LeonardVeizi
Në
fillim të muajit të dytë të vitit, përkujtohet ditëlindja e tij. Sepse për “X”
arsye, - aspak të kalkuluara padyshim, - ai u lind në 7 shkurt të vitit 1945.
Por mosha, si në një term kozmik është veç një konvencion, e cila të bën të mos
ndihesh ai që je në të vërtetë, pasi të kornizon dhunshëm mes shifrash hibride.
Dhe kjo do të thotë që në bazë të një përllogaritjeje astronomike, çdo rrotullim i tokës rreth diellit të plak një
vit më shumë, që prej ditës kur ke lindur.
Kjo
formulë matematike e vjetruar nuk vlen më.
Ai
nuk ka moshë. Dhe s’ka se si vitet t’i rëndojnë mbi supe. Madje as termi
pensionist nuk ka kurrfarë kuptimi: sepse është artist. Dhe artistët nuk e njohin
moshën dhe pse ajo ndryshon numrin sa herë që toka vjen në të njëjtin pozicion,
si në çastin e parë. Nuk e dinë asnjëherë cila është shifra e radhës në ditën e
lindjes së tyre.
E
megjithatë, ata dalin në pension - si në një marrëveshje fjale - ndaj shteti për
punën e madhe krijuese u jep ca lekë kafeje dhe u siguron vizita falas në
ambulancën e lagjes. Kjo vlen dhe kur ke tituj: je Artist i Merituar, apo
Mjeshtër i Madh, siç është Ai. Por ai mbetet po aq artist, tani, po aq sa kur
linte sheshin e xhirimit për të firmosur në bordero, ca vite më parë se kaq.
Dhe
të qenit artist më shumë se një vendim administrativ ka të bëjë me vlerësimin
mbarëpopullor që e bën të mos e njohë kufirin në kohë.
Sot
e gjithë ditën ai është po aq elegant sa dhe në rininë e tij. Ka të njëjtën
buzëqeshje të veçantë që i shihet në çdo rol. Imponues me butësinë që e
karakterizon, regjisor me sqimë dhe mjeshtër në aktrim. Ndaj spektatori e ka të
fiksuar më së shumti me rolet e tij.
Dhe
ai kujtohet si Nebi Surreli tek “Rrugicat që kërkonin diell”, djaloshi që
shtynte karrocën e Gani Herrit mbushur me thasë qymyri, dushk edhe shkozë, por
edhe me pak shqopë...
-Do bëj çmos që të mbeteni i kënaqur. Jam nevojtar. Por
po ju kushtoj shumë më lirë se do t’u kushtonte po të mbanit një kalë.
Edhe
si Memo Kovaçi tek “I teti në bronz” që ashtu i plagosur, bënte propagandë në
shtëpinë e doktor Borovës:
-Doktor, kjo është e vërteta. Ju po të doni merreni
dhe si përçarje. Por do të më vinte keq që vajza juaj një ditë të quhej vejusha
e një tradhtari.
E
më pas si Birçja, djali i Safa Ymerit që kërciti e iku në mal natën e dasmës pa
i bërë adetin nuses.
-Në ke ndërmend të më rrahësh unë ika që sonte. Mbeç
me shëndet!
Dhe
këto ishin role nga vitet e luftës. Por po me staturën e tij elegante, të butë
dhe imponuese, ai u shfaq dhe në rolet e viteve të paqes. Ndaj mbetet në kujtesë
si Besnik Struga, vëllai i Benit që e kishin thirrur ushtar të ruante nëndetëset
e Bazës së Pashalimanit se mos i rrëmbenin rusët, por dhe që sqaronte
politikisht të fejuarën për çështjet e politikës së madhe...
-Zana dëgjo. Mos ma vër re. Unë jam i tronditur. Unë
isha atje, në epiqendrën e çarjes. Më kupton, në epiqendër. Toka shembej aty ku
s’e prisje. Hapeshin befas gropa, hone, humbella, shpërthenin gazra sulfurikë
sa të erreshin sytë. Atje ndihej gjithë lëkundja e globit.
Dhe
ishte ai poeti i çartur Viron, shoku i ngushtë i një kryetari të Komitetit
Ekzekutiv, që nuk bënte dallavere as kur binte puna për vjehrrën dhe kunatin e
as për shokët kur kërkonin favore të padrejta:
-Ej, mos më bërtit mua se do thonë çfarë i bëri ky
kryetarit. E di si i thonë kësaj o Beso: më bëre një herë nder të them
faleminderit. Ndërsa të dytin ta dua se e ke për detyrë!
Por
jo vetëm kaq. Sepse do të shfaqej në rolin e një mjeku si shef pavijoni tek “Pranvera
nuk erdhi vetëm”, drejtuesi i kursit të alpinistëve tek “Guximtarët”, Kujtimi
tek “Unë e dua Erën” apo Sfinksi tek “Lule të Kuqe Lule të Zeza”.
Nuk
besoj se ka njeri i cili nuk e ka kuptuar që e kam fjalën për Mevlan Shanaj, një
aktor aq të dashur, e një regjisor po ashtu.
Në
karrierën e tij ai është përzgjedhur nga regjisorët për të marrë atë që në gjuhën
e kinemasë së kohës quheshin: role pozitive. Sepse një rol negativ nuk mund t’i
shkonte kurrsesi natyrës së tij të paqtë dhe buzëqeshjes që transmetonte në
fytyrë.
Si
regjisor ai ka punuar për të paktën 30 filma televizivë e dokumentarë, por
ndoshta më emblematikët janë “Plumba Perandorit” dhe “Fletë të Bardha”.
Mevlan
Shanaj, dje dhe sot, është po aq i pranishëm në familjet tona përmes ekranit me
buzëqeshjen e tij të veçantë, i butë dhe imponues.
No comments:
Post a Comment