndërtimit të urës së Gustave Eiffel është padyshim ndërtimi i “Viaduktit Garabit”. Kjo urë hekurudhore shtrihet ende në luginën e thellë të Truyère pranë qytetit Saint Flour. Hapësira e urës prej 165 metra, por aq më tepër lartësia mbresëlënëse prej 122 metra, vendosën kërkesa të mëdha për aftësitë e Eifel-it. Pas përfundimit të saj, “Viaduct Garabit” ishte ura më e lartë hekurudhore në botë për 25 vjet! Vetëm në vitin 1909 ajo u tejkalua në lartësi nga “Viaduc des Fades”.
Megjithatë jo çdo gjë shkon mirë. Reputacioni i shkëlqyer i Eifel-it pësoi dy goditje të rënda në fund të shekullit XIX
Gustave Eifel u dënua me dy vjet burg, kur shpërtheu skandali financiar gjatë ndërtimit të Kanalit të Panamasë, ku rreth 510 deputetë u akuzuan për korrupsion. Vendimi u anulua më vonë nga një gjykatë apeli, por reputacioni i patëmetë i Eifel-it pësoi gërvishtjen e parë.
Në të njëjtën kohë me debatin e Panamasë, në Zvicër ndodhi një aksident i rëndë hekurudhor, në fokus të të cilit ishte edhe Gustav Eifel. Në Mönchenstein afër Bazelit më 15 qershor 1891, Ura Birstein që ai ndërtoi u shemb nën një tren, ku mbetën të vdekur të paktën 80 njerëz. Deri në atë pikë, ishte katastrofa më e madhe e dokumentuar e hekurudhave dhe urave në botë dhe efekti mbi Eifelin tashmë të goditur ishte përkatësisht shkatërrues.
Për të zbuluar shkakun e kësaj katastrofe, u krijua një komision i rangut të lartë. Komisioni doli në përfundimin se nuk ishin gabimet e projektimit që çuan në aksident, por materiali inferior. Megjithëse ky vendim e shfajësoi kryesisht Eifelin, ai i mori këto dy ngjarje si një mundësi për t'i dhënë fund të gjitha aktiviteteve të tij sipërmarrëse.
Prej asaj kohe ai punoi ekskluzivisht në mënyrë shkencore deri në vdekjen e tij.
Gustave Eifel vdiq në Paris më 27 dhjetor 1923, në moshën 91-vjeçare. 


 

Wednesday, December 25, 2024

Ndalimi i TikTok-ut apo "Të marrësh masa të kota"


Nga 
Leonard Veizi
 
“Të marrësh masa të kota” është një komedi e shkruar nga dramaturgu francez Pier Bomarshe por që nga publiku njihet gjerësisht si “Berberi i Seviljes”.
“Të marrësh masa të kota” duket si komedi e qeverisë për të ndaluar TikTokun kinez në hapësirën e shtetit shqiptar.
Njerëzia u trondit. Se ka shumë që e kanë lidhur jetën me TikTok-un. Bëj qyfyre, hidh në TikTok, merr viusa pa mbarim, e bëj para pa mundim.
Por shteti e kap lepurin me qerre e t’i vë këmbët në një këpucë. Se dikush duhet të paguajë për adoleshentët që po vriten nëpër oborre shkollash e pas oborreve.
Demek, u gjet armiku.
Në këtë mënyrë TikTok merr faturën e gjithë problematikave që kanë shfaqur nxënësit, të cilët prej kohësh të armatosur me thika nëpër çanta librash, po bëjnë thagma duke ia ngulur njëri-tjetrit.
Po përse “Të marrësh masa të kota?”
“Të marrësh masa të kota” është veç titulli i dytë i komedisë së famshme, “Berberi i Seviljes” të cilën ç'është e vërteta e përdora që në krye të herës. Që do të thotë se mbyllja e TitTok-ut si masë paraprake nuk i jep zgjidhje problemit. Për të mos thënë që as nuk ndikon fare.
Si tha Fotaqi, nënprefekti debil i Lushnjes, Nuri Beut i cili në rininë e tij i kishte ngrënë tëmën me gjithë hanëmet Dalip Beut: Mbretëria po lulëzon, e ç'punë të prish ty një këngëtare, qoftë dhe e bija e Panos? Jemi qeveri e fortë tani, merr vesht. Ti e di më mirë se unë.
Por Jaho Labi, si personazh kinemaje shkoi edhe më kur iu kthye buzëqumështit Shpëtim që donte të pinte raki me eks por që i doli nga hundët: Më ngadalë kulufi i xha Jahos. Do hosten bualli, jo pickima pleshti.
TikTok-u do mbyllet dhe sherret do zbehen. Kështu pretendohet të paktën. Por ekspertët nuk janë të këtij mendimi pasi ata mbrojnë tezën që: një platformë mbyllet por tre të tjera do të hapen. Dhe adoleshentët do të vazhdojnë të mbajnë thika në çantat e shkollës duke kërcënuar njëri-tjetrin me vdekje.
-“Një bie mijëra ngrihen”, - ishte slogani gjatë Luftës Nacionalçlirimtare të cilën Partia e Punës e përdori edhe gjatë ndërtimit socialist të vendit ku binin dëshmorë dhe në frontin e ndërtimit. Platformat gëlojnë në internet dhe sebepi i sherrit nëse nuk zhvillohet në TikTok do të zhvillohet ku të mund. Limite nuk ka dhe mundësia e kufizimit është gati në zero të mundësisë së saj.
Veç kësaj, mbyllja e TitTok-ut në territorin shqiptar, ka vlerë vetëm për një vit. Edhe stazhi i partisë një herë e një kohë ishte 3 vite punë në frontin më të vështirë. Dënimi që po i jep qeveria shqiptare TikTok-ut nuk është më shumë se 12 muaj. Punë korrektonjëse, demek.
Ky është vendimi i prindërve shqiptarë, - u justifikua kryeministri.
-Uuuuuu.... ç’na the?! E kush i ka pyetur prindërit deri tani?
Por, nëse do të më pyesnin mua personalisht, unë do të isha më radikal në qëndrimin tim, edhe pse e di që një mendim të tillë nuk e merr parasysh njeri, jo vetëm për shkak të radikalizmit. Sepse unë do të isha për mbylljen dhe mosfunksionimin e krejt internetit. Apo thënë ndryshe për një "black out” total në këtë drejtim. Vetëm kështu nxënësit e studentët do t’u drejtohen bibliotekave, në vend që t’i marrin të gatshme gjërat me një klikim. Sepse kështu po rrisim një brez dembelhanesh që do ta kenë mendjen te droga e alkooli, përderisa detyrat e shtëpisë ua bën "AI" dhe "ChatGpt".
E di që hyj tek zërat i cili nuk merret parasysh, dhe platformat e mohuara do gëlojnë e teknologjia do të vazhdojë tendencën agresive për ta kthyer njeriun në qenie pa mendim. Zërat që kundërshtojnë rrymën e kohës shpesh duken të pashpresë në fillim, por në të vërtetë janë thelbësorë për të ruajtur balancën dhe për të kujtuar vlerat e humbura. Po, teknologjia është bërë një fuqi e pandalshme që jo vetëm që po ndryshon sjelljen e njerëzve, por po i largon nga mendimi i thellë dhe reflektimi.
Por pikërisht për këtë arsye, ata që flasin ndryshe nuk janë të padobishëm. Zërat kundër janë si një pasqyrë që i kujton shoqërisë se nuk mund të humbasë rrënjët. Nuk është e lehtë të kërkosh kthimin te mendimi kur bota tërhiqet nga shkëlqimi sipërfaqësor i ekranit, por duhet.
Një ditë, kur pasojat e kësaj rryme do të ndihen më thellë, këto zëra do të duken të parashikueshëm dhe të domosdoshëm. Njerëzit mund të vonohen në kthim te mendimi kritik, por historia ka treguar se çdo epokë ka pasur rezistencën e vet, dhe kjo rezistencë është ajo që mban shpresën gjallë. Ndaj mos u ndalni! Një mendim i fortë, edhe kur mbetet i vetmuar, ka forcën të ndryshojë botën në heshtje.
Në një kohë kur teknologjia ka përfshirë çdo aspekt të jetës sonë, arsimi dhe kultura po përballen me sfida të jashtëzakonshme. Nxënësit dhe studentët, që dikur e gjenin pasionin dhe edukimin në bibliotekat e mbushura me libra, sot po kalojnë orë të tëra duke lëvizur gishtin në ekranet e telefonave. Në qendër të kësaj përmbysjeje qëndron jo vetëm TikTok, por edhe një mori platformash të tjera që kanë kthyer përmbajtjen në një "fast-food" kulturor.
Të kemi parasysh, se falë këtyre platformave ku gëlojnë gjithfarë plehërllëqesh, ne sot kemi një gjeneratë e cila as di të shkruajë shqip, as do të lexojë shqip dhe as di të komunikojë shqip.
Në këtë mënyrë platformat aq shumë të përfolura për argëtim dhe shpejtësi komunikimi kanë arritur një qëllim që ka të bëjë me uljen e ndjeshmërisë së njeriut dhe shkatërrimin e gjuhës dhe kulturës tonë?
Në këto platforma, përmbajtja reduktohet në video disa sekondëshe, që shpesh promovojnë mediokritet dhe argëtim të shfrenuar. Ky konsum masiv i materialeve të cekëta ka pasojat e veta: një gjeneratë që nuk di të flasë me koherencë, nuk di të shkruajë në gjuhën e vet dhe nuk e kupton vlerën e dijeve të thella. Kjo është më shumë se një krizë teknologjike – është një krizë kulturore.
Bibliotekat kanë qenë gjithmonë vendi ku ndërtohej mendimi kritik, ku shkrimi dhe leximi shqip përforcoheshin, dhe ku brezat përvetësonin kulturën e tyre. Sot, këto hapësira janë boshatisur, ndërsa ekranet e telefonave janë bërë miku më i ngushtë i të rinjve.
A është koha të rikthehemi tek këto institucione jetike?
Mendoj se po.
Nuk bëhet fjalë vetëm për TikTok, por për çdo platformë që e zhvendos vëmendjen e të rinjve nga edukimi i mirëfilltë. Duhet vendosur një kontroll strikt mbi qasjen që kanë të miturit në këto aplikacione.
Për çdo minutë të shpenzuar në një platformë sociale, duhet të ketë një minutë të kaluar me libra. Fushata kombëtare për të rikthyer leximin janë të domosdoshme.
Nuk duhet të jemi kundër teknologjisë, por duhet të dimë ta përdorim atë për përfitime reale. Një mësim i detyrueshëm për përdorimin etik të internetit dhe rëndësinë e kulturës së leximit do të ishte një hap i madh përpara.
Shteti duhet të subvencionojë botimet shqip dhe të investojë në pasurimin e bibliotekave publike dhe shkollore. Përndryshe rrezikojmë të humbasim jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë kritike dhe për të ndërtuar një të ardhme të shëndoshë. Nëse nuk ndërhyjmë tani, një gjeneratë e tërë do të përfundojë duke qenë vetëm një reflektim i cekët i ekraneve që konsumojnë. Le të rikthejmë vëmendjen te bibliotekat, te librat, dhe mbi të gjitha, te përkushtimi për një kulturë të thellë dhe kuptimplotë.

