Nga Leonard Veizi
Nuk
ka asnjë çudi që në gjithë botën shumë vepra inxhinierike e sidomos ato arkitektonike,
të mbajnë emrat e konstruktorëve të tyre. Nju Jorkun amerikan, një pjesë e
urave gjigante që hidhen mbi “Hudson Rive” apo “East River”, identifikohen me
emrat e projektuesve apo ndërtuesve. Dhe flitet për konstruksione të
jashtëzakonshme që ka bërë dora e njeriut. Por gjithsesi, asnjëri prej tyre nuk
e ka lartësuar aq shumë emrin e tij sa konstruktori evropian Eifel...
...Gustave
Eifel, njihet si francez, edhe pse në origjinal emri i tij ishte Alexandre
Gustave Bönickhausen, që tregonte se në fakt origjina e tij ishte gjermane.
Referencat
e shumta thonë se gjyshi i tij, ishte nga Marmageni gjerman por që në fillim të
shekullit të XVIII emigroi në Francë. Marmagen është një fshat tregtar gjerman
në Eifel. Ndërsa Eifel është një varg malor i ulët në Gjermaninë perëndimore.
Duke e konsideruar mbiemrin e tij shumë të vështirë për t'u shqiptuar nga
francezët, paraardhësi i Gustavit vendosi ta ndryshojë atë në
"Eiffel", pra duke marrë për mbiemër emrin e maleve nga ku kish lindur
dhe kishte origjinën.
Ndërkohë
Alexandre Gustave Eiffel u lind më 15 dhjetor 1832 në Dizhon të Francës. Ai
ishte ende i regjistruar si “Bönickhausen”, por e ndryshoi mbiemrin e tij
përgjithmonë në “Eiffel” në vitin 1880.
Në
jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se studioi për inxhinieri por në 1855 mori
vetëm një diplomë mesatare në fushën e kimisë. Më pas kur nisi një stazh pune
në një fabrikë hekuri pranë qytetit të tij të lindjes, Dizhon, zbuloi interesin
e tij për këtë material të ri dhe njohu mundësitë e mëdha që gjenden në
ndërtesat prej hekuri.
E
nëse mund të themi diçka tjetër mbi jetën e tij private mund të përmendim se në
vitin 1862, Eifel u martua me francezen Marie Gaudelet, me të cilën pati
gjithsej 5 fëmijë 3 vajza dhe 2 djem. Por bashkëshortja e tij u nda shpejt nga
jeta dhe ai vetë nuk u martua më.
Gustave
Eiffel u cilësua ndryshe dhe si mbreti i “Belle Époque”. Ai është
njeriu që projektoi monumentin simbolik të Parisit dhe madhështisë franceze,
"Tour Eiffel".
Eifel
e tronditi botën kur në vitin 1889, me rastin e Ekspozitës Universale në Paris
ai prezantoi “Kullën” e tij madhështore, një strukturë mega hekuri 324 metra,
më e larta e ndërtuar ndonjëherë deri në atë kohë.
E
quajtur "Tour Eiffel" apo në
shqip “Kulla Eifel” ajo u ndërtua mes viteve 1887–1889. Kjo i solli
konstruktorit të famshëm pseudonimin "magjistari i hekurit" pikërisht
në atë që cilësohej si “Epoka e Hekurit”
Megjithatë,
kulla ngjalli ndjenja kontradiktore, mes atyre që e konsideronin kryevepër dhe
atyre që e urrenin. Fillimisht kulla nuk pati miratimin e plotë të popullatës
parisiene dhe në fakt ishte menduar të çmontohej plotësisht pas përfundimit të
ekspozitës botërore.
Megjithatë,
Eiffel vazhdimisht u përpoq t'i jepte kullës një arsye të re për ekzistencë. Ai
kreu eksperimente të panumërta mbi gravitetin e tokës. Më në fund ai ia arriti
qëllimit: Kulla Eifel mbeti dhe u bë simboli i kryeqytetit francez gjë që e
ndihmoi atë të arrinte famën e përjetshme.
