Sunday, March 16, 2025

Mbrojtja e Evropës, dilema mbi lidershipin ushtarak: Franca apo Gjermania


Nga 
Leonard Veizi
 
Në Evropë ka një lloj alarmi. Raportet e reja që po vendosen në skenën gjeopolitike ndërkombëtare kanë nxjerrë zbuluar shumë anë të dobta të Evropës fragmentare që është lidhur si një e tëra më një fjongo të brishtë politike...
 
...Në botën e sotme ku stabiliteti politik dhe ekonomik duket gjithnjë e më i brishtë, pyetja nëse Evropa kërcënohet nga lufta është më e rëndësishme se kurrë. Historia e kontinentit është e mbushur me konflikte dhe luftëra që kanë formësuar kufijtë dhe kanë përcaktuar fatin e miliona njerëzve. Megjithatë, pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa ka përjetuar një periudhë të gjatë paqeje dhe bashkëpunimi, veçanërisht falë krijimit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Mbështetja është gjetur tek Shtetet e Bashkuara.
Por, çfarë ndodh nëse çadra mbrojtëse amerikane largohet? A është Evropa e gatshme të mbrojë veten pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara?
 
Rreziqet
Marrëdhëniet ndërkombëtare luajnë një rol kyç në sigurinë evropiane. Tensionet me Rusinë, përfshirë aneksimin e Krimesë dhe konfliktin në Ukrainë, kanë rritur shqetësimet për një ringjallje të skenarëve të Luftës së Ftohtë. Për më tepër, rivalitetet globale, si tensionet SHBA-Kinë, ndikojnë në mënyrë indirekte mbi Evropën, duke e bërë atë një fushë beteje gjeopolitike ku përplasen interesa të fuqive të mëdha. Nëse SHBA do të reduktonte ose tërhiqte mbështetjen e saj ushtarake ndaj Evropës – qoftë përmes dobësimit të angazhimit të saj në NATO apo përmes një izolacionizmi të ri – vendet evropiane do të përballeshin me sfida të mëdha në fushën e mbrojtjes. Shumë vende të BE-së e kanë mbështetur sigurinë e tyre në praninë ushtarake amerikane dhe në strategjinë e parandalimit të NATO-s. Në mungesë të kësaj mbështetjeje, Evropa do të përballej me një dilemë të madhe: të ndërtojë një mbrojtje të pavarur dhe të fortë, ose të bëhet më e ekspozuar ndaj kërcënimeve të jashtme.
 
Sfidat
Përveç kërcënimeve të jashtme, Evropa përballet edhe me sfida të brendshme që mund të minojnë aftësinë e saj për t'u mbrojtur në mënyrë efektive. Rritja e nacionalizmit dhe populizmit ka krijuar ndasi brenda BE-së dhe ka dobësuar besimin në institucionet evropiane. Në një kohë kur uniteti është i domosdoshëm për ndërtimin e një mbrojtjeje të fortë, përçarjet politike e bëjnë më të vështirë koordinimin e një strategjie të përbashkët. Një pengesë tjetër është buxheti i mbrojtjes. Për dekada, shumica e vendeve evropiane kanë investuar më pak në ushtritë e tyre, duke u mbështetur tek ombrella mbrojtëse amerikane. Nëse SHBA tërhiqet, BE-ja do të duhet të rrisë ndjeshëm shpenzimet e saj ushtarake dhe të krijojë një strukturë mbrojtjeje më të fortë, ndoshta përmes një ushtrie të përbashkët evropiane – një ide që është diskutuar, e hedhur për diskutim. Një kërcënim modern për Evropën nuk është vetëm lufta konvencionale, por lufta hibride – një kombinim i sulmeve kibernetike, propagandës dhe ndikimit ekonomik për të destabilizuar vendet pa përdorur forcë ushtarake tradicionale. Rusia dhe aktorë të tjerë janë akuzuar për përdorimin e këtyre metodave për të ndërhyrë në proceset demokratike dhe për të përhapur dezinformim.
Nëse Evropa mbetet pa mbështetjen amerikane, ajo duhet të përmirësojë mbrojtjen kibernetike, sigurinë energjetike dhe mekanizmat e saj për të luftuar dezinformimin, përndryshe mund të bëhet më e prekshme ndaj ndërhyrjeve të huaja. NATO ka qenë për dekada garancia kryesore e sigurisë evropiane. Megjithatë, nëse SHBA e redukton praninë e saj, atëherë vendet evropiane do të duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre. Një nga opsionet më të diskutuara është krijimi i një ushtrie të përbashkët evropiane, që do t’i jepte BE-së një kapacitet real për të mbrojtur veten. Por ky skenar kërkon një bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve anëtare, një rritje të ndjeshme të buxheteve ushtarake dhe një unifikim të politikave të mbrojtjes – sfida që për momentin duken të vështira për t'u realizuar.
 
Lideri
Kush do të jetë lideri ushtarak i Evropës?
Nëse Evropa duhet të ketë një lider ushtarak të qartë, dy kandidatë natyralë janë Franca dhe Gjermania, por secili prej tyre ka avantazhe dhe kufizime specifike. Gjithsesi përgjigja më realiste është një bosht Francë-Gjermani. Franca do të ofrojë lidershipin strategjik dhe fuqinë bërthamore. Gjermania do të ofrojë financimin dhe modernizimin e kapaciteteve ushtarake evropiane. Megjithatë, për një mbrojtje efektive të Evropës, bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve duhet të jetë më i fortë dhe të përfshijë edhe vende të tjera si Italia, Spanja dhe Polonia.
 
Franca
Franca ka ushtrinë më të fuqishme në BE, me një forcë të madhe të gatshme për luftim, industri të zhvilluar ushtarake dhe një arsenal bërthamor. Është i vetmi vend i BE-së me armë bërthamore pas Brexit. Franca historikisht ka ndjekur një politikë të pavarur mbrojtjeje, shpesh duke u distancuar nga varësia e plotë nga SHBA. Dalja e saj nga komanda e përbashkët e NATO-s në vitin 1966 (deri në 2009) tregon këtë qasje të veçantë. Franca ka treguar gatishmëri për të ndërhyrë ushtarakisht në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme, duke dëshmuar se është një fuqi ushtarake me përvojë. Por Franca, megjithëse është një fuqi ushtarake, nuk ka kapacitet të plotë për të mbrojtur të gjithë Evropën e vetme. Gjithashtu, ka tensione brenda BE-së mbi idenë e një lidershipi të saj të qartë ushtarak.
 
Gjermania
Gjermania ka ekonominë më të fuqishme në Evropë dhe një industri të avancuar teknologjike, që mund të përkthehet në investime të mëdha në mbrojtje dhe zhvillimin e një force të avancuar ushtarake. Pas dekadash kufizimesh për shkak të konventave pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania po rrit ndjeshëm buxhetin e saj të mbrojtjes, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë. Kancelari Scholz ka shpallur një epokë të re ("Zeitenwende") për ushtrinë gjermane, duke investuar mbi 100 miliardë euro në modernizimin e Bundeswehrit. Për shkak të së kaluarës së saj në Luftën e Dytë Botërore, shumë vende evropiane e shohin me skepticizëm një Gjermani me fuqi ushtarake dominuese. Kjo e bën të vështirë që Berlini të marrë një rol udhëheqës ushtarak pa dyshime apo rezistencë politike.
 
Epilogu
Evropa ndodhet në një pikë kthese. Në kushtet aktuale, Evropa nuk është ende e përgatitur. Kjo nuk do të thotë se është e pamundur, por kërkon një ndryshim strategjik dhe politik në mënyrën se si BE-ja dhe vendet evropiane e konceptojnë sigurinë e tyre. Evropa nuk është e imunizuar ndaj rreziqeve të konfliktit dhe paqëndrueshmërisë. Ndërsa shumë nga sfidat me të cilat përballet janë të reja, disa janë eho të së kaluarës. Nëse historia na ka mësuar diçka, është se paqja nuk është e garantuar. Për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt, Evropa duhet të investojë më shumë në mbrojtje, të forcojë unitetin e saj politik dhe të përshtatet ndaj realitetit të ri gjeopolitik. Nëse SHBA zgjedh të tërhiqet, Europa nuk ka zgjidhje tjetër veçse të marrë fatin e saj në duart e veta. Pyetja që mbetet është: A është gati për këtë sfidë?

