Wednesday, October 26, 2016

PORTRET/ Në celuloidin e Ilia Terpinit, mjeshtrit të objektivit


Nga Leonard Veizi

Në spitalin parizien, atje në Francë, ku ndodhej për kurim, ka bërë pak humor me infermieren e turnit, duke i thënë se ishte aq fotozhenike sa, po të bënte një film, do ta zgjidhte në kastin e aktorëve. Edhe nëse nuk është pikërisht kështu, patjetër që ka ndodhur diçka e përafërt, sepse të njëjtën skenë ma pati rrëfyer kur ndodhej në të njëjtat kushte, po në një spital të Parisit. Natyrisht, ai as që e ka menduar se pas pak ditësh do të ikte nga kjo jetë. Vërtet ishte 82 vjeç, por për këdo që e pyeste kishte vetëm një përgjigje: 35. Në entuziazmin e tij të përhershëm, dihej se sapo pikaste diçka të bukur, e fotografonte dhe si komplimentin më të mirë të rastit thoshte se pamja e parë i jepte të drejtën ta zgjidhte për një kinoprovë. Dhe nuk para gabonte në shije. Ky ishte Ilia Terpini, operatori i mirënjohur i ish-Kinostudios, por dhe i shumë televizioneve.
Kemi qenë miq. Por kjo nuk e justifikon bërjen nga ana ime të një portret lapsi. Ajo çfarë e justifikon ka të bëjë me punën e tij të palodhur si operator e drejtor fotografie dhe pasionin e madh për imazhin e mbetur në celuloid. Nuk e kam të vështirë të bëj portretin e një mjeshtri si Ilia Terpini, apo Lluit, siç e thërrisnin miqtë e vjetër. Veç më duhet pak kohë dhe shumë letra. Sepse dhe jeta e tij ishte shumë dinamike. Në vitin e largët 1998 kemi punuar bashkë në një televizion të quajtur “Alba”, unë gazetar, me një laps e bllok në xhep, ai operator me kamera në krah e një aparat fotografik të cilin nuk e hiqte asnjëherë nga gjoksi. Pa dyshim ka qenë një fotograf me emër. Në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, gjithashtu e mbanin një prej më të mirëve në objektiv. Sepse dhe jeta e tij ishte e lidhur gjatë gjithë kohës me fiksimin e kuadrit. Madje, siç është shprehur vetë, me fotografinë ishte marrë që prej moshës 6 vjeç, kur i ra në dorë një aparat. Dhe pikërisht aparati fotografik iu bë pjesë e jetës, një mekanizëm në dukje i ftohtë e pa emocion, që në duart e tij prodhonte shumë jetë. Njihet si realizuesi i disa ekspozitave me foto. Por në arkiv janë regjistruar me emrin e tij 26 filma artistikë, mbi 50 dokumentarë, pa folur për kinoditarë e kronika lajmesh. “Me këtë ua merrje mendjen çupave kur ishe i ri?”, e pyeta një herë, teksa lëvizja gishtin tregues duke bërë sikur po shkrepja një foto. Dhe Ilia i qeshur, që e mbante shakanë edhe po ta teproje ca, ma ktheu. “Vetëm çështje pune. Më duhej të bëja qindra foto për të gjetur një që t’i përshtatej rolit”. “E kë ke gjetur ndonjë nga këto që ka bërë emër?”, e ngacmova unë, sepse po përgatitesha të bëja një intervistë me të dhe më duheshin ca elemente për të ndërtuar pyetësorin. “Janë disa, por unë mund të mburrem me tre prej tyre.” - ma ktheu. Kureshtisë sime nuk u ngut t’i përgjigjej.
Ta marrim nga fillimi. Shtyhemi prapa në kohë. Ilia Terpini u diplomua te Shkencat e Natyrës, dhe u emërua mësues, e më pas drejtor, në shkollën 8-vjeçare në Aranitas të Mallakastrës. Por takimi me Mandi Koçin, operatorin veteran të Kinostudios, do t’ia ndryshonte rrjedhën e jetës. Ilia m’u shpreh se ishte ky mjeshtër i filmit shqiptar, që kur u njoh me albumet e tij të fotografive, i sugjeroi studiot e kinemasë. Shans, jo shaka. E kush nuk e ndërronte Aranitasin e Mallakastrës me Tiranën. Vërtet drejtor shkolle, por Kinostudioja ishte ëndrra e kujtdo. Dhe kështu karriera filloi... asistent-operator në filmat “Debatik” e “Komisari i Dritës”, dhe si titullohet operator, vazhdoi me “Ballë për Ballë”, “Mësonjëtorja”. “Dimri i fundit”, “Kush vdes në këmbë”, “I teti në bronz”, “Gunat përmbi tela”, “Kapedani” etj. Punoi me regjisorët Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, por nuk ia prishte askujt që kërkonte ta kishte në ekip.
Ky ishte Llui.
Më shpjegoi se për rolin e ‘Mimoza llasticës’, regjisorja Xhanfize Keko i kërkoi ndihmë, pasi e kishte filmin e parë. “Zhaklinën e pashë të dilte nga shkolla, te kryqëzimi i Tiranës së Re. Besoj ishte në klasën e parë. Me mbiemrin Dhimojani u prezantua. Kishim kërkuar në gjithë Tiranën dhe nuk kishim ndeshur në një tip të tillë. Ishte fëmijë shumë interesant. Xhanfizeja e pëlqeu menjëherë. Zhaklina e dha pritshmëritë e saj në atë film dhe pas kësaj pati disa role të tjera”, më pati rrëfyer Ilia me një krenari të ligjshme. “Po mirë, - vazhdova ta ngacmoja unë, - Zhaklinën zbulove, jo Merlin Monronë”. “Lëre Merlinin në punë të vet, - ma ktheu Ilia, - zbulimi i Yllka Mujos ishte një bum i vërtetë”. “Paske qenë si Marko Polo, - ia ktheva, - s’ke lënë gjë pa zbuluar”. Ilia qeshi. Nuk mërzitej kurrë ai.
Por ndalemi tek Yllka Mujo, aktorja super e kinemasë dhe e teatrit shqiptar. Është roli i Almës te filmi “I teti në bronz” me regjisor të mirënjohurin Viktor Gjika dhe skenar të Dritëro Agollit, i cili i nisi xhirimet në vitin 1969. Ilia Terpini më sqaroi: “Grupi ynë i punës kishte 20 ditë që po punonte për zbërthimin e skenarit tekniko-regjisorial. Ishte marrë vendimi për të gjithë aktorët që do të interpretonin në film, nga Sandër Prosi në rolin e mjekut e Mevlan Shanaj në rolin e Ibrahim Kovaçit, e deri te Vangjush Furxhi në rolin e Arifit. Por mungonte vetëm një, Alma. Fotografova të paktën 150 vajza nëpër shkollat e mesme të Tiranës, por Alma nuk ishte aty”. E kështu në një kërkim të pareshtur, të përhershëm, lodhës a terrorizues ndoshta, duhej gjetur gjithçka e munguar deri në atë çast, por gjithsesi e imagjinuar apo supozuar gati në një ekstrem të paperceptueshëm. Në fakt, ajo ishte diku atje, midis gjimnazistëve të shumtë që kërkonin të binin në sy pas bankave, por ende nuk e shihte njeri. Blici i aparatit fotografik ishte shkrepur mbi portretet e shumë vajzave të kryeqytetit, por Alma as që identifikohej mes tyre. Kur shpresat kishin humbur, krejt papritur ajo doli në skenë, pak e druajtur gjithsesi, por krejt e magjishme njëherazi... Kjo ishte pak a shumë situata përpara fillimit të realizimit të filmit “I teti në bronz”, ku rastësia i dha kinemasë shqiptare njërën prej aktoreve më të mira të saj në vite. Operatori i mirënjohur më tregoi se si e kishte zbuluar talentin e 15-vjeçares, së cilës iu besua roli i Almës në filmin e Viktor Gjikës. Në këtë rrëfim të tij ai më pati thënë se bashkë me Viktorin kishin rënë dakord të merrnin një studente nga Lushnja, që përafrohej me portretin e Almës personazh. “Nuk isha fort i sigurt për këtë gjetje dhe sërish i sugjerova regjisorit të kërkonim një ‘Almë’ tjetër. Por Viktori ma ktheu: ‘Për tri ditë nisemi në Korçë, do të zbatojmë planin e punës, ndaj vajzës t’i pritet kostumi’. Mirëpo ndodhi që po atë natë, i shoqëruar nga bashkëshortja ime, Aurika, shkuam në Teatrin e Operas, për të parë një koncert. Binte shi dhe te streha e Pallatit të Kulturës shoh një vajzë me një portret shumë interesant. ‘Shiko-shiko, - i them bashkëshortes. - Ku s’e kemi kërkuar dhe ajo qenka këtu. Po, kjo është Alma’. Dhe e thirra. Vajza jo më shumë se 15 vjeç erdhi pranë dhe na përshëndeti. Ndërhyri ime shoqe. “Është nxënësja ime, e kam ngjitur vetë në skenë’. I thashë që, nëse mundej, të nesërmen të paraqitej në Kinostudio për një kinoprovë. Dhe ajo pranoi. Të nesërmen që në mëngjes takova Viktor Gjikën dhe i them me gojën plot: ‘Kam gjetur Almën’. Por Viktori ma ktheu: “Ç’thua Ilia, s’kemi kohë për shaka”. Ndërkohë Yllka ishte shfaqur në fillim të rrugicës që të çonte për në atelie dhe unë e drejtova vështrimin e Viktorit për nga ajo. “Qenka interesante. Ilia, shpejt bëji nja dy fotografi’. Pasi pa fotografitë, Viktori kërkoi menjëherë që vajzës t’i bëhej një kinoprovë. Edhe në këtë pikë Yllka ia doli për mrekulli. Ajo interpretoi më mirë se kushdo tjetër që kishte provuar për të njëjtin rol. Atëherë i dorëzuar pa kushte, Viktor Gjika urdhëroi: “Yllkës t’i pritet kostumi i Almës. Pasnesër fillojmë xhirimet”.
Dhe për ta nxitur më tej e ngacmova sërish: “Zhaklina, Yllka..., goxha aktore janë. A ka më...?”.
Ilia nuk mbaron me kaq e më thotë: “Matilda Makoçin e zbulova në oborrin e Politeknikumit”. “Epo tani ia kalove edhe Kolombit”, - ia pata me humor. “Lëre Kolombin, - ma ktheu Ilia entuziast për atë që kërkonte të më tregonte. - Na duhej një aktore e re për rolin e Emës në filmin ‘Kërcënimi’, një prodhim i vitit 1981, me regjisor Mark Topallaj. Pasi kisha parë plot vajza në gjimnazet e Tiranës, më rekomanduan të shkoja te Politeknikumi. Kur shkova në shkollë ishte pushimi i madh dhe të gjithë nxënësit ishin jashtë. Matilda Makoçi më ra menjëherë në sy. Kishte një vështrim shumë interesant”. Dhe kishte të drejtë Llui. Vështrimi i saj ishte aq depërtues, sa nuk e la fotografin të mendonte për një portret tjetër, ndoshta më të mirë se aq. “I thashë se kush isha, cili ishte qëllimi im dhe i propozova që të nesërmen të vinte në Kinostudio, për të bërë disa fotografi e një kinoprovë. Ajo pranoi dhe të nesërmen erdhi në ambientet e Kinostudios. Bëmë fotografi të mrekullueshme. Matilda ishte shumë shprehëse. Por në fund regjisori nuk e zgjodhi për rolin e Emës. Ç’është e vërteta, Matilda tregonte një karakter më të thellë, ndërsa regjisori mendonte se “vajza spiune” në film duhej të kishte një natyrë më të lehtë. Megjithatë fotografitë  e Matilda Makoçit qarkulluan në duart e shumë regjisorëve, dhe po atë vit ajo u mor për rolin kryesor te filmi “Si gjithë të tjerët”. Unë them se Matilda Makoçi pa dyshim ka qenë një nga aktoret më të mira që ka prodhuar Kinostudio”.
Llui ishte i veçantë në llojin e tij. Në televizion nuk përtonte të jepte eksperiencën e vyer. E urrente të punonte në studio. “Bëjmë një kronikë në Dajt, vetëm brenda të mos rrimë”, më thoshte ato kohë kur ishim partnerë e bënin kronika lajmesh pa fund. Por Ilia nuk kishte punuar vetëm me njerëzit e artit. Disa qindra metra film të regjistruar nën syrin e tij u takojnë figurave kryesore të politikës. Në këtë mori karakteresh ka regjistruar Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Ramiz Alinw por dhe Sali Berishën, Fatos Nanon e Leka Zogun. “Kinostudio duhet të ishte kudo, - justifikohej duke ngritur supet, - ndaj kam xhiruar Hrushovin, Çu En Lain, princin Sianuk, Toni Blerin, Manolis Glezosin, Moris Torezin, Shtrausin, papa Vojtilën e Nënë Terezën”. Ai vazhdoi të ishte i dashuruar thellësisht me objektivin deri në çastet e fundit, edhe pse vitet që mbante mbi supe duket sikur nuk ia lejonin të ishte po aq pasionant sa vite parë. Për punën e palodhur mbante titullin “Artist i merituar”, “Medaljen e punës”, “Çmimin e Republikës’, “Medalione në 6 festivale filmi”, “Çmim kombëtar për fotografinë artistike”, por dhe Urdhrin “Mjeshtër i madh”. E në fund të fundit ky ishte Ilia Terpini, apo Llui siç e thërrisnin miqtë e vjetër të Kinostudios. 

