A ka vërtet jetë
të tjera, të ngjashme me atë të Tokës, në galaksinë ndërplanetare?
Mund të jetë një teori
konspirative po aq sa mund të jetë dhe një e vërtetë. E si gjithmonë që të bëhet e
besueshme duhen fakte. Po çfarë
faktesh ka?..
...Në fund të
viteve ’70, Televizioni Shtetëror Shqiptar shfaqi një dokumentar që do të bëhej
një nga pika më të rëndësishme të histories kulturore të kohës: Vizitorët nga
Kozmosi. Ky film, i titulluar në orgjinal “Erinnerungen an die Zukunft” apo e
ardhur në shqip si “Kujtime nga e ardhmja”, ishte një dokumentar i dubluar i
vitit 1970, bazuar në librin e famshëm të Erich von Däniken, “Chariots of the
Gods?”. Në këtë dokumentar, von Daniken përpiqej të provonte një teori
tronditëse: qytetërimet e lashta të Tokës nuk i kishin mundësuar vetë arritjet
e tyre, por kishin marrë ndihmë nga astronautë të lashtë, apo thënë ndryshe nga
jashtëtokësorë.
Filmi, i nominuar për Oscar, ndau
publikun në dy palë: njëra palë u magjeps nga mundësia që njerëzimi të mos ketë
qenë i vetëm, tjetra u skandalizua nga mungesa e provave.
Për publikun shqiptar, ky film
ishte një ngjarje e jashtëzakonshme që hidhte dritë mbi një teori të madhe:
piramidat e Egjiptit, linjat e Nazkës dhe mite të lashta si prova të ndikimit
jashtëtokësor. Ishte një teori që për shumëkënd shndërrohej në një pikë
referimi për misteret e natyrës dhe të historisë së njerëzimit.
Vizitorët nga Kozmosi, u
transmetua disa herë nga Televizioni Shtetëror i kohës.
Narracioni shpesh spekulativ
ofronte shembuj të pazakontë, si ideja se Sodoma dhe Gomorra u shkatërruan nga
bomba bërthamore, ose ekuacioni që lidhte përmasat e Piramidës së Madhe me
distancën nga Toka në Diell.
Në versionin amerikan të vitit
1973, “In Search of Ancient Astronauts”, apo “Në kërkim të astronautëve të
lashtë”, narracioni i Rod Serling-i shtonte një shtresë edhe më misterioze.
Pasoi një valë dokumentarësh të
ngjashëm si “The Outer Space Connection” i vitit 1975 dhe “Mysteries of the
Gods”, prodhuar në vitin 1976, me Uilliam Shatner që udhëtonte nëpër botë
duke mbajtur në duar një “kafkë kristali” dhe pyetur me solemnitet: “Si mund të
jetë prodhuar kjo kafkë?” Por burime të tjera thonë se kafka e kristaltë, e
pretenduar si artefakt nga qytetërimi Maja, më vonë u vërtetua se ishte
prodhuar me mjete moderne.
Por si ndikoi ky dokumentar tek
“njeriu i ri” shqiptar.
Edhe pse sot duken qesharake,
këto dokumentarë pasqyruan një periudhë kur etja për mister ishte më e madhe se
kërkesa për prova. Në Shqipëri, vendi i izoluar dhe pa qasje në informacion të
gjerë, “Vizitorët nga Kozmosi” ishte për shumëkënd një dritare drejt së
panjohurës – një përzierje mes edukimit dhe fantashkencës që ngjalli kureshti
dhe formësoi përfytyrimin e një brezi.
Po në botën e zhvilluar e me
shumë informacion?
Spektakli i këtyre filmave
qëndronte jo në të vërtetat që zbulonin, por në emocionin që krijonin. Si çdo
ide që thyen rregullat e zakonshme të të menduarit, ky film u bë një objekt debati.
Shumë kritikë, përfshirë antropologë të njohur, e quajtën këtë teori
“fantashkencë”, duke e përbuzur si një përpjekje për të nënvlerësuar aftësinë
njerëzore dhe suksesin e tij pa ndihmën e një force të jashtme.
