Sunday, January 13, 2019

Parada ushtarake/ Forca e shtetit, tanke dhe raketa në bulevard


Flet Bajram Mana, ish-Komandanti i Përgatitjes së Paradës Ushtarake të vitit 1989. Forca e shtetit, tanke e raketa në bulevard. Si zhvilloheshin parakalimet ceremoniale para tribunës së udhëheqjes. 8000 burra me kambale dhe bajonetat mbërthyer. Kur formacioni me 40 kuadrate ushtarakësh, tanke, raketa e mjete të mekanizuara, pushtonte bulevardin

Bajram Mana
Leonard Veizi


Shteti përgatitej për një paradë ushtarake. Termin, thuajse i harruar prej kohësh, u rikujtua për herë të fundit në përvjetorin jubilar të 100 viteve Shqipëri e Pavarur. Me uniforma luksoze, e me armatim të mbetur nëpër depot e armatës, kuadratet e ushtarëve shqiptar sërish u rrekën të ngjallin traditën e vjetër, kur ushtria edhe pse nuk bëri luftë frontale, të paktën diti të marshojë me hap të fortë aq sa të prishte dhe pllakat e bulevardit me emrin e nderuar “Dëshmorët e Kombit”...

...“Paradaaa... eja në radhë. Për parakalim ceremonial, me kuadrate, distanca një drejtues...” këto dhe të tjera në vazhdim ishin fjalët që Komandanti i përgatitjes së Paradës u drejtonte të paktën 10 mijë burrave të rreshtuar në 40 kuadrate dhe ca të tjerëve hipur nëpër makina transporti ZIS më targat UP. Më pas Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, hipur mbi një BÇ kineze me goma të lyera me bojë të bardhë, i raportonte Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, se jo pak, por një Armatë e tërë, ishte gati të parakalonte para tij. Bajram Mana, ish-Komandanti i Përgatitjes së Paradës Ushtarake të vitit 1989, rrëfen se si funksiononte mekanizmi për të zhvilluar një parakalim dinjitoz, aq sa t’u shkonin të dridhura dhe diplomatëve të huaj që qëndronin të krekosur në tribunën kuqezi të vendosur mes ndërtesës së Kryeministrisë e Komitetit Qendror të Partisë:

Si zhvilloheshin paradat e para vitin 1990?

Paradat Ushtarake organizoheshin çdo 5 vjet dhe veprimtaria kryhej në 29 nëntor ditën e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Kjo traditë kishte filluar që me parakalimin e parë në Shqipërinë e sapoçliruar. Por vite më pas ajo do të perfeksionohej e ushtria do të krenohej me të. Qëllimi i paradave ishte të tregohej forca e shtetit, pasi në tribunë gjithmonë veç krerëve të lartë të udhëheqjes shqiptare ishte i ftuar trupi diplomatik, atashetë ushtarakë si dhe shumë delegacione të huaja të ftuara enkas për këtë rast.

Cila ishte atmosfera në të cilat zhvilloheshin këto parada?

Mund të them se atmosfera ishte fantastike, madje madhështore. Të gjithë ata që ishin pjesëmarrës në një paradë ushtarake thoshin se e kishin për nder një gjë të tillë. Shumë të tjerë e kishin këtë dëshirë por nuk u jepej mundësia. Ministria e Mbrojtjes vihej në kulmin e aktivitetit të saj. Të paktën për 2 muaj, tetor-nëntor, gjithçka fokusohej në këtë manifestim, për t’u treguar sa më dinjitoz. Paradat ushtarake jo vetëm ishin të planifikuara por kishin edhe një buxhet të përcaktuar e të miratuar, pasi kishte shumë shpenzime.

Kur fillonte përgatitja për të bërë një paradë ushtarake të nivelit të lartë?

Stërvitja me trupa fillonte që disa muaj përpara se të vinte data e caktuar, por ato bëheshin nëpër njësitë e ndryshme. Fillimisht përcaktoheshin pjesëmarrësit të paradë dhe gjithmonë kuadratet formoheshin me ushtarë apo rezervistë që kishin gjatësi të mjaftueshme, mbi 170 cm të gjatë. Në fillim të tetorit gjithmonë trupat grumbulloheshin dhe fillonte përgatitja kompakte e cila bëhej ish fushën e aviacionit në Laprakë, Tiranë. Kuptohet, rëndësia më e madhe ishte ecja me hap rreshtor sipas parametrave. Por pas tyre vinin mjetet e mekanizuara që gjithashtu duhet të ishin uniformë.

Cilat ishin kushtet në të cilat zhvilloheshin stërvitjet paraprake?

Tek ish-fusha e aviacionit, krijoheshin të gjitha kushtet për një stërvitje normale, duke filluar që nga ndërtimi portativ i fjetinave, ujësjellësi, tualetet, ndihma e shpejtë mjekësore, fusha shtrohej me asfalt, ngriheshin qendra ambulatore, etj. Gjatë këtyre dy muajve aty do të kishin veprimtari rreth 8-mijë trupa. Unë kam qenë Komandant i Përgatitjes së Paradës në vitin 1989. Ne si drejtues kishim zyra e infrastrukturën e nevojshme. Altoparlantë kishte të instaluar në të gjitha drejtimet ku urdhrat që jepeshin nga tribuna dëgjoheshin ngado. Për të instruktuar trupat të ecnin me hap rreshtor, mobilizoheshin oficerët më të mirë të këmbësorisë. Një muaj përpara zhvillimit të paradës fillonte përgatitja intensive e përditshme, deri në mesnatë. Nuk duhet harruar se një punë të madhe bënte dhe banda e ushtrisë që shoqëronte provat me marshet luftarake.

Çfarë armatimi mbanin ushtarët e viteve ‘80 gjatë parakalimit?

Armatimi ishte rus dhe kinez. Kuadratet që kishin në përbërje trupa 20x10 pra 200 parakalues, mbanin armë të tipit: kallashnikov, pushkë karabinë, granatahedhëse, automatikë të vegjël me fishekë pistolete që ishin për kuadratet e zbuluesve dhe të femrave. Pushkët mbaheshin në sup me bajoneta të hapura. Automatikët në gjoks. Rreshti nga reshti kishte largësinë e një krahu.

Cilët ishin përgjegjësit direkt të paradës?

