Mund ta them qarte, dhe
pa frikë se ajo që ndodh me librin shkollor ka të bëjë veçse me një biznes, jo
të pastër. Nuk dua t’i hyj anës së tenderave, e të mos më ndijë kush se po
merrem me një investigim të tillë. Dua të them fare pak gjëra, që dalin thuajse
çdo ditë nga puna ime apo e bashkëshortes si prindër, me fëmijët tanë. Shqetësimi
mbi librat e fëmijëve. Kjo filloi që kur vajza jonë nisi klasën e parë. Fillimisht
i përballëm me një gabim në faqen e tretë. Rastësi, menduam.Nnë faqen shtatë
gjithashtu gabim, tre faqe më tutje gabim trashanik. Herë unë e herë gruaja,
filluan të ndiheshim në panik. Çfarë po u mësojnë fëmijëve në shkollë. E pra,
është Klasa e Parë. I fotografuam të gjitha gabimet e abetares së Klasës së Parë.
28 gjithsej. Kulmi. Mbi kapakun e Abetares, autori mbante firmën “Profesor
Doktor”. Alamet titulli. Mendova të bëja një shkrim diskreditues në gazetë.
Fundja për këtë punë paguhem, gazetar jam. Por hoqa dorë. As vetë se di pse u bëra
pesimist e mendova se halle të tilla të mëdha, nuk i zgjidh dot as media.
Librat tanimë janë një objekt tregu nga ku nxirren përfitime të mëdha. Aparatçikët
e minsitrisë së Arsimit, ose ndajnë paratë, ose janë në gjumë. Megjithatë iku
klasa e parë..., e dyta..., e treta. Nëpër libra gjeja gabime pa fund,
drejtshkrimore, llogjike, parimore, çfarë të doni ju. I mbylla sytë. Tani vajza
është në klasën e katërt. U rrit, e më pak nevojë ka për ne. Megjithatë jo më
larg se sot, datë 25 shtator 2012, mendova ta ndihmoja në detyrat e shtëpisë së
gjuhës. Ishin një tufë fjalësh me të cilat nxënësi duhet të bënte një tregim.
Dakord deri këtu. I hodha një sy kërkesës ku mes të tjerash më ranë në sy
fjalët “pazar” dhe “ofertë”. Nuk më besohej. Mbi kapak ishte shkruar “Gjuha
Shqipe”. Mendova se kishte të drejtë kryeministri kur deklaronte se me turqit
ishim vëllezër. Mirë fjala “pazar” po “ofert”-a çfarë kërkonte në tek “gjuha
shqipe”. Nuk dija nga tja mbaja, veç të shfryja dufin në eter. Vajza më
shikonte me habi. “Pazar” është fjalë turqisht, si te “Sulejmani i Madhërishëm”
- e sqarova unë. I acaruar i lashë kontrollin e detyrave përgjysmë. Në fund të
fundit të vajzës ishin, unë të mijat i kam pas bërë me një shqipe të kulluar,
sipas standardit të miratuar në Kongresin e ’72-shit. Por habitem thellësish me
tekstet e shkruara vitet e fundit. Nuk ka redaktorë, nuk ka filtra, dhe s’duhet
të ketë asnjë hallkë tjetër përderisa librat mësimorë për fëmijët dalin për
faqe të zezë. Nuk është e nevojshme të bëhet Kongres tjetër për të ndryshuar ‘72-shin,
gjuha është bombarduar nga fjalë e shprehi të huaja që shumë më bukur qëndrojnë
në shqip. Ndërsa viktimat janë fëmijët tanë, të cilët “Ok” që përdorët rëndom
në rrugë, së shpejti do ta mësojnë si shprehje të shqipes në tekst.
Thursday, March 1, 2018
Kur “pushtohet” qendra e qyteti
Tirana në ditë festash kthehet një qytet
mostër, as më pak e as më shumë se një emërtim i tillë. Sidomos, nëse për fat të
keq dita është me diell. Askujt të mos i vijë çudi e për më tepër keq. Tmerr i
vërtetë. Unë për vetë, lus Zotin, që për
Vitin e Ri, Shën Valentinin e Ditën e Punëtorëve, të bjerë shi me gjyma e të
përmbyten rrugët aq uji të shkojë në gju të kalit. Përndryshe bulevardi kryesor
i kryeqytetit dhe të gjitha rrugicat qorre kthehen në tubime njerëzish që mbajnë
tullumbacet nga njëra dorë e sufllaqet në dorën tjetër. Megjithatë nuk është se
e kam të keqen vetëm nga kjo. Herën e fundit, në ditët afër festës së 100
vjetorit të Pavarësisë, tentova që një mëngjes, pasi kisha çuar vajzën e madhe
në shkollë, të prisja bashkëshorten me djalin e vogël ndanë rrugës, që këtë të
fundit ta çonim në kopsht. Vetëm dhjetë minuta ngjau e gjitha dhe u betova se
kjo nuk do të ndodhte më, Më gënjeu mendja për pak ajër të pastër. Jo vetë
thjesht e mendova, por dhe e vura në zbatim këtë ide të çartur, për të zezën
time. Dhe gjithçka u përqendrua në një pritje të padurimtë. Nuk është se rruga
në fjalë, që çuditërisht ka marrë vlerën kryesore në Kryeqytet, por gjithsesi hyn
tek të rëndësishmet, përderisa quhet “Komuna e Parisit”, e që nuk di se për çfarë
arsye Bashkia e ka cilësuar “Medar Shtylla”. Humor emrash, si gjithmonë. Gjatë
kësaj kohë, gati të pa përfillshme, u ndesha me një fenomen “alla shqiptar” që,
në fund fare, pasi mora dhe djalin në krah, të mendoja me shpejtësi: të rrëmbeja
pasaportën biometrike nga vendi ku e kisha fshehur e të zhdukesha për kush e di
se ku. Bori makinash pa fund, bllokim rruge me motive nga më idiote, sherre dhe
ulërima njerëzish të denja për derrat e fermës së tipit të lartë, dhe ndotje masive
ambienti nga njerëz e kafshë së bashku që kishin dalë së bashku për të shkuar në
‘punë’. Kjo vlen vetëm për mëngjesin. Në drekë nuk më rastis thuajse kurrë të
jem në të njëjtin vend për shkak të punës time, përndryshe do të çmendesha nga
larmishmëria që më ofron modeli i sotëm ‘qytetar’. Por edhe kaq më lë të dal në
përfundimin. Që fshati ka rrethuar qytetin, këtë e kam komentuar në një përsiatje
tjetër, por që qyteti ka rrethuar kryeqytetin, këtë është hera e parë që po e
trajtoj. Në një rrugë të ngushtë, që Bashkia e ka lënë sa për të kaluar kuajt
dhe gomerët, kalojnë gjithfarë makinash, mercedesë e fuoristrada, të gjitha mora
e fundit, për të ta hequr kapakun e kokës. Që në këtë rrugë ka gjithfarë biznesmenësh,
që kohët e fundit lahen nëpër hidromasazhe dhe u hipin makinave me ajër të kondicionuar,
kjo nuk të habit. Por që në këtë rrugë përditë shëtisin me makina të shtrenjta gjithfarë
gomerësh, për aq sa rruga ka qenë e aplikuar pak vite më parë edhe kjo është një
gjë krejt e dukshme, nuk ka nevojë për raporte lokale. Sa për qendrën e
kryeqytetit, aty ku njerëzit orientohen
shumë më thjeshtë duke thënë: te Skënderbeu, është edhe më keq. Prej vitesh aty
nuk kaloj më shumë në një herë në tre-katër muaj.
Letërsia për fëmijë dhe edukimi i munguar
nga Leonard Veizi
E dini cila është industria më
fitimprurëse në fushën e botimeve? Nuk hyn tek “pyetjet enigmë”, dhe as tek “quiz”-et,
e siguroj lexuesin. Sepse ka mundësi që një pjesë e madhe e tyre ta dinë vërtet.
E pra, është letërsia për fëmijë. Sigurisht.
