In Memoriam
Për miqtë që ikin dhe e
lënë rrugën në mes
Nga Leonard Veizi
Rrotullohemi
të pashpresë në një rreth vicioz ku nuk e gjejmë dot daljen, por në mendjen
tonë gjithmonë ekziston një shpresë e skajshme dhe krejt e pakuptimtë. Dhe kjo
na mban në uniformën e jetës, herë për të qenë praktik e me këmbë në tokë dhe
herë ëndërrimtarë naivë e utopikë. Na duket sikur vdekja është larg nesh, shumë
larg, ose na ka harruar, ose do të na harrojë, ose ne do të jetojmë gjatë,
gjatë... gati në pafundësi.
Sa
bukur të jesh kaq naiv e utopik.
Por
gjithçka zhbëhet shumë shpejt, pikërisht atëherë kur nuk e pret. Dhe rruga
ndërpritet. Ose aq ishte itinerari yt në fund të fundit. Kjo vlen si një
hamendësim sepse manuali nuk na është dhënë në përdorim.
Në
fakt ne të gjithë e kemi hak vdekjen tonë, përderisa hak kemi dhe jetën që na
është dhënë. Dhe kjo sentencë na kujton se gjithçka që lind edhe vdes. Është
taksative, lutu sa të duash tek Shën Maria e te Shën Pjetri.
Aristir
Lumezi ishte i fundit që u shua nga zinxhiri i gazetarëve. Dhe ishte gazetar
race. Por kishte dhënë prova dhe si drejtues i një medie të rëndësishme e me
ndikim. Megjithatë nuk qe e thënë të dilte në pension si gazetar karriere dhe
as si kryeredaktor me karrierë të përfunduar. Sepse e tillë është jeta dhe nuk
ka shpjegim, Mund t’i kërkosh Jezusit apo Atit të tij, ta ndryshojnë fatin...
Por kjo nuk ka për të ndodhur. Ndaj je i detyruar ta pranosh humbjen, sado
kokëfortë a kryelartë të jesh.
Në
përditshmërinë tonë, shpesh zhytemi në preokupime të shumta, dhe rrisim
kërkesat tona në mënyrë të pamat, duke harruar shpeshherë se gjithçka që
përjetojmë është e përkohshme. Vdekja është një realitet i pamohueshëm, një
pjesë e natyrshme e ciklit të jetës, që herë pas here na kujton se edhe ne kemi
një fund të caktuar.
Gazetarët
vdesin gjitthashtu, se dhe pse pjesë e pushtetit të katërt, asnjëri nuk ka
imunitet. Nuk ka imunitet as para ligjit, jo më para Zotit.
Në
Amerikën e përtej oqeanit ekziston një shprehje që thotë: Asgjë nuk është e
sigurt në këtë botë përveç taksave dhe vdekjes. Padyshim, gjithçka është e
taksuar. Madje dhe vdekja. Por vdekja është më e sigurt se dhe vetë taksat.
Vdekja
e parakohshme e kolegëve është një ngjarje që prek thellësisht strukturën
emocionale të një ambienti pune dhe shoqëror. Kur një person me të cilin kemi
ndarë përditshmërinë dhe sfidat profesionale largohet papritmas nga kjo botë,
ndjejmë humbjen e tij në mënyrë të dyfishtë: si një mik dhe si një profesionist
që kontribuonte në ekipin e përbashkët.
Kush
e mban mend se para Aristir Lumezit kishin ikur dhe Andrea Stefani dhe Fatos
Baxhaku, dhe Agron Bala dhe Arjan Dodbiba, dhe Zenepe Luka edhe Emin Koçiu,
edhe Sonila Caka... Dhe gjithashtu kishin ikur nga kjo botë një dorë gazetarësh
me kontribute të mëdha nga plejada më e vjetër si Agron Çobani, apo Alfons
Gurashi, apo Duro Mustafai, apo Tomorr Peza, apo Ilir Dhima, apo Nuri Dragoi,
apo dhe Flamur Bërdellima. Ç'është e vërteta radha është e madhe shumë, dhe unë
mora përsipër të përmendja vetëm ata të cilët i kam njohur nga afër, kemi ndarë
kafe e ndonjë gotë rakie, si dhe biseda hallesh nga të përditshmërisë tonë.