Publikuar në gazetën FJALA


Viktor Gjika nuk pranoi vajzën e Enver Hoxhës në film

  
Ilia Terpini, Leonard Veizi - në studio
nga Leonard Veizi

-Në një kërkim të pareshtur, të përhershëm, lodhës a terrorizues ndoshta, duhej gjetur gjithçka e munguar deri në atë çast, por gjithsesi imagjinuar apo supozuar gati deri në një ekstrem të paperceptueshëm. E pas kësaj, që në përballjen e parë dukej thuajse absurde, duhej marrë në analizë çdo detaj i anashkaluar, paralele në një strukturë asimetrike, portret më i thellë në përmbajtje apo më i mprehtë vështrimi, në një lojë pa zë a pantonimik. Por ndodhte, që gjithçka e cila dukej gati e pamundur, bëhej krejt më e thjeshtë se kaq, pikërisht atëherë kur shpresat ishin zhbërë dhe ambientimi me absurdin kishte krijuar një konfort të ri. Pikërisht atëherë, gjithçka shprishej dhe padyshim ajo që deri në atë çast ishte cilësuar vetëm si “e supozuar” papritur kishte marrë një vlerë konkrete e reale, pikërisht aty, në celulozë, ose pak më tej, në një fytyrë njerëzore që priste me ankth fundin e gjithçkaje, në duhej ta kalonte pragun, a të mbeste përtej… Alma. Ajo ishte diku atje, midis gjimnazistëve të shumtë që kërkonin të binin në sy pas bankave të shkollës, por ende nuk e shihte njeri. Blici i aparatit fotografik kishte shkrepur mbi portretet e të paktën 150 vajzave të kryeqytetit, por Alma as që identifikohej mes tyre. Kur shpresat kishin humbur, krejt papritur ajo doli në skenë, pak e druajtur gjithsesi, por krejt e magjishme njëherazi… Kjo ishte pak a shumë situata përpara fillimit të realizimit të filmit “I teti në bronz”, ku rastësia i dha kinemasë shqiptare një prej aktoreve më të mira të saj në vite. Operatori i mirënjohur, Ilia Terpini, “Mjeshtër i madh” rrëfen për “Shekullin” se si e zbuloi talentin e 15- vjeçares Yllka Mujo, të cilës iu besua roli i Almës në filmin e regjisorit Viktor Gjika.

Mbi çfarë baze përzgjidheshin talentet e reja të cilave u besoheshin role në kinemanë shqiptare?
Fillimisht mbi bazën e një fotografie. Pra, fotozhenia e pretendentit për aktor. Më pas bëhej dhe një kinoprovë, ku komponentët e përshtatjes fizike, figurës, zërit e interpretimit duhet të ecnin paralelisht? Kemi pasur shumë raste kur fotografia ka qenë shumë e mirë, por interpretimi nuk është ngritur asnjëherë në nivel.

Si fotograf e operator i Kinostudios, a keni zbuluar ndonjë aktor apo aktore që më tej ka pasur rezultate në fushën e kinemasë?
Në të vërtetë ato janë disa, por unë mund të mburrem të paktën me tre prej tyre: Zhaklina Dhimojanin, Matilda Makoçin e Yllka Mujon.

Për cilin rol u përzgjodh Zhaklina Dhimojani?
Për rolin e Mimozës tek “Mimoza Llastica”. Regjisorja Xhanfize Keko e kishte filmin e parë, dhe për këtë, mua si operator i filmit, më kërkoi ndihmë sidomos në gjetjen e “Mimozës”. Mbaj mend që Zhaklinën e kam parë të dilte nga shkolla, besoj duhet të ishte në klasën e parë, tek kryqëzimi i Tiranës së Re atje ku tani është monumenti i Uillsonit. Kishim kërkuar në gjithë Tiranën dhe nuk kishim ndeshur në një tip të tillë. Ishte një fëmijë shumë interesant dhe Xhanfizeja e pëlqeu shumë. Zhaklina e dha pritshmëritë e saj në atë film dhe pas kësaj pati disa role të tjera.

Ndalemi tek Yllka Mujo. Për çfarë roli bëhet fjalë?
Është roli i Almës tek filmi “I teti në bronz” me regjisor të mirënjohurin Viktor Gjika dhe skenar të Dritëro Agollit, i cili nisi xhirimet në vitin 1969. Ne si grup pune kishim 20 ditë që po punonim për zbërthimin e skenarit tekniko –regjisorial. Ishte marrë vendimi për të gjithë aktorët që do të interpretonin në film, që nga Sandër Prosi në rolin e mjekut dhe Mevlan Shanaj në rolin e Ibrahim Kovaçit e deri tek Vangjush Furxhi në rolin e Arifit. Por mungonte vetëm një, Alma.

Si do të përzgjidhej ajo?
Fotografova të paktën 150 vajza nëpër shkollat e mesme të Tiranës dhe disa të tjera gjatë zhvillimit të një spartakiade që bëhej në atë kohë. Njëra prej tyre ishte shumë interesante dhe në fotografi ishte fotozhenike. Unë e njihja këtë vajzë. Nga të gjitha këto, Viktori pëlqeu një nga vajzat e spartakiadës, pikërisht atë që i rekomandova dhe unë. “Kjo është shumë interesante, – më thotë. – Si e quajnë?” “Pranvera Hoxha, – i them unë. – Është vajza e Enver Hoxhës”. Viktori shtangu. “Bo, bo mo Ilia, – më thotë. – kjo është shumë interesante, por është bela ta marrim  në grupin e xhirimit. Filmi do bëhet në Korçë, kjo po është në moshën e adoleshencës, po na lidhet me ndonjë djalë andej dhe ec e të merresh me udhëheqjen pastaj”.

Dhe u anulua pjesëmarrja e saj në film?
Natyrisht që po. Madje Pranverën e takova pas disa ditësh dhe ajo më pyeti. “Çfarë u bë me filmin? Unë i mora leje babit dhe ai është dakord”. U zura ngushtë dhe ia ktheva: “Po kërkojmë akoma se nuk e kemi gjetur Almën”.

Por si u gjet Alma e vërtetë?
Në fakt Alma u gjet disa ditë më vonë, kur unë i propozova Viktor Gjikës një tjetër fotografi të një studenteje nga Lushjna. “Në rregull, – tha Viktori, – kjo do të jetë Alma”. Mirëpo unë nuk isha shumë i sigurt për këtë gjetje dhe sërish i sugjerova regjisorit të kërkonim një ‘Almë’ tjetër. “Ilia, për tre ditë nisemi në Korçë, do zbatojmë planin e punës, ndaj vajzës t’i pritet kostumi”, më tha Viktori. Mirëpo ndodhi që po atë natë, i shoqëruar nga bashkëshortja ime Aurika, shkuam në Teatrin e Operas, për të parë një koncert. Binte shi dhe tek streha e Pallatit të Kulturës shoh një vajzë me një portret shumë interesant, dhe menjëherë mendova se ajo ishte gjetja e duhur. “Shiko-shiko, – i them gruas time, – Ku se kemi kërkuar dhe ajo qenka këtu. Po kjo është Alma”. Dhe e thirra. Vajza jo më shumë se 15 vjeç erdhi pranë dhe na përshëndeti. “Si të quajnë?, e pyeta. “Yllka Mujo”, m’u përgjigj. Atëherë ndërhyri ime shoqe. “Po  kjo është nxënësja ime, e kam ngjitur vet në skenë të këndojë”.

Çfarë i propozuat Yllka Mujos?
I thashë që nëse mundej, të nesërmen të paraqitej në Kinostudio për një kinoprovë. Dhe ajo pranoi. Të nesërmen që në mëngjes shkova e takova Viktor Gjikën dhe i them me gojën plot: “Viktor, kam gjetur Almën”. Por Viktori ma ktheu: “Ç’thua mo Ilia, Almës i është qepur kostumi dhe pasnesër nisemi për të Korçë”. Mirëpo ndërkohë Yllka ishte shfaqur në fillim të rrugicës që të çonte për në atelie dhe unë e drejtova vështrimin e Viktorit për nga ajo. “Ç’është kjo picirruke”, tha regjisori që po e shihte nga larg. Por kur Alma u afrua ai ndryshoi mendim duke thënë: “More po qenka interesante kjo. Ilia bëji nja dy fotografi”. Pasi pa dhe fotografitë Viktori kërkoi menjëherë që vajzës t’i bëhej një kinoprovë. Edhe në këtë pikë Yllka ia doli për mrekulli. Ajo interpretoi më mirë se kushdo tjetër që kishte provuar për të njëjtin rol. Atëherë i dorëzuar pa kushte Viktor Gjika urdhëroi: “Yllkës t’i pritet kostumi i Almës dhe pasnesër ekipi do të niset për në Korçë se do fillojmë xhirimet e filmit”.

Dhe kështu u përfitua një Yll kinemaje?
Pa diskutim. Yllka më pas do të merrte shumë role të tjera si në filmat “Malet me blerim mbuluar”, “Zonja nga qyteti”, “Rrugicat që kërkonin diell”.“Taulanti kërkon një motër”. Por ajo do të shkëlqente fort dhe në skenën e teatrit me shumë e shumë role të tjera.

***
Matilda Makoçin e zbulova në oborrin e Politeknikumit
Vështrimi i saj ishte aq depërtues sa nuk e la fotografin të mendonte për diçka tjetër, ndoshta më të mirë se aq. Atij i kishin ngarkuar detyrën e vështirë për gjetjen e një personazhi rinor në filmin e ri që po përgatitej për t’i realizuar. Dhe ai nuk kishte përtuar të shkonte gjimnaz më gjimnaz për të realizuar fotografitë e atyre që i shëmbëllenin parafytyrimit të personazhit në letër. Ishte krejt e vështirë, sepse përveç shëmbëlltyrës do të duheshin edhe disa komponentë të tjerë, që nuk ishin aspak të favorshme për të përzgjedhurat e kryeqytetit. Duke folur për një aktore të talentuar si Matilda Makoçi, Ilia Terpini rrëfen: “Na duhej një aktore e re për rolin e Emas në filmin “Kërcënimi” një prodhim i vitit 1981 me regjisor Mark Topallaj. Pasi kisha parë plot vajza në gjimnazet e Tiranës, me rekomanduan të shkoja tek Politeknikumi, sepse dhe aty kishte një grup vajzash që binin në sy. Kur shkova në shkollën e rekomanduar ishte pushimi i madh dhe të gjithë nxënësit ishin jashtë. Matilda Makoçi më ra menjëherë në sy. Kishte një vështrim shumë interesant. I thashë se kush isha, cili ishte qëllimi dhe i propozova që të nesërmen të vinte në Kinostudio, për të bërë disa fotografi e një kinoprovë. Ajo pranoi dhe të nesërmen erdhi në ambientet e Kinostudios. Bëmë fotografi të mrekullueshme në disa vende. Matilda ishte shumë shprehëse. Por në fund regjisori nuk e zgjodhi për rolin e Emës. Ç’është e vërteta Matilda tregonte një karakter më të thellë, ndërsa regjisori mendonte se “vajza spiune” në film duhej të kishte një natyrë më të lehtë, pra një vajzë që manipulohej. Përveç kësaj ai mendonte se një aktore pa përvojë mund të mos e përballonte rolin. Kështu për filmin “Kërcënimi” ai përzgjodhi aktoren Rajmonda Bulku e cila ishte angazhuar edhe më parë në kinema. Ndërsa Matilda Makoçi, ishte një personazh, fotografitë e së cilës qarkulluan në duart e shumë regjisorëve, dhe po atë vit ajo u morr për rolin kryesor tek filmi “Si gjithë të tjerët”. Unë them se Matilda Makoçi padyshim ka qenë një nga aktoret më të mira që ka prodhuar Kinostudio”.
 
