Sunday, July 26, 2020

Refleksion/ Magneti që tërheq shkrimtarët në vorbullën “e krimit”


Leonard Veizi

Në një komponent të përgjithshëm e pa detaje, shkrimtari është konsideruar gjithmonë si një njeri larg të përditshmes meskine dhe akoma më larg një tavoline thashethemesh. Ai është konsideruar si një subjekt që nuk bën pjesë në organizata sociale e bashkime politike, por si një individualist egocentrik, me gjithfarë vesesh që shfaqën së jashtmi nga bota e tij e brendshme. Madje, shkrimtari është parë si një njeri me jetë bohemi, ndonjëherë aventurier e ndonjëherë ca alkoolist, dhe, në rastin më ekstrem, si një asket i përqendruar vetëm te makina e shkrimit. Por ky perceptim “hyjnor” nuk është se ka pasur tërësisht vlera tokësore.
Në këtë mënyrë duket se mes shkrimtarëve dhe njerëzve me profesione të tjera ishte vendosur një filtër hermetik, gjë që i bënte ata të paprekshëm. Kjo ua ka rritur influencën në mënyrë artificiale.
E gjitha kjo ishte vetëm një ëndërr. Thjesht një iluzion për ta që e donin një gjë të tillë. Sepse, në fakt, shkrimtarët ishin dhe janë njerëz krejt të zakonshëm, që fillojnë e bëhen tekanjozë vetëm si shkak i rrethanave të stimuluara.
Shkrimtarë të përbotshëm kanë qenë të implikuar në kauza sociale, në afera politike, në debate financiare e, madje, deri në organizata terroriste.
Por ajo që i zhvlerëson ata më së shumti në sytë e lexuesve të tyre është rekrutimi pranë shërbimeve të inteligjencës, si agjentë të fshehtë, e që në mënyrë eksplicite cilësohen: spiunë.
Shkrimtarët nuk janë engjëj. Gynter Gras në rininë e tij u tërhoq nga rryma hitleriane dhe u bë pjesëtar i forcave “SS”. Ernest Heminguej është akuzuar si agjent i KGB-së sovjetike dhe ka qenë nën survejimin e FBI-së amerikane. Graham Grin njihet si shkrimtari që ka punuar për shumë vite për MI6-ën britanike. Betrol Breht gjithashtu ishte i përzier në punët e STAS-it të Gjermanisë Lindore. Dhe këto nuk janë rastet e vetme.
Po shkrimtarët shqiptarë?
Ca më pak e disa të tjerë më shumë, edhe shkrimtarët shqiptarë janë të përlyer në “aventurat” e tyre me shërbimet sekrete. Do të ishte vërtet hyjnore që qenësia shkrimtar, gjithkush të shihte një njeri të pakorruptueshëm e të parekrutueshëm. Por kjo, me sa duket, ndodh rrallë.
Dosjet e shkrimtarëve kanë filluar të hapen në Shqipëri. Vite më parë kjo ishte një tabu. Ndërsa në media gëlonin idetë për hapjen e tyre, sepse, sipas burimeve “të besuara”, shumë prej tyre e kishin “ngjyer” nga pak. Dhe në media kërkohej që ato të hapeshin e të shiheshin se a ishin të vërteta ato që qarkullonin si thashetheme.
Sot, duket e trishtueshme hapja e dosjeve të shkrimtarëve, ku një pjesë e tyre o akuzohen si informatorë të Shërbimit Sekret Shqiptar, ose Sigurimi i Shtetit i akuzon se janë rekrutuar nga agjencitë e tjera të inteligjencës. Dhe në të gjitha rastet në lojë janë, o CIA amerikane, o UDB-ja jugosllave ose SIM-i i italianëve. Dhe deri tani janë hapur fare pak dosje. Sepse “dikush” na bën të ditur se surprizat nuk kanë fund. Kjo më tremb. Sepse do të thotë që një, dy apo dhjetë shkrimtarë të vlerësuar për krijimtarinë e tyre do të zhvlerësohen, për shkak të implikimit në një organizëm famëkeq, siç ishte Sigurimi i Shtetit.
Për shkak të ngarkesës negative që mban në vetvete të qenët agjent i shërbimeve sekrete, edhe shkrimtarët, ata që tashmë i kanë dosjet e hapura, janë kryqëzuar e nuk u është lënë gjë pa thënë.Kështu, me dosje të hapura nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, deri tani janë Ernest Koliqi, Martin Camaj, Bilal Xhaferi dhe Petro Marko.
Por s’mjaftojnë vetëm dokumentet e mbledhura nga Sigurimi i Shtetit për të nisur akuzat ndaj shkrimtarëve? Padyshim që jo. Sepse për ta vërtetuar katërcipërisht aktivitetin e tyre duhet të kesh në dispozicion edhe atë çfarë thonë shërbimet e huaja sekrete. Sepse nga materialet e sugjeruara duket se kemi të bëjmë me materiale të pretenduara dhe të supozuara. Dhe letra të tilla, të firmosura nga oficerët e Sigurimit të Shtetit, mund të gjesh plot. Por kjo nuk të siguron që kushdo prej tyre ka pasur vërtet një veprimtari agjenturore.
Për sa u përket rekrutimeve të bëra nga vetë Sigurimi i Shtetit, vetëm një gjë mund të themi me siguri të plotë, ato janë bërë nën një dhunë dhe presion të vazhdueshëm. Dhe një shkrimtar është njeri, vështirë të bëhet hero.
Gjithsesi, të qenët njeri politik, të qenët agjent, të qenët luftëtar me armë në dorë për çështjen e një kauze, nuk është se e zbeh ndikimin e shkrimtarit në jetën social-kulturore. Këto “vese” të tij më së shumti ushqejnë shtypin me fabula që duhen zbërthyer; kujt i shërbeu, për çfarë shërbeu, çfarë informacionesh dekonspiroi, e të tjera si këto.
Gjithsesi, shkrimtarët, ashtu si dhe njerëz të tjerë në profesione të tjera, janë nën vëzhgimin e syrit të shërbimeve sekrete, thjesht për rekrutime të mundshme. Dhe, me siguri, për vendet ish-komuniste, rekturimi i shkrimtarëve kishte të bënte me një tjetër platformë. Nëse ata të Perëndimit përgjithësisht rekrutoheshin për shkak të bindjeve të tyre të majta,shkrimtarët në Lindje ishin disidentët më të besueshëm për shërbimet e inteligjencës.

No comments:

Post a Comment