Wednesday, July 31, 2024

El Sid, heroi legjendë që dhe i vdekur luftoi kundër pushtuesve të Spanjës

 



Nga Leonard Veizi
 
Kalorësi El Sid kishte vdekur gjatë natës, por ai u pa të nesërmen të dilte nga dyert e kështjellës i hipur mbi një kalë të bardhë. Përballë ndodhej e rreshtuar ushtria maure e gatshme të hidhej mbi muret e kështjellës. Kalorësi hijerëndë kishte vendosur në kokë përkrenaren e metalit, në gjoks kishte mbërthyer parzmoren e luftës kurse në dorë shtrëngonte ushtën me flamurin e kryqtarit. Dhe i priu ushtrisë së tij drejt kampit armik të vendosur në front. Por pakkush e dinte se mbi kalin që vraponte trokth në buzë të detit, ndodhej veç trupi i pajetë i heroit legjendar. Dhe kjo ishte porosia e tij e fundit. Të udhëhiqte qoftë dhe i vdekur, sulmin e madh. Sepse vetëm kështu kundërshtarët do ta ndjenin epërsinë mbrojtësve të kështjellës do ta ndjenin epërsinë mbrojtësve të kështjellës. Maurë me veshje e pelerina të zeza që prisnin plot ankth lajmin për vdekjen e tij, pasi kishin mësuar se ai ishte plagosur rëndë nga një shigjetë, lanë frontin në panik....
 
...Ai quhej Rodrigo Díaz de Vivar por ishte i njohur më mirë si El Sid, që nga arabishtja spanjolle do të thoshte “zot”. Ishte një kalorës dhe udhëheqës ushtarak spanjoll nga shekulli i 11-të. Ai lindi rreth vitit 1043 në një familje fisnike dhe shërbeu si komandant nën mbretin Sanço II dhe më vonë nën mbretin Alfonso VI dhe León-it të Kastiljes. Kur Sanço arriti të ulet në fronin Kastilian më 1065, ai emëroi 22-vjeçarin Rodrigo si flamurtarin e tij, ose komandantin e trupave mbretërore.
Për shkak të aftësive të tij ushtarake dhe strategjike, El Sid fitoi reputacionin e një kalorësi të madh dhe një heroi legjendar.
El Sid u bë një figurë e rëndësishme gjatë “Reconquista”-s, periudha kur mbretëritë krishtere të Spanjës po luftonin për të rimarrë territoret e pushtuara nga myslimanët.
Në korrik 1074, ai u martua me Himena-n, që ishte vajza e kontit të Oviedos dhe mbesa e mbretit. Kështu ai u bë aleat nga martesa me dinastinë e lashtë mbretërore të Leonit. Dihet shumë pak për gruan e tij Himena. Çifti kishte një djalë dhe dy vajza. Djali, Diego Rodríguez, u vra në betejë kundër pushtuesve myslimanë.
Në vitin 1094, El Sid mori qytetin e Valencias dhe qeverisi aty deri në vdekjen e tij në vitin 1099. El Sid u bë një figurë simbolike e trimërisë, besnikërisë dhe nderit në kulturën spanjolle.
 
Historia dhe legjenda
Në enciklopedinë “Britannica” thuhet se biografia e Sidit ka paraqitur probleme të veçanta për historianin, sepse ai u ngrit shpejt në statusin e heroit kombëtar të Kastiljes dhe lindi një biografi komplekse heroike e tij, në të cilën legjenda luajti një rol dominues; legjenda u zmadhua nga ndikimi i poemës epike të shekullit të 12-të të Kastiljes, “El canto de mio Cid” apo e ardhur në shqip si "Kënga e Sid" dhe më vonë nga tragjedia “Le Cid” e shkruar nga Pier Kornei, e interpretuar për herë të parë në 1637. Për informacion të mëtejshëm autentik historianët kanë mundur të mbështeten kryesisht në disa dokumente bashkëkohore, në “Historia Roderici” që është një kronikë latine e besueshme, private e shekullit të XII, ku flet për jetën e Sidit, si dhe në një rrëfim të detajuar të dëshmitarit okular të pushtimit të Valencias nga historiani arab Ibn ʿAlqāmah.
 