“Nëse një ditë do të trokasësh në portën time”... sërish do ta hap

 

Nga Leonard Veizi
 
Klaudia shiti pikturat e çmuara të familjes dhe sendet e tjera me vlerë të nënës së saj vetëm që të siguronte dozat e nevojshme të heroinës, gjë që e kishte bërë të varur. Por ajo kishte dhe shokë të cilët prisnin nga përpjekjet e saj për të siguruar të hollat e nevojshme. Dhe kështu problemi u rëndua më tej. Ndaj u gjet një rrugë tjetër. Klaudia, vetëm 19 vjeç, shiti dhe veten. La në mes studimet, u largua nga apartamenti ku banonte bashkë me nënën, dhe u mor me gjithfarë punësh të pista. Bëri tentativë të intoksikohej në një qendër rehabilitimi por nuk ia doli. Dhe në fund arrestohet nga policia për trafikim të lëndëve narkotike. E dërmuar dhe e traumatizuar nga jeta e shthurur dhe e pa kuptimtë, së fundi ajo pati guximin të trokiste sërish në derën e nënës së saj, i vetmi vend ku mund të gjente sërish vetveten. Dhe ajo, Livia, megjithëse ishte betuar që nuk do t’ia hapte atë derë, sërish e hapi. Sepse në fund të fundit ajo ishte bija e saj...
 
...Mesazhi i filmit mbetet i përjetshëm dhe i aplikueshëm në çdo kohë dhe në çdo sistem politik, qoftë ai liberal apo despotik. Televizioni Tirana transmetoi këtë film artistik italian jo vetëm si një mësim edukativ për rininë shqiptare, por edhe si një formë kërcënimi të heshtur. Mesazhi nëntekstual ishte i qartë: në Perëndim, të rinjtë përfundojnë ose të droguar ose të përfshirë në prostitucion. Në kontrast me këtë realitet të ashtuquajtur të degjeneruar, shoqëria shqiptare, e udhëhequr nga fryma proletare, nuk vuan nga plagë të tilla...
 
Përmbledhje
"Nëse një ditë do të trokasësh në portën time" është një serial televiziv italian i vitit 1986, me titullin origjinal "Se un giorno busserai alla mia porta". Ky miniserial me katër episode u realizua nën regjinë e Luixhi Perelit, me skenar të Nikola Badaluko-s, dhe përfshin aktorë të njohur si Virna Lisi, Matilda Mei dhe Zhan-Pier Kasel.
 
Ngjarja
Historia qendrore e serialit përqendrohet te Livia Bandini, një aktore e suksesshme, e portretizuar nga e madhja Virna Lisi. Livia, për shkak të angazhimeve të saj profesionale, e ka neglizhuar vajzën e saj adoleshente, Klaudia, e luajtur nga aktorja franceze Matilda Mei. Kur mëson se Klaudia është bërë e varur nga droga, Livia vendos të braktisë karrierën e saj për t’u përkushtuar tërësisht rehabilitimit të vajzës.
Ky serial trajton me realizëm të dhimbshëm dhe ndjeshmëri të thellë pasojat shkatërruese të varësisë nga droga mbi marrëdhëniet familjare dhe përpjekjet e një nëne për të shpëtuar fëmijën e saj nga vetëshkatërrimi.
 
Mesazhi
Virna Lisi sjell një performancë të fuqishme dhe emocionale në rolin e Livias, duke portretizuar me mjeshtëri dhimbjen, dëshpërimin dhe vendosmërinë e një nëne që lufton për jetën e vajzës së saj. Nga ana tjetër, Matilda Mei sjell një portretizim autentik të një të reje të përfshirë në botën e errët të varësisë, duke nxjerrë në pah luftën e brendshme mes dëshirës për shpëtim dhe fuqisë shkatërruese të drogës.
Seriali prek tema të ndjeshme si varësia nga substancat narkotike, raportet e tendosura familjare, pasojat psikologjike të neglizhencës prindërore dhe përpjekjen për të rikuperuar një jetë të humbur. Nëpërmjet një qasjeje të ndershme dhe të drejtpërdrejtë, ai na detyron të reflektojmë mbi rolin e familjes, përgjegjësitë e prindërve dhe betejën e individit kundër demonëve të tij të brendshëm.
 
Jehona
Për kohën kur u shfaq, "Nëse një ditë do të trokasësh në portën time" u konsiderua një prodhim artistik me një mesazh të fuqishëm shoqëror. Ai shërbeu jo vetëm si një histori prekëse, por edhe si një paralajmërim mbi rreziqet e varësisë nga droga, sidomos për të rinjtë.
Në një epokë ku shoqëritë përballeshin me sfida të reja sociale, ky serial përçonte idenë se përkushtimi dhe dashuria e një nëne mund të jenë forca më e madhe për të luftuar të keqen, por gjithashtu theksonte faktin se sistemi, qoftë ai politik apo social, shpesh i lë individët në mëshirë të fatit.
 
Realizimi
Miniseriali u transmetua për herë të parë në Rai 1 nga 30 nëntori deri më 7 dhjetor 1986.
Me një realizim artistik të nivelit të lartë dhe me një histori që mbetet aktuale edhe sot, ky serial vazhdon të mbajë vlerën e tij si një nga rrëfimet më prekëse mbi sfidat e jetës moderne.
Regjia e Luixhi Perelit dhe skenari i Nikola Badaluko kontribuojnë në krijimin e një narrative tërheqëse që eksploron në thellësi problemet që lidhen me varësinë nga droga dhe marrëdhëniet familjare.
 
Vlerësimi
"Nëse një ditë troket në derën time" mbetet një vepër domethënëse në televizionin italian e vlerësuar për përshkrimin e tij realist dhe prekës të çështjeve të rëndësishme sociale.
Seriali u bë shumë i dashur për publikun shqiptar gjatë viteve '80, kur transmetohej në televizionin shtetëror. Shikuesit shqiptarë u lidhën emocionalisht me historinë dhe personazhet, duke reflektuar mbi temat universale të dashurisë prindërore, sakrificës dhe shpresës.
"Nëse një ditë do të trokasësh në portën time" mbetet një vepër e rëndësishme në kinematografinë italiane dhe një kujtesë e fuqisë së dashurisë dhe përkushtimit familjar për të përballuar sfidat më të vështira të jetës.
 

Wednesday, March 12, 2025

Zoran Gjinxhiç, vrasja e kryeministrit serb pas qëndrimit të tij për Kosovën

12 Mars 2003 
 

Nga 
Leonard Veizi
 
“Banda e Zemunit”, një bandë e drejtuar nga krimineli famëkeq Dushan Spasojeviç, vuri në grykën e armës kryeministrin serb, i pari i zgjedhur në mënyrë demokratike pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe “Banda” apo “Klani” siç quhej ndryshe, kishte zgjedhur një snajperist të mirë, ndoshta më të mirin e mundshëm. një anëtar të forcave speciale. Ishte 12 marsi i vitit 2003. Ora 12:25 i mesditës. Kryeministri serb doli nga makina dhe u nis drejt shkallëve të selisë së Qeverisë. Axhenda e tij përcaktonte një takim me Ministren e Jashtme të Suedisë Ana Lind dhe kolegun e saj Xhan Karlson. Qitësi shënjestroi nga dritarja e një ndërtese përballë. Ishte 180 metra larg dhe mbante një pushkë 7.62 mm “Heckler & Koch G3”, prodhim gjerman. Një oficer i Agjencinë e Informacionit të Sigurisë, BIA, agjencinë kombëtare të inteligjencës së Serbisë, që quhej Branislav Bezarevic, ishte personi që për 50 mijë euro dha informacionet mbi lëvizjet e kryeministrit. Snajperisti qëlloi dy herë. Nuk gaboi. Një nga plumbat depërtoi në zemrën e Kryeministrit dhe e vrau thuajse në çast. Deklarata zyrtare e qeverisë, bëri me dije se Gjinxhiç nuk ishte i vetëdijshëm dhe nuk kishte pasur puls kur mbërriti në repartin e urgjencës. Truproja e tij, Milan Veruoviç, mbeti gjithashtu i plagosur rëndë nga i njëjti plumb. Çuditërisht suedezja Ana Lind u vra vetëm disa muaj më vonë por nga një vrasës serb...
 
