Thursday, June 27, 2024

Klithma ndaj makutërisë së mjekëve: mos kini frikë drejtësinë por Perëndinë!


Nga 
Leonard Veizi
 
Skandali i fundit tek Onkologjiku tregoi edhe një herë makutërinë e mjekëve që bëjnë para me thasë në kurrizin e të sëmurëve me kancer.
Sado burrë i fortë të jesh, i kapur pas kodesh që të kuadratojnë të mbash mustaqe, kobure në brez, vezme me fishekë mbi shpatulla, kallashnikov në qafë, e ta kesh këmbëzën për të shkrepur topin po aq sa Mato Gruda, kur shkon te mjeku qëndron gatitu por me gjunjë të këputur, më shumë se para komandantit të divizionit. Dhe është gati që ky burrë zamani ta bëjë “çiçin në brekë” kur mjeku t’i japë mandatin se nuk i ka punët hiç mirë me shëndetin, dhe ca më i keq është lajmi kur të thotë se as më pak as më shumë por ke një kancer.
-Mos e ke gabim o doktor... A t'i përsëris dhe një herë analizat?
Jeta ka treguar se aty të laget baroti e të bie kallashi nga dora. Nga ai çast mjeku të duket si Perëndi. Vetëm nga ai ke shpresë. Dhe kapesh pas bluzës së tij si i mbyturi pas valëve të detit. Dhe kur je në ditë të tilla është e vërtetë që vetëm dy personazhe mund të të bëjnë punë e të të lehtësojnë barrën: Perëndia dhe Mjeku.
Dhe po vuri dorë Perëndia, për mirë a për keq, u bitis puna. Ndaj të mbetet mjeku. Por kur mjeku është batakçi, punët shkojnë dhe më keq.
Një pjesë jo e vogël mjekësh e kanë harruar Betimin e Hipokratit, ose as që e kanë bërë fare atë, përndryshe nuk ka si shpjegohet që mjeku ka zënë vendin e xhelatit.
Por së fundmi na u bë e ditur se një grup mjekësh e ndihmësa të tyre na luanin një lojë llotoje në kurriz të pacientëve të sëmurë me kancer. Hidh e prit. Dhe ata të shkretët bridh lart e poshtë sipas interesave të mjekëve, vetëm se e duan jetën dhe kanë gjithmonë shpresë. Po me këta lloj mjekësh, që bëjnë ping-pong me ty, dhe numërojnë paratë se sa operacione duhen me kap pushimet në Maldive, duhet ta urresh jetën dhe t'ia heqësh vetes që të mos katandisesh deri në atë pikë sa të të heqin brekët dhe kanotieren, si tek ai skeçi i estradës së Shkodrës.
-Ba me u ba biznecmen...  – i thosh kandidati për afarist nëpunësit të shtetit që do t'i jepte vulën, duke me heq pulovrën dhe pantallonat. - Merri dhe këto se s’më ka mbet ma gja.
Dihet që kanceri është një sëmundje e rëndë, dhe shyqyr që shkenca ka ecur aq sa një pjesë ta shërojë plotësisht dhe një pjesë tjetër ta mbajë të presuar që të mos eci përpara. Por e gjithë lufta ka goxha kosto, - jo vetëm financiare, - të cilat i vuan pacienti. Kësaj kostoje i shtohet dhe humori i mjekëve që vënë baste me sëmundjen e tyre. Tani këta mjekë, ose besojnë se janë imunë ndaj kancerit dhe ai do t’i falë meqenëse janë të fushës dhe ia dinë hilenë punës, ose janë halabakë dhe mendojnë vetëm fitimin e shpejtë, po se çfarë ndodh më pas nuk ka ndonjë problem për t’u shqetësuar.
Mjekësia në Shqipëri përballet me një sërë problemesh të mëdha që ndikojnë në cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe shëndetin publik në përgjithësi. Disa nga problemet kryesore përfshijnë mungesën e financimeve të mjaftueshme, largimin e mjekëve dhe infermierëve, infrastrukturën e pamjaftueshme dhe korrupsionin.
Rastet e kancerit janë në rritje në Shqipëri, duke bërë që pavijoni i onkologjisë të përballet me një numër të madh pacientësh që kërkojnë trajtim të specializuar dhe të zgjatur. Faktorë si plakja e popullsisë, ndryshimet në stilin e jetesës dhe ndotja mjedisore kontribuojnë në këtë rritje.
Në disa raste, praktikat korruptive dhe tregu i zi kontribuojnë në shpërndarjen e medikamenteve të skaduara. Disa subjekte farmaceutike mund të përpiqen të shesin medikamente të skaduara për të minimizuar humbjet financiare, ose të përfitojnë nga mungesa e mbikëqyrjes së rreptë. Kjo është e papranueshme dhe kërkon masa të forta ligjore dhe administrative për të parandaluar dhe ndëshkuar këto praktika.
Korrupsioni mbetet një problem i madh në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Ryshfetet dhe praktikat korruptive në shpërndarjen e fondeve dhe burimeve janë të përhapura, duke penguar shpeshherë përmirësimin e sistemit dhe uljen e besueshmërisë së publikut ndaj institucioneve shëndetësore. Pacientët shpesh duhet të paguajnë nën dorë për të marrë shërbime cilësore, çka rrit edhe më shumë pabarazitë dhe ndjenjën e padrejtësisë në shoqëri.
Problemi me aparaturën e kobaltit tregoi edhe një herë shkallën e makutërisë së një pjese të personelit mjekësor. Aparaturë e nxjerrë jashtë përdorimit dhe e lënë në një cep të spitalit që rrezaton në vazhdimësi, aq sa të shkaktojë një ushtri tjetër të sëmurësh me kancer.
Trajtimi i sëmundjeve malinje me kobalt ka qenë i përhapur mes vitet 1960 – 1980. Por prej shumë vitesh ai është hequr nga qarkullimi. Në Shqipëri procesi vazhdon akoma. Duket sa të avancuar jemi në këtë fushë. Dhe ai, nga një makineri që shërbente për të mëkëmbur pacientët tanimë është kthyer në një makineri që shkakton pacientë pa fund.
Duket që Zoti ka ligjet e veta të ndëshkueshmërisë e ne nuk jemi askushi t'i ndërhyjmë e t’i ngatërrohemi nëpër këmbë. As mund të gëzohemi nga fakti që mjekë xhelatë janë bërë viktimë e makutërisë dhe idiotësisë së tyre. Sepse idiotësisë së mjekëve të onkologjikut për nxjerrjen jashtë përdorimit aparatit të kobaltit, i është kthyer me të njëjtën monedhë...
Duhet pasur parasysh se aparati i kobaltit është një makineri e viteve '60... dhe mjekët mirë kanë bërë që e kanë nxjerrë jashtë përdorimit. Por mjekët duhet ta dinë kaq gjë, që aparatura e kobaltit qëndron në një bunker hermetik për të shmangur rrezatimin. Sepse ai është gjithmonë i rrezikshëm. Dhe kur është "i fjetur". Ndoshta nuk e dini, do të thoni ju... Se kjo është punë specialistësh të rrezatimit.
Por a e dini kur ka ardhur aparatura e kobaltit në Shqipëri?
Ajo është një teknologji e viteve '60 të shekullit të kaluar. Për herë të parë me togfjalëshin kobalto terapi unë personalisht jam ndeshur teksa në vitin e largët 1980, - asokohe vetëm 12 vjeç, - lexoja në faqet e romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe” të Ismail Kadaresë. Ai ka një personazh mjek i cili kishte dëshirë të shkruante një libër me titullin e thjeshtë, sipas autorit: “Kronika e aparatit të kobaltit”. Dhe ja çfarë shkruan mes të tjerash Ismail Kadare, gjë ë e cila më ka mbetur në kujtesë këtu e më shumë se 40 vjet më parë.
Mjeku buzëqeshi me vete. Atij iu kujtua mëngjesi kur aparati porsa kishte mbërritur. Kjo kishte ndodhur dy muaj më parë. Aparati kishte mbërritur gjatë natës dhe në mëngjes asnjeri s'dinte akoma asgjë për të. Pastaj, dalëngadalë, aty nga dreka, në fillim mjekët, pastaj infermierët, pastaj sanitarët dhe më në fund të sëmurët, e muarën vesh se aparati kishte mbërritur. Ai ishte atje, i ambalazhuar në arka dhe i mbështjellë me kujdes me izolant special, megjithatë të gjithë e dinin se ai rrezatonte vazhdimisht rreze. Atë ditë dhe ditët e tjera që erdhën më vonë, ai kënd i oborrit filloi të braktisej. Askush nuk kalonte andej. Ndërkaq, inxhinierët po pajisnin me shpejtësi dhomat e veshura me plumb, banesën ku do të futej e s'do të delte më mysafiri i shumëpritur, por vdekjeprurës. Qysh tani lista e njerëzve që do të fillonin seancat e rrezeve, ishte e gjatë. Gra, burra, punëtorë, fëmijë, vajza, ministra, pensionistë, shoferë, heronj të punës socialiste, fshesaxhinj, artistë, ish-partizanë, shefa, zëvendësshefa, kryeqytetas, të ardhur nga rrethet, të ardhur nga zonat e largëta, do të uleshin përpara tij, të heshtur, të barabartë, duke pranuar shërbimin e tij të rrezikshëm”.
Për këdo që ka lexuar këto pak rreshta, qoftë dhe i interpretuar në mënyrë letrare, - por shumë rigoroze në informacionin shkencor, - e ka kuptuar mirë që aparatura e kobalto terapisë është e rrezikshme në çdo kohë.
Dhe kjo anashkalohet nga një mjek me 6 vjet studime në mjekësi të përgjithshme dhe 3 vite specializim...?
Mirëpo të gjitha këto shkarkohen vetëm në kurrizin e pacientëve, ose të vetë mjekëve kur kthehen në pacientë. Sepse askush nuk ka imunitet nga asgjë. Ndaj duhet menduar si për vete, ose për njeriun tënd të afërt. Dhe nuk mund t'i bësh një pacienti vetëm gjysmën e dozës, me qëllim që të përfitosh ca para më shumë nga gjysma tjetër, me qëllim që të shkosh me pushime një një hotel me pesë yje dhe pishinë me ujë të ngrohtë.
Skandali plasi dhe mjekët shkuan përpara trupës gjykuese. Se duhet ndëshkuar për mëkatet e bëra. Por se çfarë do të ndodhë në seancat e mëpasme askush nuk e di. Se nuk është çudi që nga të akuzuar të na dalin heronj, e duhet tu kërkojmë falje që u sollëm keq me ta.
Dhe duke e ditur se drejtësia në Shqipëri ka problemet e veta, dhe një kriminel, del i pafajshëm, për çdo mjek duhet ngritur thirrja: mos kini frikë drejtësinë por Perëndinë! Se drejësia tӕ fal, por Perëndia jo.
Për ta përmbyllur, ndërsa mjekësia në Shqipëri përballet me këto sfida të mëdha, është e qartë se kërkohen reforma të thella dhe të qëndrueshme për të përmirësuar situatën. Kjo përfshin rritjen e financimeve, përmirësimin e kushteve të punës për personelin mjekësor, modernizimin e infrastrukturës dhe një luftë të pakompromistë ndaj korrupsionit. Vetëm përmes këtyre masave mund të arrihet një sistem shëndetësor që i shërben me dinjitet dhe efikasitet të gjithë qytetarëve, ashtu në heshtje e të barabartë siç shkruar Kadare në romanin e tij.

