Monday, August 14, 2017

Liliana Cingu: Do të kërcej, derisa këmbët të më lënë




"VEÇ 'GJERDANIT TË ARTË' MORA DHE SHUMË FLETËRRUFE"

Liliana Cingu flet për 45 vitet e saj jetë skenike dhe punën për të kërcyer në 65 vjetorin e lindjes. Viti 1970 kur në Dizhon francezët thërrisnin: “Viva Albania”, në qafën e kërcimtares nga Shqipëria vendoset “Gjerdani i Artë”

nga Leonard Veizi
  
Majat e gishtave të saj dukej sikur nuk donin të rëndonin mbi tabanin e skenës dhe as të preknin në të. Ndërsa shputat e këmbëve uleshin me lehtësi dhe ngriheshin njëherazi si të ishin krejt pa peshë. Askush nuk e ndjente fërkimin e tyre me shtresë plastike e cila ishte shtruar mbi dyshemenë prej dërrase të skenës dhe frymëmarrjen që kontrollohej me ritmin e muzikës, gjithashtu se ndjente kush. Ajo ishte krejt e lehtë...

...Francezët e Dizhon-it, filluan të thërrisnin fort “Viva Albania” kur në gjoksin e kërcimtares së re shqiptare u vendos “Gjerdani i Artë” i Festivalit. Edhe pse trofeu i takonte gjithë Ansamblit, në mënyrë krejt spontane, a ndoshta të përllogaritur që në hapin e parë, kryetari i jurisë, i qetë dhe i pandikuar nga thirrjet frenetike të publikut, u drejtua për nga më e reja e grupit që kishte dalë në skenë me simbolet kuq e zi, valltarja 19 vjeçare, Liljana Cingu...
44 vite pas kësaj ngjarje emocionuese e të pazakontë, ish-balerina e parë e trupës së Ansamblit Kombëtar, e njohur shkurt si Lili, rrëfen jetën e saj në skenë:

Si lindi pasioni për kërcimin. Fillimet tuaja?
Si çdo fëmijë që ka dëshirat e veta për të realizuar një ëndërr në një profesion edhe unë dëshiroja që të ngjitesha në skena e të vallëzoja, megjithëse kisha talent edhe për sport si gjimnaste apo atlete. Po pasioni i vërtetë ishte që të ngjitesha vetëm në skenë. Që e vogël, këtë dëshirë timen e realizoja në pistën  e Shtëpisë së Oficerëve, ku darkoja me prindërit.

Ambicia juaj fillestare ka qenë një kërcimtare e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, apo do të donit të ishit më shumë një balerinë e teatrit klasik?
Fillimisht jam aktivizuar me shkollën, me Pallatin e Pionierit. Por më pas vazhdova një shkollë 4-vjeçare pranë Ansamblit të Valleve dhe në moshën 16-vjeçare, fitova të drejtën për të filluar punë si valltare në Ansambël. Dëshira ime ishte pikërisht në këtë fushë.

Si e kujtoni daljen e parë në skenë?
Ishte vitin 1967. E kisha disi të vështirë përballjen me publikun. Pyesja veten: “A do jem në lartësinë e duhur në kërcim pranë Besim Zekthit?”. Kisha shumë emocione. Por me punë e përkushtim ia arrita qëllimit që të isha një profesioniste në skenë. Kurrë nuk rreshta së thëni vetes: “Do punoj për të qenë e denjë dhe më e mira në kërcim”.

Viti 1970 përkon me marrjen e  “Gjerdanit të artë” në Festivalin e Dizhion-it në Francë. Çfarë kujtoni nga ato ditë?
Në vitit 1970, Ansambli i Këngëve dhe Valleve bëri turne në Festivalin e Dizhon-it në Francë. Ishin 44 shtete në atë festival botëror. Grupi i shqipeve gati fluturonte. Ishin fillimet e mija e një gëzim i papërsëritshëm për mua kur në stadiumin me 20 mijë spektatorë vendoset në qafën time “Gjerdani i Artë”, një meritë për ne artistet e Ansamblit. Janë të pa përshkruara emocionet që ne kishim. Prezantimi dinjitoz e mbresëlënës me vallet, këngët, kostumet, muzikën bënë që francezët të brohorisnin “Viva Albanie”. Ishin vërtet emocione të papërshkrueshme.

Ndërkohë Ansambli ka marrë edhe çmime të tjera ndërkombëtare. Cilat kanë qenë trofetë e radhës?
Gjithmonë Ansambli është vlerësuar me trofe e çmime në çdo vend, si brenda vendit e jashtë. Dhe kjo ka qenë meritë e grupit si dhe e drejtueseve të këtij Ansambli.

Koncertet në Kosovë ishin të tjera aktivitete mbresëlënëse të Ansamblit. Cila ishte atmosfera në vitet ‘70 kur dhe u lejuan shkëmbimet dypalëshe?
Në vitin 1971 kishim një ftesë për një turne në të gjithë Kosovën. Ndjeva shumë emocione, se do prekja tokën e vendlindjes se babait tim. Ndarja e kufijve në ato vite ishte e pabesueshme që të na realizohej të takonim tokën tonë, gjakun tonë, gjuhën e njerëzve, me kulturën dhe artin e përbashkët, por ja që forca e artit u realizua, edhe me sakrifica. Shumë mbresëlënëse ishte kur ne flisnim një gjuhë, atë gjuhë të tokës së përbashkët më me kulturë e art, me shumë tradita njësoj. Njerëz që ju ndriçonte fytyra nga gëzimi duke na shoqëruar pa iu dridhur syri.

Kur dilnit jashtë shtetit, sa ishit të monitoruar nga Sigurimi i Shtetit?
Daljet tona jashtë kufijve kanë qenë gjithmonë të survejuara me punonjës të cilët na shoqëronin, ndoshta që të mos humbnim nga bukuritë e vendeve të tjera. Por ndodhte që ne kërcenim në skena e ata humbnin nga bukuritë e vendeve ku shkonim. Pra, ndodhte e kundërta. Artisti lodhej e djersitej që  të dilte sa më mirë në skenën e vendit të huaj, shoqëruesit tanë mahniteshin, se s’kishin punë tjetër.

Me Ansamblin këndonte edhe një emër si Vaçe Zela. Çfarë kujtimesh ndani me të?
Nuk mund të mos e kujtoj këngëtaren e madhe Vaçe Zela, një emër i madh për ne shqiptarët, një talent që ka bërë publikun të ngrihet në këmbë me zërin e saj. Po unë do të thosha edhe një njeri me zemër të madhe, me një kulturë të vlerësuar dinte të respektonte. Vaçen e dua shumë, respekt për atë artiste.

Mendohej se artistët bënin një jetë më të mirë se pjesa tjetër e popullit. Në fakt sa vlerësoheshit materialisht e moralisht para viteve ‘90?
Ne si artistë, para viteve ‘90 kënaqeshim më pak se thoshim: “Mos kërko më shumë se e gjen vendin tjetër kund”. Lodhja e artistit vlerësohej sa një minator, por vetëm për djersën dhe jo materialisht. Në disa drejtime ndoshta bënin një jetë më të mirë. Gjithmonë ideja bazë ishte se një pjesë e artistëve dhe sportistëve dilnin jashtë shtetit dhe kjo u jepte mundësi të tjera.

Kur jeni larguar si soliste e Ansamblit?
Duke qenë se ato vite artistët dilnin në pension në moshën 45-vjeçare, unë qëndrova edhe dy vjet të tjerë dhe dola në pension në vitin 1997. Më pas kam qenë me kontratë. Për njëfarë kohe kam qenë në Kanada, e ftuar nga ish-nxënësit e mi. Një shoqatë shqiptaro- kanadeze më ftoi për të marrë pjesë për Festën e Flamurit më datë 28 nëntor. Vajta atje dhe u ndjeva e mrekulluar kur flamuri ynë u valëvit në mes të Toronto-s. Në atë kohë kam pasur aktivitete me studentët. Ka shumë shqiptarë që jetojnë atje dhe e duan folklorin.

Ju jeni aktive edhe sot. Cili është plani më afatshkurtër që keni?
Duke qenë se jam gjithmonë në aktivitet, falë Zotit që më ka dhuruar forcë për të mos ndalur nga vallëzimi në skena, me dashamirësinë edhe të artistëve që e vlerësojnë talentin tim, si përkrahja e partnerit Rexhep Çeliku si edhe drejtuesi artistik Sulejman Balteza që më kanë aktivizuar me Ansamblin në ndonjë koncert. Por aktivitetet e mija siç duket nuk do mbarojnë këtu. Vazhdimi do jetë me një recital tjetër, me forcën time, me dashamirës e simpatizantë të artit çdo gjë realizohet dhe arrihet. Duhet punë e djersë... duke qenë se unë “Mjeshtër i Madh” e kam marrë, më duhet ta justifikoj deri sa këmbët të më lënë.