I gjithë aparati i Ministrisë së Mbrojtjes vihej në dispozicion të kësaj parade por kryesorët ishin Drejtoria e Përgatitjes Luftarake dhe Drejtoria e Kulturës dhe e Propagandës. Uniforma e paradës gjithmonë ishte e re dhe e porositur enkas për këtë eveniment. Çdo ditë dilte gazeta e paradës, ku jepeshin dhe stimuj për kuadratet që dilnin më mirë gjatë stërvitjes së një dite më parë. Gjatë ditëve të përgatitjes kishte shumë seriozitet edhe në kontrollin e ushqimit. Sidomos përgjegjësia maksimale ishte ditët e fundit, pasi një ushqim i prishur nxirrte nga loja një kuadrat të tërë. Megjithatë masat ishin marrë për çdo rast të mundshëm. Gjithsesi kuadratet kishin gjithmonë 20 ushtarë rezervë, pra një rresht, për çdo mungesë të papritur të çdonjërit prej tyre, si në rastin e sëmundjeve, apo problemeve familjare. Përgatitjet e fundit bëheshin natën, pas orën 22.00. Në bulevardin e madh të Tiranës, të ndriçuar më së miri mblidheshin shumë njerëz që ndiqnin parakalimin e ushtrisë. Duhet pasur parasysh se parada pritej me kënaqësi nga të gjithë, pasi shumëkujt i qëllonte të kishte një të afërm pjesëmarrës në të. Bëheshin gjithsesi edhe 2-3 prova gjenerale, por më e rëndësishmja ishte ajo dy ditë para paradës. Pastaj bëhej një ditë pushimi për qetësim e reflektim.

Si ishte dita e paradës?

Përgatitjet fillonin që herët më mëngjes ku trupat vendoseshin sipas planit të përcaktuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Parakalimi zyrtar hapej në orën 10.00 kur në tribunë ngjitej udhëheqja e shtetit. Pastaj paraqitej forca nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe niste parakalimi. Kuadrati i parë ishte ai i veteranëve të luftës që kishin gjokset e mbushura plot me dekorata. Në krye të çdo njësie ishte flamurtari me dy shoqërues ndërsa çdo kuadrat e udhëhiqte komandanti dhe komisari i saj.

Cilat ishin njësitë që krijonin më shumë efekt në popull?

Elita e paradës gjithmonë kanë qenë kuadratet e Flotës Detare, Zbuluesit, Skënderbegasit por dhe Akademia Ushtarake. Skënderbegasit sepse ishin më të rinjtë. Zbuluesit sepse kishin kostume maskimi, uniforma kamuflazhi me lara dhe të bardha. Flota Detare për shkak të paraqitjes me uniformat e zeza dhe kapelat e dorezat e bardha. Rëndësi u jepej edhe kuadrateve me gra e vajza të cilat gjithashtu kishin shumë sharm në çdo lloj parakalim.

Po për teknikën?

Natyrisht efekt të madh kishin tanket dhe sidomos raketat. Duhet të them se paradat më të mëdha e pompoze, në historinë e 45 viteve të shtetit socialist, ishin ato të zhvilluara në vitet 1974, 1979 por dhe në vitin 1984. Në dy të parat efekti i madh në popull dhe më tej ishte për shkak të demonstrimit me armatimin e rëndë. Ushtria shqiptare u përfaqësua me raketa, katjushka, e tanke.

Ndërkohë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do të kemi një tjetër paradë...

Si ushtarak i vjetër i uroj kësaj parade të dali me sukses të plotë.


EPILOGU

“Sapo përfundonte parada, kuadratet shpërndaheshin sipas vendndodhjeve nga ishin nisur. Makinat prisnin nëpër rrugët dytësore. Ushtarët që kryenin shërbimin ushtarak largoheshin për në repartet e tyre, dhe rezervistët gjithashtu. Zakonisht raporti i ushtarëve efektivë të marrë nga njësitë me forcat e tjera ishte 1 me 10. Pasi duhej ruajtur dhe niveli i gatishmërisë. Shumë energji në këtë periudhë shpenzonin brigadat “I”, “V” dhe “VI” pasi këto ishin dhe brigadat heroina të Luftës Nacionalçlirimtare ndaj propagandohej se edhe njësitë e kohës së paqes duhet të ecnin në gjurmët e tyre”.


PJESËMARJA E EFEKTIVAVE

“Pjesëmarrja në një paradë ushtarake bëhej me të gjitha llojet e armëve dhe të shërbimeve nga çdo strukturë e Forcave të Armatosura si: Forcat Tokësore, Forcat Vullnetare, Rinia Shkollore e Studentore, (Universiteti i Tiranës dhe Instituti i Lartë Bujqësor i Kamzës), Aviacioni, Marina, dhe Veteranët e LANÇ-it. Të gjithë ndjenin kënaqësi për zhvillimin e kësaj parade, pasi shumë shqiptarë kishin bijtë e vetë pjesëmarrës në të, ushtarë apo oficerë, por dhe drejtues të automjeteve. Çdo njësi kishte flamurtarin dhe dy shoqërues dhe ndërsa çdo kuadrat kishte komandantin e komisarin. Parada fillonte në orën 10.00 dhe vazhdonte 1.30 minuta. Kjo ishte skema e ndërtimit të Paradës”.



Përbërja e Paradës Ushtarake


Veteranët                              1 kuadrat

Skënderbegasit                     4 kuadrate

Shkolla e Bashkuar             4 kuadrate

Akademia Ushtarake         4 kuadrate

Rinia shkollore                     4 kuadrate

Rinia universitare                2 kuadrate

Zbuluesit                               3 kuadrate

Forcat Vullnetare                 3 kuadrate

Flota Detare                          2 kuadrate

Shkolla e M. Brendshme    2 kuadrate

Kufiri                                      2 kuadrate

Garda                                     1 kuadrat

Aviacioni                               1 kuadrat

Brigada I                               3 kuadrate

Brigada V                              3 kuadrate

Brigada VI                            3 kuadrate

Tanket dhe transportierët e blinduar

Brigada e artilerisë tokësore

Artileria kundërajrore 37mm, 57mm, 85 mm dhe IMKA 2 dhe 4 grykësh

Artileria kundër tanke

Regjimenti i raketave

Brigada e Xhenios me mjetet amfibe dhe urahedhëset







Tuesday, January 8, 2019

I thjeshti Xhevdet Bajraj, poeti pa superpozim

Kliton Nesturi, Xhevdet Bajraj, Leonard Veizi


Nga Leonard Veizi


Duket sikur në libraritë e Shqipërisë, vëllimet poetike me titujt elegantë e kopertina joshëse, kanë mbetur në vendin e suvenireve, të paprekura. Prurjet janë aq të shumta sa duken si masë pa mbarim. Pyetja vetëm një: A lexohet poezi sot?  Situata bëhet edhe më e vakët po të mendosh se jetën tonë të përditshme, shumë të rëndomtë e krejt vulgare, e masim aq fort me mjetet teknike të kibernetikës.
...mundet të mos e lexosh poezinë, por nëse të recituar nga dikush tjetër e dëgjon...