Filmi “El Cid”
“El Cid” është një nga filmat epope të trësmetur nga televizioni Shtetëror Shqiptar i viteve ’80 të shekullit të kaluar.
Filmi epik "El Cid" është një bashkëprodhim amerikano-italian dhe u publikua në vitin 1961. Përmbajtja e filmit ka të bëjë me një dramë historike që tregon historinë e heroit spanjoll të shekullit të XI. Filmi mban si regjisor Antoni Man, skenari u shkrua nga Fredrik M. Frank, Filip Jordan dhe Ben Barzman dhe u prodhuar nga Samuel Bronstin. Ky film, i cili ka në role kryesore Çarlton Heston si El Sid dhe Sofia Loren si Himena, gruaja e tij e dashur, ofron një interpretim të gjerë dhe dramatik të jetës së heroit legjendar.
“El Cid” prej 184 minutash u shfaq premierë 6 dhjetor 1961 në Teatrin Metropole në Londër dhe u publikua më 14 dhjetor në Shtetet e Bashkuara.
Filmi ndjek jetën dhe veprat heroike të El Sidit që nga shërbimi i tij si kalorës i besuar deri te pushtimi i Valencias. Ai paraqet konflikte të ndryshme, duke përfshirë betejat kundër pushtuesve myslimanë dhe sfidat politike brenda mbretërisë spanjolle. Përmes përshkrimeve të tilla si betejat epike dhe skenat emocionuese të dashurisë dhe tradhtisë, filmi synon të sjellë në jetë legjendën e El Sidit.
Një nga elementët më të rëndësishëm të filmit është lidhja e El Sidit me Himenën. Pavarësisht konflikteve të tyre fillestare dhe betejave të shumta që duhet të përballojnë, dashuria dhe besnikëria e tyre mbeten të pathyeshme, duke simbolizuar ndershmërinë dhe forcën morale që përfaqëson El Sidi.
Edhe pse i njohur për taktikat e tij të ashpra në fushën e betejës, El Sid përshkruhet si një njeri që vlerëson paqen dhe pragmatizmin mbi dhunën gjatë një kohe kur Spanja është e ndarë midis fraksioneve ndërluftuese të të krishterëve dhe myslimanët.
 
Ngjarja
Heroi spanjoll Rodrigo Diaz de Vivar kapërcen një hakmarrje familjare dhe një intrigë gjyqësore për të mbrojtur Spanjën e krishterë kundër maurëve.
Spanja e shekullit të njëmbëdhjetë është e ndarë në mbretëri të krishtera dhe fortesa maure. I riu Rodrigo Diaz de Bivar, i mbiquajtur "El Cid" nga ndjekësit e tij, zotohet të shohë vendin e tij në paqe, të lirë nga pushtuesit. Tepër i guximshëm dhe i shkathët, kalorësi fisnik urren gjakderdhjen dhe përballet me akuza për tradhti në gjykatë për mëshirën e treguar ndaj disa emirëve. Akuzuesi i tij, Gormaz, babai i të fejuarës së tij, Himena, vdes në duelin me El Sidin. Komploti i rrëfyer i hakmarrjes së Himenës dështon dhe Rodrigos i jepet dora. Martesa nuk realizohet dhe ajo hyn në një manastir. Me vdekjen e Ferdinandit mbretëria e tij ndahet mes tre fëmijëve të tij. Sanço sfidon vendimin dhe burgos Alfonson, i cili lirohet nga El Cid. Komandanti afrikan i luftës, Ben Yussuf përfiton nga sherri duke vrarë Sançon. Alfonso tani pretendon gjithashtu fronn e të vëllait dhe detyron El Sid-in të mërgojë. Himena e kupton fisnikërinë e të shoqit dhe bashkohet me të, por kthehet në manastir me dy vajzat e tyre, kur ai shkon në betejë kundër Ben Jusufit. Vitet kalojnë, El Sid bëhet një luftëtar i nderuar, por refuzon të ndihmojë Alfonson, duke preferuar strategjinë e tij. Ai rrethon Valencia-n, duke katapultuar ushqimin në garnizonin e saj të uritur. Kur Valencianët vrasin sundimtarin e tyre të lig, Al Kadir, ata ia ofrojnë kurorën El Cidit. Ai ia dërgon Alfonsit, i cili nxiton, i kënaqur histerikisht, në anën e tij. Por El Sid ka marrë një plagë pasi është goditur nga një shigjetë. I ndjekur nga Himena, ai fsheh plagën nga njerëzit e tij dhe përgatit një sulm përfundimtar për të përzënë maurët nga Spanja.
 