Po pse gjithë kjo siguri?!
Natyrisht nuk mund të ketë kontestime,
si fjala vjen: se, në fakt, industria më fitimprurëse e letrave mund (apo duhet
të ishte) ajo që cilësohet si letërsia e verdhë, ajo që ka ngjyrime rozë apo
ajo që mban mbi kopertinë emrat e mëdhenj të nobelistëve, domethënë safi
letërsi.
Por dhe kjo e ka një shpjegim:
Padyshim asnjë individi, pjesëtar
i një familjeje shqiptare, nuk mund t’ia imponosh dot, që në bibliotekën e shtëpisë,
të ketë një libër të Balzakut, Markesit apo Ismail Kadaresë. Por janë ata, fëmijët
e vegjël, të cilët arrijnë t’u imponohen më së miri prindërve të tyre që, të
blejnë pa kursim jo një, por kolana të tëra librash me ilustrime, për
parashkollorë apo me vlera për nxënësit e ciklit të ulët. Për shkak të
pjellorisë, të cilin si komb, vazhdojmë ta kemi në nivele të larta, fëmijë të
vegjël Shqipëria ka boll.
Ky është shkaku kryesor, përse
kjo letërsi është më fitimprurësja.
Këtë konstatim, në dukje fare të
lehtë, më shumë se kushdo e dinë vetë botuesit. Prandaj, në të gjitha rastet,
pasi kanë botuar Mopasanin, Tolstoin apo Servantesin, gjejnë mundësinë për të botuar
edhe nga një kolanë me tituj për fëmijë, kontingjenti i të cilave, pothuaj në të
gjitha rastet konsiderohet i shitur, në raste jo fort të rralla dhe në një kohë
rekord. 20 faqe me ngjyra, dhe një çmim i shtrenjtë kopertine në fund, i nxjerr
nga falimenti të gjithë ata që janë duke “u mbytur”, ndërsa të tjerëve që e kanë
kapur veten, ua ngroh xhepat më mirë se sa vetë titujt me emrin e Shekspirit,
Remarkut apo Hygoit.
Por nuk do të ndalemi këtu.
Gjithë problematika e fabulës,
nisi atëherë kur vajza ime e vogël 5-vjeçare m’u lut t’i lexoja një nga librat
me përralla, që ia kishim blerë me shumicë, me të vetmin mendim, edukimin e saj
që në fillesa. Për të thënë të vërtetën prej shumë vitesh nuk kisha lexuar as
edhe një rresht nga letërsia për parashkollorë. E megjithatë intuita më bëri të
përzgjedh një fabul, me protagonist arushin e famshëm “Pooh”. Ishte krejt e pabesueshme, që ndërsa vajza ime
5-vjeçare më ndiqte gjithë dëshirë teksa lexoja me zë të lartë, unë vetë nuk
isha i zoti të ndiqja dhe as ta kuptoja jo e jo esencën e fabulës. E lexova
deri në fund, dhe pastaj iu riktheva edhe një herë, kësaj radhe me zë të ulët,
domethënë “leksioni” nuk vlente më për vogëlushen, por për mua.
Kjo ishte sa për fillim. Më pas
mora përsipër të lexoja të gjithë literaturën për fëmijë që kisha në bibliotekë
dhe më rezultoi si më kryesore, gabimet ortografike, drejtshkrimore dhe më pas
logjike...
...Në fakt duhet t’ia filloja nga
fundi.
Gjithsesi, pyetja që shtrova me
vete, dhe pastaj e shkruajta për gazetën, duke menduar se padyshim është shumë
më tepër se sa ta thuash me zë të lartë, ishte: A kemi mundësi ne të edukojmë fëmijët
e këtij tranzicioni të stërzgjatur?
Pas kësaj mund të vijnë dhe një duzinë
pyetjesh të tjera por që me sa duket nuk kanë shumë vlerë.
Duke menduar se në një farë
mënyre, e njoh këtë fushë, më vjen keq të them se pjesa me e madhe e botimeve
(flasim gjithmonë për letërsinë e fëmijëve) nuk kalon në asnjë filtër
specialisti, redaktor apo korrektor letrar. Dhe e gjitha kjo bëhet për të pasur
një kosto sa më të lirë. Kështu, në mungesë të një literature serioze, stendat
e librarive janë mbushur me ato “performanca” që populli, në gjuhën e tij u
thotë akoma më shkurt: paçavure. Dhe kjo është padyshim, dhuratë e botuesve tanë.
Në këtë mënyrë, në vend që fëmijëve
t’u mësohet gjuha letrare shqipe, apo thënë ndryshe ajo e njehsuar, nuk po mund
të ruhemi dot, as nga ndërhyrja e dhunshme e fjalëve nga fjalorët e huaj dhe
natyrisht as dialektalizmave, kësaj here vendase.
Një nga shqetësimet e tjera që
dua të ngre në këtë shkrim të shkurtër është se në këtë mori botimesh, përralla
me fabula shqiptare ka shumë pak, edhe pse folklori ynë e ka furnizuar pafundësisht
këtë gjini. Por duket se ashtu siç e
thamë dhe më sipër, një kosto pak më e lartë apo pak më e ulët, varet pikërisht
nga kjo. Dhe e gjitha kjo padyshim që është në dëm të fëmijëve tanë, të këtij
brezi, dhe të atyre që do të vijnë më vonë, nëse asgjë nuk ndryshon.
Në udhëkryqin ku është shtruar shtypi
nga Leonard
Veizi
Nëse është vënë re, forca e shtypit ka rënë
ndjeshëm në Shqipërinë e viteve të fundit. Efekti më i madh është kur ato
lexohen nga ndonjë zë bas në emisionet televizive të mëngjesit. Gjithmonë e më
pak ka “skupe”. Më pak blerës ka gjithashtu edhe pse të gjitha gazetat
mbijetojnë duke lundruar në tregun informal. Titujt janë po ata që jemi mësuar
të shohim gjithmonë dhe nëse njëra “falimenton” dy të tjera ia zënë vendin
shpejt e shpejt. Por kjo nuk ka të bëjë me shqetësimin e këtij shkrimi. Tregu është
i lirë dhe vendimtari për këdo që ka qejf t’i futet “detit në këmbë”. Sot asnjë
prej gazetave nuk arrin të kapi një shifër standarde si ajo e dhjetë viteve më
parë ku shtypi që kryesonte tregun prodhohej apo shitej në 40 mijë kopje. Pesëmbëdhjetë
vite me parë steka e shitjeve ishte në një lartësi tjetër, gazeta kryesuese në
treg tregtonte 70 mijë kopje në ditë. Sot, maksimumi i gazetës kryesuese arrin
deri në 5 mijë kopje në ditë. Por kur ka ndonjë “të pabërë” në titullin e parë,
gazetë nuk gjen për bë në asnjë kioskë. Pra lexuesi është po aty, ai nuk të
tradhton. Mjafton ti japësh atë që kërkon. Gjatë analizës do të gjejmë fakte pa
fund, dhe fajin kryesor patjetër do t’ia hedhim dyluftimit me një kalorës të armatimit
të rëndë siç është televizioni, interneti ca më keq akoma. Të shpejtë, të
drejtpërdrejtë, ezaurues. “Lajmi më parë kalon nga ata”. E vërtetë. Falë kësaj
konkurrence, ç’është e vërteta edhe media e shkruar ka marrë masat e saj, është
thelluar më shumë në personazhe e dosserë, ka zgjeruar rubrika që kohë më parë
i mbanin në periferi, gjë që në një farë mënyre e ka nxjerrë nga rutina e
lajmit të transmetuar orë e pa orë nga media elektronike. Por nuk mendoj se është
vetëm kjo. Duket se ajo që i ul më së shumti pikët medias sot ka të bëjë me
mospublikimin e aferave korruptive, një gjë për të cilën vite më parë janë
hapur debate e gjyqe pa fund. Media sot përveç informacionit standard,
gjithmonë e më pak po e luan këtë rol, ndërsa vendin ku dikur publikoheshin
dosjet e korrupsionit sot e zënë faqet rozë me foto të këngëtareve e modeleve
toples. Pikërisht dhe këtu konkurrenca është bërë më e fortë. Nëse deri dje,
për shqiptarët e prapambetur, zhveshja e një femre në publik përbënte herezi,
tani shoqërohet me tifozllëk. Nuk ka rëndësi ajo që ke veshur, rëndësi ka të
jesh në treg, me çdo çmim. Gjithashtu më pak vend ka sot në faqet e gazetave për
suplementet letrare, por fjalëkryqi nuk mungon në asnjërën prej tyre, për të
gjithë mediokrit që mendojnë se ashtu si dhe”yçi”, - përdorur si batutë në një film artistik shqiptar, - u zhvillon
mendjen. Të paktën dy herë, që e kam ngritur si version të mundshëm, që njëra
prej gazetave në Shqipëri, të marri përsipër të botojë në një nga faqet inerte
të saj, letërsi artistike, sipas mënyrës europiano-perëndimore e më shumë asaj
amerikane, kanë rënë poshtë nga drejtuesit pa bërë më parë asnjë bilanc. Pra
ende nuk ka ardhur koha që në Shqipëri të kemi “bestseller” nëpërmjet shtypit
të ditës. Por natyrisht ka fituar pikë faqja me letrat nga populli dhe mbi të
gjitha ajo me këshilla mjekësore, që gjithashtu janë shërbime të domosdoshme,
sidomos për ata që mendojnë se me 30 lekët e gazetës, do kursejnë 2000 lekët e
vizitës tek mjeku privat. Në fund më duhet të them se shtypi shqiptar sot,
është në udhëkryq.
