Leonard Veizi
Ne
jetojmë në një mjedis të trishtë me fqinjët tanë. Është një bashkëjetesë e
vështirë. Dhe ndodh jo rrallë të bëhet e egër e fort toksike. Shqiptarët, si
popull më i vogël, apo vetë shteti Shqiptar, ndihet nën trysninë e fqinjëve
tanë, në veri sllavët dhe në jug helenët. Përballë kemi Italinë, por meqenëse
me ta na ndan një det i tërë, edhe marrëdhëniet janë ku e ku më të mira. Por
edhe kur nuk janë të mira, të paktën nuk janë agresive.
Me
fqinjët tokësorë, ku na ndajnë doganat dhe piramidat kufitare, na gjen belaja.
Sepse ata gjithmonë do ta kenë gati një pretendim territorial. Që do të thotë,
ne si shqiptarë, guximtarë e sypatrembur u kemi marrë territore dhe se Konferenca
e Londrës e vitit 1913 është treguar e
padrejtë me ta në favor të kufijve të Shqipërisë e në dëm të sllavëve, një
pjesë e të cilëve quhen serbë, dhe helenëve, që ne u themi grekë. Ndaj dhe
fqinjët janë fort vigjilentë dhe i mbajnë pushkët ngrehur dhe një ligj lufte
gati, që po qe se kërcënohen nga shqiptarët ta çprazin xhepanenë.
“Shqiptar
i mirë është shqiptar i vdekur” – është një shprehje e ngritur në mit nga
forcat shoviniste të sllavëve të jugut.
“Ne
do të bëjmë lidhëse këpucësh me zorrët e shqiptarëve” – këndonin ca ushtarë
grekë dhe video u bë virale kur e hodh në Youtube.
Se
nuk është puna vetëm ta urresh shqiptarin, dhe duhet ta tregosh sa fort e
urren. Dhe kështu mendon se të shtohet jeta e zë më shumë dhjamë. Ose mendon me
zell se Jezusi ortodoks, për shërbimet që kanë kryer në tokë, do t’i dërgojë në
parajsë.
Kështu
duan të na shohin fqinjët tanë, që me sa duket na urrejnë jo pak. Por që për
diplomaci, meqenëse historia i ka vendosur të jenë në kufi me ne, edhe mund ta
kafshonin gjuhën e të mos na i bënin këto surpriza horrori.
Tani,
jo se ne jemi më të mirë, kemi rënë në dashuri me fqinjët tanë dhe u lutemi për
miqësi të sinqertë, por të paktën këngë të tilla, ku të flitet për genocid e
shfarosje, nuk u kemi kënduar kurrë. Dhe me sa duket ne kemi ditur ta kafshojmë
gjuhën shumë më tepër se ta.
Por
situatat nuk janë kaq bardh e zi, gjithsesi.
Ndodh
që kur politika nuk trazohet, gjërat shkojnë vaj dhe agresiviteti i ul tonet.
Bëjmë dhe ndonjë krushqi... por më së shumti bëjmë tregti. Se kjo punë më
kujton dhe disa batuta nga një film fort i njohur i Kinostudios, kur një grua
nga Labëria pyeste partizanen Lilo të plagosur në këmbë:
-Turke
a kaure je?
-Jam
nga bregu i detit.
-Kaurë
janë të gjithë ata andej por trima janë. Japim e marrim me ta, u shpiem fasule
e marrim vaj. Kemi plot miq andej.
Po
ashtu siç shpiem fasulet e marrim vajin si në një konvenjer që rrotullohet e
nuk di të ndalojë transportojmë dhe inatet. Se vështirë të harrohen inatet e së
shkuarës. Vështirë t'i vësh një gur zemrës e të shohësh përpara... domethënë
drejt integrimit Evropian në rastin konkret. E kemi të vështirë ta bëjmë dot ne
se jemi ballkanas. Por nuk është se kjo punë nis nga ne. Fillimisht nuk e bëjnë
ata. Sidomos ata që pretendojnë se janë të integruar dhe na kërcënojnë se “do
na e mbyllin derën e shtëpisë”. Dhe sapo politika e ndez fitilin, gjuha e
urrejtjes del mbi sipërfaqe.