Kritika
"El Cid" pati një nga 7–9 milion dollarë për prodhimin e tij dhe arkëtoi të paktën 26.6 milion dollarë. Filmi u prit me vlerësime të përziera nga kritikët, por fitoi një vend të veçantë në kinematografinë historike për shkak të përmasave të tij epike dhe interpretimeve të fuqishme. Çarlton Heston mori lavdërime për performancën e tij si El Sid, duke sjellë një kombinim të forcës dhe ndjeshmërisë në rolin e tij. Filmi gjithashtu u vlerësua për skenografitë e tij madhështore dhe kostumet autentike, të cilat ndihmuan në krijimin e një atmosfere të besueshme historike.
Pavarësisht kritikave për lirinë artistike që mori në paraqitjen e disa ngjarjeve historike, "El Cid" mbetet një nga filmat më të njohur dhe më të dashur të zhanrit historik, duke ndihmuar në ruajtjen e legjendës së El Sidit për brezat e ardhshëm.
 
Seriali
Përveç disa dokumentarëve “The legend of El Cid” është dhe një serial televiziv dramë aksion historik spanjoll i vitit 2020 rreth Rodrigo Díaz de Vivar "El Cid", kalorësi dhe kryekomandant kastilian i shekullit të XI. Krijuar nga Hose Velasko dhe Luiz Arranz për “Amazon Prime Video”, në serial luan Hajme Lorente së bashku me Hose Luis García Pérez, Elia Galera, Karlos Bardem, Alisia Sanz dhe Hajme Olías. Sezoni i parë me 5 episode u publikua në “Prime Video” më 18 dhjetor 2020, dhe sezoni i dytë me 5 episode u publikua më 15 korrik 2021.

 

 


Friday, July 26, 2024

Alen Delon, idhulli i vajzave të Parisit… dhe Tiranës


Nga 
Leonard Veizi
  
Në kinematë e Tiranës u zu radhë e gjatë dhe njerëzit ishin gati të riheshin me grushte në mungesë të një bilete për të parë shfaqen e radhës. Vajzat edhe pse nuk ziheshin në radhë ishin po aq të etura të shihnin në aksion, aktorin fama e të cilit mezi e kishte çarë barrierën  e kufirit shqiptar që mbrohej me klon, pastor gjerman dhe mitraloza-roje. Në rrjetin e kinemave të kryeqytetit sapo ishte hedhur “Dy njerëz të një qyteti” dhe fjala që një film i jashtëzakonshëm, me makina, motorë e pantallona kauboj, ku luante i famshmi Alen Delon, – më shumë se sa i mirënjohuri Zhan Gaben, – ishte përhapur si me magji. Filmi, i cili i përket një produksioni të përbashkët franko-italian prodhim i vitit 1973, kishte si regjisor korsikanin Hoze Xhovani dhe titulli i tij origjinal ishte “Deux hommes dans la ville”…
 
…Alen Deloni e kishte marrë famën e tij si yll kinemaje që mes viteve ’60-’70 të shekullit të kaluar. Megjithatë në Tiranë ai do të vinte dukshëm në fillim të viteve 80. Ishte koha kur filmat modernë shfaqeshin me pikatore në kinematë shqiptare dhe nuk dihej si i shpëtonin censurës ata filma që gati cilësoheshin herezi, kur tematika trajtonte jetën e “shthurur” në kapitalizëm, si në rastin e personazhit Xhino Strablixhi, një ish i burgosur që kishte grabitur një bankë, i cili edhe pse cilësohej si i rehabilituar, sërish vrau një oficer policie dhe për këtë u dënua me vdekje. Sekuencat e fundit të filmit “Dy njerëz të një qyteti” janë kur Xhino Strablixhit i luajtur nga Alen Delon, pi me eks një gotë konjak e thith dy-tri herë një cigare që ia vendosin mes buzëve, ndërsa jakën e këmishës ia presin me gërshërë për t’i liruar qafën. Trupi i vendoset në gijotinë dhe menjëherë thika e rëndë dhe e mprehur mirë bie mbi të…
 