***
YLLKA MUJO
Ilia Tërpini më mori për dore e më hapi dritaren e kinemasë!
“Ilia Tërpini, është artisti i parë që më mori për dore e më hapi dritaren e kinemasë! Atëherë studioja për kanto në Liceun Artistik. Pas një njohje rastësore me të, edhe për shkak se bashkëshortja e tij Aurika ishte drejtuese artistike e korrit, ku unë këndoja, më propozoi të bëja një provë për të luajtur në film. Këtë propozim unë e pranova menjëherë. Ilia Terpini është një artist me cilësi të mrekullueshme, njerëzore dhe artistike, model i njeriut punëtor dhe i palodhur, me energji të rralla dhe me një optimizëm që e dallon dhe e zbukuron jetën e tij dhe të tjerëve që i qëndrojnë pranë. Gëzoj një respekt të veçantë për të edhe për faktin se në shoqërinë artistike të tij kam mësuar se çdo të thotë të jesh përherë i ri, me një dashuri të pakufishme për ta jetuar jetën bukur dhe me art. Pas filmit tim të parë, “I teti në bronz” me regji të Dhimitër Anagnostit, hera e dytë gjithçka do te ishte më e lehtë. Dhimitër Anagnosti më besoi rolin e Lilo Labes tek filmi “Malet me blerim mbuluar” kur isha 17- vjeçare. Nga ajo kohë unë do të mendoja për një rrugë ndryshe nga ajo e këngës”. 
Ilia Terpini dhe Leonard Veizi

Publikuar në SHEKULLI më 26.05.2013





PORTRET/ Ilia Terpini: Puna e palodhur me filmin. Si i zbulova yjet e kinemasë shqiptare


nga Leonard Veizi



Nuk e kam fare të vështirë të bëj portretin e një mjeshtri si Ilia Terpini, apo Lluit, siç e thërrasin miqtë e vjetër. Veç më duhen shumë faqe letre, një libër i tërë del mbase. Sepse dhe jeta e tij është shumë dinamike. Të paktën 15 vjet më parë me Ilian Terpinin kemi punuar bashkë në një televizion të quajtur “Alba”, unë gazetar, me një laps e bllok në xhep, ai operator me kamera në krah e një aparat fotografik të cilin nuk e hiqte asnjëherë nga gjoksi. Jemi miq të vjetër tashmë. Ia njohim huqet njëri-tjetrit.
Ai vazhdon të jetë një fotograf me emër. Në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, gjithashtu e mbanin për një prej më të mirëve në objektiv. “E kam filluar me fotografi që në moshën 6 vjeç, kur më ra në dorë një aparat fotografik, relike e luftës italo–greke” - më thotë. Dhe pikërisht aparati fotografik u bë pjesë e jetës së tij, që nuk e ka tradhtuar kurrë. Njihet si realizuesi i disa ekspozitave me fotografi. Por ka regjistruar edhe 26 filma artistikë me metrazh të gjatë si dhe shumë dokumentarë, mbi 50 të tillë, duke thyer në këtë mënyrë rekordin e operatorëve të Kinostudios.
Me këtë ua merrje mendjen çupave kur ishe i ri, i them dhe lëviz gishtin tregues sikur bëj fotografi. “Thjesht çështje pune, - ma kthen Ilia duke qeshur. - Më duhej të bëja qindra foto për të gjetur një që t’i përshtatej rolit”. E kë ke gjetur ndonjë nga këto që ka bërë emër, e ngacmoj. “Janë disa, por unë mund të mburrem të paktën me tre prej tyre”. Cilat janë, e pyes. Por ai nuk ngutet, kërkon t’i zbulojë ngadalë.
Por ta marrim nga fillimi. Kthehemi ca në kohë. Ilia mbaroi fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe u emërua mësues në shkollën 8-vjeçare në Aranitas të Mallakastrës. Drejtor i saj më pas. Por një takim me Mandi Koçin, operatori veteran i Kinostudios, do të ndryshonte rrjedhën e jetës së tij. Ilia më thotë se ishte ky mjeshtër i filmit shqiptar, që kur u njoh me albumet e tij të fotografive, i sugjeroi studiot e kinemasë. Shans jo shaka. E kush nuk e ndërronte Aranitasin e Mallakastrës me Tiranën. Vërtet drejtor shkolle, por Kinostudio ishte ëndrra e kujtdo. Dhe kështu karriera fillon... asistent-operator në filmat “Debatik” e “Komisari i Dritës”, dhe si titullohet operator, vazhdoi me “Ballë për Ballë”, “Mësonjëtorja”. “Dimri i fundit”, “Kush vdes në këmbë”, “I teti në bronz”, “Gunat përmbi tela”, “Kapedani” etj. Punoi fort me regjisorët Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, por nuk ia prishte askujt, tjetrit që kërkonte ta kishte në ekip.
Ky është Llui.
Më shpjegon se për rolin e ‘Mimoza llasticës’, regjisorja Xhanfize Keko i kërkoi ndihmë pasi e kishte filmin e parë. “Zhaklinën e pashë të dilte nga shkolla, tek kryqëzimi i Tiranës së Re, atje ku tani është monumenti i Uillsonit. Besoj ishte në klasën e parë. Me mbiemrin Dhimojani u prezantua.  Kishim kërkuar në gjithë Tiranën dhe nuk kishim ndeshur në një tip të tillë. Ishte fëmijë shumë interesant. Xhanfizeja e pëlqeu menjëherë. Zhaklina e dha pritshmëritë e saj në atë film dhe pas kësaj pati disa role të tjera”, rrëfen Ilia me një krenari të ligjshme. Po mirë, - vazhdoj ta ngacmoj unë, - Zhaklinën zbulove, jo Merlin Monronë. “Lëre Merlinin, - ma kthen Ilia, -  zbulimi i Yllka Mujos ishte një bum i vërtetë”. Qenke bërë si Marko Polo, - i them, - s’ke lënë gjë pa zbuluar. Ilia qesh. Nuk mërzitet kurrë ai.
Por ndalemi te Yllka Mujo, aktorja super e kinemasë dhe teatrit shqiptar. Është roli i Almës tek filmi “I teti në bronz” me regjisor të mirënjohurin Viktor Gjika dhe skenar të Dritëro Agollit, i cili nisi xhirimet në vitin 1969. Ilia Terpini më sqaron: “Grupi ynë i punës kishte 20 ditë që po punonte për zbërthimin e skenarit tekniko -regjisorial. Ishte marrë vendimi për të gjithë aktorët që do të interpretonin në film, që nga Sandër Prosi, në rolin e mjekut dhe Mevlan Shanaj, në rolin e Ibrahim Kovaçit, e deri te Vangjush Furxhi në rolin e Arifit. Por mungonte vetëm një, Alma. Fotografova të paktën 150 vajza nëpër shkollat e mesme të Tiranës por Alma nuk ishte aty”.
E kështu në një kërkim të pareshtur, të përhershëm, lodhës a terrorizues ndoshta, duhej gjetur gjithçka e munguar deri në atë çast, por gjithsesi e imagjinuar apo supozuar gati në një ekstrem të paperceptueshëm. Në fakt, ajo ishte diku atje, midis gjimnazistëve të shumtë që kërkonin të binin në sy pas bankave të shkollës, por ende nuk e shihte njeri. Blici i aparatit fotografik kishte shkrepur mbi portretet e shumë vajzave të kryeqytetit, por Alma as që identifikohej mes tyre. Kur shpresat kishin humbur, krejt papritur ajo doli në skenë, pak e druajtur gjithsesi, por krejt e magjishme njëherazi... Kjo ishte pak a shumë situata përpara fillimit të realizimit të filmit “I teti në bronz”, ku rastësia i dha kinemasë shqiptare një prej aktoreve më të mira të saj në vite. Operatori i mirënjohur, Ilia Terpini, më tregon se si e zbuloi talentin e 15-vjeçares, të cilës iu besua roli i Almës në filmin e Viktor Gjikës. Ai thotë se bashkë me Viktorin kishin rënë dakord të merrnin një studente nga Lushnja, që përafrohej me portretin e Almës personazh. “Por nuk isha fort i sigurt për këtë gjetje dhe sërish i sugjerova regjisorit të kërkonim një ‘Almë’ tjetër. Por Viktori ma ktheu: ‘Ilia, për tre ditë nisemi në Korçë, do zbatojmë planin e punës, ndaj vajzës t’i pritet kostumi’. Mirëpo ndodhi që po atë natë, i shoqëruar nga bashkëshortja ime Aurika, shkuam në Teatrin e Operas, për të parë një koncert. Binte shi dhe te streha e Pallatit të Kulturës shoh një vajzë me një portret shumë interesant. ‘Shiko-shiko, - i them gruas time. - Ku s’e kemi kërkuar dhe ajo qenka këtu. Po kjo është Alma’. Dhe e thirra. Vajza jo më shumë se 15 vjeç erdhi pranë dhe na përshëndeti. Ndërhyri ime shoqe. “Është nxënësja ime, e kam ngjitur vet në skenë të këndojë’. I thashë që nëse mundej, të nesërmen të paraqitej në Kinostudio për një kinoprovë. Dhe ajo pranoi. Të nesërmen që në mëngjes shkova e takova Viktor Gjikën dhe i them me gojën plot: ‘Viktor, kam gjetur Almën’. Por Viktori ma ktheu: “Ç’thua Ilia, s’kemi kohë për shaka”. Ndërkohë Yllka ishte shfaqur në fillim të rrugicës që të çonte për në atelie dhe unë e drejtova vështrimin e Viktorit për nga ajo. “Qenka interesante. Ilia shpejt bëji nja dy fotografi’. Pasi pa dhe fotografitë, Viktori kërkoi menjëherë që vajzës t’i bëhej një kinoprovë. Edhe në këtë pikë Yllka ia doli për mrekulli. Ajo interpretoi më mirë se kushdo tjetër që kishte provuar për të njëjtin rol. Atëherë i dorëzuar pa kushte, Viktor Gjika urdhëroi: “Yllka Mujos t’i pritet kostumi i Almës. Pasnesër ekipi të niset për në Korçë. Do fillojmë xhirimet”.
Zhaklina Dhimojanin, Yllka Mujon, - i them, - goxha aktore janë, personazhe interesantë kanë interpretuar.
Por Ilia nuk mbaron me kaq. “Matilda Makoçin e zbulova në oborrin e Politeknikumit”, - më thotë. Epo tani ia kalove edhe Kolombit, - ia pat me humor.  “Lëre Kolombin, - ma kthen Ilia entuziast për atë që do të tregojë. -  Na duhej një aktore e re për rolin e Emës në filmin ‘Kërcënimi’, një prodhim i vitit 1981 me regjisor Mark Topallaj. Pasi kisha parë plot vajza në gjimnazet e Tiranës, më rekomanduan të shkoja te Politeknikumi, sepse dhe aty kishte një grup vajzash që binin në sy. Kur shkova në shkollë ishte pushimi i madh dhe të gjithë nxënësit ishin jashtë. Matilda Makoçi më ra menjëherë në sy. Kishte një vështrim shumë interesant”. Dhe ka të drejtë Llui. Vështrimi i saj ishte aq depërtues sa nuk e la fotografin të mendonte për diçka tjetër, ndoshta më të mirë se aq. “I thashë se kush isha, cili ishte qëllimi im dhe i propozova që të nesërmen të vinte në Kinostudio, për të bërë disa fotografi e një kinoprovë. Ajo pranoi dhe të nesërmen erdhi në ambientet e Kinostudios. Bëmë fotografi të mrekullueshme në disa vende. Matilda ishte shumë shprehëse. Por në fund regjisori nuk e zgjodhi për rolin e Emës. Ç’është e vërteta Matilda tregonte një karakter më të thellë, ndërsa regjisori mendonte se “vajza spiune” në film duhej të kishte një natyrë më të lehtë, pra një vajzë që manipulohej. Megjithatë Matilda Makoçi, ishte një personazh, fotografitë e së cilës qarkulluan në duart e shumë regjisorëve, dhe po atë vit ajo u mor për rolin kryesor te filmi “Si gjithë të tjerët”. Unë them se Matilda Makoçi padyshim ka qenë një nga aktoret më të mira që ka prodhuar Kinostudio”, më rrëfen Ilia Terpini.
Llui është i veçantë në llojin e tij. Në televizion nuk përtonte të jepte eksperiencën e vyer. E urrente të punonte me kamera statike për biseda studioje. “Ikim bëjmë një kronikë në mal të Dajtit, vetëm brenda të mos rrimë”, më thoshte ato kohë kur ishim partnerë e bënin kronika lajmesh pa fund.
Ai vazhdon të jetë i dashuruar thellësisht me kameran edhe pse vitet që mban mbi supe duket sikur nuk ia lejojnë të jetë po aq pasionant sa dhe kohë parë. Por ai nuk ka ndryshuar aspak. Optimist i pandreqshëm dhe i motivuar për gjithçka në jetë. Çdo ditë gdhihet me të njëjtin mendim në kokë, qëndron gjatë gjithë ditës nën shoqërinë e saj, dhe natën shtratin do ta ndanin bashkë po të kishte mundësi. Por ndërhyn bashkëshortja: Mjaft me të, - i thotë. - Mirë ditën, por dhe natën... E megjithatë ai nuk e braktis. Ajo fle në dhomë, bashkë me ta dhe të nesërmen rituali është i njëjtë, madje më pasionant. Ai e ndjen atë, në gjithçka që lëviz, në gjithçka që fut në kujtesë, në gjithçka mbartin mbi vete, ai dhe ajo së bashku. Lëvizin bashkë si një trup dhe kur shkëputen, e ndjen se nuk bën dot pa të. E dashuron...
Por Ilia nuk ka punuar vetëm me njerëzit e artit. Disa qindra metra film të regjistruar nën syrin e tij të vëmendshëm, i takojnë vetëm figurave kryesore të politikës shqiptare. Në këtë mori karakteresh, ai ka regjistruar që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia e deri tek Sali Berisha, Fatos Nano e Leka Zogu. “Kinostudio duhet të ishte kudo, - më thotë, - prandaj kam xhiruar Hrushovin, Çu En Lain, Princin Sianuk, Toni Blerin, Manolis Glezosin, Moris Torezin, Shtrausin, Papa Vojtilën e Nënë Terezën”. Këta të demokracisë i njoh se kemi punuar bashkë, por më trego ndonjë detaj nga udhëheqësit e diktaturës. “Në të vërtetë, marrëdhëniet e mia me Enver Hoxhën ishin shumë të mira, ndonjëherë dhe miqësore. Por kujtoj se kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, nuk kishte ndonjë simpati të veçantë për operatorët. Ai ishte e kundërta e Enverit në raport me punën e kineastëve”. Kam dëgjuar se Enveri kishte të dhëna prej artisti, e ngacmoj. “Enver Hoxha ishte mjeshtër i shfaqjeve përpara kamerave, - më rrëfen Ilia. - Ai e kuptonte se kur operatori ishte gati për ta filmuar dhe gjithnjë pozonte shkëlqyeshëm, i qeshur dhe energjik. Nuk e harroj një rast kur Enver Hoxhën e ktheva nga rruga”. Nga rruga e komunizmit, - e ndërpres unë i habitur me kast. Ilia qesh. “Atë rrugë e kishte marrë ai, - më thotë, - se ktheja dot unë”. Më pas, Ilia kujton se gjatë një vizite në uzinën “Traktori”, Enver Hoxha takon një punëtor me titullin “Hero i Punës Socialiste”.  E papritura ndodhi. Operatori ishte ngjitur në një pikë të lartë për të filmuar një plan të përgjithshëm. Epo të gjitha nuk bëhen dot. I gjendur përballë një fakti kokëfortë, Ilia Terpini me kamera në sup i afrohet Enver Hoxhës për t’i thënë: “Shoku Enver, nuk ju filmova dot kur u takuat me “Heroin e Punës”. Operatori thotë se Enver Hoxha nuk e bëri aspak të gjatë, por me një kthesë mjeshtërore, kthehet pak hapa mbrapa dhe e pyet Heroin për “diçka”. Këndi i duhur, fokus, ndriçim... dhe plani realizohet.
Mirë me Enverin, por ti ke punuar dhe me Leka Zogun, - i them. - I ke marrë të gjitha teserat e partive, më duket. “Asnjë,  - më thotë me bindje. - Kam vetëm teserën e profesionistit. Unë bëj detyrën atje ku më thërrasin. Imazhet i shërbejnë arkivës. Unë për këtë punoj”.
Ky është Ilia, apo Llui siç e njohin miqtë e vjetër të Kinostudios. Për punën e palodhur të tij është titulluar “Artist i merituar”. Mban “Medaljen e punës”, “Çmimin e Republikës’, “Medalione në 6 festivale të filmit”, “Çmim kombëtar për fotografinë artistike” por dhe Urdhrin “Mjeshtër i madh”.