Ëndrra që u bë realitet
Karriera e saj është e mbushur me shumë çaste të bukura, por më e veçanta ka mbetur ajo kur në moshën 19-vjeçare, në qafën e saj u vendos Gjerdani i Artë në festivalin e Dizhon-it në Francë, nga kryetari i Festivalit në mes 20 mijë spektatoreve. Kjo përkonte dhe me fillimin e karrierës së saj. Lili Cingu thotë se: “Duke ardhur në atdhe me medalje, dhe ëndrra m’u bë realitet. Çdo njeri në jetë numëron sfida dhe suksese. Dëshira ime më e madhe në jetë ka qenë suksesi në skenë si valltare dhe kur i drejtohesha Zotit me lutjen, “O Zot ma realizo dëshirën që të kem një emër të nderuar si artiste e madhe”, e ndjeja që isha në rrugën e duhur. Unë jam krenare që ia kam arritur, kjo edhe falë talentit dhe punës time”.


Kur Partia më kritikonte
Liljana Cingu tregon se si do të ndryshonte jeta e saj vetiake dhe artistike pas viteve ’90. “Ndryshimet për mua ishin të shumta. Fillimisht m’u larguan “fletërrufetë” që ishin bërë të modës. Më kujtohen fjalët e sekretarëve të partisë apo sekretarëve të rinisë që kishin si parullën e tyre: ‘Bëj si them unë e mos bëj si bëj unë’. Unë gjithmonë kam dashur ta kërcej vallen, ashtu siç populli ynë e kërcen me mjeshtëri, por kam hasur edhe pengesa nga disa persona në Parti, që nuk dinin çfarë ishte vallja. Një veprim i vogël më shumë në valle shoqërohej me fletë-rrufe ose vërejtje me paralajmërim. Ishin të zakonshme këto për të talentuarit. Dhe i talentuari çuditërisht merrte gjithmonë kritika ose vërejtje. Natyrisht, këto nuk mungonin as për mua. Si një vajzë që më pëlqente e bukura, mundohesha të ndiqja modën dhe kritikohesha. Por ishte puna ime që i përmbyste të gjitha vërejtjet që më bënin... Nejse, ajo kohë iku, ndryshimet erdhën dhe u bëmë njerëz të lirë”.


Përkrah mjeshtrave
Duke folur për partnerët e saj si “balerinë e parë” e Ansamblit, Liljana Cingu thotë: “Fillimet e mia në ansambël kanë qenë duke vallëzuar me partnerë në masë. Por shumë shpejt ëndrra ime u realizua me punën time, djersën e palodhur, ndihmën e koreografëve e mjeshtërve si: profesor Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Besim Zekthi. Ata bënë që talenti im, puna ime, ëndrra ime, të arrinte aty ku unë dëshiroja, soliste me solistët virtuoz: Besim Zekthin e Rexhep  Çeliku. Në atë kohë me dinjitet u formua treshja, siç jemi cilësuar edhe nga mediet... “Zekthi, Cingu, Çeliku”. Kam qenë gjithmonë krenare në karrierën time artistike, që kam kërcyer me më të talentuarit valltarë. Kemi bërë histori në skene, si brenda dhe jashtë vendit. Bashkëpunimi ynë ka qenë gjithmonë me punë, duke e ngritur bukurinë e valles në lartësi, ku ato janë vlerësuar si perla të vendit tonë. Kjo është edhe merita e koreografeve”.


Ansambli dje dhe sot
Ansambli i Këngës dhe Valleve Popullore, sot nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm, edhe pse në kushtet e reja i ka mbijetuar më së miri të gjithë “furtunave”. Duke folur për vijimësinë e tij, Liliana Cingu thotë: “Ansambli ka qenë i shumtë në numër dhe më vjen keq që sot këtë ansambël nuk e bëjnë po aq grupe sa kanë qenë. Edhe tani ansambli punon dhe ka shumë aktivitete. Shumë vite më parë ansambli ka qenë rreth 80 vetë, por sa i takon valles, duke dalë 12 çifte në skenë  ajo mbushet. Gjerdani i Artë në Dizhon të Francës në 1970 ishte një vit i veçantë, ne me vallen dhe këngën tonë u vlerësuam në një aktivitet të tillë, ku merrnin pjesë shumë shtete.  Artistët ishin ambasadorë të kulturës kudo që shkonin. Folklori ynë nuk ka dallim kudo që ne e interpretojmë ai vlerësohet. Dëshira ime për Ansamblin është dhe do të jetë gjithmonë, që ta shoh me sa më shumë valltarë dhe ky Ansambël duhet të na përfaqësojë denjësisht kudo në botë”.



Botuar në Gazeta Shekulli - 27 Janar 2014


Wednesday, August 9, 2017

Facebooku, kjo agjenci gjigante për shpallje dasmash, vdekjesh e aheng synetllëku

nga Leonard Veizi

Ç’e do informacionin mbi politikën ndërkombëtare, çfarë masash do të marrë Tramp-i për Korenë e Veriut, cila është situata në Lindjen e Mesme, apo si u mbyll bursa e Nju Jorkut. Le të tronditet bota nga tërmetet dhe aktet terroriste, në fund të fundit ne kemi hallet tona. Po ato kush na i qan?
Ndaj sot lajmet më të shpejta dhe që kanë më shumë efekt janë ato që kanë të bëjnë me kufijtë e fshatit tënd, elementët e thjeshtë të jetës njerëzore.
-E more vesh, Conia i shkretë na la.
-Mos more, çfarë më the kështu. Po kush ta tha?
-Facebook-u. Sa e hapa në pikë të mëngjesit më doli lajmi i parë. Lajmëronte i biri, në faqen e Cones sigurisht. I kishin vendosur dhe një fjongo të zezë.
-Pse kishte Conja facebook?
-Edhe instagram po deshe. Varrimi bëhet në 11 në Tufinë, ndërsa dreka në lokalin “XY” andej nga 21-shi.
-Fole gjë me ata të familjes?
-Po të them çfarë lexova në facebook. Aty ishin shkruar të gjitha. Kishte dhe nja 200 ngushëllime te rubrika e komenteve. Edhe ca surrete qe qanin, "emoji" quhen Vetëm unë e ti nuk kemi shkruar asnjë fjalë. Ndaj ngrehu të shkojmë te xhenazja për vizitë.
Ja që facebooku na bën një shërbim të madh. Marrim vesh kur vdesin të njohurit, edhe pse kohë më parë, pa platforma digjitale e pa celularë android, lajmi i zi vinte me po të njëjtën shpejtësi. Por tanimë faceboku e bën më të lehtë komunikimin. Zija ka pllakosur në shtëpi e të afërmit po marrin masat e shpejta për të organizuar ceremoninë funebër, por kjo s’do të thotë që nuk ke aq kohë sa të bësh një esse mbi fatin e trishtë të një njeriu që jetoi e iku nga kjo botë pa kuptuar asgjë. Pak më vonë, si arkivoli ka pushtuar mesin e dhomës dhe gratë me të zeza e kanë futur në mes, i hedh një sy sërish faqes për të parë klikimet. Ca japin “like”, ca të tjerë vendosin fytyra të mërzitura, ca me lot në sy dhe ca të tjerë të habitura. Mirë këta të fundit, por këta që klikojnë te “pëlqej” në rast vdekje, mos duan të thonë që: “më vjen mirë që iku nga kjo botë”. Se shqiptari nuk e ka zakon që inatet t’i shprehë kur tjetri mbyll sytë e i lë të tjerët pas. Meqenëse nuk i kam dhënë dot shpjegim këtij elementi, i kam futur një mendje të lehtë: epo qejfe-qejfe kjo dynja.
Por "facebook"-u është në rend të ditës. Mëngjes, drekë, darkë. Edhe unë e shfrytëzoj rëndshëm. Madje dhe në mesnatë.
Lajme, sa më shumë lajme.
E nisa me vdekjet, sepse kjo është më e dhimbshmja, për më tepër kur shoh facebookun të mbushur me fjongo të zeza e publikim të shpalljes së ceremonive mortore, që deri dje ishim mësuar t’i shihnim të ngjitura nëpër mure e shtylla telefoni.
Por nuk duhet parë vetëm ana e errët.
Në fakt facebooku është i mbushur edhe me lajmërime për dasma, fejesa e datëlindje. Publikime të videove kur dhëndri djeg shaminë e beqarit, e kur nusen sipër karriges e ngrenë përpjetë nja katër djem azganë. Por syri në këto post-video të zë dhe ndonjë djalosh 10-12 vjeçar me fustan që vërdalloset serbes nga dixhei me lap-top e bokse përpara e deri tek tavolina kryesore e ceremonisë, i pushtuar nga puthje e përqafime që më në fund ia arriti ditës e të bëhet një farë burri.
Sepse qershia përmbi tortë si gjithmonë mbetet për të fund.

