Friday, January 30, 2026

Xhon Golsuorthi, arkitekti i sagës moderne angleze


Nga Leonard Veizi
 
Mjegulla londineze e janarit të vitit 1933 dukej se kishte rënë mbi qytet jo vetëm si një dukuri stinore, por si një vello që po mbyllte kapitullin e fundit të një epoke. Ndërsa bota po rrokullisej drejt pasigurisë së viteve '30, një zë që kishte shërbyer si busull morale për shoqërinë britanike u shua përgjithmonë...
 
...Më 31 janar, Xhon Golsuorthi ndërroi jetë, duke lënë pas jo vetëm një trashëgimi letrare, por edhe një pasqyrë të qartë ku klasa e mesme angleze mund të shihte, ndoshta për herë të parë, veten e saj pa maska. Për të nuk thuhej se ishte thjesht një shkrimtar; ai ishte kronisti i fundit i një bote që po perëndonte midis traditës dhe modernitetit. Me vdekjen e tij, Anglia humbi një vëzhgues që dinte të shihte pas fasadës së rregullt të respektabilitetit borgjez. Me një përzierje unike qetësie, ironie të hollë dhe humanizmi të pashoq, ai ekspozoi konfliktet morale dhe "instinktin e pronësisë" që po brente themelet e shoqërisë së kohës.
 
Nga ligji te letërsia
I lindur më 14 gusht 1867, Golsuorthi u formua fillimisht si jurist, por kornizat e ngushta të ligjit nuk mund ta nxinin thirrjen e tij për të eksploruar shpirtin njerëzor. Ai e braktisi shumë shpejt karrierën juridike për t’iu përkushtuar penës, duke u bërë arkitekti i njërës prej sagave më monumentale të letërsisë botërore: “The Forsyte Saga” apo siç ka ardhur dhe botuar në shqip “Saga e Forsajtëve” . Ky cikël romanesh nuk ishte thjesht historia e një familjeje të pasur, por një anatomi e detajuar e kalimit nga ngurtësia e epokës viktoriane drejt vrullit të turbullt të modernitetit. Në qendër të veprës së tij qëndronte kritika ndaj materializmit të tepruar dhe ftohtësisë emocionale, të cilat ai i shihte si muret e padukshme të një burgu shoqëror.
 
Analiza e ngadaltë
Stili i Golsuorthi -t ishte ashtu si ai vetë: i matur, i qartë dhe i zhveshur nga retorika e zhurmshme. Ai nuk besonte te shpërthimet dramatike apo te buja e rreme. Arti i tij mbështetej te analiza e ngadaltë dhe e thellë psikologjike, ku personazhet përballeshin me kufijtë e tyre moralë nën peshën e një bote që po ndryshonte në mënyrë të pakthyeshme. Përveç romaneve, ai shkroi drama, tregime dhe ese që e shndërruan atë në një figurë qendrore dhe të nderuar të jetës letrare britanike.
 
Kurorëzimi “Nobel”
Në vitin 1932, vetëm një vit para se të mbyllte sytë, Akademia Suedeze i akordoi Çmimin Nobel për Letërsinë, duke vlerësuar veçanërisht “artin e tij të shquar të rrëfimit, i cili kulmon në ‘Forsyte Saga’”. Edhe pse i sëmurë dhe i pamundur për të udhëtuar drejt Stokholmit, ky nderim erdhi si një dëshmi botërore e rëndësisë së tij. Golsuorthi nuk shkroi për lavdi, por për të ndriçuar zonat e errëta të ndërgjegjes njerëzore.
 
Trashëgimi humaniste
Xhon Golsuorthi vdiq në heshtje, ashtu siç kishte jetuar, me dinjitet dhe pa zhurmë. Ai mbetet sot portreti i shkrimtarit humanist, i cili besonte me paluhatshmëri se letërsia nuk duhet të bërtasë për të korrigjuar botën, por duhet të pëshpëritë të vërtetat e dhimbshme në veshin e lexuesit deri sa të zgjojë ndërgjegjen e tij. Në historinë e letërsisë, emri i tij qëndron si një kolonë e qetë, por e palëkundur, duke dëshmuar se kritika sociale më e fuqishme është ajo që lind nga kuptimi i thellë dhe dhembshuria për njeriun.

No comments:

Post a Comment