Friday, March 19, 2021

Tom Kuka na dhuron një letërsi moderne mbi një histori të vjetër

Ca fjalë të thjeshta drejtuar një lexuesi të pakualifikuar, për një vepër të kualifikuar
 


Nga Leonard Veizi
 
Në thellësinë e tij ka qëndruar gjithmonë qenësia e shkrimtarit, edhe pse në botën publike, shpërfaqja ka qenë pak më e vonë se rendja e të tjerëve, për t’u bërë prezente në letrat shqipe qysh më herët. 14 vjeç mundësisht.
E kam fjalën për Tom Kukën, i cili gjerësisht, edhe për shkak të ekranit njihet si Enkel Demi, ose më shkurt akoma: Keli. Dhe meqenëse nuk na intereson se cilin nga dy emrat ai mban në certifikatën personale dhe atë të familjes, më të cilën paguan faturat e shtetit, dhe gjobat e tij, do të flasim për shkrimtarin Tom.
Në botën letrare flitet vetëm për atë çfarë lexohet, dhe kurrkush nuk merret me analizën e personit në fjalë. Dhe nëse do të ndodhte e kundërta, tavolina e debatit letrar kthehet në një tavolinë thashethemesh, ku mund të mos mungojë as një filxhan kafeje i kthyer përmbys. Veç duhet një kurbatkë, që të deshifrojë vijat përmes llumit.
Pak vite më parë Tom Kuka erdhi si një emër i ri në letrat shqip. Për më tepër që ai u vesh me një vel misteri sepse duhet të gjenim gjëegjëzën se kush fshihej pas këtij pseudonimi. Kishte shumë nga ata që merren me fjalëkryqe e kriptograme që vranë mendjen për të gjetur origjinën e shkrimtarit misterioz. Personalisht nuk më interesoi të dija se kush ishte autori i veprës. Thjesht më interesoi vepra. Ndaj e shijova historinë e parë të publikuar nën titullin “Hide mbi kalldrëm”. Dhe meqë nuk vuaj nga xhelozia profesionale, - ose të paktën kështu më gënjen mendja,-  ca kohë më vonë, në një ambient publik deklarova se ajo çfarë kishte shkruar Tom Kuka ishte një model shumë i mirë letrar.
-Është Kel Demi, - ma bënë të ditur, si për të më shkundur nga një padije e madhe që më kishte lënë pas në kohë. Sepse në ditët e sotme, ku bota është imazh, fytyra e autorit të veprës është domosdoshmërish e lidhur me emrin e tij dhe me vetë veprën. Ai nuk mund të përfytyrohet në përçartje sepse mund të keqpërfytyrohet.
Kjo do të thoshte se fjalëkyçi ishte gjetur.
Edhe u surprizova, edhe jo. E kisha të qartë që një koleg e mik si Kel Demi e kishte aspiruar që herët një gjë të tillë. Vonesa në botim nuk më interesoi pasi e mora me mend. Kur futesh në garë për konkurrim me një peshë të rëndë siç është letërsia, duhet ta masësh bythën mirë dhe të bësh stërvitje në vazhdimësi. Ndaj Keli ishte menduar mirë para se ta hidhte këtë hap. Ndodh që ata të cilët botojnë ndonjë libër para se të mbushin të 18-tat, e kapërcejnë shpejt ngërçin, sepse edhe pse nuk e kanë mësuar notin, janë të prerë t’i futen detit më këmbë. Keli ka menduar të kundërtën. Edhe nëse nuk është kjo e vërteta,-  pra në prapavijë qëndron diçka tjetër po aq enigmë, - sërish për mua nuk ka rëndësi, pasi ky është leximi im. Dhe regjistrat e leximit ndryshojnë.
Po ç’rëndësi kishte emri. Atëherë dhe sot. Rëndësi kishte dhe ka vepra, çfarë ishte shkruar, e zeza mbi të bardhë. Balzak, fjala vjen, shkroi 30 vepra me pseudonim. E çë pastaj. Pse duhet t’i kërkojmë llogari Kelit që ka huazuar emrin e Tomës. Kujt i intereson se ku mbaron Keli për të filluar Toma, përveç ndonjë psikologu që kërkon të mbrojë doktoraturën me studime mbi pacientët bipolarë.
Asnjeri se di se çfarë pamje kishte Shekspiri. Madje thuhet se pas emrit të tij fshihej një fisnik,  herë-herë një fshatar anonim, madje fshihej dhe vetë djali ilegjitim i mbretëreshës. Por asgjë nga këto nuk ndikoi për të mposhtur gjenialitetin e tij. Tek e fundit ai mbetet Shekspir dhe i lexohet vepra, jo biografia.
Kështu Tom Kuka mori për dore Enkel Demin dhe u fut në bibliotekat tona.
Për së fundi lexova librin më të ri të Tom Kukës, “Flama” një botim i prestigjiozes “Pegi”. Dhe meqenëse herë pas here më zë paniku duke kujtuar sentencën: “Hekuri rrihet sa është i nxehte”, nxitova të shkruaj pak rreshta sipërfaqësore, meqenëse nuk e ndjej veten të aftë për të bërë analiza të thelluara: gjak komplet, bilirubina, rruazat e kuqe dhe niveli i diabetit.
Tom Kuka për një kohë relativisht të shkurtër, - në kufijtë e pesë viteve besoj, - ka arshivuar në skedarin e tij tek biblioteka kombëtare katër tituj romanesh. Tre prej tyre janë dhe në bibliotekën time. Por kam lexuar me shpejtësi dhe ëndje të parin dhe të fundit duke e lënë pas dore një të tretë, për të cilin nuk është se do bëj autokritikë. Gjithsesi arrij në konkluzionin, - me matematikë të aplikuar sigurisht, kosinus alfa dhe rrënjë katrore, - se sakrifica ime është e barabartë me leximin e 50 përqind të prodhimit neto nga ky autor. Pra njoh gjysmën e krijimtarisë së Tom Kukës. Dhe kjo nuk është pak, besoj.
Ka qëlluar që të dy librat të cilët kam marrë në konsideratë, janë të së njëjtës familje, pra si “Hide mbi kalldrëm” ashtu edhe “Flama”. Kanë të njëjtën vendngjarje dhe pak a shumë të njëjtët personazhë. Një sagë e kryeqytetit shqiptar të viteve ‘30. Një roman që lexohet rrjedhshëm ku kërshëria se çfarë do të na presë në fundit të tij evidentohet që nga faqja 9-të kur varrmihësi i qytetit i kallëzon kryehetuesit të Tiranës një “krim në kohë kolere”. Dhe libri vazhdon...
Meqenëse Kel Demi është diku tek të 50-tat, që do të thotë se dritën e diellit e ka parë aty nga vitet  ‘70 (plus-minus), nuk më rezulton se njeh mentalitetin e viteve ’30 të Tiranës Orientale. Ne si brez jemi më adapt të themi ndonjë gjë rreth revolucionit kulturore e shprehjes simbol: “Lindja është e kuqe”. Por Tom Kuka, si autor i vërtetë i librit, po. Sepse ai na sjell një Tiranë ideale, të cilën ne që lindëm nja 30 vjet pasi “lindi Partia”, e njihnim vetëm nëpërmjet ca fotografive dhe pak regjistrimeve, të cilat ruheshin në arkivën e institutit “Luce”, andej nga Roma.
Di Hima, personazhi kryesor i veprës, i cili e fillon rrugëtimin e tij që prej “Hide mbi kalldrëm”, është një personazh mjaft interesant. Një burrë i fortë, por dhe mjaft elegant do të thosha. Ai nuk ka studiuar në akademinë “Xherxhinski”, sepse në xhep pa pasur një diplomë vjeneze, por është hetuesi më i mirë i kryeqytetit, që me nuhatje dhe përvojë arrin të zgjidhë çështjet e koklavitura të krimeve fshehur në errësirë.
Meqenëse të dy librat, si “Hide mbi kalldrëm” ashtu dhe “Flama” janë filiale të njëra-tjetrës, nuk do të habitesha nëse Di Hima do të na vinte sërish pas disa kohësh me një tjetër odise për zbulimin e një krimi. Dhe meqenëse tashmë jam dashuruar me inteligjencën e këtij burri tirone, e ndjej si kërkesë që saga mund të vazhdojë. Natyrisht, nëse Keli Demi futet mik tek Tom Kuka që të na e sjellë dhe një herë të tretë Diun si kryehetues, pa ardhur në Tironë qeveria e Enver Hoxhës dhe metodat e KGB-së sovjetike.  
Di Hima kuptohet lehtë që është një tirons 24 karatësh. Dhe qyteti ku zhvillohen ngjarjet është Tirona. Dhe në Tironë mund të ndodhë gjithçka, ashtu si dhe në shumë qytetet të tjera europiane, madje edhe një akt incestual nga e cila lindi një hibrid biond, shkak i një serie vrasjesh. Por në Tiranë ka rënë flama dhe njerëzit po këputen njëri pas tjetrit. Ndaj është vendosur karantina. Dhe ky është sfondi, një paralelizëm me epideminë e ditëve të sotme. Dhe në këto kushte zhvillohet ngjarja. Por nuk po zbulojmë më shumë se kaq. Pasi kënaqësia merret pasi e ke blerë librin në librarinë më të afërt.
Tom Kuka, këtë herë, edhe si autor por edhe si personazh libri, na jep një Tironë të cilën edhe pse nuk e kemi njohur, e përfytyrojmë në të njëjtat kuota, si Kel Demi shkrues ashtu dhe unë që jam lexues. Është një Tironë mjaft interesante, me rrugë kalldrëmi, rrugë asfalti por dhe baltovina, me librari, me akshihane, çingie por dhe prostituta, me kurbatka që jetojnë në kasollet e bregut të lumit e vlleh që kanë arritur të stabilizohen në rrethina. Është një Tiranë e larmishme me një popullsi që vazhdon të ketë të injektuar mentalitetin e imponuar nga Azia e Vogël, por që është e hapur e mikpritëse jo vetëm për dibranët por dhe për turq, italian e ndonjë grek që ushtrojnë veprimtari tregtare, si te Pazari i Vjetër i stilit oriental në mes të kasabasë, ashtu dhe në ndërtesat e reja të modës italiane që asokohe kishin filluar të mbinin nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.
Kjo është Tirana e Tom Kukës, dhe e jona bashkë. Një Tironë që ia vlen ta njohësh nëpërmjet romanit “Flama” por dhe “Hide mbi kalldrëm”. Dhe po aq ia vlen, që pasi ke mbaruar leximin, librin ta vendosësh në bibliotekë mes librave të tjerë.
Ah... nëse nuk e ke një bibliotekë..., duhet ta ndërtosh një të tillë.
Enkel Demi dhe Leonard Veizi


