10 Shkurt 1962
Nga
Leonard Veizi
Historia e
shkëmbimit të robërve të luftës, ka qenë një histori e përhershme. Por dhe
historia e shkëmbimit të robërve në kohë paqe gjithashtu ka qënë një histori e
gjithmonshme. Kjo bëhej pasi shkëmbimet ndihmonin në ruajtjen e balancës midis
palëve dhe shpesh realizoheshin me një marrëveshje mes shteteve ose komandave
të armatosura. Kështu ka ndodhur edhe mes amerikanëve dhe sovjetikëve përgjatë
viteve që u cilësua si “Lufta e Ftohtë”...
...Më 10 shkurt të
vitit1962, ndodhi një ngjarje e rëndësishme në ditët e Luftës së Ftohtë, kur
piloti amerikan Fransis Geri Pauers u shkëmbye për spiunin sovjetik Rudolf
Ejbëll. Pauers ishte një pilot i CIA-s që, më 1 maj 1960, ishte kapur nga
sovjetikët kur avioni i tij U-2 u rrëzua në territorin e Bashkimit Sovjetik
gjatë një misioni për të fotografuar objektet ushtarake sovjetike.
Ngjarja
Misioni
i pilotit amerikan Fransis Geri Pauers mbi territorin sovjetik ishte pjesë e
një operacioni të spiunazhit i quajtur “U-2 reconnaissance flights”
të udhëhequr nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së, quajtur ndryshe CIA.
Misioni konsistonte në mbledhjen e informacioit të ndjeshëm mbi aktivitetet
ushtarake sovjetike, në lidhje me bazat ushtarake, veçanërisht mbi vendndodhjen
dhe përparimin e armëve bërthamore dhe raketave të Bashkimit Sovjetik. Ai duhej
të fotografonte rreth 2.000 milje territor sovjetik për të mbledhur
informacione inteligjente.
Avioni
ultra i sofistikuar “Lockheed U-2” ishte projektuar për fluturime të larta dhe
mund të fluturonte në altitudë rreth 21 km, ku ishte shumë i vështirë për t'u
arritur nga raketat dhe avionët sovjetikë të kohës.
Pauers
u nis nga Peshauari në Pakistan më 1 maj
1960, por gjatë fluturimit mbi territorin sovjetik, pranë qytetit të Sverdlovsk
Oblast në Malet Ural, avioni i tij u godit nga një raketë tokë-ajër sovjetike
dhe u rrëzua. Pauers u hodh me parashutë dhe ra i gjallë në tokë, ku u kap nga
forcat sovjetike dhe u mbajt për t'u marrë në pyetje nga KGB-ja.
Më
5 maj, sekretari i parë i BRSS, Nikita Hrushovi, njoftoi se avioni amerikan i
spiunazhit ishte rrëzuar. Dy ditë më pas zbuloi se Pauers ishte shëndoshë e
mire, dhe se kishte pranuar që ndodhej në territorin sovjetik për një mision
inteligjence nga CIA.
Pauers
u bë një çështje e rëndësishme për Bashkimin Sovjetik, pasi u akuzua dhe gjykua
për spiunazh.
Ky
incident ndodhi në një periudhë shumë të tensionuar të Luftës së Ftohtë, që që
solli një krizë diplomatike mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, duke kontribuar
në përkeqësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe duke ngadalësuar përpjekjet
për të arritur marrëveshje mbi armët bërthamore.
Pas
disa muajsh, Pauers u dënua me 10 vjet burg. Por më 1962 ai u shkëmbye për
spiunin sovjetik Rudolf Ejbëll në një marrëveshje të ndërmjetësuar. Spiuni
sovjetik Rudolf Ejbëll, ishte kapur nga autoritetet amerikane që në vitin 1957.
Ky
shkëmbim i të burgosurve u bë në Urën Glienicke, e cila ndodhej mes Gjermanisë
Perëndimore dhe asaj Lindore, duke shënuar një çast kulminant të tensioneve të
Luftës së Ftohtë.
