Saturday, July 15, 2017

Antoneta Papapavli, aktorja e mirënjohur e teatrit dhe kinematografisë

Ju rrëfej karrierën time, si e luajta Luiza Milerin dhe Afrovitin e Karnavaleve

  
Leonard VEIZI

Ëndrra e saj e përnatshme e çon në të njëjtin vend, me një shpejtësi të tejskajshme, të paimagjinueshme disi skizofrenike dhe fare të përbindshme. Nuk duhet veç gjysma e sekondës, a mos më pak dhe befas ajo gjendet atje, mes errësirës dhe në dritë, rrethuar nga imazhe partnerësh të vjetër dhe me rekuizita që ndryshojnë papritmas. Ndërsa ajo në vorbullën e një amalgame të pafundme shpërndritjesh, me një magji që vazhdon e s’ndalet, qëndron drejt, pa u mbajtur kund. Nuk ka nevojë për karrocë invalidësh, e as për paterica paraplegjikësh nuk do t’ia dijë. Habia është zhdukur dhe vetë dyshimet e ngritura si piramidë rrëzohen njëherazi. E ndërsa skenat ndërrohen vazhdimisht, ajo interpreton mbi të e nuk ndjen lodhje. Zëri rrëshqet mbi koka spektatorësh në plate... dhe ajo vazhdon të luajë, të luajë, të luajë...

...Është po e njëjta Antonetë; pak “Luizë” dramatike, a ndoshta “Afrofiti” tekanjoze, diku një Klea e dashuruar dhe herë tjetër gjysmë orientalja Hatixhe. Por e gjitha kjo është veç një ëndërr, imazhi i së cilës përsëritet atëherë kur do dhe kur nuk ia ka ngenë sigurisht. Antoneta Papapavli, kjo aktore e magjishme e skenës dhe kinemasë shqiptare, prej më shumë se 20 -vjetësh jeton veç ëndrrën e saj. Është tërhequr nga skena dhe, teatrin nuk ka mundësi ta ndjekë nga pas, as si spektatorja e radhës së fundit. Ndaj vetëm kënaqet me ekranin televiziv, teksa pulti kërkon pareshtur mes zhurmës aksion e thriller hollivudian, të ngujohet në stampën e njohur të vjetër, e pak të dalë boje; “Kinostudio Shqipëria e Re”. Ndoshta kjo dhe jo vetëm... por dhe ca gjëra të tjera që ajo i ka përjetuar dhimbshëm e plot kurajë, përgjatë këtyre viteve të vështira, e kanë bërë atë të jetë më e mbyllur dhe thuajse pa kontakte përtej mureve që e rrethojnë. E padyshim, ajo nuk do më, në pakujdesinë e saj shfrenuar dikush ta shqetësojë, me një tringëllimë telefoni, a një të trokitur të padëshirueshme dere. Veç ndjen, hapat e djalit të saj në shkallë, çelësin teksa lëviz mbi bravë dhe vazhdon të qëndrojë e patrazuar në pozicionin që ka zgjedhur për t’u çlodhur. E këtë qetësi të palëvizshme, të ngurtë e të ngujuar njëherazi, ka munduar ta shprishë veç këtë herë, për t’iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari, i cili nuk pati fatin të kthehej nga rruga si të tjerë. E pas kësaj tabuje të thyer, ndoshta ka ardhur çasti që pas kaq vitesh heshtje ajo të vazhdoje të jetë po aq publike, për të gjithë ata që e mbajnë mend nga pelikula e kinemasë, apo shiriti elektronik i kamerës televizive. Edhe ja çfarë thotë aktorja e njohur Antoneta Papapavli, në një intervistë të rrallë e ekskluzive për gazetën “Telegraf”: 

Si filloi karriera juaj në skenë, një kronologji e shkurtër?
Unë kam lindur në qytetin e Përmetit, por që herët, 4 vjeç, kam ardhur me gjithë familjen time në Tiranë, ku jetoj edhe sot e kësaj dite. Pasioni për artin, baletin edhe pikturën më ka shoqëruar që në moshë të vogël në shkollë fillore e deri në të mesme. Merrja pjesë aktive në festat e ndryshme, në korin e shkollës, balet e recitime. Këto gjëra i frekuentova dhe zhvillova edhe gjatë gjimnazit. Në shkollën e mesme “Qemal Stafa” filluan të krijoheshin grupet e para artistike nga fundi i viteve ‘50. Kam marr pjesë dhe në grupet artistike në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Në fillim të viteve ‘60 hyra në shkollën e lartë për aktore, me ndihmën dhe mbështetjen e z.Tef Pali, z. Pjetër Gjoka dhe z. Pandi Stillu. Ky i fundit këmbënguli që unë ta vazhdoja dhe Institutin e Lartë të Arteve. Pas përfundimit të studimeve u emërova aktore në Teatrin Popullor Tiranë.

Cilat ishin ambiciet, vështirësitë në rolet që keni interpretuar në vite?
Ambiciet, të them të drejtën, nuk kam pasur edhe shumë, sepse ishin vetë pedagogët dhe regjisorët që duke më njohur nga vitet e shkollës, me jepnin role kryesore qoftë dhe dytësore, por që më vlerësonin gjithmonë e më shumë. Unë i arrija rolet dhe konsiderohesha nga stafi si një femër e talentuar dhe tepër logjike në interpretim. Karriera ime filloi në fakt që gjatë jetës studentore. Duke punuar me aktorë të talentuar të teatrit, fitova një përvojë të jashtëzakonshme, e cila e përsosi më tej punën time në skenë. Gjatë viteve ‘60 - ‘70 kam interpretuar role të shumta, por fatkeqësisht këto nuk janë regjistruar sepse në ato vite nuk ekzistonte Televizioni Shqiptar. Me hapjen e kanalit të vetëm televiziv në Shqipëri, u bë e mundur regjistrimi i disa dramave, të cilat gjenden edhe sot në arkiv, si p.sh: “Karnavalet e Korçës”, “Lumi i Vdekur”, “Luiza Miller” dhe “Arturo Ui”.

Ku qëndron ndarja e roleve në teatër e kinema dhe ç’ndryshim ka midis tyre?
Besoj se s’ka aktor që mos të pëlqejë rolet e teatrit e të skenës së vogël! Sepse të punosh një rol në teatër është një shkollë e madhe e përditshme dhe e pazëvendësueshme. Çdo ditë aktori perfeksionon veten dhe personazhin. Ndërsa të luaje një rol në kinematografi, aq më tepër për ne që sapo kishim dalë nga auditori, ishte një tjetër stres, sepse duhej të ishe tepër e saktë në interpretim. Kujtoj këtu filmin tim të parë: “Komisari i Dritës”. Në kinema, pra në role që kanë të bëjnë me kamerën, duhet të jesh shumë precize, sepse filmi xhirohet vetëm një herë dhe mbetesh në celuloid ashtu siç ke vepruar atë çast.

Si e përjetuat ju si aktore periudhën e post-liberalizimit në vitin ‘73 dhe a patët pasoja?
Pas vitit 1973 edhe arti si çdo fushë tjetër e jetës u godit rëndë nga Partia në pushtet lidhur me tendencat properëndimore dhe luftën kundër tyre. Unë personalisht nuk pata asnjë problem apo ndryshim të jetës profesionale. Megjithëse shikoja kolegët, të cilët herë pas here merrnin vërejtje e kishin pasoja të ndryshme në karrierë. Fatmirësisht unë nuk pata të tilla gjëra dhe i qëndrova besnike këshillave për të bërë detyrën time sipas parametrave të asaj kohe. Ndërkohë ndonjë kolege, që ishte komuniste, më kritikonte shpesh që të mos mbaja pantallona kauboj apo ndonjë veshje tjetër që nuk ishte e moralshme për kohën.

Po në skenë si do të ndihej kjo frymë e re?
Më kujtohet se atëherë filluam të vinim në skenë edhe shumë pjesë me regjisorë kinezë. Sa çudi?! Të kemi parasysh që në ato vite kishte ndikime dhe nga Revolucioni Kulturor. Por për punën e pantallonave, për të cilat në fakt kritikohesha ca si shpesh, justifikohesha sepse vetëm kështu nuk na dukeshin këmbët, apo shalët (siç thoshim me shoqet) kur hipnim e zbrisnim nëpër kamionë me të cilët shkonim për shfaqje në gjithë Shqipërinë, fshatra e qytete.

Cili është roli që keni interpretuar së fundmi në teatër apo kinema dhe kur u larguat nga jeta artistike?
Unë u largova nga skena për shkak të sëmundjes së këmbëve të mia, të cilat nuk kishin më forcë të mbanin mbi to trupin tim dhe lëvizjet e mia në skenë e në filma. Nuk isha më e aftë të qëndroja për një kohë të gjatë në këmbë. Kështu vendosa që të dal në pension të parakohshëm që në moshën 50 vjeç. Ishte viti 1988 kur unë u shkëputa tërësisht nga aktiviteti. Mbaj mënd në mes të viteve ‘80 në mos gaboj, dy role të mija në teatër: “Shtëpia me dy porta” dhe “Pallati 176”. Këto dy komedi ishin rolet e mia të fundit. Ndërsa në këtë periudhë kisha xhiruar në kinostudio filmat: “Si gjithë të tjerët”, “Hije që mbeten pas”, “Apasionata” dhe. Kujtoj ditët e xhirimeve në Sarandë dhe pamjet e qytetit aq të pastër dhe të bukur, të cilat më erdhën shumë pranë kur e pashë në një stacion televiziv para pak kohësh, filmin, “Nxënësit e klasës time”.