Thursday, March 18, 2021

Heronjtë mitikë të një kinemaje spektakolare



Nga Leonard Veizi


Ka ndodhur jo pak herë që një vepër letrare, apo një prodhim kinematografik me cilësi të lartë, t’i japë vlerën e munguar një ngjarjeje të caktuar apo një personazhi të caktuar gjithashtu. Por një gjë e tillë vlen edhe kur vepra në fjalë jep më shumë se çfarë meriton kjo ngjarje apo personazh i caktuar.
Mos duket si lojë fjalësh...?
Është thënë kaherë se krahasimet apo paralelizmat përgjithësisht çalojnë. Dhe në rastin konkret, për atë çfarë kërkoj të parashtroj, me gjasa mund të çalojë më shumë nga sa duhet. Por gjithsesi e provojmë...
Nisem nga një film i parë së fundi në ekranin e televizionit publik shqiptar, dhe pse prodhimi në vetvete mund të quhet demode tashmë, pasi i përket pelikulës së 7-të vite më parë.
Flitet për një produksion amerikan, i cili ka hedhur 70 milion dollarë për të realizuar një film të titulluar “Dracula Untold” dhe që në shqip është përshtatur si “Drakula, një histori e patreguar”. Dhe flitej për një luftëtar real, që në përpjekjen e madhe për të mbrojtur territoret e veta nga një pushtues i huaj  u kthye në një vampir ireal. Pra një film që futet në zhanrin e fantazisë së errët, pse jo dhe të horrorit. Si shpërblim “Universal Pictures” arkëtoi prej “Dracula Untold” 217 milion dollarë në të gjithë botën, edhe pse mori kritika të ndryshme nga specialistët e kinemasë.
Po çfarë rëndësie ka kjo, sepse në një ndërmarrje fitimprurëse vlerë kanë arkëtimet jo mesazhet.
E rëndësishme është se ngjarja flitet të ketë ndodhur në Transilvaninë e dikurshme, pjesë e shtetit rumun sot. Në shekullin e XV princi i Vllahisë ishte Vlad III Tepes, i cili njihet sot e kësaj dite si Vlad Drakula, për shkak të urdhrit të Dragonit që mendohet se ai mbante. Historia e njeh Vlad Drakulën për mënyrat e pamëshirshme me të cilën ai ekzekutonte armiqtë, gjë që e ktheu dhe në legjendë. Historia e mbështetur mbi fakte konkrete thotë se Vladi III është vrarë në fushën e betejës, kundër ushtrisë osmane të Mehmetit II, në vitin 1476 në moshën 45-vjeçare.
Kjo i përket historisë. Mitizimin e bëjnë tregimet gojore që vijnë nga thellësia e kohës dhe letërsia që i jep penelatën e fundit.
Dhe ndodhi që dikush e zbuloi këtë histori dhe e ngriti në art atë.
Gjithçka nisi pasi shkrimtari irlandez Bram Stoket, në vitin 1897 shkroi romanin “Dracula”. Pra u desh një vepër letrare, që Kontin Drakula e njehsonte me një vampir, e që kështjella e cila ka qenë nën zotërimin e tij, koduar nën emrin “Bran”, e që ndodhet 150 kilometra larg kryeqytetit Bukuresht në Rumaninë e sotme, të kthehet në një vend atraktiv të cilin shkojnë dhe e vizitojnë me mijëra turistë.
Për Drakulën ka mbi 15 produksione kinematografike. Dhe prodhimi i parë filmik i përket vitit 1931.  Ndërkohë edhe vetë turqit që në vitin 1953 kanë prodhuar një film me titullin “Drakula İstanbul'da”. Kjo do të thotë se Konti Vlad është kthyer në një hero të vërtetë filmik, i cili zhvendoset në kohë, sepse edhe qenësia e tij ka një vazhdimësi 500-vjeçare për shkak të kthimit në pavdekësinë e një vampiri.
Historia e Vlad III Tepes ka në themel qëndresën që ky kont e fisnik i Transilvanisë i ka bërë pushtimit osman. Flitet për vitet 1460-1470 edhe pse në vitin 1462 Sulltan Mehmet II pushtoi Vllahinë.
Kjo do të thotë se Vladi III Tepes ishte bashkëkohës me Janosh Huniadin, gjithashtu i biri i një familjeje fisnike me origjinë rumune, por që ishte një udhëheqës i ushtrisë hungarez, i cili njihet për qëndresën e tij ndaj pushtimit osman. Dhe po aq bashkëkohës ishte edhe Gjergj Kastrioti që udhëhiqte shqiptarët në po të njëjtin qëllim qëndrese.
Po çfarë nuk shkon në këtë mes???
Jo ndonjë gjë e madhe. Nuk do të grindemi se kush ishte më i lavdishëm në këtë mes. Edhe pse ne si shqiptarë duam që në vend të parë të jetë ai që meritoi emrin e Aleksandrit të Madh.
Por nuk mund të jemi aq ziliqarë sa të mos e pranojmë Vladin III si një star kinemaje dhe pse këtë magji filmike nuk e ka Gjergji ynë. Sepse edhe pse kanë një pikë të përbashkët, atë të qëndresës ndaj pushtimit osman, mënyrat e luftës së Drakulës dhe Skënderbeut janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Skënderbeu nuk ishte mizor që të ngulte kokat e jeniçerëve nëpër hunj e të trembte dynjanë me to. Ai njihet si një strateg, i cili nuk i dha mundësinë armikut të tij të gëzonte asnjë fitore ndaj ushtrisë së bashkuar të shqiptarëve.
Skënderbeu, pati 24 përballje me ekspeditat e ushtrisë osmane nga të cilat tre herë në rrethimin e kryeqendrës së tij, Krujës. Vdiq në shtratin e tij 8-të vite më parë nga vrasja në fushën e betejës së Vlad Drakulës. Janosh Huniadi gjithashtu pati një histori të lavdishme luftimesh, dhe gjithashtu vdiq në shtratin e tij 20 vite para Kontit Drakula. Megjithëse raporti në histori dhe letërsi i dy gjeneralëve, Kastriotit dhe Huniadit është për t’u marrë në konsideratë, në kinematografi Vlad Drakula ka bërë një hop cilësor përpara, duke marrë edhe vëmendjen e Hollivudit.
Në këtë kuadër, Gjergj Kastriot Skënderbeu ka mbetur vetëm me bashkëprodhimin shqiptaro-sovjetik “Skënderbeu”, një produksion i cili për hir të së vërtetës nuk mbetet pas në asnjë nga elementët: lojë aktoriale, fotografi e realizim të skenave masive.
Gjithsesi, një fakt i tillë historik nuk e ka zgjuar vëmendjen e producentëve amerikanë, të cilët hedhin para për të bërë filma spektakli, e ku terreni shqiptar vlen si në rastin e filmit “The Brave” apo ndryshe “Të guximshmit”, ku rrethimi i Lazaratit nga policia përshkruhet me një luftë spektakolare, në të cilën mbetën të vrarë më shumë dëshmorë se sa deklaroi Enver Hoxha në konferencën e Paqes në Paris pas Luftës së Dytë Botërore.
Heroi kombëtar i shqiptarëve, i zhveshur nga çdo mit e legjendë, e duke qenë fort tokësor, ka mbetur si “jetim” përsa i përket pelikulës. Kështjella e Krujës, e cila rezistoi në tri rrethime të furishme përballë ushtrisë më të madhe të kohës, mund të ishte kthyer në një vend shumë herë më atraktiv për turistët se sa është aktualisht, qoftë dhe nëse një vepër letrare si “Kështjella” e Ismail Kadaresë do të ishte realizuar në një film me distribucion ndërkombëtar. Padyshim, një film me skena masive nuk është një mundësi për Albafilmin. Por duket se lobimet e shqiptarëve, për të pasur një “Skënderbe” amerikan, përveç atij sovjetik nuk kanë rezultuar të suksesshme. Ndërsa kështjella e Krujës nuk e ka shkëlqimin e kështjellës Bran në afërsi të Brashovit.
Pa lobim, në mënyrë lineare apo alternative, figura e Gjergj Kastriotit si “Atlet i Krishtit” e mbrojtës i Evropës, ka mbetur shumë më pas Drakulës së pamëshirshëm e gjakatar. Një fat më të mirë nuk është se ka pasur dhe figura e Janosh Huniadit.
Tanimë, një “Skënderbe” hollivudian duket edhe më i largët, kur mundësia që në realizimin e tij të ishte regjisori me origjinë shqiptare Sten Dragoti, është zhbërë.
Referuar asaj çfarë thamë më sipër, mbetemi ende në shpresën e vakët se një produksion i madh Hollivudi, - që do të merrte në konsideratë luftën e heroit tonë kombëtar, - do të na marrë me të mirë ne shqiptarëve, për të lançuar në tregun ndërkombëtar vëmendjen e munguar, atë vëmendje që e ka kthyer në mit Vladin III të Transilvanisë.


