Nga Leonard Veizi
Por, për ata që nuk e dinë, por duan të dinë të vërtetën: biografi i Fan Nolit, Nasho Jorgaqi, e ka sqaruar prej kohësh se vargjet “Zgjidh e Merr”, ku çdo krahine shqiptare i është vënë një epitet, nuk janë të Nolit. Megjithatë, kjo “shashkë” e hedhur dikur nga një profan, mori dhenë dhe vijon të riciklohet si e vërtetë në rrjete sociale, studio televizive dhe biseda kafenesh.
Sot, çështja e krahinave na doli sërish në sipërfaqe, pa pritur e pa kujtuar.
— Plasi në Kuçovë!
— Jo në Kuçovë, se e more "jangëllësh". Për Mirditën është fjala. Edhe për Dibrën...
Mjaftoi që një “laraskë” të shprehej publikisht në show-n e një ekrani të njohur televiziv, se një a dy krahina nga veriu i Shqipërisë “na qenkan të pabesa”, dhe menjëherë shpërtheu furtuna. Mllef dhe arrogancë. Një reagim zinxhir, i shpejtë dhe i verbër. Dhe kështu, nga një fjali e hedhur pa peshë, u ndez një zjarr që kërkon të djegë dhe vatrën ku u ndez, edhe periferinë.
Në fakt, Beni – ky emër është thjesht një konvencion – në këtë kakofoni sharjesh e mallkimesh nuk përfaqëson kërkënd tjetër përveç vetes së tij. Po aq edhe Titi, Goni po ashtu, madje edhe Genci. Askush prej tyre nuk është mandatuar nga “kuvendet e burrave”; asnjëri nuk ka marrë vulë e firmë për të dalë ekran më ekran duke vënë "berihajin" për të mbrojtur një “nder të nëpërkëmbur”.
“Unë jam mirditor!”
“Unë jam dibran!”
“Unë jam tropojan!”
Qofshi me shëndet, vëllezër! Emëruesin e përbashkët "shqiptar" e kemi të gjithë. Dhe Shqipëria, dihet, "një bythë vend" është. Ndaj edhe krahinat kanë, ohu... aq "shumë dallime" mes njëra-tjetrës, sa nuk ia vlen debati.
Por ja që secili, në këtë kohë zhurme, merr flamurin e mbrojtjes së territorit, të krahinës e të identitetit, edhe pse nuk ka plasur ndonjë luftë civile, por thjesht një sulm nga një “laraskë” që kërkon veç vëmendje mediatike. Kjo nuk është krenari krahinore, kjo është keqpërdorim i saj.
Krenaria nuk bërtet, nuk flet me mllef dhe nuk ushqehet me stereotipe. Ajo që po shohim është deformim i identitetit, i kthyer në një armë të vogël për debate të vogla. Në fund të ditës, problemi nuk janë krahinat. Problemi janë zërat që i përdorin ato si karburant për zhurmë, dhe turmat që bien pre e këtij provokimi.
Një komb nuk përçahet nga dallimet. Përçahet nga ata që jetojnë duke i fryrë ato.

No comments:
Post a Comment