Ushtarët e armikut në Kosovë
Kishin meny të pasur shqiptare
Në mëngjes
Qumësht nga gji të shqyer nënash
Dhe foshnje të palindura të ziera në zjarr shtëpish
Servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe
Dhe nga një shishe lot të valë
Dikush kënaqej sall me nga një kokë të pjekur…

Ose unë nuk isha i përqendruar sa duhet dhe isha duke lundruar në një hapësirë imagjinare, ose mes meje dhe vargjeve që kishin filluar të troknin, si rrallëherë, po ndodhte një kimi e pazakontë.
Nuk po e besoja dot. Ishte një poezi. Fjalë të shqiptuara ethshëm që kthyen vëmendjen time në një masë përqendrim të panevojshëm, ndoshta njëqind e njëzet për qind, a diçka më shumë. E pra ishte e mjaftueshme vetëm nëntëdhjetë për qind, ndoshta dhe më pak, dhe sërish do të kisha marrë të njëjtin emocion.
Por jo...
Autori, që në pamje të parë dukej njeri i thjeshtë, mbante në kokë një kapele republike fine. Edhe me ecjen e tij gjithashtu të qetë, të krijonte ndjesinë dhe vetë reflektimin e energjive pozitive. Miqtë e mi më thanë se vinte nga Meksika e largët, ku pavarësisht viteve dhe largësisë po aq shqiptar kishte mbetur në shpirt, sa dhe kur ishte larguar në vitin po aq të largët 1999. Dhe quhet Xhevdet Bajraj. Poet me nam në ato anë.
Ndihesha ligsht që nuk e njihja, dhe më vinte të haja veten me dhëmbë që isha aq i papërgatitur sa kisha përtuar t’i hidhja dhe një sy internetit.
Por ndoshta më mirë që ndodhi kështu.
Surpriza ishte e pamëshirshme.

Në drekë
Zemra të plasura të të gjitha moshave
Të ziera në lëng eshtrash në njërën anë
Dhe mish kurrizi të pjekur në gacë
Përcjellë me tru të fërguar fëmijësh
E sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri
Dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara...

Xhevdeti i recitonte vetë vargjet e tij, me një ritëm të pazakontë, si rënkimi i rrotave metalike të trenit tek përplasen mbi shina e binarë apo fishkëllima e një avioni supersonik i cili ka marrë lartësi duke çarë qiellin, të përziera aty-këtu e të ndara hera-herës.

Në darkë
Mushkëri të zeza e të bardha
Aty këtu ndonjë veshkë
Mish fëmije të përzier me gjakun e nënave
Ca tul plake a plaku pjekur në hell
Njelmësuar me kripën që nxirrej nga lotët

Ej, çfarë po ndodh kështu. Krejt papritur ndihesha në një marramendje. Isha përfshirë i tëri në një vorbull magjike e cila kishte filluar të ma mpinte trurin vazhdimisht. Mos isha droguar gjë, dhe fjalët injektoheshin në vena me një frymë që shponte më shumë se vetë gjilpëra?

Në meskohë
Bluanin vesh të majtë e të djathtë
Gishtërinj duarsh e këmbësh
Aty këtu ndonjë hundë të përgjakur
Dhe ëndrrat tona të thara në murin e pushkatimit

Mund të vajtoje e  të vije kujën... Por jo. Nuk kish vend për trishtim. As për të kthyer në kohë një ngarkesë historike ku të dëshpëroheshe deri në marrëzi. Në fakt më kishte përfshirë një valë entuziazmi i paparë...
...poezia e vërtetë, ajo që shpesh na humbet kur e kërkojmë, ishte aty, vargje delikate që përshkruanin gjëmën. Ishin fare pranë, fjalë e togfjalësha, të ndjeshme dhe krejt e prekshme nëse doje.
Ndihesha dyfish i turpëruar.
E pra, ç’është e vërteta, prej vitesh nuk është se poezisë i kisha dhënë ndonjë vëmendje të veçantë në leximet e mia. Dritën e “diellit” ma kishte zënë herë Dan Braun, e herë Kahled Hoseini, herë Pambuku e herë Murakami.
Por u desh një pasdite mesviti dhe u ktheva tek zanafilla.
Në korrikun e vitit 2018 Tirana përjetonte ditët më të nxehta të vitit. Ndërsa unë, në një lartësi prej 1150 metrash mbi nivelin e detit, nën një fllad të freskët sa të ngjethej mishtë, furnizoja pjesën e zbrazët të shpirtit me poezi shqiptare.
Klubi poetit “De Rada” me qendër në Ferizaj, organizonte takimin e dytë "Muzat e Jezercit" në rang shqiptarësh, me poetë e prozatorë, e pa asnjë të huaj. Ndodhesha aty si i ftuar.
Gazmend Bytyçi, kryetari i këtij Klubi, na bëri të ditur që në fillim se aktiviteti treditor, nuk kishte asgjë të përbashkët me kumtesa akademikësh. Në majë të Jezercit, tek një pllajë ku të “mbyste” gjelbërimi, në një ceremoni pa protokoll e për më tepër pa kollare, por me bluza ku stampoheshin heronjtë e muzikës metal, mund të shijoje verë dhe poezi së bashku.
Dhe pikërisht aty për herë të parë u njoha me poezinë e Xhevdet Bajrajt.
Duhet ta kisha njohur më parë këtë superpoet, apo poet pa superpozim, siç mendova ta quaja njëherë me mendjen time.
Ai recitonte e unë nuk arrija ta besoja. Nuk e mbaja mend që kur nuk kisha shijuar një ritëm të tillë poetik. Ndoshta që prej Migjenit...
Nuk ishin vargje dekadente, as poezi për dashurinë e tradhtinë të marra bashkë, madje nuk flitej as për “malet me blerim” dhe as për “kodra e lugina”. Por thuhej gjithçka.
-Na recito dhe një poezi tjetër o Xhevdet!
Dhe ai nis nga fillimi:

Për shëndetin e nënës sime
nganjëherë pi raki
të fortë si loti...

Botuar në:
https://www.gazetaobserver.com/i-thjeshti-xhevdet-bajraj-poeti-pa-superpozim/
Nga aktiviteti "Muzat e Jezercit" klubi poetik "De Rada" Ferizaj-Kosovë

