Leonard Veizi
Zakonisht
ato mbeten pa emër e pa autorë. Kujtohen vetëm datat dhe viktimat. Por kujtohet
gjithashtu edhe një proces që nuk të çon askund...
...Ngjarjet
tragjike si 21 Janari, 2 Prilli dhe Gërdeci janë plagë të hapura në ndërgjegjen
kolektive të shoqërisë shqiptare. Ato nuk janë thjesht çaste dhimbjeje apo
kriza humanitare, por shembuj të errët të asaj që ndodh kur shteti, i cili duhet
të mbrojë qytetarët, bëhet agresori i tyre. Ajo që i bashkon këto ngjarje nuk
është vetëm dhimbja e familjeve të viktimave, por edhe fakti se drejtësia ka
dështuar të triumfojë.
21 Janar 2011
Protesta
e 21 Janarit 2011 u shndërrua në një masakër shtetërore. Katër qytetarë të
pafajshëm u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë, ndërsa ata po protestonin
në bulevard për çështje që prekën thelbin e shtetit të së drejtës. Pamjet
tronditëse të atyre çasteve mbeten një aktakuzë e heshtur për ata që kanë
gëzuar pushtetin në kurriz të së vërtetës. Pavarësisht provave të pamohueshme,
drejtësia ka mbetur një premtim i pambajtur.
15 mars 2008
Një
nga rastet më të tmerrshme ku pushteti u bashkua me korrupsionin për të krijuar
një katastrofë ishte shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në
Gërdec më 15 mars 2008. Tragjedia shkaktoi 26 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Ajo ekspozoi jo vetëm një papërgjegjshmëri kriminale nga ana e zyrtarëve, por edhe
një sistem të tërë që i vë interesat private mbi jetën e qytetarëve. Ende sot,
drejtësia për Gërdecin mbetet një farsë.
Viti i mbrapshtë 1997
Në
histori, ka momente që mbeten enigma jo sepse janë të pamundura për t’u
kuptuar, por sepse forcat që i krijojnë janë po ato që i fshehin. Viti 1997
është një prej tyre. Ai përfaqëson jo vetëm një krizë të përgjakshme në jetën
shqiptare, por edhe dështimin monumental të shtetit, që vijon të fshihet pas
mjegullës së harresës dhe mungesës së drejtësisë.
Ajo
që nisi si një shpërthim i pakënaqësisë ndaj skemave piramidale shpejt u kthye
në një kaos kombëtar. Pyetja kryesore që nuk ka marrë ende përgjigje është: si
mund të kolapsojë një shtet në këtë mënyrë?
Humbja
e kursimeve të qindra mijëra qytetarëve ishte vetëm maja e një ajsbergu që
përfshinte korrupsion masiv, mungesë transparence dhe lidhje të ngushta mes
politikës dhe botës kriminale. Asokohe, shumëkush pyeti në heshtje: a ishin
këto skema një aksident financiar apo një makineri e menduar mirë për të zhytur
një popull të tërë në varfëri dhe pasiguri?
1997
ishte një vit ku kufiri mes paqes dhe luftës u zhduk. Qytetarët u armatosën,
bandat kriminale morën kontrollin e qyteteve, dhe qindra jetë u humbën. Vrasjet
në masë, shkatërrimi i pronave dhe rrëzimi total i rendit publik e bëjnë atë
periudhë të krahasueshme me një luftë civile të heshtur. Por kush i dha urdhër
të hapeshin depot e armëve? Kush përfitoi nga kaosi? Këto pyetje mbeten pa
përgjigje, ndërsa institucionet heshtin.
Përse
viti 1997 nuk është zbardhur? Pse institucionet dhe politika shqiptare
ngurrojnë të përballen me këtë periudhë?
Përgjigjja
është e thjeshtë: shumica e aktorëve të asaj kohe janë ende pjesë e sistemit.
Politika shqiptare, e ndërtuar mbi kompromise të errëta dhe mosndëshkueshmëri,
nuk ka interes të hapë plagët e një viti që nxori në pah dështimin total të
saj.
Mosndëshkimi
i përgjegjësve ka lënë një boshllëk të madh në kujtesën historike dhe
drejtësinë kombëtare. Vrasjet masive, shkatërrimet dhe humbjet financiare të
miliona njerëzve mbeten pa autorë, ndërsa të fuqishmit e asaj kohe jetojnë të
qetë, duke fshehur të vërtetën pas ndikimit të tyre politik dhe ekonomik.
2 Prilli 1991
Ngjarjet
e 2 Prillit 1991, ku katër të rinj humbën jetën në Shkodër gjatë një proteste
kundër regjimit komunist, shënojnë një tjetër shembull të errësirës shtetërore.
Me gjithë kalimin e dekadave, e vërteta mbi këto vrasje vazhdon të mbetet e
mjegullt. Ndërhyrjet politike dhe mungesa e vullnetit për të hetuar thellë e
kanë bërë të pamundur zbardhjen e plotë të asaj dite fatkeqe.
Moszbardhja
Arsyeja
kryesore për dështimin e drejtësisë qëndron në faktin se krimet janë kryer nga
vetë shteti ose janë lehtësuar prej tij. Kur autorët janë ata që kontrollojnë
institucionet, drejtësia kthehet në një iluzion. Provat zhduken, dëshmitarët
heshtin ose intimidohen, dhe proceset ligjore shndërrohen në mjete për të
vonuar të vërtetën.
Një
tjetër faktor është mungesa e një drejtësie të pavarur. Pushteti politik ka
pasur gjithmonë ndikim të madh mbi sistemin gjyqësor në Shqipëri, duke e bërë
atë të paaftë për të ndjekur penalisht ata që janë në pushtet ose të lidhur me
të.
Kalendat greke
Krimet
shtetërore janë ndër aktet më të rënda dhe më tronditëse që një regjim apo
qeveri mund të kryejë kundër qytetarëve të vet. Ato janë të rënda jo vetëm për
shkak të viktimave të tyre, por edhe për pasojat e thella që lënë në shoqëri,
në drejtësi dhe në vetë ndërgjegjen kombëtare. Në Shqipëri, krimet e mëdha
shtetërore – si ato të 21 Janarit, 2 Prillit, Gërdecit apo kaosi i vitit 1997 –
nuk janë thjesht plagë të hapura, por edhe dëshmi të qarta të një prirjeje për
t’i lënë ato në harresë, ose, siç thuhet shpesh, “për t’i shtyrë në kalendat
greke”.
Shprehja
“kalendat greke” bart një ironi të hidhur. Në të kaluarën, ajo përdorej për të
përshkruar një proces të pafund, një vonesë apo një lënie të qëllimshme të një
çështjeje në harresë, nën justifikime burokratike apo premtime të rreme. Në
kontekstin shqiptar, kjo shprehje merr një domethënie tragjike: krimet
shtetërore nuk kanë për t’u zgjidhur, sepse zbardhja e tyre rrezikon të rrëzojë
kolonat e një sistemi të ngritur mbi pandëshkueshmërinë.
Derisa
drejtësia të bëhet një realitet, 21 Janari, 2 Prilli dhe Gërdeci do të mbeten
një kujtesë e dhimbshme e një shteti që, në vend se të mbrojë qytetarët, shpesh
zgjedh t’i sakrifikojë ata për interesa të errëta.
No comments:
Post a Comment