Sunday, January 26, 2025

"Montserrati", heroi që u ngrit mbi viktimat e tij të pafajshme



Nga Leonard Veizi
 
Si mund të ndihet një person i vendosur në një presion të jashtëzakonshëm, ku për hir të qëllimit të tij të lartë, të sakrifikojë jetën e disa të pafajshmëve që pushkatohen para syve të tij?
Më fakt këtë gjë mund ta dijë vetëm personazhi në fjalë. Me siguri i afrohet deri diku dhe autori që e ka përshkruar. Edhe aktori që e interpreton, padyshim. Por asgjë nuk mund të jetë shteruese.
Sepse ky personazh duhet të tregojë diçka që nuk e tregon dhe njerëz pa asnjë lidhje me ngjarjen vdesin duke u lutur për jetën. Sepse nuk kanë bërë asgjë për të merituar një dënim të tillë. Për ta ekzistonte vetëm shprehja që: ishin në kohën e gabuar në vendin e gabuar.
Është mes tyre edhe një djalosh revolucionar, një aktor, një vajzë të bukur, një tregtar i pasur edhe një poçar i varfër, por edhe një nënë që ka lënë dy fëmijët e saj të vegjël të vetëm në shtëpi. Dhe ai duhet të të përplaset e të durojë gjithfarë ofshamash njerëzore, lutje, përgjërime e falje pasurie. Por ai edhe pse në një presion të madhe e të vazhdueshëm, nuk lëviz nga pozicioni i tij edhe pse në fakt tutet të dorëzohet...
 
...Drama "Montserrat" e shkruar në vitin 1948 nga Emanuel Robles është një nga veprat më të njohura të dramaturgjisë franceze të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ajo trajton temat e lirisë, moralit dhe sakrificës në kontekstin e represionit kolonial.
 
Drama
Ngjarja luhet në korrik 1812. Njihet si drama më popullore e Robles-it, ku është historia e një oficeri të ri spanjoll që zgjedh të vdesë për çlirimin e Venezuelës në vend që të tregojë vendin e fshehur të Simón Bolívarit, që ishte dhe kreu i levizjes për pavarësi.
“Montserrat” është një shfaqje në 3 akte. Shfaqja u shfaq për herë të parë më 23 prill 1948 në Teatrin “Montparnasse” në Paris dhe po atë ditë në Teatrin “Colisée” në Algjer1. Ajo mori çmimin “Portique”. Që nga krijimi i saj, kjo dramë, nuk pushoi së luajturi në të gjithë botën. Është përshtatur në më shumë se tridhjetë gjuhë, veçanërisht në anglisht.
 
Në shqip
“Montserrati” por që në shqip vjen si Monserrati, është ngjitur në skenë dhe nga trupa e Teatrit Popullor në vitin 1983 përmes regjisë së të mirënjohurit Pirro Mani, ku në rolin kryesor interpreton Bujar Lako, në rolin e oficerit spanjoll Iskerdo, që drejton operacionin është Ahmet Pasha e më pas vijnë në role të tjera Roza Anagnosti, Anastas Kristofori, Xhemil Tagani, Anil Frashëri etj.
Natyrisht “Montserrat” është vënë në skenë edhe nga pedagogia Drita Pelinku me studentët e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë.
Ndërkohë që ka edhe një version tjetër interpretuar nga trupa e teatrit profesionist të Prizrenit “Bekim Fehmiu” me regji të Roland Roshit ku interpretojnë: Gëzim Rudi, Alban Krasniqi, Xheilane Tërbunj. Rrezarta Foniqi, Bislim Muçaj, Fetah Paçarizi, Alban Çela, Luan Kryeziu, etj
 