Wednesday, June 26, 2024

Kampionati evropian, kush na e fryu tullumbacen ne shqiptarëve mor aman?


Nga Leonard Veizi
 
Se kush i fryu shqiptarët, e i bëri t’u gënjente mendja se mund të fitonin Kampionatin Evropian të Futbollit 2024, i raftë pika jarebi! Dhe shqiptarët fryhen shpejt të keqen vëllai, dhe harrojnë fët e fët që deri dje hanin një tas fasule tre veta, e sot duan të dalin të parët në botë.
-Më shtruar kulufi i xha Jahos, më shtruar. I ke dhënë ujë gomarit?
Vërshimi i komenteve të shëmtuara, - ku mes të tjerash jepeshin leksione të hapura se si mund të ndërtohej ekipi kombëtar, si të luaje me të djathtën e të gjuaje me sallaken, - ishin pa fre.
Vetëm shqiptari mund të ketë guximin e çmendur të imagjinojë se do të triumfojë në fushën më të madhe të futbollit kontinental. Në fakt, ky guxim i çmendur nuk është gjë e keqe, por thjesht duhet mirë menaxhuar. E jo të lihet rrugëve si mëzi pa fre. Aijaaa... Ku rafsha mos u vrafsha! Se pastaj na ndodh si me Tomorin.
-Tomori moj, ai balash që desh të vrau Koçin. Tomka.
-E kanë marrë më qafë moj Ollgë, se e duan shumë, e përkëdhelin, ia heqin kapistallin dhe e lëshojnë të kullosë azat. Ja, kështu i marrim nganjëherë në qafë edhe fëmijët tanë edhe ne, i lëshojmë jonxhave të botës.
Pyetja që na shqetëson është: kush na e fryu tullumbacen e madhe të ëndrrave mor aman?
Tanimë, - si “kofini pas të vjelave”, - të gjithë bëjnë si ekspertë futbolli e regbie bashkë, duke thënë e stërthënë se “grupi i zjarrit” në fakt ishte një “grup shurupi”. Se ne kishim takat t’i hanim jo tek e tek të trija skuadrat me të cilat na kishte rënë bixha të luanim, por dhe të tria si grup, Italinë, Kroacinë bashkë me qershinë përmbi tortë, Spanjën.
-O kush ishte ai që të bëri kryetar ty? Po kujt i vajti mendja xhanëm? Ishim aq rehat.
Po, a e kemi me gjithë mend që ne pallojmë në dru Italinë me 4 kampionate botërore në xhepin e pasmë të pantallonave, një Evropian dhe katër trofe të tjera për vendin e dytë, pra finalist gjithsesi?
Po Spanjën me një botëror e dy evropian në xhepin e këmishës?
Ja po e heqim Kroacinë e Modriçit, që ka vite që është ndër më të mirat e botës, meqenëse nuk ka një trofe të parë.
Jo, jo... ëndrrat e shqiptarëve janë të mëdha. Si nuk do kalonim ne grupin e ferrit?! T’u thaftë gjuha jarebi! T’u thaftë dhe kaptina, more vesh! Po ne për atë pak futboll jetojmë. I patë shqipet në Dortmund, Hamburg e Dyseldorf? Edhe Adolfi do t’i kishte zili për parakalimin ceremonial që s’e arriti dot me trupat e Rajhut të Tretë. Le pastaj për luftën rrufe... e më the e të thashë.
Po ç’t’i hapim ato avaze.
Por Shqipëria humbi. Domethënë, nuk fitoi... Hej bela se u ngatërrova me këmbët e mia: Nuk e vazhdoi dot më rrugën në Kampionat e kisha fjalën.
Ptu... racë e poshtër. Lojtarë të shkundur.. Po një gol nuk bënit dot. Ta shklynit portën. 50 mijë shqiptarë lanë lesht për ju... Blenë nëpër dyqane nga një uniformë kombëtare, nga një flamur kombëtar, edhe nga një biletë për kombëtaren.
-Këta shkopinjtë mos i bëj kaq të trashë ti Avdi, mezi mbahen në dorë. Më të hollë bëji.
-Ashtu thua zotrote.
Histeria kundër trajnerit që e çoi për herë të dytë Shqipërinë në finale, por me fitore të pastra, duket me e paarsyeshme se paarsyeshmëria. Po kujt u thua? Shqiptarëve?
Ne kemi hellin që s’na lë. Ne duam të jemi qendra e botës. Duam që gjuha jonë të jetë ajo që ka formësuar edhe persishten, edhe indishten dhe gjuhët afrikane, se Evropën po e po, atë e kemi tonën. Ne duam dhe që ta fitojmë kampionatin evropian me një të parë të syrit. Të rrahim Gjermaninë e të shqepim Francën. E kur të vinte puna te Portugalia ta merrnim me dru.
-U bon kta.
Mirëpo ëndrra janë, edhe s’dalin.
Dhe në fakt dolëm me një pikë.
-Po njëzë mo,... njëzë?
-Po nuk thua faleminderit se mund të mos merrje asnjë. E ke nga Sofka.
Nuk është çudi që të dëgjosh çdo cep të kafeneve, birrarive dhe zyrave të shtetit, analistë të përkryer futbolli, të cilët me një gotë raki përpara, na shpjegojnë se si trajneri i kombëtares duhet të kishte përdorur skemën 3-4-3 që është më efektive se 4-4-2, por që me një sulmues në thellësi e me një goditje standarde në largësi....
-Shumë thellë na fute djalë, shumë thellë. Mati fjalët se në ato thekra nuk hyjmë ne! 
Që nga komentatorët sportivë në media deri tek çunat e lagjes që dikur luanin me ekipet e shkollave, të gjithë bëjnë si ekspertë.
-Batalioni 12 e fanterisë në sulm përpara...
Anonimët e shfrenuar, që për konvencion fjale po e quajmë “Mister X”, është një figurë enigmatike që shfaqet vetëm kur kombëtarja jonë fillon të luajë, është gjithmonë aty për të na treguar se si fitoret janë të garantuara. Ai na rrëfen për taktikat e fshehta dhe për yjet e rinj që do të shfaqen nga hiçi. “Kampionati Evropian është i yni,” thotë ai me një bindje që vetëm një shqiptar i vërtetë mund ta ketë.
-Po daleni mo djema!
Por, ah, grupi i ferrit! Pse të tjerët nuk e kuptojnë se grupi i ferrit është krijuar vetëm për të na testuar ne, heronjtë e rinj të Evropës? Italia, Franca dhe Gjermania mund të jenë kampionë botërorë, por ne kemi shpirtin shqiptar. Dhe kështu, ëndrra jonë thërret: "Kush e tha që nuk mundemi?"... Pastaj vazhdon: “O sa mirë me ken shqiptar”!
E vërteta është se kjo ëndërr është një ngushëllim për realitetin tonë. Kur zgjohen nga iluzioni i kampionatit, shumë shqiptarë e kuptojnë se futbolli është një arratisje e bukur nga përditshmëria jonë. Është një tullumbace që fryhet e fryhet, derisa realiteti me një gjilpërë të vogël ta shpojë dhe ta kthejë në asgjë.
-Prit o beg se ka hendek!
Por, në fund të fundit, ëndrrat na bëjnë të ndihemi gjallë. Dhe kush e di? Ndoshta një ditë, kur “Mister X” të ketë një plan të vërtetë dhe yjet tanë të rinj të mos jenë vetëm legjenda urbane, tullumbaci ynë do të mbetet i paprekur deri në fund të kampionatit. Por deri atëherë, ne do të vazhdojmë të ëndërrojmë, të diskutojmë dhe të bëjmë si ekspertë të futbollit, sepse në këtë kaos të ëmbël, gjejmë ngushëllim dhe shpresë.