Monday, December 31, 2018

Duke pritur Vitin e Ri te dyqani i lagjes



Nga Leonard Veizi
 
Në supermarkatën e lagjes njerëzit po “vriteshin” për të siguruar asortimentet e fundit që i duheshin tavolinës së Vitit të Ri. Në korridoret e ngushtë që ndanin raftet, gra e burra pa përjashtim ulnin kokën poshtë e nxirrnin b...thët lart, me qëllim që të njiheshin më nga afër me çmimet: a ishin të vërteta ofertat apo tregtarët ua futnin, si gjithmonë. Pak më tutje kasiereve po u merreshin mend nga radhët e gjata dhe ushqimet që kalonin me shpejtësi në sistemin dixhital të pagesave.
-Po ia japim shpirtin shejtanit...
-E drejtë moj motër...
Jashtë, vargu i makinave nuk kishte të mbaruar. Ndërsa unë sapo isha futur me duar në xhepa tek supermarkata që e kam vetëm 100 metra larg shtëpisë. Një nga menaxherët po bënte ç’ishte e mundur që të shpejtonte punët tek blloku i “prodhimeve të mishit”, ky çdonjëri prej atyre që ishin vënë në radhë bënin vazhdimisht porosi për: mish viçi, derri, kotoleta, mish lepuri...
Mbreti i tavolinës së Vitit të Ri është gjeli i detit, i pjekur me kujdes aq sa mund të ngopesh vetëm duke e parë me sy e të mos hash asnjë kafshatë për tre ditë me radhë. Ai mund të kushtojë sa të dojë, çmimi nuk negociohet. Më poshtë piramida e menusë përmban gjithfarë gatimesh të tjera, ca me receta orienti e ca të tjera janë implementuar nga perëndimi.
-Epo një bark kemi, ç’i duam gjithë këto gjellë.
-E...e... ashtu thua ti... Po edhe Viti i Ri një herë vjen. Se viti tjetër mbase s’na gjen.
-U t’u thaftë goja.
Udhëtova në kohë. Vetëm për pak sekonda. Në vitin 1985 njerëzia zinte radhën tek ushqimorja. Ç’është e vërteta pa u grindur aspak, në respekt të njëri-tjetrit. Burrat në të djathtë, gratë në të mëngjër. Të gjithë me nga një letër bakalli me vete ku kërkesat ishin uniformë:
-2 vaj kikiriku, 1 pako makarona, 1 oriz, 1 sheqer, sapun rrobash, 3 kallëpe...
Iku ajo kohë.
Sot jemi 40 vite më pas, dhe e rëndësishme është që duke kujtuar të kaluarën e varfër ta mbushim tavolinën sa të mos mbajë më.
Kasierja kalon me shpejtësi mallrat e paketuara.
-4 djathëra të tymosur, lëngje frutash, një koli pije të gazuara, 4 kuti birra, 2 bikerina me vezë...
Hedh sytë vërdallë i habitur, edhe pse të njëjtën pamje kam vite që e përjetoj.
-Ore mos ka plasur gjë lufta? Me të dëgjuar e kam, baxhanaku me tha: ata rusët rrezik t’a  shpërthejnë kufirin...
-Jo or jo, ç’thua! Kemi festë ore festë.
-Po ca si shumë, apo keni ftuar në tryezë ndonjë togë ushtarësh. Se ata kur bien në të ngrënë janë si puna e karkalecit në bujqësi...
-Në datën dy janë mbaruar të gjitha.
Ke të drejtë: ha e dh...
-Ju bëftë mirë.
I shoh me zili njerëzit që dalin nga supermarkata me nga 3-4 qese 20-lekëshe të mbushura aq sa mund t’u çahen e t’u bien të gjitha të blerat në rrugë. Mua më duhet të humbas nja 15 kile nga pesha reale. Ç’t’i bëj forcës së zakonit se edhe natën e ndërrimit të viteve do ta shtyja me përshesh kosi.
Nuk besoja se isha bërë ziliqar i pandreqshëm. Isha thjesht një vëzhgues i tamaqarllëkut.
Dal nga supermarkata me duart bosh. As që mendohej se mund të mbaroja punë aty. Mendova të drejtohesha te dyqani poshtë shtëpisë. Një paketë cigare dhe dy brisqe roje ishte gjithë-gjithë shpenzimi im i rastit.
Sa dal nga dera, ndeshem me një pamje “madhështore”. Mali me mbeturina nëpër kazanë dukej si një vepër abstrakte e ndonjë artisti të ri të arteve vizuale. Nxjerr celularin dhe e shkrep për një foto. Punëtorët e pastrimit nuk i shkarkojnë dot. Makina e plehrave është mbushur ding. Duhet bërë një rrugë e dytë.
“Po, po”, - thashë me vete, - “para se të fillosh nga shpenzimet duhet të dish sa mbeturina do të bësh”.
Tek e fundit nuk duhet vrarë shume mendja. Është Bashkia që merret me atë punë.
Një ditë më parë kishim bërë një xhiro familjare nga një qendër tregëtare në të dalë të qytetit. Atje situata ishte edhe më e rëndë. Por gjithsesi, mendova se njerëzit u furnizuan me ç’deshën, dhe data 31 me mëngjes i takon gatimit. Por jo. Paska familje që nuk janë ngopur ende. Shpenzime të tjera.
Thonë qën në raste festash, në tregun shqiptar nuk ulen bën vaki të ulen çmimet. Ato rriten... kacafiu. Por çudi, blerës ka sa të duash. 
-Ah, paratë, gjenden ato, gjenden.
Epo, parja e zeze për ditë të bardhë... domethënë e kthyem së prapthi
Futem te dyqani poshtë shtëpisë. Fillova të përshëndetesha me gjitonët. Dialogu mes tyre vazhdonte:
-...se ja duhen fruta nga të stinës, por dhe ca brokoli për një supë, ca rukola për sallatë, ndonjë shegë t’ua hedhësh ca kokrra sipër... nuk duhet harruar dhe avokado.
Hë t’u harroftë emri, jarebi.
-Po kishim lënë pa marrë dhe majonezën për sallatën ruse. Edhe ca açeto për sallatën shef...
-Domethënë.
-Domethënë duhen bërë të gjitha. Të na gjejë Viti i Ri me pjatat plot.
-Mirë e ke.
-Po ti...?
-Ja do marr cigare.
-Çfarë thua ore. O Bike, po jepi cigare “shefit” se do iki.
Futem të marr cigaret jashtë radhe falë bujarisë së gjitonëve.
-Petë sfoliate ka? – thirri një grua në moshë që nga pragu i derës. - I kam rënë lagjes vërdallë e s’po gjej. Tani m’u tek për një byrek
-U mbaruan, - ngriti supet dyqanxhiu.
“Ç’bëhet kështu, – thashë me vete. – Kështu siç e kanë zënë në datë 3 njerëzit do shkojnë në punë, jo të çlodhur nga ditët e pushimit, por të lodhur nga të ngrënët dhe ende pa u dalë dehja nga alkooli”.
Të paktën shyqyr që na u hoqën fishekzjarrët nga këmbët, se na merruan kalamajtë.
Mora cigaret dhe u ula të pija një kafe. Nuk isha i lodhur. Më merreshin mend... e më vinte për të vjellë.

Friday, December 28, 2018

“Rrënimi”, romani i Shqipërisë së Gërdecit


Në shkallën e tragjikes ku ka rënë shoqëria shqiptare, si pasojë e ngërthyerjes nga darët e politikës, deheroizimit nuk mund t’i rezistojnë madje as heronjtë e llojit të heroit të luftës së Kosovës, siç është Kolonel Ernest Arbana, ndërsa ëndrrave dhe ambicieve ndërtuese të arkitekt Martinit, të projektuara si Hotel “Ilirikum Palace”, ju vihen minat që në themele, për t’i shndërruar në një ngrehinë të marrëzisë shqiptare.



