Sunday, June 8, 2025

Refleksion/ Mes pasionit dhe realitetit për ta shqepur Serbinë



Nga Leonard Veizi
 
Kur një shqiptar merr rrugën për të parë ndeshjen e Kombëtares, ai nuk po blen thjesht një biletë. Ai po blen një përjetim, një shpresë, një pjesë krenarie. Bileta nuk ka çmim. Madje çmimi nuk ka pukë rëndësia pr një shqiptar, se kemi treguar se mund ta blejmë dhe sa vlejnë kursimet tona. Por ajo biletë stadiumi është një simbol, si flamuri kuq e zi që valëvitet në ballkon, si shalli me mbishkrimin “Albania”, si fanella me numrin e Canës apo plisi i bardhë që vendoset në kokë si kurorë krenarie.
Këto nuk janë vetëm objekte. Janë mjete simbolike të një besimi të fortë se edhe ne, shqiptarët, kemi vend në elitën e futbollit botëror. Dhe pikërisht për këtë arsye, ndeshjet me Serbinë marrin një ngjyrim tjetër, më të thellë sesa sportiv. Aty përplasen histori, identitete, padrejtësi dhe një nevojë e pashpjegueshme për të fituar jo vetëm me gola, por me dinjitet.
Tifozë ishte ai që guxoi të lëshonte një dron mbi stadiumin e Beogradit – jo thjesht si provokim, por si akt simbolik që çau heshtjen e dekadave. Një flamur me Shqipërinë e Madhe në mes të një turme që bërtiste "Vdekje shqiptarit" ishte më shumë se guxim: ishte një shpërthim historie në formën e një imazhi lundrues në ajër.
Në këtë kontekst, është e kuptueshme që shumëkush kërkon nga Kombëtarja jo vetëm lojë të mirë, por fitore. Përballë Serbisë? Patjetër! Madje ne duam ta shkepim Serbinë... aq sa të mos ketë kirurg ta qepi dot.
Dhe pse jo – për herë të parë në Botëror?
E kemi dhe këtë ëndërr, që vjep pasi shkelëm dhe për herë të dytë në Evropian.
Është një aspiratë kolektive që, në mënyrë të pavetëdijshme, bëhet një kompensim për shumë mungesa të tjera që si komb kemi ndier ndër vite: mungesë shteti, përfaqësimi, dinjiteti ndërkombëtar. Kombëtarja bëhet një lloj ambasade e shpirtit shqiptar.
Por realiteti qenka më kokëfortë se dëshirat.
Një kualifikim në Botëror nuk vjen me entuziazëm patetik, por me sistem, me një organizim të brendshëm që funksionon, me talent që rritet që në fëmijëri, me trajnerë që nuk janë zgjedhje politike apo kompromis, me një federatë që nuk i shërben vetes por futbollit. Dhe më e rëndësishmja: me durim.
Fitorja ndaj Serbisë nuk është thjesht një çështje përballjeje në 90 minuta – është një përballje mes vizioneve për futbollin, mes mënyrave se si një komb investon në sportin e vet.
Kur humbasim – një penallti, një rast i shpërdoruar, një gabim në mbrojtje – gjithmonë kërkojmë fajtorin. "Kush e prishi? Loajtari? Trajneri? Federata?" Gishtat ngrihen me shpejtësi, por mendja rrallë herë ndalet. Rrallë herë analizojmë me gjak të ftohtë, ashtu siç do të duhej një komb që do të ecte përpara. Kjo është ndoshta pika ku dështojmë më shpesh: nuk mësojmë nga gabimet.
Me sa duket ketu ngre krye gjeni ynë prej shqiptari për te bërë, jo atë që i bëhet pësim, atë që i thote koka.
Ndoshta nuk kemi mjaftueshëm një kulturë sportive të vetëreflektimit. Kemi emocione të mëdha, por shpesh një kujtesë të shkurtër dhe një qasje impulsive.
Gjeni ynë kombëtar është herë-herë si një vullkan: shpërthen në çasti më pak të përshtatshëm. Në vend të përpiqemi të ndërtojmë një skuadër që di të menaxhojë presionin dhe humbjen, shpesh ndërtojmë një narrativë të heronjve dhe tradhtarëve. Sot një lojtar është simbol kombëtar, nesër “armik i popullit” sepse gaboi një pasim. Një penallti e humbur kthehet në metaforë kombëtare. Kjo është e padrejtë dhe vetëshkatërruese.
Ka ardhur koha që dashuria jonë për Kombëtaren të rritet bashkë me maturinë tonë si tifozë dhe si komb. Ëndrrat e mëdha kërkojnë punë të mëdha. Nëse duam të shkojmë në Botëror, nuk mjafton ta duam. Duhet ta meritojmë. Dhe për ta merituar, duhet të ndryshojmë mënyrën si e qasemi futbollin – jo si një çlirim emocional, por si një proces serioz, ku nuk dominojnë rastësia, por struktura.
Deri atëherë, le të mbajmë shallin kuq e zi e plisin mbi kokë, por edhe të mësojmë të analizojmë. Le të valëvitim flamurin, por të kuptojmë pse humbëm. Le të ngrejmë zërin për fitore, por edhe për reformë.
Vetëm atëherë, kur Kombëtarja të reflektojë jo vetëm pasionin, por edhe urtësinë e këtij kombi, do të jemi vërtet gati për të zënë vendin tonë në skenën më të madhe të futbollit botëror.

No comments:

Post a Comment