Tuesday, June 25, 2024

“Nikaragua 79”, një film për një gazetar të vrarë në ditët e revolucionit

 
20 qershor 1979
 



Nga Leonard Veizi
 
Nën titullin “Nikaragua 79” televizioni shqiptar i viteve ’80 të shekullit të kaluar, transmetoi filmin amerikan, jo fort larg si hapësirë kohore nga çasti kur filmi nisi të shfaqej në rrjetet televizive të mbarë botës. Dhe si gjithmonë suportuesi më i madh në këtë drejtim ishte televizioni italian, - ashtu siç e kemi thënë dhe në edicionet e mëparshme të këtij suplementi, - të cilit ne ia “vidhnim” të drejtat e transmetimit ditën për diell, por për arsye teknike dhe meqenëse nuk kishim mundësira të tjera teknike, linim si kolonë zanore dublimin në gjuhën italiane, dhe siglën e RAI-t. Ishte sa qesharake aq edhe argëtuese, sepse në fund të fundit merrnin një informacion shtesë, nëse një pjesë e shqiptarëve nuk arrinit ta ndiqnin premierën e filmit drejt e nga kanali italian. Ndërsa nga ana propagandistike, qeveria e Tiranës ia bënte kabull transmetimin në ekranin e saj të aktorëve të mëdhenj si Xhin Hakman e Nik Nolte, mjaft që në film flitej për fitoren e një revolucioni të tipit marksist, dhe të një udhëheqësi që efektivisht nuk quhej Rafaelo, por që ishte një emër skenik. Dhe kështu qeveria e Tiranës shpresonte që në mesin e viteve ’80, kur punët me komunizmin e Evropës Lindore po ecnin morth, mbaheshin tek shpresa se shpërthimi i revolucioneve në Amerikën Latine, me mbështetjen e Kastros dhe idealizmin e Guevarës, do të vazhdonte ta mbante në pushtet kastën e vjetër staliniste...
 
...Vrasja e një gazetari amerikan, nga një ushtar qeveritar, në ditët e nxehta të revolucionit në Nikaragua të vitit 1979, bëri zhurmë të madhe e trazoi shumë ujëra. Për më tepër që nuk flitej vetëm për dëshmitarë okularë të cilët e kishin parë ngjarjen, por për një kamera që kishte mundur të regjistronte të gjithë aksionin e ushtarëve që mbronin kryeqytetin Managua nga ata që cilësoheshin si rebelë pjesë e Revolucionit Sandinist.
Uilliam D. “Bill” Stjuart ishte një gazetar amerikan që punonte për ABC News. Ai bashkë me përkthyesin Huan Espinosa u vranë nga forcat e Gardës Kombëtare Qeveritare ndërsa raportonte për Revolucionin e Nikaraguas, teksa forcat sandiniste po afroheshin kryeqyteti i Managua. Pamjet e ekzekutimit të tij u transmetuan vazhdimisht në televizion, duke rezultuar në një zhurmë në Shtetet e Bashkuara kundër regjimit Anastasio Somozas.
 
Ekzekutimi
Më 20 qershor 1979, Stjuart po udhëtonte me një furgon të televizionit në lagjet e varfra lindore të kryeqytetit Managua me ekipin e tij një kameraman dhe një operator zëri kur ata u ndaluan në një postblloqe të drejtuar nga Guardia e Nikaraguas, forca kryesore e Presidentit Anastasio Somoza Debail. Furgoni ishte i shënuar qartë për tu identifikuar si një mjet shtypi si një masë paraprake, e cila ishte bërë praktikë standarde pasi kryengritja dhe revolucioni u rritën në intensitet. Një ditë më parë, gazeta qeveritare “Novedades” kishte botuar një editorial që përshkruante gazetarët e huaj si "pjesë e rrjetit të gjerë të propagandës komuniste".
Stjuart dhe përkthyesi i tij 26-vjeçar nga Nikaragua, Huan Françisko Espinoza dolën nga automjeti dhe iu afruan barrikadës. Stjuart paraqiti kredencialet zyrtare të shtypit të lëshuara nga zyra e presidentit të Nikaraguas. Kur ata ishin disa metra larg ushtarëve, kameramani Xhak Klark filloi të filmonte nga brenda furgonit. Një roje i urdhëroi burrat të ndaheshin dhe Stjuarti u urdhërua fillimisht të gjunjëzohej dhe më pas të shtrihej me fytyrë përtokë. Një ushtar iu afrua, e goditi një herë në brinjë, më pas u tërhoq dhe e qëlloi pas veshit të djathtë, duke e vrarë në çast. Espinoza u qëllua për vdekje jashtë objektivit të kameras nga një ushtar tjetër. Pablo Tifer Lopez që ngiste furgonin ABC dëshmoi se një ushtar tha për Stjuartit, "Jam i sigurt se ai nuk është gazetar. Ai është një qen." Ai dëshmoi gjithashtu se ushtarët urdhëruan ekuipazhin e lajmeve të raportonte se për vrasjen e gazetarit ishte përgjegjës një snajper sandinist.
Stjuart ishte 37 vjeç. Ai la pas gruan e tij Mirna dhe prindërit. Trupi i u mor nga ekuipazhi i tij dhe me një C-130 të Forcave Ajrore të SHBA fluturoi nga Nikaragua për në Panama. Më pas u transferua në një aeroplan të dërguar nga ABC dhe u kthye në Shtetet e Bashkuara. Ai u varros në Ashland, Kentaki.
Pamjet e incidentit u shfaqën në filmin “Days of Fury” i vitit 1979, me regji të Fred Ushofski dhe të organizuar nga Vinsent Prajs. Pamjet u përdorën gjithashtu në: “Nikaragua Sot”, një dokumentar i publikuar në vitin 1983.
 
Filmi
Pas incidentit të zhurmshëm, e gjithë ngjarja u vendos në filmin triller politik “Under Fire” apo i ardhur në shqip si “Nën zjarr”. Filmi është një prodhim amerikan i vitit 1983 prej 108 minutash. Me regji nga Roxher Spotesued, në film luajnë Nik Nolte, Xhin Hakman dhe Xhoana Kasedei.
Skenari është shkruar nga Ron Shellton dhe Klajton Froman; bazuar mbi një tregim të Froman. Ndërsa drejtor i fotografisë është Xhon Ullkot. Partitura muzikore nga Xherri Goldsmith u nominua për një “Oscar” për këngën më të mirë origjinale. Redaktimi nga Mark Konte dhe Xhon Blum u nominua për një çmim BAFTA për Editimin më të Mirë. Filmi është xhiruar në shtetet meksikane të Çiapas dhe Uahaka.
Aleks Grezia i Hakman dhe Rasëll Prajs i Nolte janë shkrirje të jetës dhe karrierës së Bill Stjuart si gazetar dhe korrespondent lufte. Në film, vdekja e Stjuart-it paraqitet ndryshe: personazhi i Hakman-it është qëlluar në gjoks ndërsa është në këmbë dhe vdekja e tij është kapur në një seri shkrepjes fotografike të bëra nga personazhi i Noltes, i cili arratiset nga skena i ndjekur nga një breshëri armësh. Ashtu si në rastin e Stjuart-it, imazhet u shfaqen audiencave televizive anembanë botës dhe protesta publike sinjalizon fundin e diktaturës së Somozës.
Filmi u vlerësua për performancat e fuqishme të aktorëve kryesorë dhe për trajtimin realist të temës së luftës civile në Nikaragua. Ai është konsideruar një nga filmat më të mirë të periudhës për mënyrën se si pasqyron realitetet dhe pasojat e konflikteve ndërkombëtare.
Ndërkohë Televizioni Shqiptar që para viteve ’90 quhej thjesht “Tirana”, për t’i dhënë më tepër kuptim, e transmetoi filmin nën titullin “Nikaragua 79”
 
