Monday, February 2, 2026

Fitim Makashi në kujtesën e kinemasë

 


Nga Leonard Veizi

Në historinë e kinemasë shqiptare ka aktorë që kanë mbetur në kujtesë jo për zhurmën e roleve të mëdha, por për peshën e heshtjes, për qetësinë me të cilën mbartin dramën dhe për dinjitetin me të cilin qëndrojnë në ekran. Fitim Makashi është një prej tyre. Ai i përket atij brezi themeltar që e ndërtoi filmin shqiptar nga brenda, duke i dhënë fytyrë, zë dhe karakter një kinemaje që ende po kërkonte veten, gjuhën e saj artistike dhe figurën e aktorit me peshë dramatike.
I lindur më 10 prill 1944 në Gjirokastër, qytet me traditë të fortë kulturore dhe shpirt letrar, Makashi e mori me vete që herët një ndjeshmëri të veçantë për karakterin, fjalën dhe heshtjen – elemente që do ta shoqëronin gjatë gjithë rrugës së tij artistike. Në vitin 1963 nisi studimet në Institutin e Arteve, në degën e aktrimit, të cilat i përfundoi në vitin 1967, duke u emëruar menjëherë pedagog – një tregues i qartë i formimit serioz dhe i besimit që institucioni kishte tek ai.
Në këtë shkrim po sjellim disa nga batutat e roleve të tij në kinematografinë shqiptare, fragmente dialogësh që sot funksionojnë si dëshmi jo vetëm të personazheve që ka interpretuar, por edhe të një kohe, të një fryme dhe të një mënyre të të bërit film.
Karriera e tij si aktor nisi po në vitin 1967 me filmin “Dueli i heshtur”, një debutim domethënës në një kohë kur kinemaja shqiptare po afirmohej si mjet narrativ dhe ideologjik.
-Motovedeta. Mërkul Kalos i ka ardhur e fejuara te porta.
-Mërkurit i erdhi pako.
Pas këtij roli, Makashi u bë pjesë e një vargu filmash që sot përbëjnë arkivin themelor të kinemasë shqiptare.
“Prita”, prodhim i vitit 1968, në rolin e Sulos:
-O nënat… Nuk ka vdekur akoma shqiptari të shkelni mbi këtë tokë… Për ty, Shaniko… Nuk kaloni dot ju derra… Nuk kaloni mbi këtë gjak… Jo… jo…
“Njësiti gueril”, prodhim i vitit 1969, ku interpreton një prej anëtarëve të rezistencës, i cili vritet nga trupat fashiste.
“Ndërgjegjja” (prodhim i vitit 1972, në rolin e Petros:
-Ti guxon të më ngushëllosh. Ti që je shkaktar i gjithë kësaj fatkeqësie. Shokë, ju nuk e njihni mirë atë. Pandehni se është krenaria e kolektivit tonë. Gënjeshtar. Egoist. Do t’ua tregoj të gjithëve punën e valvulës së paregjistruar. Pastaj le të ketë guxim e të mburret me krenarinë e tij profesionale.
“Rrugicat që kërkonin diell”, prodhim i vitit 1975:
-Sa më shumë që heshtim, aq më shumë vuajmë. Në traktin që lexova thuhet se ç’duhet të bëjmë. Aty, vëllezër, thuhet se vetëm gryka e pushkës i lan hesapet me ata që na pijnë gjakun.
“Në fillim të verës”, prodhim i vitit 1975:
-Postkomanda në Boras u asgjësua. Afrimi i çetës pranë fshatrave ka shkaktuar panik tek fashistët.
“Ilegalët”, prodhim i vitit 1976:
Ishte një nga djemtë e mëhallës, Xhevat Rahmiu. Bëri një sabotim në kantier, për pak e pësoi. Milua ka mendim të mirë për të.
“Nga mesi i errësirës” (1978), në rolin e Faslliut:
-Petrit, më bli një paketë cigare kur të kthehesh, se jam me shërbim.
“Intendenti” (prodhim i vitit 1980), në rolin e Tomit:
-Lufta në prapavijë bëhet e ashpër pa krisma armësh, por edhe ne e shkrepim nga një herë. Dhe janë krisma të mprehta si tehe thikash.
“Gjurmë në kaltërsi”, prodhim i vitit 1981, në rolin e Musait:
-Më dëgjo me vëmendje. 505-sa do të ulemi bashkë, më kupton! Fillo, rrotullohu djathtas! -Ruaje kursin! Stabilizoje! Humb lartësi, llogarit uljen! Ruaje këndin! Stabilizohu! Merre gazin! Freno…, freno! Ruaje qendrën, mos dil nga pista…
-O Musa, që nesër do të fillosh lejen. Të ikësh e të mos vish më beqar.
“Tre njerëz me guna”, prodhim i vitit 1985, në rolin e Xhemës:
-Nuk mund të shkojmë në shtëpinë time, do t’ju çoj tek krushku im, Rizai.
“Shpella e piratëve”, prodhim i vitit 1991:
-Ti me gjyshin tim keni dalë në det më të vegjël se ne. He, çfarë do thuash tani?
-E o derman, por s’kemi qenë kurrë kështu si ju. Mua babai më lidhi me litar me kapi për këmbë dhe më hodhi në det që katër vjeç. O dil, më tha, o mbytu.
“Vdekja e kalit” (prodhim i vitit 1992), në rolin e komandant Vangjelit:
-Ajo dëshmi më ka tronditur, më ka lënë pa gjumë. Atje, në bankën e të akuzuarve, mund të isha unë. Por ne heshtëm. U treguam të zgjuar, prandaj jemi këtu. Ndërsa ai u tregua naiv.
Ajo që e dallon Fitim Makashin nuk është spektakolarja apo roli i zhurmshëm, por qëndrueshmëria e figurës, aftësia për të ndërtuar personazhe të besueshëm, shpesh të përmbajtur, me tension të brendshëm dhe gravitet moral. Ai i përket atij lloji aktori që nuk kërkon vëmendjen, por e fiton atë përmes seriozitetit dhe disiplinës profesionale.
Si pedagog dhe aktor njëkohësisht, Makashi ka qenë pjesë e një brezi që jo vetëm interpretoi, por edhe formoi aktorin shqiptar. Në këtë kuptim, kontributi i tij nuk matet vetëm me filmat ku ka luajtur, por edhe me gjurmën e heshtur që ka lënë në edukimin artistik dhe në kujtesën kulturore shqiptare.


No comments:

Post a Comment