***
I lindur më 8 nëntor 1935 në periferi të Parisit, në Francë, ai tanimë është 86 vjeç. Njihet si një aktor, regjisor filmi, producent, skenarist, por dhe këngëtar e biznesmen.
Por ai ishte po aq një seks simbol, dhe në Tiranë e viteve ’80. Emri i tij përdorej për të përkufizuar një mashkull seksi apo për ta ironizuar çdo mashkull që krekosej për t’u dukur seksi. Emri i tij ishte po aq i lakuar sa dhe i Brixhitë Bardosë si aktore femër. Dhe po ashtu Bardo përdorej si emër sa për të ironizuar femrat që çoç u dukej vetja, po aq dhe për të vlerësuar bukurinë femërore.
Alen Delon ka luajtur në të paktën 80 filma, por lista zgjatet nëse do të futeshin në të dhe rolet e luajtura në teatër si dhe ato të programeve televizive. Mori famë si një nga aktorët më të shquar të Evropës dhe seksi simbolet e ekranit nga vitet 1960 dhe 1970. E megjithatë, ai nuk arriti të kapte audiencën amerikane edhe pse luajti disa filma në anglisht.
Alain Delon, u cilësua si aktor i gjithanshëm, i cili luajti në filma të zhanreve të ndryshme, në teatër, punoi në televizion, duke treguar shkathtësi e tij dhe një talent të madh.
Në vitin 1985, ai fitoi çmimin César për aktorin më të mirë për interpretimin e tij në “Notre histoire” (1984). Në vitin 1991, ai mori Legjionin e Nderit të Francës. Në Festivalin e 45-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, ai fitoi Ariun e Artë të Nderit. Në Festivalin e Filmit në Kanë 2019, ai mori Palmën e Artë të Nderit.
 
***
Delon pati një fëmijëri të paqëndrueshme dhe ishte një student rebel. Pas një praktike të shkurtër në një dyqan me produkte mishi, ai u rekrutua si marinar dhe në vitin 1953 u dërgua në Indokinë. Pas largimit nga ushtria në vitin 1955, ai punoi në punë të gjithanshme. Gjatë kësaj kohe u miqësua me disa aktorë filmi, të cilët i shoqëroi në festivalin e  Kanës të vitit 1957, ku tërhoqi vëmendjen e një zbuluesi talentesh për producentin amerikan David O. Selznick. Pas një testi në ekran, iu ofrua një kontratë nëse mësonte të fliste anglisht, por regjisori francez Yves Allégret e bindi që në vend të kësaj të ndiqte një karrierë në Francë.
Paraqitja e parë në film e Delon ishte si një gangster i ri në “Quand la femme s’en mêle të Allégret” i vitit 1957. Ai pati rolin e parë kryesor në romancën “Christine” në vitin 1958, përballë Romy Schneider. Delon shpejt fitoi vëmendjen ndërkombëtare. Arriti vlerësimin e kritikëve për role në filma si “Purple noon” prodhuar më 1960, “Rocco and His Brothers” më 1960, “L’Eclisse” më 1962, “Leopardi” më 1963, ‘Le Samouraï” më 1967), “La Piscine’ më 1969, “Le Cercle Rouge” më 1970, “Un flic” më 1972) dhe “Monsieur Klein’ më 1976.
Ndonëse më i njohur në Francë për filmat gangsterësh si “Le Samouraï” më 1967; dhe “Le Clan des Siciliens” më 1969, Delon u shfaq në një larmi të madhe.
Gjatë karrierës së tij, Delon punoi me shumë regjisorë të njohur. Si këngëtar, Deloni regjistroi duetin popullor “Paroles, paroles” (1973) me Dalidën.
Filmi i parë me Alain Delon doli në vitin 1957, dhe e fundit në vitin 2012.
Ai mori nënshtetësinë zvicerane në vitin 1999.
 