Versioni artistik
"Nën zjarr" na tregon një luftë në të cilën morali është i vështirë për t'u përcaktuar dhe më i vështirë për t'u praktikuar. Bëhet fjalë për gazetarët amerikanë që mbulonin luftërat guerile në Amerikën Qendrore,
Rasëll Prajs është një fotoreporter që mbulon një konflikt ushtarak në Çad, ku ndeshet me një mercenar amerikan të quajtur Ots. Rasëll kthehet në hotel, ku merr pjesë në një festë "Bon Voyage" për mikun e tij Aleks Grezia, i cili po heq dorë nga mbulimi i konflikteve në terren për të marrë një punë fitimprurëse si folës lajmesh në Nju Jork. Artikulli i Aleks në lidhje me konfliktin në Çad shoqërohet me fotografinë e Rasëll për të nxjerrë një kopertinë në revistën “Time”.
Gazetarët më pas udhëtojnë në Nikaragua për t'u bashkuar me trupin ndërkombëtar të shtypit që mbulon konfliktin mes qeverisë së Presidentit Somoza dhe rebelëve të udhëhequr nga Rafael, një figurë e fshehtë që nuk është fotografuar kurrë. Rasëll arrestohet pa asnjë arsye legjitime dhe kalon një natë në burg. Ai dhe kolegia e tij gazetare Klare takojnë Marsel Xhejzi, një spiun francez i cili është i lidhur ngushtë me Somozën, i cili i informon ata se mund të gjejnë Rafaelin në qytetin León. Ata shkojnë në León dhe mbulojnë një betejë intensive me armë nëpwr çati mes rebelëve dhe trupave qeveritare. Rasëll takon rebelët e udhëhequr nga Pedro. Pas shumë luftimeve, Rasëll takon përsëri Ots, i cili tani po lufton për qeverinë e Nikaraguas. Dhe Ots qëllon Pedron, duke e vrarë atë. Ots, amerikani misterioz i interpretuar nga Ed Harris është një nga personazhet kryesore mbështetëse në film. Ngrihet pikëpyetja: është ai i CIA-s? Me sa duket... Megjithatë, ai është gjithmonë në thellësi të punës së pistë, dhe ndërgjegjja nuk e shqetëson.
Klare dhe Rasëll marrin pjesë në një konferencë shtypi ku Presidenti Somoza njofton se Rafael është vrarë. Ata më pas takojnë rebelët të cilët premtojnë se do t’u mundësojnë një takim me Rafaelin. Të çuar në një bastion të largët, ata kuptojnë se Rafaeli ka vdekur vërtet. Rebelët i kërkojnë Rasëllit të shkrepi një foto të udhëheqësit të tyre ku ai duket i gjallë, duke besuar se kjo do ta mbajë ndezur lëvizjen aq sa të fitojnë. Edhe pse në konflikt, Klare dhe Rasëll pranojnë të ndihmojnë rebelët.
Fotografia është një sukses. Aleks vjen në Nikaragua për të marrë Rasëll të organizojë një intervistë me Rafael. Të dy shkojnë për të gjetur Rafaelin ndërsa lufta përshkallëzohet. Ata takojnë përsëri Ots, i cili këtë herë është me trupat qeveritare që po kryejnë një ekzekutim masiv. Rasëll mëson nga Ots se Xhejzi e kanë përdorur atë për të marrë fotografi të udhëheqësve rebelë, të cilët më pas janë vënë në shënjestër për t’u vrarë.
Aleks mëson se Rafaeli ka vdekur dhe Klare dhe Rasëll kanë shkelur etikën gazetareske. Megjithatë, ai nuk i ekspozon ata. Të ngatërruar në rrugën për t’u kthyer në hotel, Aleks kërkon ndihmë nga trupat qeveritare. Por ata janë paranojak dhe e ekzekutojnë atë në rrugë ndërsa Rasëll arrin të bëjë disa foto. Pas kësaj Rasëll arratiset dhe u shpëton ushtarëve që e ndjekin duke e qëlluar me armë dhe shpëton me ndihmën e një gruaje vendase që e fsheh atë në shtëpinë e saj. Fotografitë e Rasëll transmetohen në mbarë botën dhe ky është fundi i pushtetit të Somozës, i cili largohet për në Majami.

Friday, June 21, 2024

“Ishulli i të Vdekurve”, piktura e famshme e Arnold Boklinit që zbukuronte shtëpitë e Vladimirit dhe Adolfit

 




Nga Leonard Veizi
 
Në një çast intim e të papërsëritshëm, pa ditur kush gjë se çfarë ndodhte në mendjen e tij, ai rrëmbeu penelin dhe hodhi bojën e parë mbi kanavace. Gjithçka ishte aty, por asgjë nuk dukej. Dhe kur lëshoi penelin nga dora mrekullia terrorizuese kish mbetur në telajo. Ishte një pikturë e porositur, për vdekjen e dikujt, të panjohur, por që si rrallëherë përkonte dhe me vetë ndjesitë e piktorit, dhe me atë velin e errët që mbante të mbyllur botën e tij. Sepse dihej që piktori ishte dëshpërimisht i dëshpëruar, sepse më shumë se kaq edhe ai kishte humbur vajzën e tij të vogël, Maria. Dhe bashkë me tisin e zi që ndillte porosia, po aq dhe ai vetë i jepte pikturës një thellim të dhimbjes dhe shumë mister gjithashtu...
 
...Ai ishte një piktor simbolist. Quhej Arnold Bokli dhe ishte zviceran. Piktura më e njohur e tij ishte ajo që më pas u titullua “Ishulli i të Vdekurve”. E famshme. E mistershme. Dhe po aq tragjike. Thuhet se ishte kjo pikturë që u bë një burim obsesioni dhe frymëzimi për shumë njerëz të famshëm. Ndërsa studiues të ndryshëm janë përpjekur të shpjegojnë magjinë që tabloja u bën shikuesve të saj.
Imazh i veçantë e përndoqi autorin për disa vite. Prandaj dhe e riprodhoi, të paktën 5 herë i vetëm dhe një të gjashtë me bashkëpunëtor djalin e tij Karl. E megjithëse shumë e njohur dhe shumë e trajtuar, piktura në vetvete ka disa sekrete ende të pazbuluara. Sepse Bokli nuk foli për të sa ishte gjallë, nuk zbërtheu asnjë kod, madje nuk pranoi as ta titullonte zyrtarisht.
Në pjesën e fundit të shekullit të XIX, piktorët simbolistë reaguan kundër synimeve natyraliste të impresionistëve të bashkëkohësve të tyre. Kritika shkruan se së vend që të fokusoheshin në botën e përditshme, simbolistët preferuan të ndaleshin në tema të misterit dhe imagjinatës. Boklin ishte një nga figurat kryesore të lëvizjes. Ndoshta më i miri prej tyre. Ose ndoshta më enigmatiku.
 
Gjashtë versionet e një pikture
Mes viteve 1880 dhe 1886 Arnold Bokli prodhoi gjashtë versione të ndryshme të pikturës misterioze “Ishulli i të Vdekurve”. Ai krijoi versionin e parë të tablosë me kërkesë të Marie Bernës, bashkëshorti i së cilës kishte vdekur së fundmi. Kritika është shprehur se tabloja ndërthur ndikimet piktoreske të simbolizmit dhe romantizmit, dhe për herë të parë në historinë e artit, përshkruan vdekjen si një ishull.
Boklin vazhdoi të prodhonte jo më pak se pesë versione të temës gjithsej, katër prej të cilave mbijetuan. Titulli u sugjerua nga tregtari i tij i artit, Fritz Gulit. Boklin nuk i miratoi titujt; me kalimin e viteve, ai e përshkroi këtë pikturë si “Ishulli i heshtur”, “Ishulli i varreve”, “Vendi i qetë” dhe, ndoshta më me vend nga të gjitha, "Një pamje për të ëndërruar".
Në materialet e shumta të ekspozuara ndaj veprës dhe ndaj vetë piktorit thuhet se “Isle of the Dead” magjepsi Frojdin, Leninin dhe Hitlerin por dhe frymëzoi Margërit Joursnar, Dali, Skorsese dhe H. R. Gigër, ndërsa magjepsi një audiencë prej miliona njerëzve në mbarë botën, me mijëra riprodhime të shitura në formate të ndryshme dhe që shpesh gjenden në ambientet e brendshme borgjeze të fillimit të shekullit XX. Frojdi kishte një riprodhim të pikturës në zyrën e tij, ashtu si edhe Lenini. Por axhanset e kohësh thonë se Hitleri bleu versionin e tretë origjinal për ta shfaqur në Kancelarinë e re të Rajhut në vitin 1940.
Por “Ishulli i të vdekurve” ishte më shumë se kaq, sepse ajo frymëzoi një pjesë muzikore nga Sergei Rahmaninof; u përdor për setin e filmit horror të vitit 1945 “Isle of the Dead”, me protagonist aktorin Boris Karlof; si dhe frymëzoi një interpretim modern të tablosë nga një artist tjetër zviceran, H.R. Gigër, më i njohur si stilisti i filmit “Alien”.
 
Domethënia e një vepre
Në qendër të veprës është një ishull i vogël me hije, i mbushur me selvi, i rrethuar me një mur prej guri si dhe shkëmbinj të lartë. Nga uji po afrohet një varkë e vogël, me një varkëtar që remon, një arkivol dhe një figurë të mbështjellë me të bardhë. Për varkën dhe figurën në krye të saj janë bërë krahasime me anijen nga mitologjia greke që do të çonte shpirtrat e të vdekurve në Hades. Pamja është një përbërje e qetë dhe e ashpër, që duket se ngre po aq pyetje sa përgjigjet.
Versionet e pikturës së Bokli-nit, sot janë ekspozuar në Bazel, Nju Jork Siti, Berlin dhe Leipzig. Një version i gjashtë, i filluar në vjeshtën e vitit 1900 me ndihmën e djalit të Bokli, Karlo Bokli dhe i përfunduar nga Karlo në 1901, është pjesë e koleksionit të Muzeut “Hermitage” në Shën Petersburg.
Megjithëse piktura misterioze e Arnold Bokli, e njohur në mënyrë alternative si “Isle of the Dead”, sot në analet e historisë së artit konsiderohet gjerësisht mjaft e errët. Mund të jetë e habitshme, të mësosh se mes shekujve XIX dhe XX, ajo ishte një nga pikturat më të famshme në të gjithë Evropën. Në romanin e tij “Dëshpërim” të vitit 1934, romancieri ruso-amerikan Vladimir Nabokov vuri në dukje se një riprodhim i pikturës mund të "gjendej në çdo shtëpi në Berlin", pasi printimet e veprës u riprodhuan dhe kërkohej gjerësisht. Kjo ishte kryesisht për shkak të përpjekjeve të tregtarit të artit të Boklin, Fritz Gulit, i cili porositi printime masive dhe me cilësi të lartë të veprës në fillim të shekullit.
Megjithë errësirën e tij relative të lartpërmendur, “Ishulli i të Vdekurve” i njohur dhe vlerësuar në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, duke përfshirë midis figurave të rëndësishme historike. Vladimir Lenin, Sigmund Frojd dhe ish-ministri francez i Luftës, Zhorzh Klimonsu, kishin printime të varura në muret e zyrës ose studimit. Dhe versioni i tretë i pikturës nga viti 1883, i porositur nga Gurlit, u ble nga Adolf Hitlerit. Aaktualisht ky version është në koleksionin e “Staatliche Museen zu Berlin”.
 