A keni pasur propozime të tjera për të luajtur në skenë apo kinema?
Edhe këtë periudhë që kam qenë e sëmurë kam pasur shumë propozime për role në teatër, por që kam qenë e detyruar t’i refuzoj të gjitha sepse nuk lëviz dot nga paraliza që më ka mbërthyer. Personalisht ka ardhur në shtëpi z.Kiço Londo dhe më ka propozuar për bashkëpunim me teatrin e tij dhe përsëri kam refuzuar. Ai më ka dashur shumë si aktore dhe më shikonte si protagoniste në shumë role, të cilat ai i vinte në skenë. Këtë përkushtim nga ana e tij e çmoj shumë dhe njëkohësisht e vuaj që nuk ja dhashë kënaqësinë për të qenë pjesë e stafit të tij. E përshëndes Kiçon dhe i uroj sukses në punën e tij si regjisor.

Si përjetohej në familje karriera juaj dhe si reagonin familjarët për rolet të ashtuquajtura problematike?
Kryesisht familja më ka mbështetur dhe asnjëherë s’ka qenë pengesë për karrierën time të çfarëdo roli qoftë. Burri dhe djemtë vinin gjithmonë të më shihnin  kur kisha premiera dhe kënaqeshin e më prisnin deri sa mbaroja shfaqen. Kjo më jepte një kënaqësi të madhe, madje shpesh më thërrisnin me emrin e rolit, duke më ngacmuar si: Cuca, Zonja Hatixhe, Klea, Afroviti etj.. Ishte vërtet bukur sepse kjo tregonte që unë i kisha arritur rolet.

A komunikon tashmë me koleget tuaja të dikurshme dhe cilat janë marrëdhëniet me to?
Tanimë po bëhen me shumë se 18 vjet që jam sëmurë, por disa kolegë e shoqe të punës nuk më kanë harruar dhe kanë ardhur për të më vizituar. Kujtoj këtu, shoqen time Mimika Luca, Edi Luarasi, Besa Imami, Marika Kallamata etj.. Kujtoj edhe disa shokë si, z. Pëllumb Kulla, Vladimir Prifti, Ali Bega etj., që për këtë çast nuk i kujtoj dot, e të më falin. Erdhën edhe këta shokë në kohë të ndryshme e tepër të vështira dhe më dhanë shumë jetë e kënaqësi.

Rivaliteti mes jush, ekzistonte?
Për sa i takon rivalitetit, kjo gjë nuk ka ekzistuar të unë. Shoqet i kam dashur e respektuar shumë. Qoftë më të mëdha apo më të reja, për mua ato ishin të talentuara e të respektuara: si Mimika, Roza, Besa, Pavlina, Margarita, Edi Luarasi, e shumë të tjerë, vetëm respekt dhe dashuri ndjej akoma për ta. Bashkë ndanim të gjitha hallet dhe problemet gjatë xhirimeve apo turneve. Solidariteti ishte motivi kryesor i punës dhe i karrierës. Por koha bën të veten dhe njerëzit harrohen, largohen sepse kanë hallet e veta dhe jetën e tyre. Gjithmonë do kem nostalgji për vitet e shkuara, të cilat nuk kthehen më mbrapa, por ato vijnë me shumë forcë nëpërmjet fotove ekranit etj..

Jeni nostalgjike për atë çka keni dhënë dhe doni ta shihni veten në ekran?
Më pëlqen t’i shoh filmat shqiptar në televizor. Dhe natyrisht, nostalgjia e skenës është shumë e madhe njëkohësisht edhe ajo për filmat. Por s’ke ç’i bën, kështu e solli fati.

Ju shkuat për kurim në Greqi? Ishte e vështirë terapia?
Duke qenë e sëmurë dhe duke mos pasur mundësinë të kurohesha këtu, kam vajtur me ndihmën e disa miqve të burrit, Teodorit, në një spital në Greqi dy herë: në vitet 1994 dhe 1998. Aty ishin edhe djemtë, të cilët më ndihmuan gjatë gjithë kohës që kreva vizitat edhe operacionet. Kalova çaste të vështira dhe operacioni doli relativisht me sukses. Më vonë pas vdekjes së burrit (viti 2001) unë u sëmura shumë dhe pësova një paralizë në vitin 2003. Edhe sot e kësaj dite, në saj të ndihmës së djalit tim po kaloj në shtëpi çaste të vështira, por jam e kënaqur dhe me këto kushte…

Flet djali i artistes, Albenc Papapavli
Antoneta do që njerëzit ta mbajnë mend siç ka qenë
Antoneta Papapavli, aktorja e skenës dhe e ekranit prej gati 22 vitesh është shkëputur nga aktiviteti artistik. Shkak mbetet gjendja e saj shëndetësore. Por imazhi i saj është po kaq i gjallë në pelikulë ashtu sikundër të gjithë e mbajmë mend me rolet e Afrovitit tek “Karnavalet e Korçës”, Sania tek “Hije që mbeten pas”, të drejtoreshës tek “Shoku ynë Tili”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri” etj. Në karrierën e saj artistike ajo numëron të paktën 130 role në skenë dhe kinema. Gjithsesi, ajo vazhdon të jetë një grua e fisshme, e rregullt, me flokët e mbledhur dhe tiparet e theksuara. Pavarësisht sëmundjes që ia ka vështirësuar ritmin e jetës, ajo përpiqet të ruajë pamjen e dikurshme dhe këtë e arrin vetë, me forcat e saj. Siç thotë djali i saj, Albenci, i cili është dhe njeriu që kujdeset më shumë për të, Antoneta kërkon medoemos të ruajë figurën me të cilën të gjithë e njohin. “Nëna e rregullon portretin e saj me dorën e majtë. E bën këtë çdo ditë, pavarësisht mundësive. Nuk lejon të merret tjetër kush me një gjë të tillë. Përpiqet dhe ia arrin qëllimit”. Vitet e fundit sipas Albencit, nëna e tij ka hequr dorë nga daljet publike. Për shkak të pamundësisë për të ecur, ajo ka zgjedhur, herë shtratin e herë karrigen me rrota, si të vetmet vende, ku mund të ndihet mirë dhe e qetë gjë që me sa duket e bëjnë të jetojë me kujtimet që e rrethojnë. “Ajo nuk do të jetë më publike sepse kërkon që njerëzit ta mbajnë mend ashtu, një zonjë grua, të bukur, aktore profesioniste dhe mbi të gjitha një fisnike në shpirt. Nuk do që njerëzit që e njohin e ta shohin në karrocë”, thotë Albenci.

Gjatë karrierës së saj ka interpretuar në 130 role

Rolet në pjesë teatrale

1.Rrugë të tërthorta                 1963
2.Rrethimi i bardhë                 1965
3.Vajza optimiste                    1964
4.Ariu                                      1966
5.Orfeu zbret në ferr               1969
6.Shokët                                  1968
7.Orët e Kremlinit                   1976
8.Prefekti                                1977
9.Karavidhet                           1978
10.Tre të shtëna pushke          1966
11.Nga errësira në dritë           1979
12.Bashkë me agimin              1980
13.Pas provimit të fundit        1983
14.Një nuse për Stasin              1979
15.Viti 1961                               1965
16.Karnavalet e Korçës           1977
17.Një ngjarje në fabrikë         1968
18.Cuca e maleve                    1969
19.Arturo Ui                           1969
20.Luiza Miler                         1977
21.Lumi i vdekur                    1978

Rolet në kinematografi

1.Komisari i Dritës                  1963
2.Tinguj Lufte                         1976
3.Kërcënimi                             1978
4.Përballimi                             1981
5.Nxënësit e klasës time          1981
6.Ata ishin katër                      1983
7.Apasionata                           1984
8.Shoku ynë Tili                      1984
9.Shoqja nga fshati                 1979
10.Përtej mureve të gurta        1979
11.Hije që mbeten pas             1982
12.Zonja nga qyteti                 1980
13.Gjurmë në kaltërsi              1979
14.I treti                                  1979


Botuar në gazetën TELEGRAF e mërkurë 9 mars 2011


Monday, July 10, 2017

Misioni “UNOMIG”/ Ushtarakët shqiptarë me "Beretat e Gjelbra", paqeruajtës në Gjeorgji

Major Kasem Saliasi, rrëfen për 10 vitet e misionit paqeruajtës në Gjeorgji. Si e përqafuan ushtarakët shqiptarë kodin e “Beretave të Gjelbra”. Monitorimi i shtetit me probleme të luftës etnike. Përse ushtarakët shumëkombësh patrullojnë të paarmatosur dhe çfarë përfaqësojnë oficerët shqiptarë.


Leonard VEIZI


Me mbarimin e Luftës së Ftohtë në Evropë, por sidomos në vendet e ish-kampit socialist, pati ndryshime të mëdha. Në pjesën socialiste të Evropës, ndryshimet më radikale u zhvilluan në ish-Bashkimi Sovjetik. Federatat e mbledhura nën ombrellën e konfederatës së madhe ishin shpërbërë me shpejtësi. Republikat njëra pas tjetrës kishin fituar pavarësinë. Ishin mëvetësuar pa shumë dhimbje Letonia, Estonia apo Bjellorusia, duke bërë që çizmja e ushtarit rus të mos shkelte më mbi pavarësinë e tyre. Por asgjë nuk do të mbyllej kaq lehtë. Konfliktet midis etnive do të thelloheshin dhe më tej. Jo vetëm Çeçenia rebele, por edhe brenda republikës gjeorgjiane problemet nuk po merrnin zgjidhje.