Botuar në revistën KULT
Kur fshati rrethon qytetin
Sot është e thjeshtë, që me pasaportë në
xhep, të marrësh rrugën e Rinasit, t’i hipësh avionit Boeing 777 në “Busness Class”,
e të zbresësh në këdo kryeqytet Evropian, aty ku ta do zemra. Ndërkohë është po
aq mbresëlënëse të marrësh furgonin-urbanin e bësh xhiro në periferinë e Tiranës,
me një biletë 30 lekëshe. Aty përballesh me një realitet tjetër. Nuk flas për
ndërtimin e vilave që të mahnitin. Kjo ka të bëjë vetëm me fasadën e asaj çka
fshihet pas mureve të suvatuara e oborreve që ndriçohen tejembanë me energjinë
e papaguar. Ajo që më bën fort përshtypje ka të bëjë me nivelin e të rinjve e
sidomos të fëmijëve që rriten në këto zona, herë informale e here gati për
legalizim. Këtu doja të ndalesha e jo tek ndryshimi i periferisë me dyqanet e
rrugës “Myslym Shyri”. Ta lëmë mënjanë këtë disnivel që nuk na nxjerr kund.
“E para është fjala”, thuhet në Bibël.
Me siguri, në shumë derivate e saj, mund të nxjerrësh dhe variantin: “Fjalën si
ta përdorësh”. E pra të duhen kjo xhiro për të kuptuar se si funksionon pjesa
tjetër e kryeqytetit, ajo që ndahet tek “vija e verdhë” plus-minus ca shtëpi më
tepër te të dyja anët. Besoj s’gaboj po të them se në këto zona nuk ka varfëri
duhani e pijesh alkoolike, por një varfëri ekstreme fjalori. E vetmja që nuk ka
nevojë për meremetime është fjalori i rrugës. Nuk pretendon njeri për vënien në
skenë të teatrit absurd, e as për ndonjë pasarelë mode, në këto zona. Dhe mbase
nuk është shumë e nevojshme, pasi në të gjitha shtëpitë, po të hysh, do të
gjesh televizorë “high definition”, marka e fundit. Por gjithsesi libraria a
biblioteka shkon për shtat kudo. Megjithatë këto vetëm sa tentojnë të zbusin një
nivel, të cilën me sa duket nuk arrin ta bëjë as shkolla. Frekuentimi i saj nga
fëmijët është krejt fakultativ, madje edhe kur pushteti ndërton një godinë
model. Dhe vetëm kaq të duhet të kuptosh se si sentenca e Mao Ce Dun-idesë,
“fshati rrethon qytetin” nuk ka të bëjë me një botëkuptim kinez, por është
kthyer në realitetin e trishtë shqiptar.
E bëra këtë performancë për të thënë se
ajo që po na mundon më së shumti sot është krimi, që më së shumti na vjen nga këto
shtresa. Lajmi i parë në masmedian sot ka në fokus vetëm këtë temë. Nuk di të
kem dëgjuar që: një inxhinier vrau një mësuese, apo një jurist i preu kokën
ekonomistes. E pra, krimi qëndron diku tjetër. Dhe nuk është vetëm se: “fshati
ka rrethuar qytetin”. kjo do të ishte vetëm një pjesë e vogël e të “keqes”.
Problemi është më i thellë se kaq. Këta njerëz, që nuk e dinë se rreth qendrës
së kryeqytetit ku kanë ardhur të jetojnë, ka kinema, shfaqe cirku, e panair
libri, po dominojnë dhunshëm mbi pjesën urbane. Mjaft që një pjesë e tyre ka nxjerrë
fëmijët të shesin cigare, të lypin, a të vjedhin. Dhe pas kësaj vjen krimi, me
fishekë luftarakë, apo armë të ftohta. Muajt e fundit kemi pasur bilance lufte.
E kështu, në BE apo jashtë saj, Shqipëria vazhdoj të jetë në kohën e
tranzicionit të saj, pabesueshmërisht të stërzgjatur e të pambarimtë.
Botuar në revistën KULT
Wednesday, February 14, 2018
Arian Leka: Letërsia, mjeti që më mbron nga cunami i lajmeve
Falë kërkesës
gjithmonë në rritje për letërsi omgj dhe shkrimtarë që punojnë me ngut e me
mall fason, letërsia si art, mezi arrin të mbijetojë.
![]() |
| Arian Leka - poet |
Nga Leonard
Veizi
E
kam dashur gjithmonë poezinë e tij, edhe pse nuk jam vënë në radhë e as jam
grindur me librarët për të marrë kopjen e fundit nga vëllimi i sapodalë. E dua
poezinë e tij,edhe pse nuk është nevoja që për t’i dhënë një kuptim estetik me
elozhe të skajshme,të bëj cilësime banale. Poezinë e tij e kam lexuar pa zë, në
“sheshin tim të xhirimit”, herë shtrirë mbi kanape e herë me këmbët vendosur
mbi jastëk, duke u vetëkënaqur me tingullin tim të brendshëm,të cilit në
vazhdimësi i rregulloja regjistrin që çakordohej me një mikster profesional
studiosh. Dhe si kisha mësuar dorën, kisha menduar pa dilemë gjithashtu se disa
poezi të miat, të hershme, do t’i nxirrja prej dosjes së harresës për t’u dhënë
të njëjtin ngjyrim. Por m’u zhvlerësua gjithçka kisha regjistruar në studion time
imagjinare, databaze me emra të koduar poetikë, kur në një ambient publik me plot
akustikë,poezitë mrekulluese të Arian Lekës i recitonte mrekullisht Timo
Flloko. Mund të mos ishin të tilla, veç mua ashtu m’u dukën atëherë dhe nëse do
të përsëritet e njëjta situatë,do të më duken edhe tani. E meqë ishim në
shtëpinë e Zotit, te Qendra Kulturore e Katedrales Ortodokse, isha gati të bëja
kryq e të ndizja një qiri, se pikërisht Ai, nuk më kishte lënë të bëja
marrëzinë time, të futesha në konkurrim me Arianin e Timon bashkë.E gjithë kjo
sa për hyrje, sepse për më tepër, Arian Leka flet vetë për lexuesit e gazetës
“Fjala”:
Tanimë karantina
cilësohet e mbyllur, por a kanë qenë frymëzuese për ju ditët e izolimit?