Tuesday, December 24, 2024

STG-44 gjerman apo AK-47 sovjetik, lufta për të prodhuar armën efektive të këmbësorisë


 
 
Nga 
Leonard Veizi
 
Edhe sot e kësaj dite nuk dihet mirë se si avancoi modeli i pushkës automatike AK-47. Por ajo prej vitesh tanimë ka marrë qytetarinë me emrin aq të përfolur “Kallashnikov”. Ky model ka fituar famë botërore si një nga armët më të njohura dhe më të përdorura në histori. Dhe specialistët mendojnë se është arma më efektive në botë.  Ndërkohë që u cilësua e thjeshtë  dhe e lirë për t'u prodhuar, si dhe e besueshme për t'u mirëmbajtur në terren.
Por a u projektua kjo armë vdekjeprurëse nga inxhinieri sovjetik Mikhail Kalashnikov? Pikëpyetjet janë të shumta...  
 
...Dizajni dhe funksionaliteti i AK – 47 ka ngjashmëri të dukshme me StG-44, një armë automatike gjermane të Luftës së Dytë Botërore, e cila shpesh konsiderohet si pararendëse e armëve moderne automatike.
StG 44 - që është shkurtim i “Sturmgewehr 44”, apo "pushkë sulmi 44" - është një pushkë sulmi gjermane e zhvilluar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Hugo Schmeisser dhe u përdor për herë të parë në Frontin Lindor në vitin 1944 nga trupat e Vermahtit.
Disa ekspertë theksojnë ngjashmërinë e StG-44 dhe AK-47, dhe përmendin gjithashtu faktin se Schmeisser - së bashku me një grup inxhinierësh gjermanë - u detyrua të punonte në Bashkimin Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore.
 
Gjermanët
STG 44 - Sturmgewehr 44, - e konsideruar si arma e parë automatike e vërtetë, kombinonte një selektor zjarri që lejonte përdoruesin të zgjedhë midis zjarrit të plotë dhe atij të pjesshëm, një tipar që ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e AK-47. StG-44 ishte revolucionare për kohën e saj dhe u përdor gjerësisht nga forcat gjermane në fazat e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Pasi Sovjetikët kapën armët dhe planet e saj, ata morën elementet kyçe të dizajnit dhe i adaptuan ato në zhvillimin e AK-47.
Më 3 prill 1945, trupat amerikane filluan të pushtojnë qytetin gjerman Suhl. Prodhimi i armëve ishte plotësisht i ndaluar gjatë kësaj kohe. Hugo Schmeisser dhe vëllai i tij Hans u morën në pyetje për javë të tëra nga ekipet e ekspertëve të armëve të shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike. Në fund të qershorit 1945, trupat amerikane evakuuan Suhl-in dhe gjithë rajonin e Turinginës. Një muaj më vonë, Ushtria e Kuqe mori kontrollin mbi këtë zonë, duke filluar një projekt të punimeve civile për të prodhuar armë për Bashkimin Sovjetik. Deri në gusht 1945, Ushtria e Kuqe kishte krijuar 50 StG 44 nga pjesët ekzistuese të montimit dhe kishte filluar inspektimin e dizajnit të tyre. 10.785 fletë me dizajnë teknike u konfiskuan nga sovjetikët si pjesë e kërkimit të tyre. Në tetor 1945, Schmeisser u detyrua të punonte për Ushtrinë e Kuqe dhe u udhëzua të vazhdonte zhvillimin e armëve të reja.
 
