Nga Leonard Veizi
Zgjedhja
e papës së ri, Leon XIV, nga Konklava, ka shtyrë disa studiues të besojnë se
Arkiva e Vatikanit, - dikur e quajtur “Sekrete”, por me pas e quajtur “Apostolike”
- të jetë e aksesueshme për studiuesit po aq sa e bëri dikur Papa Leon XIII.
Kështu që shumëkush beson se do të dalin në dritë shumë nga misteret e mbajtura
në errësirën e Arkivës së nëndheshme...
...Autorë
bestseller-ash si Dan Brown në romanet “Kodi i Da Vinçit” dhe “Engjëj dhe Djaj”,
apo Steve Berry në romanin “Sekreti i Tretë”, kanë përshkruar Arkivat si qendra
të së vërtetës së ndaluar, ku ruhen dokumente që mund të trondisin themelet e
krishterimit. Skenat me labirinte nën Vatikan, me letra të papreve dhe dëshmi
tronditëse për jetën e Jezusit, martesa të fshehta apo profeci të errëta, janë
kthyer në trille tërheqëse për lexuesin bashkëkohor. Por përtej fabulës
letrare, çfarë fshihet vërtet në këto raftet që shtrihen për dhjetëra
kilometra?
Për
shumë shekuj, Arkivat Apostolike të Vatikanit – më parë të quajtura
"Arkivat Sekrete të Vatikanit" – kanë qenë një nga vendet më
enigmatike dhe më të diskutueshme të botës perëndimore. Termi
"sekret" nuk nënkuptonte domosdoshmërisht fshehtësi në kuptimin
modern, por vinte nga fjala latine secretum, që do të thotë "privat".
Megjithatë, aura e misterit që e ka mbuluar këtë institucion për më shumë se
katër shekuj ka ushqyer imagjinatën e historianëve, romancierëve dhe
teoricienëve të konspiracionit.
James
Hill, një Historian britanik i Mesjetës, në një shkrim të botuar prej tij “E
vërteta e Arkivave Sekrete të Vatikanit’ shkruan: Unë jam një studiues i
papatit në fund të Mesjetës dhe kam qenë në Arkivat Sekrete të Vatikanit Fjala
"sekret" në Arkivat Sekrete të Vatikanit mund të jetë arsyeja për
disa nga spekulimet e shfrenuara rreth asaj që ndodh atje. Por kjo e bën
arkivin të duket shumë më joshës nga sa është.
Ndërsa
gazetarja amerikane nga Kolorado, Erin Blakemore, në shkrimin e botuar prej saj
"Brenda Arkivave Sekrete të Vatikanit" jep të dhëna mjaft
interesante: Pesëdhjetë e tre milje rafte. Tridhjetë e pesë mijë vëllime
katalogësh. Dokumente me vlerë dymbëdhjetë shekuj. Të vendosura në një nga bastionet
më ikonike të fesë dhe kulturës ndonjëherë, Arkivat Sekrete të Vatikanit janë
legjenda historike - por ekzistenca e tyre është absolutisht reale. Jo kushdo
mund të hyjë në arkiv—është i hapur vetëm për studiuesit që i nënshtrohen një
procesi të plotë verifikimi. Megjithatë, vitet e fundit Vatikani është bërë pak
më i hapur me sekretet e tij. Në vitin 2010, në përgjigje të interesit të
shtuar publik për Arkivat Sekrete dhe mitet e përjetësuara nga libri më i
shitur i Dan Brown, “Engjëj dhe Djaj”, Vatikani lejoi gazetarët ta vizitonin
atë për herë të parë. Në vitin 2012, Arkivat Sekrete të Vatikanit organizuan
një ekspozitë publike të disa prej dokumenteve të tyre më të rëndësishme në
festimin e 400-vjetorit të lindjes së tyre.
Në
faqen zyrtare: “rchivioapostolicovaticano.va” thuhet se: Pasi Papa Leo XIII
hapi dyert e “Archivio Segreto Vaticano” për studiuesit në vitin 1881, ai është
bërë një nga qendrat më të famshme të kërkimit historik në botë. Në përputhje
me një praktikë të vendosur në vitin 1924, Papa jep akses falas në dokumentet
"të grupuara në pontifikate" që aktualisht janë në fuqi deri në fund
të papatit të Papa Pius XII , tetor 1958. Megjithatë, Pali VI u tërhoq nga kjo
praktikë dhe u dha studiuesve akses në Arkivat e Koncilit të Dytë të Vatikanit
Thesari historik e shpirtëror
Arkivat
Apostolike të Vatikanit përmbajnë më shumë se 85 kilometra rafte dhe mbi 35,000
dokumente që përfshijnë mbi tetë shekuj histori. Kjo nuk është një koleksion
thjesht shpirtëror. Brenda tyre ruhen dorëshkrime, letra diplomatike, traktate
paqeje, gjyqe famëkeqe dhe materiale që ndriçojnë ndikimin e Kishës Katolike në
jetën politike, kulturore dhe sociale të Europës.