Tani
që duket se “lufta” po shkon drejt “armëpushimit” dhe “armiku i padukshëm”, me
sa duket, do të bashkëjetojë me ne, mund të them se për mua ishte një gjendje e
tendosur, aspak krijuese dhe e pakëndshme herë-herë.Mbyllja nuk luajti ndonjë
rol kryesor, izolimi i detyrueshëm, po. Nga fëmijëria unë jetoj brenda një
urdhri pune e disipline, që i ngjan vetëmbylljes me pëlqim, por kthimi në
regjimin e detyrimit, përcaktimi prej të tjerëve i orareve të tua, sigurisht që
krijoi kundërshtim. Por, ngaqë me frymëzim unë kuptoj gjendje tjetër, them se
bëra ndonjë përpjekje, shpesh të kotë, për të kuptuar diçka më shumë nga sa
ndodhte dhe nga sa na paraqitej. Edhe pse mes shumë të panjohurash dhe
paqartësish (që sigurisht do të qartësohen më vonë, kur të mos i hyjnë kujt në
punë, veç historisë), diçka u bë e kuptueshme. Ishim të thyeshëm, të pambrojtur
e të papërgatitur, të trembur e të manipulueshëm, deri në komizëm tragjik. Vura
re se komunikimi i një qytetërimi pa frymëzim,si ky në të cilin jetojmë, me
botën e epidemive na bëri të rivlerësojmë marrëdhënien me falsitetin, që zgjodhi
maskat dhe dorezat për simbolikë. Gjithë sa proverbat, si anatomi e sistemit
shoqëror, na kishin këshilluar (“fol pa dorashka!”, “hiqe maskën!”) u
zhvleftësuan. Miti “i mesdhetarit dhe ballkanasit të ngrohtë”, që shpreh çdo
gjë me përqafim, u shkërmoq atypëraty.Nga të vetëkënaqur, të mllefosur,
nacionalistë, ksenofobë dhe arrogantë,
pothuajse të gjithë popujt, përfaqësuar nga liderët e tyre dritëplotë,
u shndërruan në lypsarë. Mbetëm me sytë nga qielli, prej nga mbërrinin ndihma dhe
me sy nga tabelat e rishpërndarjes së pasurisë së Bashkimit Evropian.Kujt i
vlejti krekosja, institucionet, kur u gjendëm aq të papërgatitur? Po
institucionet? Eufemizmi, edhe në këtë rast u gjet. Ç’ishte cinizëm, u quajt
solidaritet. Një gjendje e tillë, zakonisht prodhon më shumë frikë sesa art, më
shumë çoroditje sesa përqendrim. Por gjendje si këto mund të jenë nxitëse për
të mbajtur shënime, për të kryer vëzhgime a ndoshta për të filluar ndonjë prozë
distopish a dialogë komedish të zeza. Gjendja shtypëse, që krijohet gjatë
izolimit, jeta në duart e të tjerëve, mungesa e përgatitjes dhe e edukimit mbi
ndodhi të tilla, sjellin para nesh fytyrëne çmendurisë, histerinë
kolektive,shtetëzimin e lirive dhe ringjalljen e formave të fobive shoqërore. Pashë se jo rrallë
mbyllja, izolimi dhe këqyrja e tjetrit
si armik kaloi nga ndrydhja në histeri.Krahas solidaritetit, mendjelehtësisë së
fillimit apo ndjenjës së egoizmit ekstrem, dëgjova pashpirtësi në komunikimet
mes njerëzve, ndjeva sadizëm, shfaqje dhune dhe kënaqësi nga dhunimi fizik,
psikologjik e kulturor ndaj tjetrit. Ata që dinë të përfitojnë gjithmonë nga
gjendje të tilla janë politikanët dhe njerëzit në pushtet.Në një mënyrë, nga
gjendje të tilla “përfitojnë” dhe artet, kur dinë të nxjerrin lëndë nga
ndodhitë dhe ngjarjet me turma e politikanë që, ndonëse pretendojnë shumë,janë
gjithmonë e më pak“guru” frymëzues të kombeve të tyre. Në kohën kur jo pak nga
mediet kanë hyrë në shërbim e janë radhitur nën armë, krijimtaria artistike ka
ende hapësirë për rebelim, për ta bërë të dukshme që gjithë sa politikanët
prodhojnë është mbivlerësuar, njëlloj siç është mbivlerësuar edhe
inteligjenca,mirëdashja, kultura apo aftësia e tyre qeverisëse. Artet, proza
sidomos dhe veprat skenike, mund të vëzhgojnë se ligjet dhe veprimet e tyre (me
gjithë ambiciet, vepra zor se do të kenë) janë pjesë e së përkohshmes, ato mund
ta bëjnë qesharake “krenarinë dhe të lavdishmen”e pretenduar deri në
shpërdorim, ato mund të tregojnë se në shoqëri pa kulturë demokratike, si kjo e
jona dhe të ngjashmet e saj në Evropën Juglindore, hija e fronit mbretëror rri
galiç në trurin e çdokujt që qeveris a drejton, qoftë edhe në periferi.Të gjitha
këto instinkte pandemia i vuri në provë e në veprim. Por në vendet me liri të kontrolluar,
në një pikë njeriu vazhdon të jetë i lirë të zgjedhë diçka. Ai e ka ende lirinë
të zgjedhë mënyrën dhe mjetin për t’u vetëposhtëruar.
Leximi apo
krijimtaria,cila ka qenë parësore në
ditët e izolimit?
Kam
lexuar më shumë, sesa kam shkruar, duke u kujdesur me sa munda t’i rrija disi
më larg kompjuterit dhe çdo forme të ekranit. Mund të kem humbur shumë por,
mendova se kjo ishte mënyra ime, ndoshta jo më e mira, për të krijuar largësi
nga cunami i lajmeve, jo gjithmonë të dobishme. Më dukej sikur dëgjoja: - Je
ankuar gjithmonë se nuk ke kohë! Ja ku e ke tani. 24 në 24 orë. Kohën e fituar
ia kushtova leximit. Librave të palexuar dhe leximit të teksteve të mia, si
përmirësim, korrekturë, plotësim detajesh.Kisha kohë pra, të hyja me kujdes më
në thelb të çdo fjale të përdorur nga unë, të hulumtoja kuptime të tjera,
përdorimin e së njëjtës fjalë në poezi, në prozë a në përditshmëri. Desha që
teksti të mos ushtronte presion ndaj lexuesit, sidomos me fjalë aktivizmi,
fraza politike, slogane e klishe, që i gjemë dendur në letërsinë e sotme, thua
se mes letërsisë dhe gjuhës e stilit të medias, nuk ka më dallim, thua se
letërsia nuk është më art, por thjesht komunikim. Unë e çmoj angazhimin
domethënës të artit, e çmoj edhe aktivizmin, por jo deri sa kjo përditshmëri
frazash, klishesh e sloganesh të shkatërrojë kërkimin për stil, kërkesën për
art, imagjinatë dhe atë që është mirëfilli krijimtari letrare.Falë kërkesës
gjithmonë në rritje për letërsi omgj dhe shkrimtarë që punojnë me ngut e me
mall fason, letërsia si art, mezi arrin të mbijetojë.
Në kushte të
tilla, a janë treguar të gatshëm bashkëpunëtorët tuaj që ju të vazhdoni të
nxirrni revistën “Poeteka”?