Në Republikën e Gjeorgjisë
Me statusin e “Republikës”, Gjeorgjia përbëhej nga disa kombësi brenda të njëjtit shtet. Një prej këtyre kombësive ishte dhe Apkazia. Territori i saj shtrihet në kufijtë midis Rusisë dhe Gjeorgjisë. Por Apkazia nuk dëshironte të ishte nën përbërjen e protektoratit gjeorgjian. Kërkesa e saj e dukshme që në fillim të shpërbërjes së shtetit të sovjetëve, ishte ribashkimi me Rusinë. E gjitha kjo nuk kishte të bënte vetëm me ndërhyrjet nga qarqet e caktuara ruse për të rimarë një pjesë të territoreve të humbura, por sepse vetë apkazët e ndjenin veten shumë më pranë shtetit “mëmë”, si nga traditat, zakonet, ashtu edhe nga gjuha. Gjithsesi asgjë nuk mund të zgjidhej me anë të bisedimeve. E si në të gjitha rastet, në prag konfliktesh, diplomacia nuk ka qenë në rolin e duhur. Dhe incidentet brenda republikës gjeorgjiane filluan të rëndoheshin së tepërmi. Lufta civile kishte filluar… Nga ana e tjetër autoritetet e shtetit gjeorgjian nuk mund të lëshonin një territor si Apkazia, e cila padyshim ishte më e mira e gjithë republikës. Në bazë të të gjithë treguesve, Apkazia njihet si një vend me pjellori të madhe, pyje e lugina që sigurojnë lëndë të parë me shumicë dhe me një nëntokë të pasur. Nëse Gjeorgjia mbeste pa këtë pjesë të sajën, atëherë dhe ekonomia vendase do të kishte probleme të mëdha.

Marrëveshja e Moskës
Pas më shumë se një vit luftimesh, të cilat u zhvilluan në harkun kohor 1992-1993, organizata të ndryshme ndërkombëtare u mblodhën në Moskë, për të vendosur rreth fatit të mëtejshëm të republikës së vogël. Nga kjo mbledhje doli një marrëveshje, e cila më pas u quajt thjesht si “marrëveshja e Moskës”. Pikërisht nga kjo marrëveshje me 12 pika u vendos që një mision i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të vëzhgonte zbatimin e 12 pikave të miratuara në Moskë, ku më së shumti flitej për probleme të vetëvendosjes dhe vetadministrimit të Apkazisë. Në këtë mënyrë Apkazia mori një lloj pavarësie ku, midis të tjerave, i dukej të krijonte dhe strukturat e saj organizative për të administruar jetën e brendshme.

Paqeruajtësit shqiptarë
Në përbërje të misionit vëzhgues të OKB-së u rreshtua dhe Shqipëria. Misioni filloi punën e tij në vitin 1994 me komandën qendrore në thellësi të Apkazisë, në një territor i cili ishte më larg sulmeve të një rebelimi ekstrem. Për tetë vite me radhë Shqipëria është paraqitur në mision me një oficer vëzhgues të cilin e zëvendësonte një herë në gjashtë muaj. Ndërsa në dy vitet e fundit, me ardhjen në krye të ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Pandeli Majkos, kjo metodë ka pësuar një ndryshim të madh. Tashmë në misionin e OKB-së shërbejnë tre oficerë shqiptarë, të cilët zëvendësohen një herë në vit. Ky mision paqeruajtës ndërkombëtar u kodua nën emrin “UNOMIG”.

Kasem Saliasi
Dëshmitari i largët
Major Kasëm Saliasi është një nga tre oficerët vëzhgues që aktualisht po shërben në Apkazinë gjeorgjiane gjatë vitit 2004. Gjatë një ndalimi tranzit në Tiranë, me një lejë të shkurtër vetëm disaditore, ushtaraku i lartë shqiptar tregohet i gatshëm të sqarojë ekskluzivisht për gazetën “Dita” gjithçka ndodh me ndërkombëtarët dhe ekipin shqiptar të misionit. Megjithëse një i ri 37-vjeçar, Kasëm Saliasi mban një gradë madhore të ushtrisë shqiptare, ndërsa mbi shpatulla i rëndojnë 15 vite punë. Ndërsa përveç shkollimit dhe kurseve specializuese si oficer aktiv, ai ka realizuar edhe disa trajnime në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe median.

Fjalët e mira
Gjëja e parë që thotë major Saliasi është se shqiptarët kanë lënë një shije shumë të mirë mes ushtarakëve të tjerë të misionit, por dhe kontaktet me popullsinë në terren. Madje, jo vetëm për shkak të misionit, oficerët shqiptarë janë paraqitur krejt të barabartë me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të NATO-s apo jashtë saj. “Ata kanë kryer të gjithë detyrat tepër të rëndësishme që përmban ky mision. Unë që jam i fundit, deri tani, mund të them pa frikë se kam mbledhur shumë opinione qytetarësh, të cilët flasin me respekt për ushtarakët shqiptarë, paraardhësit e mij, të cilët kanë shërbyer në këtë mision të OKB-së. Në rrethana të tilla, për më tepër kur je larg atdheut, edhe emocioni është më i madh”, shprehet për gazetën “Dita”, major Kasëm Saliasi. Sipas tij, në misione të tilla një ushtarak ndjen një përgjegjësi të dyfishtë. “Së pari, sepse duhet të mbash me nder dhe të ndjesh përgjegjësi për dinjitetin e uniformës që mban emrin e Shqipërisë: Së dyti, sepse kjo përgjegjësi vlen dhe për vetveten, personalitetin dhe karakterin tënd”, sqaron major Saliasi.

Politika ndryshe
Vite më parë, kur luftërat në Gjeorgji sapo kishin reshtur për shkak të marrëveshjes, edhe incidentet mes dy kombësive brenda të njëjtit shtet ishin më të mëdha. Rreziku padyshim ishte më i madh. Por vitet e fundit këto incidente janë rralluar. Major Kasëm Saliasi thotë se misioni ka kaluar përmes vështirësive të shumta. Por ai shton se pas përmbysjes së ish- peridentit Shevernaxe edhe politika gjeorgjiane ka ndryshuar dukshëm në favor të paqes. Presidenti i ri Shakashvil duket se po ndjek një politikë më të zbutur, gjë që ka bërë që të fitojë dhe dashamirësinë e të dy palëve. Në bazë të kësaj politike Shakashvil ka gjetur dhe një përkrahje më të madhe nga organizmat ndërkombëtarë si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Dy anët e lumit
Lumi Ingori njihet dhe si kufiri natyral i Gjeorgjisë me Apkazinë. Në të dyja anët e lumit funksionojnë nga një sektor të misionit, pra gjithsej dy sektorë. Sektori, i cili mban nën vëzhgim pjesën apkaziane, ka në përbërjen e tij 50 oficerë, ndërsa ai që vrojton pjesën gjeorgjiane ka 37 oficerë. Pjesa tjetër e oficerëve qëndrojnë në Komandën Qendrore të misionit. I gjithë misioni ka në përbërje 120 oficerë, por po të marrësh edhe pjesën e kuadrit civil, ai përbëhet nga rreth 400 pjesëtarë. Të gjithë punojnë për të njëjtin qëllim: Monitorimin e paqes dhe i 12 pikave të nënshkruara mes palëve në konflikt. 

Patrullimi monitorues
Major Kasëm Saliasi thotë se detyra monitoruese dhe patrullimi kryhet çdo ditë. Si rregull udhëtojnë dy makina me nga dy oficerë secila, si dhe një përkthyes. Gjatë patrullimit, oficerët ndërmarrin takime me autoritetet vendase, por në pjesën më të madhe ata respektojnë kontaktet me popullin e thjeshtë, pasi pikërisht aty problemet dalin dhe më drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë i gjithë informacioni përpunohet dhe dërgohet në Komandën Qendrore të misionit. Komanda Qendrore ka për detyrë, që nëpërmjet një relacioni të detajuar, të informojë zyrën e OKB-së në Nju Jork. Për shkak të rreziqeve që paraqiten herë pas here, të gjithë oficerët që mbërrijnë në mision, i nënshtrohen një kursi trajnimi njëjavor, ku u mësohen shumë gjëra. Kështu oficerët trajnohen se si duhet të sillen me vendasit për të kryer detyrën. Në këtë mënyrë atyre u kujtohet edhe një herë se duhet të jenë të qetë, të kulturuar, të mos provokojnë, apo mos bien pre e provokimeve.

Misionarët e vdekur
“Ka pasur raste kur misionarët janë marrë rob nga rebelë vendas. Kjo ka ndodhur disa herë. Por OKB-ja kishte paralajmëruar që në fillim, që në asnjë rast për shkëmbimin e tyre, nuk duheshin premtuar para. Pas disa tentativave të pasuksesshme, misionarët janë lënë të lirë dhe të paprekur”, tregon për gazetën, major Kasëm Saliasi. Por, sipas tij, rasti më ekstrem me pjesëtarë të misionit ka ndodhur disa kohë më parë, diku në kufi të Gjeorgjisë me Çeçeninë. Ishin pikërisht ato forca, të cilat nuk e donin praninë e OKB-së dhe as monitorimin ndërkombëtar. Pikërisht atëherë të rebeluarit qëlluan një helikopter patrullimi me oficerë dhe civilë të misionit. Rrëzimi i helikopterit mori dhe jetën e pjesëtarëve të të gjithë bordit, në të cilin ndodheshin 16 persona.