Pika e frymëzimit
Për të modeluar ishullin mendohet se piktori kishte në mendje ishulli grek Pontikonisi, afër Korfuzit.
Por një tjetër pretendent i mundshëm si frymëzim për pikturën ndoshta ishte Pontikonisi por në kombinim me ishullin misterioz shkëmbor të Strombolikio pranë vullkanit të famshëm Stromboli në Siçili.
Por ndoshta frymëzim ish marrë dhe nga ishulli malazez i Shën Gjergji pranë Perastit.
Një kandidat tjetër por më pak i mundshëm është ishulli Ponza në Detin Tirren.
Ishulli i të Vdekurve të sjell në mendje pjesërisht varrezat angleze në Firence, Itali, që ishte afër studios së Boklin-it dhe ishte gjithashtu vendi ku u varros vajza e tij e mitur Maria. Në jetëshkrim thuhet se Bokli humbi 8 nga 14 fëmijët e tij.
 
“Ishulli i Jetës” kundër “Ishullit të të Vdekurve”
I lindur në vitin 1827 dhe i vdekur më 1901, Bokli ishte një piktor simbolist, puna e të cilit u ndikua shumë nga romantizmi dhe vepra e pre-rafaelitëve anglezë, si dhe nga mitologjia dhe antikiteti. Ai arriti sukses dhe njohje të konsiderueshme gjatë jetës së tij. Sidoqoftë, trashëgimia e tij vuajti përfundimisht pas vdekjes së tij - kryesisht për shkak të prirjes së atëhershme në rritje drejt Modernizmit. Pikturat e tij figurative, narrative, plot misticizëm dhe fantazi, ishin në kundërshtim me preferencën në rritje për abstraksionin.
Bokli nuk u kthye kurrë në kompozimin e “Ishullit të të Vdekurve” pas krijimit të “Ishullit të Jetës”. Sepse në vitin 1888, Boklin krijoi një pikturë të quajtur “Die Lebensinsel”. Dhe kritika e marrë gjërësishm e veprat e tij thotë se ndoshta me “Ishullin e Jetës” ai synoi një antipol ndaj “Ishullit të të Vdekurve”, ku autori gjithashtu tregon një ishull të vogël, por me të gjitha shenjat e gëzimit dhe jetës. Së bashku me versionin e parë të “Isle of the Dead”, kjo pikturë është pjesë e koleksionit të “Kunstmuseum” Basel.


Thursday, June 20, 2024

Romantizmi rrugor, precedent me tabela e semaforë të mbuluar nga gjethet e pemëve


Nga 
Leonard Veizi
 
Në tërësinë tonë, ne si shtet vuajmë thellësisht nga sinjalistika rrugore.
Udhëkryqet e paqarta dhe sinjalet e ndërruara pa rregull e bëjnë rrugëtimin në udhët e Shqipërisë shumë të vështirë dhe të pasigurt. Tabelat e shenjave rrugore shpesh nuk janë të qarta, të vendosura saktë ose mungojnë fare. Kjo i lë drejtuesit e automjeteve në pozitë të vështirë, duke i detyruar të bëjnë vlerësime të shpejta dhe të pasigurta.
Ec e të japësh teorinë pastaj, për të marrë patentën.
Mungesa e standardizimit është një problem i madh. Sinjalet rrugore duhet të ndjekin një model dhe stil të përbashkët, që të sigurohet koherenca dhe lehtësia e përdorimit për të gjithë shfrytëzuesit e rrugës. Kjo do të ndihmonte në zvogëlimin e aksidenteve dhe do t'i bënte rrugët më të sigurta.
E dini për çfarë njihet Nju Jorku? Për standardizimin e semaforëve në ngjyrë të verdhë e që i dalin drejtuesit të mjetit m’u të hunda, pa lënë mundësinë të gabosh, apo të thuash: nuk e pashë.
Nuk dua t’i krahasoj rrugët e Shqipërisë me të asnjë vendi evropian, por mjafton të kalosh pikën doganore të Morinit për t'u hedhur në pjesën tjetër të Shqipërisë, në Kosovë, dhe do ta kuptosh cilësinë.
E pra shqiptarë ne, shqiptarë ata. Dhe krahasimi bëhet mes shqiptarësh tek e fundit.
Deri këtu fjalën e kemi pasur për tabelat në autostradë. Halli tjetër i madh është sinjalistika brenda qyteteve. Dhe ne qytetet i kemi të gjelbëruara. Pemë nga të pyllit orbital e bar për gomerët sa të duash.
Por dhe kjo e ka të keqen e vet.
-Bari i gjelbët të çlodh sytë, - shprehej studenti Bardhyl që kishte zbritur nga Kukësi në kryeqytet për të mësuar t’i binte violinccelit. Por në periudhën kur fiksoheshin në pelikul pamjet e filmit “Në ccdo stinë”, nëpër rrugët e Shqipërisë e të qyteteve të saj lëviznin vetëm makinat e komunales.
Në Shqipëri, rrugët janë shpesh të mbushura me sfida të ndryshme për drejtuesit e automjeteve. Një nga këto sfida është pamundësia për të parë qartë semaforët dhe tabelat rrugore për shkak të gjetheve të pemëve që i mbulojnë ato. Kjo situatë krijon precedentë të rrezikshëm që ndikojnë në sigurinë e trafikut.
Dhe vizave orientuese në tokë që u del përditë boja e nuk dallohen më.
Në shumë qytete shqiptare, rrugët janë të veshura me rreshta të gjata pemësh, të cilat gjatë stinës së verës dhe pranverës mbushen me gjethe të dendura. Këto pemë, edhe pse shtojnë bukurinë natyrale të qyteteve tona dhe kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, shpeshherë bëhen pengesë për shikueshmërinë e drejtuesve të automjeteve. Kur semaforët dhe tabelat rrugore mbulohen nga gjethet, drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë llogari dhe supozime të cilat shpesh çojnë në vendime të gabuara dhe aksidente të panevojshme.
Imagjinoni një kryqëzim të ngarkuar në qendër të Tiranës. Një drejtues automjeti afrohet dhe pret të shohë sinjalin e semaforit për të kuptuar nëse duhet të vazhdojë përpara apo të ndalojë. Por, semafori është i mbuluar nga degët e një peme të madhe, dhe ai duhet të marrë një vendim të shpejtë bazuar në informacion të pjesshëm. Një tjetër makinë afrohet nga ana tjetër, dhe as drejtuesi i saj nuk ka një pamje të qartë. Në një çast, situata kthehet në një kaos të plotë me rrezikun e një përplasjeje të afërt.
Shyqyr që drejtuesit e automjeteve në Tiranë e kapin me nuhatje ku është semafori. Por kur ndërron qytet dhe nuk e njeh mirë atë, rastësia të shpëton nga precedenti. Në të kundërt, hall koke në fillim, e pastaj hall hekurave të makinës me polici e siguracione.
Dhe mirë nëpër qytete, por gafa gjen ngado dhe në rrugët nacionale. Si në rastin konkret, - të ilustruar me një foto, - kur askush nuk është në gjendje të deshifrojë se përse një tabelë “ndalim kalimi” qëndron krenare ne mes të rrugës. Kë ndalon, për ku ndalohet, si, qysh, tek...? Pyetje pafund. Përgjigje asnjë.
Ky problem është jo vetëm një çështje e estetikës urbane, por mbi të gjitha, një çështje e sigurisë publike. Kjo situatë kërkon një ndërhyrje të menjëhershme dhe të qëndrueshme nga autoritetet përgjegjëse. Duhet të krijohen programe të rregullta për krasitjen e pemëve që ndodhen pranë rrugëve kryesore dhe kryqëzimeve. Po ashtu, duhet të vendosen sinjale shtesë ose të zhvendosen semaforët dhe tabelat në vende ku janë më të dukshme.
Nëse nuk ndërmerren hapa të tillë, rreziku i aksidenteve do të vijojë të rritet. Në fund të fundit, përmirësimi i infrastrukturës së sinjalizimit rrugor është një investim që shpëton jetë dhe përmirëson cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve. Rrugët tona duhet të jenë të sigurta për të gjithë përdoruesit, dhe një pjesë e rëndësishme e kësaj është sigurimi që çdo sinjal dhe tabelë të jetë e dukshme dhe e lehtë për t'u kuptuar.
Një zgjidhje e mundshme do të ishte rishikimi i rregulloreve dhe standardeve të sinjalistikës rrugore, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Gjithashtu, do të ishte e rëndësishme të kryhen inspektime të rregullta dhe të kryhen rregullime e përmirësime në vend. Kjo do të siguronte që sinjalistika të jetë gjithmonë e qartë, e përshtatshme dhe funksionale.
Prandaj, le të kujdesemi për pemët tona, por edhe për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët që kanë nevojë për udhëzime të qarta për të lëvizur në qytetet tona në mënyrë të sigurt dhe të qetë.
Por te cilat standarde ndërkombëtare mund të bazohet Shqipëria për të përmirësuar sinjalistikën rrugore?
Po të kërkosh imtësisht do të të marrësh rekomandimin se ekziston Manuali i Udhëzuesve Ndërkombëtare për Sinjalet Rrugore, i cili është krijuar nga Departamenti Amerikan i Transportit, e që ofron udhëzime dhe standarde të detajuara për dizenjimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e sinjalistikës rrugore. Vetëm duke bërë përmirësime të tilla, Shqipëria do të mund të sigurojë një rrjet rrugor të sigurt dhe të arritshëm për të gjithë.
Por deri atëherë as në ëndër nuk mund të pretendosh të bësh rrugët me pagesë, e jo më ta bësh fakt të kryer vendosjen e traut.

