Leonard Veizi
E zbehur ca, por gjithsesi vazhdon të mbetet bazë ajo që
tanimë ka marrë emërtimin e plotë si: “turizëm patriotik”. Shumë nga shqiptarët
e Shqipërisë i prenotojnë pushimet verore në Antalian turke, në San Torinin
grek, apo në Palma de Majorkan e Spanjës. Ndërsa shqiptarët e Kosovës dhe ata
të Maqedonisë, si dhe shumë të ardhur nga Zvicra apo Gjermania, gjithashtu
shqiptarë, prej vitesh frekuentojnë bregdetin e Shëngjinit, Durrësit, Vlorës
apo Sarandës, megjithë problemet e pazgjidhura që ato mbartin. Të huajt nuk
dominojnë në plazhet tona edhe pse ne rrekemi për të thënë se numri i tyre
rritet çdo vit. Ky “ndërrim rolesh” sot thuhet se ka mbetur në kufijtë e
“turizmit patriotik”, të atyre njerëzve që me aq sa munden duan t’i lënë
kursimet e tyre vjeçare po në Shqipëri dhe askund tjetër. Pra, t’i japin vendit
amë një të shtyrë në malore.
Dollarët dhe eurot mund të jenë dhe sheshit, por në
Shqipëri shpesh janë mësuar të futen në rrugë të tjera. Ndërsa ajo që mund të
prodhojë para pa kursim, madje në mënyra fare të ndershme dhe korrekte, është
shfrytëzimi i resurseve, apo thënë ndryshe, turizmi kulturor.
Mbase nuk është kaq e nevojshme që në ditët e sotme të
mundohemi për rritjen e rendimentit në nxjerrjen e kromit prej nëntoke dhe as
të mendojmë për montimin e uzinave që shkrijnë çelikun. Në kohët e sotme, kur
kodet dhe barrierat nuk ekzistojnë, shumë vizitorë të huaj do të kishin dëshirë
të njiheshin me të “kuqen” e famshme të Onufrit, por dhe penelatën e çmuar të
Davit Selenicasit, me manastirin e Ardenicës apo Kishën e Shën Triadhës, kalanë
e Skënderbeut apo fortesat e Ali Pashë Tepelenës. Dhe gjithçka mund të ishte më
e reklamuar në ekrane vizivë nëpërmjet spoteve publicitare, me postera, apo
fletëpalosje.
Por duket se dhe pse është thënë shumë, sërish pak është
punuar në këtë drejtim.
E duket se kjo nuk ndodh fort në realitetin mediatik
shqiptar, pasi lajmi i parë vjen nga kronika e zezë, pastaj sërish nga kronika
e zezë dhe… politika. Ndërsa turizmi kulturor?! Veshi i shqiptarëve ende nuk
është vrarë nga ky togfjalësh i formësuar së fundmi edhe pse ai përmendet
shpesh.
Në fakt, ky lloj turizmi është një fushë pak e eksploruar
në Shqipëri, ndërkohë që vlerat e tij ekonomike janë provuar tashmë në shumë
vende të rajonit. E në këtë kuadër, turizmi kulturor dhe ai historik për çdo
vit vihet në fokusin e vëmendjes së qeverive. Por mesa duket vetëm në fokus.
Realiteti tregon tjetër gjë.
Por në Shqipëri, miliardat e dollarëve, në vend që të
fitoheshin, kanë humbur në vite. Dhe është normale ta mendosh se këto para nuk
mund të futen në një vend, ku vila luksoze të pasanikëve të rinj ngrihen mbi
shkallaret e një amfiteatri antik, siç është ai i Durrësit.
E pra, karshilliku i antivlerës mbi vlerën ndeshet hapur.
Ndërkohë bregdeti shqiptar sot ofron shumë hapësira për
zhvillimin e industrisë së turizmit. Nuk janë vetëm dielli, rëra dhe uji, që
plotësojnë ciklin e pushimeve dhe argëtimin e një pushuesi, por ajo që tashmë
është futur në termin “turizëm kulturor”. Kush ka rastin të kalojë pushimet në
Sarandë, me siguri kalon për të vizituar qytetin antik të Butrintit dhe të
shijojë një mrekulli të botës antike, edhe pse një pjesë e zbulimeve janë
trafikuar në vendet fqinje. Kjo ndodh ashtu si dhe në Greqi, ku turistët me
rroba banjo të plazheve të nxehta, nuk mund të harrojnë se me Akropolin duhet
të njihet gjithsesi, pasi ka lënë në sportel dhe paratë për biletën e hyrjes.
Por në Shqipëri rëndom ndodh ndryshe. Kur vizitorët
vijnë, dyert e muzeumeve janë të mbyllura “E diela, pushim”. Në disa
institucione të tjera tabela njofton: “E hëna pushim”. E kështu grotesku
vazhdon.
E megjithatë turizmi kulturor nuk kushtëzohet vetëm me
bregdetin dhe mbetjet antike në afërsi të saj. Gjithçka që nis nga kalaja e
famshme e Rozafës, për të vazhduar me Thethin e Valbonën e për të përfunduar në
Voskopojë apo klimën malore të Dardhës, kanë të bëjnë me resurse pak të
pashfrytëzuara. Dhe të mendosh që në listën e kalave brenda territorit shqiptar
rreshtohen 29 në tilla. Miliardat e dollarëve, apo euro qofshin ato, janë aty,
krejt “të ngrira”, të cilat vazhdojnë të humbasin çdo vit.
Tanimë, forma klasike e turizmit nuk mund të mbetet e
vetme. Ajo më së shumti kërkon një ndërthurje dhe zhvillim të turizmit kulturor
në një rajon që i ka të bollshme dhe me vlerë monumentet e kulturës.
Por edhe larmia jo e vogël e aktiviteteve kulturore gjatë
gjithë vitit, siç është një festival teatri apo muzike dhome, konkurse të
ndryshme bukurie apo koncerte me muzikë alternative janë pjesë përbërëse e
turizmit kulturor. Madje dhe vënia në skenë e një opere masive, si “Aida” apo
“Cosi fan tutte”, është në funksion të turizmit kulturor. Janë pikërisht ato që
plotësojnë më së miri kohën e lirë të pushuesit dhe i japin mundësi të
angazhohet me aktivitete.
Por jo gjithmonë ndodh kështu.
E ndërkohë rajoni i jugut shqiptar nuk ka vetëm
Butrintin... Saranda u ka dhënë kënaqësi dhe shenjtorëve, madje jo pak, por
plot 40 të tillëve. Këtë e tregon më së miri manastiri i famshëm i 40
shenjtorëve, nga e ka origjinën dhe emri i qytetit. Por në modën të kureshtisë vizive
janë dhe Manastiri i Mesopotamit, i Demës, Finiqi i lashtë etj. Vetëm që këto
duhet të bëhen të vizitueshme. Por si gjithkund tjetër, problem mbetet
infrastruktura rrugore, që të shpie në këto monumente të rëndësishme kulture, e
cila ose lë shumë për të dëshiruar, ose nuk të çon dot fare në destinacion...
Postuar në ResPublica 09 Gusht, 2015
No comments:
Post a Comment