Nga Lulëzim ETEMAJ

Pas romanit “Lora“ (2015), romani më i ri, “Rrënimi”, i botuar këtë vit nga Ndërmarrja Botuese “BUZUKU”, Prishtinë, dëshmon se tashmë Leonard Veizi po ecën me sukses hullisë së të shkruarit të romaneve që, përkundër krizës së leximit në të cilën ka rënë shoqëria shqiptare, lexohen me një frymë.
Romani “Rrënimi“, sado që për çështje kortezhe autori që në fillim e bën paralajmërimin stereotip, se “Çdo ngjashmëri me personazhe, vende dhe ngjarje reale është rastësi”, është roman drama e të cilit zhvillohet në Shqipëri, ndërsa për subjekt identifikues e ka shoqërinë shqiptare, të reprezentuar nga pjesëtarë të të gjitha kategorive të saj; politikanë, ministra, ushtarakë, policë, gazetarë, media, kryeredaktorë mediash, gazetarë, zbulues e kundërzbulues, civilë e ushtarakë, kriminel e prostituta, të të gjitha kalibrave.
Rrënimi, i të gjitha kodeve, rendeve, rregullave, morale dhe shoqërore, të shkruara dhe të pashkruara, kjo është anija në të cilën ndodhen të gjithë këta së bashku, ku gjithsecili pret që kjo anije të marri kursin drejt cakut final: mbijetimit dhe pasurimit personal. Pasurimit me çdo kusht dhe mjet, për të jetësuar në radhë të parë superëndërra, ku bashkëpunimi, por edhe lufta kundër njëri-tjetrit zhvillohet me një ritëm marramendës, ku rënia, drama e rënies së kokave, përmes plumbit në ballë, vënies së minave, ekzekutimit dhe djegies së kufomave, ashtu si dhe prostitucioni, duke qenë se është shndërruar në një kusht pa të cilin nuk bën, thuajse edhe është shndërruar në një efekt tërësisht anësor. Një efekt që, mbi të gjitha, e shpërfaq gradën e rënies poshtë të shoqërisë shqiptare. 
Në funksion të hedhjes dritë mbi këtë rënie si dhe të aktorëve të saj, autori Veizi rrëfimin e shoqëron edhe me zhargonin e tyre, gjë që i bën ata, përkatësisht karakteret e tyre, më “njerëzore” për lexuesin. Në shkallën e tragjikes ku ka rënë shoqëria shqiptare, si pasojë e ngërthyerjes nga darët e politikës, deheroizimit nuk mund t’i rezistojnë madje as heronjtë e llojit të heroit të luftës së Kosovës, siç është Kolonel Ernest Arbana, ndërsa ëndrrave dhe ambicieve ndërtuese të arkitekt Martinit, të projektuara si Hotel “Ilirikum Palace”, ju vihen minat që në themele, për t’i shndërruar në një ngrehinë të marrëzisë shqiptare.
Prandaj, përtej simbolikës, në një ambient të tillë të shoqërisë shqiptare, i cilësuar shpesh si një ambient i një shoqërie në tranzicion, anipse ka shumë vite që kur ka lënë prapa sistemin e kaluar, është tepër domethënëse edhe shterpësia e dashurisë së Martinit, përkundër dëshirës së flaktë të tij.
Romani “Rrënimi”, i autorit tiranas Leonard Veizi, në fakt është romani i Shqipërisë së Gërdecit. Përballë saj, Gërdeci i vitit 2008, me gjithë rrënimin dhe gjëmën që ka lënë prapa pas shpërthimit, nuk i plotëson as për së afërmi konditat e karikaturës së mirëfilltë të Gërdecit letrar të Veizit, të përmasave 28 mijë kilometra katrore, të përmbledhur mjeshtërisht nën titullin tepër sinjifikativ, “Rrënimi”.
Përfundimi i romanit përmes rrënimit të “Iliricum”-it, sado që e sjellë me vete edhe rrënimin, përmes vetëvrasjes, të Kolonel Arbanës, marrjes në hetuesi të arkitekt Martinit, si dhe ekzekutimin e gazetarit investigativ Nik Morina, e nxjerrë megjithatë në sipërfaqe edhe kurajën civile shqiptare, sado që ajo në këtë rast përballet me një ambient armiqësor, për t’i denoncuar publikisht autorët e rrënimit të shoqërisë shqiptare dhe detyruar edhe segmentet përkatëse të shtetit të fillojnë luftën me krimin, edhe me kushtin që ajo të mos shkojë deri atje ku duhet, shkaku i të qëndruarit prapa tij të politikës, gjyqësisë, policisë, ushtrisë, përkundër zvetnimit, e bën të shqueshme dritëzën e shfaqur në fund të tenelit të shoqërisë shqiptare, të letrarizuar me mjeshtri nga shkrimtari Leonard Veizi.