Monday, June 17, 2024

Çështja “Horman”, kur ushtarakët amerikanë u denoncuan se organizuan grushtin e shtetit në Kili

“I zhdukur” 


 
Nga Leonard Veizi
 
Në kanalin e vetëm shtetëror shqiptar rreth vitit 1985 u transmetua një film i dubluar në gjuhën italiane, nën titullin: “U zhduk një njeri”. Asokohe filmat zakonisht piratoheshin nga RAI me gjithë siglën e kanalit. Por kjo ishte një çështje e vogël për palën italiane, të cilët e mbyllnin një sy për vendin e vogël që ndodhej përballë Barit. Praktika ishte e njohur se në Shqipëri mund të transmetoheshin edhe filma amerikanë, por vetëm atëherë kur bëhej fjalë për “çjerrjen e maskës” së vendit imperialist, dhe kur flitej për atë që cilësohej si degjenerimi dhe degradimi i shoqërisë. Për tema të tilla edhe regjimi e mbyllte njërin sy, ndërsa telespektatori shqiptar mund të shihte ndonjë film që nuk kishte mundësinë ta shihte nga RAI.
Filmi “U zhduk një njeri” u transmetua me idenë propagandistike të një dëshmie mbi praktikat e dhunshme që Shtetet e Bashkuara favorizonin për më tepër kur bëhej fjalë për interesat e veta. Dhe kjo kishte të bënte me ndërhyrjet në punët e brendshme në një shtet tjerët, qoftë dhe duke stimuluar një grusht shteti...
 
...“Missing” apo “I zhdukur”, është një film dramatik biografik amerikan i vitit 1982 me regji nga Kosta Gavras mbështetur mbi një skenar të shkruar nga vetë Gavras dhe Donald E. Stjuart. Fabula ishte përshtatur nga libri “The Execution of Charles Horman: An American Sacrifice” ose i ardhur në shqip si “Ekzekutimi i Çarls Horman: Një sakrificë amerikane” i botuar në vitin 1978. Autori Thomas Hauzer e ribotoi përsëri librin e tij në vitin 1982 por këtë herë nën titullin “I zhdukur”.
 
Libri
Libri bën fjalë për zhdukjen e gazetarit 31 vjeçar amerikan Çarls Horman, si pasojë e grushtit të shtetit kilian të vitit 1973, i cili rrëzoi Presidentin socialist Salvador Allende të zgjedhur në mënyrë demokratike. Stili autorial i Hauzer është dokumentar dhe publicistik, i karakterizuar nga një rrëfim i detajuar dhe i mirë-dokumentuar i ngjarjeve. Në libër dhe në film thuhet se grushti i shtetit në Kili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, por qeveria amerikane nuk e pranoi asnjëherë një gjë të tillë.
Tomas Hauzer, - i lindur më 27 shkurt 1946 në Nju Jork Siti, SHBA, - bëri debutimin e tij si shkrimtar në 1978 me “Ekzekutimin e Çarls Horman”. Libri bazohet në fakte dhe kërkime të mundimshme, ku Hauzer përdori intervista, dokumente dhe dëshmi për të bashkuar historinë e zhdukjes dhe vrasjes së Çarls Horman gjatë grushtit të shtetit kilian të vitit 1973. Kritika thotë se stili i tij karakterizohet nga qartësia dhe objektiviteti, autori i shmanget përfundimeve të shpejta apo shprehjes së drejtpërdrejtë të mendimeve personale. Në vend të kësaj, ai i lë faktet të flasin vetë, duke u dhënë lexuesve një pamje sa më të plotë dhe të pafiltruar të rrethanave tragjike dhe kontekstit të trazuar politik në Kili në atë kohë. Hauzer e strukturon punën e tij në një mënyrë që e udhëheq lexuesin përmes ngjarjeve komplekse, duke ofruar si kontekst historik ashtu edhe detaje specifike rreth përfshirjes së individëve dhe institucioneve të ndryshme në çështjen Horman. Stili i tij i saktë dhe analitik i lejon lexuesit të kuptojnë jo vetëm atë që ndodhi, por edhe pse ndodhi, duke vënë në pah bashkëfajësinë dhe neglizhencën e aktorëve ndërkombëtarë, përfshirë qeverinë amerikane.
Gruaja e Horman, Xhois dhe babai, Ed Horman bashkëpunuan me Hauzer në librin që përshkruan fatin e Çarls dhe kërkimin e familjes së tij për të zbuluar të vërtetën në Kili. Ai u nominua për një çmim Pulitzer dhe u përshtat si filmi i Kosta Gavras “Missing”. Libri argumenton se Horman, mund të ketë zbuluar aksidentalisht prova të përfshirjes së SHBA-së dhe mund të jetë ekzekutuar me dijeninë e SHBA-së. Horman u rrëmbye dhe u vra sepse pa dashje zbuloi se forcat amerikane si CIA dhe Komanda Jugore, ishin të përfshira në përmbysjen e presidentit të majtë, Allende.
 
Filmi
“Missing” u transmentua për publikun amerikan më 12 shkurt 1982. Ky film pati mjaft vlerësime nga kritikët. Në film luajnë Xhek Lemon, Sisi Speisek, Melani Meiron, Xhon Shei, Xhanis Rul dhe Çarls Siofi.
Filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Kanë të vitit 1982, ku u nderua bashkërisht me Palmën e Artë, ndërsa Lemon fitoi çmimin për aktorin më të mirë.
Sisi Speisek u zgjodh për të portretizuar Xhois Horman. Xhois deklaroi se ndihej e shqetësuar se cili do të ishte rezultati i filmit dhe i kërkoi regjisorit Kosta Gavras të ndryshonte emrin e saj në film nga Joyce në "Beth Horman" për t'u distancuar.
Filmi mori katër nominime në çmimet e 55-të të Academy Awards; Filmi më i mirë, aktori më i mirë, për Lemon, aktorja më e mirë, për Speisek dhe fitoi për skenarin më të mirë të adaptuar.
I vendosur kryesisht gjatë ditëve dhe javëve pas zhdukjes së Hormanit, filmi shqyrton marrëdhënien midis gruas së Hormanit, Bethit dhe babait të tij Edmundit dhe kërkimin e tyre të mëvonshëm për të gjetur Çarlin.
Filmi krijoi polemika të rëndësishme në Kili dhe u ndalua gjatë diktaturës së Augusto Pinoçet; as Kili dhe as Pinoçet nuk përmenden me emër, edhe pse qytetet kiliane Viña del Mar dhe Santiago janë në film.
 
Ngjarja
Ed Horman, një biznesmen konservator nga Nju Jorku, mbërrin në Kili për të kërkuar djalin e tij Çarli, një gazetar që u zhduk gjatë ditëve të grushtit ushtarak të shtetit. Ed takon nusen e tij, Beth, me të cilën ka një marrëdhënie të tensionuar dhe ata debatojnë për politikën. Ed fajëson pikëpamjet radikale politike të djalit dhe nuses së tij për zhdukjen e Çarlit, ndërsa Beth fajëson qeverinë amerikane. Ed përdor lidhjet e tij për t'u takuar me zyrtarë të ndryshëm qeveritarë për të zbuluar të vërtetën rreth zhdukjes së djalit të tij.
Në kohën e grushtit të shtetit, Çarl Horman kishte qenë në qytetin turistik të Viña del Mar pranë portit të Valparaíso, një bazë kyçe për puçistët amerikanë dhe kilianë. Zyrtarët amerikanë spekuluan në atë kohë se Horman kishte qenë viktimë e "paranojës kiliane".
Gati një muaj pas vdekjes së Hormanit, vendndodhja e trupit të tij supozohet se ishte e panjohur për zyrtarët amerikanë. Megjithatë, më vonë u konstatua se ai ishte ekzekutuar më 19 shtator dhe eshtrat e tij ishin varrosur brenda një muri në stadiumin kombëtar, pas së cilës trupi u transferua në një morg në kryeqytetin kilian. Një gazetar i dytë amerikan, Frenk Teruxhi, pati një fat të ngjashëm.
Ndërsa heton, Ed zbulon se ambasada amerikane nuk është aq e dobishme sa ai priste dhe dyshon se ata fshehin informacione për Çarlin. Së bashku, ai dhe Beth mësojnë se SHBA-të kishin shumë interesa në vend që u rritën nga grushti i shtetit dhe pasojat e tij, dhe se shumë zyrtarë ushtarakë ndihmuan Pinoçet. Ndërsa Ed zhgënjehet me qeverinë amerikane, ai fillon të respektojë punën që Beth dhe Çarli po bënin, dhe ai dhe Beth pajtohen. Kur ata marrin prova që Çarli u vra nga junta dhe se SHBA-të e lejuan të ndodhte, ai u thotë zyrtarëve të ambasadës: "Unë falenderoj Zotin që jetojmë në një vend ku mund të futim ende në burg njerëz si ju!"
Filmi përfundon me një postscript që thotë se, pas kthimit të Edit në Shtetet e Bashkuara, ai mori trupin e Çarlit shtatë muaj më vonë, duke e bërë të pamundur një autopsi dhe se një padi e mëvonshme kundër qeverisë së SHBA u hodh poshtë. Ai shton gjithashtu se Departamenti i Shtetit mohon përfshirjen e tij në grushtin e shtetit të Pinoçet.
 