Në
këtë pikë besoj se bashkëpunimi i autorëve dhe përkthyesve me revistën
“Poeteka” ka qenë i mirë. Arritëm të përfundojmë numrin 54 të revistës dhe të
përgatisim për shtyp numrin 55, në të cilët lexuesi shpresoj të vlerësojë jo
vetëm “kokëfortësinë” për të vazhduar edhe në kohë shkretimi, por edhe cilësinë
letrare. Janërreth 400 faqe të reja, të papublikuara më parë,zgjedhur me
përkushtim e kujdes.Në to paraqitet letërsi e artnga D.Kiš, M.Velo, A.Lushi, A.Cupşa,N.Sardžoska, S.Temali, L.Haziri, R.Soler, L.Ahmeti, R.Ismaili, H.Meçaj, I.Diaconsecu, K.Fragkeskaki, A.Swirszczynska,D.Drndić eA.Dielli.Ka përkthime tëC.Milosz-ite W.Szymborska-s,
sjellë në shqip nga P.Çina, të J.Prevert, nga E.Bido, tëE.Jabès, nga
M.Karafilaj, të K.Jaio, nga Valbona Sulçe, të J.Brown
– fitues i çmimit Pulitzer 2020,tëW.Borchert-in,
nga B.Spahia, siç ka edhe kritikë
letrare mbi G.Perliçevin, nga A.Mustafa, P.Palushi mbi letërsinë e S.Peposhit, A.Jurukovska-s mbi F.Parmakovska-n
dhe L.Dimkovska-n,
studimengaS.Risto,
S.Leka e B.Shalarietj. Veç kësaj, ka pasur edhe një tjetër lajm të mirë në lidhje
me “Poetekën” dhe ata që bashkëpunojnë me të. Pas anëtarësimit në “Eurozone”–
një nga rrjetet më rëndësishme të revistave kulturore evropiane, “Poeteka”
tanimë është edhe pjesë e “Versopolis”.
A mund të
përbëjë ky precedent (pra ditët në karantinë) një motiv që në të ardhmen të kemi
prozë dhe vargje rreth saj?
Ndoshta!
Gjatë periudhës së mbylljes kam bashkëpunuar me grupe të ndryshme shkrimtarësh,
herë për eksperimente letrare, si në rastin e 50 poetëve nga bota, që morëm
pjesë në projektin letrar “poezi në rrjedhë–metafora e fundit të izolimit” dhe
herë me punë përkthimore, si në rastin e poetes kineze Yin Xiaoyuan, e cila ka
përkthyer dhe paraqitur për lexuesin kinez një cikël poezish në format audio
dhe të shtypur. Kjo periudhë mbylljeje përkoi edhe me botimin në Vjenë të fact/fiction-it
tim, me titull “Where Does Light Come From?Prej
nga vjen Drita?”, si pjesë e “Circle-Surface-Sun:
from somewhere in the Mediterranean”, botuar ngaShtëpia Botuese vjeneze
SCHLEBRUGGE.EDITOR. Në Berlin, gjithashtu, në fund të muajit maj, doli në
qarkullim edhe libri im me titull “ENVER UND SEIN PARADIES Illusionen und
Propaganda im kommunistischen Albanien.”
--------------------------------------------------------
Perceptim mbi një poemë të palexuar
Përsiatje
nga Leonard Veizi
Vargjet
janë aty, por varet si ti i lexon.
Se
televizori qëllon hapur dhe në ekranin 50 inç trasmetohet një nga ndeshjet e
Champion Liga, centrifuga e lavatriçes ka marrë superxhirot dhe procesi i
larjes së të brendshmeve nuk ka ndër mend të mbarojë, ndërsa në sobën me
korrent uji që vlon pret një dorë oriz apo makaronat e gjata si turjelë. Dhe
për çudi, në këtë “magji” kakofonie, ti vazhdon të lexosh poezi.
Djalli
e marrtë
Dashuria në
vjeshtë është bimë fatkeqe.
Frutat lind nën
dhè, në errësirë.
Dhe lulet nuk i
rrojnë gjatë, as gjethet.
Fëmijë të
thjeshtë, pa bekim, ardhur ditën, ikur natën.
Pagëzuar me ujë
të zi dhe me baltë.
Ç’po
ndodh kështu...?
Mund
t’i perceptosh tërësisht vargjet edhe pse decibeli i zhurmave ka ardhur në
rritje, pasi “filarmonisë” i është shtuar uturima e makinës fshirëse, e cila ka
marrë tapetin tej e tej, ashtu siç mund të mos e kuptosh fare çfarë thuhet në
to edhe kur në nerva e sipër stakon çelësin e automatin për të krijuar një
qetësi absolute dhe krejt boshe.
E
mbyll librin dhe e rihap, sepse gjithmonë do gjesh një arsye për ta lexuar apo
për ta lënë mbi tavolinë. Dhe gjithmonë do të gjesh një arsye për të
justifikuar mospërqendrimin tënd ndaj vargut: sepse, ose dielli i plazhit të ka
rënë në kokë dhe kërkon të hidhesh me kokë në pishinë, ose shkreptimat që
shoqërojnë shiun rrëzëgjerë të kanë tronditur me krismat e tyre të thata.
Dashuria në
vjeshtë ishte bimë fatkeqe.
Që nga lulja,
fruti dhe gjethja mbi të cilën
e gjelbra shkon
pa i hapur udhë të blertës.
Poezia
është aty, por varet kush e reciton.
Mund
të jetë gjimnazist i pasionuar më zë ende të papjekur mirë, apo një student i
artit dramatik që ka marrë veç pak leksione nga e folura skenike. Dhe ti ende
nuk e shijon. Sepse, në fund të fundit po kërkon diçka që mendon se është afër
përsosmërisë, diçka që mbase nuk ekziston, por që ti çuditërisht vazhdon ta
kërkosh e ta kërkosh.
Dhe ku unë.
Me të vetmen
formë që më ka mbetur.
Atë të gjilpërës
së madhe, me një sy,
më duhet të
futem në trupin tënd të lodhur.
Të qep gjithë sa
shqepa vetë
dhe gjithë sa
gjeta të shqepur tek ti”.
“Ndreqje
Gabimesh”. Kështu quhet poema. Dhe vjen qetësisht tek ty, për t’u futur pak nga
pak në tërësinë tënde, deri në inde. Duhet një recitues të mirë, edhe një
tjetër... një skenë e hijshme dhe një koreografi e çartur...
Dhe
kaq për të bërë spektaklin, asgjë më shumë s’ka vlerë.
Ndreqja e
gabimit të vjetër
me një gabim të
ri
ishte rritje.
Dalje nga
vetvetja,
dëfrim.
Sepse,
nëse ajo çfarë ke menduar në tërësinë tënde tek deliron në një çast magjiplotë
del nga goja e një aktori brilant, gjithçka merr vlerën e duhur.
Poezia
është aty, por varet si e lexon. Apo... varet apo kush ta lexon.
Arian
Leka ia kishte besuar vargjet e tij Timo Fllokos.Botuar në:
Friday, February 9, 2018
Leksion i hapur nga Shirli Valentina
Impresione pas një premiere në
Teatrin Kombëtar
Teatrin Kombëtar
nga
Leonard Veizi
Në ndarjet e sotme administrative të hartës së botës, e më konkretisht në Evropë, për të cilën thuhet se është një kontinent i plakur e largqoftë jashtë mode, duket se pushteti i burrave ka dominuar po aq shumë në pragun e mijëvjeçarit të tretë, sa dhe në mesjetën e hershme e obskurantiste. Këtë na jep të kuptojmë një autor anglez, Willy Russell, nëpërmjet një personazhi shkruar prej tij e që quhet Shirli Valentina.
Komedia e njohur angleze, e shkruar në vitet ’80 të shekullit të kaluar, në
vitin 1988 do të ishte dhe fituese e çmimit “Lorenc Oliver” si komedia më e
mirë e vitit. Por në gamën e famës së saj përtej Britanisë erdhi edhe në shqip
për publikun e kryeqytetit, pasi kishte kaluar më parë bankëprovën në skenën e
teatrit të Durrësit.
Shirli Valentina u bë e famshme, jo vetëm në Liverpul, ku jetonte si një grua
shtëpie që veç lante dhe gatuante për bashkëshortin e saj Tom e dy fëmijët e
tyre ekscentrik, por dhe në ishullin turistik grek të San Torinit, ku pas
vitesh monotonie do të gjente çlirimin dhe jetën e vërtetë.