Friday, August 4, 2017

Kur gratë me "tezet" përkrahu pushtojnë detet

Nga Leonard Veizi
Per sqarim: nuk kam gjë me gratë edhe as që mund të mendohet se mund të kem, por s'do rresht së shkruari rreth ca fenomeneve të paprecedenta që ato - pra gratë apo femrat siç thotë Bukovski – herë i marrin me vete e herë i lëshojnë ku e shohin të arsyeshme. E bëj këtë sqarim sepse ca kohë më parë botova një shkrim me titullin: "Gratë me celular në timon". Nuk pata keqkuptime dhe as akuza për sjellje maskiliste. Të paktën në sipërfaqe, se pas krahëve çfarë nuk thuhet. Sot po shkruaj edhe më keq, një  shkrim me titullin: "Kur gratë me "tezet" përkrahu pushtojnë detet". 

Po e nis: 

Ka lezet të bësh plazh më Shqipëri. Të marrësh një javë leje e të shëllohesh në rrezet e diellit sa të marrësh ngjyrën bronx, por dhe të zhytesh në ujë sa të të mbahet fryma. Adrenalinë e gjallë. Relaks total. Po qejf i madh ama, jo shaka. 

Por nuk mund të mbarojë kaq bukur. Si në ëndërr. Se nuk merr as kuptim e gjithë kjo panoramë ngjyrash si ylberi. 

Se në plazhet shqiptare mund të lahesh sa të duash që prej çastit që zbardh dita e deri rreth orës 08.00 po të mëngjesit. Por kujdes: po vajti ora 09.00 mendojeni mirë. Uji ndotet rëndshëm e si zor që në gjithë atë det të gjesh ca metra katror me ujë të pastër kristal. Sepse pas orës 09.00 çfarë nuk gjen në ujë, gjithfarë mbetjesh njerëzore. 
"Si ka mundësi që të ketë gra të tilla – më thotë ime shoqe, ndërkohë që jemi vënë në garë për të bërë pozën më artistike të një pecete higjienike që notonte serbes afër bregut. Unë ngrita supet në pafajësinë time dhe belbëzova. "Epo... derisa ka, domethënë që ka". Peceta notonte e patrazuar. Plazhistët kalonin përbri saj indiferent. Sigurisht, një pjesë e tyre, ata që i kishte zënë vapa, e merrnin përsipër rrezikun, veç për pak freski natyrale. Ca më tutje po notonin dhe ca "ushtarë". Sërish garuam me gruan për foto pa blic. Mendova se kot kishte dalë ajo fjala: "Bëje urinën në det se kripa ta sjell në gjellë". Tani duhet parë dhe përbërja e gjellës. Sepse mbi të gjitha deti është dhe një WC gjigante. "Ushtarët" u bashkuan me pecetën higjienike dhe vazhduan rrugën drejt bregut. Aty filluan ca zëra civilë që filluan revoltën. "Shyqyr – thashë me vete, - se për rritjen e çmimeve nuk revoltohemi. Mbase marrim yrysh nga pecetat higjienike". 
Ç’është e vërteta këtë fenomen e kam hasur vazhdimisht vitet e fundit. E kam fjalën për pecetat higjienike të femrave. Ato që në terminologjinë e përditshme jemi mësuar të dëgjojmë se quhen: "lines". Duket se do jetë bërë modë, që gratë futen me to e dalin pa to. Por ime shoqe më tha se nuk kishte asnjë informacion për këtë modën e re. U futëm në "google". Asnjë fjalë për be. 

O te keqen e grave - mendova. – Vijnë e ikin "tezet", por ditët e plazhit duhen bërë të plota. O t'u bëfsha për gratë. Në mes të detit kujtohen se u kanë ardhur "tezet", por me to përkrahu vazhdojnë të çajnë detin. Pastaj, ashtu si me marifet, shohin majtas e djathtas dhe fiu e lëshojnë piceten higjienike në ujë. 
Deti është i madh, çfarë nuk përtyp.



Botuar në


Tuesday, August 1, 2017

Në Hollivud kam bërë 11 filma, tani dua një fëmijë

Alma Saraçi aktore shqiptare në Los Anxhelos: Si e bëra ëndrrën realitet. Kinemaja amerikane nuk është shaka, por një punë rraskapitëse. Tanimë jam producente. Po diskutoj për të bërë një film në Shqipëri

nga Leonard Veizi

Tek kapërcente Atlantikun, në një udhëtim të gjatë e të mërzitshëm, të paktën 10 mijë metra mbi det, një herë të vetme, në mënyrë të ndërgjegjshme, a ndoshta të sforcuar disi, duhet t’i ketë shkuar në mendje se në tokën që do shkelte, më shumë se kushdo duhet ta udhëhiqte e vetmja shprehje e famshme, të cilën për djall e kishte shpërdoruar një njeri me ambicie negative: “The world is mine”. Toni Montana dhe eskorta e tij nuk jetonte më por shprehja e shkruar me llamba vezulluese mbi shpinë e një baloni fluturues, vërtitej në mendjen e gjithkujt: Bota është e imja”. Duhet të ndodhte kështu, qoftë si në një imagjinatë engjëllore apo në një ëndërr satanikë në duhej të ishte e tillë. Në të kundërt rruga e kthimit, e gjatë dhe e mërzitshëm mbi Atlantik, do ta çonte sërish nga andej ku ishte nisur. Por bileta ishte pa kthim...

