Saturday, April 30, 2016

Duro tri ditë dhe më pas askush nuk do merret me ty - Publicistikë


Leonard Veizi

“Çudia më e madhe tri ditë zgjat”. Shprehja është proverbiale. Koncentrim i përvojës popullore. Krejt aktuale. E aplikueshme deri në pikën e fundit. Ditën e katërt ka mbaruar gjithçka. Çudia quhet e vjetër, ka nisur një e re. E kështu me radhë çdo tri-katër ditë. Është vetëm një rreth vicioz...
...A nuk duket tejet groteske loja me denoncimet dhe deklaratat se së shpejti zyrtarëve të lartë të korruptuar do t’u vihen prangat? Se po vjen dita që ata do të futen pas hekurave e do të dalin para drejtësisë, e të tjera e të tjera. Por dita si për çudi nuk vjen asnjëherë. E çuditërisht nga të gjitha anët vijnë denoncime, me emra konkretë e me shifra konkrete të përfitimit të pandershëm të parave, të favorizimit në tendera, e ku të mundin. Akuzat shigjetojnë majën e piramidës shtetërore për t’u shtrirë pastaj në të gjitha dikasteret e linjave. Nga kjo sasi denoncimesh të duket sikur punët në demokraci po ecin aq mirë sa nuk thuhet. Të gjitha thuhen, transparencë e paparë për publikun. Por në fakt, asnjë lek i vjedhur nuk kthehet pas në buxhetin e shtetit, të përdoret për të rritur mirëqënien e njerëzve të thjeshtë dhe ndihmën e atyre në nevojë. Ato para të vjedhura qëndrojnë në kasaforta të blinduara, janë investuar në biznese krejt të pastra aq sa nuk i kap dot as për mosdhënien e një faturë tatimore, apo janë në formë zerosh elektronike në ndonjë bankë përtej oqeanit. Përfituesit nuk i hyn gjemb në këmbë. Ai i ka të garantuara ato, nuk i pakësohen. Në u shtofshin po. Ndërsa brenda kufijve tanë mbeten vetëm denoncimet. Edhe ato shtohen përditë, si për të mbushur një statistikë, e cila nuk ka kuptim të qëndrojë si një faqe krejt e bardhë.
“Çudia më e madhe tri ditë zgjat.” Është mëse e vërtetë. Vetëm tri ditë duhet të durosh presionin, të qenit në qendër të vëmendjes, të të pasurit fuqi për të mohuar gjithçka. Ditën e katër bën sikur nuk të njeh njeri. Mund t’i bësh pushimet kudo në Shqipëri dhe ata që të shanin deri dje duke të vënë etiketime të tipit: kriminel, trafikant, i korruptuar... janë gati të të puthin dorën si të jesh “padrino”. Gjithçka është harruar dhe ti ia ke hedhur. Rradhën e ka tjetri.
Tri ditë zgjat çudia, asnjë sekondë më shumë.
Por si ka mundësi që gjithçka bie si në vesh të shurdhët apo futet në “kalendat greke” nga ku nuk dalim më. Media denoncon çdo ditë. Në Kuvend denoncimi i ka kaluar kufijtë me kohë, çfarë nuk thuhet atje. Pastaj i vjen radha denoncimeve të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka denoncime pa fund për shpërdorim fondesh, që me një gjuhë tjetër do të thotë: vjedhje. Prokuroria herë pas here hedh shashka për arrestim zyrtarësh të korruptuar. Prit të shohim ndonjë... Jo. Asnjë i dënuar deri tani. Që prej 20 vitesh askush nuk dënohet për krim, korrupsion, favorizime të palishme, shkelje të ligjit me të dyja këmbët. As zyrtari i lartë në fuqi as dhe ai që mban parashtesën “ish”. Vetëm denoncime ka. Letra që mbushin dosjet, që me sa duket kanë vetëm një efekt, atë të të bërit presion.
Si ka mundësi, vërtet çuditë zgjasin vetëm tri ditë, apo kjo ka mbetur vetëm si një batutë filmi?!
Me sa duket e ka një të vërtetë dhe kjo. Se ndryshe nuk ka mundësi. Kështu janë mbuluar të gjitha, vrasjet e mëdha, korrupsioni mega. Madje edhe kur denoncimi bazohet mbi një audio apo video, personi me zë e figurë del i pastër si pas një dushi me ujë të kloruar. Nuk ka ekspert që përputh zërin me figurën. Elektronika e bota virtuale po bëjnë çudira, montazhe, fotomontazhe, fabrikime. Asnjëherë nuk dihet kush ka të drejtë. Dhe çështja mbyllet për “mungesë provash”. Nuk ka më asnjë çudi.
Në fund të fundit çfarë janë tre ditë akuza, presion dhe afishimi i emrit si person që duhet të dalësh përpara drejtësisë. Nëse xhepat janë mbushur plot ia vlen sakrifica.
Duro tri ditë se më pas askush nuk do merret me ty.

Postuar në ResPublica 11 Shtator, 2015


No comments:

Post a Comment