Saturday, March 21, 2026

Tregu i kapur dhe shteti si spekulator: kush e paguan faturën?



Nga Leonard Veizi
 
Nuk është e nevojshme të shpërthejë një luftë që çmimet të rriten në Shqipëri. Ato rriten edhe në kohë paqeje, në mënyrë të qetë, pothuajse të disiplinuar, sikur të ndjekin një logjikë të padukshme që nuk lidhet me tregun, por me vullnetin e atyre që e kontrollojnë atë. Por mjafton hija e një konflikti ndërkombëtar dhe gjithçka bëhet më e lehtë: rritja justifikohet, ndërsa përgjegjësia tretet në zhurmën globale.
Rasti i fundit lidhet me rritjen e çmimit të naftës.
Ndërkohë, vendet përreth nuk presin. Italia ul akcizën, Austria vendos kufij mbi fitimet e kompanive të karburantit, Suedia dhe Sllovenia ndërhyjnë me politika fiskale për të frenuar efektin zinxhir. Mesazhi është i qartë: nëse rritet nafta, rritet gjithçka – nga buka te transporti, nga prodhimi te shërbimet. Dhe shteti ka detyrimin të ndërhyjë për të mbrojtur qytetarin.
Në Shqipëri ndodh e kundërta. Kryeministri vendos një vijë të kuqe: qeveria ndërhyn nëse çmimi kalon 220 lekë për litër. Një sinjal që duhej të ishte paralajmërim për tregun, por që në praktikë u kthye në udhëzim. Çmimi ndalet në 219 lekë. Jo nga rastësia, por nga një lloj dakordësie e heshtur. Bordi i karburanteve nuk hyn në veprim, sepse pragu është “kurdisur” te 220-a. Ky është një treg që nuk sfidon kufirin, por e përdor atë si mburojë.
Ndërkohë, brenda pak javësh, çmimi i naftës është rritur me 40 lekë në Shqipëri. Një rritje e ndjeshme, që përkthehet në kosto reale për çdo familje shqiptare. Shteti mbledh më shumë të ardhura nga taksat. Arka publike fryhet. Por xhepat e qytetarëve hollohen.
Kjo është drama e vërtetë: jo vetëm rritja e çmimeve, por mungesa e reagimit. Sepse ndërsa shtetet e tjera ndërhyjnë për të ulur barrën, Shqipëria duket se ka zgjedhur të administrojë pasojat, jo të parandalojë shkakun.
Ky pasivitet i qëllimshëm i institucioneve tona nuk është thjesht paaftësi menaxhuese; është një zgjedhje politike e mirëmenduar. Kur qeveria refuzon të prekë paketën fiskale mbi naftën — ku akciza, taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit rëndojnë mbi çdo litër si një prangë ekonomike — ajo po zgjedh të jetë bashkëpunëtore në varfërimin e konsumatorit. Ndërsa bota demokratike përdor levat e shtetit për të mbrojtur mirëqenien e popullit, në Tiranë shteti sillet si një partner i heshtur i oligopoleve, duke mbledhur “humbjet” e qytetarëve si fitime në buxhetin e tij.
Heshtja e autoriteteve rregullatore dhe bordet që “ngrijnë” çmimet në nivelet më të larta historike janë dëshmia e një sistemi që nuk njeh konkurrencën, por diktatin. Kjo nuk është ekonomi tregu, por një ekonomi gjobëvënëse, ku kriza shihet si një mundësi e artë për të mbushur arkat e shtetit dhe llogaritë e pak duarve, duke e lënë pjesën tjetër të shoqërisë të përballet e vetme me inflacionin galopant. Pa një ndërhyrje radikale në strukturën e taksave dhe pa një shpërbërje të monopoleve, xhepat e shqiptarëve do të mbeten të hapur për çdo furtunë, qoftë ajo e vërtetë apo e sajuar.
Dhe në fund mbetet një pyetje që nuk ka nevojë për retorikë, por për përgjigje:
A është shteti në anën e qytetarit, apo në anën e atyre që vendosin çmimin?

No comments:

Post a Comment