Shkëmbimi
i të burgosurve ishte një manifestim i përpjekjeve të dy superfuqive për të
zbutur tensionet ndërkombëtare dhe për të shmangur një përshkallëzim të
mëtejshëm të konfliktit të mundshëm. Historia e këtij shkëmbimi, si dhe pozita
e Pauers në të, mbetet një pjesë kyçe e historisë së Luftës së Ftohtë dhe e
marrëdhënieve të tensionuara SHBA - BRSS.
Libri
“Ura
e spiunëve” është historia e vërtetë e Luftës së Ftohtë në një libër jofiksonal
botuar në viti 2010 nga Xhajëlls Uitëll. Libri dokumenton shkëmbimet e të
burgosurve midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si spiunë të
tyre gjatë Luftës së Ftohtë. Libri u botua për herë të parë nga “Broadway Books”.
Si libri i Uitëll ashtu edhe filmi i Spillbërg bazohen në të njëjtat ngjarje,
megjithëse libri fokusohet në tre të burgosur që u bënë pjesë e procesit të
shkëmbimit.
Filmi
Ngjarja
e shkëmbimit të Fransis Geri Pauers dhe Rudolf Ejbëll ka qenë inspirim për disa
filma, dhe një nga më të njohurit është "Bridge of Spies" i
ardhur në shqip si “Ura e Spiunëve”, i cili u realizua nga regjisori
Stivën Spillberg dhe u publikua në vitin 2015. Në kastin e filmit u përfshine
aktorët: Tom Henks, Mark Rajlens, Emi Rajen dhe Alen Aldën.
Filmi
tregon si avokati amerikan Xhejms B. Donovan, i luajtur nga Henks, mori rolin e
negociatorit për të realizuar shkëmbimin, një detyrë e vështirë që kërkoi
mençuri dhe guxim për të balancuar interesat e të dy palëve. "Bridge of
Spies" nuk trajton vetëm çështjen e shkëmbimit të Pauers, por gjithashtu
tregon kontekstin e tensioneve të Luftës së Ftohtë. Ky film ishte i suksesshëm
dhe u përshëndet për realizimin e tij, si dhe për paraqitjen e tensioneve dhe
të sfidave etike dhe politike që dolën nga ngjarjet historike.
Filmi
u shpërnda nga “Walt Disney Studios Motion Pictures” përmes etiketës “Touchstone
Pictures” më 16 tetor 2015, në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada dhe nga “20th
Century Fox” në vende të tjera. Ai mori vlerësime kritike për skenarin e tij,
interpretimet e Henks dhe Rajlens, regjinë e Spillberg, partiturën muzikore të
Tomas Njuman dhe vlerat e prodhimit.
Filmi
ishte një sukses në arkë, sepse u prodhua me një buxhet prej 40 milionë
dollarësh duke fituar 165 milionë dollarë në mbarë botën. Gjithashtu filmi mori
gjashtë nominime për çmimet “Oscar”, duke përfshirë filmin më të mirë dhe
skenarin më të mirë origjinal, ndërsa faktikisht Rajlens fitoi si aktori më i
mirë dytësor.
Epilogu
Pas
rikthimit në SHBA, Pauers u largua nga
CIA. Në vitin 1970, ai botoi një libër mbi operacionin e tij sekret dhe
incidentin që pasoi. Në vitin 1977 Pauers
u vra pas rrëzimit të një helikopteri.
Ndërkohë
Ejbëll u rikthye në Moskë, ku u detyrua të dalë në pension nga KGB-ja, e cila
druhej se gjatë viteve të burgimit, autoritetet amerikane e kishin bindur të
bëhej një agjent i dyfishtë. Ejbëll-it iu dha një pension modest, dhe në vitin
1968 botoi kujtimet e veta me miratimin e KGB-së. Vdiq në vitin 1971.
No comments:
Post a Comment