Wednesday, December 1, 2021

Në Lushnjën e Kongresit laik dhe Manastirit ortodoks


Shënime udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi

Në një dilemë “hamletiane”, në duhet t’ia mbathja për andej nga Fieri e të përfundoja në Vlorë..., u ktheva në Lushnje. Motivi ishte krejt i përciptë, madje po ta mendosh hollë-hollë, fare banal. Më kishin zënë be e rrufe, që kur të më binte rruga aso ane, të ndalesha në qytet e të haja byrekët e paparë që bëheshin aty. Dhe që rruga të mos më shkonte kot, e mira ishte ta shoqëroja edhe me një tas kos. Meqenëse shqiptar safi, - ose më gënjen mendja si i tillë, - nuk e bëra dysh, sidomos kur vjen fjala për byrekë, kos e fasule, e me raste edhe paçe këmbësh. Ndaj preva timonin majtas dhe u ktheva në Lushnje...
 
...Nëse do të përmendim Lushnjën gjëja e parë që do të na bjerë në mend është "Kongresi Kombëtar" i zhvilluar në këtë qytet janarin e vitit të largët 1920. Pas kësaj do të mendojmë me shpejtësi se Lushnja gjithashtu është njohur gjithmonë si hambari i Shqipërisë, për shkak të fushës së Myzeqesë, nga më pjelloret në vend, një pjesë të mirë të së cilës e ka nën juridiksion. Dhe vetëm po të mendohemi ca më thellë do të kujtojmë se në Lushnje ka ekzistuar Uzina e Lëndëve Plastike, si industria më e madhe për prodhimin të plastikës në vend, e cila u vu në shfrytëzim në vitin 1976. Ishte koha kur vazhdonim ta kishim grurë me Kinën motër, e cila vazhdonte të investonte hekura në Shqipëri.
 

Atraksioni 
i pa munguar
Që nga çasti që u hap për qarkullim autostrada që shkonte drejt Fierit, qyteti i Lushnjës mbeti disi e mënjanuar. Përveç atyre që kishin lidhje të drejtpërdrejta me të, pakkujt tjetër i binte në mendje të shkonte në Lushnje si për të kaluar një ditë turistike. Të mësuar më së shumti me qenësinë e industrisë së plastikës, kemi menduar gjithmonë që Lushnja nuk kishte ç'të ofronte tjetër, sepse për shans të keq nuk ishte as një qytet që kufizohej me bregdetin. Divjaka dhe laguna e Karavastasë, edhe pse nën juridiksionin e saj të drejtpërdrejtë sërish ishin 30 minuta larg, ose të paktën 28 kilometra.
Në materiale enciklopedike informohesh se në disa zona të Lushnjës janë gjetur elementë të varrezave ilire, por kjo nuk përbën asnjë rëndësi për vizitorët e thjeshtë, përveç arkeologëve të pasionuar pas kërkimeve shkencore.
Por kur mendon se aty pranë është “Manastiri i Ardenicës”, rreth 8 kilometra nga qendra,  atëherë bën mirë të pish një kafe në qytet e më pas të ngjitesh në kuotën e 237 metrave mbi nivelin e detit, ku ndodhet ky objekt i rëndësishëm kulti. Manastiri mesjetar mban emrin “Lindja e Hyjlindëses Mari”, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, - madje dhe si ajo që ndodhet brenda territorit të qytetit të lashtë të Apolonisë në Pojan të Fierit, - në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.
Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit. Manastiri i Apolonisë gjithashtu daton rreth këtyre viteve. Pra në njëfarë mënyre kemi një seri kishash dhe manastirësh për të cilat është investuar në të njëjtën periudhë.
 

Mundësitë e rrugëtimit
Guida elektronike të jep tre mundësi që nga Tirana të mbërrish në Lushnje. Të kalosh nga Durrësi, me një distancë prej 85 kilometrash e kohë mesatare udhëtimi me makinë 1 orë e 18 minuta. Mundësia e dytë është ajo që kalon nga rruga e Ndroqit me një distancë prej 79 kilometrash por që të ha më shumë kohë, sepse mesatarisht do të udhëtosh për 1 orë e 30 minuta, dhe kjo dihet, nga rruga e amortizuar që nga Kombinati të nxjerr te Plepat e Durrësit. Rruga e tretë është të marrësh autostradën e Elbasanit, të ecësh në periferi të Dumresë për të dalësh tek rrethrrotullimi i Rrogozhinës. Rruga është 90.6 kilometra dhe aksesimi i destinacionit kap kohën mesatare prej 1 orë e 24 minuta.
 

“Shëtitorja 
e Palmave”
Për t’u futur në qytetin e Lushnjës do të marrësh një rrugë të mbushur me palma, por që vetëm në hyrje të qytetit cilësohet si “Shëtitorja e Palmave” pikërisht në hyrje të qytetit do të kalosh mbi shinat e hekurudhës, por e cila nuk ka as semafor dhe as postobllok, që do të thotë se treni nuk kalon më nga ajo anë dhe nuk përbën me rrezik. Kjo do të thotë akoma më shumë se puna dhe vdekja për ndërtimin e kësaj hekurudhe e aksionistes 14-vjeçare Shkurte Vata, - e cila është jetësuar nga skulptori Muntaz Dhrami, në një bust bronzi me kazmën përpjetë diku në zonën e Dushkut ku makinisti në lokomotivë sa herë kalonte para saj duhet t’i binte sirenës, - paska shkuar për dhjam qeni.
-Shqipëri bahçe me lule...
Në të majtë të rrugës, pikërisht në hyrje të qytetit, bien në sy varrezat e dëshmorëve, sipas udhëzimit nga “lart” që të rënët në Luftën Nacionalçlirimtare duhet të qëndronin në pikat dominuese të çdo qyteti.
 