Postuar në ResPublica më 04 Tetor, 2014 02:22



Tuesday, October 18, 2016

PORTRET/ Justina Aliaj, Bernarda e fortë e skenës shqiptare

Justina Aliaj
nga Leonard Veizi

Bernarda Alba, një grua e sertë dhe e pakompromis, do ta ringjiste në skenë më të fortë se kurrë. Ato të dyja u bënë bashkë, pazgjidhshmërisht, të paktën për 90 minuta mbingarkesë. Dukej sikur, në një fill të padukshëm e krejt të paimagjinueshme që tentonte të zgjatej në kohë e hapësirë, Lorka në Madrid e kishte shkruar enkas për aktoren shqiptare dramën e tij të jashtëzakonshme “Shtëpia e Bernarda Albës”. Regjisori Gëzim Kame i besoi rolin kryesor pa pasur në mend asnjë të dytë: “Ti dhe askush tjetër.” Pesë vajzat e tjera të “saj” me më të voglën, Adelën, që interpretoheshin nga Elvira Diamanti, Rajmonda Bulku, Flutura Godo, Zamira Kita e Gjenovefa Rredhi, mbronin diplomën. Ndërsa ajo do ta mbyllte aktin e fundit të të njëjtës skenë me fjalët drithëruese: “Vajza e Bernarda Albës, vdiq e ndershme.” Pas kësaj, në një eufori të përgjithshme, të gjithë ata që e njihnin por dhe të tjerët që s’kishin dëgjuar kurrë për Justina Aliajn, do ta duartrokisnin fort...