Padia
Në vitin 1983, një vit pas daljes të filmit, filmi dhe libri i Thomas Hauser “The Execution of Charles Horman” u hoqën nga tregu i Shteteve të Bashkuara pas një padie të ngritur kundër Kosta Gavras dhe Universal Pictures. Nathenial Devis, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kili nga viti 1971 deri në 1973, ngriti një padi prej 150 milionë dollarësh për shpifje kundër regjisorit dhe studios, pavarësisht se nuk ishte përmendur drejtpërdrejt në film. Një gjykatë përfundimisht hodhi poshtë padinë e Davis. Pas kësaj filmi u ripublikua nga Universal në 2006.
 
Epilogu
Libri dhe filmi pretendojnë se zbulimi që bëri Çarl Horman mbi bashkëpunimin e SHBA-ve në grushtin e shtetit kilian, çoi në arrestimin, zhdukjen dhe ekzekutimin e tij të fshehtë. Bashkëfajësia amerikane në grushtin e shtetit u konfirmua më vonë në dokumentet e deklasifikuara gjatë administratës së Klintonit.
Në qershor 2014, një gjykatë kiliane vendosi se autoritetet amerikane kishin luajtur një rol "themelor" në vrasjen e Horman. Në janar 2015, dy ish-zyrtarë të inteligjencës kiliane u dënuan në Kili për vrasjen e Çarls Horman dhe Frenk Teruxhi.

Friday, June 14, 2024

Kur dashuria dhe vdekja vijnë nga stomaku


Nga 
Leonard Veizi
 
E keqja vjen nga stomaku.
Sentenca mund të mos jetë aq popullore, tani për tani, por do të bëhet e tillë. Sepse deri më tash jemi mësuar të themi e të dëgjojmë se: “Dashuria vjen nga stomaku”.
Kur ke ndonjë problem shëndetësor jo madhor, e vete tek mjeku, ai të rekomandon të marrësh ca suplemente për të rregulluar bilancin e mangësive në trup. Pra jo domosdoshmërish ilaçe me kimikate të përqendruara, por suplemente me kimikate. Kështu ne kërkojmë ndihmën e kimikateve.
Dhe kjo na ka ndihmuar në jetëgjatësi.
Ndërkohë, dimë gjithashtu, - sepse ka vite që bien daullet e alarmit, -  se të gjitha asortimentet e tavolinës, janë të dendura me kimikate.
Dikur fruta-perimet spërkateshin me pesticide, dhe në punë ishte dhe superfosfati, - uzina e Laçit që prodhonte plehra të fosfatuara e të përpunuara, - por tani të gjitha janë të dendura me kimikate.
Por a mban trupi njerëzor edhe ushqime me kimikate dhe suplemente me kimikate? Edhe ujë me kimikate. Se për ata që s'e dinë, ne ujin e pimë me klor. Nuk është se na vjen drejt e nga burimi pasi ka kaluar 40 gurët dhe është bërë qelibar...
Pra kimikate në tërësi.
Trupi njerëzor, - që konsiderohet si një makineri e mrekullueshme biologjike, - është një sistem i ndërlikuar dhe delikat që ka evoluar vazhdimisht për të funksionuar në harmoni të plotë me natyrën. Ushqimi, si burim kryesor i energjisë, ka qenë gjithmonë në qendër të këtij ekuilibri.
Por në një botë gjithnjë e më të industrializuar dhe të urbanizuar, mënyra se si ushqehemi ka ndryshuar në mënyrë dramatike.
Hapim literaturën dhe informohemi: Ushqimet me kimikate janë shpesh produkt i bujqësisë intensive dhe përpunimit të ushqimeve, ku pesticidet, herbicidet dhe konservuesit përdoren për të rritur prodhimin dhe për të zgjatur jetëgjatësinë e produkteve. Edhe pse këto kimikate kanë për qëllim të rrisin sasinë dhe cilësinë e prodhimeve ushqimore, ato mund të sjellin rreziqe për shëndetin e njeriut.
Domethënë nga shiu ramë në breshër...
Vazhdojmë me informacionet e hapura: Kimikatet që akumulohen në trupin tonë përmes ushqimit të përditshëm mund të ndikojnë negativisht në sistemet tona biologjike, duke shkaktuar probleme të tilla si çrregullime hormonale, rritje të riskut për kancer dhe probleme të tjera kronike.
Pse nuk thoni ju që kaq e patëm?! Demek, po ia fusim vetes, ose siç thotë populli, në vend të rregullojmë vetullat po nxjerrim sytë.
Po çfarë ndodh nëse ushqimet që marrim janë me kimikate dhe pastaj mungesat i plotësojmë më suplemente që janë po aq kimikate?
Nuk do mend e kalem që në raste të tilla ose do t’i drejtohesh literaturës, ose të paktën do t’i zësh derën mjekut të familjes për shpjegim. Kjo e dyta është më e lehtë. Se ndonjëherë mjekët t'i shpjegojnë me fjalë më të thjeshta gjërat e ndërlikuara. Dhe ai të sqaron:  Nëse ushqimet që konsumojmë përmbajnë kimikate dhe për të plotësuar mungesat ushqimore përdorim suplemente, që gjithashtu janë kimikate, kjo mund të ketë disa ndikime në shëndetin tonë. Kombinimi i kimikateve nga burime të ndryshme mund të rrisë rrezikun e toksicitetit, veçanërisht nëse nuk monitorohet sasia e marrjes së tyre. Ato mund të kenë ndikime të dëmshme afatgjata në shëndet.
-Mos fol më shumë se m'u përzje!
Por ai vazhdon: Suplementet ushqimore, të cilat kanë për qëllim të plotësojnë dietën tonë me vitamina, minerale dhe lëndë të tjera ushqyese, janë një tjetër burim i kimikateve në trupin tonë. Disa suplemente mund të jenë të dobishme e të nevojshme për individë me mungesa specifike, por mbidoza mund të çojë në efekte anësore të padëshiruara dhe të dëmshme. Trupi njerëzor nuk është projektuar për të metabolizuar sasi të mëdha të këtyre substancave artificiale, dhe në shumë raste, ato përfundojnë duke u grumbulluar në indet tona, duke krijuar toksicitet dhe stres oksidativ.
 -Po mjaft o burrë se e morëm vesh!
Çfarë masash duhen marrë? Kjo është thembra e Akilit.
Mjeku të thotë se i rëndësishëm është ekuilibri ushqimor. Ushqimet natyrale shpesh përmbajnë lëndë ushqyese dhe fitokimikate që punojnë së bashku në mënyra që suplementet sintetike nuk mund t'i riprodhojnë. Është e rëndësishme të konsumohet një dietë e ekuilibruar dhe e larmishme, e pasur me ushqime të freskëta...
-Po mirë mo, përsëri nga fillimi do ia fillojmë? Sapo thamë që ushqimet bio janë me kimikate.
Trupi njerëzor është një sistem kompleks që funksionon më së miri kur i japim atë që i nevojitet në formën më të pastër dhe natyrale të mundshme. Duke reduktuar ekspozimin ndaj kimikateve dhe duke zgjedhur ushqime të freskëta dhe të shëndetshme, mund të mbajmë trupin tonë të shëndetshëm dhe në harmoni me natyrën.
Por të gjitha çka thamë më sipër janë në teori. Praktikisht shumë pak prej nesh, kanë mundësinë të ndjekin rregulla të tilla të protokolleve mjekësore. Ndaj ne i futemi me kokë ushqimeve me hormone... drejt e nga frigoriferi.
Përfundimi: Do përfundojmë në një nga pavijonet e spitalit me një nga diagnozat e mundshme. Dhe ec e ta detoksifikosh trupin e njeriut në një vend ku kryefjalë është: kimikati.
Prandaj, ashtu si dashuria vjen nga stomaku, edhe vdekja nga stomaku vjen. Dhe kjo është taksative.

Wednesday, June 12, 2024

“Minuta e fundit”, futbolli i rrejshëm me gola të pastër



Nga Leonard Veizi
 
A jemi të bindur se po shohim ende një futboll të pastër e pa hile?
Me sa duket jo!
Dhe me shumë gjasa duket se kemi futboll të rrejshëm por me gola të pastër. Sepse goli është gol në fund të fundit, dhe kur është jo i pastër ka veterinë e vetë pastrimit.
Por si do ta justifikoj këtë që sapo thashë?
Futbolli i epokës së Peles, por dhe i Maradonës, ndryshon shumë me futbollin e epokës së Mesit e Ronaldos. Matematikisht, apo në konfigurimin gjeometrik, tanimë futbolli është një spektakël i vërtetë. Por 50 vite më parë futbolli ishte shumë më i vërtetë se sot...
 