... Kjo vrasje tronditi Serbinë dhe gjithë rajonin e Ballkanit, pasi Gjinxhiçi ishte një nga figurat kryesore reformiste që po përpiqej ta nxirrte Serbinë nga trashëgimia e errët e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Vrasja ishte një operacion i përbashkët nga JSO dhe Klani Zemun – operativë të sigurimit të shtetit dhe gangsterë të dhunshëm që punonin së bashku. Njëzet vjet më vonë, një ekzaminim i dokumenteve gjyqësore u vu re se si i gjithë sistemi policor, sigurimi i shtetit dhe prokuroria serbe ishte korruptuar.
Ka pasur gjithfarë shkaqesh derisa u kërkua eleminimi fizik i Zoran Gjinxhiçit nga një klan ekstremist, por padyshim aty renditej si e papranueshme edhe mënyra se si ai kërkoi ta trajtonte çështjen e Kosovës.
 
Zoran Gjinxhiç
U lind më 1 gusht 1952 në Bosnjë dhe Hercegovinë, por karrierën e tij politike e zhvilloi në Serbi. E megjithatë njihej më së shumti si një “jugosllavist”. Ai ishte një intelektual, filozof dhe politikan që promovonte demokracinë dhe reformat ekonomike. Në vitin 1996, ai u bë kryetar i bashkisë së Beogradit dhe më vonë, në vitin 2001, u bë kryeministër i Serbisë, pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit. Gjatë qeverisjes së tij, ai u përqendrua në modernizimin e ekonomisë, afrimin me Perëndimin dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ai kishte një rol të rëndësishëm në dorëzimin e Millosheviçit në Tribunalin e Hagës në vitin 2001, një veprim që e bëri atë një figurë të urryer për nacionalistët serbë dhe rrjetet kriminale që ishin të lidhura me regjimin e mëparshëm.
 
Ekzekutimi
Më 12 mars 2003, Gjinxhiçi po hynte në selinë e qeverisë serbe kur u qëllua nga një snajper me një plumb që e goditi në kraharor dhe një tjetër që i preku zemrën. Plumbat u qëlluan nga një ndërtesë në afërsi të vendit të ngjarjes. Ai ndërroi jetë menjëherë.
Hetimet treguan se vrasja ishte organizuar nga një grup kriminal i njohur si "Banda e Zemunit", një organizatë mafioze që kishte lidhje të ngushta me njësi paraushtarake serbe.
Dy personat kryesorë të përfshirë në atentat ishin:
Milorad "Legija" Ulemek, një ish-komandant i forcave speciale serbe dhe ish-agjent i sigurimit shtetëror.
Zvezdan Jovanović, një anëtar i forcave speciale, që sipas hetimeve, ishte snajperisti që e qëlloi Gjinxhiçin.
Këta individë ishin pjesë e strukturave kriminale të krijuara gjatë luftërave të viteve 1990 dhe ishin të lidhur me ish-regjimin e Millosheviçit. Vrasja ishte një hakmarrje për politikat e Gjinxhiçit kundër krimit të organizuar dhe afrimin e Serbisë me Perëndimin.
Menjëherë pas atentatit, qeveria serbe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjati për disa javë. Mbi 4000 persona u arrestuan, përfshirë anëtarë të "Bandës së Zemunit" dhe ish-anëtarë të shërbimeve sekrete serbe. Në vitin 2007, Milorad Ulemek dhe Zvezdan Jovanović u dënuan me 40 vjet burg secili për organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.
 
Gjinxhiç dhe Kosova
Zoran Gjinxhiç ishte një figurë komplekse në politikën serbe dhe qëndrimet e tij ndaj Kosovës ndryshuan gjatë viteve. Ai ishte pragmatist dhe shpesh përpiqej të balanconte realitetin politik me nacionalizmin serb. Në vitet 1990, kur ishte një nga liderët e opozitës kundër Sllobodan Millosheviçit, Gjinxhiç fillimisht kishte një qëndrim nacionalist dhe kundër ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë. Ai e kundërshtoi bombardimin e NATO-s në vitin 1999 dhe e shihte humbjen e kontrollit të Serbisë mbi Kosovën si një disfatë të rëndë për shtetin serb.
Pasi u bë kryeministër në vitin 2001, Gjinxhiç filloi të kuptonte se realiteti politik ishte ndryshe dhe se Serbia nuk mund të kthente situatën në Kosovë në gjendjen e para vitit 1999. Ai e kuptonte se Kosova, praktikisht, nuk kontrollohej më nga Serbia dhe se insistimi për rikthimin e saj nën sovranitetin serb ishte jorealist. Gjinxhiç e shihte të ardhmen e Serbisë në integrimin me Perëndimin dhe në reformat e brendshme, duke mos dashur të humbiste kohë me një çështje që ai e shihte të humbur.
 
Letra e drejtuar SHBA-ve dhe BE-së
Një nga lëvizjet e tij më të rëndësishme lidhur me Kosovën ndodhi më janar 2003, kur ai i dërgoi një letër SHBA-ve dhe Bashkimit Europian, duke kërkuar që të hapej një debat mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Në këtë letër, ai argumentonte se:
Kosova nuk ishte më realisht nën kontrollin e Serbisë, dhe Serbia duhej ta pranonte këtë fakt.
Nëse Perëndimi donte një zgjidhje për Kosovën, atëherë Beogradi duhej të përfshihej në negociata, në vend që të mbahej peng i një situate të ngrirë.
Ai sugjeronte një ndarje të mundshme të Kosovës, ku veriu (me shumicë serbe) të mbetej pjesë e Serbisë, ndërsa pjesa tjetër të kishte një status të veçantë.
Kjo letër u prit me zemërim nga nacionalistët serbë, të cilët e panë atë si një tradhti ndaj çështjes së Kosovës.
Po pse Gjinxhiç ndryshoi qëndrim?
Duket se ai e kuptoi mirë se Perëndimi nuk do të lejonte kthimin e Kosovës nën Serbi dhe se Serbia duhej të përshtatej me realitetin e ri. Gjinxhiç e shihte të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Europian dhe e dinte që çështja e Kosovës ishte një pengesë e madhe për këtë proces. Ai besonte se çështja e Kosovës po përdorej nga strukturat kriminale dhe elementët e vjetër të regjimit të Millosheviçit për të mbajtur pushtetin në Serbi.
Shumë analistë besojnë se qëndrimi i tij ndaj Kosovës dhe prirja për të bërë kompromise mund të ketë kontribuar në vrasjen e tij më 12 mars 2003. Nacionalistët serbë dhe grupet kriminale që kishin lidhje me Kosovën, veçanërisht “Banda e Zemunit”, e shihnin atë si një kërcënim për interesat e tyre.
 
Epilog
Zoran Gjinxhiç mbetet një figurë e rëndësishme në historinë moderne të Serbisë. Ai konsiderohet si lideri që përpiqej ta çonte Serbinë drejt demokracisë dhe integrimit europian, por që u vra nga ata që donin të ruanin trashëgiminë e Millosheviçit dhe pushtetin e krimit të organizuar.
Në nder të tij, shumë rrugë dhe institucione në Serbi dhe në vendet e tjera të Ballkanit mbajnë emrin e tij. Ai simbolizon përpjekjet për ndryshim dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në rajon.
Mënyra se si u vra ai dhe fakti që Serbia më vonë ndoqi një rrugë më nacionaliste tregon se vendi nuk ishte ende gati për vizionin e tij.
 