Kjo ka qenë hyrja e një interviste botuar në gazetën “Shekulli”, në mesin e dhjetorit 2012. Që nga dita e botimit të saj, që vendosi dhe marrëdhëniet tona miqësore, Justina Aliaj, kjo grua elegante e plot sharm, më telefonon për të më ftuar të jem i pranishëm, në mënyrë korrekte e lineare, sa herë që ka një eveniment kulturor, ajo vetë apo dhe vajza e saj Flonja Kodheli. A ja kam prishur ndonjëherë e të mungoj në këto evenimente? Absolutisht jo. E para nuk gjej dot justifikim, e dyta dhe më e rëndësishmja është se kam kënaqësinë ta shoh gjithmonë në skenë, në mos me Bernardën e paarritshme, të paktën me zonjën Pernelë tek “Tartufi”, një rol i vogël por gjithsesi shumë dinamik, që ajo e luajti së fundmi në skenën e Teatrit Kombëtar.
E bëra këtë hyrje të dytë sepse prej kohësh më mundonte ideja se më duhet të bëja një portret të saj, jo me laps e letër, as me penel e bojëra vaji, por thjesht me fjalë dhe për më tepër i mbështetur në gjithë dëshminë që ajo vet ma pat dhënë në një intervistë të pazakontë e mbresëlënëse të sajën.
Justina Aliajt i kërkova një intervistë në vigjilje të festivalin 51 të këngës në Radiotelevizion. Ajo më tha se më priste atje ku qo qëndronte të bënte provën e radhës në skenë si një prej të zgjedhurave që do të përshëndeste. E gjeta në platenë me poltrona portokalli të Pallatit të Kongreseve. Epo... kongrese nuk bëhen më aty, por emri i ka mbetur i njëjtë që prej ditës së inaugurimit të tij edhe pse një artist si Ardit Gjebreja e ka pagëzuar “Pallati i Koncerteve”. Kishin kaluar plot 40 vite prej kohës kur ajo do të këndonte “Në ekranin e televizorit”, një kompozim i Agron Xhungës. Fill pas kësaj do të vinte dënimi. Një kalvar i gjatë problemesh, të cilat siç më tha vetë ajo: “Të binte rrufeja në Vermosh a Konispol, do të togëzohej tek Festivali 11”. Dhe të mendosh që humbja vinte pas fitoresh, sigurisht, ku duhet thënë se për shkak të talentit ajo, në një rast unik e të paparë ishte pranuar pa konkurs në degën e Dramës të Institutit të Lartë të Arteve.
Kështu e ka jeta. Thjesht duhet ta përballosh. Ndaj në këto raste shpejt e shpejt të kujtohet sentenca: “I ra gurit dhe... i ra njeriut... e mbajti...” Ajo padyshim bëri të njëjtën gjë.
Që prej Festivalit 11, që daton me fundvitin 1972, askush nuk do ta shihte më në skenë. Në autobusët “Viberti” të linjës Kinostudio-Kombinat, po. Çdo mëngjes madje, tek shtypej mes njerëzve të klasës punëtore, për të arritur në kohën e duhur tek reparti ku prodhoheshin mjete mësimore. Kjo ishte puna e saj e re, pasi Teatri e cilësoi “të padëshirueshme”. Ajo që u paraqit gjithë sharm në skenën e festivalit aq shumë të përfolur, nuk duhej të ishte më vetvetja. Me pak të kuq buzësh duhej të lyhej që të mos binte në sy dhe krem në fytyrë gjithashtu duhej të kishte më pak. E sa për modën e veshjes, padyshim; bluzë najloni e pantallona nga teritali i kombinatit “Mao Ce Dun”. Ditët e arta kur shijohej muzikë prej Bitëllsatve apo Rollingstonsave, teksa shihje një katalog mode duke qëndruar në permanent, kishin marrë fund. Në Radio e Televizionin e Tiranës, shiritat me zërin e saj ishin asgjësuar. Vendi në arkivin e mbetur bosh e kishte zënë me shpejtësi filmat skematik të studios së Pekinit. Ndërsa lart në Byro nuk kishte më qetësi. Stuhia me artin ishte sa për të hapur oreksin.
Tanimë ajo periudhë ka mbetur e largët gjithsesi. Kohët kanë ndryshuar skajshmërisht. Megjithatë në kujtim të një “brezi të humbur” Justina kërkoi t’i bënte homazh jo vetëm një kënge por krejt Festivalit, që solli jo pak andralla në jetën e saj të mëpastajme.
E ndërsa e pyes së çfarë ndodhi pas Festivalit me dy njësha ajo më thotë thjeshtë e pa asnjë mllef: Kënduam bukur dhe u dënuam. “Ne ishim krejt të sinqertë, madje duke ndjerë një lloj krenarie që ishim pjesë e zhvillimit të artit bashkëkohor në Shqipëri. Por ramë në pabesi”, më thotë. Natyrisht, nuk ishin pjesë e komplotit për rrëzimin e Komitetit Qendror. Ma trego pabesinë, këmbëngul unë. Ajo merr frymë thellë “Në mbledhjet ku isha e pranishme fillimisht gjykohej Todi Lubonja që ishte dhe drejtori i Radio-Televizionit Shqiptar. Më pas fuqishëm filloi gjykimin në pjesëza të vogla dhe aty e kuptova se edhe mua po më vinte radha. Skenari i të dënuarve u vu në zbatim në mënyrën më perfekte, d.m.th. në mënyrën më shkatërrimtare. Ndjeja se u bëra fajtore e pafaj. Çdo rrufe binte mbi atë festival. Të ngjethej mishi të pohoje me gojën tënde: “Po unë isha pjesëtare e Festivalit 11”.
Kishin kaluar 40 vjet sigurisht, sado të ishin ftohur gjakrat diçka nuk ecte natyrisht. Është një rrëfim i copëzuar, plot paranteza me sjellje e risjellje në mend të gjithçkaje të ndodhur. Justina e mban mend mirë kur i thanë se nuk e kishte vendin më në Televizion, duhej të kthehej në Shkodër. Në dosjen e saj ishte shënuar: “Për në Dukagjin”, thjesht ose për të dhënë mësim në ndonjë shkollë, ose për të punuar në ndonjë vatër kulture. Talenti i saj nuk kishte më vlerë. Skenat e mëdha ishin përmbytur..., jo nga uji, nga propaganda. Por ia bënë të ditur gjithashtu se duhet ta harronte muzikën e lehtë. Edhe kjo ishte akoma më e rëndë.
Justina më thotë se gjithsesi plani për ‘internimin’ në Dukagjin nuk u zbatua. “Bilal Paruca, që ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Shkodër ndërhyri për mua duke qenë se ai vetë më kishte dhënë bursën për në Liceun Artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve. Kështu që mbeta në Shkodër në teatrin “Migjeni”. Qëndrova atje 4-5 vite jo më shumë. Kur u martova erdha sërish në Tiranë. Por nuk kishte punë për profilin tim në kryeqytet. Atëherë për 8 vite me radhë punova tek ndërmarrja e Mjeteve Mësimore”.
Ironia e fatit. Edi Luarasi, prezantuese gjithashtu në të njëjtin festival, do të punonte në rrobaqepësinë ushtarake. Punë e ndershme,sigurisht,  por jo për të talentuarit. Ata kishin tjetër mision.
Biseda jonë me zë të ulët u ndërpre. Drejt nesh vinte Sherif Mejdani. Ai gjithashtu ishte pjesë e përshëndetjes në festivalin 51. Ai gjithashtu ‘e hëngri mirë’ nga Festivali 11. Takohen në Justinën pas shumë vitesh. “Nuk më besohet që po të shoh”, thotë Sherif Merdani si kishte ngjitur krejt sport shkallët e platesë. Një përqafim miqësor e i përmallshëm. “Doja të të takoja në skenë, por ti ma dogje këtë etapë që kisha parashikuar”, ia kthen Justina. Dukej si një çast gati solemn edhe pse në platenë e zbrazët dëshmitar i vetëm isha unë, një gazetar i ndodhur në krah të Justina Aliajt, me kërkesën e zakonshme për të bërë një intervistë me të. Fonia ishte e lartë sa më s’bëhej. Provat vazhdonin. Festivali qe në prag, nuk bëhej më shaka. Megjithatë vështirë të shkëmbeje dy fjalë në një ambient të tillë. Por krijoheshin dhe pauza gjithsesi. Sherif Merdani kishte mbërritur për të bërë interpretimin e parë, pa prova studioje, drejt e te Pallati i Kongreseve. Ata vazhdonin të kujtonin detajet e 40 viteve më parë. Festivali i kishte mbledhur sërish. “Të mbahet mend kur thosha ndonjë batutë me spec për regjimin, ti ma ktheje: “Po mbylle gojën o t’u mbylltë!”, kujton Justina. Shkodrane vërtet, por korçaren e shkriu vetëm me një batutë. Sherifi qeshi dhe tundi kokën. Kjo do të ishte një frazë tepër domethënëse për këngëtaren e re në ato vite kur njerëzit e Sigurimit i mbanin veshët përpjetë. Nëse gjendej dikush ta denonconte, Gaz-i i Degës e çonte me shpejtësi drejt e në bodrumet e Ministrisë së Brendshme. “Janë 40 vjet në mes”, thotë Merdani i mallëngjyer. Karrierë e ndërprerë, burg e punë e detyruar. Duken si të harruara në kohë, por në fakt asgjë nuk harrohet.
Në çast Shpëtim Saraçi, udhëheqës artistik i festivalit thirri Merdanin në skenë. “Kam 40 vjet që nuk e kam dëgjuar të këndojë live”, më drejtohet Justina, meqenëse për rastësinë time ndodhej në një situatë të tillë që dhe po ta kërkoja, nuk kisha për ta gjetur dot. Sherifi mori mikrofonin në dorë e u përqendrua tek partiturat e tekstit, nuk kishte shumë probleme me zërin a muzikën. Mbaroi shpejt, vetëm dy prova dhe Alfred Kaçinari i dha shenjën “Ok”. Erdhi radha e Justinës. Ajo ndihej e qetë, kishte kaluar në provat e studios dhe ishte e gatshme të përballej me çfarëdo vështirësie skenike. Dy prova të shpejta dhe për të. Nuk e mundoi orkestrën dhe as dirigjentin. I njëjti zë, me një performancë shpërthyese skenike. Me sa duket 40 vite nuk ishin dhe aq shumë. Jetmir Barbullushi mbeti i kënaqur. Duket se suksesin e përbashkët e kishte futur në “xhep”.
Dalim. Përballë te “Qemal Stafa” është kafja më e afërt. Biseda vazhdon. Krejt padashur kemi kaluar në një kapitull tjetër. Mesi i viteve ’80 do të ishte më i mirë për të. Me një përpjekje të dhimbshme për të mbijetuar, ajo arriti t’ia dalë në krye. Në fillim një rol episodik, e më pas një karakter më të plotë në kinema. Në vitin 1985 do të shpërfaqte një rol kryesor dramatik. Pas kësaj, jeta do të ishte më afër realitetit të supozuar.
Fillimi i saj i ri do të niste me emërimin në Teatrin e Kukullave. Mbahet mend dhe aty, prej zërit karakteristik padyshim, sepse me maskën e bufit në kokë askush nuk do ta njihte tek “Ditëlindja e Bardhoshes”. Herë pas here i jepnin role të vogla në film. Nuk ishte e lehtë të çaje në Kinostudio. Dosja me biografinë mbahej në sirtar. Kujtohet me rolin e ‘kapos’ tek “Rrethi i Kujtesës”, tek “Vdekja e burrit” pati një rol më të madh. Dhe kështu fillon e zgjerohet galeria e personazheve.
Në vitin 1990 iu kthye sërish këngës. Këtë herë në Estradën e Tiranës ku Sulejman Dibra i krijonte mundësi herë pas here. Po shkrihej situata e ngrirë. Kënga që duhej të harronte, nuk ishte harruar. Ndërkohë iu rikthye skenës së festivalit me “Këngën e nënës”, një kompozim i Shpëtim Kushtës me tekst të Xhevahir Spahiut. Një pjesë e repertorit të saj kujtohet mirë nga të pasionuarit e muzikës ku spikasin titujt: “Mall për vendlindjen”, “Stacion i dashur”, “Në mbrëmjen e vallëzimit”, “Unaza”, “Unë dhe shokët e mi”. Por vetëm kaq pasi në vitin 1991 do të largohej nga Shqipëria.
Sërish na duhet të marrim pak frymë para se të ndërrojmë kapitullin. Pak nga pak portreti i saj po merr formë...
Justina flet me krenari të ligjshme kur bie fjala për familjen. Më thotë se të gjithë, bashkëshorti e dy fëmijët u vendosën në Bruksel, Belgjikë. “Vajza ime Flonja Kodheli studioi për piano, djali Rubini për violonçel. Pas një viti djali shkon në Munih për të marrë pjesë në konkursin që zhvillonte konservatori ‘Riçard Shtraus’. I fitoi falas studimet. Por pas një viti shkojmë të dy bashkë në Nju Jork ku Rubini konkurroi në ‘Julliard School’ një shkollë unike në nivel botëror. Ai është dhe studenti i parë shqiptar që studion në këtë shkollë, ku dhe u diplomua. Tashmë ka një kuartet të vetin, me katër violonçela dhe një bateri, me të cilët luan muzike xhaz në Amerikë. Ndërkohë edhe kompozon. Jam shumë krenare për të. Ndërsa vajza që studionte në Bruksel për piano, pa dëshirën time, konkurroi në një shkollë për aktore në Paris, ku dhe u diplomua në akademinë prestigjioze ‘Florent’.
Aty u binda plotësisht pse Justina ndihej aq krenare për familjen.
Unë vazhdoj me pyetjet e mia: Si do të vazhdonte jeta juaj artistike jashtë Shqipërisë? Dhe Justina përgjigjet: “Sapo ika kam dashur të ingranohem me jetën time autoriale, kam luajtur në anglisht tek një tragjedi të Euripidit “Gratë trojane”, pranë teatrit “Off-Off Brodvvay” në Nju Jork. Janë nga ato teatrot e pafund, me salla të vogla, me audiencë jo shumë të madhe, ku gjithçka është e lyer me ngjyrë të zezë, madje edhe skena. Doja të shtoja se është shumë komode për një aktor të interpretojë përpara një publiku në distancë kaq të afërt. Mua m’u dha kjo mundësi”.
Po si këngëtare do ta gjenit veten diku? Edhe për këtë pyetje Justina dha një përgjigje mjaft interesante. Ose m’u duk mua të paktën, sepse në fakt ishte befasuese. “Po në këtë periudhë fillova të kërkoj rrugën e skenave për këngën. Kam kënduar në 8 gjuhë. Kam bërë disa recitale me instrumentistë të ndryshëm”. Në 8 gjuhë, e ndërpres unë i habitur. “Po po, madje dhe në kinezçe”, më sqaron ajo. Po ëndrra juaj në sirtar që u realizua në skenat e vendeve të huaja? “Doja të luaja rolin e një burri, - vazhdon Justina. - Një rol të tillë e luajta në Nju Jork, në teatrin e famshëm “Mama mia”, shfaqje e cila titullohej “Nobodysees”. Luajta rolin e Homerit, në dy gjuhë anglisht dhe frëngjisht. Ishte një vepër mjaft domethënëse, ku me pak fjalë aspironte se si Homeri do t’i shihte në ditët e sotme, të vëna në skenë veprat e tij “Odisenë” dhe “Iliadën”.
E kuptoj që jam drejt fundit. Unë e kompozoj portretin ashtu siç e dëshiroj. Ndonjëherë më duhen fare pak pyetje. Ndonjëherë shumë më tepër. Portreti mbetet aty. Dikush tjetër mund ta rikompozojë sipas një mënyre tjetër. Kjo punë s’ka fund asnjëherë. E pyes: Çfarë ju ka mbetur pa u realizuar? “Ëndrra më e bukur do të mbetet një ëndërr e cila vazhdon. Dua të bëj në Shqipëri një recital me fëmijët e mi, siç e kam bërë në Nju Jork. Por kam dhe një ëndërr tjetër në sirtar: ëndërroj të interpretojmë të dyja me vajzën, në të njëjtën skenë, në të njëjtën dramë... Është bukur ta kesh vajzën edhe kolege”.
Më thuaj një peng? Pa dyshim gjithkush duhet ta ketë një peng besoj unë ndaj nuk ndalem ta ngacmoj për herë të dytë. A keni një të tillë? “Po, e kam një peng, - çlirohet Justina. -  Do të dëshiroja që unë me fëmijët e mi të hipi në një skenë të projektuar prej bashkëshortit tim, Pjerin Kodheli, i cili ka qenë mjeshtër dekori në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”.
E bukur, mendova, e gjithë familja në skenë. Kjo po, është një ëndërr... e realizueshme padyshim. 
Justina Aliaj dhe Leonard Veizi
Ngrihemi. E quajmë të mbyllur intervistën. I them që të nesërmen në mëngjes të blejë një “Shekulli”. Edicioni qendror i gazetës do të kishte foton e saj. Justina qesh miqësisht. Dalim nga kafeja dhe nga pas lemë stadiumin. Mendoni që në Perëndim e gjetët atë që nuk e kishit në Shqipëri? Kjo ishte pyetja e fundit. Po e fundit fare. Nuk kisha ndër mend të vazhdoja akoma. Dy faqet e gazetës i kisha të tejmbushura. Madje më duhej të shkurtoja ca fragmente.“E them me plot gojën..., - më thotë Justina - ...se kurrë nuk arrita të jem e kënaqur me jetën artistike atje larg, ashtu siç e ëndërroja. Por gjithsesi, më e madhja ishte përmbushur sigurisht. E mbi të gjitha fëmijët e mi nuk i pyeti askush, e nuk i ndaluan të studiojnë në shkollat më të famshme në botë, pse nëna e tyre ishte e dënuar. Përkundrazi”.


Postuar në ResPublica - 30 Maj, 2015 10:29





Thursday, September 22, 2016

Intervista/ Visar Zhiti: Libri im i parë m’u konfiskua, me librin e fundit u bëj homazh intelektualëve martirë

Revista FENIKS
nga Leonard Veizi

I duhej vetëm pak letër të gjente dhe ca vargje do të hidhte aty, sigurisht. E vetëm për kaq, ajo merrte vlerë të pakrahasueshme. Nuk duhej fletë formati A4 dhe as fletore me vija drejtshkrimi, por ndoshta veç letra paketash cigareje, njëra anë prej të cilës ishte me varak dhe pjesa tjetër mbushej me germa të vogla latine si hieroglife të pazbërthyeshme. Misioni dukej i pamundur; të kapërcente gardhin e telave me gjemba, vetë rojet me uniforma ushtarake e automatik AK-47 në duar dhe të vraponte drejt lirisë. Por dukej se misioni ishte më i lehtë se kaq. Ato “hieroglife” të pazbërthyeshme ishin vetë liria, e askush s’i ndalte dot, telat me gjemba, automatiku "Kallashnikov" dhe as mitralozi 12,7 mm që qëndronte mbi fortesë në një gatishmëri të ethshme për të qëlluar këdo, dhe frymën e padukshme. Por kjo ka ndodhur vite më parë, atëherë kur të qenit shkrimtar ishte një komoditet i rrallë dhe shumë trishtues njëkohësisht...

...Visar Zhiti, poet e prozator i njohur, vjen me një rrëfim të gjatë ku bën të njohur shumë detaje nga jeta e tij. Ai flet për karrierën si shkrimtar, vargjet e para, si u motivua dënimi politik i poetit dhe jeta letrare në demokraci. Ndërkohë që pak ditë më parë “UET Press” nxori në qarkullim librin e tij të fundit “Antologjia e të vrarëve, lajmëtarë të Europës”.