Ushtarakët e paarmatosur
Major Kasëm Saliasi thotë se misioni ka si kusht kryesor, kryerjen e patrullimit pa armë. Në këtë mënyrë oficerët shumëkombësh, kanë të drejtë të mbajnë vetëm një radiomarrëse në dorë, por asnjë mjet që përbën “armë zjarri” apo “armë të ftohtë”. Për çdo incident të mundshëm, lajmërohet me radio dhe menjëherë vjen ekipi i shpëtimit me helikopter. “Gjithsesi, patrullimi kryhet nën masa të larta sigurie, pasi i gjithë terreni gjeorgjian me Apkazinë, konsiderohet si një arenë lufte”, shprehet major Saliasi.


PAS KUINTAVE
Jeta civile e ushtarakut në mision
Makinat e “UNOMIG”, janë fuoristrada të reja, tip TOYOTA, të cilat gjithashtu janë në ngjyrë të bardhë për të simbolizuar paqen. Në paretet anësore është shkruar kodi i misionit. OKB ka misione të tilla dhe në Kosovë, Siera Leona e Kamboxhia. Ndërsa kriteret për t’u pranuar si anëtar i misionit janë: gjuha angleze, njohuritë në kompjuter dhe patenta e makinës. Të gjithë oficerët e këtij misioni paguhen nga fondi i OKB-së me një pagë të barabartë prej 70 dollarësh në ditë. Por misioni nuk siguron mjetet e jetesës, duke lënë që gjithkush të bëjë zgjedhjen e tij, sipas dëshirës, dhe duke mos i detyruar të bëjnë jetën e kazermës. Në këtë mënyrë oficerë apo civilë kanë marrë apartamente me qira, ndërsa mund të drekojnë apo darkojnë në restorantet e ndryshme të qytetit. Në të gjitha rastet, ata janë të lirë që ta administrojnë si të duan jetën e tyre private, nëse këtë e përballojnë me rrogën që marrin si pjesëtarë të misionit. Major Kasëm Saliasi thotë se megjithatë në mision punët shkojnë shumë mirë. “Të bën përshtypje harmonia dhe ndjenja humanitare që kanë ushtarakët e të gjithë kombësive për njëri-tjetrin. Nëse shprehet se ke një problem, të gjithë janë të gatshëm të japin ndihmën e tyre”, shprehet Major Saliasi. Për sa i përket uniformës, çdo oficer i misionit mban uniformën e ushtrisë së shtetit që përfaqëson.


MISIONI
Si u krijua misioni për paqen gjeorgjiane
Misioni “Beretat e Gjelbra” ka ende kuptim, jo vetëm në terminologjinë gjuhësore, por dhe në veprimtarinë që merr përsipër një mision i tillë delikat. Jo vetëm “Beretat e Gjelbra”, por dhe “Kaskat Blu”, kanë të njëjtin qëllim: të monitorojnë zbatimin e marrëveshjeve që nënshkruhen në prani të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këto marrëveshje, zakonisht funksionojnë mes vendeve që kanë probleme etnike apo të luftës civile. Edhe Shqipërisë, mbas futjes së ushtrisë së saj në paktin e “Partneritetit për Paqe” (pakt i dalë nga marrëveshja e Dejtonit në Shtetet e Bashkuara), krijoi strukturat e veta paqeruajtëse. Në këtë kuadër, midis shumë misioneve të përbashkëta me OKB-së, ku ushtria shqiptare ka marrë pjesë, është dhe misioni që shërben në Gjeorgji. Aktualisht Gjeorgjia konsiderohet si një vend me një rrezikshmëri të lartë, ku problemet etnike mund të shkaktojnë të njëjtin kaos që krijuan dhe 12 vite më parë. Por prej 10 vjetësh, misioni ndërkombëtar “Beretat e Gjelbra” mban nën mbikëqyrje të rreptë gjithçka ndodh jashtë kuadrit të një rezolute, ndërmjetëse e së cilës është OKB-ja. Në këtë mision, Shqipëria, ashtu si dhe 22 shtete të tjera, ka statusin e vëzhguesit. Ky mision ushtarak përbëhet nga 120 oficerë që përfaqësojnë 23 vende të ndryshme të botës, ku përveç vendeve të fuqishme perëndimore si Anglia, Franca apo Shtete e Bashkuara, marrin pjesë me ushtarakët e tyre vëzhgues edhe ekipe nga Pakistani apo Bangladeshi. Ndërsa Ballkani në këtë mision përfaqësohet me ekip nga Shqipëria, Greqia dhe Turqia. E veçanta tjetër e këtij misioni është se Italia ka tërhequr përfaqësuesit e saj, pas një incidenti të ndodhur, ku nota e protestës e qeverisë italiane nuk mori përgjigje.

Botuar në gazetën DITA më 13 korrik 2004

Wednesday, July 5, 2017

Kur Shqipëria u bë me 3 milionë banorë


Historia e fëmijës që u cilësua: “i tremilionti”. Si e priti familja ngjarjen e rrallë dhe çfarë përfitoi nga shteti. Vizita e anuluar e Ramiz Alisë në familjen Bega. Emri i vendosur nga Komiteti Qendror dhe ceremonia ku mori pjesë Lumturi Rexha


Nga Leonard Veizi

Megjithëse çështja e shtimit të popullsisë ishte një detyrë parësore për shqiptarët, të paktë ishin ata që e dinin se statistikat e lindjeve po rriteshin nga viti në vit. E ndërsa mosha mesatare zbriti në 27 vjeç, brenda 18 vjetësh numri i shqiptarëve brenda kufijve shtetëror, shkoi nga 2 milionë banorë, në 3 milionë. Aktualisht, kanë kaluar po 18 vjet të tjera, por tashmë askush nuk e di saktësisht se sa shqiptarë jetojnë brenda kufijve. Ndërsa për ata që janë jashtë, as që bëhet fjalë...

...Ishte apo s’ishte fëmija i tyre i tremilionti, për familjen Bega, në qytetin prej minatorësh të Memaliajt, kjo nuk kishte ndonjë rëndësi të madh. Për ta e rëndësishme ishte që fëmija i tyre i tretë ishte djalë dhe gëzonte shëndet të plotë.

Ngjarja
Shteti lëvizi menjëherë sapo në zyrat e Komitetit Qendror të Partisë, mbërriti lajmi se Shqipëria më në fund u bë me 3 milionë banorë. Ka qenë mesdita e datës 27 shkurt të vitit 1986, (diku rreth orës 11.30) kur ka lindur banori i 3 milionët i Shqipërisë. 18 vjet më parë, Shqipëria kishte festuar për banorin e 2 milionët të saj. Drita Rexha, fëmija që do të lindte në maternitetin e Bulqizës, dhe do të shënohej si një e 2 milionta pjesë e Shqipërisë, do të kishte përparësinë që emrin e saj ta zgjidhte Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, Enver Hoxha. Sapo kishte përfunduar elektrifikimi i vendit dhe emri më i përshtatshëm u gjet: Drita. Ndërsa Gëzim Bega, që do të lindte në maternitetin e Memaliajt, do të pagëzohej me këtë emër nga Ramiz Alia, i cili, pas vdekjes së Enverit më 1985, kishte të njëjtat funksione. Fati e donte që si Drita Rexha, ashtu dhe Gëzim Bega, të lindnin në qytete minatorësh dhe kjo ndoshta i jepte më shumë kuptim ceremonive që stimuloheshin nga zyrat e larta të Partisë. Gjithsesi, në 27 shkurt 1986 Shqipëria rrumbullakosi një shifër, për të cilën folën gjatë Radioja, Televizioni dhe gazetat e kohës. Kjo gjë pa dyshim ka rënë dhe në sy të Sali Berishës, i cili në vitin 1991, gjatë një fushate propagandistike në Memaliaj është shprehur se: “I tremilionti i lindur në këtë qytet, është pjesë e historisë”.

Ankthi për lindjen
Qemal Bega ishte një elektricist turni, i cili punonte në minierën e Memaliajt. Ishte martuar me Lavdijen dhe së bashku kishin dy vajza, Jugertën, 6-të vjeç dhe Suelën, 3-vjeç. Por Qemal Bega, si shqiptar i vërtetë, kishte vendosur të bënte patjetër një djalë. Gjatë shtatzënisë së tretë, Qemali ka qëndruar muaj të tëra nën ankth, në fëmija që do të vinte në jetë, do të ishte vërtet mashkull, apo femër, siç kishte ndodhur rëndom me shumë të tjerë që kishin këmbëngulur tek pasardhësi. Pak ditë përpara lindjes, teksa kishin bërë një konsultë tek gjinekologu, në ambientet e maternitetit, Qemali i ishte drejtuar seriozisht së shoqes, Lavdijes: “Po s’bëre djalë, këtu do ta kesh vendin”. Atë mëngjes të 27 shkurtit, Qemali sapo kishte dalë nga nëntoka, ku kishte punuar për turnin e tretë, ndërsa gruaja e tij ishte shtruar me dhimbjet e lindjes në maternitetin e qytetit. Sapo ka marrë vesh lajmin, Qemali është nisur për të qenë më afër gruas. I lodhur nga puna dhe stresi, ai është ulur në një nga lokalet e afërta për të pirë një kafe dhe për të pritur lajmin e mirë. Ka qenë ora 11. 45 minuta, kur shoqja e ngushtë e gruas së tij, Hatixhe Hajlaj, ka vrapuar drejt tij gjithë gëzim duke i thënë: “Sihariq. Djalë”. Entuziazmi i tepruar ka bërë që Qemali të nxjerrë nga xhepi një kartëmonedhë për të shpërblyer lajmësen sipas zakonit.

