Që të kalosh një fundjavë interesante në Dajt, nuk është
e thënë të shkosh në majën e tij, si alpinistët. Por mund të ndalosh në kuotën
e 1200 metrave atje ku cilësohet si “Ballkoni natyror i Tiranës”
Nga Leonard Veizi
Kur
je në Dajt, tek mbushesh me oksigjen dhe lëshon pas vetes dy oksidin e
karbonit, të duket sikur ajo masë ajri e papërfillshme rrëshket poshtë nëpër rrëpira
natyrale e shkëmbinj të “kafshuar” prej dorës njerëzore, për të shkuar në ultësirën
ku ngrihet Tirana vetëm 110 metra mbi nivelin e detit, e ku bashkohet me furinë
e madhe të smogut që ndot qytetin në një vazhdimësi të pandërprerë...
...Dajtit
është një mali më i afërt me kryeqytetin i cili kap një kuotë prej 1613 metra lartësi.
Por atje në majë të këtij mali kanë punë vetëm teknikët e antenave, dhe
padyshim kafshët e egra, nëse kanë mbetur akoma në ato anë.
Gjithsesi,
që të kalosh një fundjavë interesante në Dajt, nuk është e thënë të shkosh në
majën e tij, si eksploruesit, alpinistët apo... gjeologët. Mund të ndalosh në
kuotën e 1200 metrave atje ku cilësohet si “Ballkoni natyror i Tiranës” dhe sërish
të quhet se je ngjitur në Dajt. Për më tej, duhet ta kishe bërë në mend që në
fillim, të visheshe si boy scout me tuta sporti, këpucë alpine e çantë
shpine ku duhet të ngresh 30 kilogram peshë me gjithfarë gjërash të domosdoshme
për një udhëtim, që nga çadra portative, tek konservat, po pa harruar bidonin e
ujit.
Tereni
përreth është fort mbresëlënës, ndërsa pamja poshtë, sa më lart të ngjitesh aq
më e trishtueshme bëhet. E megjithatë edhe kjo e ka një farë bukurie. Dikur,
prej malit të Dajtit mund të dalloje 15-katëshin por dhe godina të tjera të rëndësishme
të kryeqytetit. Por sot të duhen dylbi që të mund të shquash diccka. Sepse tymnaja
gri që qëndron mbi qytet të pengon shikimin. Dhe kjo ta prish krejt qejfin.
Po
qe se mushkëritë të janë mbushur me grimca kancerogjene nga tymi i makinave dhe
ai i duhanit, Në Dajt mund të pushon ca ditë në ndonjë prej viletave që gjen
andej rrotull pa shumë vështirësi. Dhe kur të kthehesh në Tiranë do të ndihesh
veten më të lehtë, sigurisht.
Por
nëse gjatë rrugës kthen mendje, sepse të duket e mundimshme ngitja, mund ta
ndalësh makinën tek ndonjë lokal, të pish një kafe e një gotë të madhe ujë burimi
që zbret drejtpërdrejt nga mali, e si ta kesh marrë veten nga kthesat dhe veshët
të të jenë zhbllokuar nga presioni i ajrit, i hipën sërish makinës për të mbërritur
në destinacionin e zakonshëm, Tiranën, në rastin më të afërt.
Ka
nga ata që nuk duan të lodhen e as ta sforcojnë motorin e makinës në të përpjetat
e kthesat e forta, ndaj gjejnë një rrugë tjetër, shumë më komode, i hipin një teleferiku.
Por
ka dhe nga ata që ia marrin në këmbë dhe nuk pyesin nga lodhja dhe lartësia.
Vite
më parë, shkollat e Tiranës e kanë pasur si një formë detyrimi, që nxënësit e
klasës së 8-të e sipër t’i conin për eskursion në malin e Dajtit, e të flinin
një natë tek Kampi i Pioniereve. Udhëtimi bëhej në dy etapa. Prej shkollës përkatëse
deri tek vendi që quhej “gurorja” të çonte një autobus “Skoda” i prenotuar ku
secili paguante një kuotë prej 10 lekësh të vjetra. Prej gurores e deri tek Kampi
i Pionierëve rruga bëhej në këmbë. Ishte një udhëtim prej dy a tre orësh nëpër një terren tepër të thyer e
mbushur me shkurrina. Në darkë organizohej një mbrëmje e përbashkët vallëzimi,
ku përgjithësisht shkriheshin brezat e ndryshëm, atë të 8-vjeccares, me
gjimnazistët dhe jo rrallë herë dhe me studentët e universitetit. Ahengut me
muzikë live ia linte vendin zhurmës së vazhdueshme në dhomat e gjumit dhe vetëm
afër mëngjesit gjithçka binte në qetësi. Por e nesërmja ishte po ashtu aq lodhëse,
sepse zbritja gjithashtu bëhej në këmbë deri tek stacioni i Kinostudios, ku nxënësit
e rraskapitur e të pagjumë, paguanin nga tre lekë të vjetra biletën e autobusit
urban për të shkuar më pranë shtëpive. Gjithsesi këto ishin ditë që priteshin
me ovacion të lartë, pavarësisht peripecive.
Gjithsesi
Dajti kishte dalë nga vëmendja për shkak të njohjes së terrenit e meqenëse shpesh
të duket “si i shtëpisë”. Ndaj kam qenë në kërkim të njohjeve të tjera të cilat
nuk kam pasur mundësi t’i vizitoja më parë. Por gjithmonë ka një kthim tek
dashuria e vjetër, sidomos kur periudha e largimit bëhet disavjeçare.
Një
pjesë e rrugës është e mirë që udhëtohet lehtë nëpër të. Gjithsesi, pas postbllokut
ku të vihet në dukje se je duke hyrë në Parkun Kombëtar, do të të duhet të
paguash një tarifë, 50 lekë të reja për person dhe 100 lekë po të reja për makinën.
Prej postbllokut rruga është e ngushtë, e me mure përforcuese në kthesa të
forta që duket sikur nga ndërtuar prej Luftës së Dytë Botërore e prej atëherë
nuk është vënë më dorë. Dhe ndoshta me të drejtë, sepse një urbanizim i terët i
zonës do të thotë të humbasë një pjesë e origjinalitetit të saj. Gjithsesi asaj
rruge detyrimisht në kryqëzim me një tjetër makinë do të të duhet të dalësh
jashtë asfaltit. Por gjithsesi kjo nuk përbën ndonjë problem të madh aq sa për ta ngritur si çështje.
Rrugës,
aty këtu do të gjesh resorte interesante dhe shtëpiza të vogla druri. Panorama
mes pyllit gjithsesi në një ditë pranvere është e bukur, por shumë më tepër është
në një ditë dimri mbuluar me dëborë.
Në
ballkonin e Dajtit mund të qëndrosh për të bërë fotografi dhe të shohësh
qytetin nga sipër. Por zhgënjimi është i madh sigurisht. Sepse gjëja e parë që
mendon është se 40 minuta më parë je nisur prej atij pellgu të mbuluar nga smogu
gri, dhe nja dy a tri orë më vonë sërish do të jesh pjesë e saj. Dhe terapia disa
orëshe me oksigjen e Dajtit nuk të bën derman.
Gjithsesi
Dajti, ka qenë dhe mbetet një nga pikat më të frekuentuara turistike, dhe boy
scout nuk mungojnë asnjëherë t’i futen aventurës për t’u ngjitur deri në
majën e tij e të kalojnë përtej.
No comments:
Post a Comment