Çfarë keni përfshirë në këtë libër?
Përzgjodha 28 emra, prej të cilëve katër nga Kosova dhe një nga shqiptarët e Maqedonisë, të gjithë të vrarë si disidentë, kundërshtarë të regjimit komunist, deri edhe martirë, me gjyqe dhe pa gjyqe, por sipas doktrinës. Bëhet fjalë për vrasje intelektualësh të lartë, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe të lirive të njeriut, për krijues, poetë, mendimtarë, gazetarë, etj., të cilin kishin studiuar në metropolet e Evropës. Ishin copa të kulturës Evropiane, të cilët donin që Shqipëria të ishte atje ku duam të jetë, gjë për të cilën po punohet me shumë mund nga e gjithë shoqëria. Antologjia është një përpjekje jona, e dëshiruar dhe nga të tjerë, që e ëndërronin këtë vepër duke besuar se po plotësojmë një mungesë, se po krijonim një si tempull të fjalës për ata krijues që iu ndërpre jeta pa mëshirë dhe padrejtësisht. Fakti që ky libër del pas asaj që e quajtëm “letërsi e nëndheshme”, do të thotë se është ndjerë mungesa dhe dobia e tij. Ndërkaq, letërsia dokumentare është shumë e parapëlqyer sot në botë. Dhe njerëzimi gjithmonë ka lexuar me dëshirë letërsinë e vuajtjeve dhe tmerreve qysh herët, që kur filloi letërsia.
Në fundvitin 2012 ju morët çmimin e madh të letërsisë. A ndiheni i vlerësuar që vëmendja u kthye nga Ju?
Natyrisht që më vjen mirë për vëmendjen dhe vlerësimin dhe u jam mirënjohës atyre që menduan ashtu, por dhe ata që kanë pasur mendim tjetër duhet t’i kuptojmë dhe çmojmë se gjithkush ka vendin e vet dhe vlerat e dikujt nuk dëmtojnë vlerat e të tjerëve, përkundrazi i bashkohen, si të thuash, mozaikut që është i të gjithëve. Po aq shumë më gëzon fakti se kështu po pranohet edhe institucionalisht gjithë ajo letërsi që erdhi pas rënies së diktaturës duke sjellë një realitet tjetër. Kur them institucionalisht e kam fjalën dhe për kritikën, tekstet përkatëse dhe median, që krijon opinione, etj., pra për institucionin e qytetarisë. Tashmë është e dukshme se ka ardhur një letërsi, që, edhe nëse mbart errësirë, bën që të shquhen më mirë yjet, tregon vuajtjen si themel të lumturisë, të vërtetën për të qenë të drejtë. Është letërsi që duke sjellë vetveten, pasuron letërsinë tonë në përgjithësi.
Të kthehemi pak në kohë. Kur do ta kuptonit se letërsia do të ishte pjesë e rrugëtimit tuaj?
Besoj se letërsia duhet të jetë pjesë e rrugëtimit të kujtdo, për disa si krijues të saj dhe për të gjithë si lexues. Ne jemi të shtrënguar të jetojmë vetëm një jetë, letërsia na jep dhe jetë të tjera, të shumta dhe gjithfarëlloj, të largëta, të afërta, të atyre që s’janë më, pra shpik një lloj përjetësie. Nuk e di kur e kam kuptuar këtë, por e kam ndjerë herët.
Cilat janë botimet e para në faqet e gazetave dhe si i pritët ato emocionalisht?
Janë poezi, më kanë gëzuar edhe hutuar, pastaj jam dënuar prej tyre, edhe unë kam dënuar me to. Lidhja ime me poezinë mund të them se është dramatike dhe magjepsëse.
Kur do ta botonit librin e parë?
Libri im i parë ka humbur. M’u konfiskua dikur dhe nuk e gjeta më ashtu të plotë. Pas rënies së diktaturës, 40 vjeçar, botova librin tim të parë me poezi “Kujtesa e ajrit”. Dhe ai u vlerësua atëherë me çmimin e parë vjetor.
Babai juaj, Hekuran Zhiti, gjithashtu ka qenë dramaturg. Mendoni se keni përftuar nga ai, apo rruga juaj ka qenë krejt e pavarur?
Po, patjetër dhe shumë kam përfituar nga im atë. Dashurinë për letërsinë e kam trashëguar nga ai. Por dhe dashurinë, për ata që e krijojnë letërsinë. Janë dy subjekte të ndryshme  besoj. Ka që e duan letërsinë, duke qenë mënjanës ndaj shkrimtarëve, shpesh edhe duke mos i dashur. Nuk mund të isha i pavarur. Prej tim ati trashëgova dhe dënimin, siç u bë dhe ai prej meje baba i një të burgosuri politik. Këto detyrimisht ngjizen dhe në krijimtari.
Cili botim u bë shkak që pas Plenumit IV të KQ, ju të dënoheshit me 10 vite burg dhe heqjen e të drejtës së botimit përgjithmonë?
Një libër që s’është botuar dot, poezi, “Rapsodia e jetës së trëndafilave” titullohej. Përgjithmonë nuk do të thotë përgjithmonë. Sistemet shoqërore ndërrojnë, poezia jo, edhe kur ndryshojnë sistemet politike.
Si ishte jeta në burg për një shkrimtar?
Nuk ishte jetë për askënd. S’lejohej të ishe njeri.
A kishit mundësi të krijonit letërsi gjatë kësaj periudhe dhe, nëse po, si shpëtuan ato?
Në burg të futnin për të mos bërë më letërsi, kjo nuk duhet harruar. Dhe kishte nga ata që bënë të pamundurën. Mundësi s’kishte, gjendja ishte fatale, por ja, që kishte të çmendur që shkruanin poezi, tregime edhe romane fshehurazi, pas punës së rëndë prej skllavi në minierë dhe i fshihnin ku të mundnin, në kashtën e dyshekut, në thasët e burgut, në opinga, nën tokë, në kujtesë. Kur ua kapnin, pasi ridënoheshin autorët, shkrimet ua fusnin nëpër dosje, një pjesë e madhe e të cilave ka humbur, a i kanë djegur, janë kalbur nën dhè. Së pari kjo lloj letërsie ka vlera si akt. Është akt madhështor, sakrificë e tejme. Unë bashkohem me ata që mendojnë se letërsia që doli nga burgjet dhe erdhi nga internimet ka dhe vlera të mirëfillta letrare, është letërsi. Unë pata fat, nxora shumë poezi të miat nga burgu, para se të lirohesha vetë. Arrita t’ua jepja fshehurazi familjarëve të mi, në takimet që lejoheshin një herë në muaj. U specializova në kontrabandën e poezive të mia. Frika ishte e hatashme. Është një odise e tërë, që e kam treguar hollësisht në librat e mi. S’di ç’të them, unë i shpëtova ato, apo ato më shpëtuan mua…
Si do të ishte jeta juaj letrare në demokraci?
Si e të shumtëve. Mund të them se jam arritje e kësaj kohe, demokracia na nxori, u pranuam prej saj. Nuk është retorikë, por ajo zhvarrosi shumë shkrimtarë që i bëjnë nder kulturës tonë, identitetit njerëzor. Risolli Gjergj Fishtën e madh, Konicën, Koliqin, zbuloi shkrimtarë si Astrit Delvina, Mihal Hanxhari, poetë si Xhagjika, Blloshmi, Zorba, përmenda dy-tre nga të vdekurit për të qenë më i sigurt për kë nuk beson, se të gjallët janë në punë e sipër. Kanë ardhur memuaristë të shkëlqyer. Ja, mes këtyre është jeta ime. Kur them demokracia, duhet të kuptojmë kohën që sollëm së bashku dhe ajo mbart të gjitha vlerat tona dhe të gjitha të këqijat, guximin gjithsesi.
Sa rol luan autocensura te ju si shkrimtar?
Nuk e njoh. Kur ishte censura, unë nuk isha shkrimtar. Nuk u fut brenda meje. Kufizimit si të gjithë.
Ku ndiheni më mirë në poezi apo në prozë?
Në atë që shkruaj. Poezia mund të them që më ka ndjekur më shumë, kurse prozën e kam ndjekur më shumë. Më duken si të shkruara në lëkurën e njeriut si në pergamenë, por poezia nga brenda kësaj lëkure dhe proza nga jashtë saj. Kështu e kam shpjeguar diku, siç e ndjej. Vetëm se proza sot ka shumë poezi dhe poezia ka marrë mjaft elementë nga proza. Ndoshta kështu ka qenë gjithmonë, “Iliada” është edhe roman, madje dhe “Don Kishoti” është poemë. Tek tragjeditë antike, te Shekspiri janë të dyja bashkë, duket, të shkrira mrekullisht.
Ju keni marrë dhe çmime të tjera, ndërkombëtare. Cilin nga çmimet e deritanishme vlerësoni më shumë?
Çmimet në vendin tënd kanë forcën e truallit tënd dhe ajrin e gjuhës amtare, në vendin tjetër duan të përcjellin këtë imazh, besoj, duke bërë dhe rolin e urës. Çmimi që vlerësoj është ai që ta japin lexuesit, qoftë edhe një lexues i vetëm, por i mirë, në fund të fundit janë vlerat e asaj që shkruan, kumti i thellë njerëzor dhe artistik njëherësh që mund të përcjellësh, emocioni dhe estetika, që ngjall.
Ç’do të donit të thoshit për veprën tuaj madhore, “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, për të cilat nxorët dhe termin “burgologji”. Ç’është ajo dhe pse?
Nga që flitet për burgun, thashë t’i quaj ashtu. Desha të ishin romane, por kisha merakun se mos lexuesi do t’i mendonte trillim, kur aty ngjarjet dhe personazhet janë të vërtetë, me emra realë. Mendova se s’kishte pse të shpikja, por natyrisht që nuk janë thjesht kujtime, kisha përzgjedhur të tregoja për të tjerët, pa bërë kronikanin. Jeta jonë kishte krijuar një roman të rëndë të vetin, thashë ta hedh ashtu siç m’u dha, me kokëfortësinë e së vërtetës. Një si lloj shpage, hakmarrja ime, kujtesë për ferrin e gjallë. Dhe pse jo, dy romane më shumë…
Çmimi i madh në 2012 ju dha për krijimtarinë tuaj në tërësi, pra ishte çmim karriere që merret një herë. Do desha t’ju pyes se ç’përmban vepra juaj, mesazhet e saj?
Po edhe të lehtë nuk e kam. Lejomëni të them se kam pasur rast të marr dhe një tjetër çmim karriere, por në Romë. Deri tani kam botuar disa libra me poezi, që përfshijnë tre kohë të miat, nëse do të ma pranonit këtë ndarje, poezi të hershme, të rinisë së parë, nga të para burgut, poezi të burgut dhe poezi të pas burgut. Duhet të thosha të lirisë, por poezia gjithmonë është e lirisë, e asaj të brendshme, prandaj shkruhet. Poezi të miat janë botuar dhe në gjuhë të tjera. Kam dhe tregime, një përmbledhje ka dalë dhe në Itali. Kam botuar disa romane, janë pritur mirë nga kritika jonë dhe nga lexuesi, ndonjëri prej tyre ka pasur fat është përkthyer. “Funerali i pa fundmë” është lexuar në Rumani ashtu siç do të dëshiroja, madje ka pasur jehonë. Ndërkaq kam botuar dhe ese, intervista e kritikë letrare. Për mesazhin e punës time s’di ç’të them, nuk është një, besoj, i përfytyroj si rrathët kur hedhim një gur në ujë. Prandaj shkruhet libri tjetër, për të shtuar dhe gjithmonë mbetet diçka e pathënë. Mbase kam dashur të tregoj që vuajtja njerëzore mund të shndërrohet në virtyte, në prajshmëri pse jo, edhe në lumturi, në kuptimin e saj të thellë. Pashë vuajtjen dhe u bëra njeri, thoshte Çehovi. Duhet të bëhemi më njerëz, patjetër.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me botuesin?
Të mira, korrekte me të gjithë botuesit. Shkrimtari nuk është vetëm libri i tij, por dhe përditshmëria e tij, hallet, miqësitë, detyrimet, mbështetja dhe botuesi nuk është vetëm ai që sendërton librin dhe e shpërndan atë si mall, edhe ai ka strategjinë e vet, vështirësitë, etj., që i duhen kuptuar. Në marrëdhëniet me një botues, në fund të fundit mbetet akti i shenjtë i të lexuarit, fat kur ajo arrihet.
Tanimë libri është jo vetëm në letër. Dy format e reja të botimeve letrare, libri elektronik dhe ai në Audio-CD janë dhe konkurrentët e rinj. Çfarë mendoni lidhur me këtë?
Nëse janë trembur atëherë kur libri nga qeramika nisi të shkruhej mbi pergamenë? Unë kam punuar në fabrikë tullash e tjegullash dhe e marr me mend se sa vagonë të mbushur me to do të duhej për një libër me poezi. Le më pastaj për një roman, sa për një pallat e do të duhej leje nga bashkia, mund të merrej vendimi për ta shembur, do të prisheshin lagje të tëra të personazheve, dritare epitetesh, shkallë metaforash, etj, etj. Pastaj, kur libri kaloi në lëkurë, janë therur kope të tëra delesh për një bibël. Ka libra dhe me lëkurë njeriu, është në një muze, por libri gjithsesi i lëkurës së njeriut është, sikur thamë diçka dhe pak më parë. Erdhi epoka e letrës, masakra e pemëve, kur shumë e shumë herë pema është më e mirë se libri. Ne jemi mësuar me të, është krijuar tashmë dhe aroma e veçantë e librit, e duam, por do të mësohemi dhe me e-books e me audio-CD, kanë lehtësirat e tyre. Mbetet e përjetshme, më e rëndësishmja se si do të jetë libri brenda, prurja e tij.
Cili është libri juaj i radhës, një vëllim poetik apo një roman?
E kam më të lehtë të tregoj se çfarë kam hequr nga duart se sa çfarë kam ndër duar. S’e di cila do të jetë vepra e radhës, por sigurisht një libër i shkruar mbi lëkurën time.

