Jemi
apo s’jemi në luftë. Të gjithë të mobilizuar, si një trup i vetëm, për të mundur
armikun. Drejt fitoreve të reja...
Vamë
ku vamë dhe sërish u ndalëm te sloganet që mësuam në kohën e xhaxhit. Menduam
se na vajtën dëm, por jo, ja që u dashkan. Rasti në fjalë është specifik.
Vaksinimi
po ecën me ritme të shpejta. 70-vjeçarët janë vënë në radhë të marrin një dozë
të paktën. Por edhe Covidi ama, s’po i lë gjë mangët. I shpejtë si veriu. Këtë
na e bëri të ditur doktor Fauçi prej Amerike. “Ekziston rreziku i një vale të
re”, ka theksuar ai së fundmi. Madje ka këmbëngulur. Kështu thonë axhanset të
paktën.
Heu
bre...
Demek
të mos i heqim armët nga supi ne, as kundërgazet. Siklet i madh për besë. S’na
lanë të gëzoheshim as tani që magazinat i kemi dëng me “Sinovac”. Po ne akoma
s’kemi mbyllur këtë valë, që e kemi nëpër duar, dhe që është e treta në radhë.
Kjo do të thotë se do të ketë një valë të katërt?
Sipas
të dhënave, po. Mjafton që u hap thesi...
Vëlla,
sikur e kishim llafin vetëm me tre valë. Kaq na u tha se mbante kjo punë. Sipas
epidemiologëve, sigurisht. Sipas statistikave. Se po nisi kështu, i bie që pas
të katërtës të vijë e pesta e me radhë. Si dihet ku e ka fundin pastaj.
-Epo
hë more shoku Salë... ndonjë punë të tretë nuk kishe?
-Edhe
atë do ta rregullojmë, do ta rregullojmë!
Nuk
po përmbahet hiç virusi. “Ç'të bën Covidi nuk ta bën as Perëndia”. Ky është
formulimi i ri i sentencës, edhe pse modeli i mëparshëm, për shkak të rimës ka
më shumë muzikalitet.
Kjo
puna e valëve që nuk kanë ndërmend të mbarojnë duket si ato të bombës atomike.
Meqenëse jemi në luftë edhe krahasimet me armë lufte më dalin.
Jemi
futur në llogoret tona, si në betejën e Stalingradit, të rrethuar nga armiku.
Përderisa Antoni Fauçi, - si eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA, -
flet për një valë të katërt pandemie...??? Po pse çfarë u bë virusi, si
divizionet e sulmit të Vermahtit që s’kishin të sosur?!
A
mos është ca si shumë abuzuese? Domethënë, do t’i vijë fundi kësaj pune, apo do
vazhdojmë të jetojmë me frikë në zemër e gjak të ngrirë... dhe me maska në
fytyrë sigurisht. Se maskës nuk i shpëtojmë dot. As gjobave.
-Stuhi
xha Jaho, stuhi. S’ke ç'bën, sot nuk do shkarkojmë çimento.
-I
dhe ujë gomarit...
Kë
të besosh mor aman. Se kryeministri ynë na ka dhënë shpresë, që nga vera nuk do
të ketë kufizime. Që do të thotë se, virusit do i japim dërrmën e do jetojmë si
më parë.
-Thonë,
zoti doktor, se nga behari do shporret dushmani. Do çlirohemi.
-Ashtu
qoftë moj nënë, ashtu qoftë!
Jo
mo po ku i ke besë virusit. Thonë se është virus inteligjent. Kudo që vetem
merr nga një pasaportë të re: virusi kinez, ai britanik... le po ka dhe virus
brazilian. Sa valë do kalojnë. Ehu... E gjashta... e shtata... S’ke ku ia sheh
fundin. Kot nuk na u thanë nja dy-tre gjëra që në fillim të pandemisë: “është
luftë”, “do vazhdojë gjatë”, “do
ndryshojë sjelljen e njerëzve”.
Nëse
është fjala për për përdorimin masiv të sapunit dhe alkoolit, ky nuk është
ndonjë ndryshim i madh. Nëse ndryshimi nuk është bërë evident atëherë na duhet
të presim derisa të ndryshojë. Kjo do të thotë se valët do të vazhdojmë t’i numërojmë.
Edhe
po shpëtuam nga Covidi, një tjetër pandemi na pret. Këtë e lajmëroi vetë Bill
Gejts. Pandemi pas pandemie. O do shkojë atje ku është planifikuar o do bëjë “bum”.
Edhe për Covidin na kishte dalë borxhit Billi, por ne s’e dëgjuam. Na tani...
paguaj faturat.
Tregu
i vaksinave është bërë si tregu i gjësë së gjallë në pazarin e Roskovecit. Ose
si ai i Korçës të paktën. Sepse aty shitej gjithçka, nga kuajt, dhitë e gomerët
e deri tek drithi.
-Shtrenjtë
the? Po nuk e di ti ç’mundime heqim për ta rritur këtë grurë? Flori. Na kanë
rënë thonjtë. Pastaj, ai që ka për të blerë nuk pyet në është shtrenjtë a lirë.
Nuk ia kemi ngenë e llafit.
-Vërtet
nuk ia ke ngenë se të mbyti puna e spekulimit...
Lepe?
Mos do të thuash se po spekulohet me vaksinat, zotërote? Flitet për jetë
njerëzore, për kujdes human.
Vaksina
në kushte emergjence, sot ka prodhuar Amerika dhe Anglia. Ka prodhuar Kina dhe
Rusia. Janë gati ta prodhojnë Italia dhe Turqia. Turli vaksinash, aq sa të
bëhet koka si lavjerrës orësh. Emergjencë e rrallë. Ashtu si në çdo rast lufte.
Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, për një kohë të shkurtër u hodhën në front
shumë armë të reja, tanke, avionë, nëndetëse madje dhe raketa shumëgrykëshe tip
“Katjusha”. S’lanë kusur.
Por
vaksinën nuk ta lë kush ta marrësh si të duash. Pse u lirua gjë... Vetëm në kushte lufte, kur ka mungesa, një ushtar merr pushkën bosh, tjetri një krehër
me fishekë, por pa pushkë. Dhe pastaj duhet të luftosh.
Në
Tiranë vaksinimi po ecën me një intensitet të paparë. Tek sheshi “Skënderbej”
janë ngritur çadrat. Por ndryshe nga ato të ekspeditave ndëshkimore prej ushtrisë
osmane, madje ndryshe dhe nga ato të partive politike që ngrihen sa herë ka
ndonjë ngërç për t’u ç’koklavitur, kësaj radhe çadrat kanë karakter humanitar.
Epo shyqyr.
“Shqipëria
po buzëqesh”!
No comments:
Post a Comment