E megjithëse lëvizja feministe mund të quhej si e ezauruar në Anglinë e
fundshekullit të kaluar, duket se Liverpuli, Londra apo Mançesteri kishin ende
nevojë për një rifreskim të protestave masive, qoftë edhe nëpërmjet revoltës me
tone të buta, por shumë domethënëse lëshuar në eter nga një grua e vetme, me
moshë 42 vjeç, që ndryshe cilësohet dhe si një "middle..." apo
mesogrua.
Driada Dervishi si regjisore, kishte zgjedhur një aktore si Olta Dakun për
të frymuar Shirli Valentinën. Duket se me këtë zgjedhje inteligjente,
regjisorja, që paradokohësh na njohu me një nga bëmat e vështira të Pirandelos,
kishte futur afrofe në xhep dhe suksesin. Dalja e saj në fund të shfaqjes vetëm
sa konfirmonte gjithçka flitej, përpara se komedia të jepej premierë: suksesin
e garantuar.
Nga ana e saj Olta Daku e solli Shirli Valentinën të plotë, jo si një
angleze shtëpiake, por si një shqiptare të tillë, - që gjendet pa vështirësi nga Unaza e tutje, - me batuta të përshtatura për
realitetin ku jetojmë, gjë që sillte vazhdimisht ngacmimin e platesë, ku
ndoshta gabohem, por dukej se dominohej nga spektatori femër. Pra, ishte si një
leksion i hapur, për ato që i vunë mend e u thelluan dhe jo për ndonjë që mund
të kishte ardhur me qëllim për të ekspozuar rrobat e reja firmato, "prej
mëndafshi".
Leksion thashë...? Mos u gabova gjë? Se, kush di të marrë leksione, kërkon t'i
zbatojë ato edhe në jetë.
Po a thua që një komedi e tillë, me kripë e piper bashkë, të bëhet shkak
për të filluar një lëvizje feministe edhe në Shqipëri?
Ndoshta.
"Viva la Revolution".
Sepse ne shqiptarët kemi shumë etapa të padjegura. E duhen djegur ca prej
tyre se ndryshe marrim flakë për fare. Vetëm se zakonisht ndodh që kur këto
etapa, të cilat Perëndimi i ka kaluar një shekull më parë, duam t’i implementojmë me
nja dy a tri kohë vonesë bëhemi qesharakë sa më s’ka.
Por ta lëmë mënjanë lëvizjen feministe, meqenëse gratë kanë fituar goxha të
drejta, e po lulëzojnë në Parlament e Qeveri, dhe të vijmë te komedia.
Mes dilemash të mëdha, Shirli Valentina vendosi të largohej nga jeta e saj
monotone prej mjeraneje dhe të hapte një kapitull të ri, ku për çudi do të
zbulonte jo vetëm dashurinë për veten, por dhe... seksin me një burrë vendas, të
paprovuar kurrë më parë si të tillë. Dhe këtë, mesogruaja angleze e gjeti
pikërisht në Greqi. Tani, gojët e liga mund të thonë se, “ç’donte Shirli në
Greqi mor amani kur kishte Shqipërinë si shpirt. Ja, një "vrap pele" larg, se afër jemi, kufiri na ndan. Helbete po të kishte kaluar nga nahija jonë, mjerë Shirli çdo të
hiqte e çfarë zbulimesh do të kishte bërë. Hata fare. Se këtej hamshorët
bridhnin rrugëve të hazdisur e pa fre”. Por ja që në ato vite kur autorit iu
tek të shkruante këtë komedi sociale, Shqipëria nuk hynte në axhendën e askujt,
sepse për shëndetin tonë të tepruar nuk ishim as me Lindjen as me Perëndimin.
Shkurt nuk ishim më asnjë. E për pasojë Shirli Valentina nuk mund të kalonte
mbi Shqipëri as me avionin e linjës “British Airways” dhe as me “Olympic”-un e
Athinës, se si mjete fluturuese të paidentifikuara do te asgjësoheshin nga
bateritë kundërajrore të Babicës dhe ato të Karaburunit. Por gjithsesi, ajo
erdhi me më shumë se 30 vite vonesë për të na rikujtuar edhe një herë se
teknologjia e ka lëvizur botën në mënyrë të skajshme, por jo mentalitetin njerëzor,
e për më tepër mentalitetin e një mashkulli.
Këto mendime që po shpreh në këtë shkrim të shkurtër janë thjeshtë të një
spektatori, i cili e ndoqi shfaqjen nga lozha, e pëlqeu dhe e shijoi atë në çdo
detaj, në regji, lojë aktori e skenografi. E mbi të gjitha, në humorin aq fin të
anglezit Willy Russell. Se bën vaki vënia në skenë nuk ishte kurrkund, me
teknikë të gabuar, mizanskena të pavendosura mirë... e ku ta di unë se çfarë,
që thënë troç, syri im i pavëmendshëm s'i kap dot. Por nisur nga niveli i të qeshurave
dhe duartrokitjeve të vazhdueshme, them se sprova kaloi e pastër dhe pa ngërçe.
E në këtë mënyrë mora rolin e një zëdhënësi, ku edhe pse mund të refuzohem nga
shumica absolute e spektatorëve të pranishëm, them përsëri se shpreh mendimin e
shumicës absolute të tyre në natën premierë të Tiranës, të atyre që ndoshta
s’kanë shumë dhunti për të shkruar, e as mundësi për të botuar materiale
publicistike, sidomos në një revistë me prestigj të lartë si “Psikologjia”.Botuar në:
Sunday, January 14, 2018
Punonjësit e administratës dhe gaztorët e një mbreti të vdekur
-Pas premierës së shfaqjes “Vdiq mbreti,
rroftë mbreti” shkruar nga Ferdinand Hysi-
nga Leonard Veizi
Një shoqëri, jo rrallë bie në krizë. Ndërsa mundësia që
vetë kriza të shoqërohet dhe më një luftë frontale apo demonstrim armësh
nukleare, është ulur në kufijtë më minimalë të saj. Shoqëria shqiptare padyshim
nuk mund të bëjë përjashtim nga ky tërmet global, në mos po vetë kriza është
shtruar këmbëkryq mbi territorin shtetëror të saj e nuk ka ndër mend të ngrihet.
Ndërsa institucionet propagandojnë mbajtjen nën kontroll të problematikës, arti
e pasqyron atë sipas një këndvështrimi të lëvizshëm, herë me tone dramatike e
herë si satirë a grotesk.
Në garën e fortë të nihilizmit, atëherë kur vet mosbesimi
është kthyer në modë, dukesh fals a ndoshta fare idiot nëse thua dy fjalë që mendon
se duhet t’i japin fund vetë inatit të verbër dhe sharjes vençe që i bëjmë njëri-tjetrit,
sidomos kur luajmë në të njëjtën fushë e për më tepër me të njëjtat mjete. Në
fakt, thelbi i shprehjes është pak më racional nga sa mund ta imagjinosh në mënyrë
filozofike ose fare absurde: mjaft me këto marrëzira!
Për dramën shqipe e kam fjalën. Dhe kur them dramën nënkuptoj
dhe komedinë. Por nuk kam ndër mend të bëj ndonjë autopsi të saj, se edhe nëse
e shkruaj, nuk ka njeri nge e kohë ta lexojë. Jetojmë epokën e break news. Gjërat ose duhen thënë
shkurt ose duhen pasqyruar me imazhe.
Gjithsesi do të shkruaj pak reshta nisur nga një fakt konkret: vënien në
skenë nga regjisorja Elma Doresi të një komedie-satirë shkruar nga Ferdinand
Hysi “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”.
Edhe sot vazhdon të vihet në dyshim qenësia e dramës
shqipe, e për më tepër ngjitja e saj në skenën e Teatrit Kombëtar. Por kjo
duket si një temë e tejkaluar prej kohësh. Ferdinand Hysi, një prej dramaturgëve
tanë më të mirë, na e tregoi këtë jo me ndonjë kumtesë hulumtuese, por me një
shfaqje, premiera e të cilës përkoi me të shtunën e 13 janarit 2018. Mora si
shembull Ferdinand Hysnin pasi në harkun kohor të tre muajve, dy pjesë të tij
janë ngjitur në skenë, që do të thotë se drama shqipe vazhdon traditën e saj,
madje të suksesshme. Por në këtë vorbull vërtiten dhe dramaturgë të tjerë si
Bashkim Hoxha, Stefan Çapaliku e Bashkim Kozeli, të cilët nuk e kanë lënë bosh
hapësirën e krijuar padrejtësisht nga amatoristët që ishin gati të
shkruanin mes dy godinave atje ku sot
qëndron sentenca “#ejanëteatër#” shprehjen tjetër më konfuze “#shtetitnëtranzicion#”.