Botuar në revistën FENIKS me 26/01/2013
Postuar në ResPublica më 7 Nëntor, 2014
Visar Zhiti dhe Leonard Veizi



Thursday, September 15, 2016

PORTRET/ Teodor Laço, të mbijetoje si shkrimtar në diktaturë

Teodor Laço - foto: Soela Zani
Leonard Veizi

Sot, në moshën 79 vjeçare me një kompromis fjale krejt pa vend mund ta quajmë se ka dalë në pension. Por kjo nuk është diçka që i shkon fare. Ai nuk shtyn kohën me tavëll a letra spathie deri sa t’i vijë dita që të marrë paratë në sportel. Është shkrimtar, dhe si i tillë, i duhet të prodhojë edhe pse pensionin e merr për shkak të marrëveshjes që ka si qytetar korrekt me shtetin e tij. Por si njeri me jetë të gjatë në politikë hyn tek ata administratorë që ka ditur të tërhiqet në kohën e duhur. Tek e fundit gjithçka ka limitet e saj.
Ai u lind në Dardhë të Korçës, në 27 shtator 1936. Quhet Teodor Laço. Me një diplomë në bujqësi në vitin 1958 punon si agronom e zv/kryeagronom në Seksionin e Bujqësisë të Komitetit Ekzekutiv, Korçë. Por ky ishte vetëm një segment jete. Për më tej do ta udhëhiqnin letrat. Mes viteve 70-‘74 punon në Sektorin e Letërsisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk besoj se ka njeri që nuk ia ka dëgjuar emrin, t’i ketë lexuar një libër a të ketë parë një film me skenar të tij.
Sot mund ta konsideroj mik të vjetër. Intervistën e parë ia kam bërë kur ishte ministër kulture, të fundit kur folëm për revoltën e vitit 1990 në Kinostudio, gjë që i solli jo pak kokëçarje Komitetit Qendror e të dërguarit të tij Foto Çami. Në atë kohë Laço drejtonte sektorin e filmit artistik. Ishin ditë të nxehta kur ai, i thirrur nga instinkti i lirisë e la mënjanë penën, për t’ju përkushtuar një veprimtarie më madhore. Fuqia e fjalës së shkruar dhe e imazhit në film e kishte humbur fuqinë. Duhej veprimi konkret, përndryshe...
E lemë mënjanë këtë çështje, e kemi trajtuar gjerë e gjatë. Gjendet pa vështirësi në internet, në gjithfarë portalesh.
Teodor Laço, apo më shkurt Todi, siç e thërrasin shokët e gjimnazit, ka dëshirë t’i presë miqtë në një kafe të këndshme te rruga “Don Bosko”. Aty ndihet krejt i shpenguar, si në shtëpinë e tij. Bashkëshortja Miriam, një nga emblemat e teatrit të Korçës, por dhe e kinemasë shqiptare,  i rri pranë. Diku në të hyrë të asaj rruge që dikur na çonte te Uzina “Partizani”, ata kanë dhe apartamentin ku banojnë prej vitesh. Megjithatë, kryeqyteti nuk është dashuria më e madhe e Teodorit. Ai është mësuar ta ndajë jetën e tij mes Tiranës dhe Dardhës. Verën e nxehtë e kalon në male, dimrit zbret në qytetin e zhurmshëm, por me klimën e zbutur mesdhetare.
Në fushën e letërsisë ai do t’i bëhej i njohur për publikun që me romanin e tij të parë në vitin 1970 “Tokë e ashpër”. Më pas do të vazhdonin “Portat e dashurisë”, “Korbat mbi mermer”, "Një ditë dhe një jetë”, “Zemërimi i një njeriu të urtë”, etj. Të shumta do ishin pjesët që ai do shkruante për kinematografinë e teatrin bashkë, ku mund të përmendim skenarët e filmave, “Streha e re”, “Përballimi”, “Shtëpia jonë e përbashkët”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time” etj., ndërsa në teatër kujtojmë komedinë “Shi në plazh”, dramën “Kambanat e muzgut”...
Më tregon se asokohe raportet e shkrimtarëve me regjimin ishin fort delikate. Thotë se shkrimtari ishte gjithmonë njeriu i survejuar për shkak të letërsisë që bënte dhe pikëpamjeve që mund të shprehte. “Në atë kohë mund të shkoje si ‘qeni në vresht’ për një gabim fëmijëror, ose një tekë të shkrimtarit. Për shembull: Në vitin 1972 disa letrarë të rinj tiranas, mes të cilëve ata që u bënë shkrimtarë ishin Roland Gjoza dhe Bedri Myftari, dilnin nga kodrat e Liqenit Artificial, shkëmbenin dhe lexonin krijimtarinë e njëri-tjetrit, madje jepnin dhe çmimin ‘Nobel’. Vetëm një gjë e tillë bëri që ata të kapen dhe të dënohen të gjithë. Kjo diktaturë te shkrimtari ndikonte që të krijonte dhe autocensurën”.
Më gërryen kureshtja të di se si vepronin shkrimtarët në një regjim të ashpër për të ruajtur veprat e tyre të mirëfillta? Teodori më thotë se në të gjithë krijimtarinë e tyre shumica e shkrimtarëve shqiptarë vërtiteshin në një lloj dualizmi. “Kanë botuar vepra politikisht në shërbim të asaj kohe dhe vepra, të cilat i kanë shpëtuar realizmit socialist, që në rastin më të mirë mund të quhen vepra realiste dhe me sens kritik për realitetin e asaj kohe. Këtu e kam fjalën për prozën, sepse poezia është një kapitull më vete, ku dhe mëkatet i ka më të mëdha. Mund të them se ka pasur goxha shkrimtarë që i kanë shërbyer sistemit madje me bindje. Por kishte dhe shumë të tjerë, të cilët në subkoshiencën e tyre ishte liria që mungonte dhe që shoqëria, e cila po ndërtohej në Shqipëri ishte e padrejtë. Megjithatë duke parë që ishte e vështirë të luftohej drejtpërdrejtë, bënin kompromise”.
Kompromise!? Epo natyrisht, - them me vete, - edhe sot bëhen kompromise. Madje shumë. Kompromise të cilit lloj? - e pyes me kast. “Bënin vepra që priteshin të përgjoheshin e të goditeshin, por realizonin dhe vepra, të cilat i përmbushnin të pesë kushtet themelore të realizmit socialist. Një gjë të tillë e ka shpjeguar dhe Ismail Kadare, kur thotë që në këtë mënyrë shkrimtari bën kompromis me vetveten. Pra bëheshin vepra që shërbenin si pasaportë për të botuar dhe vepra të çliruara”.
Në nënndërgjegjen e tij prej shkrimtari, çdo gjë është e dyzuar dhe e dyshimtë padyshim që është. E kundërta as që do kish kuptim. Prandaj, atje ku askush nuk mund të hyjë veç qenies së tij të padukshme, nuk ka manual rregullash dhe në trafikun marramendës, ku gjithçka përplaset me dëshirë, lindin ide të reja. Ai nuk ngurron ta hedhë synopsusin e porsalindur me laps plumbi mbi një fragment letre, ku një djall e di pse në faqet ballore me germa të ngjeshura kompjuteri me siguri ishte shkruar fjalimi politik i vlefshëm për  seancën e radhës të Parlamentit, a një notë verbale për Ministrinë e Jashtme. Por kjo duket se nuk ka fare rëndësi. Ajo që është bërë nuk mund të zhbëhet dhe sigurisht, ajo që është zhbërë nuk mund të ngrihet më. Në raportin pa balancë, ku gjithçka duket se merr trajtën e një pragmatizmi pozitiv, ajo që mund të fitosh pa frikë është… vetvetja.
E pyes se cila ishte krijimtaria e tij e kompromisit dhe jo e saj? Jam i drejtpërdrejtë. Pyetjes nuk ke nga t’i shpëtosh. Por Teodor Laço nuk është nga ata që përdor truke të shpejta për t’ia hedhur. Ai njihet për temperamentin e tij liberal dhe aspak tendencioz. Më thotë se në vitin 1971 boton romanin “Tokë e ashpër”, i cili ka si subjekt formimin e një kooperative bujqësore në zonat malore. “Ky është një roman që nuk ka lajthitje për kohën, - bën ai një parantesë e më pas vazhdon: - Por në vitin 1973 botoj vëllimin me tregime ‘Ajri i ftohtë i mesnatës’, ku një pjesë e tregimeve lirike kishin sens kritik. U cilësua si libër i gabuar dhe u hoq nga qarkullimi. U tha se në të nxihej realiteti. Një shkrim për këtë novelë u botua në gazetën ‘Drita’ në formë redaksionale me titull ‘Nuk ka për të ndodhur kështu’, ku mund të them se në fakt ishte një pretencë. Një vit më pas, në vitin 1974 doli novela ‘Ditë dhe net që mund të vijnë’. Ky libër u botua në fillim të vitit 1974 dhe fillimisht nuk solli asnjë shqetësim. Por në tetor të po këtij viti, kur doli grupi ‘puçist’ në ushtri, kundër librit dhe meje u dërguan shumë letra në Komitetin Qendror nga disa shkrimtarë ushtarakë. Ky libër u akuzua se i bënte jehonë ‘Teorisë së rrëshqitjes’, për të cilën u dënua grupi i ushtarakëve të lartë, sepse bënte fjalë për një stërvitje ku trupat tërhiqeshin dhe sulmonin për të rimarrë sërish pozicionet. Libri jo vetëm që u hoq nga qarkullimi, por edhe unë e pagova duke qëndruar 7 vjet larg Tiranës”.
Ishin vitet kur mezi futeshe në Tiranë, të të hiqnin prej saj ishte padiskutim një lloj internimi. Ku të degëdisën? - e pyes. “Lidhja e Shkrimtarëve më dërgoi si mësues në Libofshë. Por më pas më tërhoqën në Fier. Në atë kohë në Fier ishte emëruar Sekretar i Parë i rrethit Pipi Mitrojorgji. Duke dashur t’i japë një hov jetës artistike në qytet, ai na mblodhi të gjithëve dhe bëri një bërthamë shumë të mirë. Dhe vërtet që jeta artistike në Fier pati një hop cilësor. Aty nuk isha vetëm unë, por edhe Neritan Ceka e Myzafer Korkuti, arkeologë; Vilson Kilica, piktor; Paskal Milo e Myslym Islami, historianë; Pëllumb Kulla, skenarist e Fatos Sela, aktor. Të gjithë të ardhur nga Tirana”.
Rroftë Tirana... I mblidhte të gjithë, i shpërndante gjithashtu.
Ca kohë më parë ai botoi një tjetër vëllim me tregime kuptimplotë, por pena e tij e mbushur me bojë e me majë metalike krejt të re, nuk ka ndërmend të reshtë asnjë çast. Kujtimet të fragmentarizuara për ngjarje fort të diskutuara, të cilat do të qepen hollë nga dora e mjeshtrit, presin të na vijnë së shpejti si një informacion i plotë e solid, për të zbardhur më tej terrin që sundon atje, ku drita është e pafuqishme. Teodor Laço, shkrimtar e skenarist filmi, e për më tepër politikan jetëgjatë e diplomat me karrierë të shkurtuar, vazhdon rrëfimin e tij pa asnjë çast të dyshimtë, në duhet të flasë për krijimtarinë letrare apo aktivitetin politik, për të dyja bashkë, apo për asnjërën prej tyre. E nëse ka pasur vërtet një dyshim të tillë, ai duhet të ketë zgjatur vetëm një sekondë ose më pak se aq, ndërsa kompromisi duket se nuk ishte aspak i vështirë: të flasë për gjithçka, pa kompleksin se diku, një gjë krejt e papritur e dashakeqe do të mund t’i prishë imazhin e lartuar.
Si do ta rregullonit biografinë me pushtetin? Ha, ha... mund të qeshte pak. Të thoshte se biografia tanimë ishte e prishur. Ai ishte në frontin e kundërt me pushtetin, në një luftë për jetë a vdekje... Por jo. Ka një kompromis gjithsesi, me të tjerët apo thjesht me veten. Teodor Laço nuk i bën bisht pyetjes: “Pas këtyre dy librave, që për të thënë të vërtetën prisja të përfundoja edhe në burg, po në fund të vitit 1975 u botua romani ‘Përballimi’. Ajo u pëlqye si vepër, e cila figurën e Sekretarit të Parë të një rrethi e nxirrte njerëzore dhe jo skematike siç kishte ndodhur deri në atë kohë. Kështu që u zbut masa e dënimit. Ndërsa në vitin 1978 u botua romani ‘Lëndina e lotëve’. Kjo është dhe vepra më e mirë e imja e para viteve ‘90, e cila ishte gjithashtu dhe krejtësisht e papolitizuar. Në vitin 1982 u ktheva nga Fieri dhe fillova punë në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku merresha me talentet e reja”.
Në vitin 1986 Teodor Laço do të merrte postin e përgjegjësit të filmit artistik pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku do të punonte deri në vitin 1990. Në periudhën 1991-1992 do të emërohej edhe drejtor i saj.
Mendohem pak, pyetja më duket provokative, por gjithsesi dua ta bëj: Keni menduar ndonjëherë që për konjukturë duhet të militonit në radhët e Partisë së Punës? Laço është i qetë. As që i shkon në mendje të triblojë për të marrë ndonjë pikë të pavlerë. “Nëse do të më afrohej një gjë e tillë me siguri do ta bëja, - më përgjigjet, - por unë kam pasur babain emigrant ekonomik në Amerikë dhe gjithsesi nuk shihesha si pjesë e kontigjentit të partisë. Gjithashtu, një i afërmi im ishte në burg politik, çka e bënte dhe më të vështirë situatën”.
Teodor Laço dhe Leonard Veizi
Në fushën politike Teodor Laçon do ta gjejmë që me fillimet e demokracisë. Ai është një nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate duke qenë edhe nënkryetar i saj deri në vitin 1994. Do të bëhej deputet në zgjedhjet e para të lira në vend. Prej vitit 1994 deri në 1997 do të mbante postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në vitin 1995 krijoi një parti të re “Bashkimi Social Demokrat”. Për dy vjet shërbeu në Moskë si Ambasador Fuqiplotë. Ndërsa për veprat e tij letrare, Teodor Laço është nderuar me 3 Çmime të Republikës dhe Çmimin “Migjeni” gjithashtu.