Sovjetikët
Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik kërkonte të zhvillonte një armë që do të mund të përdorej gjerësisht nga forcat e tij ushtarake, duke kombinuar fuqinë zjarrit të një pushke me lehtësinë e përdorimit të një arme automatike. Në këtë kontekst, inxhinierët sovjetikë u ndikuan nga armët ekzistuese, dhe StG-44, e zhvilluar nga Gjermania naziste, shërbeu si një burim frymëzimi.
Por zhvilluar në një fshehtësisë së jashtëzakonshme staliniste, ndoshta e vërteta e projektimit AK 47 nuk do te merret vesh kurrë. Shumë njerëz mund të kenë pasur inpute kritike në dizajnin e armës, por ajo tanimë mban emrin Kallashnikov me të cilën do të njihet gjithmonë.
 
Kallashnikovi
Po a ishte Kallashnikov një “monument” i Rusisë sovjetike? Nëse e ka projektuar tërësish vet armën e re padyshim. Por kjo vihet në pikëpyetje?
Sipas disa mediave të besueshme vetë Mikhail Kallashnikov ka deklaruar se ideja e tij u mbështet mbi  “M1 Garand” që ishte një prodhim amerikan dhe që ndikoi në hartimin e AK-47.
Kalashnikov mbante gradën e gjeneral lejtnantit por ishte dhe inxhinier ushtarak. Në vitet e fundit të jetës shprehu keqardhje dhe dhimbje për shpërndarjen e pakontrolluar të armëve, ai u mburr me shpikjet e tij dhe reputacionin e tyre ndërkombëtar, duke theksuar se Kallashnikovi i tij është një “armë mbrojtëse” dhe “jo sulmuese”.
Arma pati probleme me prototipet e hershme, por në vitin 1947 u përfundua modelin “Avtomat Kalashnikova 1947”, emri u shkurtua shpejt në “AK-47”. Pushka e re u miratua nga ushtria sovjetike në vitin 1949 dhe Mikhail Kalashnikov u nderua me Çmimin Stalin të Klasit të Parë.
Më 23 dhjetor 2013, pas një sëmundje të gjatë, Kalashnikov vdiq në moshën 94 vjeçare. Në janarin e vitit 2014 u botua një letër e tij e shkruar 6 muaj para vdekjes nga drejtuesi i kishës ortodokse ruse, Patriarku Kiril, dhe e përditshmja “Izvestia”. Në atë letër ai deklaroi se po “vuante shpirtërisht” në lidhje me atë nëse ishte përgjegjës për vdekjet e shkaktuara nga armët që krijoi. “Unë vazhdoj të bëj të njëjtën pyetje pa përgjigje, nëse pushka ime u ka marrë jetën shumë njerëzve. A mundet që unë… një i krishterë dhe një besimtar ortodoks, të fajësohem për vdekjet e tyre?”.
 
Dy armët
AK-47 dhe STG-44 ndajnë disa ngjashmëri strukturore dhe operacionale. Të dyja janë të njohura për mekanizmin e tyre të thjeshtë dhe të qëndrueshëm të gazit, i cili siguron një performancë të besueshme në kushte të vështira. Gjithashtu, të dyja armët janë të pajisura me magazina me kapacitet të lartë, duke lejuar që ushtarët të mbajnë zjarre të gjata pa nevojë për të rimbushur.
Megjithatë, AK-47, ndonëse i ngjan STG-44 në shumë aspekte, u zhvillua për të përmbushur kërkesat specifike të forcave sovjetike. AK-47 është më kompakte, më e lehtë për t'u përdorur dhe prodhuar, dhe ka një reputacion të lartë për qëndrueshmëri dhe besueshmëri në mjedise të ndryshme. Kalashnikovi dhe ekipi i tij bënë përmirësime të rëndësishme në dizajnin e STG-44 për të prodhuar një armë që ishte e përshtatshme për strategjinë ushtarake sovjetike dhe terrenet e vështira ku ajo do të përdorej.
 
Konkluzioni
Specialistë të shumtë janë të mendimit se ndikimi i STG-44 mbi AK-47 është i padiskutueshëm, dhe studimi i të dyjave tregon se si teknologjia e armëve evoluon dhe adaptohet në bazë të nevojave të ndryshme ushtarake. AK-47, duke u mbështetur mbi bazën e fortë të vendosur nga STG-44, ka tejkaluar paraardhësen e saj në përdorim dhe në famë, duke u bërë arma simbol e revolucionit dhe konfliktit në të gjithë botën. Kjo tregon se si zhvillimet teknologjike të një epoke mund të ndikojnë dhe të formësojnë armatimin e gjeneratave të ardhshme.
Në vitin 1949, AK-47 u bë arma standarde e trupave sovjetike të këmbësorisë. Statistikat thonë se deri në vitin 2009, ishin prodhuar përafërsisht mbi 72 milionë kallashnikovë, në nivel global. Por shifra e dytë thotë se kontingjenti i armës AK-47 i ka kapur 100 milion fabrikimet.

 

 

 

Sunday, December 22, 2024

Mehmet Shehu, pikëpyetjet mbi vdekjen e një kryeministri

 

 
Nga Leonard Veizi
 
Ai vazhdon të mbetet kryeministri më jetëgjatë i 112 viteve shtet shqiptar. Drejtoi ekzekutivin me dorë të hekurt për 27 vite me radhë. Pas tij për kohëzgjatje renditet Edi Rama me 12 vjet, Enver Hoxha me 10 vjet. Adil Çarçani 9 vjet, Sali Berisha me 8 vjet, Ameksandër Meksi me 5 vjet, e të tjetër me rradhë...
 
...Mbi shpatullat e tij rëndojnë mëkate të shumta. Ndaj vuajtsit prej tij e cilësojnë si kriminel. Por për shumë të tjerë ai ishte gjeni e largpamës, pasi kishte njohuri të thella në fushën ushtarake, në ekonomi, industri e bujqësi. Njihte të paktën 5 gjuhë të huaja ku anglishtja shkelqente si diamant.
Ndërkohë historia e Shqipërisë në shekullin XX është e mbushur me figura komplekse e kontradiktore, si dhe ngjarje dramatike të cilat kanë lënë gjurmë të thella në fatin e vendit. Ndër ta, Mehmet Shehu, mbetet një figurë që ngjall debat dhe polemika.
Rrallë gjejmë një personalitet aq enigmatik e të debatueshëm sa ai. I njohur si një lider autoritar, por njëkohësisht i aftë dhe energjik, Shehu mishëroi epokën e tij – një kohë ndryshimesh të dhunshme dhe polarizimesh të thella. Mehmet Shehu nuk mund të shihet as si hero dhe as si tiran. Ai ishte një produkt i kohës së tij, një njeri që mishëroi si ambiciet ashtu edhe kufizimet e një sistemi që synonte të transformonte gjithçka, por që shpesh shkatërronte më shumë nga sa ndërtonte.
Kryeministri i regjimit komunist, një ndër personat më të fuqishëm të diktaturës, përfaqëson një periudhë ku autoriteti dhe represioni ishin normë, dhe ku dhuna politike shërbente si garanci për mbijetesën e sistemit.
Ngjarja e 18 dhjetorit 1981, kur Shehu u gjet i vdekur në shtratin e tij të dhomës së gjumit, zyrtarisht u raportua si vetëvrasje. Megjithatë, rrethanat e vdekjes, klima politike e kohës dhe roli i tij në regjimin komunist kanë nxitur dyshime të shumta. Ndaj kjo vdekje u bë një nga ngjarjet më misterioze e të debatueshme në historinë moderne shqiptare, dhe rreth saj janë ngritur disa teori konspirative. U vra apo e vranë  do të vazhdojë të mbetet një mister. Që u largua nga skena e politikës, ky është një fakt.
 