Por
jo vetëm Kulla.
Gustave
Eiffel ishte ai që projektoi kupolën e lëvizshme të observatorit në Nice
si dhe kornizën e Statujës së Lirisë – një skulpturë madhështore të krijuar nga
Frédéric Auguste Bartholdi, - e të vendosur në “Liberty Island” në hyrje të Nju
Jorkut të cilën qeveria franceze në vitin 1886 ua dhuroi amerikanëve në
shenjë miqësie mes dy popujve.
E
megjithëse shumica prej nesh e njohin Gustave Eiffelin kryesisht për
"kullën e tij", duhet thënë se "Magjistari i Hekurt",
krijoi shumë më tepër: veçanërisht ura revolucionare të bëra prej hekuri e
çeliku.
Në
vitin 1866, në moshën 34-vjeçare, ai kishte themeluar kompaninë e tij dhe
realizoi një shumëllojshmëri të gjerë projektesh ndërtimi çeliku. Në vitet që
pasuan, ai dhe kompania e tij projektuan dhe ndërtuan ura në të gjithë Evropën,
por edhe në Bolivi, Peru dhe Egjipt. Shumica e tyre ishin ura për hekurudhën,
pasi triumfi i këtij mjeti transporti ishte në kulmin e tij në këtë moment.
Arritja
kurorëzuese e karrierës së ndërtimit të urës së Gustave Eiffel është padyshim
ndërtimi i “Viaduktit Garabit”. Kjo urë hekurudhore shtrihet ende në luginën e
thellë të Truyère pranë qytetit Saint Flour. Hapësira e urës prej 165 metra,
por aq më tepër lartësia mbresëlënëse prej 122 metra, vendosën kërkesa të mëdha
për aftësitë e Eifel-it. Pas përfundimit të saj, “Viaduct Garabit” ishte ura më
e lartë hekurudhore në botë për 25 vjet! Vetëm në vitin 1909 ajo u tejkalua në
lartësi nga “Viaduc des Fades”.
Megjithatë
jo çdo gjë shkon mirë. Reputacioni i shkëlqyer i Eifel-it pësoi dy goditje të
rënda në fund të shekullit XIX
Gustave
Eifel u dënua me dy vjet burg, kur shpërtheu skandali financiar gjatë ndërtimit
të Kanalit të Panamasë, ku rreth 510 deputetë u akuzuan për korrupsion. Vendimi
u anulua më vonë nga një gjykatë apeli, por reputacioni i patëmetë i Eifel-it
pësoi gërvishtjen e parë.
Në
të njëjtën kohë me debatin e Panamasë, në Zvicër ndodhi një aksident i rëndë
hekurudhor, në fokus të të cilit ishte edhe Gustav Eifel. Në Mönchenstein afër
Bazelit më 15 qershor 1891, Ura Birstein që ai ndërtoi u shemb nën një tren, ku
mbetën të vdekur të paktën 80 njerëz. Deri në atë pikë, ishte katastrofa më e
madhe e dokumentuar e hekurudhave dhe urave në botë dhe efekti mbi Eifelin
tashmë të goditur ishte përkatësisht shkatërrues.
Për
të zbuluar shkakun e kësaj katastrofe, u krijua një komision i rangut të lartë.
Komisioni doli në përfundimin se nuk ishin gabimet e projektimit që çuan në
aksident, por materiali inferior. Megjithëse ky vendim e shfajësoi kryesisht
Eifelin, ai i mori këto dy ngjarje si një mundësi për t'i dhënë fund të gjitha
aktiviteteve të tij sipërmarrëse.
Prej
asaj kohe ai punoi ekskluzivisht në mënyrë shkencore deri në vdekjen e tij.
Gustave
Eifel vdiq në Paris më 27 dhjetor 1923, në moshën 91-vjeçare.
No comments:
Post a Comment