Postuar në 20 Shtator, 2015 ResPublica





Intervista me shkrimtarin Pandeli Koçi: Pleniumi IV, ja fati tragjik i Faik Ballancës

Faik Ballanca
Leonard Veizi

Ndoshta deri në çastin e fundit nuk ka qenë krejt i bindur në ia vlente ta bënte atë veprim që e kishte cekur shkarazi, apo i duhej të hiqte dorë një herë e përgjithmonë prej tij për të mos e menduar kurrë më. Ishte një çast nervor i paqëndrueshëm, ku jeta merrte fare pak kuptim, për të mos thënë se ajo nuk vlente më. Sapo ishte kthyer nga ca ditë pushimesh të qeta ku kishte pasur mundësi të shtjellonte gjithçka në mendjen e tij, deri në imtësinë më të vogël. Natën e fundit çdo gjë dukej e qetë. Telefonatës së mikut të tij më të mirë i është përgjigjur pozitivisht: në mëngjes për një kafe. Pak orë më vonë një ditë marsi agoi. Por ai nuk ka preferuar ta pijë kafenë, dhe as të debatojë për më të rejat, por ka përfituar nga çasti kur bashkëshortja është nisur për në punë, dhe ende me veshjen e shtratit ka shpejtuar të marrë armën e gjuetisë që mbante me leje në një cep të fshehtë të shtëpisë. Është ulur në po të njëjtin vend nga u ngrit më parë, ka vendosur ballin mbi tytën e ftohtë të armës, dhe me gishtin e madh të këmbës ka tërhequr këmbëzën. Metali i nxehtë nën krismën e thatë do t’i përshkonte tejpërtej ato pak centimetra, për të dëmtuar në mënyrë të plotë e të pariparueshme trurin e tij brilant... 
...Ishte vetëm 31 vjeç, shans a ters, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Humbja ishte e madhe, dhe jo vetëm për familjen. Ekspertët kriminalistë detajuan mbi procesverbal aktin e vetëvrasjes, por motivi mungonte. Tjetërkush do të vendoste për të. Viktimë e talentit të tij. Nuk kishte dyshim që vetëm kështu shpjegohej gjithçka. I zhgënjyer dhe i trysnuar nga një mjedis që nuk e linte të merrte frymë ai e pa të udhës të ikte nga kjo botë. Dhe iku... 
Pandeli Koçi, me një krijimtari të gjatë në jetën e tij prej shkrimtari, me dhimbje edhe sot pas 35 vjetësh, rrëfen jo vetëm orët e fundit të mikut të tij të ngushtë para se ai ta linte jetën e të gjallit, por dhe heshtjen trishtuese që e mbuloi pas vdekjes:
Viti 1973, si do të ishte për shkrimtarët?
Problemet filluan që para plenumit IV të KQ për letërsinë dhe artet ku theksi ra: “Kundër ndikimeve borgjezo­revizionste në letërsi dhe në art”. Ishte koha kur Festivali 11 ishte dërmuar dhe Mihal Luarasit e Minush Jeros u ishin vënë prangat. Enver Hoxha gjatë fjalimit të tij të ashpër në plenum, mes të tjerash tha: “Lidhja e Shkrimtarëve dhe shtëpia botuese ‘Naim Frashëri’ janë institucione me shfaqe të huaja”. Që nga ky çast do të fillonte gjuetia e shtrigave.
Si do të përcillej në Lidhjen e Shkrimtarëve ky fjalim?
Fillimisht u shkarkua nga detyra për liberalizëm ish kryetari i Lidhjes, Dhimitër Shuteriqi. Erdhi Dritëro Agolli si dorë e fortë. Pati kritika të shumta. Unë vetë jam kritikuar ashpër në Lidhje pas këtij plenumi. Gjithashtu do ta pësonte dhe miku im i ngushtë Faik Ballanca, një shkrimtar shumë i talentuar i cili deri në atë kohë kishte botuar disa vëllime në prozë.
Në fakt ku zinte fill miqësia juaj?
Ne vazhduam së bashku fakultetin Histori­-Filologji. Ai ishte në degën e gazetarisë dhe pas përfundimit punoi në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe në revistën “Nëntori”. Kemi pasur një jetë të përbashkët, si gazetarë, si gjuetarë e si alpinist. Megjithëse ishte i një brezi me Koço Kostën, Nasi Lerën, Zija Çelën etj., ai kishte botuar romane kur këta të fundit sapo kishin filluar të botonin tregimet e para. Tregimet e tij nisën të botoheshin që në vitin 1962. Ndërkohë nevoja për të lexuar edhe literaturë jashtë kornizave të realizmit socialist, e shtynë të mësonte disa gjuhë të huaja. Përktheu nga gjermanishtja, frëngjishtja dhe italishtja. Vitet e fundit po rrekej të mësonte edhe anglisht. Me krijimet e tij, Faik Ballanca arriti të krijonte personalitet të veçantë si shkrimtar, në saje të kulturës së gjerë, intuitës së hollë artistike dhe skrupulozitetit të tij krijues.
Çfarë mase do të merrej për Faik Ballancën?
Pas kritikave të shumta që iu bënë, atë do ta çonin për riedukim në qytetin e Krujës dhe i thanë të punonte në gazetën lokale, “Kastrioti”. Mirëpo ishte një vendim që nuk u zbatua. Vetë Faiku protestoi fort dhe iu ktheu vendimi. Megjithatë Faiku u trondit së tepërmi.
Çfarë do ta dëmtonte më shumë një shkrimtar në shkëlqim e sipër?
Pa dyshim që goditja e parë i erdhi nga Pleniumi IV. Por më pas do të kishte dhe andralla të tjera. Ndërsa romani i tij i parë “Nomeja e largët” iu kthye nga shtëpia botuese me vërejtje të rënda ideologjike. Në atë kohë ai ia dha këtë roman Ismail Kadaresë. Pasi e lexoi Kadareja dha këtë mendim: “Asnjë nga akuzat që bën redaksia nuk qëndron. Ky është romani i tij i pari dhe çudi se si ka mundur të realizojë një strukturë kompozicionale të tillë, sa të vështirë aq edhe moderne”.
Për çfarë kritikohej Ballanca në këtë vepër?
Kritikat u adresuan pikërisht për strukturën si dhe për personazhin kryesor. Personazhi ishte një njeri që kishte humbur kujtesën. Mirëpo realizmi socialist nuk pranonte që struktura kompozicionale të dilte nga shtrati dhe për më tepër u cilësua si një vepër me pikëpamje borgjezo-revizioniste pasi vetëm kjo literaturë vendoste si personazh kryesor njerëz të çmenduar apo me kujtesë të humbur. Ky roman Faik Ballancës iu kthye tre herë.
Kur do të fillonin t’i shfaqeshin traumat psikike?
Më kujtohet që një ditë i shkova në shtëpi, por nuk e gjeta. Më thanë se ishte shtruar në spital, tek pavijoni i neurologjisë. Shpejtova për ta shkuar atje. E kam vizituar çdo ditë. Hynin e dilnin dhe shkrimtarët e tjerë. Kur doli nga spitali, teksa punonim në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare, më thotë: “Më ka prerë krahët ky roman”. Ishte fjala për “Nomeja e largët” me të cilën ai punonte çdo ditë duke riparuar pjesët sipas vërejtjeve të bëra. I thashë me optimizëm se do t’ia dilte. Më pas ai shkoi për ca ditë në kampin e pushimit në Korçë.
Cila ishte gjendja e tij pas pushimeve?
Pandeli Koçi dhe Leonard Veizi
Sapo u kthye e mora në telefon. Ishte darkë. Më tha se ishte kënaqur në Korçë, madje i kishte rënë edhe kitarës. E lamë që të nesërmen të takoheshim. Do pinim kafe e do flisnim për punët e përditshme. Në mëngjes dal nga shtëpia dhe drejtohem për nga shtypshkronja Mihal Duri, të cilën e kisha fare pranë. Te portiku takova Adem Litën, redaktorin e vjetër, i cili më tha: “E more vesh, ka vrarë veten Faik Ballanca!”. Ishte krejt e pabesueshme. Sikur m’u shemb gjithçka mbi kokë. U ktheva menjëherë në shtëpi dhe këtë lajm ia dhashë nënës time. Ajo vuri kujën, sepse Faikun e konsideronte si djalin e shtëpisë. Mora rrugën për tek shtëpia e tij që e kishte diku pranë Medresesë. Vetëm kur pashë njerëz në oborr e kuptova që më e keqja kishte ndodhur vërtet. Deri në atë çast gjithçka më dukej një ëndërr. Ishte 5 marsi i vitit 1977.
Si do të zhvillohej funerali i Faik Ballancës, cilët morën pjesë dhe cilët e braktisin atë?
Në ato vite vetëvrasja ishte një veprim që dënohej politikisht. Nga Lidhja e Shkrimtarëve, Dritëro Agolli erdhi për ngushëllim para varrimit, por në varrimin e tij nuk mori pjesë as ai e asnjë nga kryesia. Madje as kurora nuk iu vunë. E vetmja kurorë ishte e një mikut të tij, një veteran lufte me emrin Stefan, i cili për shkak se kishte marrë tre plagë dhe e kishte parë vdekjen me sy, nuk donte t’ia dinte për rregullat e Partisë. Për vdekjen e Faik Ballancën nuk u shkrua asnjë resht në gazetën Drita. Ajo kaloi në heshtje të plotë.

Botuar në gazetën SHEKULLI më 27 prill 2013



Wednesday, July 20, 2016

"Martin Iden", ja përse duhet lexuar ky roman i shkruar nga Xhek London

Xhek London mbase nuk është shkrimtari tipik i parapëlqyer nga unë, por gjithsesi ai i ka dhënë botës letrare një vepër universale si romani “Martin Iden”. Kjo vepër është një gur kilometri, i cili duhet lexuar nga kushdo që pretendon se kërkon të ketë një formim letrar. Martin Iden, personazhi kryesor i romanit është një njeri krejt i rëndomtë, me një arsim të përgjysmuar e fjalor të kufizuar, që e siguron jetën nëpërmjet punës së lodhshme në det. Ai bie në dashuri dhe fejohet me Ruthin, një vajzë të shtresës së pasur. Një lidhje e tillë nuk shihet me sy të mirë nga askush. I vënë përballë një presioni të tillë, Martin Iden, me një vullnet të jashtëzakonshëm, jo vetëm përmirëson performancën e tij të sjelljes dhe të të folurit, por zbulon se brenda vetes ka dhuntinë e një shkrimtari. Me qëllim që të ngjitet në pozicione më të larta shoqërore,  dhe të jetë i denjë pranë të fejuarës së tij, ai braktis punët e thjeshta dhe i përkushtohet krijimtarisë letrare. Një gjë e tillë e fut dhe në një kolaps ekonomik. Mbas disa vitesh të dëshpëruara përpjekjesh, në përballje me gjithfarë sfidash e situatash, Iden humbet dhe motivin e jetës së tij, dashurinë e Ruthit. Pas kësaj goditjeje vijnë ditë të mbara. Krijimtaria e tij merret përsipër nga shtëpitë më të njohura botuese. Ai bëhet një shkrimtar i famshëm, gjë që i solli dhe shumë pasuri. Por e gjithë kjo përpjekje titanike e tij u shndërrua në një flluskë sapuni. Martin Iden i zhgënjyer nga gjithçka i jep fund jetës së vet. 
Ky libër më ka mbetur në kujtesë sepse e kam lexuar në një moshë kritike, jo më shumë se 14 vjeç, dhe në njëfarë mënyre u bë një busull orientuese.  Për mua nuk merr rëndësi fundi i romanit, zhgënjimi dhe vetëvrasja e personazhit kryesor. Mesazhet që unë kam marrë ishin ato të ambicjes dhe të vullnetit të jashtëzakonshëm të një njeriu, i cili nga asgjëja u ngjit në majat më të larta të shoqërisë. Ky besoj duhet të jetë një motiv për cilindo. Prandaj duhet lexuar “Martin Iden”.

Botuar në revistën GRAZIA - korrik 2015