Tuesday, March 11, 2025

Festat e Marsit, nga mësuesit dhe gratë te ballokumet dhe ashuret


Nga 
Leonard Veizi
 
Muaji mars është një periudhë simbolike për shqiptarët, pasi sjell me vete katër festa të rëndësishme që pasqyrojnë vlerat e shoqërisë sonë: 7 Marsi Ditën e Mësuesit, 8 Marsi Dita Ndërkombëtare e Gruas 14 Marsi Ditën e Verës dhe 22 Marsi Dita e Hashures. Këto katër data, megjithëse të ndryshme në thelb, lidhen ngushtë me zhvillimin e kulturës, respektin për figurat e rëndësishme dhe festimin e jetës.
 
...Timtamet e daulleve kanë nisur të ndihen. Marsi ka hapur siparin e një tufe festash që, me gjithë karakterin e tyre të ndryshëm, krijojnë një simfoni të gëzimit dhe reflektimit. Në këtë trekëndësh festiv, secila datë ka peshën dhe shijen e saj, por të gjitha bashkohen në një harmoni që përshkon shoqërinë shqiptare.
 
Arsimi, drita për kombin
7 Marsi është një festë më e kufizuar, më e qetë, një homazh për dijen dhe për mësuesit, ata që ndezin dritën e arsimit në breza. Nderimi për ta nuk ka daulle e brohoritje, por përmban një nderim të heshtur, një mirënjohje që ka rrënjë të thella në vetëdijen e çdo nxënësi e qytetari.
Dita e Mësuesit është një homazh për hapjen e shkollës së parë shqipe më 7 mars 1887 në Korçë. Kjo datë nuk është thjesht një kujtim historik, por një reflektim mbi rolin e arsimit në formësimin e identitetit kombëtar. Mësuesit kanë qenë jo vetëm transmetues të dijeve, por edhe udhërrëfyes të brezave në rrugën e qytetërimit dhe lirisë. Në një kohë kur sfidat e arsimit janë të shumta, nga ndryshimet teknologjike te vështirësitë sociale dhe ekonomike, 7 Marsi mbetet një ditë për të vlerësuar dhe mbështetur ata që mbajnë në duar të ardhmen intelektuale të shoqërisë.
 
Gruaja, shtylla e shoqërisë
Pastaj vjen 8 Marsi, një ditë me përmasa më të gjera, që e kapërcen pragun e shkollave dhe del në rrugë, në tryeza festive, në fjalime e buqeta me lule. Gruaja, kjo forcë e madhe, nuk është thjesht një simbol për një ditë të vetme, por një shtyllë e palëkundur e shoqërisë. Përtej dhuratave dhe urimeve, kjo është një ditë për të reflektuar mbi sakrificat, përpjekjet dhe fuqinë e grave në çdo hapësirë të jetës.
Dita Ndërkombëtare e Gruas ka kaluar nga një datë e protestës për të drejtat e grave në një festë për rolin e tyre në shoqëri. Megjithatë, nëse e festojmë këtë ditë pa reflektuar mbi sfidat që gratë ende përballen – pabarazinë, dhunën, diskriminimin – atëherë 8 Marsi rrezikon të mbetet një shënim kalendarik, pa ndikim real. Në Shqipëri dhe në botë, gratë kanë dëshmuar se janë shtylla të familjes, arsimit, ekonomisë dhe politikës. Prandaj, përtej dhuratave dhe urimeve, kjo ditë duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe veprimi për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.
 
Festa e jetës dhe traditës
Dhe si qershia mbi tortë, vjen 14 Marsi, Dita e Verës. Kulminacioni ndodh në qytetin e Elbasanit ku kjo festë është e shenjtë mbi gjithçka, madje dhe mbi datën e ndërrimit të viteve. Këtu gjithçka merr një trajtë tjetër: rrugët mbushen me ngjyra, aroma e ballokumeve përhapet kudo, dhe “qeni i kallajxhiut” nis vallen e tij të pandalshme. Sepse është festë. Një festë e lashtë që, edhe në kohët moderne, ruan shpirtin e vet të gëzimit të pastër, të daljes nga dimri, të kthimit te jeta dhe energjia e re.
Kjo është Dita e Verës, një festë e lashtë pagane që simbolizon ardhjen e pranverës dhe ringjalljen e natyrës, është një çast për të festuar optimizmin dhe energjinë pozitive. E rrënjosur thellë në traditën shqiptare, sidomos në qytetin e Elbasanit, kjo festë është një kujtesë se pas dimrit vjen pranvera, pas vështirësive vjen lehtësimi. Në një botë gjithnjë e më të tensionuar, ku ritmi i jetës shpesh na largon nga vlerat e thjeshta, 14 Marsi na fton të ndalemi, të festojmë dhe të rifitojmë lidhjen me natyrën dhe me njëri-tjetrin.
 
Ashurja në ekuinoks
Në këtë muaj të trazuar nga gëzimi dhe ritmet e festave, nuk mund të harrojmë as 22 Marsin, Festën e Ashures. Një mars i mbushur me simbolika, një mars që nuk është thjesht kalendarik, por edhe shpirtëror. Festa e Ashures nuk është vetëm një çast fetar, por një simbol i tolerancës dhe bashkëjetesës, një kujtesë se diversiteti është pasuri dhe jo ndarje.
 
Një muaj, shumë mesazhe
Këto festa nuk janë thjesht data në kalendar; ato janë tri mesazhe të fuqishme për shoqërinë: nevojën për arsim dhe dije, respektin për gratë dhe barazinë, si dhe rëndësinë e gëzimit dhe bashkimit. Nëse do t'i festonim këto data jo vetëm me urime e ceremoni, por edhe me përkushtim dhe reflektim mbi domethënien e tyre të vërtetë, atëherë marsi nuk do të ishte vetëm një muaj festash, por një muaj ndryshimesh pozitive.
Nga 7 Marsi, që nderon dritën e dijes dhe përkushtimin e mësuesve, tek 8 Marsi, që shpërfaq forcën e gruas dhe kauzat e saj, më pas tek 14 Marsi, që na fton në një vallëzim me pranverën, e deri te 22 Marsi, një ditë harmonie dhe bashkimi.
Në këtë mars të zhurmshëm e të gjallë, nga timtami i daulleve te kërcitja e enëve të bakrit për përgatitjen e ballokumeve, nga petalet e luleve të marsit tek ëmbëlsia e hashures me grurë, një gjë mbetet e përbashkët: fryma e festës dhe ndjenja e bashkimit. Një mars që na përfshin të gjithëve, një mars që na kujton se jeta është një mozaik i bukur traditash, emocionesh dhe vlerash.
 
 

Europa në udhëkryq?