Vetë regjisorja e shfaqjes Elma Doresi, veç një Shekspiri
me sukses të garantuar si “Zbutja e Kryeneçes”, apo “14 vjeç dhëndër” të
Çajupit, ka ngjitur në skenë komedi shqipe, të zbuluarën nga pluhuri i harresës
si: “Nusja në thes” shkruar prej Hekuran Zhitit, pa përmendur këtu dhe
bashkëpunimin tjetër të saj po me Ferdinand Hysnin, “Tri mendje në ankand” e
cila u shoqërua edhe me çmime nga pas.
Pra kemi dramë shqipe. Edhe komedi natyrisht.
Maratona drejt veprave të huaja, herë me dy aktorë e herë me tre,
skenografi të sajuar nga materialet e rekuizitës dhe kostume të marra borxh ka
kaluar me kohë. Teatri dhe vetë skena e tij është po aq dinjitoz sa dhe 35 vite
më parë kur mendohej se kishte kapur majat. Por spektatori shqiptar kërkon edhe
një ngjarje me mendësi shqipçe, ku “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” vjen si një
apel mbi problematikën që ndeshet rëndom në administratën shtetërore,
korrupsionin dhe matrapazllëqet e vogla, të cilat ngadalësojnë procesin e
shtetit si një makineri universale me ingranazhe të dalë nga boshti.
Pra, jemi në ditët ku drama shqipe duket se e ka gjetur hapësirën e duhur
dhe jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por dhe në atë Eksperimental, të Metropolit,
tek “Aleksandër Moisiu” në Durrës e “Andon
Zako Çajupi“ në Korçë,
“Petro Marko“ në Vlorë e “Migjeni’ në Shkodër.
Mendimin tim për komedinë me satirën e hollë shkruar nga Ferdinand Hysi “Vdiq
mbreti, rroftë mbreti” do ta përmbledh me fjalët e personazhit Çesk, i cili duke
iu drejtuar publikut thotë se ata, nëpunës të shtetit me kostum e kravata, në
fakt janë kthyer në gaztorë të mbretit. Një drejtor vdes, një tjetër i zë
vendin. “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”. Nëpunësit janë gjithmonë me atë që merr
frenat në duar, pasi kanë qarë atë që u ka marrë shpirtin. Por mbijetesa... U
duhet të ruajnë vendin e punës, duke u treguar të zellshëm, që nga transmetimi i
informacionit paraprak deri te dhënia e trupit ku drejtori mund të relaksohet.
Dhe si gjithmonë, ligjin e bën një më lart se të gjithë këta, ai që ka para sa
mund të blejë gjithçka.
Dhe për më tej shfaqja merr vlerat e vërteta nga loja e mrekullueshme e aktorëve: Rajmonda Bulku, Gladiola Harizaj, Dritan Boriçi, Klod Hoxha, Klea Huta e Devis Muka, ku padyshim kanë shkëlqyer me protagonizmin e tyre Sokol Angjeli e Bujar Asqeriu.
Dhe për më tej shfaqja merr vlerat e vërteta nga loja e mrekullueshme e aktorëve: Rajmonda Bulku, Gladiola Harizaj, Dritan Boriçi, Klod Hoxha, Klea Huta e Devis Muka, ku padyshim kanë shkëlqyer me protagonizmin e tyre Sokol Angjeli e Bujar Asqeriu.
Tuesday, January 9, 2018
Parathënie / Vëllezërit e bashkuar të Polikumit
nga Leonard Veizi
Nuk
kishte asnjë vështirësi që në Tiranën e viteve ‘90, me xhiro në bulevard dhe
mbledhje njerëzish tek shkallët e Pallatit të Kulturës, të gjeje rëndom një
person, i cili me një vetëmburrje të çlirët e të pakontestueshme, të shprehej
se shkollën e mesme e kishte bërë tek “Politeknikumi”. Për më tepër, nëse
bëheshin më shumë se dy të tillë në të njëjtin grup, qoftë dhe të brezave të
ndryshëm dhe aspak nga i njëjti qytet, biseda rreth jetës në korridoret apo
oborrin e shkollës, marrëdhënies me mësues konkretë por dhe rrëfenjat për bëmat
e nxënësve të spikatur, merrte “flakë” menjëherë. Pa dyshim, një gjë e tillë
ndodhte ne çdo gjimnaz, të kryeqytetit apo të çdo rrethi të ishin, por ajo që
transmetohej në ambientet e Politeknikumit merrte një trajtë disi më të veçantë.
Në
këtë mënyrë “Djemtë e Politeknikumit”, i shkruar nga një shok “armësh” si Piro
Jani, vjen pas kaq vitesh për të na trazuar dhe një herë kujtesën e ditëve të
nxehta të adoleshencës a rinisë së hershme, ku në një vend që për së voni
mësuam se quhej “diktaturë” ne gëzonim një liri të patrajtuar, ndoshta të
imponuar për shkaqe nga më ambiciozet.
Ç’është
e vërteta, maturat e pas viteve ’80, nuk gëzuan ngjarjet e mëdha që ndodhën 10
apo 15 vjet para tyre e që kulmuan në botën perëndimore me protestat para
Shtëpisë së Bardhë kundër luftës në Vietnam, revoltat e studentëve në Francë e
Itali, revolucionin seksual, modën e hipive apo koncertin madhështor në fushën
e Utstokut britanik ku bandat e muzikës rrok uleshin në skenën e improvizuar e
të rrethuar nga turma njerëzish të dehur e të palarë, me helikopter. E gjitha
kjo kërkonte të thoshte se në Evropën e plakur dhe Amerikën dinamike po frynte
një erë e re konceptesh, e cila depërtoi përmes murit rrethues dhe në
Shqipërinë arkaike, por në një miniaturë gati të shëmtuar e aspak origjinale,
për shkak të presionit që vinte nga ana tjetër e globit. Pantallona kauboj,
flokë të gjata e baseta poshtë veshit, ishin modelet e reja, aspak të
përshtatshme për moralin socialist. E megjithatë ishte një kohë e artë dhe e pa
mbytur nga “dacibaot” dhe shtrëngesat e modifikuara të revolucionit kulturor,
që për çudinë e të gjithëve u “implementua” si një zbulim nga Lindja e Largme.
Në një kohë të tillë “dekadence” kur radio shqiptare hidhte në eter këngët e
Bitëllsave, ndërsa në ekranin e televizorit mund të shije një Marlon Brandon
pervers apo një narkotik si Xhimi Morrison, edhe në jetën e në një prej
shkollave të mesme emblemë të kryeqytetit, u shfaq dukshëm e pa keqkuptime një
frazë që më pas do të përdorej si gogol persekutimi, e që simbolizohej në tre
germa të pakapshme e fare të deshifrueshme për fillestarët e të huajt jashtë
murrit rrethues: “PBC”. Imazhi i kodifikuar, që mbushi faqet e fletoreve,
librat, u gdhend nëpër banka dhe në llërët e meshkujve si tatuazh ekzotik, në
anglishten zyrtare transkriptohej: “Polikum Brothers Company”, ndërsa në shqip
përkthehej si: “Vëllezërit e bashkuar të polikumit”. Ishte një shprehje e
bukur, që dukej gati hyjnore, por që ishte po aq e frikshme, pasi kjo emërtesë
gjysmëzyrtare, fuste në të njëjtin rreth të gjithë ata që me qejf apo krejt pa
dëshirë kishin futur emrat në regjistrat themeltarë të shkollës, qysh prej
themelimit të saj nga një “armik” amerikan si Harri Fullc.