Fillimet
Mehmet Shehu u formua si ushtarak, duke pasur një karrierë të hershme në lëvizjen antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. I lindur më vitin 1913 në Çorrush të Mallakastës, u përfshi herët në lëvizjet politike. Studimet e tij për ushtarak në Itali dhe pjesëmarrja në Luftën Civile Spanjolle si pjesë e Brigadave Ndërkombëtare, - ku drejtori batanionin IV të brigadës XII ndërkombëtare e quajtur “Garibaldi”, - treguan përkushtimin e tij ndaj ideologjisë së majtë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shqua si një prej ushtarakëve më të spikatur të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Ishte komandant i Brigadës së I Sulmuese, e më pas i Divizioni të Parë.
I shkolluar në akademi ushtarake italiane dhe sovjetike, ai solli në Shqipëri një disiplinë të hekurt dhe një botëkuptim të papajtueshëm me kundërshtarët. Pas luftës, aftësitë e tij si organizator dhe vendosmëria e bënë atë një figurë qendrore në strukturat e shtetit komunist.
 
Pozicionet
Mehmet Shehu mori poste të larta gjatë rregjimit komunist si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ministër i Brendshëm, i Mbrojtjes. Emërimi i tij si kryeministër i Republikës Popullore të Shqipërisë më 1954 vulosi rolin e tij si një nga arkitektët kryesorë të regjimit.
Shehu shihej si një njeri i vendosur dhe i pamëshirshëm, i cili e përdorte fuqinë me efikasitet, por shpesh edhe me ashpërsi të skajshme. Ai ishte një nga zbatuesit kryesorë të kolektivizimit të bujqësisë dhe industrializimit të vendit, procese që transformuan ekonominë shqiptare, por që lanë pas varfëri dhe represion. Politikat e tij ishin të ashpra, shpeshherë të papajtueshme me nevojat reale të popullsisë, dhe zbatimi i tyre shoqërohej nga një kontroll i hekurt mbi jetën politike dhe shoqërore. Ai konsiderohej krahu i fortë i Enver Hoxhës, duke ndjekur një linjë të prerë kundër "armiqve të brendshëm" dhe "devijimeve ideologjike".
Shehu është i njohur për stilin e tij të drejtimit: i prerë, autoritar dhe shpeshherë brutal. Ai nuk toleronte kompromiset dhe ishte i famshëm për tonin e tij kërcënues në mbledhje dhe raportime. Në një regjim ku devotshmëria ndaj partisë dhe udhëheqësit ishte kusht për mbijetesë, Shehu ishte simbol i një ashpërsie që përkonte me vetë natyrën e sistemit totalitar.
Politikat e tij ekonomike dhe shoqërore përforcuan izolimin e vendit. Me një angazhim të plotë për kolektivizimin, industrializimin dhe luftën kundër "armikut të brendshëm," ai mbeti një ideolog i bindur, pavarësisht nga dështimet e dukshme që këto politika prodhuan për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Ashpërsia e tij nuk kurseu as bashkëpunëtorët më të ngushtë. Përplasjet mes Shehut dhe Enver Hoxhës ishin të njohura, ndonëse për një kohë të gjatë ato mbetën nën sipërfaqe. Në fund të viteve ’70, kur regjimi përballej me kriza të brendshme dhe të jashtme, tensionet u intensifikuan. Shehu nisi të shfaqej si një figurë gjithnjë e më e izoluar.
 
Rënia
Fundi i Mehmet Shehut është një nga episodet më enigmatike të historisë së Shqipërisë. Në dhjetor 1981, ai u gjet i vdekur në rrethana të dyshimta, duke e zhytur vendin në një krizë të thellë politike. Versioni zyrtar i kohës e cilësonte si vetëvrasje, por spekulimet për një eliminim politik nuk munguan kurrë. Shumë historianë argumentojnë se Mehmet Shehu u bë viktimë e një lufte për pushtet brenda regjimit, një viktimë e makinerisë që ai vetë kishte ndihmuar të krijonte.
Mehmet Shehu mbetet një figurë që ndan opinionet. Për disa, ai ishte një strateg i aftë dhe një menaxher i zoti, që kontribuoi në modernizimin e Shqipërisë. Për të tjerë, ai ishte simboli i një regjimi të ashpër dhe represiv, përgjegjës për vuajtjet e mijëra qytetarëve.
Ajo që mbetet e padiskutueshme është se Shehu ishte një figurë e fuqishme, një aktor kyç në një nga periudhat më dramatike të historisë shqiptare. Jeta dhe vdekja e tij ilustrojnë kompleksitetin dhe kontradiktat e një epoke që ende formëson kujtesën kombëtare të shqiptarëve.
 
Konspiracionet
E folur gjërësisht është se eliminim ishte i orkestruar nga Enver Hoxha dhe aparati i tij i sigurisë. Kjo teori sugjeron se vdekja e Mehmet Shehut nuk ishte vetëvrasje, por një vrasje e planifikuar. Pretendohet se Hoxha e pa Shehun si një kërcënim për pushtetin e tij absolut, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin e madh të Shehut dhe pozicionin e tij në shtet.
Përkrahësit e kësaj teorie argumentojnë se akuzat ndaj Shehut si "tradhtar" dhe "agjent i shumëfishtë" ishin një justifikim i krijuar për të legjitimuar eliminimin e tij pas vdekjes.
Në favor të kësaj teorie është edhe fakti që pas vdekjes së Shehut, familja e tij u persekutua ashpër, duke u trajtuar si "armiq të popullit."
Një tjetër teori sugjeron se Mehmet Shehu mund të jetë eliminuar nga shërbime të huaja të inteligjencës, si CIA, KGB ose agjentura të tjera, për shkak të rolit të tij kyç në regjimin komunist. Kjo teori lidhet me akuzat pas vdekjes së tij, ku ai u cilësua si agjent i disa shërbimeve të huaja. Sipas kësaj hipoteze, ai mund të jetë parë si një figurë e papërshtatshme për interesat e këtyre shërbimeve.
 
Vetëvrasja
Zyrtarisht, Shehu u vetëvra pas një mbledhjeje tensionuese në Byronë Politike, ku u kritikua ashpër për martesën e djalit të tij me një vajzë nga një familje me biografi "armike." Sipas kësaj teorie, ai e ndjeu veten të izoluar, të tradhtuar dhe pa rrugëdalje, duke e çuar në aktin fatal. Dyshimet mbi këtë teori qëndrojnë në mungesën e një hetimi transparent dhe në faktin se një figurë aq e fuqishme sa Shehu do të ishte i ndërgjegjshëm për pasojat e vetëvrasjes në raport me familjen e tij dhe trashëgiminë politike.
Disa analistë besojnë se Shehu ishte viktimë e përplasjeve të brendshme për pushtet brenda regjimit komunist. Në këtë skenar, ai mund të jetë eliminuar nga një fraksion rival që kërkonte të dobësonte pozitën e tij dhe të forconte kontrollin e Hoxhës.
 
Arrestimet
Nga 21 të arrestuarit pas vdekjes së Mehmet Shehut, ata që kishin edhe pozitën më të lartë partiake e shtetërore nuk i shpëtuan ndëshkimit. Kështu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Llambi Peçini u pushkatuan. Me gjithë Fiqret Shehun, bashkëshorten e ish-kryeministrit, që vdiq në burg gjithsej janë 5 të vdekur nga procesi e vitit 1982. Në këtë mënyrë, të gjithë ata që mund të dinin diçka mbi vdekjen enigmatike të kryeminsitrit u eleminuan, duke e bërë edhe më të misterme të gjithë situatën.
Ndërsa teoritë konspirative mbi vdekjen e Mehmet Shehut mbeten të shumta, e vërteta mbetet e mbuluar me një perde misterioze. Zyrtarisht, Shehu u akuzua pas vdekjes si "tradhtar" dhe "agjent i shumëfishtë," akuza që përforcuan imazhin e tij si një figurë enigmatike dhe të dyshimtë.
 