Dokumentet
e para u ruajtën në Pallatin Lateran, më pas në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe
Pallatin Palatin. Gjatë zhvendosjes së Papëve në Avignon (1309–1377), shumë
dokumente u zhdukën ose u shkatërruan. Vetëm në vitin 1784, Papa Pali V vendosi
rikthimin dhe sistemimin e tyre në një qendër të vetme. Sot, që nga viti 1991,
pjesa më e madhe e materialeve ruhen në një strukturë nëntokësore 20 metra nën
oborrin e Pignës, me ambiente moderne ruajtjeje që përfshijnë rreth 80
kilometra raftesh.
Disa
nga dokumentet më domethënëse që ruhen aty përfshijnë:
-Dosja
e gjyqit të Giordano Bruno-s më 1600 – filozofi dhe mistiku që u dogj në turrë
për herezi. Dosja e tij është dëshmi dramatike e konfliktit mes mendimit të
lirë dhe dogmës kishtare.
-Gjyqi
i Kalorësve Templarë mes viteve1307-1312 – pergamenat e këtij procesi ndriçojnë
ngjarjet që çuan në shuarjen misterioze të një prej urdhrave më të fuqishëm
mesjetarë.
-Letra
e Mbretëreshës Mary Stuart drejtuar Papës Sixtus V në vitin 1587 – ku ajo
kërkon shpëtimin e shpirtit të saj para ekzekutimit.
-Bulla
e shkishërimit të Martin Luther-it në 1521 – dokumenti që shënoi ndarjen e
madhe të Reformacionit protestant.
-Korrespondenca
me Hitlerin dhe Musolinin gjatë Luftës së Dytë Botërore – që dëshmon për
dilemat morale të Vatikanit përballë totalitarizmit.
"Sekrete" të kontrolluara
Në
vitin 2019, Papa Françesku ndryshoi emërtimin e tyre nga “Archivum Secretum
Vaticanum” në “Archivum Apostolicum Vaticanum” për të shmangur keqkuptimet që
kishte sjellë fjala "sekret". Në të vërtetë, arkivat nuk kanë qenë
kurrë të hapura për publikun e gjerë. Vetëm studiues me diplomë universitare,
të akredituar zyrtarisht, lejohen të kenë akses – dhe kjo në kushte të rrepta, për
një numër të kufizuar ditore.
Hapja
graduale ka ndodhur kryesisht pas vendimit të Papa Leonit XIII më 1881 për të
lejuar qasje të pjesshme deri në dokumentet e vitit 1815. Në vitin 2020, Papa
Françesku autorizoi hapjen e dosjeve të vitet 1939–1958, - që lidhen me papatin
e Piusit XII, figurë e diskutueshme për heshtjen ndaj Holokaustit – një akt që
u interpretua si përpjekje për transparencë. Megjithatë, disa dokumente ende
mbeten të rezervuara për Papën dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.
Libri informativ
Libri
“The Secret Archives of the Vatican” ose “Arkivat Sekrete të Vatikanit”,
shkruar nga Maria Luisa Ambrosini dhe Mary Willis, është një përshkrim
informativ, historik dhe gazetaresk i një prej institucioneve më të mistershme
të Kishës Katolike. Libri fillon me përshkrimin e aksesit shumë të kufizuar që
ofrohet studiuesve dhe mënyrën se si autorja arriti të marrë leje të veçantë
për të hyrë në arkiva në vitet ’60. Jepet një panoramë e krijimit dhe
zhvillimit të Arkivave nga shekulli i XVII deri në ditët moderne, duke
përfshirë Papët që ndihmuan në organizimin dhe ruajtjen e dokumenteve. Aspektet
arkivore dhe teknike kanë të bëjnë se si ruhen dokumentet, çfarë metodash
përdoren për katalogimin dhe aksesin, si dhe roli i studiuesve në nxjerrjen në
dritë të materialeve të panjohura. Ambrosini përshkruan përjetimet e saj
personale si grua dhe gazetare që i jepet aksesi në një vend tradicionalisht i
mbyllur për jo-klerikët.
Libri
është shkruar në stil narrativ e gazetaresk, dhe synon t’i ofrojë lexuesit një
përvojë zbuluese, thuajse si një aventurë brenda një bote të mbyllur. Ai është
i pasur me përshkrime e ndjenja kurioziteti. Gjithashtu përmban fakte historike
dhe analiza politike të kohës.
Realiteti
Ndryshe
nga idetë spekulative të romaneve fantastiko-historike, ajo që gjendet në
Arkivat e Vatikanit nuk janë mistere që rrëzojnë fenë, por dokumente që
dëshmojnë mënyrën se si Kisha është përpjekur, për shekuj, të ruajë dhe
kontrollojë të vërtetën përmes shkrimit. Historia që mbajnë këto dokumente
është shpesh më njerëzore, më e thjeshtë dhe më dramatike në mënyrën e vet se
sa çdo konspiracion imagjinar. Në thelb, arkivat janë një pasqyrë e mendësisë
perandorake të Kishës Katolike: një institucion që jo vetëm drejtonte
shpirtërisht, por ndikonte fuqimisht edhe në zhvillimet tokësore. Në këtë
labirint të kujtesës njerëzore ndodhen jo thjesht “sekrete”, por dëshmi të një
historie që shpesh është më ndërlikuar se sa ajo që na mësojnë librat shkollorë
– më e sinqertë, më brutale dhe më e vërtetë.
No comments:
Post a Comment