Lajmi i pazakontë
Familja Bega sapo kishte marrë një hyrje të re në Mamaliaj, pasi deri në atë kohë kishin jetuar në kushte mjaft të vështira, në barakat e minatorëve. Pas gëzimit të marrjes së shtëpisë, lindja e një djali do të ishte një gëzim më i madh. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç kishte menduar Qemali në çastin e parë. “Në shtëpi erdhi me një frymë vjehrra ime, Xhero Meçaj dhe më tha se më kërkonte për një takim në zyrën e saj kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të Memaliajt, Lina Kuçi. Nuk e dija se përse më kërkonte, ndaj u nisa me të shpejtë”, kujton Qemali nga ajo ditë e pazakonte e jetës së tij. Sapo janë përshëndetur me njëri-tjetrin, Lina Kuçi i është drejtuar Qemalit me fjalët: “Djali yt pati fatin të plotësojë numrin 3 milionë të shqiptarëve të Republikës. Por duhet të kesh kujdes. Pritet që të të vijnë për vizitë nga Komiteti Qendror i Partisë. Je dakord apo jo?!” Qemali ka mbetur i hutuar një çast pastaj ia ka kthyer: “Të urdhërojnë. Me gjithë qejf. Por që ta dini, kënaqësia ime më e madhe është që më lindi një djalë pas dy vajzave”.

Frenimi për vënien e emrit
Pas marrjes së lajmit për vizitë nga të “mëdhenjtë”, Qemali ka nxituar të nxjerrë gruan nga materniteti, bashkë me foshnjën e sapo lindur. Por të nesërmen, kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të Memaliajt, Lina Kuçi e thërret sërish në zyrë. “Se mos i vësh emrin, se për djalin tënd kanë menduar mysafirët që do të vijnë nga Tirana”, e ka porositur ajo. “Më lajmëruan se në shtëpinë time do të vinte vetë Ramiz Alia, i cili do t’i vinte dhe emrin djalit. Në atë periudhë ai kishte bashkëshorten Semiramisë, shumë të sëmurë, ndërsa vizita e tij u anulua, sepse ajo vdiq. Në këtë mënyrë e dërguara e tij ishte Lumturi Rexha, në atë kohë Presidente e Gruas Shqiptare”, kujton Qemal Bega nga ato ditë plot emocione. Por shtëpia e tij ishte fare e re dhe e parregulluar, ndërsa përpara pallatit kishte vetëm gropa dhe baltë. “U mobilizua gjithë lagja që të rregullonte pjesën përpara hyrjes, ndërsa unë i mora borxh kolltukët Medi Durës, një ish- deputeti të Kuvendit Popullor, ndërsa vazot me lule ia mora Spiro Gjikës, po fqinji im i një shkalle. Në këtë mënyrë shtëpia ime u rregullua disi”, kujton Qemali nga pjesa e peripecive.

Rikthimi në maternitet
Ditën që do të vinin të dërguarit e Komitetit Qendror, organizatorët e rrethit, vunë re se Lavdija dhe fëmija i porsalindur ishin në shtëpi. Me urgjencë i drejtohen Qemalit: “Po ty kush të tha të nxjerrësh gruan nga spitali. E di që protokolli e do që nënën dhe djalin ta nxjerrë nga materniteti Lumturi Rexha? A e di që të gjitha këto do të regjistrohen me kamera dhe do të jepen në televizion. Merr gruan dhe çoje sërish në spital”. Por Qemali ka shqyer sytë dhe u është kundërpërgjigjur. “Ç’thoni more. Gruan e kam lehonë, s’duhet të lëvizë nga vendi”. Por organizatorët e ceremonisë nuk e kanë zgjatur, kanë vënë një makinë në dispozicion dhe e kanë kthyer Lavdijen dhe djalin e saj disa ditësh, sërish në maternitet. Qemal Bega pohon për gazetën, se protokolli u realizua, Lumturi Rexha së bashku me zëvendësen e saj Lavdije Leka, erdhën në Memaliaj me një “Peugeot” fringo të ri, dhe në prezencë të kamerës, nxorën nga materniteti shqiptarin e “tremiliontë” dhe nënën e tij. Gjatë ceremonisë merrte pjesë dhe sekretari i Parë i Tepelenës, Skënder Kuçi.

Dreka me ftesat e veçanta
Për zyrtarët e Tiranës ishte porositur dhe një drekë e mirë. Kjo drekë u shtrua në shtëpinë 1+1 të sapomarrë të Qemal Begës. Së bashku me drekën, nga Komiteti Ekzekutiv erdhi dhe një liste me emra, të cilët do të ishin të pranishëm. Por në të nuk figuronte as vëllai i Qemalit dhe as disa të afërm të tjerë. Kur pyeti, i thanë: “Kjo drekë është e përcaktuar. Pasi të mbarojë, bëj ç’të duash dhe fto kë të duash”. Natyrisht që ashtu u bë. “U vu në dispozicion kuzhinieri më i mirë i Memaliajt, ndërsa ushqimet e përgatitura në një lokal tjetër, i sollën në shtëpinë time disa makina me targa të Tiranës. Të miat kisha vetëm pjatat dhe… sigurisht paratë. Për të përballuar shpenzimet, prisha lekët që kisha mbledhur për të blerë frigoriferin”, kujton Qemali detajet e ceremonisë së lindjes të djalit. Po gjatë asaj dreke, Lumturi Rexha ka hapur një zarf dhe prej andej ka nxjerrë një letër me emrin e djalit të sapolindur. Udhëheqja kishte menduar ta quante GËZIM.

Publiciteti
Ngjarja kishte marrë dhenë. Në drejtim të familjes vinin telegrame të shumta urimi, nga njerëz të njohur e të panjohur. Edicioni i lajmeve të Televizionit Shqiptar kishte mbajtur të gozhduar publikun duke i bërë të ditur lajmin se Shqipëria ishte bërë me 3 milionë banorë dhe se udhëheqësit e partisë e të shtetit kishin vizituar Gëzimin, fëmijën që rrumbullakosi dëshirën 18-vjeçare të shqiptarëve për të pasur dhe një milionë më tepër. “Në Memaliaj erdhi dhe një grup xhirimi, i cili qëndroi një javë dhe bëri një reportazh për ne. Regjisor ishte Kujtim Gjoni, ndërsa kishte filmuar dhe më parë operatori Gaspër Shllaku. Më kujtohet që grupi i xhirimit po priste çastin të filmonte kur fëmija do të qante. Por ai, si për inat, nuk qante. Atëherë u detyruam ta shponim me gjilpërë që të plotësohej kuadri i reportazhit”, kujton Qemali ngjarjen duke qeshur.

Dhurata nga Ramiz Alia
Pasi ka kaluar dhe të 40-tat nga vdekja e bashkëshortes, Ramiz Alia nuk ka harruar të surprizojë familjen që solli në jetë të “tremiliontin” e shqiptarëve. Me porosi të tij, shkojnë në familjen Bega, në qytetin e vogël të Memaliajt, zëvendëspresidentja e Gruas, Lavdije Leka dhe Lumturi Micka, e cila ishte funksionare në kryesinë e Gruas. Me porosi të Ramiz Alisë, për fëmijën 3- muajshe, Gëzimin, erdhi nga Tirana një pako, e cila përmbante: një krevat portativ, me të gjitha kompletet e mundshme, si edhe një copë kostumi për Lavdijen, nënën e Gëzimit. “Për mua s’u kujtua njeri”, qesh Qemali 18 vjet pas ngjarjes.

Në Kongresin e grave
Disa muaj më vonë, në Shqipëri është organizuar kongresi i Gruas. Gjatë pjesës së spektaklit, (e cila zhvillohej në një seancë të veçantë) ishte parashikuar që të takoheshin i “dymilionti” me të “tremiliontin”. Në këtë Kongres u ftua e gjithë familja Bega. Por ata nuk e morën dot Gëzimin e vogël, duke e lënë në Memaliaj, nën kujdesin e gjyshes së tij. E instruktuar nga regjisorja e mirënjohur Xhanfise Keko, vajza e madhe e familjes Bega, Jugerta 6-vjeçare, i ka dhënë një tufë me lule Ramiz Alisë dhe i ka recituar këto vargje:
Xhaxhi Ramiz, xhaxhi Ramiz
I “tremilionti” është vëllai im
Por ai është akoma i vogël shumë
Ndaj në vend të tij, erdha unë.
Gjatë këtij Kongresi, mbeti si kujtim dhe një fotografi, ku Lavdije Bega dhe e “dymilionta”, Drita Rexha, (e cila në atë kohë studionte në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve), janë përkrah ish -antarit të Byrosë Politike, Pali Miska.