Përfundimi
Mehmet Shehu mbetet një nga figurat më të vështira për t’u vlerësuar në historiografinë shqiptare. Disa e shohin atë si një administrator efektiv dhe një njeri me vizion, ndërsa të tjerë e portretizojnë si një shtypës të pamëshirshëm, pjesë integrale e një regjimi që kufizoi liritë dhe potencialet e kombit. Figura e tij mbetet një ftesë për reflektim mbi mënyrën se si pushteti, ideologjia dhe historia ndërthuren për të formuar fatet e një kombi. Çfarëdo që të ketë ndodhur mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitit 1981, fundi i tij tragjik simbolizon ashpërsinë e brendshme dhe mosbesimin që karakterizonte regjimin komunist, ku as njerëzit më të fuqishëm nuk ishin imunë ndaj goditjeve të sistemit që vetë kishin ndërtuar.

Në ditëlindjen e Stalinit, Tirana vazhdon të përkujtojë “21 Dhjetorin”


Nga 
Leonard Veizi
 
Në një ditë të zakonshme të dimrit në Tiranë, kur ajri është i mbushur me grimca të pamasa ndotjeje dhe aromë kafeje nga baret që e qarkojnë atë, ndodh një ngjarje që e kalon çdo pritshmëri: qytetarët e Tiranës, të pavetëdijshëm për ironinë që ngërthen, nderojnë ditëlindjen e Stalinit.
Ç'është e vërteta statujën e Stalinit e zbritëm nga piedestali dhe e futëm rifuxho në një hangar. Por datëlindjen e diktatorit sovjetik, me origjinë gjeorgjiane, nuk e kemi hequr dot. Ai vazhdon të përdoret masivisht, me një zhargon qytetas të Tiranës duke u përmendur disa mijëra herë çdo ditë si: “Njëzetënjishi”.
Realisht kryqëzimi i ish “21-shit” prej kohësh quhet si ‘Sheshi Ataturk” për të përjetësuar në një vend qendror të Tiranës burrin e madh Mustafa Qemalin, por 21-shi ka mbetur i palëvizshëm. Ndërkohë që ish “Bulevardi Stalin” pas vitit 1990 e mori shumë shpejt qytetarinë si “Bulevardi Zogu i Parë” tek “21-shi” emërtimi ka mbetur po ai i vjetri, që në fakt nuk simbolizonte thjesht kryqëzimin, por bllokun e banimit “21 Dhjetori”.
Pikërisht çdo ditë, një nga kryqëzimet më të ngarkuara të kryeqytetit, ku makinë pas makine ndodh gati një procesion i përditshëm i trafikut që dëmton çdo koncept të durimit qytetar, bëhet pika e “nderimit” për liderin që ka lënë pas një histori të errët të shtypjes dhe autoritarizmit.
“Po shkoj te 21-shi”. “Kam lënë një takim te 21-shi”. “E kam shtëpinë te 21-shi”. Nëse do t’i mbledhësh këto fraza nga eteri, padyshim do të ndjesh që numri “21” do të përsëritet pafundësisht. Sepse alternativa e re nuk e ka gjetur dot shtegun për t’u bërë publike. Madje dhe po të kërkosh në “google maps” në kryqëzimin e "Rrugës së Kavajës" me atë "Muhamet Gjollesha", do gjesh emërtimin “Kryqëzimi 21 Dhjetori”.
E veç këtyre, një kolonë zanore shumëkujt i ka mbetur në kuujtesë zëri i fatorinove të autobuzëve urban që thërrisnin, si dje dhe sot, duke çarë në korridorin ku njerëzit ngjesheshin pas njëri-tjetrit: “Erdhëm te 21-shiiiii, kush ka me zbrit…!”
Ec aty!
Duket se shqiptarët i druhen emrit të Stalinit, por jo ditës së lindjes së tij. Sepse në 21 Dhjetor kanë lidnur edhe shumë burra të tjerë ku ca syresh mbase e meritojnë ta kenë emrin në një rrugë a kryqëzim. Ndërkohë që datën e vërtetë të lindjes së një udhëheqësi politik e ushtarak që nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me Shqipërinë, nuk është se e mban mend kush. Ajo ka mbetur vetëm në kujtesën e gardës së vjetër dhe nostalgjikëve, por nuk gjen terren tek studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit që është aty pranë, e aq më pak të nxënësve të shkollave të mesme e 9-vjeçare që janë pranë kryqëzimit.
Në fakt, përdorimi kaq fort i këtij emërtimi të vjetër e të shkarkuar prej kohësh administrativisht, nuk ka të bëjë me nostalgjinë. Sepse një emërtim edhe më i vjetër si “Zogu i Zi” vazhdon të jetë i njëjti që ka qenë këtu e 100 vite më parë.
Po t’i pyesësh kalimtarët e rastit që kalojnë tek kryqëzimi i njohur i "Rrugës së Kavajës" se çfarë simbolizon data 21 Dhjetor, shumica dërrmuese e tyre as që e kanë idenë. Për ta është një emërtim thjeshtësisht i mbajtur mend. Por fakti është që “21-shi” i përbërë nga dy numra magjikë i bën ata të ndihen krenarë, sepse tek e fundit janë banues aty rreth e rrotull, në një vend që në historinë e Tiranës moderne zë një peshë të rëndësishme.
Kryqëzimi i Tiranës, që ka pranuar nderimin e një figure si Stalini, është gjithashtu një vend ku të gjithë, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, e kalojnë jetën duke shkelur pa pyetur se çfarë përmban emërtimi, i cili në fakt nuk ekziston si i tillë në asnjë cep rrugice.
Çfarë ironie?! Kjo ndodhi është si një çmenduri që vetëm një qytet i ngarkuar me histori të komplikuara si Tirana mund të pranojë, pa ndonjë analizë të thellë.
Ndërsa autobuzat buçasin dhe njerëzit nguten të arrijnë në destinacionet e tyre, një grup qytetarësh pa ndonjë synim të dukshëm, ndoshta të pavetëdijshëm për rëndësinë e momentit, zgjedhin këtë kryqëzim të rëndësishëm.
Kjo ngjarje përbën një paradoks të madh: qytetarët që ndodhen mes një qyteti modern, të ngritur përmes mundimeve të shumë brezave, nuk arrijnë të kuptojnë se ajo që përdorin në përditshmëri është më shumë një kujtesë e errët dhe e zymtë, se sa një datë e lavdishme.
Nëse ka diçka që mund të kuptohet nga ky akt "nderimi", është pikërisht absurditeti i kujtesës. Nderimi i një personazhi që ka shkaktuar kaq shumë probleme për miliona njerëz, tani shndërrohet në një lloj rituali të papërcaktuar qytetar.
Në fund të ditës, qytetarët e Tiranës mund të jenë të pavetëdijshëm se ata po nderojnë ditëlindjen e një diktatori, ndoshta duke menduar që është thjesht një pjesë e qytetit, një çast kalimtar që kalon pa lënë ndonjë pasojë. Dhe kështu, kryqëzimi i Tiranës, një vend që dikur ishte një simbol i lëvizjes dhe lirisë, tani shndërrohet në një vend për të kujtuar një periudhë të errët të historisë, të mbushur me ironinë e një të ardhmeje të paqartë.
E megjithatë, tanimë e në çdo kohë, kryqëzimi i “21-shit” quhet “Ataturk”.