...Jemi në ditët e Kampionatit Evropian të Futbollit 2024.
Jo më shumë se sa për të ndjekur një ndeshje, - po aq sa një shfaqje teatri apo filmi në kinema, - tifozët, por dhe ata që nuk e ndjekin fare futbollin, janë turrur të bëjnë kalkulime e të vënë baste. Kush fiton në grup, e kush ndeshet në gjysmëfinale. Sepse për shumëkënd, nuk ka më vlerë loja dhe spektakli në vetvete, por çfarë përfitimesh dalin prej saj. Tifozë “profesionistë” dhe ata që nuk lënë lojë pa i vënë diçka sipër, të sigurojnë se në botën e sotme, nuk ka më futboll të pastër dhe se të gjitha ndeshjet e kanë nga një hile brenda. Varet sa kjo ndeshje është e kuotuar në bursat ndërkombëtare. Sa më të forta skuadrat, aq më shumë rriten kuotat. Prandaj bastet në futboll nuk kanë të bëjnë me intuitën se kush mund të fitojë dhe me sa gola në epërsi. Sot, t’i biesh në kokë një rezultati, ka të bëjë me rastësinë. Ndaj një bixhoz të tillë e luajnë edhe ata që janë tifozë të pandreqshëm futbolli, por dhe ata që nuk kanë hyrë asnjëherë në stadium.
 
Shqipëria në Evropian
Në këtë Kampionat Shqipëria gjendet në një grup të vështirë, të njohur si “grupi i zjarrit”. Por thuhet se kombëtarja shqiptare gjithsesi ka potencialin për të bërë paraqitje të suksesshme në Kampionat. Nëpër deklarata specialistësh kam mundur të veçoj deklaratat që thuhen më së shumti se: për të pasur sukses në këtë grup dhe për të arritur rezultatet e dëshiruara, Shqipëria mund të ndjekë disa strategji dhe mundësi. Sipas mendimit të disa specialistëve Shqipëria duhet të ketë një organizim të fortë mbrojtës. Analiza e detajuar e lojës së kundërshtarëve mund të ndihmojë trajnerin dhe skuadrën. Por gjithsesi të luash në një grup të vështirë kërkon përgatitje të lartë fizike dhe mentale. E në këtë kuadër mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për moralin e skuadrës.
Kompanitë që parashikojnë në varësi të koeficientëve, fatkeqësisht “dëshpërojnë” tifozët shqiptarë, sepse kuqezinjtë janë të parafundit në një renditje provizore të publikuar, ku vetëm Gjeorgjia që merr pjesë për herë të parë në një Kampionat Evropian ndodhet poshtë nesh.
Por kompanitë e parashikimeve sportive vazhdojnë të shtojnë opsionet e basteve ku së fundmi kanë dalë edhe kuotat për titullin si lojtari më i mirë i turneut. Nuk mungojnë emrat e futbollistëve të kombëtares shqiptare ku Bajrami vlerësohen me koeficientin 351 ndërsa Broja 501.
Dhe kaq për Shqipërinë. Pjesa tjetër ka të bëjë me perspektivën e saj, më shumë se me të tashmen, ku tek e fundit e ka bërë një hap cilësor drejt progresit.
 
Fabrika e parave
Kampionatet e futbollit, - në tërësinë e tyre, -  janë shpesh të përshkruara si "fabrika për prodhimin e parave" për shkak të potencialit të tyre të madh ekonomik dhe mënyrës se si ata gjenerojnë të ardhura nga burime të ndryshme. U drejtohem statistikave dhe lajmeve të sektorit sportiv:
Një nga burimet kryesore të të ardhurave për klubet e futbollit është shitja e biletave për ndeshjet. Stadiumet e mbushura me tifozë përbëjnë një burim të madh të ardhurash.
Të drejtat televizive për të transmetuar ndeshjet janë një tjetër burim i madh i të ardhurave.
Kampionatet dhe klubet e futbollit tërheqin sponsorë të mëdhenj që paguajnë për të reklamuar brenda stadiumeve, në uniformat e lojtarëve dhe për të qenë të lidhur me markën e klubit. Kontratat me sponsorë mund të arrijnë shuma të jashtëzakonshme. Shitja e produkteve të lidhura me klubin, si fanella, shalle, kapela dhe suvenire të ndryshme, është një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash.
Në përfundim, kampionatet e futbollit janë vërtetë si "fabrika për prodhimin e parave". Por asgjë nuk ndalet me kaq.
 
Bastet në futboll
Tanimë dihet, sportet ku ka shumë tifozeri, si futbolli në rastin konkret, - kanë dhe baste pa fund. Të ligjëruara, ku paguhen tatimet në shtet, por funksionojnë dhe baste ilegale. Ose më saktë është një industri e tërë që punon për bastet.
Bastet mund të ndikojnë në performancën e lojtarëve dhe integritetin e klubeve, përfshirë rastet e skandaleve të njohura të manipulimit të ndeshjeve dhe blerjes së rezultateve. Në analizimin e disa rasteve konkrete bastet kanë pasur ndikim të madh në rezultatin e ndeshjeve ose në reputacionin e sportistëve dhe klubeve. Ndaj dhe në gjithfarë emisionesh televizive post ndeshjeve theksohet rëndësia e ruajtjes së pastërtisë së sportit dhe roli i të gjithë aktorëve të përfshirë – nga lojtarët dhe trajnerët deri tek tifozët dhe rregullatorët – për të siguruar që futbolli të mbetet një lojë e ndershme dhe e besueshme për të gjithë.
Por a është e mundur kjo?
Edhe mundet... Por historia, dhe vetë letërsia dhe artet e tjera të mbështetura mbi fakte historike, na tregojnë se trukime dhe blerje të rezultateve në favor të basteve, nuk janë një risi e vonuar në kohë, por e nisur shumë vite më parë, të paktën një një shekull.
 
Një libër për trukimet në boks
Romani "The abysmal brute" apo i ardhur në shqip si  "Bisha e tërbuar" i shkrimtarit amerikan Xhek London, i botuar në vitin 1913, - por i ardhur në shqip në vitin 1973, - ofron një pasqyrë të vlefshme mbi botën e boksit. "Bisha e Tërbuar" trajton temën e korrupsionit dhe manipulimit brenda industrisë së boksit. Libri në fjalë të ndihmon për të kuptuar sfidat morale dhe etike që përballen boksierët dhe njerëzit që menaxhojnë karrierën e tyre. Romani përqendrohet te protagonist, Pat Glendon, apo i quajtur ndryshe dhe Pati i Ri, një boksier thuajse naiv dhe i pafajshëm, që ndeshet me realitetin e ashpër të sportit profesionist. Historia rrëfen luftën e brendshme të sportistit midis idealizmit të tij dhe realitetit të industrisë së boksit. Protagonisti i romanit përpiqet të mbetet i ndershëm dhe me integritet në një botë të mbushur me mashtrime. Ndërkohë që romani humanizon boksierët, duke treguar jetën dhe sfidat personale të protagonistit përtej ringut. Në njëfarë mënyre, "Bisha e Tërbuar" i Xhek Londonit kontribuoi në një kuptim më të thellë dhe më kritik të botës së boksit, duke nxitur reflektimin mbi çështjet etike dhe morale që lidhen me këtë sport.
 
Një film për trukimet në futboll
"L'Ultimo minuto" apo ardhur në shqip si "Minuta e fundit" është një film italian që trajton temën e trukimit të ndeshjeve në futboll. Filmi me regji nga Pupi Avati është prodhuar në vitin 1987, dhe në të interpretojnë dy nga aktorët më të njohur italian: Ugo Tonjaci si dhe Masimo Boneti. Ky film, si shumë të tjerë që trajtojnë tema të ngjashme, ka ndikim të madh në perceptimin e publikut mbi korrupsionin në sport. Filmi ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit publik për ekzistencën dhe seriozitetin e trukimit të ndeshjeve, duke e bërë audiencën më të vetëdijshme për prapaskenat e errëta të futbollit. Duke shfaqur korrupsionin dhe manipulimin në sport, "Minuta e Fundit" nxiti debate dhe diskutime publike mbi masat që duhen marrë për të luftuar këtë fenomen dhe për të ruajtur integritetin e sportit.
Në periudhën e parë të trasmetimit të këtij filmi u tha se ai arriti të ndryshojë perceptimin e publikut mbi sportistët dhe klubet, duke i bërë tifozët më skeptikë dhe më të kujdesshëm ndaj përfshirjes së mundshme në trukimin e ndeshjeve.
Pra "Minuta e Fundit" përdori artin kinematografik për të eksploruar dhe ekspozuar problemet e trukimit të ndeshjeve në futboll, duke ofruar një platformë për ndërgjegjësim, edukim dhe diskutim mbi këtë çështje kritike.
 
Epilogu
Sportet, qoftë ai i futbollit, i boksit, por dhe i basketbollit, jetojnë ditë sa të bukura aq dhe të vështira. Spektakolarë në formë, por me probleme të mëdha në përmbajtje. Dhe spektatori i thjeshtë asnjëherë nuk ka për ta kuptuar se kush ishte më i forti dhe më i përgatituri për të fituar një ndeshje. Sepse ndeshja do t’i jepet “llokum”, duke e zhgënjyer deri në palcë.