Sunday, March 14, 2021

Dita e Verës, mes ahengut dhe frikës së Covidit

Në vend të një reportazhi. 

Në qytetin e Elbasanit, atje ku festa e Ditës së Verës merr kuptim

 Nga Leonard Veizi

 



Introduksioni

Zoti na ruajt, sepse po të jetë për njerëzit, aha..., Covidi i merr përpara si delet.
Pse do të thoni ju?
Pyetje me vend. Por dhe kjo e ka një përgjigje.
Javëve të fundit, Evropa ka shtrënguar masat anti-covid. Shqipëria, çka. Herë i liron, herë i shtrëngon. Ose duket sikur i shtrëngon. Por priremi nga praktika më liberale, pasi shtrëngimin e plotë e morëm si sot një vit më parë, kur dhe frymë duhet të merrnin me leje nga E-Albania dhe nën prezencën e forcave të armatosura që kishin dalë nëpër rrugët e Tiranës me makina të blinduara e diagaç ku ishin montuar mitraloza 12.7-aç.
Luftë ndaj armikut të padukshëm. Mobilizim i përgjithshëm.
Kuptohet, ashtu si dikur në histori, edhe tanimë vazhdojmë të jemi në kufi të perandorisë dhe xhanset vijnë me vonesë deri nga kjo anë. Edhe vaksinat gjithashtu. Asgjë nuk ka ndryshuar. Dhe ndërkohë që italianët po përpiqen t’i vënë kyçin Romës e Milanos për festën e Pashkëve, ne e liruam ca zinxhirin për festën e Ditës së Verës dhe e lamë të lirë Elbasanin. Domethënë, e kaluam me ca këshilla të përgjithshme:
-Kujdes, vendosni një maskë bezeje jo nga ato kirurgjikalet, lani duart me sapun Rrogozhine, mos u puthni e mos u përqafoni me njëri-tjetrin, përdorni sa më shumë alkool... për dezinfektim po për t’u bërë tapë, mos qëndroni më shumë se 10 veta në një tavolinë ku pihet birrë me fuçi e hahen pasha-qofte...
...urdhër i komandaturës... mos ecni me duar në xhepa...
Dhe dihet, kur zinxhiri lirohet të gjithë lëshohen.
Hajd mo, futi një mendje të lehtë. Një herë vdes njeriu.
 