Sëmundja e rëndë
Qemal Bega kujton se djali i tij Gëzimi nuk kishte mbushur ende vitin, kur u sëmur rëndë nga sistemi i frymëmarrjes. “Djali kishte mbledhur ujë në mushkri. E çuam urgjent për në pediatrinë e Gjirokastrës, edhe pse rruga ishte zënë nga dëbora. Gjatë rrugës, djali bëri një vdekje klinike, por falë një injeksioni, u kthye në jetë. Nga Tirana u nis me helikopter një grup mjekësh specialistë. U thirr për vizitë mjeku më i mirë i krahinës, Andrea Gulla. Me helikopter ka ardhur për ta vizituar dhe anëtarja e Byrosë Politike, Lenka Çuko. Por një ndihmesë të madhe për jetën e djalit dhanë dhe mjekët: Ekaterina Vashko dhe Çerçiz Myqfari”, kujton Qemal Bega nga ato çaste të vështira. Por djali shpëtoi për mrekulli. Shteti ishte vënë sërish në lëvizje. Nderi ia done që i “tremilionti” të ishte në jetë. Që nga ajo kohë, i Gëzimi ka pasur si mjeke personale pediatren Fato Xhelili, e cila e vizitonte rregullisht në shtëpi.

Përfitimet
“Nuk kam përfituar asgjë nga shteti. Madje kam pasur një shtëpi 1+1, edhe pse isha vet i pestë. Ndërsa aktualisht jam në pension dhe marr 10 mijë lekë në muaj”, tregon Qemali. Atij i është dashur që, për arsye ekonomike, të shkojë e të punojë në Greqinë fqinje, porse një pjesë të parave të fituara me djersë i ka humbur tek “firmat piramidale”.


POHIMI/ “Punoj për të ndihmuar familjen”
Gëzim Bega tashmë është 18 vjeç. Për arsye ekonomike ai është detyruar të vazhdojë shkollën e mesme natën tek “Kristoforidhi”. Ndërsa ditën, i duhet të punojë si punëtor i zakonshëm në një magazinë. Të gjitha këto 18-vjeçari i bën për të ndihmuar familjen e tij, e cila vazhdon të vuajë nga financat e pakonsoliduara. Mendjen e ka pasur për të ndjekur shkollën “Harry Hultz”, por nuk ia ka dalë të paguajë dot kuotat e detyrueshme financiare. Dëshira e tij e vetme është që të bëhet inxhinier elektrik, pasi, siç shprehet vetë ai, telat, pincat e kaçavidat i dalin dhe në ëndërr. Në moshën 13 -vjeçare, së bashku me familjen, Gëzimi është shpërngulur nga Memaliaj, për t’u vendosur në njësinë Kombinat, të Tiranës. Jeta në qytetin e zhurmshëm ka nisur pa shumë probleme për të, pasi ishte në një moshë kur mund të miqësohej shpejt. Për më tepër që në Kombinat, kishte dhe plot tepelanas të tjerë. Ajo që i ka mbetur në mendje gjatë fillimit të jetës në kryeqytet, ka qenë një orë mësimi historie në shkollën 8-vjeçare, “Musine Kokalari”. Mësuesja e historisë (e cila, për hir të së vërtetës nuk e kishte me sy të mirë Gëzimin), e ngre në mësim dhe, përveç lëndës së ditës, i bën dhe këtë pyetje që nuk kishte asnjë lidhje me mësimin: “Kur lindi banori 3 milionët i Shqipërisë dhe si quhet ai?”. Gëzimi ka mbetur një çast, ndërsa shokët e klasës që e njihnin ngjarjen, gati sa s’kanë shpërthyer në të qeshura. “Banori i 3 milionët i Shqipërisë ka lindur në 27 shkurt 1986 në qytetin e Memaliajt. Tani është 13 vjeç, quhet Gëzim, mbiemrin e ka Bega dhe ndodhet në këtë klasë, përpara jush”, është përgjigjur Gëzimi. Por mësuesja e historisë ka mbetur pa mend. “Me kë tallesh ti. S’ke turp. Dil përjashta”, ka ulëritur ajo. Por në ndihmë të Gëzimit janë vënë dhe nxënësit e tjerë, të cilët janë munduar t’i shpjegojnë mësueses së tyre të historisë se Gëzim Bega ishte vërtetë i “tremilionti”. Për të sqaruar konfliktin, në klasë është thirrur dhe nëndrejtori i shkollës, Guri Halili, i cili ishte po nga Memaliaj. “Është e vërtetë, Gëzim Bega është banori i 3 miliontë i Shqipërisë”, ka pohuar nëndrejtor Guri, i cili e njihte mjaft mirë familjen Bega. Atëherë mësuesja e historisë, kokulur, është detyruar të japë notën maksimale për Gëzimin, gjë që s’kishte ndodhur më parë. Të gjitha këto, Gëzim Bega i tregon ekskluzivisht për gazetën “Dita”. Ndërsa pohon duke qeshur se më shumë se sa në emër, shoqëria e tij e thërret “o tremilionësh”.


LETRA
Në emër të familjes Bega, pas lindjes së Gëzimit, erdhën shumë letra e telegrame urimi. Fragmenti i njërës prej letrave, (sipas origjinalit) po botohet në këtë numër gazete:

Nënës; Lavdije Bega
Unë që po ju shkruaj këtë letër urimi, jam një kosovar me banim në qytetin e Kukësit, me punë përgjegjës i gjendjes civile të rrethit. Jo vetëm pse këtë ngjarje të shënuar ne të Gjendjes Civile e kemi ndjekur çdo ditë, sa arriti tek lindja e djalit tuaj Gëzimit, që të kapë shifrën 3 milionë Shqipëria Socialiste në më pak se 18 vjet, por dhe nga ne kosovarët, që e ndjejmë më shumë këtë ngjarje të shënuar, kur ndërkohë vëllezërve e motrave tona, nënave tona të Kosovës, shovinistët serbomëdhenj, po u mohojnë me lloj-lloj formash edhe lindjet e shumta që ka ajo trevë, duke treguar kështu, se janë hapur tani kohët e fundit kundër çdo fëmije që lind i kombësisë shqiptare. Të dashur prindër të Gëzimit; i dashur Gëzim, edhe pse jemi larg, ne malësorët e këtyre anëve e ndoqëm ngjarjen tuaj dhe të gjithë Shqipërisë me interesim të madh. Gëzimi juaj është dhe gëzimi i malësorëve të veriut. Edhe një herë përfitoj nga rasti t’ju sjell urimet më të mira të zemrës, për lindjen e ushtarit të 3 milionët të Shqipërisë sonë të Re, të Bukur, të Fortë e të Pamposhtur Socialiste.
Mexhit Olloni, Komiteti Ekzekutiv Kukës.


Botuar në gazetën DITA më 27 mars 2004

Thursday, June 29, 2017

“Romancë” në autobusët e linjës ndërkryeqytetase


nga Leonard Veizi

Në automjetet e linjave urbane të Tiranës mund të ndodhin rëndom romanca, flirte e ndonjë ngacmim seksual i mundshëm. Por jo, vëzhgimi im nuk ka të bëjë më këtë fenomen.

Të them që udhëtimin me autobusët publikë nëpër rrugët e Tiranës e kam fort qejf, e më shijon në thellësi teksa shoh pamjet magjepsëse të metropolit që sa vjen e rritet, ia fus kot. Po kot fare ama. Nga të dëgjuarat kam dalë në përfundimin se shumica e njerëzve edhe pse e përdorin e kanë alergji. Dhe do të lë mënjanë radikalët, të cilët deklarojnë në mënyrë patetike se e urrejnë këtë lloj shërbimi, ku njerëzit shtyhen sa mund, aq sa kur del nga dera e pasme mund të të mungojë çanta ose portofoli, por kurrsesi celulari. Sepse celulari është i vetmi mjet që, edhe gjatë sulmit për të kapur një vend në këmbë te mesi i urbanit, vazhdon të shtrëngohet në dorë e në vesh. Pra, mbetet pjesë integrale e trupit.
Unë vetë po përmbahem në përcaktimin tim. Thjesht më pëlqen më shumë të eci në këmbë, e kam dhe si terapi, por edhe me paratë e autobusit pi një nga tre kafet e ditës. Shkurt, dal me qarin. Por edhe pse i shmangem fort, ndonjëherë jam i detyruar të hipi në ndonjë autobus linje. Në fund të fundit shërbim publik është, edhe do ta shfrytëzojmë!
Kështu një natë vonë, si kisha menduar se ca punë të pazgjidhura më ishin grumbulluar e duhej patjetër t’i mbyllja, vendosa që të nesërmen të dilja që herët e të mbaroja ç’të mundja nga problemet që më ishin bërë kapicë. Një makinë që kam, të cilës ia paguaj taksat rregullisht, as që ia vlen ta marr, pasi në ditët e sotme shpenzimi i karburantit është lule. Kostoja e parkimit e kalon atë të qarkullimit. Rrugët e Tiranës janë blinduar nga vijëzimet blu mbi ato të bardha, që tregon se vendet publike të parkimit po hyjnë në ujë çdo ditë e më shumë. “Do marr autobusin, - thashë me vete. - Ja, te dera e shtëpisë e kam. Edhe unë si gjithë njerëzia”.