Friday, December 20, 2024

Lundrimi i rrezikshëm me 5G në xhepin e pasmë


Nga 
Leonard Veizi
 
Në shumë telefona android tashmë ka nisur të shfaqet sinjali 5G. Dhe po aq shfaqet dukshëm dhe në rrjetin WI-FI. Ashtu në heshtje. “Urtë e butë e tiganin plot” thotë populli. Populli po duket se ka nisur të mësohet që “5G” t’i dalë para syve e ai të bëjë sikur nuk e shikon. Duket se janë harruar protestat që rrjeti 5G të mos vihej në funksionim. Protesta të cilat në disa vende të zhvilluara si Britania apo Zvicra përfunduan me përleshje të dhunshme, prishje e djegie antenash. Por protesta ka pasur edhe në Shqipëri edhe pse jo në standardet e duhura. Ndërkohë 5G po na bëhet bashkudhëtari ynë që e mbajmë në xhepin e pasmë.
Mjafton të jesh i vëmendshëm e të shohësh se çdo ditë sharrohen trotuaret për të vendosur kabllot e sigurta të fibrave optike, që do të mundësojnë rrjetin 5G. Dhe po ecin me ritëm, sepse shpejt duhet kompletuar. Një reklamë ku evidentohen të mirat që do të sjellë ky zhvillim teknologjik qarkullon gjithashtu nëpër ekrane.
Kësaj i thonë që, ti “e nxjerr nga dera, por ai të futet nga dritarja”. Sepse sinjali 5G ka pesë vjet që qëndron pas dere e pret të hapet dritarja. Dhe me sa duket ajo është hapur. Ndërsa njerëzit bëjnë sikur ai nuk ekziston edhe pse 5 vite më parë ishin të trembur për vdekje nga një numër dhe një shkronjë që formojnë “5G”.
Po çfarë sjell 5G në jetët tona?
I referohem materialeve të shumta që gëlojnë në internet, ku mundohem të përzgjedh atë çfarë më duket më serioze apo ndoshta më afër realitetit. Sepse edhe në realitet, shkencëtarë e specialistë të ndryshëm të fushës mbajnë qëndrime të ndryshme pro e kundër.
Teknologjia 5G, si gjenerata e pestë e rrjeteve të komunikimit celular, ka premtuar përfitime të jashtëzakonshme në shpejtësinë e internetit, lidhjet më të qëndrueshme dhe kapacitetin për të mbështetur miliarda pajisje të ndërlidhura. Por përtej përparësive, 5G ka ndezur gjithashtu diskutime mbi rreziqet e mundshme që lidhen me ndikimin e tij në shëndet, siguri dhe ambient.
Sistemi 5G është futur edhe në Shqipëri, duke premtuar përmirësime të ndjeshme në cilësinë dhe shpejtësinë e komunikimit. Operatori kryesor i telekomunikacionit ka nisur instalimin e rrjetit 5G, duke synuar të ofrojë një infrastrukturë të ngjashme me atë të vendeve të zhvilluara.
Megjithatë, si kudo në botë, edhe në Shqipëri 5G është pritur me përzierje entuziazmi dhe skepticizmi. Në shumë komunitete ka pasur dyshime mbi ndikimin e antenave 5G, të ngjashme me shqetësimet globale.
Një nga shqetësimet kryesore që lidhet me 5G është përdorimi i frekuencave më të larta të valëve elektromagnetike, të njohura si valët milimetrike. Këto valë, ndonëse nuk janë jonizuese (pra nuk dëmtojnë drejtpërdrejt ADN-në), janë të reja në përdorim masiv, dhe ndikimi i tyre afatgjatë mbetet i paqartë. Studime të kufizuara kanë sugjeruar lidhje të mundshme mes ekspozimit të zgjatur ndaj rrezatimeve elektromagnetike dhe efekteve si: Rritje të temperaturës së indeve trupore. Probleme me gjumin dhe sistemin nervor. Rritje të rrezikut për kancer, edhe pse këto lidhje mbeten të debatueshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe autoritete të tjera po vazhdojnë të analizojnë të dhënat për të përcaktuar rreziqet reale.
Ndërsa përparimet e 5G premtojnë një botë më të lidhur, ato sjellin gjithashtu sfida dhe rreziqe që kërkojnë vëmendje serioze. Është e rëndësishme të zhvillohen politika të kujdesshme për të balancuar përfitimet teknologjike me mbrojtjen e shëndetit, privatësisë dhe ambientit. Debati mbi 5G nuk duhet të shihet si një pengesë për inovacionin, por si një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme.
Në Shqipëri, diskutimet rreth sigurisë dhe ndikimit të teknologjisë janë ende të kufizuara, duke lënë hapësirë për keqinformim dhe teori konspirative.
Teoritë e konspiracionit lidhur me rrjetin 5G kanë tërhequr vëmendje të madhe në mbarë botën dhe janë përhapur shpejt, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19. Këto teori bazohen kryesisht në frikë dhe keqkuptime rreth teknologjisë dhe ndikimit të saj të mundshëm.
Një nga teoritë më të përhapura pretendon se 5G ka ndihmuar në përhapjen e COVID-19. Sipas kësaj teorie: Valët elektromagnetike të 5G dobësojnë sistemin imunitar, duke e bërë njerëzit më të prekshëm ndaj viruseve.
Por një sërë specialistësh thonë se realisht nuk ka prova shkencore që rrjetet 5G ndikojnë në funksionimin e sistemit imunitar. COVID-19 është një sëmundje virale që përhapet përmes kontaktit fizik dhe ajrit, jo përmes valëve elektromagnetike.
Disa pretendojnë se 5G mund të përdoret për manipulimin e mendjes dhe kontrollin masiv të popullsisë. Frekuencat e larta të përdorura nga rrjeti 5G mund të ndikojnë në emocionet dhe mendimet e njerëzve.
Por përsëri ka kundërshti. Sepse gjithashtu specialistë të tjerë pretendojnë se nuk ka asnjë provë që mbështet këtë teori. Frekuencat e 5G janë të ngjashme me ato të përdorura në teknologji të tjera, si Wi-Fi, pa efekte të dokumentuara në sjelljen njerëzore.
Një tjetër teori e përhapur është se 5G rrezaton energji të dëmshme që mund të shkaktojë sëmundje të rënda, përfshirë kancerin. Një tjetër pretendim është se valët e 5G janë përgjegjëse për zhdukjen e zogjve dhe insekteve në disa zona.
Por thuhet gjithashtu se rrezatimi i 5G është jo-jonizues dhe nuk ka energji të mjaftueshme për të dëmtuar ADN-në ose për të shkaktuar kancer. Organizata të shëndetësisë, si OBSH, kanë theksuar se 5G është i sigurt brenda standardeve të përcaktuara.
Kë të besosh???
Teknologjitë e reja shpesh ngjallin pasiguri. Shumë njerëz dyshojnë tek qeveritë dhe korporatat, duke u bërë më të hapur ndaj teorive të tilla. Edhe pse këto teori kanë marrë përmasa globale, ato nuk mbështeten nga provat shkencore. Megjithatë, frika dhe shqetësimet që ato shprehin duhet të adresohen me informim dhe transparencë, për të ndihmuar qytetarët.