Uvertura
Megjithëse buletini meterologjik kishte paralajmëruar për shi e bubullima, Dita e Verës bëri vërtet një Ditë Vere. Dhe meqë Dita e Verës pretendohet se është një festë pagane, por që qytetarinë e saj prej shumë e shumë kohësh e ka marrë Elbasani, edhe fillimi i verës  nuk mund të festohet më mirë se në këtë qytet në mes të Shqipërisë.
Jo më kot osmanët pushtues i vunë emrin Elbasan. Se deri asokohe, vendalinjtë e quanin me një emër tjetër trevën: Skampa, apo Skampius. Edhe mbetjet arkeologjike nga lashtësia aty, në mes të qytetit janë. Nuk është fort tregues kalaja mesjetare përderisa qytetërimi daton shumë më larg.
Por këto janë muhabete historianësh. Ne e kishim llafin te Dita e Verës.
Ç’është e vërteta, sipas shkencës, pranvera nis të paktën në 22 mars. Kjo pasi në hemisferën e veriut, baraznata e marsit, që ndodh më 20 apo 21 mars, është baraznata e pranverës dhe që quhet: ekuinoksi i pranverës.
Terma shkencorë.
Pikërisht në 21 data, dita dhe nata janë të barabarta, secila nga 12 orë.
U kuptuam më në fund.
Por 14 marsi nuk ka punë me shkencën pasi është një rit i ardhur nga qindra vite më parë. Ndoshta mijëra. Me hamendje e kemi.
Gjithsesi, në Elbasan Dita e Verës ka një ritual të veçantë. Madje as nata e ndërrimit të viteve, që jemi mësuar ta quajmë “Viti i Ri”, nuk e ka peshën e kësaj ngjarje. Dhe në historinë e Elbasanit nuk mbahej mend që kjo ditë të mos ishte festuar sipas të gjitha terbjeteve, përveç 14 marsit të vitit 2020, e cila nga një datë me rreth të kuq është kthyer me rreth të zi.
E ku ishte parë e dëgjuar që popullsia të mbahej brenda katër mureve të shtëpisë duke i trembur me gogolin Covid, me Policinë e Shtetit dhe me një ligj që ta fuste sa krahu, po t’i ngjisje virusin një tjetri. Por ligji të procedonte duke ua bërë të ditur që sakën se nxirrje këmbën nga pragu i shtëpisë do shkoje me duart e tua  të 7 dritaret. Pa shpurë shoqërimi.
Dhe kështu festa e Ditës së Verës u zhbë.
14 marsin e vjetshëm elbasanasit e kapërcyen me vështirësi. Por kjo nuk do të thotë që për shkak të Covidit e të pandemisë, karantina të bëhej rrugë. Këtë vit u turrën bulevardit qendror të qytetit dhe u shtruan këmbëkryq në lulishten e Parkut Rinia, pa e vrarë mendjen nëse virusi Covid ishte një rrezik eventual, apo në ditën e 14 marsit, për shkak të qejfit të madh, edhe ai do ta bënte një sy qorr e një vesh shurdh.
Mëngjesi i Ditës së Verës gdhiu si ditë vere. Elbasanasit ishin sajdisur enkas për këtë festë, dhe gjysma e atyre që po bënin xhiro poshtë e lart mureve të kalasë, kishin dalë me mëngë zhapone, si për ta bërë fakt të kryer që dimrin e kemi lënë pas tashmë, dhe ditët e ngrohta na presin.
Por kjo festa e 14 marsit e ka bishtin prapa, se andej nga fundi i muajit janë “plakat” që të kujtojnë edhe një herë ditët e shkurtit, të ftohta por dhe me borë ndonjëherë.
Këtë shkurt edhe Elbasani u mbulua nga dëbora.
Duhet më ba kujdes mer bab e me i hap sytë katër. Se atë që nuk ta bën Covidi ta bëjnë “plakat”.
 
Epilogu
Ç’është e vërteta, festë vërtetë, por dhe mileti ishte kujdesur fort për të qenë i pakujdesshëm. Mungesë e theksuar maskash. Nëpër bar-kafe kishte shtesa tavolinash, por nuk flitej për distancim social.
-Aman o se një kafe e një gotë rakie po pimë. Nuk bahet nami për kaq gja!
Të baftë mirë mer bab!
Ahengu po aheng. Kudo dëgjoheshin altoparlantë që të shurdhonin me muzikë herë popullore vendase, herë tallava, e herë pop e rrock nga Perëndimi. Por më së shumti dëgjoheshin daullet që binin papushim. E si gjithmonë mbretëresha e festës ballakumja, që shitej kudo.

Friday, March 12, 2021

Në fushën e përbashkët me Covidin zgjedhor


Nga Leonard Veizi

Kur bie fjala për të ardhmen e vendit, për rritjen e prodhimit të brendshëm, integrimin evropian, e ca më thellë se kaq, duhet t’i harrojmë vogëlsirat dhe meskinitetin që na mbyt çdo ditë, e të ngrihemi mbi mbeturinat mikroborgjeze.
-Ç'do të thotë mikroborgjez?
-Kjo do të thotë se ti në trurin tënd.... ke miqësi me borgjezët.
OK. Bëj autokritikë, edhe pse nuk po e marr vesh se ku është thembra e Akilit.
Te zgjedhjet vëlla, te zgjedhjet. Jemi apo s’jemi patriotë?!
Aaa..., mirë thua, më doli nga mendja. E çfarë duhet nga unë, që ta meritoj emrin e patriotit deri në detaj? Karta e identitetit demek, numri i shasisë???
Jo, thjeshtë ta dimë nga të ha tyta, majtas apo djathtas... Se po nuk e vajise pushkën, plumbi të shkon qorr. M'u tek xhamet e shtëpisë së teto Sotiricës. Se nuk ma merr mendja të jesh nga ata burra që t'i biesh drejt e në mes.
Përse shërben e gjitha kjo?
Sepse jemi futur në fushatën zgjedhore, e cila konkretizohet në kutinë e votimit. Pra, duhet vajtur në votime, sepse do bëhet qeveria e re që do drejtojë vendin drejt sukseseve akoma më të reja. Drejt prosperitetit. Do ngrihen rrogat dhe pensionet ndërsa mjekësia do të vazhdojë të jetë falas.
Rroftë qeveria!
Dhe për këtë shkak madhor e të papërmbajtshëm pushon së funksionuari edhe fushata epidemike. 
Ku Sotiri e ku Shekspiri. Ku qeveria ku epidemia.
Ose në rastin më të mirë do të bashkëjetojnë të dyja në të njëjtën fushë. Domethënë bashkekzistencë paqësore. Ore në kohë të vështira kanë fjetur macja me miu bashkë. Sa çudira mban kjo botë.
Vëllezër, Korona s’është asgjë para Zgjedhjeve.
Se... viktima do të ketë.
Luftë e para. Luftë e dyta. Varet si e ndjen luftën. O do biesh dëshmor me flamurin e partisë në dorë, o te shtrati i infektivit. Shkurt hesapi: O me ne, o me ata, rrugë të mesme s’ka! Ne po dihet, mësimet bolshevike i kemi nën sqetull. Se dhe orën e marksizmit e kishim si vulë noterie për të marrë të drejtën e studimit. Pra, le të ishe mirë me notat, i shkëlqyer në shkencat ekzakte, e i formuar në shkencat shoqërore, fillimisht duhet të ishe njeri politik.
U përmbysën sistemet, Muri i Berlinit u bë për muze, por sloganet mbeten... në mendjet e njerëzve sigurisht.
Partitë kanë lëshuar motorët e fushatës. 1500 kuaj fuqi. Jo, shumë më tepër. Me kaq tërhiqet vetëm një karrocë.
“Do fitojmë apo jo? Po, po, po...”
Nëpër kafene tifozllëku ka nisur tashmë. Të dhjefsha kampionatin botëror të futbollit. Ehu, sa është rritur koeficienti i basteve se kush do fitojë zgjedhjet. Edi apo Luli?
Po Mona???
E ç’na u bënë havale këta të LSI-së. Nuk lënë vend pa e fut hundën. Do marrin kovidin, jo për gjë.
Gjithsesi nuk duhet të qahemi. Njëfarë zhvillimi etik e kemi. Të paktën nuk ngjisim nëpër cepa pallatesh e mure rrethues gjithfarë posterash me surretërit e kandidatëve, si dikur traktet e luftës: I bëjmë thirrje gjithë popullit të ndershëm e patriot... të votojnë për... Frontin.
E mirë o mirë.
Vetëm ata më të thekurit fare, ata që vazhdojnë të jetojnë si në vitet ’97-98, dhe nuk e dinë ende se uji nga Bovilla ka zbritur në Tiranë, vazhdojnë të mbajnë siglat e partisë tek xhami i pasmë i makinës. Por ata janë të pandreqshëm. E kotë të harxhosh frymën në tentativë për t’u shpjeguar se gjërat kanë ndryshuar, dhe se armiku tanimë nuk është kundërshtari politik por Covidi.
-Kush është ky, kandidat i ri?
Po të keqen, vetëm se është andej nga fundi.
Listat janë afishuar tanimë. Ca u futën në lojë e ca dolën jashtë fushe. Qejfmbetjet për një vend më përpara janë shoshitur. Kandidatët janë aty një më një për t’u ndeshur.
Ja sheshi, ja mejdani...
-Profesor Zeno, thashë t’i përplasim brirët një herë... si ore unë të të kap te dyshi e t’i të më marrësh lojën. Këtu të kam.
Mirë juristët, biznesmenët dhe ekonomistët, po mjekët çfarë duan nëpër lista?
Eh sikur të mos ishte kjo habia e njerëzve. Meqenëse jemi në luftë me armikun Covid e kam fjalën. Kësaj i thonë që gjenerali të lërë armatën, me pushkë pa fishekë në vijën e zjarrit dhe vetë rehatohet në... mejhane.
-Demek e lënkërke kuzhinën edhe shkuake më ndonjë zyrë...?
-Çne? Kuzhina, kuzhinë e punët e tjera, punë të tjera. Pa duhet përgatitur dhe diskutimi... Punë me telashe shumë.
Si ka mundësi të ndodhi kjo, përderisa një mjek me punë shtetërore paradite e private pasdite, fiton ku e ku më tepër se një deputet? Ç'i duhet një politika një njeriu që ka bërë betimin e Hipokratit?! Pastaj mjekët na duhen. Ca na i mori gjermani, ca na i merr politika.
Pikëpyetje me shumë të panjohura.
Kështu që i bie të shkojmë tek klinika e doktorit popullor Zeqo Pilafit, që në rininë e tij kishte pasur profesionin fisnik të rojës.
Po a na shëron dot ky lloj mjeku me lule mëllage e patkonj kali?
-Ç’thua more, unë me këtë fener ndaloj trenin jo më heqjen e barkut.
Nejse, puna e tyre. Gjithsecili ka hobet e veta.
Fushata ka filluar tashmë. Propaganda do të vazhdojë edhe pse me maska në fytyrë. Nëse zëri nuk dëgjohet mirë, në ndihmë vjen një portovoç.
Propaganda, propaganda, propaganda. Tri herë propaganda.
Lum si ata që merren me fjalë.