..Ajo e kapi ritmin e kohës edhe pse 17 vitet e para të jetës i kishte kaluar në një ambient krejt ndryshe. Nga Shqipëria e jugut të Ballkanit kishte mbërritur në Qytetin e Engjëjve, për t’u ndeshur në një “luftë pa kompromise tek audicionet teatrale edhe përpara kamerave të studiove filmike. Motoja e “njeriut me shenjë” ekzistonte brenda saj si një ndjesi që e gërryente dhe i pëshpëriste pareshtur: “Ata që nuk rrezikojnë asgjë, nuk arrijnë asgjë, e nuk bëhen askush”. Dhe ajo ia doli. Alma Saraç, me një sërë rrolesh në qendrën e kinematografisë botërore, rrëfen për “Shekullin” hapat e saj të parë në Amerikë dhe projektet e fundit ku përfshihet dhe Shqipëria.
Prej vitesh jetoni në Amerikë. Çfarë ndryshimesh keni ndjerë nga jeta në Shqipëri në atë përtej Atlantikut?
Jeta në Amerikë është shumë herë më ndryshe se në Shqipëri. Këtu është kulturë krejt ndryshe. Puna merr më shumë rëndësi në Amerikë. Njerëzit punojnë ditë e natë. Një kulturë e vërtetë kapitaliste dhe në të njëjtën kohë ka më shumë mundësi të ndjekësh dëshirat e ndryshme sa i takon aspektit të formimit përmes edukimit ose karrierës. Në qoftë se ke dëshirë, vrull dhe nuk ke frikë, Amerika është vendi më i mirë për ‘make your dreams come true’ (t’i bësh ëndrrat realitet), siç i thonë këtu. Megjithatë mendoj se, evropianët në përgjithësi dinë më mirë si ta gëzojnë jetën.
Çfarë ju ka lidhur me aktrimin?
Aktrimi ishte një mënyrë e bukur që më ndihmoi të rilidhesha me jetën e artistit. Ishte gjithashtu e lehtë ta përdorja atë si një krijuese e mesme për arsye akoma më të mëdha, shprehjen përmes emocioneve dhe trupit. Ndaj edhe kur isha duke përftuar gjuhën angleze, unë nuk ndihesha e kufizuar. Vitet e fundit jam përqendruar në zhvillimin e shkrimit, sidomos te skenarët dhe kam kompletuar mbi 5 të tillë. Dy prej tyre janë xhiruar, ndërsa dy të tjerë planifikojmë t’i xhirojmë në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit që vjen. Aktrimi për shumë vite gjithashtu më ka ndihmuar të forcoj lidhjen me të shkruarit e skenarëve, sikundër kam qenë gjithnjë e ekspozuar të shkruaj skenarë për dramë dhe të kërkoj për role dhe karaktere të cilat gjithashtu kanë qenë të paçmueshme në procesin e të shkruarit.
Si është të jesh një aktore shqiptare në Hollivud?
Këtu konsiderohem pak si e veçantë. Zakonisht njerëzit nuk para kanë njohur shqiptarë më përpara, ndaj unë jam një prezantim që përfaqësoj. Si aktore jam në gjendje të luaj role më interesante, sidomos kur kërkojnë aktore ndërkombëtare. Mendoj se eksperiencat që kam pasur në Shqipëri kanë influencuar në mënyrë të fortë tek unë. Edhe kur luaj personazhe amerikane jam në gjendje të sjell elemente më origjinale.
Një aktore shqiptare është e motivuar në Amerikë?
Pa motivim nuk ka punë. Por në të njëjtën kohë, vitet e fundit jam përqendruar në krijimin e projekteve personale, duke shkruar dhe bërë producenten, dhe jam në gjendje të krijoj role dhe punë për veten time. Kur krijon projektet e tua duhet të jesh shumë e motivuar, punon më shumë dhe sakrifikon më shumë, por të njëjtën kohë garantimi për punë është edhe më i sigurt.
Cilat kanë qenë kontaktet e para, të cilët mundësuan fillimin e karrierës suaj në Amerikë?
Nuk e dija me të vërtetë se kush isha në fillimet e mia në Los Anxhelos. Është shumë e vështirë të kapesh me punë në Hollivud. Ndonjëherë dhe më e vështirë se sa të fitosh lotarinë Amerikane. Ka shumë elementë jashtë kontrollit tënd që diktojnë sa larg do të shkosh. Kam punuar shumë në klasa, teatër dhe kam bërë miq të rinj. Unë fillova punë nëpërmjet teatrit dhe pastaj në (Independent films) filmat e pavarur. Roli i parë që pata në filmin “Float”, ishte personazhi i një vajze nga Armenia. Producenti më ofroi një intervistë pasi më pa në një pjesë teatri kur po luaja një personazh francez. Ishte një proces i bukur dhe mbushur me shumë eksperienca të reja. Ky nuk është një vend i lehtë dhe puna e vazhdueshme, në takimet me njerëz të rinj, e bënte më të sigurt mbajtjen e lidhjeve me miqtë e duhur përreth. Me kalimin e kohës kam qenë në gjendje për të takuar njerëz të cilët më kanë ndihmuar gjatë rrugës dhe u jam shumë mirënjohëse. Shpresoj se do të jenë më shumë në të ardhmen.
Mund të shpjegoni një ndryshim thelbësor mes kinematografisë evropiane, asaj shqiptare në veçanti, dhe asaj amerikane?
Unë nuk e ndjek shumë kinemanë shqiptare dhe shpresoj që ajo të ketë ndryshuar. Duhet të them se edhe pse amerikanët kanë realizuar artistikisht një mënyrë të fuqishme dhe të mirë të procesit të filmave, puna aty është shumë e vështirë. Do të thosha se shqiptarët (nga disa prej përvojave të mikut tim nga puna atje) janë shumë më të qetësuar, si evropianët në përgjithësi. Kinematografia evropiane dhe shqiptare në përgjithësi është më e përqendruar në artin dhe historinë që ato tregojnë. Aktorët janë më të thjeshtë edhe në disa raste më interesantë. Amerikanët duan të bëjnë çdo gjë të madhe, të fuqishme, spektakël, me buxhete astronomik. Në Amerikë ekipi punon të paktën 12-14 orë në ditë në një film të caktuar për t’u realizuar brenda një muaji. Kjo është punë shumë rraskapitëse. Në një film të pavarur është gjithashtu shumë e paparashikueshme se çfarë përfundimi do të ketë ai, edhe nëse nuk do të ketë ndonjë pagesë të veçantë mënjanë nga përvoja në grup. Sa i përket temave dhe filmave, duke u bërë nga një perspektivë artistike, unë do të shpenzoja më shumë kohë duke parë disa filma shqiptarë të kohëve të fundit për t’i komentuar.
Çfarë do të thotë për ju të qenit pjesë e studiove më të mëdha botërore?
Kjo është një ëndërr e bërë realitet, megjithatë shumica e roleve të cilat kam bërë janë arritur me anë të kompanive të pavarura të prodhimit. Unë kam shpenzuar shumë kohë në shumë studio dhe është mjaft emocionuese çdo herë që unë jam atje. Më pëlqen shumë puna që bëj dhe e konsideroj veten shumë me fat. Shpresoj që puna do të rritet në cilësi dhe sasi. Kam ende shumë punë përpara, suksese që akoma nuk i kam arritur, por çdo ditë e shpenzoj duke bërë apo duke u përpjekur të bëj punë që e gëzoj jashtë mase.
Cili është kujtimi më i bukur nga xhirimi i filmave?
Më pëlqen të udhëtoj dhe bëj filma si dhe të kem disa kujtime përgjatë SHBA, Evropës madje dhe nga India. Por një nga kujtimet më të mira ishte gjatë xhirimeve të filmit më të fundit këtu në Los Anxhelos. Ishte një nga ditët e para dhe unë e kujtoj këtë ndjenjë gazmore gjatë realizimit të diçkaje të cilën e kisha shkruar vetë dhe ndërkohë imagjinoja në mendjen time shumë herë atë që isha duke bërë. Duke parë të gjithë këta artistë të talentuar të përfshirë, pavarësisht punës nganjëherë të lodhshme dhe të mos qenë në gjendje për të marrë anën tjetër të vlerësimit për disa muaj, ishte gjithashtu një lloj përpjekjeje që ia vlente të sakrifikoje.
Po bashkëpunimi më i rëndësishëm?
Bashkëpunimi më i rëndësishëm në këtë moment ka qenë një seri projektesh me një ekip krijuesish, regjisorë të rinj në SHBA dhe në Evropë, veçanërisht me miken time më të mirë, redaktoren dhe drejtoren Alexandra Wedenig, kinematografen Meena Singh dhe drejtorin Kai Devani. Megjithatë kam pasur mundësinë të punoj me aktorë dhe regjisorë të nivele të ndryshme.
Sa filma keni të regjistruar deri tani?
Unë kam punuar në mbi 11 filma artistikë të pavarur, dhe disa filma të tjerë të shkurtër.
Cili është xhirimi më i fundit të cilin në fakt e keni hedhur dhe në faqen tuaj sociale?
Kam dy projekte në rolin e post-prodhimit të cilat i kam shkruar dhe bashkë-drejtuar, prodhuar si dhe interpretuar. Emrat e filmave janë “Reflektimet e Maya Rose” dhe “Gardenjat e prishura”.
A keni pasur ftesa nga kineastë shqiptarë?
Në momentet që flasim bashkë, jam në diskutime por nuk kam plane konkrete.
Do të donit të xhironit për një film në Atdheun tuaj?
Po sigurisht. Në këto çaste jam gjithashtu duke shkruar një projekt që do të pëlqeja ta xhiroj një pjesë në Elbasan dhe një pjesë në Durrës.
Diçka për jetën tuaj personale?
Jashtë profesionit jeta ime private është e thjeshtë dhe e qetë. Unë jetoj në një fqinjësi të mirë në Los Anxhelos me partnerin tim prej disa vitesh dhe kur nuk kam impenjime pune më pëlqej të lexoj, pikturoj, shpenzoj kohë me miqtë e mi dhe të gatuaj, pse jo disa herë gatime tradicionale shqiptare. Më pëlqen të udhëtoj dhe kur dal jashtë kufijve, përpiqem të vizitoj vende të reja dhe të mësoj rreth tyre dhe kulturave që ata përfaqësojnë. Megjithatë unë shpenzoj shumë kohë në profesion për momentin që komunikoj dhe me ju, por në të njëjtën kohë do të preferoja të kisha një pushim të vogël dhe ndoshta të kisha fëmijë apo të shkruaja një libër.
Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen? Mendoni ndonjëherë të ktheheni në Shqipëri përgjithmonë, apo çdo gjë është relative?
Për momentin jam e fokusuar në zhvillimin dhe rritjen e projekteve të mia dhe të jem selektive në përzgjedhjen e roleve që do të merrja përsipër të bëja. Do të dëshiroja të filloja të shpenzoja më shumë kohë në Shqipëri, jo e sigurt nëse do të vija së shpejti aty, por jam e hapur për çdo lloj mundësie. Më pëlqen gjithashtu Evropa dhe pse jo, ndoshta e shoh një ditë veten të jetoja pikërisht aty, në një prej shtetet e mëdha të saj.


Kujtimet nga fëmijëria
Edhe pse prej 12 vitesh ne Shtetet e Bashkuara, Alma Saraçi e kujtoni fëmijërinë e saj në qytetin e lindjes, Elbasan. “Jeta në Elbasan ishte mjaft argëtim në të njëjtën kohë. Më merr shumë malli për të. Duke pasur shumë jetë familjare në atë kohë, e mbaj mend gjithmonë se ishim të zënë me vizita dhe festat familjare. Unë kujtoj se kam shpenzuar shumë kohë për lexim dhe shkrim, duke studiuar natyrisht. Një nga kujtimet e mia më të veçanta janë të gjithë muajt e verës sepse kalonim kohën në plazh, veçanërisht në atë të Durrësit. Shpesh, si nostalgjike, u kthehem fotografive se janë ato që ma nxjerrin mallin gjithmonë. Megjithatë mundohem të ruaj kontaktet me miqtë e mij në Shqipëri. Janë rrjetet sociale ato që më ndihmojnë të mbaj ne linjë miqtë, megjithëse shpenzoj shumë pak kohë për ta. Për shkak të angazhimeve të tjera”, shprehet aktorja e Hollivudit.

Bukuria femërore, aksesori që të jep dhimbje
Të qenit femër e bukur, sa e ka ndihmuar Alma Saraçin në aspektin profesional? Kësaj pyetje ajo i përgjigjet: “Bukuria ndihmon dhe nganjëherë dhemb. Duke qenë ‘simpatike’ ndonjëherë mund të përftosh në marrjen e një roli dhe kjo gjithashtu mund të jetë frustuese. Ka njerëz që në të njëjtën kohë të shohin vetëm nga njëra anë, bukuria, por ka dhe të tjerë që vlerësojnë produktin. Megjithatë unë kam mësuar për të bërë më të mirën për filmin dhe tani vë re se të gjithë së bashku punojnë dhe unë nuk shoh si përshtatje për mua më mirë se sa për përpjekjet dhe qëllimet e mia krijuese. Parimi im është puna që bëj, ta realizoj sa më mirë e të përfaqësohem denjësisht dhe për nga talenti, pastaj vjen bukuria”.