Por shumë të tjerë, të magjepsur
nga pamjet spektakolare dhe narrativat që sugjeronin mundësinë e takimeve me
jashtëtokësorët, e morën këtë teori si mundësi për të shpërthyer kufijtë e
imagjinatës. Këto lloj filmash dhe librash kanë pasur një ndikim të thellë në
kulturën masive, duke ndryshuar përhershëm diskursin mbi historinë dhe shkencën
popullore. Me kalimin e viteve, kinemaja dhe media vizive krijuan një epokë të
re të konspiracioneve që përqendrohen rreth alienëve, UFO-ve dhe qytetërimeve
të humbura.
Në vitet ’80 dhe ’90, gjithçka
nga “The X-Files” deri te “Ancient Aliens” e pasuan këtë traditë, duke forcuar
më tej praninë e teorive konspirative që përdorin shpjegime jashtëtokësore për
të shpjeguar ngjarje dhe mistere të historisë.
Ishte koha kur u shfaqën shumë
dokumentarë në TV amerikan, sidomos në kanale si Discovery Channel dhe The
History Channel, që trajtonin UFO-t, rrëmbime alienësh, dhe zonat e shenjta të
ndikuara nga jashtëtokësorët. Zona 51 dhe incidenti i Roswell-it i vitit 1947,
u kthyen në tema të zakonshme në dokumentarë konspirativë.
“Ancient Aliens” apo “Alienët e
lashtësisë, një prodhim i vitit 2009, ishte një serial dokumentar i gjatë dhe
shumë popullor nga History Channel, i cili e zgjeroi në mënyrë të madhe teorinë
e astronautëve të lashtë.
Në epokën e internetit një valë e
madhe teorish alternative u përhap përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve të
video-përmbajtjes, ku gjithkush mund të bëhej “ekspert” për çështje që
përfshinin mbërritjen e jashtëtokësorëve.
Por thuhet zyrtarisht se
dokumentarët e rinj të pas viteve 2020, shpesh përfshijnë deklasifikimin e
dokumenteve të Pentagonit dhe hetime mbi "UAP" që në shqip vjen si
“Fenomene Ajrore të Pashpjegueshme”
Në thelb, temat mbi ndërhyrjet e
mundshme alienëve në Tokë kanë kaluar nga teori të paprovuara e të i
parëndësishëme drejt pop-kulture dhe interesimit më serioz, sidomos me
përfshirjen e disa burimeve ushtarake dhe shkencore.
Çdo teori konspirative ka
shpalosur gjithashtu një tjetër fenomen – narrativën e lidhur me shkencën.
Teoritë si ato të Daniken, ku çdo mit i lashtë shikohet si një “tregim i
vërtetë” i mundësive teknologjike të jashtëtokësorëve, kanë ndihmuar krijimin e
një kulture mediatike ku shkenca dhe spekulimi shkrihen së bashku. Këto ide
janë ndihmuar nga transformimi i media sociale, ku çdo teori që bëhet virale
mbështetet nga pasioni dhe emocionet që ngjall.
Së fundi ai që po trazon sërish
ujrat është "Aliens in Egypt: The Anunnaki and the Return of Nibiru",
një prodhim i vitit 2024, është një dokumentar i cili eksploron teoritë rreth
ndikimit të qenieve jashtëtokësore në ndërtimin e monumenteve të lashta si
piramidat.
Në fund, këta dokumentarë dhe
librat që ndihmuan në krijimin e një përvoje masive dhe të përbashkët rreth
teorive të jashtëtokësorëve, janë përjetësuar në kulturën popullore. Siç e
tregoi historia e “Vizitorë nga Kozmosi”, qëndrimi i këtyre teorive shpesh
mbështetet mbi ndërtimin e misterit për një të ardhme që, ndoshta, do të na
zbulojë shumë më tepër sesa e dimë tani.
Në retrospektivë, këta
dokumentarë ishin jo vetëm spektakël për ekranin e kohës, por edhe ngjizja e
parë e një vale të fuqishme të pseudoshkencës moderne. Shumë prej narrativave
që përhapen sot rreth alienëve, UFO-ve, qytetërimeve të humbura apo bazave
sekrete në Hënë, kanë rrënjët e tyre pikërisht në këto filma të viteve ’70. Teoritë
për vizita të lashta aliene, për ndërhyrje gjenetike nga jashtëtokësorë, për
teknologji të fshehura, i kanë fillimet tek këto emisione të hershme si në
rastin e dokumentarit “Vizitorë nga Kozmosi”.

No comments:
Post a Comment