Thursday, December 27, 2018

Kur ulesh në tepsinë e qeverisë dhe trazon mbi kazanin mediatik


Nga Leonard Veizi

Dashamirësit e tij thonë se ai është orator i lindur dhe ku nuk i shkon mendja për të nxjerrë një batutë të re, të padëgjuar e fort të qëlluar. Kundërshtarët gjithashtu e aprovojnë pa zë një gjë të tillë. Përjashtohen vetëm asnjanësit, ose ata që abstenojnë. Por ne jemi popull politik dhe nuk lëmë rast pa e dhënë një mendim, jo vetëm për kreun e shtëpisë tonë, por dhe për burrat e botës. Si përfundim mund të themi me gojën plot se ai është alamet djali, ose më saktë është nga ata çuna që di të të mbajë me muhabet, sa mund të shtysh rehat një natë të gjatë dimri me gallatë.
Në hulumtimet e herëpashershme brenda fjalorëve të gjuhës shqipe te këta të rinjtë me nga 40 mijë fjalë dhe ata të vjetrit me më pak se kaq, gjetja e tij e radhës ishte fjala “kazan”.
Eureka!
Përdoret rëndom kjo fjalë kur flitet për kazanin me groshë të ushtarëve apo kazanët që zienin të linjtat e pista. Por kryeministri ynë e përdor me marifet këtë fjalë, por më së shumti tullë fare, edhe për të simbolizuar gjithçka ka të bëjë me median, gazetarët, redaksitë e punën e tyre që ose transmetohet në letër ose në ekranet e televizorëve: pra sipas tij kemi të bëjmë me një “kazan mediatik”.
Edhe qëndron. Duhen bërë analiza për këtë çështje. Por analistët i kemi lënë në panel të merren me probleme pak më të rëndësishme se kjo.
“Kazan mediatik”
Tani ç'është e vërteta, fjalën “kazan” mund ta marrësh dhe për fyerje. Fjala vjen, ata që kanë qejf alkoolin ndihen akoma më të fyer, sepse ballin e kazanit të rakisë e duan për konsum me opingë. Ndërsa kryeministri e fut në hulli të tjera, ua deformon.
Kur kjo batutë u hodh fillimisht, ç’është e vërteta u mor ca me sportivitet, pak me humor, dhe jo në pak raste duke i dhënë të drejtë “atij të gjatit”. Se duhet gjetur gjithmonë një tabelë për qitje, ndryshe nuk dihet nga të shkojnë fishekët. Media i ka fajet. Ore, troç fare, gazetarët, se ata gënjejnë mëngjes, drekë, darkë. Ose meqë ra fjala: Çfarë bëjmë ne mëngjes, drekë, darkë...?
Do kalojë dhe kjo, menduam. Dhe hapëm veshët për të dëgjuar batutën që do të mund ta varroste çështjen e kazanit.
Por jo... kryeministri e bëri ca si të rrugës. “Kazan” këtu e “kazan atje”. S’kishte të ndaluar çështja mbi kazanin, nuk shteronte për qamet. Jep e merr e “kazani mediatik” në mes. Refren gati i përditshëm. “Kazani mediatik”, ai e ka fajin për dështimet në qeveri, për protestën e studentëve, për rrëmujat e Astirit, për dokumentet e Unazës së Re, madje dhe për Vettingun.  
Kryeministri është duke i ra fort “kazanit”, me shpresën e pashuar që do të ndihet o nga “tepsia” o nga “tenxherja”. Se në inventarin e enëve të kuzhinës ka dhe disa instrumente të tjerë që ende nuk na kanë dalë në skenë.
Po pse e ka kapur kryeministri me institucionin mediatik?
Ca e ca thonë që Rama është pikërisht produkt “kazani”, pra produkt mediatik. Ka shkruar dikur komente e fejtone, dhe thonë se reçensat i bënte mirë. Po diku iu fut politikës dhe pasioni i mbeti në mes i pashprehur.
Tanimë është kryeministër. Ka në dorë buxhetin e shtetit. Por kjo është një gjë e pavlerë. Tek e fundit, ekonomia nuk është pasioni i tij.
Çështja qëndron tek ata të lajmeve. Dhe zakonisht lufta brenda llojit është ajo që e ka marrë në qafë njerëzimin.
Rama Kryeministër, edhe pse i pari i fshatit, duket se vazhdon ta shikojë me zili kazanin dhe punëtorët që trazojnë dynjanë, ata që sipas tij e mbushin kazanin rrafsh ose me fasule pllaqi, ose me ndërresa të pëgëra.
E me sa duket edhe pse ka më shumë se 5 vite në krye të qeverisë, në fund të fundit Rama ende nuk po e ndan dot veten si njeri politik, nga punëtori mediatik. 
Vite më parë, kur u përplas me Nanon, thërriti gazetarët që në atë kohë ende nuk ishin bërë pjesë e setit të kuzhinës, dhe u tha atyre se Tosi ishte bërë si Robert Çamçakizi që vinte vërdallë nëpër kantier pa zënë punë me dorë. Dhe media e papërtuar e transmetoi batutën e tij të radhës, që këtë herë çuditërisht nuk ishte më për Doktorin por për Profesorin, shefin e Partisë ku Rama ende nuk aderonte.
Sot Rama thërret mediat për të shpërndarë batutat e tij, dhe si gjithmonë në fund u kujton se edhe pse punëtorë të devotshëm, sërish mbeten pjesë e sistemit të “kazanit”.
Mjerë gazetarët.
Se gazetarët u dashkan kur do të hedhësh romuze, kur kërkon t’i biesh defit te orkestra filarmonike, kur do t’ia marrësh në kthesë propagandistit më të mirë të fshatit e të dukesh burrë i zgjuar. Se mund të flasësh edhe me veten, apo para pasqyrës, por s’të dëgjon kush. Ndaj duhet kazani, që të përçojë “fjalën dhe mendimin e lirë”. Pra “kazani” mund të përdoret edhe si portovoç kur ta do puna.  Po përsëri “kazan” mbetet.
Lëmsh muhabeti.
Pakënaqësi e madhe ndaj pushtetit të katërt.
Se pushtetet janë pushtete, por kur je në fund të rreshtit mund të dalësh dhe tepër... Sidomos kur i bën bllok demagogjisë.
Atëherë fillon avazi.
E si padashur kryeministri bën dhe kryeredaktorin, duke orientuar se ku është lajmi dhe çfarë është e vlefshme për t’u transmetuar.
Habi e madhe.
Ky të jep dhe mend...
Por sikur t’i japim dhe ne një këshillë. Them “ne” duke konsideruar se kam dhe ca të tjerë pas vetes që mendojnë tëpkë si unë...
Rama bën mirë të lejë “kazanin” mediatik të bëjë punën, ndërsa ai vetë të merret me tepsinë e qeverisë, të kësaj të resë dhe të asaj të vjetrës që i preu triskat, se me sa duket lugët nuk kanë më vlerë, dhe po përdoren duart për të marrë ç’të munden. Këtë nuk e them unë, e thotë “kazani”. E thonë dhe kazanët e tjerë, me të cilët na ndan kufiri, domethënë “kazanët ndërkombëtarë”.
Dhe pasi ta këtë përfunduar me nder ciklin si administrator i shtetit, ish-kryeministri, mund të aplikojë për një vend pune si kryeredaktor, a drejtor nëse e mban më lart pazarin, e të shprehi deri në fund pasionin e tij të pashteruar në artin e të shkruarit.

Botuar në:
http://www.gazetadita.al/kur-ulesh-ne-tepsine-e-qeverise-dhe-trazon-mbi-kazanin-mediatik/



Friday, December 21, 2018

Romani “Rrënimi“ i Leonard Veizit, një pasqyrë e trishtë e një realiteti të hidhur

Gjithë proza e gjatë e Leonard Veizit karakterizohet nga disa elementë që janë evidente në të gjithë krijimtarinë e tij, por unë, me pak fjalë, do t’i përmbledh ato në një analizë më të detajuar të romanit të fundit “Rrënimi”, si për vetë faktin që ky roman është në vazhdim të gjithë romaneve të para të tij, si në stilin, formën, mënyrën e veçantë të ndërthurjeve të ngjarjeve, dialogëve dhe vizatimit të detajuar të personazheve, por në mendimin tim, ky roman vjen më i arrirë, si në formën e tij, si në mënyrën e transmetimit të saj nëpërmjet penës së një autori, që e njeh mirë mjeshtërinë e vet, por ajo që e bën më të rëndësishme këtë gjykim, është tematika shumë e fortë, tepër aktuale dhe me nota të një radiografie të hollësishme që autori i bën zhvillimeve të mprehta me karakter politik dhe shoqëror të realitetit që po jetojmë, mision ky i vështirë, që jo gjithmonë kapet nga kushdo që rrok penën e vet për të shkruar, si në gjininë e romanit, por dhe të prozës në përgjithësi e pse jo dhe të poezisë dhe dramaturgjisë.





