Saturday, April 30, 2016

Imazhi shet


Leonard Veizi

Imazhi shet. Kjo duhet të jetë vërtet një fjalë kyç, ose thënë ndryshe: togfjalësh magjik. Fjala është për portretin tënd, të stampuar apo në lëvizje, të trasmetuar në gjithfarë mediash, pra të bërit publik.
“Duhet ta bësh të njohur në ndonjë gazetë” më thanë miqtë e mi kur botova librin e parë në vitin 1997. Vit i vështirë. Dola në gazetë. “Duhet bëhesh sa më shumë mediatik”, më thanë sërish kur botova librin e tretë në vitin 2005. Kohët kishin ndryshuar. “Duhet të dalësh sa më shumë në televizion”, më sugjeruan kur sapo prezantova librin e shtatë. Kaluan disa vite që atëhere. “Sa më shumë reklamë televizive”, ma përsëritën kur botova librin e tetë, një roman triller. “Imazhi shet”, i vunë vulën kur prezantova librin e nëntë. Domethënë...? Domethënë duhet të dalësh sa më shumë në televizion e në portalet online, nuk e sheh çfarë bëhet”. Natyrisht që e kam parë. Për shans kam qenë pjesë e medias elektronike që kur filluan të lulëzojnë në mënyrë private. Por me kokëfortësi kam menduar se libri ka një tjetër specifikë, d.m.th nuk është si puna e modës së rrobave të banjës, që për t’i reklamuar mund të dalësh edhe lakuriq. “Epo sot nuk ka rëndësi në është fjala për rroba stine, ushqime të konservuara apo libra. Imazhi shet”, më thanë si për të ma vërtetuar katërcipërish. U binda.
Por, çështë e vërteta, më shumë u binda këtë verë.
“E para ishte fjala” - thuhet në Bibël.
“Gjithçka është imazh” - përkthehet në ditët e sotme. TV, PC, Smartfon, ngado të hedhësh sytë përballesh me imazh. Asgjë të tepërt nuk ka këtu.  Veç fjala po humb peshë. Të gjitha portalet kanë nga një strishë me lajme rozë, foto më shumë vajza nga ato të “jashtmet”, por dhe këto tonat nuk mbeten pas. Imazhi shet. Po, po, e drejtë është.
Atyre që u ra rasti të kalonin edhe adoleshencën nën regjimin komunist u mësuan me një slogan standard të “partishmërisë proletare”, pra të një morali inert, prishja e së cilës tanimë cilësohet dhe si degjererim. Në revistën “Ylli”, “Shqiptarja e Re”, apo gazetë ditore ishte e thjeshtë të dilje duke punuar në brezare, me shallin e rinisë në qafë dhe me kazmën në krah. Asgjë tjetër nuk mund të mendohej veç kaq. Sot që të dalësh në portale e të marrësh klikime duhet të nxjerrësh ca gjoksin, ca kofshët, të kesh buzë me botoks e vetulla tatuazh. Përndryshe nuk je në treg. “Shqiptarja del nudo në televizionin gjerman”, “Të pasmet tunduese të Xhesikës” , “Enca vendos të tregojë gjithçka”. Këto janë disa nga titujt me foto femrash që i janë kushtuar botës së spektaklit.  Foto tunduese që me dy rreshta sqarim, marrin mijëra klikime. Njerëzit sot kanë nga një aparat celulari me internet 3 e 4G kudo ndodhen, në makinë, në lokal, në plazh, dhomën e gjumit apo tualet. Shohin imazhe, klikojnë, japin pëlqime. Lumturi në ekstrem. Në fund të fundit ky është trendi...
“Nuk duhet të dalim nga tregu”, më këshillon një mik, gjithashtu shkrimtar. Hapa krahët. “Duhet menduar diçka”, këmbëngul ai. “Të shkruaj një roman erotik”, marr iniciativën unë. Ai më sheh me dyshim. “Nuk të shkon, -  ma kthen. - Je i prerë për triller”. Hoqa dorë.
Akoma po mendojmë për rrugë të reja. Them të bëj një set fotosh në plazh. Ca kur djelli lind, ca në kundër-dritë, kur perëndon. Jam shëndoshur ca, por po të futem në palestrën e fotoshopit them se dal si bodybuilding... të mos e teproj, të paktën si notar amator. Pastaj them t’i shpërndaj në rrjetet sociale. Mbase më japin dorë në marketim. Shes ca nga kopjet e mbetura stok nëpërmjet pamjes së re. Po nuk ia dola dot, më duhet të hap krahun.
Imazhi shet.
M’u tipos kjo djall shprehje. Ndoshta unë nuk jam shumë mediatik. Ose jam, por jo mjaftueshëm. Dhe jo vetëm unë e kam këtë defekt. Ka shkrimtarë më të mëdhenj në moshë që nuk dalin kurrë në media. Jo se nuk duan, por nuk ua var njeri. Po si i bëhet? Po vazhdojmë të kërkojmë mundësi, gjithsesi.
Në fakt të gjitha këto tregojnë se tregu tanimë është drejtuar rëndshëm drejt imazhit. Nuk ka rëndësi se çfarë shet ti, po çfarë shet imazhi yt. Për më tëpër që edhe unë vetë, ashtu si dhe shumica me një celular patllake në dorë veç shoh imazhe dhe lexoj statuse deri në tre fjali, jo më shumë.
Imazhi shet.
Po të mos jesh femër, me flokë mbi fytyrë, bluzë mbi kërthizë e që qemeri i pantallonave të kalojë poshtë barkut, si zor e ke. Nuk përbën imazh. Domethënë... nuk ekziston.



Postuar në ResPublica 21 Gusht, 2015

No comments:

Post a Comment