Historia e qytetit
Një gojëdhënë fort e përhapur në këtë trevë, tregon për "Hanin e Salushes" si burim nga  rrjedh dhe emri i qytetit të Lushnjës. Për Salushen hanxheshë, thuhet se ishte e veja e një Pashai. Ca të tjerë e kundërshtojnë e thonë se ishte vajza e tij. Domethënë vajzë oborri ç'i do fjalët.
Ama... histori shqiptarësh, si gjithmonë. Ec e ta marrësh vesh.
Domethënë, emrat e vjetër të Ilirisë antike e kanë një histori të dokumentuar diku, ndërsa të mesjetës më së shumti ekzistojnë sipas gojëdhënave, sepse nuk ka asnjë të shkruar.
Pikë e zezë!
Zakonisht për këto harresa historike ne ia hedhim fajin Perandorisë Turke, që si na pushtoi e na sakatoi, na la dhe në atë që jemi mësuar ta cilësojmë si "errësira mesjetare otomane".
Dokumenti më i hershëm historik i zbuluar deri më tani, e që e citon Lushnjën si qendër banimi, është ai i vitit 1431, ku emri shkruhej "Lusnia", e që rezultonte të ishte një fshat vetëm me 15 shtëpi dhe rreth 100 banorë. Është bërë dhe një regjistrim me këtë rast.
Ka qenë periudha kur Muzakajt, që i kishin dhënë emrin dhe gjithë trevës së Myzeqesë, kishin ngritur duart përpjetë para “Portës së Lartë” edhe pse në fakt më parë se kaq kishin thyer ushtrinë e krajlit serb Vukashin dhe kishin dërmuar gjithashtu edhe ushtrinë e Bizantit.
Tanimë kur kanë kaluar më shumë se 500 vite nga ajo kohë, regjistri thotë se Lushnja qytet ka rreth 60 mijë banorë.
Epo marshallah!
 

Statujat e qytetit
Lushnja është një qytet, qendra e të cilit është e mbushur me statuja e buste bronzi.
Në qendër, identifikuese tanimë për qytetin, ndodhet ansambli monumental “Toka Jonë” e skulptori Perikli Çuli, inauguruar në vitin 1987.
Përballë shtëpisë ku u zhvillua Kongresi Kombëtar, qëndron “Shqiponja” një vepër e skulptorit Ilirian Shima, e cila është vendosur në bash të vendit në vitin 2015.
Në oborrin e Shtëpisë së Kongresit ndodhen dy buste, një i veprimtarit për çështjen kombëtare Sheh Ibrahim Karbunarës dhe tjetri i Sulejman Delvinës si kryeministër i parë i Shqipërisë që doli nga Kongresi Kombëtar, i cili u mbajt në shtëpinë e patriotit Kasem Fuga.
Statuja e Vaçe Zelës, duke i rënë kitarës, një vepër e skulptorit Arben Bajo ndodhet në lulishten pranë bashkisë së qytetit. Por meqenëse jemi në kuadrin e festave të nëntorit dhe së shpejti vijnë dhe festat e dhjetorit, përballë shtatores së këngëtares së famshme është montuar një kënd lodrash elektronike, ku fëmijët bëjnë xhiro me makina, gjë që e zë krejtësisht pamjen e statujës prej bronzi.
Por nuk mungon as memoriali që përkujton ngritjen e flamurit në 27 nëntor të vitit 1912.
Me rastin e festave kombëtare të fundnëntorit, Lushnja ishte zbukuruar me banderola e flamuj kuq e zi, gjë që e bënte më atmosferën krejt alegro.
Po në një lulishte pranë qendrës së qytetit do të gjesh dhe një instalacion me germat “LOVE”.
Busti i Rrahman Uruçit, komandanti i batalionit të parë të Myzeqesë në vitet e Luftës kundër fashizmit, ndodhet po në qendër të qytetit.
Pak më tutje një memorial dhe një basoreliev kushtuar dëshmorit partizan Loni Dhamo.
Ndërsa tek qendra e artit "Vaçe Zela" do të ndeshesh dhe me dy skulptura origjinale, njëra që tregon një valle dyshe myzeqare dhe tjetra një grup vajzash balerina.
Në krah të bashkisë është busti i atdhetarit Besim Nuri, i cili ka qenë dhe kryetari i bashkisë së qytetit në vitet 1919-1920.
Por këto nuk ishin të gjitha, pasi lashë pa përmendur edhe disa buste të tjera, emblema të qytetit. Dhe nëse do të fusnim këtu edhe kishat e xhamitë, shënimet e një udhëtimi rutinë do të merrnin vlerë enciklopedike.
 

Epilogu
Teksa largohesh nga qyteti i Lushnjes, do të marrësh sërish “Shëtitoren e Palmave”, dhe si u ke hedhur një vështrim shkarazi Varrezave të Dëshmorëve do të kalosh mbi shinat e trenit që të mbërrish tek rrethrrotullimi, i cili të jep dy mundësi: ose të marrësh autostradën në të majtë për në Fier e Vlorë, ose t'ia mbash djathtas për në Durrës e Tiranë.

No comments:

Post a Comment