Romani “Rrënimi“ i Leonard Veizi, një pasqyrë e trishtë e një realiteti të hidhur 


shkruar nga Ferdinand HYSI*

Leonard Veizi dhe Ferdinand Hysi
Që në hyrje të këtij shkrimi doja të saktësoja një gjë: Leonard Veizin, autorin e romanit, për të cilin mora përsipër të shkruaj këto rreshta, e kam shumë mik. Rastësia e të qenit në të njëjtën punë, e lidhur kjo me përputhjen e interesave të përbashkëta, ai në prozë e unë në dramaturgji, edhe pse për një kohë të shkurtër, u kthye në një miqësi të fortë dhe të sinqertë. Por qëllimi i këtij shkrimi nuk ka fare të bëjë me miqësinë mes nesh! Përkundrazi jam i parimit që të shkruarit thjesht për miqësi, apo dhe për armiqësi, asnjëherë nuk është një vlerë, si për letërsinë dhe artin në përgjithësi, por dhe në veçanti, dhe një gjë e tillë vetëm se i bën keq autorit për të cilin shkruhet. Këtë parim e kam te shenjtë dhe për veten time! Më ka ndodhur që miq të mi edhe pse autorë të shumë shkrimeve të ndryshme kritike, nuk kanë shkruar për ndonjë vepër timen dhe i kam kuptuar dhe i kam shumë miq dhe tani, ashtu si dhe një zonjë të cilën nuk e njihja fare, pasi në një diskutim të hapur foli jo mirë për një dramën time, pas kësaj e takova dhe u bëmë miq, pa i kërkuar të ndryshonte mendim. Ashtu si falënderoj dhe shumë studiues e kritikë që kanë shkruar për veprën time, ku me disa prej tyre nuk jemi njohur fare në momentin e analizave. E parashtrova të gjithë këtë për të thënë se ky shkrim, është nisur nga emocionet e mia personale për një vepër që për mendimin tim, është me të vërtetë një nga prozat më të arrira në fushën e romanit shqip.
Romani “Rrënimi” nuk është i pari roman që lexoja nga i njëjti autor. Duhet ta pranoj, se tërheqja ime drejt letërsisë së Leonardit, ishte e rastësishme. I larguar për shumë vite nga Shqipëria, duke lexuar më shumë në italisht, leximin e prozës shqipe e kisha të rrallë dhe deri diku me zgjedhje të qëllimshme. Për korrektesë të njohjes me Leonardin i kërkova vetë të lexoja ndonjë nga librat e tij. Por e pranoj, që në leximin e parë, romani “I çmenduri i pavionit 3”, ngela rob i rrjetës të një libri, të atij lloji për të cilin thuhet: “Po e fillove nuk e lë dot pa përfunduar”! Ishte kjo ndjesia e parë. E lexova me një frymë dhe me kënaqësinë që ndjen, kur sapo mbaron së lexuari një libër, pa u futur në analiza të thella, kupton se ai të ka pëlqyer dhe të ka bërë për vete në tërësinë e tij. Dhe kështu kërkova të lexoja libra të tjerë që ai i kishte botuar. Dhe kështu mora në dorë njëri pas tjetrit: “Surpriza e natës së fundit“, “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, “Rrëfimi”, “Lora” dhe së fundi romani i botuar këtë vit “Rrënimi”.
Kuptova një të vërtetë! Rastësia nuk më kish bërë të njihja vetëm një mik të mirë si Nardi, i qeshur dhe dashamirës me këdo duke falur vetëm miqësi, por po njihja një mjeshtër të romanit triller, të atij romani që sot në botë ka shumë autorë të njohur me mijëra e miliona kopje të shitura dhe të kërkuara me shumicë në tregun e leximit. Unë nuk jam kritik letrar, as ndonjë që ka bërë studime në këtë fushë, ndaj të më falë dikush nëse gaboj në terma profesionalë, por unë flas si lexues, që falë këtij leximi, kam zhvilluar dhe intuitën time në fushën e dramaturgjisë. Dhe në këtë këndvështrim, në mendimin tim personal, ndjej se romani i Leonard Veizit sjell në prozën e gjatë shqiptare një realitet, ku kritika letrare duhet ta thotë fjalën e saj, sepse jam i bindur që nëse më mirë do të punohet në drejtim të njohjes dhe propagandimit të tij (sepse modestia e vet autorit nuk ndihmon në këtë gjë, e cila me sa e kam njohur është shumë e theksuar), lexuesi do ta lexojë atë me shumë dëshirë, jo vetëm për faktin se stili e bën të thithet në lexim, por dhe për tematikën e tyre, të fortë dhe aktuale.
Gjithë proza e gjatë e Leonard Veizit karakterizohet nga disa elementë që janë evidente në të gjithë krijimtarinë e tij, por unë, me pak fjalë, do t’i përmbledh ato në një analizë më të detajuar të romanit të fundit “Rrënimi”, si për vetë faktin që ky roman është në vazhdim të gjithë romaneve të para të tij, si në stilin, formën, mënyrën e veçantë të ndërthurjeve të ngjarjeve, dialogëve dhe vizatimit të detajuar të personazheve, por në mendimin tim, ky roman vjen më i arrirë, si në formën e tij, si në mënyrën e transmetimit të saj nëpërmjet penës së një autori, që e njeh mirë mjeshtërinë e vet, por ajo që e bën më të rëndësishme këtë gjykim, është tematika shumë e fortë, tepër aktuale dhe me nota të një radiografie të hollësishme që autori i bën zhvillimeve të mprehta me karakter politik dhe shoqëror të realitetit që po jetojmë, mision ky i vështirë, që jo gjithmonë kapet nga kushdo që rrok penën e vet për të shkruar, si në gjininë e romanit, por dhe të prozës në përgjithësi e pse jo dhe të poezisë dhe dramaturgjisë. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se autori Leonard Veizi, me këtë roman (pa përjashtuar dhe të tjerët më parë) misionin e vet e ka arrirë!
Romani, jo pa qëllim, hapet me një porosi për vrasjen e një personi dhe mbyllet me vrasjen e një tjetri, ku pavarësisht ndryshimit të objektit të vrasjes, thelbi është i njëjtë, duke qenë si kllapa hapëse dhe mbyllëse të një fjalie të gjatë, ku në përbërje të saj është vetë titulli i librit “rrënimi“. Dhe ky rrënim, nuk është thjesht fati i një apo disa personazheve në libër, që bien nga fronet e tyre të ndërtuara mbi padrejtësinë, krimin, vjedhjen, se sa është rrënimi i plotë i një shoqërie që e kapur keq, si një rrjetë merimange, nga ndërthurja e krimit në disa fusha të jetës shkon drejt degradimit moral.