Leonard Veizi
 
Europa ka mbetur në udhëkryq tashmë. Ose duket sikur ka mbetur. Nuk dihet nëse do të marrë majtas, djathtas, do të kthehet mbrapa apo do të çajë përpara. Nga sot çadra amerikane nuk do të jetë më sipër kontinentit, për ta mbrojtur atë si nga stuhitë kozmike dhe rënia e meteorëve.
Megjitahtë Evropa mbetet po aty, si kontinenti plakë e i plakur, por ende shumë i fortë.
Historia ka treguar se ky kontinent është i paparashikueshëm dhe shpeshherë burim i luftrave dhe trazirave më të mëdha botërore.
Europa ka qënë djepi i luftrave dhe konflikteve më të tmerrshme që ka njohur historia moderne. Prej Perandorisë Romake e deri te Luftërat Botërore, ky kontinent ka kaluar nga dominimi, revoltat, pushtimet dhe copëtimet.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Europa u bë skena e një eksperimentimi të ri gjeopolitik në të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën rolin e kujdestarit, arbitrit dhe garancës për sigurinë. Dhe Evropa nisi të përkëdhelej nga kjo kujdesje. Madje nuk e ccau më kokën për të përgatitur ushtarë lufte por nisi të majmej në bollëk.
Një Gjermani e ndarë dhe e nënshtruar u mbajt brenda kornizave të NATO-s, duke u siguruar që të mos rikthehej si një fuqi destabilizuese. Anglia, nga ana e saj, mbeti një vasale e bindur e Amerikës, duke vepruar si ura lidhëse midis dy kontinenteve. Franca dhe Italia ndërtuan modelet e tyre, shpeshherë në kundërpesha ndaj anglo-amerikanëve, por gjithnjë brenda orbitës së Perëndimit.
Por sot, bota po ndryshon. Amerika, me tërheqjen e saj graduale nga Europa dhe përqendrimin në Indo-Paqësor, po le rrethin europian të vetëm. Ndaj është ngritur një pyetje thelbësore: A do të mbijetojë Europa pa Amerikën? A do të bëhet më e fortë apo më e dobët?
Analistë të anshëm e të paanshëm mendojnë se një Europë pa Amerikën do të duhet së pari të përballojë faktorin rus.
Pse, çfarë do t’i bëjë Rusia Evropës?
Rusia historikisht ka treguar forcë në mbrojtje por jo aq në sulm. Në të kaluarën, përpjekjet e saj për zgjerim kanë hasur shpesh në pengesa strategjike, nga luftërat napoleonike tek Lufta e Ftohtë. Megjithatë, duhet theksuar se Rusia nuk do të ishte ngritur si fuqi botërore me krijimin e Bashkimit Sovjetik nëse nuk do të ishte për ndërhyrjen amerikane në Normandi gjatë D-Day, që ndihmoi në mposhtjen e Gjermanisë naziste. Pa këtë ndërhyrje, Gjermania ndoshta do ta kishte futur nën kthetrat e saj "ariun polar", duke ndaluar aspiratat sovjetike për zgjerim. Dimri rus, që mposhti ushtrinë e Rajhut, duket se është një legjendë. Sepse në të vërtetë atë e mposhti aviacioni aleat.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u ringrit shpejt. Për më tepër që shpenzimet ushtarake ishin ulur ndjeshëm. Kështu që ajo u kthye si lokomotiva ekonomike e Europës, duke ndihmuar në rindërtimin e kontinentit. Megjithatë, pyetja tani është: Sa e aftë do të jetë ajo të vazhdojë të tërheqë trenin europian nëse NATO pezullohet? A do të riarmatoset Gjermania për të mbrojtur veten dhe aleancën e BE-së? Kjo do të përfaqësonte një ndryshim të madh historik, pasi për dekada Gjermania ka ruajtur një qasje të kujdesshme ndaj militarizmit.
Duhet përmendur fakti që me nisjen e luftaës në Ukrainë, Gjermania planifikojë një fond prej 100 miliardë eurosh në buxhetin e vitit 2022 për modernizimin e forcave të armatosura.
A duhet mbajtur nën vëzhgim armatimi i Gjermanisë?
Kjo është një pyetje që mbetet e hapur. Gjermanët, që dikur shkatërruan Perandorinë Romake, formuan Perandorinë e Shenjtë dhe iniciuan dy Luftëra Botërore, kanë treguar një histori ambicieje të pakufishme. Nëse historia na mëson diçka, është se oreksi i Gjermanisë ka qënë gjithmonë i madh dhe zgjerues.
Sipas disa analizave, bota duhet të ketë frikë jo nga Rusia, por nga Gjermania. Rusia ka treguar se hegjemonia e saj mund të shkojë deri te republikat balltike, por nuk ka një histori ekspansioni global. Gjermania, nga ana tjetër, kur ka pasur mundësi, ka synuar dominimin europian dhe më gjerë. Nëse riarmatimi i Gjermanisë nuk kontrollohet, mund të rikthehemi në një skenar ku Europa del jashtë kontrollit. Atëherë Amerikës i duhet të bëjë llogari të tjera.
Europa është e rrezikshme. Europa, që tani ka hapur dyert për miliona refugjatë nga Azia, Afrika dhe Arabia, ka treguar se prej saj kanë nisur dhjetë kryqëzata. Historia na mëson se kur Europa mbetet pa kontroll, ajo mund të kthehet në një fuqi agresive dhe destabilizuese. Duhet mbajtur nën vëzhgim, sepse po ia hoqe kapistallin, është si hamshori i patredhur, që nuk dihet ku e mban vrapin. Dhe zakonisht krizat që i shfaqen qoftë në horizont Evropa i mbulon duke hapur një vatër lufte qoftë dhe në mesin e saj.
Nëse Europa del jashtë kontrollit, atëherë Amerikës i duhet të bëjë llogari të tjera. Do të rikthehet për të vendosur rregullin? Apo e gjitha kjo do të çojë ujë drejt Rendit të Ri Botëror, me të cilin mund të jenë dakord të gjithë? A do të gjejë Europa forcat për të mbijetuar? Apo pa Amerikën do të rrënohet si një konstruksion politik i paplotë?
Kjo mbetet pyetja thelbësore e shekullit të ri.
 
 

“Masakra e Teksasit”, kanibalët që shokuan Amerikën, në një film horror



Nga Leonard Veizi
 
Në vitin 1974, në kinema u shfaq një tmerr intimisht shqetësues, por e cilësuar më pasi si një kryevepër gonzo-makabre. Filmi ishte frymëzuar nga historia e vërtetë e vrasësit serial Ed Gein, i cili u arrestua në vitin 1957 për mizori të tmerrshme në Uiskonsin e largët.  “The Texas Chainsaw Massacre” është shumë më tepër se një film horror klasik. Ai është një përvojë kinematografike që përmban një kritikë të fuqishme sociale dhe një estetikë unike të terrorit. Në thelb, filmi eksploron instinktet më të errëta të njeriut dhe se si ato mund të shfaqen në formën më brutale të mundshme...
 
...Në ekranet shqiptare ai ka ardhur si “Masakra e Teksasit”. Unskonsi u zëvendësua me Teksasin për një përshtatje më të mirë filmike. Është një nga filmat më të famshëm të zhanrit horror dhe ka pasur disa versione dhe vazhdime. Versioni origjinal është ai i vitit 1974 me regji nga Tobe Hooper, skenar të shkruar nga Tob Huper dhe Kim Henkëll. Ndërsa kasti i interpretuesve përbëhet nga aktorët kryesorë: Marilin Bërns, Gunar Hansen, Pol A. Partin
Filmi është pjesërisht i frymëzuar nga vrasësi i vërtetë Ed Gain, i cili përdorte lëkurat e viktimave për të bërë maska dhe objekte shtëpiake. Eduard Gein ishte një vrasës amerikan i njohur gjithashtu si "Kasapi i Plainfield" ose "Goul Plainfield". Ai paraqitet në film si Ledërfeis
Por Ledërfeis, si imazh filmik është një njeri pa identitet të qartë. Ai vesh maska të ndryshme prej lëkure njerëzore, duke sugjeruar mungesën e një identiteti të vërtetë. Ndryshe nga vrasësit serialë klasikë, Letërfeis nuk është një vrasës i vetëm. Ai është një produkt i familjes së tij dhe i kushteve ekstreme në të cilat jeton. Një përbindësh tragjik: Ndonëse është një figurë e frikshme, ai shfaq edhe momente ankthi dhe paniku, sidomos kur nuk e di si të reagojë ndaj të huajve që hyjnë në territorin e tij.
 
Ngjarja
Një grup të rinjsh udhëtojnë në një zonë rurale të Teksasit dhe përfundojnë viktima të një familjeje kanibale, përfshirë Letërfeis, i cili përdor një sharrë elektrike për të vrarë viktimat e tij.
Filmi fillon me një paralajmërim për mënyrën se si therjet e kafshëve bëhen në thertore.
Ledërfeis dhe familja e tij i trajtojnë viktimat e tyre njësoj si kafshë në thertore, duke përdorur çekiçin dhe sharrën elektrike për t'i copëtuar. Ky paralelizëm e bën filmin një metaforë të fuqishme për mënyrën se si shoqëria dehumanizon individët.
Familja Sojar (Ledërfeis dhe të afërmit e tij) është një simbol i një shoqërie të shkatërruar. Ata përfaqësojnë një version të shthurur të modelit tradicional të familjes amerikane, duke jetuar në një izolim total dhe duke mbijetuar përmes kanibalizmit.
 