Friday, December 13, 2024

“Dispara” filmi që flet për hakmarrjen si pasojë e dhunës




Nga Leonard Veizi
 
Çizme ushtarake, trupa të veshur me jelek antiplumb, automatikë të vegjël në gjoks të gatshëm për t’u shkrehur dhe skafandra në kokë. Më tej, një femër me fytyrë të dhunuar e gjakosur, mbi kokën e të cilës qan një djalë i ri. Dhe  për më tej dy gishta që matin pulsin e saj ku menjëherë të krijohet bindja se ajo sapo ka dhënë frymën e fundit dhe gjakun e ka ende të ngrohtë. Në sfond dëgjohet kënga “Sinno me moro” apo “Ndryshe vdes” e vitit 1959 kompozuar nga Karlo Rustileli dhe interpretuar nga Alida Keli. Ky është epilogu i një prej realizimeve më traumatike dhe më të dhimbshme në kinemanë evropiane...
 
 ..."¡Dispara!", i ardhur në shqip si “Gjuaj”, është një prodhim prej 108 minutash i vitit 1993, i njohur në anglisht si "Outrage". Filmi është një dramë spanjolle me regji të Karlos Saura, dhe me skenar të Enzo Monteleone në bashkëpunim me Karlos Saura. Ai trajton tema si hakmarrja, dhuna dhe drejtësia vetiake. Me interpretimet e fuqishme të aktores italiane Françeska Neri dhe të spanjollit Antonio Banderas, filmi është një përzierje e ndjeshmërisë emocionale dhe reflektimeve sociale mbi dhunën dhe përgjegjësinë morale.
 
Ngjarja
Filmi përqendrohet te Ana – e cila interpretohet nga Françeska Neri, - një grua e fortë dhe e pavarur që punon si kërcimtare cirku dhe mjeshtre me armët e zjarrit.
Markos, një reporter i ri, shkon në një cirk për të shkruar një pjesë suplementin e fundjavës. Teksa largohej, akti i radhës është gati të nisë. Një grua hipur në kalë përfundon me gjuajtjen e tullumbaceve ndërsa është në lëvizje. Markos kthehet për ta intervistuar. Ajo e fton për darkë. Ata kërcejnë, dhe më pas kalojnë natën së bashku. Markos bie në dashuri me vajzën e bukur të cirkut. Ai i premton se do ta ndjekë atë në shfaqet që cirku do japi nëpër Evropë. Por shpejti, Markosit i duhet të largohet për të mbuluar një koncert në Barcelonë.
Fati ndërhyn kur tre mekanikë të rinj vijnë për të riparuar pajisjet e cirkut dhe pronari u jep atyre bileta falas për shfaqjen. Treshja shikon Anën të performojë. Pas shfaqjes, ata e ndjekin Anën në kabinën e saj dhe e përdhunojnë brutalisht. Edhe pse është lënduar rëndë, Ana vendos të hakmerret. E mavijosur, e gjakosur dhe e poshtëruar ajo merr pushkën e saj dhe shkon për t'i vrarë. E gjen lehtësisht dyqanin e servizit ku punojnë. Ajo i vret të tre djemtë dhe largohet pa u identifikuar qartë. Ana, e cila ka gjakderdhje të rëndë, duhet të vizitohet te një mjeke. Pas vizitës ajo u tregon autoriteteve se ajo është përdhunuar. Policia fillimisht nuk ka asnjë të dhënë për autorin e vrasjes së trefishtë, por pas intervistimit të mjekes nisin të dyshojë për Anën.
Ana ndalohet në autostradë nga dy oficerë; e zë paniku dhe i vret edhe ata, vendim për të cilin pendohet menjëherë. Marko i cili shkon në kabinën e Anës, gjen gjurmë gjaku kudo dhe ai dhe autoritetet shkojnë në kërkim të Anës. Ajo hyn në një shtëpi fshati ku jetojnë një çift dhe dy fëmijë të vegjël. Markos është përgjegjës për thyerjen e ngërçit midis Anës dhe policisë, por ai arrin shumë vonë për ta ndihmuar atë; policia hapi zjarr ndaj saj dhe ajo vdes në krahët e tij.
 
Analiza
Pas një sulmi brutal dhe përdhunimi nga një grup meshkujsh, Ana vendos të marrë drejtësinë në duart e saj, duke nisur një seri hakmarrjesh të dhunshme.
Filmi eksploron konceptin e drejtësisë, duke ngritur pyetjen nëse hakmarrja personale mund të justifikohet në rrethana ekstreme. Pasi sistemi ligjor dështon ta mbrojë Anën dhe të ndëshkojë kriminelët, veprimet e saj hapin një debat moral mbi kufijtë midis viktimës dhe agresorit.
Ana përfaqëson një figurë të fuqishme femërore që refuzon të dorëzohet përballë dhunës dhe padrejtësisë. Edhe pse aktet e saj janë të dhunshme, ato paraqiten si një reagim i fuqishëm ndaj një sistemi që shpesh injoron ose dëmton gratë.
Marrëdhënia mes Anës dhe Markosit është një element qendror i filmit. Ndërsa Markos përfaqëson një figurë mbështetëse dhe më pak të dhunshme, ai bëhet pjesë e rrugëtimit të Annës, duke reflektuar mbi ndërlikimet emocionale të dashurisë dhe besnikërisë.
Filmi tregon se si dhuna gjeneron më shumë dhunë, duke krijuar një cikël të pashmangshëm që ndikon në psikologjinë e individëve dhe shoqërisë.
Karlos Saura sjell një atmosferë të ngarkuar emocionalisht me përdorimin e ngjyrave të errëta dhe ndriçimit dramatik, që reflektojnë ankthin dhe tensionin e personazheve. Skenat me armë dhe aksion janë të realizuara me një intensitet të lartë, ndërsa momentet intime midis Anës dhe Markosit shtojnë një ndjenjë humanizmi në mes të kaosit.
Françeska Neri ofron një performancë të fuqishme dhe komplekse, duke e bërë Anën një figurë të ndërlikuar dhe të ndjeshme, ndërsa lufton për të rimarrë kontrollin e jetës së saj.
Antonio Banderas, me karizmën e tij të zakonshme, sjell një kontrast me natyrën më të egër të Anës, duke portretizuar një personazh që përpiqet të balancojë ndjenjat e tij me situatën e dhunshme.
 
Epilogu
"¡Dispara!" është një reflektim mbi padrejtësitë sociale dhe psikologjinë e viktimës, duke treguar pasojat e dhunës dhe përpjekjet njerëzore për të gjetur drejtësi. Ai lë shikuesin me pyetje të hapura mbi moralin, përgjegjësinë dhe aftësinë e individit për të kapërcyer traumën.
Filmi është një shembull i fuqisë së kinemasë për të adresuar tema të vështira dhe për të provokuar debate mbi drejtësinë dhe dhunën në shoqërinë moderne.