Jetëshkrimi i aktores
Alma Saraçi është një aktore në Hollivud, e cila i ka hyrë me pasion rrugës së vështirë të filmit. Ajo ka luajtur rol kryesor në filmin "Karma", të xhiruar në Indi si dhe disa role më pak të njohur. Alma, e cila erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Elbasani, flet për mbi sfidat me të cilat përballen aktorët e rinj për të filluar një karrierë në industrinë e filmit. Saraçi ka lindur në prill 1984, në Elbasan. Ka luajtur në teatër qysh në moshë të vogël dhe është angazhuar në televizione lokale, përpara se të zhvendosej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në moshën 17-vjeçare. Nis studimet e diplomohet në shkollën e mesme Rutgers University (Nju Xhersi) ku studioi një sërë degësh që kishin të bënin me biologjinë, letërsinë franceze, filozofinë etj. Mandej vendos t’i përkushtohet artit. Ka kaluar kohë në Siatëll duke punuar në teatrot vendase për të kaluar më tej në Los Anxhelos. Ka çelur kompaninë e saj teatrore që në kolegj. Është njohëse e gjuhës shqipe, franceze, italiane dhe spanjolle.


Botuar në gazetën SHEKULLI më 5 maj 2013




Monday, July 24, 2017

Një tur arkeologjik për emrat e shqiptarëve, nga Teuta dhe Agroni te Pamela e Andersoni


Nga Leonard Veizi

Çudi e madhe me emrat e shqiptarëve. Në lashtësi të çante emri Bato, aq sa mund të mendosh se ky emër ishte i përhapur në dy të tretat e popullsisë ilire. Nga mesjeta u përqafua fort emri Konstandin. Ca më pas në modë do të futeshin emrat Islam e Qeramudin. Gjatë vitet të ndërtimit socialist të vendit u vendos një rregull i zbatueshëm për të gjithë ku shtetasit e porsalindur shqiptarë të pagëzoheshin me emra shqip. U hartua dhe një listë e iu la dezhurnit të maternitetit me qëllim që çiftet e reja, ca fetarë, ca ateistë e ca paganë, të hiqnin dorë nga emrat e shenjtorëve e të orientoheshin me emrat shqip. Por shqiptarët, si gjithmonë ia gjenin anën e t’ia shkisnin regjimit, qoftë dhe me një element të tillë. Fjala vjen, ata të mijtë nuk ma vunë emrin Ilir dhe as Bardhyl, por Leonard.
E për të thelluar argumentin, po vazhdoj si më poshtë:
Dikur, por dhe në ditët e sotme, arrin ta njohësh menjëherë një grek, vetëm nga emri. Se vetëm Niko vërtitet në ato treva. Një turk po e po. Natyrisht, nuk do bëjmë ADN-në për t’i gjetur origjinën e vërtetë. Por edhe një italian gjithashtu e dallon po nga emri ku dominion Serxho e Anxhela. Ndërsa shqiptaret jo. S’ka burrë që mund t’i dallojë nga emri, veç nga prerja e jashtme ku nuk do shumë mundim. Dhe kjo ndodh sepse këtu te ne ka nga të gjitha llojet e emrave. Emra grek, turk e italianë, nga të gadishullit ballkanik, e ata që na erdhën nga stepat e Uraleve. Së fundi përqafuam dhe pjesën e Andeve.
Demek, turli emrash.
E meqenëse ka zëra që thonë se ne si popull jemi ca si kozmopolit, këtë punën e emrave nuk po e rendis tek gjërat e këqija të shqiptarëve.
Mirëpo ajo që më shqetëson këto kohë, e më bën ta ngre si shqetësim, është se vitet e fundit, jo vetëm ua huazojmë emrat amerikanëve dhe francezëve, por kemi filluar t’i shkruajmë edhe si ata.
“Nuk e kam emrin Ana, por Anna. Kështu dua të më shkruhet”. Ishte koha kur kisha çelësat e një redaksie në dorë e më duhet të vendosja dhe për shkrimet që sillte mileti i apasionuar për të shkruar gjithfarë gjërash. “Po në gjendje civile si e ke? – e pyeta. “Lëre gjendjen civile se ata janë prapa bote, do t’u bëj dhe një kërkesë që të ma ndryshojnë se e kanë bërë dhe të tjera më parë se unë” - argumentoj artikullshkruesja. Nëse ndodh kjo, duhen marrë masa ndaj nëpunëses së Gjendjes Civile, besoj unë. A mund të shkelen në këtë mënyrë rregullat e drejtshkrimit? E përcolla Anna-n, duke i thënë të gjente një gazetë tjetër ku të plotësonte trillet e saj.
“Me quajnë Brajan...,  e kam me “Y”,- më tha një djalë dhe rrudhi buzët teksa po i shkruaja emrin. “E shkruajta ashtu siç e shqiptove” – ia ktheva. “E kuptoj, por unë i kam me “y” jo me “aj”. U nxeha, por e mbajta veten: “Po këtu nuk jemi ne Mançester, mo shoku, as në Belfast. Si u shkruajtka me “y” e u shqiptoka me “aj”.
Ka dhe një rast tjetër kur njëfarë Anila më tha që emri i saj shkruhej “Anyla”, por këtë herë i mësuar me këtë situatë, nuk ia fërshëlleva fare.
Dhe po e mbyll me rastin Christian, me të cilin e mbylla kapitullin pa e hapur.
Po e thelloj argumentin në dëm të vetes:
Ca kohë më parë, kur një botues më tha se do të bëja kërdinë në shitjen e romanit tim të ri që kisha çuar për botim, nëse në kopertinë do të mbaja mbiemrin “Veiss”. Nuk pranova.
"E njoh mirë tregu, - kërkoi të më mbushte mendjen botuesi. - Veprën e ke të mirë. Por e keqja është se shqiptarët nuk kanë besim të autorët shqiptar”. “Si i bëhet? - e pyeta jo pa shqetësim”. “Po ja, atë që thashë, të ndryshojmë pak emrin”. "Po ç’të keqe ka emri im?”. Jo ore jo, emrin e ke tullë ti. Leonard. Si Leonardo Da Vinçi. Po mbiemri... Ndaj të them, ta ndryshojmë pak. Fare pak. Ç’i ka gjetur këngëtaret që kanë emra skene”. Mirëpo unë i kisha shkruar ca libra me firmën “Leonard Veizi”, pa përmendur disa mijëra shkrime në gazeta. “E çfarë sjell kjo?”, e pyeta sërish. “Do dukesh si gjerman, - më tha ai. - Sa ta marrin vesh që je shqiptar, ikën 10 mijë kopje. Përndryshe nja 300 kopje do shesësh, e shumta 500”. Nuk pranova. Doli siç tha ai.
Nuk jam penduar ende për këtë veprim “monstruoz” timin. Do kisha shitur 10 mijë kopje për dy “ss” Nuk pranova ta deformoja fare pak mbiemrin që më ka lënë babai, dhe babait ia ka lënë i ati, d.m.th gjyshi im. Në botë plot shkrimtarë kanë shkruar me pseudonime. Në Shqipëri gjithashtu: Kuteli, Poradeci, Sazan Goliku e së fundmi Tom Kuka. Po unë... Kaq e vështirë ishte të bëhesha “Leonard Veiss”. Nuk ishte as pseudonim, vetëm një deformim i vockël, gati i papërfillshëm. Por unë qëndrova stoik, pas mbiemrit otoman që nuk dihet se në çfarë sanxhaku të Azisë së Vogël e ka prejardhjen e u rrafshua në gjysmën e Jugut të Shqipërisë, por dhe pas drejtshkrimit të shqipes, që nuk lejon përdorimin e dy shkronjave të njëjta, përveç rasteve të veçanta.
E bëra këtë shkrim jo sepse më ka shkuar mendja ta ndryshoj mbiemrin, pasi tanimë ata që më njohin, më njohin kështu. Tek e fundit përderisa jam shqiptar, pse duhet të ngjasoj me një gjerman, qoftë dhe për fasadë.
Dhe në fund të asaj që doja të shtroja:
Të çuditshëm fort ne shqiptarët. Në kohën kur u TV “Tirana” transmetoi një serial brazilian me titullin “Skllavia Izaura” në maternitetet gëlonin, aq sa me këtë emër quanim dhe ca furgona të vegjël policie, prodhim italian, që me të shtyme nxinin dy vetë e gjysmë brenda. Ca kohë me parë ishim në ndikimin e Dorës dhe Anjezës së Dikensit pasi u trasmetua telefilmi “David Koperfild”. Pas viteve ‘90 u futëm në periudhën e art të Pamelës. Ndërsa tani po përjetojmë epokën e Alehandros. Dhe së fundi me dy “nn” a me dy “ss” shyqyr që e kemi nga një emër. Se sa e vështirë do ishte marrëdhënia njerëzore pa të.