Ngjarja
Drama vendoset në Venezuelën e fillimit të shekullit XIX, gjatë luftës për pavarësi kundër kolonizatorëve spanjollë. Personazhi kryesor, Monserrat, është një oficer spanjoll 28 vjeçar që ka vendosur të mbështesë revolucionarët vendas i tmerruar nga trajtimi që bashkatdhetarët e tij u bëjnë vendasve. Në këtë mënyrë, Robles na vendos përballë dilemave morale që shfaqen kur individi zgjedh të sfidojë detyrimet e tij ushtarake dhe patriotike për hir të një ideali më të lartë – lirisë.
Kur spanjollët planifikojnë të arrestojnë Bolivarin, udhëheqësin e revolucionarëve venezuelianë, Monserrat i paralajmëron ata dhe Bolivar arrin të arratiset. Spanjollët, nën komandën e togerit të parë Iskerdo, të vetëdijshëm se ishte Monserrat ai që e kishte paralajmëruar Bolivarin për ardhjen e tyre, e prangosin atë. Para se ta ekzekutojnë, ata përpiqen ta bëjnë atë të tregojë se ku fshihet Bolivar duke kapur gjashtë pengje të pafajshëm, të marrë rastësisht në rrugë, duke i mbyllur me të dhe duke i thënë se pengjet do të pushkatohen pas një ore nëse ai nuk tregon. Secili nga gjashtë të pafajshmit më pas do të përpiqet ta bindë Monserratin të rrëfejë, ose duke e bërë të ndihet fajtor, ose duke i shpjeguar se Bolivar mund të vdesë, edhe pa duke u kapur, pasi ai ishte i plagosur, dhe atëherë vdekja e tyre nuk do të kishte asnjë dobi.
Këtu Monserrati përballet me dilemën e tij tragjike: të zgjedhë midis të qëndruarit në heshtje dhe të sakrifikojë jetën e gjashtë të pafajshmëve, ose të tregojë duke e komprometuar revolucionin venezuelas.
 
Analiza
Monserrat është mishërimi i heroit tragjik dhe intelektualit idealist. Ai e kupton se liria është një e drejtë universale dhe vendos të ndjekë parimet e tij, edhe pse kjo e bën armik të vendit të tij. Monserrat nuk është thjesht një rebel; ai është një figurë morale që vendos ndjenjën e drejtësisë mbi besnikërinë ndaj shtetit. Ai përfaqëson një personazh që guxon të sfidojë autoritetin dhe të sakrifikojë gjithçka për lirinë e një populli tjetër.
Në zemër të dramës është pyetja: Sa vlen jeta përballë idealeve? Vendimi i Monserrat për të ndihmuar revolucionarin Simon Bolívar, duke e ditur se kjo do ta çojë drejt vdekjes, është qendror për temën. Drama eksploron idenë se liria është një ideal që kërkon sakrifica të mëdha, madje edhe flijimin e jetës.
Pjesa është e ngarkuar me tension dramatik. Oficerët spanjollë kapin Monserratin dhe përballë tij vendosin një zgjedhje tragjike: të zbulojë vendndodhjen e Bolívarit ose të shohë se si vriten të pafajshëm një nga një. Ky mekanizëm dramatik shërben për të thelluar kontrastin midis moralit personal të Monserratit dhe brutalitetit të sistemit kolonial.
 
Mesazhet
Edhe pse ngjarjet zhvillohen në një kontekst të veçantë historik, "Montserrat" ka një mesazh universal. Ajo flet për konfliktin midis njeriut dhe autoritetit, për guximin moral për të sfiduar padrejtësitë, dhe për ndjenjën e përbashkët të humanizmit. Në fund, sakrifica e Monserratit është një kujtesë se liria shpesh arrihet përmes përpjekjeve të individëve që janë të gatshëm të rrezikojnë gjithçka.
Autori i dramës përdor një stil të drejtpërdrejtë, të mbushur me dialog të tensionuar dhe situata të skajshme. Simbolika është e fuqishme: Monserrati përfaqëson lirinë, ndërsa oficerët spanjollë simbolizojnë represionin dhe brutalitetin e një sistemi të korruptuar. Drama ndërthur realizmin historik me një analizë filozofike të moralit dhe veprimit njerëzor.
"Montserrat" mbetet një vepër aktuale, që rezonon me luftën për liri në çdo epokë. Ajo fton audiencën të reflektojë mbi çështjet e moralit, guximit dhe sakrificës, duke e kthyer atë në një klasik të dramaturgjisë me vlera universale.

No comments:

Post a Comment