Jeta personale
Shumë gra dhe katër fëmijë
Më 20 mars 1959, Delon u fejua me aktoren Romi Shnaider, të cilën e takoi kur bashkë-luajtën në filmin “Christine” në vitin 1958. Gjatë lidhjes së tyre, ai pati një lidhje me aktoren, këngëtaren dhe modelen gjermane Niko. Në vitin 1962, Niko lindi një djalë, Ari, por Delon nuk ia njohu kurrë atësinë; Ari u rrit kryesisht nga prindërit e Delon.
Në dhjetor 1963, Shnaider dhe Delon vendosën të prishin fejesën. Pas vdekjes së saj në 1982, ai rrëfeu se Romi Shnaider ishte dashuria e jetës së tij.
Më 13 gusht 1964, Delon u martua me Natali Bartélémi. Djali i tyre, Antoni Delon, lindi në shtator. Në fundvitin 1967, Delon kërkoi divorcn. Çifti u nda më 14 shkurt 1969.
Në mesin e viteve 1960, Deloni pati një lidhje të shkurtër me Dalidën; të dy kishin qenë miq që nga takimi i parë në Paris në 1955, ku ata ishin fqinjë te një ndërtesë në Champs-Élysées.
Në vitin 1968, gjatë xhirimeve të filmit “Jeff”, Delon u takua me aktoren franceze Mireil Dark me të cilën filloi një lidhje që zgjati deri në vitin 1982.
Më vonë, ai pati një lidhje të shkurtër me aktoren Anne Parillaud, më pas me Catherine Bleynie, ish-bashkëshorten e Didier Pironit.
Në vitin 1987, Delon takoi modelen holandeze Rosalie van Breemen në xhirimet e videoklipit për këngën e tij “Comme au cinéma” dhe filloi një lidhje. Ata kishin dy fëmijë: Anjushka Delon dhe Alen-Fabien Delon. Marrëdhënia përfundoi në 2001.
Në shtator 2019, Ari (Christian Aaron Boulogne) paditi Alain Delon për njohjen e atësisë. Alen Delon jeton mes Gjenevës në Zvicër dhe Francës. 

“The Shining”, bashkëpumi King dhe Kubrik na trasmeton tmerrin psikologjik



Nga Leonard Veizi
 
Xhak Nikolson shkëlqeu me rolin e Xhak Torenc, por shkrimtari Stefën King e urrente mënyrën se si regjisori e formësoi atë në një personazh të dobët. Dhe Xhak Torenc  si personazh nuk ishte gjë tjetër veç autorit të romanit. Bëhet fjalë për romanin "The Shining" të cilën Stenli Kubrik e ktheu asgjë më pak se një klasik kulti. Por shqetësimi më i madh i King ishte se Kubrik nuk arriti të njihte pjesët autobiografike të romanit. Si të gjithë autorët, King kishte vendosur pak nga vetja në libër, duke e parë veten në një farë mase si një version të Xhak Torenc...
 
...Stefën King është një autor me mbi 40 libra. Por "The Shining," mbetet një vepër që kaplon audiencën me ngjarjet e saj të errëta dhe atmosferën e frikshme duke u bërë kështu një kombinim i përkryer i mjeshtërisë letrare të Stefën King si shkrimtar dhe aftësisë regjisoriale të Stenlei Kubrik. Romani i King, botuar në vitin 1977, dhe adaptimi filmik i Kubrik, i realizuar në vitin 1980, janë dy krijime që, edhe pse ndajnë titullin dhe bazën e historisë, dallohen për qasjen e tyre unike ndaj rrëfimit dhe karaktereve.
 
