“Një
kalë, jap mbretërinë për një kalë”.
Sentenca
fort e njohur shekspiriane vendosur tek “Rikardi III” mund të përdoret bindshëm
edhe në shumë raste të ngjashme që personifikojnë rastet e krizave.
“Një
psikolog, jap republikën për një psikolog”.
Që
kur u fut mijëvjeçari i ri u tha se tanimë bota nuk do të ketë në rend të ditës
sëmundjet kardiovaskulare, as ato tumorale... Ky nuk është më shekulli ku bënte
namin SIDA dhe as diabeti. Ky shekull do të rëndojë bilancin në sëmundjet
psikike.
Çfarë
duhet në këto raste? Një psikolog... dhe një psikiatër, gjithashtu. Varet sa të
rëndon kandari.
Jemi
futur bindshëm në epokën e sëmundjeve psikike. Dhe për këtë të gjithë duhemi
mbajtur në monitorim. Sepse, me sa duket qenka e lehtë shumë që ajo mendja, që
ne shpesh i themi me humor “kokërr gruri është e shkreta” të lëvizë në anë të
kundërt. Dhe në vend të ngrejë kalanë, të bën hatanë. Sepse merr vendime të
papritura, të papara e të padëgjuara. Ndaj po ndodh aq shpesh të ketë vdekje me
bilanc lufte në një kohë paqeje.
Informacionet
që qarkullojnë me shpejtësi nga çdo cep i globit flasin për njerëz që me
mitroloz në dorë sharrojnë kë u del përpara. Edhe filmat aksion me Stalonen e
Shvarcenegerin nuk pasqyrojnë dot atë që ndodh në jetën reale. Dhe asnjë njeri
me një psikikë normale nuk do ta bënte këtë. E bëjnë ata që humbasin fokusin.
Në
Shqipëri fillimi i vitit 2024 nisi me bilanc të frikshëm, si në vrasje dhe në
vetëvrasje. Prej vitesh bilanci i vrasjeve, vetëvrasjeve por dhe i aksidenteve
me vdekje, në Shqipëri është fort i lartë. Mjafton t’i drejtohesh statistikave
zyrtare që bën publike Instituti i Statistikave dhe do të të futet data.
Mesatarja e viteve të fundit është të paktën 200 vetëvrasje në vit. Dhe nuk ka
pikë rëndësie nëse t’i heq fotoksinën nga qarkullimi dhe shitja nëpër farmaci,
sepse ai që e ka ndarë mendjen e gjen mënyrën. Thjeshti, ti mund ta
parandalosh, nëse ke të dhënat që në trurin e tij, - tashmë diabolik, -
vërtitet diçka e zezë që e gërryen si një insekt në dukje i vogël apo i
papërfillshëm fare.
Bota
është munduar të marrë masa që ta ulë numrin në rritje të vetëvrasjeve. Një
nga tentativat është dhe shpallja e
datës 10 shtator si Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes. Simbolika e
kësaj dite ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e masave
parandaluese për zvogëlimin e numrit të vetëvrasjeve dhe përpjekjeve për
vetëvrasje në nivel global. Ndaj Instituti i Shëndetit Publik në një qarkore të
tij thotë se: Vetëvrasja është një problem serioz në shëndetin publik. Në
shumicën dërrmuese të rasteve janë të parandalueshme, mund të mblidhen të dhëna
për to, si dhe mund të hartohen programe parandalimi dhe ndërhyrjeje.
Po
a është ngritur ndonjëherë me të madhe si shqetësim, që jo vetëm nëpër shkolla
por dhe nëpër institucione çfarëdo dhe qendra të ndryshme pune duhet atashuar
një psikolog?
Përdorimi
gjerësor i narkotikëve po e rrit gjithashtu numrin e sëmundjeve të shëndetit
mendor, nga psikozat me të lehta, për të shkuar tek diagnozat e rënda. Dhe kjo
vërehet masivisht tek të rinjtë.
Ja
që duhet një psikolog në vendin e punës si një masë parandaluese. Sidomos në
ushtri e polici. Atje ku njerëzit kanë mundësinë e kontaktit me armën. Sepse
ndodh si në Amerikë rasti i një polici që vrau gruan shqiptare dhe fëmijët e
tij. Pastaj vjen rasti i një shqiptareje në Shqipëri që vetëvritet, duke lënë
pas 4 fëmijë. Vendim i vështirë. Por kur të shket truri, - për “X” e “X” arsye
sigurisht, - është fort i lehtë për t’u ndërmarrë.
Sigurisht!
Psikologu në vendin e punës është aty për të ofruar mbështetje dhe këshilla për
stresin, tensionet në punë, konfliktet mes kolegëve, menaxhimin e kohës, ose
çështje personale që mund të ndikojnë në performancën tuaj në punë. Në shumë
raste, ata janë burim i rëndësishëm për mirëqenien dhe produktivitetin në
ambientin e punës.
Psikologjia
dhe kriminologjia kanë një lidhje të ngushtë për të kuptuar sjelljen njerëzore
dhe motivet pas veprimeve kriminale. Psikologët përdorin njohuritë e tyre për
të kuptuar se si faktorë si personaliteti, perceptimet dhe përvojat ndikojnë në
sjelljen kriminale, duke ndihmuar në rehabilitimin dhe parandalimin e krimeve.
Statistikat
botërore tregojnë se afërsisht 800.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të
vetëvrasjeve. Pra çdo 40 sekonda në botë vetëvritet një individ. Dhe nuk flitet
më për numrin e tentativave që është shumë më i lartë.
“Një
psikolog, jap republikën për një psikolog”.
Sepse
shifra të tilla janë më shumë se tragjike. Kur njihesh me to, të duket sikur je
fare pranë epiqendrës së gjëmës. Dhe mund të jesh po ti viktima e radhës. Dhe
viktimat më së shumti janë femrat. Se ne vazhdojmë të jemi shoqëri maskiliste.
Shoqëri denigruese. Shoqëri primitive në një botë moderne.
Ka
kaq vite që fotot e grave fatzeza qarkullojnë në internet, shpesh për krime të
pazbuluara ndaj tyre. Të vrara e të shtyra në vetëvrasje, ndërsa nëpër shkallët
e Pallatit të Kulturës, si simbolikë në kujtim të këtyre viktimave rreshtohen
vetëm këpucë të kuqe.
“Një
kalë, jap mbretërinë për një kalë”, thërriste në panik e sipër mbreti Rikard,
sepse po ia merrnin mbretërinë.
“Një
psikolog, jap republikën për një psikolog”, duhet të jetë një tjetër moto në
panikun që na ka kapur tanimë.
No comments:
Post a Comment