Eurovizioni, vendi
ku votohet politikisht. Nga një festival muzikor në një pasqyrë interesash dhe
aleancash
Nga
Leonard Veizi
Pavarësisht
vendit të tetë, – një vend i qëndrueshëm në renditjen prej 26 pozicionesh –
shqiptarët mbetën të zhgënjyer nga Eurovizioni. Dhe nuk është hera e parë.
Sepse jo rrallëherë Shqipëria është paraqitur në mënyrë shumë dinjitoze në këtë
kompeticion të madh, me këngë të mira e vokale për t’u pasur zili.
-Marrim vesh nga jeta edhe ne...
Eurovizioni,
ky spektakël që pretendon të bashkojë Evropën përmes muzikës, çdo vit e më
shumë po shndërrohet në një arenë mediokriteti të paketuar me drita, tym dhe
buzëqeshje të shtirura. Pas fasadës së unitetit kulturor dhe diversitetit,
fshihet një provincialitet i thellë – jo ai që i mvishet zakonisht vendeve të
vogla dhe periferike, por ai i Europës së zhvilluar, që në vend të përfaqësojë
një shije të rafinuar dhe një gjykim të drejtë, demonstron ngushtësi
horizontesh dhe një ndjeshmëri provinciale, të maskuar me arrogancë joaktive.
Te filmi "Shkëlqim i përkohshëm" kemi një batutë që duket se i shkon fort dhe situatës:
-Këtë punë e rregullon Rako. Nuk e kam zakon t'i zgjas gjërat. Për nder, ja para dy ditësh përcolla njërin në kursin e gërnetës.
Por
dhe “Zjerm”-i i Shkodrës Elektronike ishte po aty afër për nga risia. Dhe akoma më shumë virale jo vetëm në rrjetet sociale.
Por atë
që nuk e bënë juritë profesionale, e bëri vota popullore.
Vota e jurisë la jashtë dhe Bardhin jetim dhe klasifikoi në krye të listës Nardin e zotit Galip, pikërisht aty te filmi "Tingujt e luftës".
-Bjeri gërnetës, bjeri. Si Halit Berati në dasmën e djalit të Gori Xhokaxhiut.
Edicioni
i Eurovizionit 2025 vërtetoi mendjeshkurtësitë e "kompetenteve" me zë të lartë – ndonëse zëri i Shqipërisë,
një nga vendet që solli një performancë autentike dhe emocionalisht të
fuqishme, u zbeh nga vendimet e një jurie që s’gjykoi me vesh, por me hartë
politike. Shqipëria mori 218 pikë, prej të cilave 173 pikë nga publiku, një
vlerësim që tregoi se ndjeshmëria e qytetarëve të kontinentit funksionon ende
përtej kufijve dhe klisheve. Por juritë kombëtare – të vetëquajtura
profesionale – zgjodhën sërish rrugën e rehatshme të favoritizmit rajonal dhe
të simboleve të sigurta, duke çuar në fitore Austrinë.
Dhjetë
vjet më parë, në majin e vitit 2015, menjëherë pas Eurovizionit të atij viti mbajta këtë
qëndrim përmes shkrimit “Evropa provinciale” të botuar në ResPublika:
“Nuk
është fare për t’u habitur që Evropa vazhdon të jetë po aq provinciale sa dhe
në Mesjetë. Dhe këtë mentalitet duket se nuk e ka zhbërë as Rilindja italiane,
as Filozofia gjermane, e as Kulla e Eifelit francez, si një prej kulmeve të
zhvillimit teknologjik. Elhaida Dani, apo thënë më saktë Shqipëria, doli në
këtë Eurovizion si mos më keq. Në vendin e 16-të. Zhgënjim total. Askush nuk e
besonte. E pra, prej kohësh ca sondazhe thoshin se ‘kuq e zinjtë’ këtë herë
ishin favoritët me serioz – në mos për të marrë trofeun, të paktën për të qenë
në një vend të nderuar andej nga kreu i renditjes. Por sondazhet gjithsesi janë
larg fushës së betejave, aty ku jepen pikët”.
Të
njëjtit qëndrim të 10 viteve më parë po i qëndroj edhe tani.
Në
tërësinë e tyre, juritë nuk i dhanë pikë Shqipërisë. Ranë në sy 10 pikët e
Malit të Zi dhe, çuditërisht, 12 pikët e Francës, maksimalisht. Por dhe ne nuk
e mbajtëm dorën fare. 12 pikët tona ia dhamë Francës. Dhe kjo më kujton Ollgën
që kishte shkuar në Marenë e i thoshte së bijës:
–
Hë moj Lefka, që kur u martua jot motër Flora solli ato 6 pjatat për të cilat
njerëzia thanë se ishin të përdorura. Por dhe unë, kur martoi Pilon, ato i
çova.
