Të
mësuar prej një viti të flasim gjerësisht për virusin Covid dhe vaksinën që i
vë një barrierë imunizuese atij, kemi harruar se jeta e përditshme ka dhe
elementë të tjerë që e bëjnë të larmishme, veç faktit që duhet punuar të paktën
8 orë gjë që siguron të ardhurat e nevojshme e duhen bërë nja 8 orë gjumë për
të rikarikuar bateritë e përdorimit personal. Ndërkohë 8 orët e tjera të 24
orëshit mbeten të pambuluara.
Meqenëse
kinemaja dhe teatrit, - pa përmendur operën dhe baletin, - i kanë mbyllur dyert, mundësia që të marrësh
një porcion ushqimi shpirtëror mbetet i kufizuar. Kështu që në rastin më të
mirë do t’i drejtohesh për lexim një libri, ose do të konsumosh një spektakël
televiziv që herë qëllon dhe herë jo, ose në rastin më të keq do t’i drejtohesh
telefonit portativ, ku gjëja e parë që të të të dalë para syve sapo të ndezësh
ekranin do të njoftohesh ose mbi një vrasje për motive të dobëta, ose për një
aksident me humbje jete, ose për fatalitetet e Covidit bashkë me infektimet
përkatëse. Pra, sërish mbetëm tek Covidi.
Ku
ishim? Hiçgjëkundi.
Covidin
e nxjerr nga dritarja por ai të futet nga dera.
Situata
pandemike që e ka mbushur vitin, i ka bërë njerëzit më të pandjeshëm. Veç
faktit që do të të duhet të mendosh për mbijetesë, kur përditë merr lajmin për
vdekjen e një personi të njohur, për shkak të virusit. Ndërkohë prej një viti
mundësia që të dëgjosh muzikë live, të jesh pjesë e një plateje për të ndjekur
një sfilatë, të vizitosh një ekspozitë të artit viziv me piktura e instalacione
apo dhe të jesh pjesëmarrës në një dasmë tradicionale ku veç konsumit të pjatës
me mish qengji dhe të bakllavasë me sherbet do të të duhet të shkundesh dhe nja
dy-tri herë në vallen e çiftit, është kthyer në inekzistente.
Që
në krye të herës u tha se virusi do të ndryshonte qasjen tonë ndaj botës.
Ai
e ka kryer misionin e tij tashmë.
Njerëzit
janë duke e harruar përditë botën e artit. Ata po ushqehen me lajme mbi sasinë
e prodhimit të vaksinave. Dhe janë të lumtur kur emri u thërritet në apel.
No comments:
Post a Comment