Në këtë rrjet merimange, ku ne shohim të kapur insekte të ndryshme, por nuk e shohim merimangën, jepet qartë dhe pa ekuivoke ideja se krimi i organizuar dhe viktimat që shohim herë pas here, janë pjesë e spastrimeve që herë pas here krimi i organizuar i nxjerr si jashtëqitje nga trupi i vet, por koka dhe truri i këtij trupi mbeten të paprekura, duke e bërë konceptin rrënimi, jo si një fjalë e një ngjarje të shkuar, por si kambanë alarmi dhe për të ardhmen. Kjo e vërtetë e hidhur jepet realisht sidomos në fundin e romanit (që për mua është gjetja më simbolike e këtij romani), kur në fund vritet me porosi, pikërisht “më i pafajshmi i kësaj historie”, gazetari Nik Morina, por ama “më i fajshmi” për kokën e krimit të organizuar, pasi ishte ai që denoncoi gjithë rrjetën e merimangës. E trishtë dhe shumë e hidhur, ndërsa mbaron së lexuari romanin, ndjen se ndërsa disa insekte të kapura në rrjetën e merimangës bien, rrjeta ekziston dhe merimanga është diku lart e paprekur e gatshme të vrasë të tjerë denoncues të saj! 
Në morinë e personazheve, personazhi kryesor i romanit, Martini, një arkitekt i talentuar, por shumë ambicioz, është vizatuar me detaje dhe me logjikën që fat i tij, pavarësisht talentit, do të shkonte natyrshëm drejt rrënimit të vet. Janë pikërisht këto lloj tipash, që për vetë karakterin e tyre kapen dhe thithen nga rrjetat e krimit dhe që hap pas hapi, diku me ndërgjegje diku si pa kuptuar shkojnë thellë e me thellë në vetfundosjen e tyre. Por fuqia e të vërtetave që ky roman demaskon, është fakti, se arkitekti është një pjesë e këtij Rrënimi të madh, ashtu si janë dhe të tjerë të cilët autori i ka dhënë në detajet e veta dhe jo pa qëllim me gjithë kompleksitetin e tyre. Koloneli Ernest Arbana, heroi i luftës së Kosovës, në pamje të parë, personifikimi i njeriut të ndershëm që gjithë jetën e tij ia ka kushtuar ushtrisë, por duke pasur shpesh motiv të jetës së vet termin “mbijetesa” dhe duke u shprehur herë pas here “Me sa vështirësi përballemi në jetë” bie dhe ai pre rrjetës së merimangës, duke qenë një nga pikat kyçe të gjithë atij organizimi kriminal. (Ndërsa lexoja për një çast mendova: Këtu e ka prishur Nardi, si ka mundësi një kolonel i ndershëm në detyrë të dy fëmijët i ka me shkollë jashtë shtetit, por kur lexon në vijim, dhe kësaj dileme i jep përgjigjen që i ka dhënë vetë autori).
Në fakt, mjeshtëria e Leonardit si romancier, në formë, është pikërisht në ndërtimin e shumë linjave, të cilat lidhen me njëra-tjetrën në vijim dhe asnjëherë nuk të lë në dilemat paraprake që mund të të lindin gjatë leximit. Ngjarjet vijnë në pamje të parë si të ngatërruara, pa sensin e kohës, diku në retrospektivë, diku në të njëjtën kohë, por në vende të ndryshme, por qartësisht ato e bëjnë romanin intrigues, të qartë, pa dilemat fillestare, por gjithmonë me dëshirën për të mos ta lënë përgjysmë deri në përfundimin e tij. Ndërsa nga ana e përmbajtjes, edhe pse në roman hasemi me shumë vendngjarje të ndryshme, personazhe që në pamje të parë njihen apo nuk njihen mirë, faqe pas faqe shohim një lidhje të drejtpërdrejtë të tyre, ku fijet e rrjetës së merimangës, të shtrira në sektorë të ndryshëm, janë të lidhura fort me njëra-tjetrën në funksion të krimit që i mban të lidhur këto fije.
Një hotel abuziv diku buzë detit, edhe pse në jo në pronë të vet, i kthyer në depo armësh, me armë ligjërisht të nxjerra jashtë përdorimit, por disa të shitura jo legalisht jashtë shtetit, disa të tjera të demontuara nga ndërmarrje fantazmë, të gjitha në funksion të larjeve të parave të pista, bën bashkë pjesë të strukturave shtetërore, si qarqe të larta të ushtrisë, Banka të ndryshme, Studio projektimi dhe Ndërmarrje ndërtimi, investitorë me para që nuk dihet ku e kanë burimin organe që duhet të kontrollojnë, por të shurdhër dhe të verbër bëhen pjesë e kësaj rrjete merimange!
Kështu, në roman, ndërsa ndjekim Gregun në kërkim të viktimës së radhës, Martinin në udhëtimin e tij drejt vrasësit që e priste, Nik Morinën në kërkimet të të vërtetave, Admir Trinën, specialistin e bankës në manovrimet e tij, Kolonel Ernest Arbanën me firmat në emër të ligjit, për të afirmuar antiligjin, ndeshim dhe kapiten Arianin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, që edhe pse i ndërgjegjshëm për sa di, preferon më shumë të flasë për ca të vërteta me gazetarin se sa të çojë deri në fund detyrën e tij, duke ruajtur statuskuone e një mosfojle për hir të prekjes së interesave të instancave më të larta. I gjithë ky ingranazh korrupsioni, që lëviz si një makineri e mirë drejtuar, me fije të padukshme, por që autori lë të kuptojë se shkojnë lart, shumë lart, me zgjidhjen që ai i jep fundit të romanit, kupton se ndodhesh para një pasqyre të trishtë, që pasqyron imazhet e një realiteti të hidhur. Rrënimi personal i disa personazheve nuk është asnjë gjë para rrënimit total të një shoqërie, ku padrejtësia, krimi, korrupsioni bëhen fjalë e zakonshme e ditës, ku vritet e vërteta (jo vetëm moralisht, por dhe fizikisht me vrasjen e Nik Morinës) dhe morali i vlerave vihet në diskutim me atë të antivlerave.
Së fundi, thjesht si lexues i prozës së gjatë, unë do ua rekomandoja gjithë lexuesve dhe dashamirësve të romanit si gjini, se në krijimtarinë e Leonard Veizit do të gjejnë me siguri pritshmërinë e asaj që janë duke kërkuar!
Problemi është sa ta filloni se pastaj ai vetë nuk ju lë pa e përfunduar. Këtë e kam provuar vetë disa herë.

*Ferdinand Hysi – dramaturg