Nga
Leonard Veizi
Është
14 shkurt.
E
ç’rëndësi ka si vdiq e për çfarë vdiq ai që i vuri emrin kësaj date. E
rëndësishme mbetet që është festë dhe njerëzit kanë një mundësi më shumë
argëtimi, pranë një njeriu të dashur.
Në
një ditë të tillë që sa ndrin dielli në Tiranë plas ahengu. Njerëzit e veshur
shik, zbarkojnë nëpër rrugë aq sa të duket se po shkojnë në “demonstratën e
bukës”. Por në këtë rast nuk kanë të bëjnë me revoltën. Ata fillojnë e hedhin
sytë nga ato dyqane që deri një ditë as ia kishin fërshëllyer fare. Janë
dyqanet ku në vitrina ekspozohen gjithfarë të brendshme grash. Tanga,
braziliane, zhartierë… dhe këmisha të tejdukshme tej e tej.
Aheng,
jo shaka. Me def edhe gërnetë.
Elbasani
ahengun me këngë, valle e potpuri e ka një muaj më pas, më 14 mars. Nuk është e
njëjta festë. E vetmja lidhje mes dy datash që i ndan një muaj fiks është
shifra 14. Për 14 prillin nuk e vë dorën në zjarr se kujt rreth i takon.
14
shkurti njihet si dita e të dashuruarve. Ca thonë që kjo ditë nuk ka të bëjë me
dashurinë seksuale dhe festa që mbahet monopol, ka një sens më të gjerë. Flitet
për dashurinë universale, hyjnore. E si e tillë u përket të gjithëve, të rinjve
që u rri përpjetë, dhe pleqve që i kanë vënë kapakun.
Po
çfarë është 14 shkurti?
Një
ditë të tillë bota e njeh prej 1700 vjetësh. Shqiptarët kanë vetëm nja 30 vjet
që e njohin. Se çfarë është bërë në këto treva ku flitej shqip, mes viteve 300,
kohë kur Valentini si Shenjt u ngjit në zenith e u nderua me një bazilikë në
vendin ku e ekzekutuan, e deri rreth viteve 1400, kur Arbërinë e morën nën
“administrim” osmanët, nuk ka shumë të dhëna.
Për
600 vitet e fundit, në Shqipëri 14 shkurti ishte herezi. As kujtohej e as
festohej. Madje ajo nuk ekzistonte si datë. Nëse mendoje që ta ringjallje nuk
të digjnin në turrën e druve, por mund të të mbysnin në pus, sipas traditës që
na erdhi nga Anadolli. Sepse të paktën 500 vjet tek ne ishte shtruar këmbëkryq
Baba Dovleti. Ndërsa pas ikjes së tij na u shtri sa gjatë e gjerë Baba Stalini.
Ai i kishte problem festat me nuanca fetare, dhe ne si shqiptarë shkuam më tej,
u vumë kazmën të gjithave. Fiks siç na i do shpirti, nuk lëmë gjë pa
shkatërruar. Këtu nuk ka burrë në botë që na i merr.
Vetëm
30 vitet e fundit shqiptarët kuptuan se një ditë në vit fundja mund t’i
kushtohet dashurisë, qoftë dhe në mënyrë simbolike e pa shumë shpenzime.
Por
si ka evoluar Shën Valentini në realitetin e sotëm?
E
doni shqip: Në një mënyrë krejt komerciale, ashtu si dhe Krishtlindjet, ajo
është një ditë shopping-u. Mund ta fillosh ditën duke shpenzuar 3-mijë lekë për
një lule, të cilën do t’ia dhurosh partneres, ta vazhdosh me blerje
ëmbëlsirash, për të vazhduar me bizhu floriri e gurë diamanti, e deri çeku për
darkën romantike bashkë me çelësat e dhomës së hotelit. Ka ca që të gjithë këtë
shpenzim e përballojnë me dinjitet. Por shumë të tjerë kur ngrihen të nesërmen
në mëngjes, si janë shfryrë nga epshet e u ka dalë vera e kuqe, e shohin veten
me brekë e kanotiere…, jo vetëm në atë kuptim se e mendoni si version të parë,
por dhe të zhytur në borxhe.
Padyshim,
për dashurinë duhej një ditë e veçantë, për të mos i shkuar deri në fund
mohimit që i është bërë kësaj dite, atëherë kur ishim të përfshirë nga
revolucioni kulturor.
Shën
Valentini është një festë e vjetër. Njihet prej kohës kur Perandoria Romake
ende nuk e kishte marrë rrokullimën. Një prift katolik, i cili bashkonte në martesë
çiftet e të dashuruarve, atëherë kur ishte e ndaluar një gjë e tillë, u
martirizua. Por bota njeh dhe plot martirë të dashurisë, Romeo e Zhuljeta, Ema
Bovari, Ana Karenina… Nuk ka rëndësi se janë personazhe letrarë. Jeta e
përditshme na ofron raste tipike, madje dhe të tjera që i tejkalon ato.
Por
kjo është një ditë për t’u kujtuar njerëzve, dashurinë. Sepse jeta pa të do të
ishte shumë më e ashpër dhe e pakuptimtë.
No comments:
Post a Comment