Tuesday, March 9, 2021

Fatmir Haxhiu, piktori i përmasave të mëdha


Në 20 vjetorin e largimit të “Mjeshtrit të Madh të Punës"
 
Nga Leonard Veizi
 
“Beteja e Fushë Kosovës”, është puna e tij e pambaruar dhe padyshim pengu më i madh që merrte me vete tek ikte në botën e përtejshme. Boceti qëndronte në studion e punës, i vizatuar por mbi të ende nuk ishin hedhur ngjyrat. Ishte 10 marsi i vitit 2001 kur Fatmir Haxhiu pas një arresti kardiak, u larguar përfundimisht nga telajo e tij, nga studio dhe nga vetë gjiri i familjes duke lenë në mes gjithçka. Sepse askush, madje as ai vetë nuk e priste këtë sulm të pabesë që i shkatërroi një nga çastet më pasionante të tij mes lapsit e tablosë, ku shquheshin plot fytyra luftëtarësh të tendosur. Ishte plot energji dhe pasionin që vazhdonte t’i buronte në pashterësi e hidhte vazhdimisht mbi kanavacë...
 
...Në fillim pranverën e vitit 2002, si pjesë e një stafi televiziv, m’u desh të realizoja një portret për piktorin Fatmir Haxhiu, në prag të 1 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Familjaret më vunë në dispozicion të gjitha materialet që kishin të bënin me të dhe në këtë mënyrë unë u njoha në imtësi me punën kolosale të këtij piktori të talentuar. Dhe padyshim, ajo që më ka mbetur më shumë në kujtesë edhe tanimë pas shumë vitesh, nuk ishin vetëm punët e tij të mëdha e të ekspozuara, por pikërisht ajo, e cila kishte mbetur në mesin të studios, ende mbi këmbalec, e skicuar gati në të gjitha detajet por ende e papërfunduar, e që kur të merrte trajtën e plotë do të mbante titullin “Beteja e Fushë Kosovës”.
 


Piktori i historisë
Ai njihet si piktor i përmasave të mëdha me tema historike. I përket gjysmës së dytë të shekullit XX në artet pamore dhe zë një vend shumë të rëndësishëm për sa u përket temave që ai trajtoi, në pikturën monumentale, në  atë të kavaletit por dhe për gjinitë e peizazhit, natyrës së qetë e portretit. Pra është një nga ata piktorë që i trajtoi të gjitha gjinitë. Por ndoshta puna më e madhe e tij është “Bashkimi i Principatave Shqiptare”. Është një murale e cila ndodhet në pavijonin e mesjetës së Muzeut Historik Kombëtar. Afresku, - sipas piktorit në një intervistë televizive, - ishte i parë i realizuar pas shekullit të XIII, në vendin tonë dhe me përmasa kaq të mëdha për nga dimensioni dhe nga përmbajtja. Në mënyrë të pabesueshme, këtë punë madhështore, piktori i talentuar mundi ta realizoj brenda 40-ditëve, pasi e ka ndarë të gjithë hapësirën e vënë në dispozicion, në 40 kuadrate. Për më pas se kaq veprat më të vlerësuara të të këtij piktori mbeten: “Skroskë 1944”, “Luftëtari i Spanjës”, “Me shpatë në dorë”, “Tokë e zhuritur”, “Beteja e Albulenës”, “Vallja e fitores”, “Lufta e Tiranës”.
 
Jetëshkrimi
Edhe pse daton i lindur në Gjirokastër më 28 dhjetor 1927, Fatmir Haxhiu rridhte nga një familie qytetare përmetare. Por në vitin 1930 familja e tij u vendos me banim në Tiranë. Në kryeqytetin shqiptar ai kaloi gjithë jetën deri në ditët e fundit më 10 mars 2001. Kreu shkollën fillore tek "Shkolla e Kuqe", ndërsa do të ndiqte si shkollën e mesme Liceun e Tiranës. Gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë përkrahu lëvizjen çlirimtare dhe në shtator të vitit 1943 doli partizan. Luftoi deri në çlirimin e plotë të vendit. Në nëntor të vitit 1945 Fatmir Haxhiu nis studimet ushtarake në Beograd dhe më pas i vazhdoi në Zagreb në shkollën e artilerisë. Në jetëshkrimin e tij thuhet se ishte Zagrebi i Kroacisë Jugosllave i cili i dha oficerit të ri ndër të tjera edhe shijet e punës estetike, edukative për të bukurën e bashkëkohoren. Kryen studimet me sukses, dhe në vitin 1948 kthehet në atdhe duke mos e braktisur për asnjë çast pasionin për pikturën.