Ribërjet
“The Texas Chainsaë Massacre 2” i vitit 1986 – Një vazhdim me tone më groteske dhe humor të zi.
The Texas Chainsaë Massacre i vitit 2003 – Një ribërje me stil më modern, ku interpreton Jessica Biel.
Texas Chainsaë 3D i vitit 2013 – Një vazhdim i drejtpërdrejtë i filmit të parë.
Leatherface i vitit  2017 – Një film që eksploron origjinën e Leatherface.
Texas Chainsaë Massacre i vitit 2022 – Një vazhdim tjetër i drejtpërdrejtë i filmit të vitit 1974.
 
Analiza
Filmi “The Texas Chainsaë Massacre” ose i ardhur në shqip si “Masakra me sharrë elektrike në Teksas” nuk është vetëm një nga filmat më të rëndësishëm të zhanrit horror, por edhe një vepër që përfaqëson një ccast kritik në historinë e kinemasë amerikane. Ky film sfidoi pritshmëritë e audiencës dhe krijoi një model për horrorin modern.
Në vitet 1970, Amerika po kalonte një krizë të thellë sociale dhe politike:
-Lufta e Vietnamit, me imazhe brutale që vinin drejtpërdrejt në televizion
-Skandali Uatëgejt
-Shpërbërja e ëndrrës amerikane dhe dekonstruktimi i mitit të "familjes ideale"
Filmi pasqyron këtë atmosferë, duke paraqitur një Amerikë të shkatërruar, ku të rinjtë hasin jo vetëm dhunë, por një model familjeje të sëmurë dhe dekadente.
“Masakra e Teksasit” krijoi një arketip të ri të slasher-it, një zhanër që u zhvillua më vonë me filma si Hallouin  në vitit 1978 dhe “Friday the 13th” në vitin 1980. Ai hoqi dorë nga estetika gotike e horrorëve të mëparshëm dhe solli një realizëm të ftohtë dhe mizor. Ishte një nga filmat e parë që përdori konceptin e "final girl" ose “vajza që mbijeton deri në fund”, i cili u bë standard në horrorët e mëvonshëm.
 
Teknika
Filmi është i xhiruar në një stil realist dhe brutalisht intensiv, duke krijuar një ndjenjë ankthi dhe terrori. Buxheti ishte shumë i ulët, por filmi pati sukses të madh dhe u bë një klasik i horrorit.
Filmi nuk përdor efekte speciale të ekzagjeruara, por krijon frikën përmes montazhit dhe tingujve të tmerrshëm (ulërimat, zhurma e sharrës elektrike). Dhuna është e ftohtë dhe e papritur, duke krijuar një ndjenjë paniku më të thellë tek shikuesi. Kamera përdor një stil dokumentaristik, duke i dhënë filmit një ndjenjë realiteti. Disa skena përdorin afrim ekstrem tek fytyrat e viktimave, për të treguar terrorin e pastër. Banda zanore është minimaliste dhe e përbërë nga tinguj të çuditshëm dhe industrialë, duke krijuar një ambient të papërballueshëm psikologjikisht. Sharra elektrike nuk është vetëm një armë, por edhe një simbol i terrorit që mbizotëron gjatë gjithë filmit.
 
Ndikimi
Filmi është ndaluar në disa vende për shkak të natyrës së tij të dhunshme dhe të papërmbajtur.
Ai mbetet një nga filmat më të studiuar në kinemanë e horrorit, duke u analizuar përmes këndvështrimeve të ndryshme (socio-politik, feminist, kritik ndaj industrializmit).
Me gjithë ribërjet dhe vazhdimet, asnjë film nuk ka arritur të rikrijojë ndjesinë e tmerrit të pastër që ofron versioni i vitit 1974.
 

Terrori në Madrid, 10 bomba shkatërruan 4 trena me njerëz

 
11 Mars 2004
 



Nga Leonard Veizi
 
Pamjet ishin të tmerrshme. Gjak ngado, trupa të copëtuar dhe këpucë e copa veshjesh të hedhura mbi shina e në platformë. Dhe vagonë metalikë të çarë e të deformuar nga fuqia e shpërthimit të tritolit. Dukej sikur ngjarja nuk kishte ndodhur në mes të Europës, në ditët e paqes, në një fillim shekullin e ri, por si e ardhur nga një luftë gati imagjinare ku përdoreshin pa mëshirë topat e kalibrit të rëndë për të shfarrosur njerëz...
 
...Më 11 mars 2004, Spanja u trondit nga një prej akteve më të tmerrshme terroriste në historinë e saj. 10 bomba në katër trena. Informacionet e kohës flasin për një seri shpërthimesh në trenat e pasagjerëve. Dhe ky akt terrorist shkaktoi të paktën 193 viktima.  Edhe të plagosurit ishin të shumtë: mbi 2,000 persona morrën plagë. Vetëm pak më vonë u bë e qartë se ishin një seri bombash të koordinuara, pothuajse të njëkohshme kundër sistemit të trenave të udhëtarëve Cercanías të Madridit. “Cercanías Madrid” është shërbimi hekurudhor i udhëtarëve që i shërben Madridit, kryeqytetit të Spanjës dhe zonës së tij metropolitane. Gjatësia totale e saj është 370 km.Ai operohet nga “Cercanías Renfe”, divizioni hekurudhor i udhëtarëve të Renfe, ish monopoli i shërbimeve hekurudhore në Spanjë.
 
Ngjarja
Në mëngjesin e 11 marsit 2004, katër trena të mbushur me udhëtarë që po vinin drejt Madridit u goditën nga 10 shpërthime të koordinuara. Bombat, të vendosura në çanta shpine dhe të aktivizuara me telefona celularë, shpërthyen në orën 07:37 deri në 07:40, në stacionet Atocha, El Pozo, Santa Eugenia dhe pranë rrugës Téllez. Sulmet u kryen në orarin e pikut të mëngjesit, duke shkaktuar një masakër të pashembullt në historinë moderne të Spanjës.
Sulmet ndodhën tre ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Spanjë. Këto sulme u kryen nga një grup ekstremistësh islamikë të lidhur me Al-Kaedën dhe u konsideruan si një hakmarrje për përfshirjen e Spanjës në luftën e Irakut. Valët e tronditjes u ndjenë në mbarë botën, por askund më shumë se në Evropë.
 
Reagimi
Fillimisht, qeveria spanjolle e drejtuar nga kryeministri José María Aznar e drejtoi gishtin nga organizata separatiste baske ETA, duke ndjekur një linjë që mbeti e debatuar për disa ditë. Ángel Acebes, ministri i brendshëm i vendit, pohoi, "Nuk ka dyshim që ETA është përgjegjëse". ETA, ishte një organizatë separatiste baske, fushata e dhunës e së cilës për më shumë se 30 vjet kishte marrë jetën e të paktën 800 njerëzve.
Megjithatë, së shpejti dolën prova që tregonin një tjetër skenar: një grup islamik, i frymëzuar nga Al-Kaeda, ishte pas sulmeve.
Policia spanjolle gjeti një furgon në Alcalá de Henares me detonatorë dhe kaseta që përmbanin tekste kuranore. Përgjegjësinë për sulmin e mori një grup islamist, përmes një video-mesazhi të publikuar pas sulmit.
 
Qëllimi
Qëllimi i sulmeve të 11 marsit 2004 ishte të ndëshkonin Spanjën për pjesëmarrjen e saj në luftën e Irakut, si dhe të ndikonin në zgjedhjet e përgjithshme spanjolle që po afroheshin. Al-Kaeda dhe grupet e lidhura me të e kishin paralajmëruar Spanjën për pasojat e mbështetjes së saj ndaj SHBA-së dhe koalicionit ndërkombëtar në Irak.
Ky akt terrorizmi synonte të krijonte frikë, të destabilizonte politikën dhe të ndikonte në vendimet strategjike të Spanjës në arenën ndërkombëtare.
 