Botuar në



Friday, July 21, 2017

Oriana Kurteshi, sopranoja shqiptare që këndon në Milano, Berlin e Paris

Ne artistët shqiptarë, si po i pushtojmë skenat e botës

Jeta ime, një itinerar evropian me qendër në Tiranë


nga Leonard Veizi

Brenda së njëjtës veshje, krejt demode a ndoshta disi groteske, ëndrra mbetet sërish e tillë dhe nëse tenton ta zhbësh e të dalësh tej në realitetin “divers”. Të qenit brenda saj, si protagonist i panjohur a si spektator i rëndësisë së veçantë të bën të ndihesh krejt tjetër. Emocioni, gjithashtu, mbart të njëjtën vlerë, me rrahje pulsi të pambarimtë a një ankth të tejkaluar, gjithsesi. E padyshim brenda mureve të saj gjithçka vazhdon të jetë po ajo. E njëjta famë. Çdo gjë që vërtitet mbi skenë, plate e lozha, në dritë a gjysmëterr, mbetet po aty, e jashtë saj asgjë s’lëviz. Nuk shfaqen filma “triller” tredimensional dhe as zara si mbi ruletë e kazinosë nuk vërtitet, natyrisht. Atje bota është e vjetër si në përrallë dhe magjike njëkohësisht. Çlirohen nota instrumentesh të akorduar deri në përsosmëri dhe klithmat akustike mbeten në eter...

...Duket se boshtit i stërzgjatur; Tiranë - Strasburg - Paris - Gjenevë e me stacion në fundit në Venecia, nuk ka asnjë gjasë të njihet në analet e politikës dhe as në hartat e planeve të luftën inreale të komandave shtab. Por duket se edhe pa ndonjë rëndësi strategjike, për të është shumë e çmueshme, derisa e nisur nga “Nënë Tereza - Aeroport” ka mbërritur në  “Leonardo da Vinçi”, “Charles de Gaulle” e “Marco Polo”, me kërkesën e përhershme për t’u kthyer sërish në pikën e nisjes. Oriana Kurteshi, një soprano e famshme tashmë dhe e kërkuar në skenat e mëdha të perëndimit europian, tenton vazhdimisht të kthehet në skenën e Tiranës, ku edhe pa ajër të kondecionuar, mund të këndojë me një pasion të marrë e përvëlues Aidën, Lisetten apo Xhildën e brishtë të “Rigoletos”
Cila ka qenë axhenda juaj e në këtë sezon?
Po filloj nga recitali im i fundit, i cili u zhvillua në tetor 2012, në një nga sallat me prestigjioze të Parisit, në sallën “Cortot”, ku isha e shoqëruar nga pianisti tashmë i njohur Genc Tukiçi. Një muaj më pas, në nëntor kam kënduar për 140 vjetorin e Korit të Strasburgut  “Messen St. Cecile” të kompozitorit Gounod me filarmoninë e Strasburgut. Në të njëjtën kohë kam kënduar e lajmëruar në minutën e fundit rolin e Manon te “Massent” në Gjermani, Phorzheim, rol që do vazhdoj ta këndoj edhe në vitin e ardhshëm. Para një jave isha përsëri në Strasburg, tek “Magnificat e Galuppi”, për kor dhe orkestër. 
Ndërkohë, është përcaktuar vijimësia e turit për vitin në vazhdim?
Vitin 2013 e kam filluar përsëri në Gjermani me “Manon”, pastaj operën “Flauti Magjik” rolin e Pamines, për të vazhduar në Venezia “Teatrin Malibran”. Më pas kam dy recitale për soprano dhe harpë në Normandi, Paris, dhe Aix-en-Provence, me muzikë të Debussy, Schumann, Fauré, Schousson.  Si të mbaroj këtë tur do të vazhdoj me operën "Il Turko in Italia" një kompozim i Rossinit, ku do të jap shfaqe në sallat prestigjioze të Francë dhe në Nantes, Angers dhe Lukseburg...
Sa ia dedikoni suksesin, studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura dhe sa asaj që keni përfituar në Austri, Itali apo Francë?
Jam munduar dhe mundohem të kem një aktivitet të vazhdueshëm artistik. Dhe këtë ja dedikoj shumë shkollës përgatitjes në Akademinë e Artëve të bukura në Tiranë, punës në Liceun Artistik. Kuptohet edhe jashtë kam fituar shumë për sa i përket rritjes artistike por baza ime është Tirana. Ah po një gjë kam fituar jashtë, gjuhet e huaja; italishten, anglishten, frëngjishten dhe gjermanishten perfekt dhe njohja e një bote muzikore të pa fund.
Shtypi shqiptar nuk iu ka evidentuar për aq sa është fama juaj reale. Ka qenë media e pavëmendshme ndaj jush apo ju keni qëndruar larg saj?

Ju falënderoj për vlerësimin me fjalën “famë”, por besoj se ajo nuk është e madhe. Ndoshta janë që të dyja, si media në Tiranë edhe unë që gjithashtu kam qëndruar larg. Të them të vërtetën ka dhe shumë artiste të tjerë me shumë vlera që bëjnë të njëjtën gjë si unë!
Aktualisht në skenat e mëdha interpretojnë disa këngëtarë shqiptare. Mendoni që shkolla e arteve në Shqipëri ka nxjerrë artistë të mëdhenj?
Është shumë e vërtetë që shkolla jonë ka nxjerrë dhe uroj që të jetë kështu dhe në të ardhmen artistë të mëdhenj duke u dhënë skenave të botës një art shumë të bukur, dhe jo vetëm këngëtare por edhe instrumentistë, piktorë, balerinë, koreograf, dhe mua personalisht tani më bën të jem krenare duke ditur që dhe ata pak miq të mij që kam bëjnë pjesë në këtë ambient. Ata po nderojnë këtë vend të vogël por dhe shumë të madh në të njëjtën kohë. 
Cilat janë rolet që i mendon si më të arriturat nga ana vokale dhe interpretative?,

Role që kam luajtur më shumë në skenat e huaja dhe me dirigjentë të mëdhenj si Riçardo Muti, Daniele Gati, Daniel Oren, janë disa; si roli i Oscarit në operën “Ballo in Maschera” të Verdit, sepse ka shumë energji e jetë dhe them se e kam arritur mirë. Në rolin e “Lisettes” në operën "La Rondine" të Puçinit e kam ndier veten më të sigurt dhe më të rritur nga ana profesionale në mënyrën e interpretimit të rolit. Një tjetër rol tjetër që më pëlqen shumë është edhe “Sonnambula” e Bellinit. Zëri im ka ndryshuar për sa i përket sensibilitetit e pjekurisë artistike. Punoj më shumë tani me brendësinë time sesa me anën e jashtme. Kjo gjë më ndihmon shumë për të ardhmen në karrierë”.
Cila është diferenca e të kënduarit në “La Scala” nga ajo në TKOB?
Ne skenën shqiptare nuk jam shumë prezent dhe në fakt është ajo që më mungon shumë. Nuk ka asnjë ndryshim për mua të kënduarit në “La Scala” nga ajo në Teatrin e Operës në Tiranë, përkundrazi edhe më e vështirë më duket në këtë të fundit sepse publiku ynë është shumë i pasionuar e kritik. Duartrokitjet në Shqipëri nuk i ndërroj me asgjë. Ato janë shumë të shtrenjta për mua duke mos harruar që kanë qenë dhe të parat që më kanë mbështetur në këtë rrugë”.
Besoni se në perëndim ka racizëm për shqiptarët edhe kur kanë të bëjnë me emra që tashmë i përkasin një publiku më të gjerë
Mendoj se racizëm nuk ka ndaj nesh. Mund të mendoj fjalën xhelozi sepse është e vërtet, si ju përmenda dhe sipër shkolla jonë po nxjerr shumë më shumë artistë me vlera, dhe ju siguroj se niveli jashtë është shumë më i vogël. Uroj që të jetë kështu.
Cilat janë të rejat e Orianës në planin personal?
Sa i përket të rejave në fushën personale, u them se jam martuar, bashkëshorti im është një francez me profesion arkitekt. Tanimë jetën time e ndaj midis Zvicrës-Strasburgut- Parisit- Venecias... e padyshim Tiranës.

  
Karriera në vite
Ajo ka interpretuar në “La Scala”, me një kastë shumë të njohur artistësh. Vetëm 6 vjeç Oriana Kurteshi do interpretonte në skenën e Pallatit të Pionierëve në Tiranë. Më pas do të ishte pjesëmarrëse në Festivalet e Këngës për Fëmijë. Falë talentit u zgjodh të interpretonte në rolin kryesor të së parës operetë për fëmijë në Shqipëri, “Albi dhe karikaturat”. Do të vazhdonte studimet në Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve. 17 vjeç interpretoi rolin e Zerlinës në operën “Don Giovanni” dhe Despinën tek “Così fan tutte”, të dyja vepra të Moxartit. Zëri i saj impresionoi dhe sopranon e famshme Katia Ricciarelli, e cila e zgjodhi atë për t’u formuar në Akademinë e Mantovës (Itali), mes shumë të tjerësh nga e gjithë bota. Pas Akademisë së Mantovës, do të vazhdonte studimet në Akademinë Zenobio në Treviso, Akademinë Moxart të Salzburgut e në Akademinë Richard Wagner në Venecia.