 
Krijimtaria
Njihet që herët me mjeshtrat Andrea Mano, Llazar Nikolla, Kel Kodheli, Sadik Kaceli. Këta artistë së bashku me piktorin Nexhmedin Zajmin, skulptorin Odise Paskali, piktorin Foto Stamo duke parë pasionin dhe talentin e Fatmir Haxhiut ndikuan në përgatitjen e tij teorike. Nga mesi i viteve 50, Fatmir Haxhiu u bë krijuesi i studios së parë ushtarake në Shqipëri. Në vitin 1959 për herë të parë merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlerësohet me çmimin e dytë. Për vite me radhë ai u aktivizua me vizatime e grafika në revistën “10 korriku”. Por dëshira për të vazhduar studimet e larta për pikturë e grishte vazhdimisht. Në vitin 1959, mes 70 kandidatëve, fiton konkursin në Institutin e Lartë të Arteve. Në vitin 1965 përfundon studimet ku si punë diplome paraqiti kompozimin me temë nga lufta çlirimtare "Kalimi i Divizionit të Parë në Veri".
 
Angazhimet artistike
Edhe pas diplomimit ai vazhdoi të punojë si kuadër ushtrie, në detyra me përgjegjësi ku mbajti dhe gradën e Nënkolonelit. Aktiviteti artistik i Fatmir Haxhiut është i ndërthurur edhe me atë pedagogjik, ku për vite me radhë ka investuar për diplomimin e brezave të rinj të piktorëve. Gjithashtu ai ka qënë një artist i angazhuar edhe në problemet e drejtimit në strukturat e shoqatat artistike. Ka qënë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nga viti 1966-69 dhe anëtar i Komitetit Drejtues të saj deri në vitin 1991. Ka qënë anëtar i komisionit të pikturës pranë Komisionit Shtetëror për Artet Figurative të Shqipërisë, kryetar i komisionit të pikturës pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe anëtar i këshillit artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve. Nga viti 1967 ka ushtruar krijimtarinë e tij duke qene në profesion të lirë. Në katër dekada pune të pa lodhur, ka realizuar një numër të madh veprash në gjininë e kavaletit dhe asaj monumentale. Sot punimet e tij gjenden kudo brenda dhe jashtë vendit.
 
Vlerësimet
Për aktivitetin e tij të suksesshëm, Fatmir Haxhiu është nderuar me titujt e lartë "Piktor i Merituar" dhe "Mjeshtër i Madh i Punës". Punimet e tij janë janë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut Historik Kombëtar, Muzeve Historik të Tropojës, Burrelit, Vlorës, Përmetit, etj. Ndërkohë që shumë tablo të tjera janë pjesë e koleksioneve private kudo në botë. Në konkurset kombëtare prej vitit 1966 deri në 1990 Fatmir Haxhiu ka fituar tre çmime të para, dy çmime të dyta dhe një çmim të tretë. Është laureat i Çmimit të Republikës së shkallës parë me veprën “Skroskë 1944” si dhe i Çmimit të Republikës së shkallës së tretë për veprën “Me shpatë në dorë”.


Friday, March 5, 2021

Krijimtaria e pavdekshme e Agim Krajkës


Nga 
Leonard Veizi
 
Spektatorët e platesë në Teatrin e Operas ku zhvilloheshin Festivalet e Muzikës së Lehtë dhe ata që e shihnin spektaklin nga ekranet 28 poliç të televizorëve “Iliria”, ishin të bindur se çmimin e parë do ta merrte kënga “Kafe Flora, burra plot”.
Nëpër rrugët e Tiranës, në bulevardin qendror dhe në bordurat ku rinia shtynte pasditet e zvarrëta, motivi i këngës ishte kthyer në modë menjëherë pasi ajo ishte prezantuar.
Por jo. Kënga aq e famshme e kompozitorit Agim Krajka dhe e interpretuar nga e talentuara Lindita Sota u vlerësuar me çmim të dytë duke zhgënjyer shumicën absolute të ndjekësve. Vetëm një ditë më pas, “Kafe Flora, burra plot” pasi çmimi iu tërhoq. Ndërsa kompozitori i saj nisi jetonte ankthin e perspektivës së tij. Çfarë do të ndodhte pas kësaj???
Ishte Festivali i 11 në Radio Televizion. Vitet e liberalizmit kishin marrë fund. Sëpata që do të binte ashpër mbi njerëzit e artit e kulturës ishte ngritur...
 
...Ai mund të cilësohej pa frikë si njeriu i çmimeve të dyta në Festivale. Dukej se askush nuk guxonte t’i jepte një çmim të parë edhe pse këngët e kompozuara prej tij ishin motivet më të kënduara nga rinia. I njollosur në biografi, Agim Krajka nuk do të ishte aq i preferuar për juritë. Ndërkohë që popullariteti i këngëve të tij ngrihej festival pas festivali.
Gjatë karrierës së tij fitoi plot 19 çmime. Është nderuar me 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe një çmim të parë në festivalin e vitit 1987. Bashkëpunoi me Vaçe Zelën, Lindita Theodhorin, Parashqevi Simakun... Por do të ishin motrat Libohova, Irma dhe Eranda që do t’i ngrinin në piedestal vlerën e munguar, për të marrë çmimin e parë me këngën “Nuk e harroj”.

Kompozitori
Krajka ka qenë dhe mbetet ndër kompozitorët më në zë të Shqipërisë. Ai kompozoi pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë.
Kompozimi i tij i parë ka qenë kënga “Lemza” dhe është kënduar nga këngëtarja e madhja Vaçe Zela. Dy këngët që do ta pasonin ishin kënga e “Gjyshes” dhe “Djaloshi dhe shiu”, gjithashtu shumë të suksesshme dhe të kënduara në vazhdimësi nga disa këngëtarë të tjerë.
 
Fillimet
Jetëshkrimi zyrtar i kompozitorit, është i atashuar në faqen zyrtare të Teatri Kombetar të Operas, Baletit. Në të thuhet se Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati.
Në vitin 1963 Krajka fillon studimet për teori e kompozicion dhe i përfundon ato në vitin 1968. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1960 filloi punë në Ansamblin e Ushtrisë ku punoi 2 vjet. Në vitet 1962-1964 kalon në Radio Tirana si fizarmoniçist dhe drejtues i kompleksit të vogël instrumental.
 
Veprimtaria
Viti 1964 e gjen pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë.
Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë.
Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961.
 
Jo vetëm këngë
Kur flitet për veprimtarinë profesionale të Agim Krajkës nuk mund të lesh pa përmendur se ai ka shkruar një cikël me përpunime këngësh popullore për kanto e piano, uverturë rinore, romancë për violinë e orkestër simfonike , suitë me valle popullore për orkestër simfonike etj.
Dhe më pas ka vazhduar me kompozimin e muzikës për filmat: “Çifti i lumtur”, Zonja nga qyteti”, “Zonja nga fsahti”, Njësiti Gueril” etj.
Ndërkohë gama e veprimtarisë së tij artistike shtrihet dhe me kompozimin e muzikë skenike të baletit me një akt “Duarartët vigjëlentë” ekzekutuar nga TKOB në vitin 1981.
Përveç këtyre punimeve të mësipërme ka lëvruar mjaft motive vallesh të cilat janë nderuar edhe me çmime të para si: vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame etj.
 
Emigracioni
Në vitet ‘90, si shumë të tjerë, Agim Krajka u largua nga Shqipëria. Pas një odiseje rreth 16-vjeçare në Amerikë, në vitin 2006 u kthye përfundimisht në Tiranë. Para disa kohësh në koncertin Gala “Të gjithë e duan Agim Krajkën”, presidenti Ilir Meta i akordoi artistit të madh dekoratën “Nderi i Kombit”, e cila u dorëzua në skenën e “ArTurbina” nga ish-Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Për aktivitetin dhe kontributin e tij artistik Krajka është vlerësuar me disa urdhra e medalje.
 