Romani i Stefën King
Në qendër të romanit "The Shining" qëndron Xhak Torenc, një shkrimtar dhe ish-mësues i cili pranon punën si kujdestar dimëror në hotelin “Overlook”, një strukturë e izoluar me një histori të errët dhe të dhunshme. Me të janë e shoqja Uendi dhe Deni, djali i tyre pesëvjeçar, i cili posedon aftësi të veçanta telepatike të njohura si “shining”, apo “rrezatimi”. King e përdor hotelin Overlook si një metaforë të kompleksitetit psikologjik të Xhak-it dhe të ndërveprimeve dinamike të familjes së tij. Ndërsa izolimi dhe forcat mbinatyrore të hotelit fillojnë të ndikojnë në mendjen e Xhak-ut, ai bie gradualisht në çmenduri dhe dhunë. King, me një stil narrativ të detajuar dhe të ngarkuar emocionalisht, e çon lexuesin në thellësitë e mendjes së trazuar të Xhak-ut dhe frikës që ai sjell. Ambienti dhe personazhet janë të ndikuar nga përvojat personale të King, duke përfshirë vizitën e tij në Hotel “Stanley” në 1974 dhe luftën e tij me alkoolizmin. Romani u përshtat në një film të vitit 1980 dhe një mini-serial të vitit 1997. Libri u pasua nga një vazhdim, “Doctor Sleep”, i botuar në 2013, i cili nga ana e tij u përshtat në një film me të njëjtin emër në 2019.
 
Filmi i Stenli Kubrik
Adaptimi filmik i Kubrik ndryshon ndjeshëm nga burimi letrar. Ndërsa filmi ndjek linjën bazë të historisë së romanit, Kubrik bën disa ndryshime të rëndësishme në narrativë dhe zhvillimin e karaktereve. Në vend të theksimit të karakterit të Xhak-ut dhe zbulimit të brendësisë së tij psikologjike, Kubrik përqendrohet në ndërtimin e një atmosfere të tensionuar dhe të papërballueshme të frikës. Xhak Nikolson, në rolin e Xhak Torenc, jep një performancë që kalon në ikonikë, me një paraqitje të jashtëzakonshme të transformimit të tij nga një njeri i zakonshëm në një përbindësh të çmendur. King kishte shkruar një skenar të filmit për Kubrik, i cili e refuzoi atë, dhe zgjodhi të eksploronte në vizionin e tij. Në vend të King, Kubrik bashkëpunoi me shkrimtaren Diana Xhonson si eksperte dhe profesoreshë e romaneve gotike në Universitetin e Kalifornisë, “Berkeley”, dhe kontributet e saj në The New York Times Book Review.
Filmi fillon me Xhak Torence, i luajtur nga Xhek Nikolson, duke pranuar punën si kujdestar dimëror në hotelin “Overlook”. Ashtu si në roman, ai shpreson që ky izolim do t'i japë kohë për të shkruar dhe për të rindërtuar jetën e tij. Ndërsa izolimi dhe ndikimi i hotelit fillojnë të ndikojnë në Jack-un, ai fillon të shfaqë shenja të çmendurisë. Kubrik përdor teknika të fuqishme vizuale dhe të tingujve për të krijuar një ndjenjë të vazhdueshme të tensionit dhe frikës. Përdorimi i Stedikem-it për të ndjekur Deni-n nëpër korridoret e hotelit dhe skena ikonike ku Xhak shpërthen një derë me sëpatë janë shembuj të mjeshtërisë regjisoriale të Kubrik. Në kulmin e ngjarjes, Xhak çmendet plotësisht dhe përpiqet të vrasë Uendi dhe Deni. Filmi përfundon me një skenë të ftohtë dhe enigmatike, duke lënë audiencën me pyetje mbi natyrën e vërtetë të hotelit dhe fatin e Xhak-ut. Kubrik përdor teknika të avancuara filmike, si kinematografinë e ngadaltë dhe të qëndrueshme të Stedikem-it, për të krijuar një ndjenjë të pashmangshme dhe të papërshkrueshme të frikës. Gjithashtu, ai bën ndryshime të rëndësishme në rrëfim, siç është portretizimi më aktiv dhe i vendosur i Ëendy-së, luajtur nga Shelley Duvall, dhe ndryshimi i fundit të filmit, duke i dhënë një kuptim më të errët dhe të pakuptueshëm ngjarjeve.
 