E hënë - ora 07.00
Pres autobusin të kreu i rrugës “Medar Shtylla”. Mëngjesi shënon temperatura të larta, por brenda në autobus të çante kondicioneri. Udhëtarët m’u dukën rob të veshur me shije dhe erë djerse nuk ndesha kund. “E kemi kapur veten, - mendova. - Nuk është më si më parë, që kur hipje në urban të vinte për të vjellë”. Më bën çudi që nuk ka shumë njerëz dhe i vetmi që qëndron në këmbë jam unë. Në një ulëse dyshe fare pranë meje, një vajzë nja 20 a 22 vjeç – s’di t’ia bëj skanerin më mirë, - kishte rehatuar çantën në sedilje dhe ishte përqendruar te celulari. Ndërhyrjes së faturinos për të më liruar vendin iu përgjigja vetë: “Lëre çupën të bëjë qejf, - i them. - Jam nga ata burra që e përballoj edhe në këmbë”. Nuk pati debat. Faturino vazhdoi të priste biletat, vajza nuk e prishi terezinë. Unë shtrëngova dorën pas tubit të sipërm, nga inercia që të mos më merrte me vete gjatë frenimeve të shpeshta të shoferit për shkak të trafikut. Meqë isha në këmbë, u hodha sytë pasagjerëve. Shumica dërmuese më rezultonte me kokën e ulur mbi celular. Të gjitha femra. Asnjë mashkull për be. Dy prej tyre bisedonin në telefon, gjatë. Kush ia paska ngenë në orën 07.00 të mëngjesit të bëjë muhabet shtruar mendova. Njërën nga gratë e kisha afër. Ajo mendonte se po fliste më zë të ulët, por biseda e saj vinte deri tek unë. “...po, po, mami ka qenë shumë e axhitume, i dhamë dhe një diapazon, por si bëri fajde, qëndroi si kukudh deri në mëngjes”, – ishte fjalia pasardhëse. Qesha me vete. Paska qyfyre këtu në autobus, mendova. Do gjej sebep e të hipi më shpesh. “Diazepan”, - e korrigjoi bashkudhëtuesja përkrah saj. Tjetra i dha një vështrim si t’i thoshte, “Mos u ngatërro në punët e mia”. Gjatë 19 minutave të udhëtimit nuk e hoqi celularin nga veshi, dhe me këtë rast mora vesh dhe një alamet lajmi: që uji me limon në mëngjes esëll të bënte fajde për dobësim.
Zbrita në qendër. U ula të pija një kafe që të mblidhja veten, e më pas të vazhdoja rrugën, se me aq punë sa kisha do të më duheshin nja tre ditë të mira e jarebi të mbaroja.

E martë - ora 11.30
Vapa po shtrëngonte. Por unë nuk po e ndjeja aq shumë. Kisha hequr qafe disa prej telasheve dhe ndihesha lehtshëm. Mora linjën Kombinat-Kinostudio. Nuk ishte më e nevojshme të shtrëngohesha pas tubit. Kishte aq shumë njerëz sa mund të qëndroja pingul në këmbë pa rrezikuar se mund të rrëzohesha. Udhëtarët ishin aq pranë njëri-tjetrit sa mund të putheshin pa teklif, pavarësisht gjinisë. “Jemi bërë si sardelet”, dëgjova një zë. Nuk e di pse në mend më erdhën kutitë e sardeleve “Made in Vlora”. E megjithatë pamja nuk ndryshonte shumë nga ajo e mëngjesit. Edhe pse në një “kuti sardelesh” femrat e kishin hapur celularin te faqet me të klikuara. Kush në Facebook, të tjerat në Instagram, dhe akoma më tej, në Viber e What’sapp. Komunikimi masiv vazhdonte. Bisedohej për telenovelën indiane që nuk i mbarojnë seritë, flitej për gjellën e drekës ku i duhej hedhur dhe pak rigon që të merrte shije, dhe për pushimet e prenotuara në Borsh, në ditët e vapës së madhe. Në udhëtimin prej 22 minutash, të vetmin mashkull që e thirrën në celular ishte një burrë të 60-at, që si rington nuk kishte vendosur ndonjë simfoni të Bahut, por një zile demode si atë të centraleve manuale të ushtrisë, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Zilja dhe zëri i tij prej basi shkaktonin reagime agresive dhe shenja që të ulte tonin e zërit, edhe pse në të njëjtën kohë, 6-të femra të tjera as që e hiqnin celularin nga veshi duke biseduar rehat për të rejat e fundit. 

E mërkurë - ora 14.00
Dielli piqte si saç. Mora autobusin e Unazës. Kondicioneri nuk bënte më derman. Kallaballëku kishte shkuar atje ku nuk mban. Të çante era e djersës që përzihej me atë çka kishte mbetur prej parfumosjes së mëngjesit. Atë çast mendova se nuk kishim ecur shumë, përderisa e njëjta situatë më vinte si aromë që prej vitit 1987. Në këtë siklet dëgjoj një piskamë. “Kujdes se më shkele sandalet”. Një alamet femre i bërtiste fatorinos që çante mes turmës të priste biletat. “Kush është ai që të lë ty moj vajzë të hipësh në urban, – mendova – Një autostop me gishtin e madh të bësh dhe s’ka horr me X6 që nuk të merr në sediljen e parë. Për më tepër që prishe dhe sandalet firmato”. Autobusi çante me vështirësi në trafik. Një tjetër femër, nja dy kokë pas meje, vazhdonte të fliste në Skype me të dashurin. “Ja se po më shtyjnë këtu në autobus, idiotët”. Asnjë nuk nxori zë. Ia vlente ta përtypje fyerjen thënë nga goja e asaj femre. Lutjeve të mashkullit, të cilit i dukej koka në ekran, që ta mbyllte e ta merrte sapo të zbriste nga autobusi, ajo iu përgjigj gjithë fodullëk. “Çfarë thua ore, pse nga këta do kem turp unë”. Dhe në fund, pas insistimit të tjetrit, e mbylli me një: “Mirë pra, shifemi, puc, puç shpirti. Pafshim zemra, Çao”. Kaluan plot 27 minuta derisa erdhi stacioni im.
Zbrita. Isha i gjithi i larë në djersë.
-Paske dalë nga dushi? - më pyeti jo pa një ironi fine, një i njohuri im me të cilin u ndesha pak metra më tej.
-Jo, nga autobusi, -  iu përgjigja.
Ndërsa me vete shfryva: Shyqyr 100 herë që mbarova punë. Në axhendën e 6 muajve pasardhës nuk kisha asnjë planifikim për të marrë urbanin. Veç në ndodhtë ndonjë katastrofë.





Wednesday, June 21, 2017

Historia / Emri i paracaktuar në natën e Kadrit dhe ëndrra që e bëri Haxhi


Sakrifica dhe mrekullia në vendin e Muhamedit. Rrëfimi i Kadri Tresës: Si shkuam për haxhillëk në Mekë. Vizita te varri i Muhamedit (alejhim selam). Organizmi i përsosur për miliona pelegrinë nga gjithë bota. Ja ritet fetare për të cilat sakrifikohej.


nga Leonard Veizi

Teksa avioni ulej në pistën pambarim të Xhidas, pelegrinët shqiptarë besuan se më në fund, ëndrra e tyre e kahershme u bë realitet. Gjithçka përreth ishte e magjishme. Jo shumë larg prej portës hyrëse të shtetit arab, vinte parajsa e tokës, vendi i shenjtë për myslimanet e kësaj bote, dhe jo vetëm për ta…

…Pasditen e 28 marsit ‘98 kontingjenti prej 300 pelegrinësh shqiptarë, të ndarë në dy avionë, u nisën në udhëtimin dyorësh për në Arabinë Saudite ku do të qëndronin të paktën 15 ditë. Niste haxhillëku. Kadri Tresa, njëri prej pelegrinëve shqiptar të atij kontingjenti, 19 vite më pas sjell me ngjyra të gjalla për lexuesit, ditët e jashtëzakonshme të një veprimtarie, të cilët jo shumë njerëz kanë shansin ta shijojnë, dhe kur mundësia më e madhe është ta kesh vetëm një herë në jetë. Besimtar i thjeshtë, por me titull “Haxhi” ai kujton nga ajo ditë se, sapo avioni u ngrit nga pista e Rinasit, myslimanët shqiptarë, të cilët ishin nisur për haxh, filluan të këndonin njëzëri sure për haxhillëkun. Të gjitha gratë, që në Rinas kishin vënë nga një shami në kokë. Ndërsa kur u njoftuan se avioni po hynte në territorin ajror të Arabisë Saudite, meshkujt zhveshën rrobat e trupit për t’u pajisur me ihramin, një veshje e paqepur, tip peshqir, me të cilën mbulohej trupi duke lënë jashtë vetëm shpatullën e djathtë.




INTERVISTA

Si ishte kontakti i parë me Arabinë Saudite?
U mahnitëm kur pamë aeroportin gjigant të Xhidas, i cili është i dytë në botë për nga madhësia, pas atij amerikan, “Xhon Kenedi”. Në aeroport na u bë një kontroll i imët, ku masat merreshin si për ndalimin e lëndëve narkotike ashtu dhe për hyrjen e mundshme të terroristëve. Në fund firmosëm një letër ku thuhej se për sa kohë do të qëndronin më Arabinë Saudite do t’u përshtateshim ligjeve të vendit. Pasaportat tona i mbajti drejtuesi i grupit.