Kur
miqtë tanë ndahen nga jeta, humbja duket e thellë dhe e dhimbshme dhe lë një
boshllëk të madh por gjithsesi të përkohshëm. Sepse fill pas saj vjen një
tjetër vdekje. Cikli përsëritet. Harresa bën punën e saj. Ndërsa hallkat që
shkëputen nga zinxhiri e bien njëra pas tjetrës, zëvendësohen rrufeshëm me
hallka të reja që lidhen njëtrajtshëm në konvejerin që nuk ndalon asnjëherë.
Ikja
e Aristirit - apo Beni siç njihej për një rreth më të ngushtë, me një emër të
mbartur nga fëmijëria, - na tregoi edhe një herë se sa e dobët është raca
njerëzore, madje dhe për njerëzit që i kanë vënë gjoksin punës dhe vetë jetës,
për ta çarë me trimëri.
Në
përditshmërinë e zhurmshme të zyrave tona, ndonjëherë harrojmë të ndalemi dhe
të reflektojmë mbi vlerën e vërtetë të marrëdhënieve që krijojmë. Ecuria e
detyrave dhe projekteve mund të na bëjë të shikojmë njëri-tjetrin vetëm në
kontekstin e rezultateve që duhet të arrijmë. Dhe shpeshherë më shumë se miq
vetë puna në bën armiq me njëri-tjetrin. Por, kur një koleg largohet nga jeta,
kuptojmë se lidhjet tona shkojnë përtej titujve të pozicioneve dhe objektivave
të punës. Në atë çast, dhimbja na kujton se kemi humbur një qenie njerëzore me
të cilën kemi ndarë pjesë të rëndësishme të jetës sonë.
Ashtu
si dhe të tjerë Aristir Lumezi ishte pjesë e përditshmërisë sonë. Ikja e
papritur, la rrugën e tij të papërfunduar, ëndrrat e pambaruara dhe shpresa të
parealizuara. Vdekja e miqve tanë na rikujton se jeta është e shkurtër dhe e
pasigurt dhe se është e rëndësishme ta jetojmë atë me plotësi. Të gjitha
marrëdhëniet dhe përvojat tona janë pjesë e një mozaiku të madh, ku çdo copëz
ka një rëndësi të veçantë. Në këto çaste, solidariteti ynë bëhet më i fortë,
sepse ndjejmë nevojën për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të përballuar
dhimbjen së bashku.
E
tillë është jeta. Ata që kanë ikur më parë se kaq janë dëshmitarë të
ndryshimeve që kemi përjetuar. Kjo ndjenjë është ngushëllimi ynë më i mirë, forca
për të vazhduar jetën dhe për të mos humbur shpresën asnjëherë.
Po
cilën shpresë?
Eh,
po....
Me
sa duket njeriu o është romantik deri në idiotësi, ose është vërtet idiot total
që vazhdon të shpresojë në marrëzi.
Në
fund të ditës, vdekja e parakohshme e një kolegu na kujton se jeta është e
brishtë dhe e paparashikueshme. Ajo na shtyn të vlerësojmë më shumë çastet që
kemi dhe njerëzit që na rrethojnë. Dhe mbi të gjitha, na sfidon të jetojmë më
me ndërgjegje, në udhëtimin tonë profesional dhe njerëzor.
Duke
kujtuar miqtë që kanë ikur, ne jemi të thirrur të reflektojmë, të vlerësojmë
çastet, të përmbushim ëndrrat dhe të jetojmë jetën me dinjitet duke kujtuar
gjithmonë se, sikurse e kemi hak jetën, e kemi hak edhe vdekjen tonë.
No comments:
Post a Comment