“Rrezatimi” në shqip
“The Shining” erdhi në shqip si “Rrezatimi” nëpërmjet përkthimit të Renato Kalemit dhe me një numër prej 538 faqesh u botua në nëntor të vitit 2013 nga shtëpia botuese “Pegi”.
 
Ngjarja e shkurtuar
Si romani ashtu edhe filmi marrin frymëzim nga eksperienca personale e Stefën King. Ai qëndroi në hotelin “Stanley” në Estes Park, Kolorado, një strukturë e izoluar dhe e mbinatyrshme që e frymëzoi për të shkruar "The Shining." Atmosfera e hotelit “Stanley” dhe ndjenja e izolimit që King përjetoi gjatë qëndrimit të tij ishin elementë kyç që e formësuan historinë e romanit dhe frymëzuan krijimin e hotelit “Overlook”. "The Shining" bazohet në një premisë të thjeshtë, por të ngarkuar emocionalisht: një familje e vogël që kalon dimrin në një hotel të izoluar dhe të mbinatyrshëm. Qëllimi i këtij izolimi është që Xhek Torenc, protagonisti kryesor, të përfundojë një projekt shkrimi ndërsa kujdeset për hotelin “Overlook”.
Historia fillon kur Xhak Torenc, një shkrimtar dhe ish-mësues me probleme alkoolizmi dhe të kaluar të dhunshme, pranon një punë si kujdestar dimëror në hotelin Overlook në malet e Kolorados. Ai shpreson që ky izolim do t'i japë kohë të mjaftueshme për të përfunduar një roman dhe për të rindërtuar marrëdhëniet me gruan e tij, Uendi, dhe djalin e tyre pesëvjeçar, Deni.
Deni është një fëmijë i veçantë me aftësi telepatike të njohura si "shining," të cilat i mundësojnë të perceptojë ngjarje të së kaluarës dhe të ardhmes, si dhe të lidhet mendërisht me të tjerët. Me të mbërritur në hotel, Deni fillon të përjetojë vizione të tmerrshme të ngjarjeve të dhunshme që kanë ndodhur aty më parë. Ndërsa dimri përparon dhe hoteli bëhet gjithnjë e më i izoluar nga bora, Xhak fillon të humbasë kontrollin mbi veten. Shpirtrat e hotelit, të udhëhequr nga figura e misterioze e Lloid-it, barmenit fantazmë, fillojnë ta ndikojnë Xhak-un, duke e çuar drejt çmendurisë dhe dhunës. Gradualisht, Xhak kthehet kundër familjes së tij, ndërsa Uendi dhe Deni përpiqen të shpëtojnë nga furia e tij vdekjeprurëse.
Në përfundim, "The Shining" është një tregim që eksploron thellësitë e frikës dhe çmendurisë, duke përdorur një hotel të izoluar si sfond për të zbuluar natyrën e vërtetë të së keqes dhe ndërlikimet psikologjike të karaktereve të tij.
 
“The Shining” i Mik Gerris
“The Shining” është një mini-serial televiziv horror i vitit 1997. Drejtuar nga Mik Gerris nga teleplay i King, është përshtatja e dytë e librit të King pas filmit të vitit 1980 nga Stenlei Kubrick dhe u shkrua dhe u prodhua nga King bazuar në pakënaqësinë e tij me versionin e Kubrik. Miniseriali u xhirua në mars 1996 në “The Stanley Hotel” në Estes Park, Kolorado, frymëzimi i King për romanin, Përshtatja e vitit 1997 luan Stivën Ueber në rolin e Xhak Torenc; Rebeka De Mornei në rolin e gruas së Xhekut, Uendi.
Megjithatë, kritikët retrospektivë e kanë parë mini-serialin me më pak dashuri, duke e deklaruar atë të mërzitshëm dhe të pa fokusuar, dhe duke e krahasuar në mënyrë të pafavorshme me versionin filmik të Kubrik.
 