Kadri Tresa

Si ishte mënyra e organizimit?
Mund të them pa frikë se kishim të bënim me një organizim të përsosur. Atë vit morën pjesë në haxh më shumë se 2 milionë pelegrinë. Sapo zbritëm në Xhida zuri një shi. Ata që punonin në aeroport na u drejtuan: “Ju shqiptarët erdhët me këmbë të mbarë, pasi kishte më shumë se dy vjet që s’binte shi te ne”. Teksa po prisnim autobusët që do të na çonin drejt Mekës, bëmë faljen e radhës, Namazin, që ishte e para që kryem në Arabinë Saudite. Gjatë kësaj kohe avionë të tjerë zbrisnin në aeroport, duke sjellë pambarim pelegrinë nga e gjithë bota; nga Amerika, Kanadaja, Australia etj. Pastaj na vendosën nga një shirit, ku ishte shkruar shtetësia jonë dhe hoteli ku do strehoheshim. Kjo kishte efekt për ata persona që mund të humbnin rrugën. Po t’i drejtoheshe policisë, të gjenin menjëherë dhe të bashkonin me grupin. Rastet të tilla ndodhnin plot. Madje unë vetë u ngatërrova dhe humba grupin tim, por e gjeta shpejt. Pjesë e organizimit ishte dhe vaksinimi që na bënë në aeroport e që vlente për të na mbrojtur nga temperaturat e larta.

Çfarë temperaturash kishte në Arabi gjatë asaj kohe?
Në Arabi Saudite u përballëm me një temperaturë të larë, me të cilën nuk ishim mësuar. Gjatë ditës kjo temperaturë arrinte në 42 gradë, ndërsa natën zbriste në 39 gradë. Fillimisht mezi merrnin frymë. U desh dy-tri ditë që të ambientoheshim disi. Shumë nga pelegrinët shqiptarë u sëmurën. Megjithatë ishte organizuar që, nga një hotel me kondicionerë, të hipnim në një autobus me ajër të kondicionuar. Në këtë mënyrë udhëtimi bëhej më i lehtë.

Cili ishte riti fetar për të cilën sakrifikuat?
Në mesnatë arritëm në një hotel mjaft komod. Si pushuam pak u nisëm për në xhaminë madhështore të Mekës. Fillimisht bëmë shtatë rrotullime mes dy shkëmbinjve të mëdhenj që kishin një distancë të madhe mes njëri-tjetrit. Ky rit quhej “Umra”. Të dy shkëmbinjtë ishin brenda territorit të xhamisë. Ky rit vazhdoi për tri orë me radhë nën një vapë të madhe. Por njëkohësisht kishte dhe një dyndje të madhe pelegrinësh.

Çfarë ndodhi pas shtatë herë rrotullimi?
Atëherë pimë ujë Zemeni. Midis dy shkëmbinjve kishte burime me ujë, të cilin Muhamedi a.s. e kishte cilësuar si “Ujë Zemeni”. Ai përdorej për të lagur buzët e besimtarëve. Pasi mbaruam me “Umra-n” shkuam te Guri i Shenjtë, i cili njihet dhe si Guri i Mekës dhe bëmë “Tauaf-in”. Edhe këtu bëmë shtatë rrotullime rreth Gurit të Mekës. Që të arrije të prekje Gurin e Mekës ishte një gjë shumë e mirë, por ishte jashtëzakonisht e vështirë, për shkak të dyndjes së njerëzve, të cilët kërkonin të gjithë që ta preknin atë. Pranë Gurit të Mekës ishte dhe varri i Ismailit, ku pamë dhe gjurmët e dashit, i cili u bë kurban.

A vizituat dhe vende të tjera?
Para ditës së “Kurban Bajramit” na çuan një ditë të vetme në Arafat. Atje kishte qëndruar dhe Muhamedi a.s. Ishte një fushë e madhe e asfaltuar ku ishin vendosur çadra në të cilat na strehuan. Iu falëm Zotit deri në perëndim të diellit. Pas perëndimit na çuan në Muzdelife. Atje, pasi falëm Namazin natën, morëm gurë të vegjël me të cilët do të qëllonim shejtanin. Për të kryer këtë rit shkuam në Mina. Riti për hedhjen e gurëve te vendi ku qëndronte shejtani bëhej në një kohë të caktuar, para lindjes së diellit.

Si do të vazhdonte më pas ceremoniali?
Shtatë ditë pas mbërritjes në Arabinë Saudite, erdhi dita e Kurban Bajramit. Pas faljes u therën deshët. Riti e kërkonte që kush kishte mundësi të falte diçka në të holla. Me këto bliheshin deshët, thereshin dhe u jepeshin të varfërve. Atë ditë më kujtohet se një sheik dha një pritje për besimtarët në një xhami të madhe. Në një sallë mjaft të gjerë ishte shtruar një drekë madhështore, ku nuk mungonte as çorba dhe groshët dhe as mishi i thëllëzave. Më pas na çuan në Medina. Aty ndodhet dhe varri i Muhamedit a.s. Nga Meka në Medina ishte një distancë prej rreth 400 kilometrash. Udhëtimi kaloi në mënyrë komode, dhe pse gjatë gjithë rrugës nuk pamë asnjë pemë, por vetëm shkretëtirë. Për të kryer ritet fetare ndaluam, pasi buzë rrugës ishin ndërtuar xhami të shumta. Në Medina, pasi vizituam varrin e Muhamedit a.s, të cilin nuk të lejonin ta prekje, shkuam në një xhami tepër të madhe. Ishte një kryevepër arkitekturore, ku ndodheshin 480 tonë ar, dhe ku mund të faleshin 1 milion besimtarë njëkohësisht. Tavani i xhamisë ishte portativ. Gjatë ditës mbyllej dhe përdoreshin kondicionerët, ndërsa gjatë natës hapej.

Kur do të ktheheshit në Shqipëri?
Ditën e 14 prillit 1998 kontingjenti i pelegrinëve shqiptarë mori rrugën e kthimit për në atdhe. Kur mbërritëm në aeroportin “Nënë Tereza”, binte një shi i ftohtë.

***

AKSIDENTI ME 280 BESIMTARË, SI SHPALLESHIN “SHEITËT” PASI VDISNIN NË HAXHILLËK
Duke shprehur mbresat e tij për udhëtimin e paharruar në Mekë, Kadri Tresa thotë se gjatë procesit të “goditjes së shejtanit me gurë” ndodhnin aksidente: “Ne hymë në disa tunele të mëdha, të cilat ishin pajisur me aspirator dhe ndriçim shumë të mirë. Për shkak të orës së kufizuar, kishte dyndje për të arritur te vendi ku hidheshin gurët për të qëlluar shejtanin. Unë vetë nuk arrita dot, edhe pse bërja e një riti të tillë ishte një gjë shumë e mirë për çdo besimtar. Bëra çmos. Ndërsa dyndja ishte e tillë që të shtypte, nëse një njeri ulej të merrte pantoflat, të cilat i dilnin nga këmbët. Pas përfundimit të ritit mund të gjeje me mijëra pantofla. Në kohën kur ishim ne, gjetën vdekjen rreth 280 besimtarë të komunitetit malejzian”, rrëfen Kadri Tresa. Ai thotë se një i vdekur në kohën e Haxhillëkut shpallej “Sheit”. Ai futej në morg, edhe sikur të vdiste të hënën. Ndërsa nxirrej nga morgu vetëm ditën e premte. Pas faljes së të premtes, katër zezakë të mëdhenj merrnin kufomën dhe e rreth rrotullonin te Guri i Mekës. Më pas varrosej. Kur lihej amanet, i vdekuri varrosej në vendin që kishte kërkuar. Por midis miliona besimtarësh që shkonin në Mekë, kishte prej tyre që nguteshin të vdisnin gjatë procesit të Haxhillëkut me qëllim që të merrnin titullin e “Sheitit”. “Pas hedhjes së gurëve, riti kërkonte që burrat të qetheshin. Arabët u qethën krejt zero, ndërsa në të tjerët normalisht. Ky rit cilësohej si sevap. Pastaj u rikthyem në Mekë”, rrëfen Kadri Tresa mbresat nga udhëtimi i paharrueshëm.

MEKA
Një nga dy kryeqendrat e Arabisë Saudite. Përveçse Meka është vendlindja e Muhamedit, ky qytet është qendër shpirtërore e islamizmit, vendi për ku bëhet pelegrinazhi.

MEDINA
Qytet në Arabinë Saudite perëndimore, vendi i monumentit të varrit të Muhamedit. Po ashtu, Medina është qyteti i dytë më i shenjtë i islamizmit, që ndryshe quhet Al Madinah.

ISLAMIZMI
Është më e reja nga të tri fetë e mëdha monoteiste botërore. Myslimanët shohin në të përmbushjen e feve më të vjetra, asaj çifute e krishtere. Bota islame ka formulën e saj të besimit: “Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Tij”.

PELEGRINAZHI, MEKA, VENDI QË JEP TITULLIN “HAXHI”

Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, funksionon prej vitesh Drejtoria e Përgjithshme e Mekës, e cila merret me organizimin e pelegrinëve që kërkojnë të njihen nga afër me Gurin e Mekës, varrin e Muhamedit (alejhim selam) dhe xhamitë e qëndisura me ar. Pelegrinazhi i haxhillëkut nga besimtarët konsiderohet si një sakrificë dhe jo si një shëtitje turistike. Në këtë udhëtim nuk mund të shkojnë njerëz, të cilët kanë probleme me shëndetin dhe sidomos me zemrën apo tensionin. Nëse një haxhi vdes gjatë procesit të haxhillëkut, ai shpallet “Sheit”. Haxhi fillon një javë përpara ditës së Kurban Bajramit. Ndërsa titulli “Haxhi” merret pasi ke përfunduar ritet e haxhit në Mekë. Çdo njeri që shkon një herë të vetme në Mekë, konsiderohet “Haxhi”.