“Trimat”, këta meshkuj që nuk jetojnë gjatë


Nga 
Leonard Veizi
 
Nëse dikur Shqipëria ka qenë një vend trimash, tani është kthyer në një vend sherresh. Dhe zakonisht sherret nuk i bëjnë trimat por meshkujt. Dhe nëse i bëjnë trimat, për ta ekziston termi i vjetër: Trimat nuk jetojnë gjatë. Është ky një realitet i hidhur që historia na ka mësuar.
Precedentët e sherreve me thika mes të rinjve, po kthehen në trend. Në Tiranë po e po, por dhuna është evidente në çdo rreth, qoftë dhe ato të vogla ku njerëzit e njohin njëri-tjetrin e përshëndeten çdo mëngjes. Në Fier sherr, në Peshkopi sherr, në Durrës sherr, në Sarandë sherr...
Nuk ka ditë që të mos ndodhi sherr.
Mediat raportojnë se vetëm në tre muajt e verës janë 19 viktima, ku vetëm një cilësohet si atentat, ndërsa 18 rastet e tjera janë për xhelozi dhe sherre banale. Kohët e fundit mbi sipërfaqe kanë dalë bujshëm dhe konfliktet mes të rinjve, nxënës të shkollave të mesme, por çuditërisht më shumë të shkollave 9-vjeçare.
“Prapë sherr me thika mes të rinjve!”... lexon rëndom nëpër titujt e gazetave dhe mediave online, që do të thotë se mes dy sherreve distanca ditore është fare e vogël. Ka sherre që përfundojnë pa lëndime, ndërkohë që ka sherre me plagosje, por ka nga ato që kalojnë në fatalitet.
Kohët e fundit kjo është bërë tepër e dukshme.
Si i bëhet???
Të jetë faji i vaksinave pas pandemisë???
Sepse edhe kjo puna e sherreve na është ngritur si një pandemi tanimë.
Por a e kemi antidotën për ta shmangur këtë rrezik? Qoftë dhe për ta minimizuar atë?
Në çdo kohë dhe në çdo vend, ata që guxojnë të sfidojnë rregullat, të dalin mbi mesataren dhe të përballen me të pamundurën, janë ata që rrezikojnë më shumë. Arsyeja është e thjeshtë: bota është e vështirë për ata që jetojnë jashtë kornizës së saj.
Por përse jetojnë pak trimat?
Sepse gjithmonë del dikush tjetër: një trim më i guximshëm ose një budalla i paarsyeshëm. I referohemi psikologjisë dhe sociologjisë: I pari përfaqëson ambicien njerëzore për t’u përmirësuar, për të zgjatur kufijtë e së mundshmes. I dyti përfaqëson kaosin, të paparashikueshmen që nuk ka as strategji dhe as arsye. Në një duel midis këtyre dy forcave, shpeshherë trimi i mençur është ai që bie, jo sepse ishte i dobët, por sepse nuk e llogariti çmendurinë si një armë të kundërshtarit.
Megjithatë, trimëria e vërtetë nuk matet me jetëgjatësinë.
Ndërkohë brezat po rriten me të njëjtën frymë. Nuk mbarojnë. Por ata nuk janë trima lufte. Nuk janë Adem Jasharë që flijohen me gjithë fis për një kauzë të madhe. Nuk janë as si Azem Galica e as si Çerçiz Topulli.
Ata janë thjesht meshkuj që trimërohen në zënie të çastit, por që në fakt është më shumë një gjaknxehtësi e pamenaxhuar: Pse më pe??? Pse më zure vendin???
Ku po shkojmë kështu?
Kjo shoqëri që firon përditë nga territori shtetëror, po i nënshtrohet dhunës dhe armëve të ftohta. Nuk ka nevojë të mobilizohemi në luftë për të dhënë heronjtë tanë. Memorialë “trimash” janë ngritur gjithandej edhe në kohë paqeje.
Por çfarë ndikon në psikikën e shqiptarit që zemërimin e kanalizon me urgjencë te përdorimi i një mjeti asgjesues?
Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, na jep këtë version të tij duke e përshkruar tek romani apo filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” çështjen e psikikës së popullit shqiptar në lidhje me armët dhe vrasjet, pikërisht në një bashkëbisedim mes gjeneralit që vinte në Shqipëri në krye të misionit për të mbledhur eshtrat e ushatarëve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ndihmësit të tij prift.
-Ushtarët e mi të mjerë, më dhemb shpirti! Ç'mund të bëj unë për ta? Si mund tua marr hakun. Këta dreqër paskan qenë të fortë për luftë, - shprehet me dhimbje gjenerali.
-Nuk është punë trimërie të ndërgjegjshme. Është çështja e psikikës së tyre, - flet gjakftohtë prifti.
-S’ju kuptova?
-Shumë e thjeshtë. Në luftë disa i udhëheq arsyeja e fortë ose e dobët, kurse disa të tjerë instinkti. Shqiptarët janë një popull i ashpër, i prapambetur. Atyre që kur janë foshnje u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet një pjesë e pandarë e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjesë e qenies së tyre, pushka ndikon direkt në krijimin e psikikës së shqiptarit...
A e vazhdojmë argumentin po aty në vazhdim të dialogut të gjeneralit dhe ndihmësit të tij prift, sepse Kadare na jep argumente interesante rreth krijimit të psikikës së shqiptarit në luftë e në paqe, atëherë kur në djep u vihej pushka e ndoshta sot thika. Ndaj prifti vazhdon ta shtjellojë edhe më tej argumentimin e tij:
-...Por një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt natyrisht që ka qejf edhe ta përdori. Por përse mund të përdoret më tepër se çdo gjë pushka?
-Për të vrarë njerëz, – ia kthen gjenerali.
-Shumë e drejtë. Për të vrarë njerëz... Shqiptarët gjithmonë kanë pasur qejf të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin, kur nuk kanë pasur me këtë ë luftojnë. Keni dëgjuar gjë për gjakmarrjen e tyre? Ata në luftë i shtyn instinkti i vjetër. Ndërsa në paqe ata trullosen, përgjumen, ashtu si gjarpri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Prandaj dhe në luftë ata janë të ashpër, të rrezikshëm dhe bëjnë dëm më tepër se ç’duhet.
Ja pra që Kadare si shkrimtar gjenial, na e ka bërë të ditur që 60 vite më parë se si ndikon arma në formimin e psikikës së një kombi. Dhe me sa duket si para 100 viteve kur ishim në mbiekzistencë si komb e shtet edhe tani në epokën e teknologjisë së lartë shqiptarët mbajnë të njëjtin avaz: kur s'ka luftë vrasin njëri-tjetrin.
Po pse ore kaq pa vlerë qenka jeta sa mund ta t’ia marrësh tjetrit apo dikush tjetër të ta dorëzojë i pamundur, vetëm për një fjalë goje,  që ti të shprehësh egon tënde smirëzezë me thikë në dorë?! Ku qenka gjithë kjo ego e madhe sa nuk e duron dot fyerjen se një bashkëmoshatar të paska parë shtrembër? Pse nuk është e shprehur kjo ego dhe në mësime, detyrat e shtëpisë, ndihmë në familje, por na qenka e shprehur në nxjerrjen e thikës nga mënga e xhupit?
Trimi që mbetet në histori nuk është ai që vret për pesë lekë, as ai që përdor fuqinë për qëllime të vogla. Ai është një figurë që ngrihet mbi banalitetin e përditshëm dhe krijon një trashëgimi që jeton përtej tij.
Skënderbeu nuk mbeti në histori sepse vrau shumë armiq, por sepse frymëzoi një popull të tërë në betejën për liri. Burra të tjerë të mençur e të matur nuk mbahen mend për ndonjë fitore të shpejtë e të ashpër, por për vizionin dhe guximin e tyre duke dashur të ndikojnë r një botë më të drejtë.
Në shoqërinë tonë moderne, shpesh ngatërrojmë trimërinë me dhunën, forcën fizike apo hakmarrjen. Por këto janë veprime të çastit, të përkohshme, që asnjëherë nuk lënë gjurmë të thella. Trimi i vërtetë është ai që përdor mendjen, zemrën dhe shpirtin për të ndryshuar diçka thelbësore. Dhe, ndonëse mund të jetojë pak, kujtimi i tij është i përjetshëm.
Pra, le të mos mashtrohemi nga shkëlqimi i trimërisë së rreme. Trimi që vlen është ai që mbetet në histori, jo për shkak të jetës së tij të shkurtër, por për shkak të gjurmës së tij të gjatë. Sepse jeta matet jo me vitet, por me ndikimin që kemi mbi botën.