Epilogu
Kompozitori i njohur shqiptar Agim Krajka është shuar në moshën 83-vjeçare, të hënën e 1 marsit 2021. Fillimisht lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Ulis Krajka, i cili shkruajti në facebook: “Uroj që shpirti yt të pushojë në qiell babai ynë i dashur”.
Presidenti i Republikës është shprehur: “Personalitet i jashtëzakonshëm i muzikës shqiptare, me një kontribut të vyer për dekada në transmetimin e vlerave më të spikatura shpirtërore të kulturës sonë te brezat e rinj, trashëgimia e Tij e pasur artistike do të nderohet dhe do jetojë përjetë”.
Ndërsa Ministria e Kulturës i ka kushtuar një postim artistit të madh tek shkruante “Ngushëllimet më të ndjera familjarëve të kompozitorit Agim Krajka, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare. Me krijimtarinë e tij, ai do të mbetet i pavdekshëm”.

Thursday, March 4, 2021

Një “8 Mars” për burrat


Nga Leonard Veizi

Na gjeni një “8 mars” të gëzojmë dhe ne burrat, si gratë dikur, se po bëhen kohë që po na del djersa mbi kapotë e nuk po shohim një ditë të bardhë. Data kalendari ka plot.
A mos është kjo një ankesë e kotë?
Le ta shohim me qetësi. Pa vënë dorën në plagë...
Në fakt kjo është një thirrje që të del nga xhani, tek sheh burrat që kanë kërrusur kurrizin nga pesha e halleve dhe e kërkesës së llogarisë.
Iku koha e burrave. Për ata të vërtetët e kam fjalën. Që mbanin jataganë me dorezë fildishi e s'ta bënin të gjatë.
“Kësaj radhe fuqinë e kanë damat...”
Po kthehet epoka e matriarkatit.
Epo me të drejtë. Kishte më shumë se 5 mijë vjet që burrat bënin kokrrën e qejfit. Burrat në sofër, burrat në kuvend, burrat në luftë, burrat në harem... Ndërsa gratë shkonin te burri me “fishek në pajë”.
Pa prit një herë se ka radhë puna.
Sot kohët kanë ndryshuar. Jemi futur në vitet e arta të mijëvjeçarit të tretë të Erës Sonë. Gratë kanë dalë në sipërfaqe. Nuk e mbulojnë kokën me shami. Burrat janë futur në ujë.
Meshkujt e dikurshëm me mustaqe e gishtin te këmbëza e nagantit sot mbajnë mjekër të modeluar dhe çorape poshtë kaviljes.
Koha e patriarkatit po merr fund.
Prej vitesh as përgatitje ushtarake nuk bëhet më. Kallashnikovi është një armë me të cilën mëson të qëllosh në lule të ballit nga... playstation. Bela e madhe. E ç'na duhen burrat më kur nuk ka luftë? Ndaj me sa duket gjithmonë e më pak fjala e tyre ka forcë. Ose ndoshta kanë ndryshuar etalonet e peshës.
Femrat po marrin në dorë gjithçka. Frenat e jetës familjare, frenat e jetës shoqërore. Le po kanë marrë dhe frenat e jetës politike. "Shoqata e grave të bashkuara...",  "Gratë biznesmene...", "Forumi i gruas demo-sociale..."
Hajde fuqi, hajde.
Madje-madje femrat kanë marrë dhe frenat e ushtrisë. Vërtet nuk ka një grua me gradën “Gjeneral Brigade” por vetë gjenerali i brigadës drejtohet prej gruas së tij: "O koqe, hidhi forcat në sulm, s'e sheh se armiku po të merr krahët?!"
"Si urdhëron".
"O Zot, sa i paaftë..."
Tanimë dhe kabineti i kryeministrit mashkull është i përfshirë nga gratë. Serioze, të bukura, të veshura plot shije si “djalli me Prada”. Firma e tyre rëndon vërtet, për punët e shtetit e për tenderat. Nuk vlen vetëm për borderonë e rrogës.
Jo ta marrsha.
Iku koha kur firmosnin për 5 mijë lekë të qelbura tek uzina “Enver”. Le po quhej dhe “epoka e emancipimit”. A mund të ketë vlerë që femrat të “kapardisen” me opinga nëpër ara e brezare, pranë tornove, frezave e makinerive të tjera metalprerëse. Apo me çizme llastiku në ndërtimin e pallateve me tulla silikate e llaç.
-Ej llaç, llaç... Shoku Rropi, po pengoni punën...
Jemi në vigjilje të 8 marsit. Festës së gruas. Duket sikur në një ditë të vetme ato do të bëjnë namin. Sepse në 8 mars kanë gjithë të drejtën e Zotit të argëtohen.
Po burrat?
Të shkretët. Me rrjeta e torba mbushur me shpenzimet e radhës ndjekin nga pas gratë. Ato futen krenare në markatë dhe zgjedhin ushqimet e konservuara në kavanoza qelqi dhe kanoçe metali. Burrat kërkojnë të shkojnë andej nga sektori i pijeve alkoolike. Po kush të le...: "Këtu te turshitë. Mbaje dhe këtë bidonin me ujë se na mbaroi".
Thonë se për të mbajtur ujë në dasëm marrin një gomar.
E ja kështu vajti kjo punë.
- Mos u qaj, - i them bashkëshortes si për ta ngushëlluar. - Sot gratë janë forcë e madhe. Ku nuk i sheh: Nëpër show televizive... në podiume konferencash për ngrohjen globale... në...?
Bashkëshortja ime është fort e mirëkuptueshme. Më buzëqesh lehtë dhe ma bën me kokë duke drejtuar vështrimin tim.
-Edhe në...
Pranë nesh kalon një Range Rover, model i fundit. "Velar" më duket. Pazari nis me 80 mijë euro. Imagjino të jetë full option. Ajo brenda duket si mbretëreshë: Si Teuta apo Agjiroja. Vetullat tatuazh, buzët silikon, bashkë me takat 180 e gjatë. Nam i zi.
Më pas desh më vë rrotën një tjetër shofere, me Mercedez Benz GLS Class, këtë herë... Edhe me celular në vesh. Shyqyr që e mbajte këmbën, motër. Se do përfundoja te "trauma" në Laprakë. Me gjithë këtë autobuz që ke ti... Sa e ka çmimin kjo mor aman? Duhet parë në google. Aty zgjidhen të gjitha punët sot. Pastaj kalon një tjetër me Audi Q7... rresht, rresht, rresht... gra me makina prodhume të 2021. E të guxojë e të flasë kush për emancipim. Duket sikur nëpër rrugë ka vetëm femra me makina luksi. Ku janë burrat? Apo kanë përfunduar me “Panda” e “Smart”. Pika që s'u bie.
-Janë të zonjat. E paskan marrë patentën... - ia kthej unë i hutuar nga parada marramendëse.
A e dinë ato se çfarë është 8 marsi? Sa luftë, përleshje e viktima janë dashur që të simbolizohet kjo ditë? Me siguri e dinë. Jam i bindur që e dinë. Kur të mos kem njeri, e dinë. Por dhe po s'e ditën, e çë... Tek e fundit dinë që është një festë grash, ku mund të harbosh, të hidhesh e përdridhesh në lokal me dixhej deri sa djersët të të bien sikur ke dalë nga vaska me hidromasazh. Kohë pandemie vërtet, por i gjendet ana, se deri në 10 gra bashkë e lejon dhe kodi. Ja u zgjidh...
O zot çfarë qejfi!
Po ne burrat???
Thuhej se dikur nuk kishte festë për burrat ngaqë ata 364 ditët e mbetura të vitit, pas 8 marsit ishin në dispozicion të tyre. Festë e gallatë përditë. Ha e pi e mendjen mos e vri.
Por e thamë një herë. Kohët kanë ndryshuar. Ndaj ka ardhur dekika që edhe burrat të kenë “8 marsin” e tyre. “U meruam vëllezër, po bëjmë jetë qeni”. Se ua do dhe atyre xhani të pijnë e të bëhen xurxull me njëri-tjetrin e të shajnë në tym me libër shtëpie. Dhe ta harrojnë për një ditë të vetme kërkesën e llogarisë nga gruaja, m’u te pragu i avllisë: “Prapë ke pirë sot... ta piftë dreqi në bark”.
Na duhet një “8 mars” tjetër, burra. Këtë herë për burrat...