Botuar në gazetën SHEKULLI 16 shkurt 2013


Saturday, July 15, 2017

Antoneta Papapavli, aktorja e mirënjohur e teatrit dhe kinematografisë

Ju rrëfej karrierën time, si e luajta Luiza Milerin dhe Afrovitin e Karnavaleve

  
Leonard VEIZI

Ëndrra e saj e përnatshme e çon në të njëjtin vend, me një shpejtësi të tejskajshme, të paimagjinueshme disi skizofrenike dhe fare të përbindshme. Nuk duhet veç gjysma e sekondës, a mos më pak dhe befas ajo gjendet atje, mes errësirës dhe në dritë, rrethuar nga imazhe partnerësh të vjetër dhe me rekuizita që ndryshojnë papritmas. Ndërsa ajo në vorbullën e një amalgame të pafundme shpërndritjesh, me një magji që vazhdon e s’ndalet, qëndron drejt, pa u mbajtur kund. Nuk ka nevojë për karrocë invalidësh, e as për paterica paraplegjikësh nuk do t’ia dijë. Habia është zhdukur dhe vetë dyshimet e ngritura si piramidë rrëzohen njëherazi. E ndërsa skenat ndërrohen vazhdimisht, ajo interpreton mbi të e nuk ndjen lodhje. Zëri rrëshqet mbi koka spektatorësh në plate... dhe ajo vazhdon të luajë, të luajë, të luajë...

...Është po e njëjta Antonetë; pak “Luizë” dramatike, a ndoshta “Afrofiti” tekanjoze, diku një Klea e dashuruar dhe herë tjetër gjysmë orientalja Hatixhe. Por e gjitha kjo është veç një ëndërr, imazhi i së cilës përsëritet atëherë kur do dhe kur nuk ia ka ngenë sigurisht. Antoneta Papapavli, kjo aktore e magjishme e skenës dhe kinemasë shqiptare, prej më shumë se 20 -vjetësh jeton veç ëndrrën e saj. Është tërhequr nga skena dhe, teatrin nuk ka mundësi ta ndjekë nga pas, as si spektatorja e radhës së fundit. Ndaj vetëm kënaqet me ekranin televiziv, teksa pulti kërkon pareshtur mes zhurmës aksion e thriller hollivudian, të ngujohet në stampën e njohur të vjetër, e pak të dalë boje; “Kinostudio Shqipëria e Re”. Ndoshta kjo dhe jo vetëm... por dhe ca gjëra të tjera që ajo i ka përjetuar dhimbshëm e plot kurajë, përgjatë këtyre viteve të vështira, e kanë bërë atë të jetë më e mbyllur dhe thuajse pa kontakte përtej mureve që e rrethojnë. E padyshim, ajo nuk do më, në pakujdesinë e saj shfrenuar dikush ta shqetësojë, me një tringëllimë telefoni, a një të trokitur të padëshirueshme dere. Veç ndjen, hapat e djalit të saj në shkallë, çelësin teksa lëviz mbi bravë dhe vazhdon të qëndrojë e patrazuar në pozicionin që ka zgjedhur për t’u çlodhur. E këtë qetësi të palëvizshme, të ngurtë e të ngujuar njëherazi, ka munduar ta shprishë veç këtë herë, për t’iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari, i cili nuk pati fatin të kthehej nga rruga si të tjerë. E pas kësaj tabuje të thyer, ndoshta ka ardhur çasti që pas kaq vitesh heshtje ajo të vazhdoje të jetë po aq publike, për të gjithë ata që e mbajnë mend nga pelikula e kinemasë, apo shiriti elektronik i kamerës televizive. Edhe ja çfarë thotë aktorja e njohur Antoneta Papapavli, në një intervistë të rrallë e ekskluzive për gazetën “Telegraf”: 

Si filloi karriera juaj në skenë, një kronologji e shkurtër?
Unë kam lindur në qytetin e Përmetit, por që herët, 4 vjeç, kam ardhur me gjithë familjen time në Tiranë, ku jetoj edhe sot e kësaj dite. Pasioni për artin, baletin edhe pikturën më ka shoqëruar që në moshë të vogël në shkollë fillore e deri në të mesme. Merrja pjesë aktive në festat e ndryshme, në korin e shkollës, balet e recitime. Këto gjëra i frekuentova dhe zhvillova edhe gjatë gjimnazit. Në shkollën e mesme “Qemal Stafa” filluan të krijoheshin grupet e para artistike nga fundi i viteve ‘50. Kam marr pjesë dhe në grupet artistike në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Në fillim të viteve ‘60 hyra në shkollën e lartë për aktore, me ndihmën dhe mbështetjen e z.Tef Pali, z. Pjetër Gjoka dhe z. Pandi Stillu. Ky i fundit këmbënguli që unë ta vazhdoja dhe Institutin e Lartë të Arteve. Pas përfundimit të studimeve u emërova aktore në Teatrin Popullor Tiranë.

Cilat ishin ambiciet, vështirësitë në rolet që keni interpretuar në vite?
Ambiciet, të them të drejtën, nuk kam pasur edhe shumë, sepse ishin vetë pedagogët dhe regjisorët që duke më njohur nga vitet e shkollës, me jepnin role kryesore qoftë dhe dytësore, por që më vlerësonin gjithmonë e më shumë. Unë i arrija rolet dhe konsiderohesha nga stafi si një femër e talentuar dhe tepër logjike në interpretim. Karriera ime filloi në fakt që gjatë jetës studentore. Duke punuar me aktorë të talentuar të teatrit, fitova një përvojë të jashtëzakonshme, e cila e përsosi më tej punën time në skenë. Gjatë viteve ‘60 - ‘70 kam interpretuar role të shumta, por fatkeqësisht këto nuk janë regjistruar sepse në ato vite nuk ekzistonte Televizioni Shqiptar. Me hapjen e kanalit të vetëm televiziv në Shqipëri, u bë e mundur regjistrimi i disa dramave, të cilat gjenden edhe sot në arkiv, si p.sh: “Karnavalet e Korçës”, “Lumi i Vdekur”, “Luiza Miller” dhe “Arturo Ui”.

Ku qëndron ndarja e roleve në teatër e kinema dhe ç’ndryshim ka midis tyre?
Besoj se s’ka aktor që mos të pëlqejë rolet e teatrit e të skenës së vogël! Sepse të punosh një rol në teatër është një shkollë e madhe e përditshme dhe e pazëvendësueshme. Çdo ditë aktori perfeksionon veten dhe personazhin. Ndërsa të luaje një rol në kinematografi, aq më tepër për ne që sapo kishim dalë nga auditori, ishte një tjetër stres, sepse duhej të ishe tepër e saktë në interpretim. Kujtoj këtu filmin tim të parë: “Komisari i Dritës”. Në kinema, pra në role që kanë të bëjnë me kamerën, duhet të jesh shumë precize, sepse filmi xhirohet vetëm një herë dhe mbetesh në celuloid ashtu siç ke vepruar atë çast.

Si e përjetuat ju si aktore periudhën e post-liberalizimit në vitin ‘73 dhe a patët pasoja?
Pas vitit 1973 edhe arti si çdo fushë tjetër e jetës u godit rëndë nga Partia në pushtet lidhur me tendencat properëndimore dhe luftën kundër tyre. Unë personalisht nuk pata asnjë problem apo ndryshim të jetës profesionale. Megjithëse shikoja kolegët, të cilët herë pas here merrnin vërejtje e kishin pasoja të ndryshme në karrierë. Fatmirësisht unë nuk pata të tilla gjëra dhe i qëndrova besnike këshillave për të bërë detyrën time sipas parametrave të asaj kohe. Ndërkohë ndonjë kolege, që ishte komuniste, më kritikonte shpesh që të mos mbaja pantallona kauboj apo ndonjë veshje tjetër që nuk ishte e moralshme për kohën.

Po në skenë si do të ndihej kjo frymë e re?
Më kujtohet se atëherë filluam të vinim në skenë edhe shumë pjesë me regjisorë kinezë. Sa çudi?! Të kemi parasysh që në ato vite kishte ndikime dhe nga Revolucioni Kulturor. Por për punën e pantallonave, për të cilat në fakt kritikohesha ca si shpesh, justifikohesha sepse vetëm kështu nuk na dukeshin këmbët, apo shalët (siç thoshim me shoqet) kur hipnim e zbrisnim nëpër kamionë me të cilët shkonim për shfaqje në gjithë Shqipërinë, fshatra e qytete.