Pasojat
Sulmet ndodhën vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Spanjë. Debati rreth përgjegjësisë për sulmet dhe përfshirja e Spanjës në luftën e Irakut ndikuan ndjeshëm në opinionin publik. Partia Popullore (PP) e Aznarit pësoi humbje të papritur, dhe socialistët (PSOE), të drejtuar nga José Luis Rodríguez Zapatero, fituan zgjedhjet. Zapatero më pas tërhoqi trupat spanjolle nga Iraku, një vendim që u konsiderua si një reflektim i reagimit të publikut ndaj sulmeve.
 
Gjyqi
Hetimet çuan në arrestimin e dhjetëra të dyshuarve, kryesisht marokenë dhe algjerianë me lidhje me grupet xhihadiste. Më 3 prill 2004, shtatë nga të dyshuarit kryesorë u vetëvranë duke shpërthyer eksplozivë në një apartament në Leganés, kur policia rrethoi ndërtesën.
Në vitin 2007, gjykata spanjolle dënoi 21 persona për përfshirjen në sulme, ndërsa disa të tjerë u liruan për mungesë provash. Sulmet e Madridit mbetën një nga goditjet më të mëdha terroriste në Evropë dhe ndryshuan përjetësisht politikat spanjolle të sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit.
 
Kujtesa
Për të nderuar viktimat, në Madrid u ndërtua "Monumenti i Viktimave të 11 Marsit", ndërsa çdo vit mbahet një ceremoni përkujtimore. Sulmet e 11 marsit 2004 shënuan një çast kritik në historinë e Evropës, duke treguar rrezikun e terrorizmit global dhe ndikimin e tij në politikën ndërkombëtare.

Sunday, March 2, 2025

Tragjedia e Turkish Airlines, rrëzimi i fluturimit 981 që shkaktoi 346 të vdekur

 
3 Mars 1974
 

Nga Leonard Veizi
 
Ndërsa avioni lundronte në lartësinë e tij të përshtatshme për fluturimet kontinentale, një ndjesi qetësie përshkoi kabinën. Pasagjerët, tashmë të rehatuar në vendet e tyre, hoqën rripat e sigurimit. Disa hapën gazetat ose libra të mundshëm, duke u zhytur në lexim, të tjerë vendosën kufjet dhe mbyllën sytë të relaksuar në tingujt e muzikës që mbulonte zhurmën e lehtë të motorëve. Asgjë nuk dukej jashtë normales. Një fluturim i zakonshëm, një rrugëtim si shumë të tjerë. Por brenda pak minutash, qetësia do të shndërrohej në panik të papërshkrueshëm.Një përplasje e beftë. Një krismë që tronditi trupin e avionit. Për një çast, gjithçka u pezull – sikur koha të ndalonte mes ajrit të hollë. Sytë e pasagjerëve, të ngrirë nga hutimi, u kthyen drejt njëri-tjetrit, si për të kërkuar një shpjegim që askush nuk mund ta jepte. Pastaj, një rënie e beftë. Kush kish ku kapeshe kund, nuk kisha ku mund të mbaheshe. Një gravitet që tërhiqte trupat pa mëshirë, ndërsa brenda kabinës përhapej një ndjenjë makthi që kapërcente çdo frikë të imagjinueshme...
 
...Edhe pse udhëtimet me avion janë ndër më të sigurta në botë, tragjeditë ajrore kanë mbetur të pashmangshme, si kujtime të hidhura që dëshmojnë sa e brishtë është jeta, edhe në duart e teknologjisë më të avancuar. Kështu ka ndodhur dhe me avion “McDonnell Douglas DC-10”, pikërisht më 3 mars të vitit 1974.
 
Fluturimi 981
Avioni i linjës “Turkish Airlines”, kishte një fluturim të planifikuar nga Aeroporti “Yeşilköy” i Stambollit për në Aeroportin “Heathrow” të Londrës, me një ndalesë të ndërmjetme në Aeroportin “Orly” në Paris.
Sipas të gjitha të dhënave marrë më së shumti nga shtypi i kohës që e pasqyroi ngjarjen gjerësisht. - avioni kishte 12 ulëse të klasit të parë dhe 333 ulëse ekonomike, për një total prej 345 vendesh pasagjerësh. Në çastin e aksidentit, dy persona ishin ulur në klasën e parë, ndërsa klasa ekonomike ishte plotësisht e zënë. Ekuipazhi i kabinës ishte turk. Kapiteni i Fluturimit 981 ishte Nejat Berköz, 44 vjeç, me 7000 orë fluturimi.
Fluturimi 981 u nis nga Stambolli në orën 07:57 me kohën lokale dhe u ul në aeroportin ndërkombëtar Orly të Parisit në orën 11:02 të mëngjesit me orën lokale, pas një fluturimi prej pak më shumë se katër orësh. Avioni mbante 167 pasagjerë dhe 11 anëtarë të ekuipazhit në bord, dhe 50 nga këta pasagjerë zbarkuan në Paris. Pjesa e dytë e fluturimit, nga Parisi në Aeroportin Heathrow të Londrës, ishte normalisht e rezervuar më pak; megjithatë, për shkak të një greve të punonjësve të British European Airways dhe rezultatit të pavendosur të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në Britani në fillim të asaj jave, shumë udhëtarë të nisur për në Londër, të cilët kishin mbetur të bllokuar në Orly, u rezervuan për në Fluturimin 981, duke vonuar nisjen e fluturimit me 30 minuta.
 
Tragjedia
Avioni u largua nga Aeroporti Orly në orën 12:32, për në Aeroportin “Heathrow” dhe u ngrit në drejtim të lindjes, përpara se të kthehej në veri. Menjëherë pas ngritjes, Fluturimi 981 u ngrit ne  7,000 metra dhe filloi të kthehej në perëndim drejt Londrës. Menjëherë pasi avioni kaloi mbi qytetin e Meaux, dera e pasme e majtë e ngarkesës u shpërtheu dhe diferenca e papritur në presionin e ajrit midis zonës së ngarkesave dhe kabinës së pasagjerëve bëri që një pjesë e dyshemesë së kabinës mbi kapakun e hapur të ndahej dhe të mbetej e hapur
Fluturimi 981 i Turkish Airlines, u rrëzua në pyllin Ermenonvile 37.76 kilometra larg Parisit, duke shkaktuar vdekjen e të 346 personave në bord nga të cilët 335 ishin pasagjerë dhe 11 anëtarë të ekuipazhit. Ky ishte aksidenti më vdekjeprurës ajror në atë kohë dhe mbetet një nga më tragjikët në historinë e aviacionit.
Ishte aksidenti i parë i aviacionit që tejkaloi 200 dhe 300 viktima. Përplasja u njoh gjithashtu si “fatkeqësia ajrore e Ermenonville”.  Në atë kohë, ishte aksidenti më vdekjeprurës në historinë e aviacionit. Por ende sot ku aksident tragjik njihet si i katërti më vdekjeprurës në historinë e aviacionit.
 
Shkaqet
Hetimet zbuluan se shkaku kryesor i aksidentit ishte një defekt në dizajnin e derës së bagazheve së avionit. Gjatë fluturimit, dera e bagazheve u hap për shkak të një mbylljeje të pasigurt, duke shkaktuar dekompresion të menjëhershëm që dëmtuan sistemet e kontrollit të avionit dhe çuan në humbjen e kontrollit nga pilotët.
Ky aksident tragjik nxiti ndryshime të rëndësishme në rregulloret e sigurisë ajrore, përfshirë ridizajnimin e dyerve të bagazheve dhe inspektime më të rrepta të sigurisë për avionët komercialë. Fluturimi 981 i Turkish Airlines mbetet një kujtesë e rëndësisë së sigurisë dhe mirëmbajtjes rigoroze në industrinë e aviacionit.
 