Tuesday, March 2, 2021

In memoriam / Pasuria e pakonvertueshme e Kujtim Gjonajt

Kujtim Gjonaj dhe Leonard Veizi

Nga Leonard Veizi
 
Ashtu si dhe të tjerët, artistë me punë shumë e “Mjeshtra të Mëdhenj” në tituj, edhe Kujtim Gjonaj u largua nga bota e të gjallëve, paqësisht. Nuk kishte ndër mend të dorëzohej, sepse ishte një luftëtar i epërm e plot kurajë. Por duket se dhe humbja ka vlerën e saj. Në jetën njerëzore po e po. Dhe është një vlerë që hera-herës ngrihet në madhështi.
Kujtimi iu fal vdekjes. Duhet të ishte ndjerë i lodhur së fundmi, disi i drobitur, por gjithsesi krejt i plotësuar. Dhe e ka lënë veten të lirë, të shkojë përtej e ta shohë botën e këtejshme nga një tjetër dimension. Aty ku na kanë mësuar ta quajmë Parajsë.
Betejat e mëdha i kish fituar me kohë. Pesë ditë më shumë në jetë, do të kishin vlerë të paçmuar për familjaret e tij, për gruan, vajzën, djemtë, e nipërit. Por për shumëkënd, koha në dispozicion e marrjes frymë, e thithjes së oksigjenit dhe çlirimit të dyoksidit karbonik është veç një konvencion a një nocion abstrakt. Sepse për anonimët, që nuk ishin të lidhur drejtpërsëdrejti me të, Kujtim Gjonaj është një emër i cili kishte vetinë e paçmuar që fjalët t’i kthente në pamje vizive, dhe kjo ishte më se e mjaftueshme.
Kujtim Gjonaj iku nga bota e të gjallëve. Kinemaja shqiptare humbi një prej korifenjve të saj. Dhe televizioni gjithashtu. Sepse ai nuk e përfundoi krejtësisht të gjithë angazhimin e tij ndaj tyre. Si kineast, skenarist e regjisor bashkë. Kishte bërë një mal me punë, kishte regjistruar në qindra e mijëra metra celuloid e shirita manjetik, por në “pension” nuk kishte ndër mend të dilte. Ndaj, projektet vazhdonin të qëndronin mbi syprinën e tavolinës së punës duke pritur t’u binte me laps.
Sot, në database-n e të dhënave të tij, rëndojnë me ton peshë titujt e filmave dokumentarë, të medaljeve, dekoratave të nderit e gjithfarë certifikatash të tjera mirënjohje. Sepse ai ka hedhur mbi një film bardh e zi, botën plot nuanca të Shqipërisë. Atë historiken, e modernen bashkë, mbështetur mbi jetën e burrave që bënë epokë. Ndaj pa frikë mund të quhet si babai i dokumentarit shqiptar. Jo sepse ishte i pari që e nisi këtë punë, por sepse punoi me të si askush tjetër. 150 tituj filmash mbante mbi shpinë. Dhe shumë të tjerë që ishin shtrirë nëpër skicë-projekte por që nuk mundën dot të merrnin formë.
Në këtë mënyrë ai vetë bëri epokën e tij.
Kjo ishte dhe pasuria më e madhe që ai na la. Një pasuri e pakonvertueshme.
Kujtim Gjonaj e solli historinë e Shqipërisë shumë pranë nesh. E thjeshtësoi, e bëri të kapshme, dhe na e dha gati. Duhet veç ta shijonim. Kjo histori erdhi përmes një realiteti të ri, pasi ai i dha figurën e munguar “Lidhjes shqiptare”, “Kryengritjeve të mëdha” për të vazhduar me Ali Pashën, Vëllezërit Topulli, Jeronim De Radën, Josif Bagerin, Hasan Tahsinin. E për të vazhduar më pas me emrat e epokës sonë: Nënë Terezën, Ramush Haradinajn, Panajot Panon, Abedin Dinon, Margarita Xhepën, etj,.
Kujtim Gjonaj bëri një jetë të larmishme e plot nerv, duke i rënë kryq e tërthor trojeve shqiptare, sepse vetëm kështu mundi të hulumtonte në vazhdimësi për të marrë lëndën e parë të heronjve të tij.
Një vit më parë, ende pa nisur furtuna e asfiksisë pandemike, botova në gazetën “Fjala” intervistën e fundit me Kujtim Gjonajn. Dhe tek e lexoja në ditën e ikjes së tij nuk mund t’i shtoja asgjë më shumë se sa kisha thënë më parë. Dhe ja çfarë shkruaja asokohe në hyrje të kësaj interviste: 
 
Kujtim Gjonaj dhe Leonard Veizi

...Ai është i ngopur deri në tej me titujt, dekorata plot shkëlqim ku janë stampuar gjithfarë figura emblematike, dhe kartonë bojë floriri ku kanë shkruar motivacione deri në superlativë. Dhe me siguri, nëse do t’i varte në qafë, do të shëmbëllente me Çezarin që kthehej nga ekspeditat ndëshkimore të Egjiptit, a me një Gjeneral Armate nga Lufta e Dytë Botërore, që pati marshuar me tank mbi Berlin. Ndaj shtesa në organikë e një “teneqeje” më shumë nuk është se i krijon pritshmëri a ndonjë efekt entuziazmi sipëror. Dhe nga përfitimi i ndonjë titulli tjetër të pamarrë, që do ketë mbetur në ndonjë cep sirtari administrativ, ka hequr dorë prej kohësh. Por, as me egon e pangopshme për ca para më shumë, nuk ka të bëjë më puna e tij. Gjithçka është e lidhur thjesht me pasionin që e ka pasur në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë gjithë karrierës artistike, dhe që nuk i zbehet as nga koha dhe as nga hapësira e pamat. Imagjinata e tij vazhdon të kuadratojë imazhe të çuditshme njerëzish a ngjarjesh, të cilat kërkon me se s’bën t’i lërë si trashëgimi në celuloid apo negativin e një filmi. Dhe për këtë nuk i duhen noterë e as mbështetje në akte nënligjore, madje as kamera “Arriflex” demode, por vetëm një aparat dixhital e mikser shumëplanësh në montazh. Pas kësaj, puna vazhdon… Në krye të herës ai është dokumentaristi më i mirë në Shqipëri, me punë të krijuar organikisht si para ashtu dhe pas viteve ‘90. Madje njihet si regjisori që ka shkruar historinë, pasi pjesa më e madhe e dokumentarëve flasin për figurat më me peshë të popullit shqiptar. Në background-in e tij artistik numëron rreth 150 dokumentarë. Pesë më shumë apo pesë më pak, kjo nuk ka më kurrfarë rëndësie, dhe as e lëviz një gramë kandarin e tij të peshës. Thotë se në punën voluminoze që ka bërë jo detyrimisht çdo dokumentar merr rëndësi, për më tepër kur flitej se në Kinostudion e atëhershme kishte një plan që duhej realizuar medoemos. Por dhe po të heqim firon e menduar, sërish mes titujve të tij gjenden aq shumë materiale të vlefshme, se vetë ai do të mbeste në histori”.
 
Sot Kujtim Gjonaj nuk është më mes të gjallëve. Ka ikur larg...
...Puna e tij ka mbetur këtu.