Leonard Veizi
Jetojmë në një shtet ku absurdi është kthyer në normë.
Shqiptarët ikin nga vendi i tyre ashtu si 25 vite më parë kur muri që i mbante
të ndarë me pjesën tjetër të botës u shemb e u thërmua fare. Përkufizimi për
botën e lirë asokohe kishte një tjetër kuptim, sot termi vërtet nuk ka
ndryshuar, ndërsa botëkuptimi ynë po. Se liria është vetëm një nga hallkat,
fill pas kësaj zinxhiri ka pika të dobëta e mund të këputet në një tjetër vend.
Sot shqiptarët nuk janë më aq të mirëpritur në Perëndimin
e begatë. Ata të Brukselit thonë se vendin e origjinës, domethënë shteti
shqiptar, nuk ka probleme me liritë e njeriut dhe arsyeja për të kërkuar ndonjë
status fillon e bëhet e dyshimtë. Por nëse e ke marrë rrugën në këmbë, që të
mbërrish deri në zemër të Europës, i pa gjumë e i uritur si një ujk, të paktën
“ata andej” të paketojnë ushqimin ditor në qese plastike e të presin një biletë
avioni që të mund të kthehesh në vendin e origjinës si zotni i vërtetë. Në
terminalin e Rinasit, aty ku VIP-at ndahen me popullin e thjeshtë nga një
korridor i ngushtë, “shteti” të pret me buzëqeshje, jo për të të thënë se ka
siguruar një vend pune për ty, por për të të drejtuar te sporteli ku duhet të
paguash ndonjë detyrim të vogël që ke lënë pas dore ngaqë mendja të ishte
ngritur për t’ia mbathur nga sytë këmbët. Nëse tenton të shkasësh sërish, i
njëjti “shtet” të pret rrugën për të treguar seriozisht këtë herë, se në qelinë
e 313-tës ka një krevat portativ për ty ku mund të shtrihesh drejt e në sustë e
të qëndrosh derisa të të mbushet mendja që të mos kesh asnjë qindarkë punë me
të.
Gjermania po i kthen emigrantët, ca të kontinentit tonë e
ca të kontinentit tjetër. Edhe atje shumë zhurmë ka, gjithfarë organizmash nuk
janë fare dakord me masat e qeverisë ndaj azilkërkuesve.
Shqiptarët e ikur me shumicë kohët e fundit, ca për një
jetë më të mirë, e ca që mendojnë se është më mirë të punosh për një pronar në
Gjermani se sa të jesh pronar në Shqipëri, tani po kthehen kokëulur. Ndërsa
axhanset trumpetojnë me të madhe se shteti ynë, ai i origjinës domethënë, ka
marrë të gjitha masat... për pritjen e emigrantëve sirianë. E vërtetë, çfarë
sjell sahati nuk sjell moti. S’duhet të na kapin gafil. Se kanë rënë këmbanat e
alarmit që Shqipëria mund të kthehet sërish në një trampolinë, njëlloj si
atëhere kur prisnim e përcillnim kurdë e kinezë. Po kësaj radhe shteti nuk rri
duarkryq, merr në dorë situatën, dhe nuk lë skafistët ta bëjnë Otranton si
Liqenin Artificial. Në këtë aspekt me sa duket vazhdon të funksionojë motoja e
hershme: me tanët le të ngushtohemi ca se s’na gjen gjë, puna është që mikun ta
presim me dinjitet. Dhe shqiptarët vazhdojnë të jenë ngushtë në shtëpinë e
tyre.
Postuar në ResPublica më 28 Tetor, 2015
No comments:
Post a Comment