Kush
është ai që e harron se babai, - ndoshta gjyshi, madje edhe katragjyshi në
qoftë, - ia ka vrarë fqinji? Do të rrijë të pijë kafe gjithë ditën me të e të
bëjë sikur nuk ka ndodhur gjë? Vështirë! Mund të mos hakmerresh, por e di fare
mirë se katragjyshi i atij që ke përballë të ka vrarë paraardhësin tënd dhe
gjaku ka mbetur në mes.
Është
vështirë që shqiptarët të bashkëjetojnë me serbët në mënyrë krejt harmonike,
edhe pse mes serbëve dhe shqiptarëve ka plot krushqi. Dhe po aq ne nuk arrijmë
të kemi harmoninë e nevojshme me grekët, sepse politika greke do ndërhyjë se
s’bën për të vënë stërkëmbësha. Një herë do sulmojë në kufi, herën tjetër do
fusë trupa ushtarake në territorin shqiptar, do valëvisë një flamur që në
Shqipëri është i anatemuar dhe do fusë komando për të vrarë e terrorizuar. Dhe
ne na ndan përsëri një lumë gjaku. Ne mundohemi ta minimizojë, por 1914-ta nuk
harrohet. Ajo është aty në kujtesë. Nuk harrohet as 1949-ta dhe as 1994-a.
Ne
me serbët na ndan më shumë se një lumë gjaku. Vetëm sharlatanët mendojnë se me
ta kemi pasur periudha të arta miqësie dhe muaj mjalti.
Në
vitit 1448 ushtria hungareze e drejtuar nga Janosh Huniadi humbi përballë
ushtrisë osmane pasi ushtria shqiptare e komanduar nga Skënderbeu u pengua të
merrte pjesë në betejë pasi despoti serb, Gjergj Brankoviçi, nuk e lejoi
ushtrinë shqiptare të kalonte nga tokat e tij. Dhe pastaj dalin ca e ca e thonë
se Gjergji me mbiemrin shqiptar të Kastriotëve na qenkësh dhe nip tek serbët.
Por po të ishte kështu, kaq gjë do ta toleronte Brankoviçi, meqenëse flitej për
nipin. Por kjo nuk ndodhi, sepse ai ishte vasal i Portës së Lartë, pavarësisht
se sot ata na akuzojnë ne si filoturq.
A
mund të flitej për muaj mjalti e krushqi me serbët pas kësaj?
Ne
jetojmë në një ambient revanshist, ku fqinjët kërkojnë dominim. Ata duan edhe
ca tokat tona edhe ca nga njerëzit tanë. Pavarësisht se i konsiderojnë
"turq" qoftë dhe të ardhur nga kaukazi, kjo për ta nuk ka kurrfarë
rëndësie. Sepse një Haxhiu, po t’i vendosësh një prapashtesë e ta bësh Haxhiviç
na del serb, dhe po e arnove si Haxhijani bëhet grek. Safi ortodoks. Dhe kjo ka
rëndësi, se të tjerat rregullohen.
Ne
jetojmë në një ambient toksik me fqinjët tanë.
Në
Parlamentin grek nga Agimi i Artë kërkoi një minutë heshtje për vrasjen e
Konstantinos Katsifas, që në Shqipëri u konsiderua si një terrorist, pasi i
veshur me uniformë kamuflazhi qëlloi mbi uniformat e policisë shqiptare.
E
pra me grekët kemi ca më tepër krushqira. Edhe pse fasule u kemi dhënë me
shumicë e vaj u kemi marrë sa kemi dashur.
Serbia
shpall heronj dhe deklaron ditë zie kombëtare për një tufë kriminelësh që vranë
një polic shqiptar të Kosovës duke dhunuar me armë e mjete të blinduara dhe
tokën e këtij shteti.
Dhe
kjo tregon se ata nuk i fshehin fare qëllimet e tyre shoviniste dhe agresive.
Ismail
Qemali që në themelim të shtetit shqiptar u shpreh për të deleguarit:
“Shqipërinë e kemi këtu të gjithë, dhe politikën e saj të paqes dhe fqinjësisë
së mirë me cilindo që do t’i tregojë miqësi, e vendosëm”.
Po
a është fqinjësi e mirë kjo???
No comments:
Post a Comment