Cili është roli që keni interpretuar së fundmi në teatër apo kinema dhe kur u larguat nga jeta artistike?
Unë u largova nga skena për shkak të sëmundjes së këmbëve të mia, të cilat nuk kishin më forcë të mbanin mbi to trupin tim dhe lëvizjet e mia në skenë e në filma. Nuk isha më e aftë të qëndroja për një kohë të gjatë në këmbë. Kështu vendosa që të dal në pension të parakohshëm që në moshën 50 vjeç. Ishte viti 1988 kur unë u shkëputa tërësisht nga aktiviteti. Mbaj mënd në mes të viteve ‘80 në mos gaboj, dy role të mija në teatër: “Shtëpia me dy porta” dhe “Pallati 176”. Këto dy komedi ishin rolet e mia të fundit. Ndërsa në këtë periudhë kisha xhiruar në kinostudio filmat: “Si gjithë të tjerët”, “Hije që mbeten pas”, “Apasionata” dhe. Kujtoj ditët e xhirimeve në Sarandë dhe pamjet e qytetit aq të pastër dhe të bukur, të cilat më erdhën shumë pranë kur e pashë në një stacion televiziv para pak kohësh, filmin, “Nxënësit e klasës time”.

A keni pasur propozime të tjera për të luajtur në skenë apo kinema?
Edhe këtë periudhë që kam qenë e sëmurë kam pasur shumë propozime për role në teatër, por që kam qenë e detyruar t’i refuzoj të gjitha sepse nuk lëviz dot nga paraliza që më ka mbërthyer. Personalisht ka ardhur në shtëpi z.Kiço Londo dhe më ka propozuar për bashkëpunim me teatrin e tij dhe përsëri kam refuzuar. Ai më ka dashur shumë si aktore dhe më shikonte si protagoniste në shumë role, të cilat ai i vinte në skenë. Këtë përkushtim nga ana e tij e çmoj shumë dhe njëkohësisht e vuaj që nuk ja dhashë kënaqësinë për të qenë pjesë e stafit të tij. E përshëndes Kiçon dhe i uroj sukses në punën e tij si regjisor.

Si përjetohej në familje karriera juaj dhe si reagonin familjarët për rolet të ashtuquajtura problematike?
Kryesisht familja më ka mbështetur dhe asnjëherë s’ka qenë pengesë për karrierën time të çfarëdo roli qoftë. Burri dhe djemtë vinin gjithmonë të më shihnin  kur kisha premiera dhe kënaqeshin e më prisnin deri sa mbaroja shfaqen. Kjo më jepte një kënaqësi të madhe, madje shpesh më thërrisnin me emrin e rolit, duke më ngacmuar si: Cuca, Zonja Hatixhe, Klea, Afroviti etj.. Ishte vërtet bukur sepse kjo tregonte që unë i kisha arritur rolet.

A komunikon tashmë me koleget tuaja të dikurshme dhe cilat janë marrëdhëniet me to?
Tanimë po bëhen me shumë se 18 vjet që jam sëmurë, por disa kolegë e shoqe të punës nuk më kanë harruar dhe kanë ardhur për të më vizituar. Kujtoj këtu, shoqen time Mimika Luca, Edi Luarasi, Besa Imami, Marika Kallamata etj.. Kujtoj edhe disa shokë si, z. Pëllumb Kulla, Vladimir Prifti, Ali Bega etj., që për këtë çast nuk i kujtoj dot, e të më falin. Erdhën edhe këta shokë në kohë të ndryshme e tepër të vështira dhe më dhanë shumë jetë e kënaqësi.

Rivaliteti mes jush, ekzistonte?
Për sa i takon rivalitetit, kjo gjë nuk ka ekzistuar të unë. Shoqet i kam dashur e respektuar shumë. Qoftë më të mëdha apo më të reja, për mua ato ishin të talentuara e të respektuara: si Mimika, Roza, Besa, Pavlina, Margarita, Edi Luarasi, e shumë të tjerë, vetëm respekt dhe dashuri ndjej akoma për ta. Bashkë ndanim të gjitha hallet dhe problemet gjatë xhirimeve apo turneve. Solidariteti ishte motivi kryesor i punës dhe i karrierës. Por koha bën të veten dhe njerëzit harrohen, largohen sepse kanë hallet e veta dhe jetën e tyre. Gjithmonë do kem nostalgji për vitet e shkuara, të cilat nuk kthehen më mbrapa, por ato vijnë me shumë forcë nëpërmjet fotove ekranit etj..

Jeni nostalgjike për atë çka keni dhënë dhe doni ta shihni veten në ekran?
Më pëlqen t’i shoh filmat shqiptar në televizor. Dhe natyrisht, nostalgjia e skenës është shumë e madhe njëkohësisht edhe ajo për filmat. Por s’ke ç’i bën, kështu e solli fati.

Ju shkuat për kurim në Greqi? Ishte e vështirë terapia?
Duke qenë e sëmurë dhe duke mos pasur mundësinë të kurohesha këtu, kam vajtur me ndihmën e disa miqve të burrit, Teodorit, në një spital në Greqi dy herë: në vitet 1994 dhe 1998. Aty ishin edhe djemtë, të cilët më ndihmuan gjatë gjithë kohës që kreva vizitat edhe operacionet. Kalova çaste të vështira dhe operacioni doli relativisht me sukses. Më vonë pas vdekjes së burrit (viti 2001) unë u sëmura shumë dhe pësova një paralizë në vitin 2003. Edhe sot e kësaj dite, në saj të ndihmës së djalit tim po kaloj në shtëpi çaste të vështira, por jam e kënaqur dhe me këto kushte…

Flet djali i artistes, Albenc Papapavli
Antoneta do që njerëzit ta mbajnë mend siç ka qenë
Antoneta Papapavli, aktorja e skenës dhe e ekranit prej gati 22 vitesh është shkëputur nga aktiviteti artistik. Shkak mbetet gjendja e saj shëndetësore. Por imazhi i saj është po kaq i gjallë në pelikulë ashtu sikundër të gjithë e mbajmë mend me rolet e Afrovitit tek “Karnavalet e Korçës”, Sania tek “Hije që mbeten pas”, të drejtoreshës tek “Shoku ynë Tili”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri” etj. Në karrierën e saj artistike ajo numëron të paktën 130 role në skenë dhe kinema. Gjithsesi, ajo vazhdon të jetë një grua e fisshme, e rregullt, me flokët e mbledhur dhe tiparet e theksuara. Pavarësisht sëmundjes që ia ka vështirësuar ritmin e jetës, ajo përpiqet të ruajë pamjen e dikurshme dhe këtë e arrin vetë, me forcat e saj. Siç thotë djali i saj, Albenci, i cili është dhe njeriu që kujdeset më shumë për të, Antoneta kërkon medoemos të ruajë figurën me të cilën të gjithë e njohin. “Nëna e rregullon portretin e saj me dorën e majtë. E bën këtë çdo ditë, pavarësisht mundësive. Nuk lejon të merret tjetër kush me një gjë të tillë. Përpiqet dhe ia arrin qëllimit”. Vitet e fundit sipas Albencit, nëna e tij ka hequr dorë nga daljet publike. Për shkak të pamundësisë për të ecur, ajo ka zgjedhur, herë shtratin e herë karrigen me rrota, si të vetmet vende, ku mund të ndihet mirë dhe e qetë gjë që me sa duket e bëjnë të jetojë me kujtimet që e rrethojnë. “Ajo nuk do të jetë më publike sepse kërkon që njerëzit ta mbajnë mend ashtu, një zonjë grua, të bukur, aktore profesioniste dhe mbi të gjitha një fisnike në shpirt. Nuk do që njerëzit që e njohin e ta shohin në karrocë”, thotë Albenci.

Gjatë karrierës së saj ka interpretuar në 130 role

Rolet në pjesë teatrale

1.Rrugë të tërthorta                 1963
2.Rrethimi i bardhë                 1965
3.Vajza optimiste                    1964
4.Ariu                                      1966
5.Orfeu zbret në ferr               1969
6.Shokët                                  1968
7.Orët e Kremlinit                   1976
8.Prefekti                                1977
9.Karavidhet                           1978
10.Tre të shtëna pushke          1966
11.Nga errësira në dritë           1979
12.Bashkë me agimin              1980
13.Pas provimit të fundit        1983
14.Një nuse për Stasin              1979
15.Viti 1961                               1965
16.Karnavalet e Korçës           1977
17.Një ngjarje në fabrikë         1968
18.Cuca e maleve                    1969
19.Arturo Ui                           1969
20.Luiza Miler                         1977
21.Lumi i vdekur                    1978

Rolet në kinematografi

1.Komisari i Dritës                  1963
2.Tinguj Lufte                         1976
3.Kërcënimi                             1978
4.Përballimi                             1981
5.Nxënësit e klasës time          1981
6.Ata ishin katër                      1983
7.Apasionata                           1984
8.Shoku ynë Tili                      1984
9.Shoqja nga fshati                 1979
10.Përtej mureve të gurta        1979
11.Hije që mbeten pas             1982
12.Zonja nga qyteti                 1980
13.Gjurmë në kaltërsi              1979
14.I treti                                  1979


Botuar në gazetën TELEGRAF e mërkurë 9 mars 2011