Në
vitin 2013, kohë kur libri “Djemtë e Politeknikumit” të autorit Piro Jani, del
në qarkullim, gjithçka ka ndryshuar. Ndërsa në faqet e tij gjithkush prej atyre
që kanë qenë pjesë e armatës së madhe të “PBC”-së padyshim që gjen vetveten dhe
ndjen emocionet e një kohe të shkuar tashmë. Gjenden në faqet e këtij libri
emra shokësh të harruar dhe mësuesish me vlera. Kalojnë para sysh, si në një
film te vjetër e të restauruar, kabinete metodikë e ambiente argëtimi nga më të
rrallat, aktivitete masash dhe parakalime me hap rreshtor e lule në duar për
udhëheqësit në tribunë. Por gjithashtu të jepet mundësia të kujtosh dhe të
pabërat e atyre brezave që mundoheshin t’i shpëtonin çdo lloj kufizimi me
koston më të ulët të mundshme. Duke lexuar faqet e këtij libri gjithkush nga ne
do të ndeshet me një Tiranë më të vjetër, e ndoshta më të bukur se sot, ku
pikat nevralgjike të saj të koduar me emra spontan, kishin një vlerë krejt
universale. Ishte një botë ku gjithkush që kërkonte të bëhej pjesë e saj do të
paguante një haraç të vogël, tjetërsimin e shijeve të jetës, të zakoneve,
zhargonit e madje dhe të zanoreve në shqiptim, për të qenë pjesë e atij rrethi
qe prej kohësh kishte marrë qytetarinë e pakundërshtueshme e që përmblidhej në
një togfjalësh të vetëm dialektor: “Çunat e Tironës”.
Botuar në gazetën NACIONAL
Monday, January 8, 2018
“E Drejta e Autorit”, sfidë ndaj plagjaturave
Leonard
Veizi
“E Drejta e Autorit”, kjo duhet të jetë dhe
sfida më e madhe ndaj plagjiaturave në art, që herë pas here duket se na kanë
zënë frymën.
Por nëse është i suksesshëm dhe shitet shpejt
në treg, prodhimin tënd të krijuar nga “asgjëja” mund ta gjesh në çdo anë
rruge, duke u ekspozuar me një çmim shumë më të lirë, shpesh herë me një kopertinë
ku ngjyrat janë të shpëlara dhe letra është jashtë standardi. Po t’i hedhësh një sy
vëzhgues nuk do t’i gjesh emërtimin e shtëpisë botuese dhe as shtëpisë
diskografike, sipas rastit. Gjithçka është anonime, ndërkohë që gjithçka është
po e jotja, sigurisht. Dhe më e mundshmja, pas një irritimi agresiv sharjesh
dhe fyerjesh, që mund të të vijnë në mend, është pikërisht qetësimi i nervave
dhe blerja e disa kopjeve nga ky prodhim pirat. Pasi ke prenotuar dhe një
avokat të mirë, je i detyruar të bësh një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë,
ku do të të presë një procedurë e gjatë deri në zgjidhjen e çështjes.
Ndodh edhe kështu.
E Drejta e Autorit? Në fakt, në shumë raste
pyetja mbetet pa përgjigje. Ndonjëherë neglizhohet, anashkalohet, por ndodh jo
rrallë që të shkelet me të dyja këmbët. E Drejta e Autorit në Shqipëri nuk merr
ndonjë rëndësi të veçantë, madje edhe kur gjyqet për një cilësim të tillë
“valojnë” nëpër gjykata. “Është e imja apo është e jotja?”, në disa raste
barazohet si një pronë e “kooperativës së tipit të lartë”, ku gjithkush mund të
bëhet zot dhe mund të bëjë qejf me radhë.
Botimet pirate kanë mbytur për vite të tëra
tregun shqiptar, ndërsa ka ende plot nga ato, që ua minojnë punën botuesve të
vërtetë, atyre që i respektojnë këto të drejta. Në ekrane televizive mund të
gjesh pa frikë filma artistikë apo dokumentarë, që nuk kanë kaluar fare nga
“shtëpia” e autorit, apo nga Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve. Ndërsa
plagjiaturat, gati janë futur në modë. Më së shumti kjo shihet në skenat e
teatrove ku një pjesë e regjisorëve, në mungesë të theksuar të fantazisë,
punojnë me kaseta të gatshme. E në këto raste ndëshkimet për shkelësit nuk
duhet të kenë ndonjë mirëkuptim të veçantë. Sepse një rrugë e tillë, edhe pse e
njohur dhe e shkelur mirë, do të sjellë përplasje pa fund, gjyqe pa mbarim dhe
akuza të ndërsjella.
Por jo çdo gjë përfundon këtu. Epidemia e
plagjiaturës, apo thënë ndryshe: prodhimeve fallco ka kapur jo pak edhe fushën
e arteve vizuale, sidomos piktura. E ndërkohë që ky një riprodhim fallco,
shitet me shifra të pabesueshme, në Galerinë Kombëtare të Arteve apo galeritë
private, qëndrojnë varur punët krijuese të shumë piktorëve me emër. Dhe si për
ironi të fatit, tregu informal furnizohet vazhdimisht me të tilla telajo. Ai
nuk gjen ngopje.
E Drejta e Autorit rezulton si një nga
problemet më serioze të jetës kulturore-artistike dhe të botimeve të vendit pas
viteve ’90. Për të thënë të vërtetën deri në fund, deri tani, në Shqipëri, këto
të drejta s’janë respektuar. Për sa u takon viteve më parë nuk ka pasur as
mundësi ligjore mbrojtjeje. Për pesëdhjetë vjet me radhë u vodhën të drejtat e autorëve
të huaj dhe u cënuan e nuk u paguan të drejtat e autorëve shqiptarë. Kjo ishte
një amulli, që vepronte sipas, të themi: “kanunit komunist”, dhe kërkesa e
llogarisë mbetej në kufijtë e absurdit.
Gjatë periudhës 1992–2007, në një epokë të re
zhvillimesh shqiptare, janë miratuar një sërë ligjesh e nënshkruar një sërë
konventash e traktatesh ndërkombëtare për këtë qëllim nga qeveritë shqiptare,
por zbatimi i tyre në praktikë ndeshet me sfida të shumta, që lidhen me aftësitë
e strukturave shtetërore e ndërgjegjësimin dhe informacionin jo të plotë të
komunitetit të artistëve rreth këtij problemi.
Ndërkohë prej pak vitesh mund të thuhet se po
funksionon Ligji i së Drejtës së Autorit, një ligj shumë i rëndësishëm, që
gjithnjë e më shumë ka gjetur terren. Pjesa më e madhe e botuesve shqiptarë nuk
botojnë më libra pa të Drejtë Autori. Dhe, në një farë mënyre, kjo tregon
njëfarë ndërgjegjësimi, që po e rregullon dhe po i jep identitet vitrinës
shqiptare të librit. Moda e gjyqeve nuk është shpikje shqiptare. Modele vijnë
nga Perëndimi, ku “E Drejta e Autorit” është kthyer në mit.
Por fatkeqësia e terrenit shqiptar është se,
nga shumë administratorë, jo vetëm nuk njihen procedurat e funksionimit të
Ligjit të së Drejtës së Autorit, por edhe mekanizmat për ta vënë në lëvizje
janë të fjetura. Ndonjëherë pa dashje, ndonjëherë më dashje të plotë. Sepse ky është
tregu i zi, norma e një fitimi të shpejtë, duke shkelur mbi pronën intelektuale
të një krijuesi.
Ende nuk është kuptuar, që ajo është pronë si
gjithë të tjerat, si një shtëpi, si një makinë, si një tokë prodhuese, apo pyll
me dru arre, apo si gjithçka tjetër, ku mund të thuash pa frikë: “Kjo është e
imja”.
Botuar në suplementin "Pena shqiptare", gazeta Telegraf - 22
mars, 2009
Subscribe to:
Posts (Atom)