Festivali
Europian i Këngës, ndonëse i veshur me ngjyrat e artit dhe të diversitetit
kulturor, prej vitesh ka dalë nga shinat e garës muzikore për të hyrë në
labirintin e aleancave politike, ndjenjave nacionaliste dhe simpative rajonale.
Edhe edicioni i vitit 2025 e vërtetoi këtë më shumë se kurrë. Shqipëria,
përfaqësuar me një këngë që u vlerësua si një ndër më të fuqishmet
emocionalisht dhe artistikisht, ishte ndër favoritët e mëdhenj për fitore. Por
ndërsa publiku evropian i dha 173 pikë – një shifër që i vendosi shqiptarët në
zemër të votuesve – juritë profesionale u treguan, si gjithnjë, të ftohta, të
njëanshme dhe të motivuara më shumë nga gjeografia dhe politika sesa nga
muzika.
Fituesja
zyrtare, Austria, siguroi 179 pikë nga televotimi – vetëm gjashtë më shumë se
Shqipëria – por diferenca u krijua nga juritë kombëtare, të cilat i dhanë asaj
një shtytje vendimtare përballë indiferencës ndaj Shqipërisë.
Edhe
këtë vit, dukuria e “votës për komshiun” apo për “aleatin politik” u bë e
dukshme. Vende që ndajnë kufij, gjuhë apo interesa politike, dhanë pikët
maksimale njëra-tjetrës pa ndonjë arsyetim bindës artistik. Në këtë panoramë,
Shqipëria u ndëshkua për të vetmen “mangësi”: mungesën e një blloku votues
besnik në Evropë dhe, ndoshta, mosinteresimin për të luajtur lojëra diplomatike
pas skenës.
Për
kujtesë, Shqipëria mblodhi këto pikë: 1 pikë nga Holanda, 1 pikë nga Spanja, 2
pikë nga Greqia, 3 pikë nga Suedia, 3 pikë nga Italia, 4 pikë nga Qipro, 4 pikë
nga Portugalia, 5 pikë nga Polonia, 10 pikë nga Mali i Zi, 12 pikë nga Franca.
Nëse diçka është për të reflektuar, nuk është se pse Shqipëria nuk fitoi – ajo
fitoi zemrat e publikut. Megjithatë, 26 vende, - ndër 37 konkurentët me juri
profesionale - nuk i kanë dhënë asnjë pikë Shqipërisë.
Kulmi.
-E të ta punojë kështu kushëriri...
Ç’të
them dhe unë. Çfarë të presësh nga vendet balltike dhe ato që kanë qenë nën
suazën e Bashkimit Sovjetik, që kanë në sy vetëm Rusinë, e në mungesë të saj i
japin pikët njëra-tjetrës. Si te filmi Përballimi. E keni parasysh atë agjentin
grumbullues në fshat që i thoshte drejtor Mitit:
–
Do të shkojmë në popull, se pastaj thonë që kavardisen me njëri-tjetrin.
Ja
kështu është dhe kjo punë.
Eurovizioni
ka vite që s’është më një garë muzikore. Është një spektakël politikash të
heshtura, i dominuar nga një mentalitet që nuk do të pranojë kurrë që një vend
jashtë qendrës tradicionale të ndikimit mund të sjellë art me vlerë. Dhe ky
është mediokriteti i madh që fshihet pas kostumeve ekstravagante dhe fjalimeve
boshe për paqe, dashuri e barazi.
-Dëgjo Vaskë, merr një këngë dashurie që të më therë në zemër. Se pastaj e fus në festival unë.
Ky ishte drejtori i Pallatit të Kulturës tek filmi "Rrethimi i vogël"
Ironikisht,
pikërisht kur një vend i vogël si Shqipëria sjell një krijim serioz dhe
konkurrues, struktura e Eurovizionit ekspozon dobësinë e saj më të madhe:
politizimin. Juritë që supozohet të jenë profesionale dhe objektive, shpesh
përfaqësojnë më shumë qëndrimet politike të vendeve të tyre sesa bindjen
muzikore.
Pse
ndodh kjo?
Sepse
Eurovizioni, ndër të tjera, është një platformë ku çdo shtet kërkon të shfaqë
identitetin e vet kulturor, por edhe ndikimin diplomatik. Dhe në këtë lojë,
shtetet e vogla dhe jashtë qendrave të ndikimit, si Shqipëria, e kanë gjithmonë
të vështirë të fitojnë – pavarësisht cilësisë...
No comments:
Post a Comment