 
 
 

“Salo, ose 120 ditët e Sodomës”, tmerri neveritës i një libri që u kthye në film

 

Nga Leonard Veizi
 
Provokuese dhe tronditës. I vështirë për t'u parë dhe i pamundur për t'u harruar. I fundit film i regjisorit Pier Paolo Pasolini, “Salo, ose 120 ditët e Sodomës” është cilësuar nauzues, tronditës, i shthurur, pornografik. Ndonëse është famëkeq është cilësuar gjithashtu dhe si një kryevepër. Nuk është një film horror në kuptimin klasik, por një vepër filozofike dhe politike që sfidon kufijtë e etikës dhe artit. Për disa, është një vepër e guximshme kundër totalitarizmit; për të tjerët, një film i tepruar dhe i papranueshëm. Pasolini njihej si një kineast kontrovers. Me testamentin e tij “Salo...” ai transferon të gjallë opusin e torturës dhe degradimin e shoqërisë së lartë në botën seksuale, nga shekulli XVIII në Italinë Fashiste të vitit 1944. Filmi nuk është thjesht një riprodhim i veprës së Marquis de Sade, por një kritikë e ashpër mbi fashizmin, abuzimin me pushtetin, dehumanizimin dhe kapitalizmin ekstrem. Pasolini përdor skena të skajshme për të treguar sesi pushteti absolut çon në objektifikimin e plotë të qenieve njerëzore. Ndaj “Salo” mbetet një nga filmat më të debatuar i të gjitha kohërave...
 
... “Salò o le 120 giornate di Sodoma” ose “Salò, or the 120 Days of Sodom” është një film italian i vitit 1975 i bazuar në romanin “The 120 Days of Sodom” të Marki de Sade.
 
Filmi
Filmi vendoset në periudhën e Republikës së Salos mes viteve 1943-1945, një shtet kukull i kontrolluar nga nazistët në Italinë Veriore. Katër figura të pushtetshme – një Dukë, një President, një Peshkop dhe një Gjyqtar – rrëmbejnë një grup të rinjsh dhe i çojnë në një vilë të izoluar, ku i nënshtrojnë torturave fizike dhe psikologjike. Historia është e ndarë në tre pjesë, të frymëzuara nga Dante Alighieri dhe “Ferri” i tij:
Rrethi i Manisë – Të rinjtë detyrohen të ndjekin rregulla të rrepta dhe të poshtërohen.
Rrethi i Bajgës – Viktimat detyrohen të kryejnë akte të neveritshme dhe degraduese.
Rrethi i Gjakut – Arrin kulmin me tortura të tmerrshme dhe vrasje brutale.
Filmi përmban skena të rënda të torturës, përdhunimit, kanibalizmit dhe poshtërimit ekstrem. Ai u ndalua në shumë vende dhe ende mbetet një nga filmat më të ndaluar në histori. Ndërkohë, Pasolini u vra brutalisht pak para premierës së filmit, duke ngritur teori mbi motivet pas vrasjes së tij.
Vrasja e Pier Paolo Pasolinit mbetet një nga misteret më të errëta në historinë e kinemasë italiane. Më 2 nëntor 1975, trupi i tij u gjet i masakruar në Ostia, një periferi pranë Romës. Ai ishte rrahur brutalisht dhe më pas i ishte kaluar disa herë sipër me makinë. Fillimisht, një i ri 17-vjeçar, Giuseppe Pelosi, u arrestua dhe pranoi fajësinë, duke deklaruar se e kishte vrarë Pasolinin pas një sherri të lidhur me një marrëdhënie seksuale. Megjithatë, versioni i tij u kundërshtua nga provat dhe nga ata që besonin se Pasolini ishte vrarë për arsye politike.
Në vitin 2005, Giuseppe Pelosi tërhoqi rrëfimin e tij, duke thënë se ai ishte detyruar të marrë fajin dhe se disa burra "me theks jugor" e kishin vrarë Pasolinin. Kjo deklaratë e ringjalli hetimin, por e vërteta e plotë mbetet ende e panjohur.
Pasolini ishte një kritik i ashpër i pushtetit, kapitalizmit dhe korrupsionit në Itali. Ai kishte paralajmëruar për një konspiracion të rrezikshëm të mafies dhe politikës, dhe disa besojnë se vrasja e tij ishte një akt hakmarrjeje.
Ndërkohë Pasolini kishte marrë kërcënime nga grupet fashiste për shkak të qëndrimeve të tij të majta. Disa teori sugjerojnë se vrasja u organizua nga elementë të ekstremit të djathtë.
 
Libri
Marki de Sade është një nga shkrimtarët e paktë që i dha botës një mbiemër: sadist.
Dhe ja pse.
“Les 120 Journées de Sodome ou l'école du libertinage” vjen në shqip si “120 Ditët e Sodomës, ose Shkolla e Lirisë”. Ai është një roman i papërfunduar nga shkrimtari fisnik francez me emrin orgjinal Donatien Alphonse François, Marquis de Sade. Libri përshkruan aktivitetet e katër francezëve të pasur, të cilët kalojnë katër muaj duke kërkuar kënaqësinë përfundimtare seksuale përmes orgjive, duke u ngujuar në një kështjellë në zemër të Pyllit të Zi me 12 bashkëpunëtorë, 20 viktima të caktuara dhe 10 shërbëtorë. Katër prostituta të moshuara tregojnë histori të klientëve të tyre më të paharrueshëm, praktikat seksuale të të cilëve përfshinin 600 "pasione" duke përfshirë koprofilinë, nekrofilinë, zoofilinë, inçestin, përdhunimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve. Historitë frymëzojnë akte të dhunës në rritje që çojnë në torturimin dhe vrasjen e viktimave të tyre, shumica e të cilave janë adoleshente dhe gra të reja.
Sade e shkroi atë në fshehtësi ndërsa ishte i burgosur në Bastille. Në kohën e Revolucionit Francez në 1789, De Sade u dënua me 11 vjet burg, fillimisht në Vënsen dhe më pas në Bastijë. Ai u arrestua fillimisht me akuzën e helmimit dhe sodomisë. Ai nuk u gjykua deri në vitin 1790. I burgosur pa gjyq, kaloi kohën mes fantazive seksuale dhe shkroi "120 ditët e Sodomës". Për t'u shpëtuar kontrolleve të gardianëve, ai shkruante mbrëmjeve në copa të vogla letre, të cilat më pas i fshihte në të çarat e murit të qelisë. Romani mbijetoi vetëm në formë drafti. Kur kalaja u sulmua nga revolucionarët më 14 korrik 1789, Sade besonte se dorëshkrimi kishte humbur.
Në një shkrim të Will McMorran botuar në “Guardian” shkruhet se “Më 3 korrik 1789, në mes të natës, Markezi de Sade u tërhoq zvarrë nga qelia e tij në kullën e quajtur “Liberty” në Bastijë. Më herët atë ditë ai ishte kapur duke i bërtitur turmës së mbledhur jashtë mureve të burgut se të burgosurve po pritej fyti. Ai u transferua në një azil jashtë Parisit dhe u detyrua të linte shumë nga pasuritë e tij më të çmuara, duke përfshirë një cilindër bakri të mbajtur të fshehur në një të çarë në mur. Kur gruaja e tij u nis për në Bastille për të marrë gjërat e tij më 14 korrik, tashmë ishte tepër vonë: Revolucioni e kishte goditur atë dhe asaj iu desh të kthehej duarbosh. Sade qau me "lot gjaku" për humbjen. Por më pas u gjet një cilindër 12 metra i gjatë dhe 11 centimetra i gjerë, e mbuluar me dorëshkrim të vogël: dorëshkrimi i romanit të papërfunduar të quajtur “120 ditët e Sodomës, ose Shkolla e Lirisë”.
Megjithatë, drafti ishte gjetur dhe ruajtur pa dijeninë e tij dhe përfundimisht u botua në një tirazh të kufizuar në vitin 1904 për interesin e tij shkencor për seksologët. Romani u ndalua si pornografik në Francë dhe vendet anglishtfolëse përpara se të bëhej më i disponueshëm në botimet komerciale në vitet 1960. Ai u botua në edicionin prestigjioz francez “Pléiade” në 1990 dhe një përkthim i ri në anglisht u botua si “Penguin Classic” në 2016.
Mendimi kritik, megjithatë, mbetet i ndarë. Kritiku Nil Shifer e quan atë "një nga romanet më radikale, dhe më të rëndësishme të shkruara ndonjëherë", ndërsa për Lorenc Lui Bonzhi ai është "një baltë e pafund me shthurje të ndryshueshme".