Pak analizë
"Rrezatimi" konsiderohet si një ikonë kulturore e horrorit modern. Kritika thotë për të se është një analizë përvëluese e një familjeje të përçarë, një vëzhgim i makthshëm në skutat e dobësisë dhe çmendurisë njerëzore.
Si romani ashtu edhe filmi përdorin metaforën e hotelit “Overlook” për të shqyrtuar tema të mëdha, si izolimi, çmenduria dhe ndikimi i së kaluarës në të tashmen. Ndërsa King e përdor historinë e hotelit për të ndërtuar një sfond të pasur dhe kompleks për zhvillimin e karakterit të Xhak-ut, Kubrik përqendrohet në elementët vizualë dhe atmosferikë për të krijuar një ndjenjë të tmerrit që është po aq psikologjike sa edhe mbinatyrale.
Familja pa shumë më tepër se shkëlqimin i hotelit. Xheku e pa “Overlook” si një mundësi, apo si një mënyrë për t'u kthyer nga dështimi dhe dëshpërimi; Uendi e pa këtë vend të shenjtë të vetmuar si një shans të dobët për të ruajtur familjen e tyre; dhe Deni?….Dani, i cili u bekua ose u mallkua me një dhuratë të shndritshme, paranjohëse, pa vizione tmerrësisht përtej të kuptuarit të një djali të vogël. Ai ndjeu të keqen të mbështjellë brenda njëqind e dhjetë dhomave të zbrazëta të “Overlook”; një e keqe që i priste vetëm ata.
Në fund, "The Shining" mbetet një studim i fortë mbi të keqen, çmendurinë dhe frikën, një vepër që, përmes dy formave të saj kryesore, vazhdon të ndikojë e të frikësojë audiencat e reja dhe të vjetra. Romani dhe filmi, megjithëse të ndryshëm në qasjen e tyre, mbeten vepra të fuqishme. Kjo është një testament i fuqisë së tregimit, si në letërsi ashtu edhe në film, dhe i aftësisë së artit për të eksploruar thellësitë e psikikës njerëzore.
 
Vlerësimi
I cituar shpesh si një nga filmat horror më të mirë të të gjitha kohërave, filmi "The Shining" i Kubrik në 2018 u zgjodh për t'u ruajtur në Regjistrin Kombëtar të Filmit të Shteteve të Bashkuara nga Biblioteka e Kongresit si "kulturor, historikisht ose estetikisht i rëndësishëm".  
 

Mizoria e njeriut, të heqi tullat e shtëpisë së vet derisa t’i bjerë çatia


Nga 
Leonard Veizi
 
Jetojmë ditë të vështira klimatike, të nxehta e pa reshje, por dhe me ndonjë tërmet nëpër këmbë. Njeriu nuk po ndihet rehat në shtëpinë e tij, e nuk po e bën dot një sy gjumë vape.
Po çfarë i duhet njeriut që ta flejë mendjen e të jetojë i qetë në jetë të jetëve duke menduar se hambarët i ka dëng me miell, kripë, sheqer e vaj lule dielli, sa s’ka armik që ta mposhtë?
Do të ishim shumë me fat nëse Toka do të kishte madhësinë e Jupiterit. Sepse Toka sot, është bërë më e vogël se Hëna, ndaj njeriu, pasi i ka marrë naftën kërkon: t’i bëjë naftën.
Përgjigja është e thjeshtë: I duhet një planet tjetër. Domethënë i duhet zgjerim se shtëpia që ka përveçse është e ngushtë – një dhomë e një kuzhinë, - e ka trajtuar kaq keq sa edhe shprehja “han pa porta” nuk i shkon. Por tualet publikë është një më një sepse jeta në të është bërë lësh e li aq sa nuk ia vlen të jetohet më.
Mirëpo njeriu është largpamës, dhe ka vendosur që sa t’ia gjejë anë ta braktisë Tokën. Sepse Tokës po i mbarojnë mundësitë. Ndaj është sulur të gjejë ndonjë planet të ri, ku të vendosi një linjë urbani me pilot automatik e të transportojë 8 miliard njerëzit e sotshëm, e që nesër nuk i dihet sa do shkojë shtesa. Ka lëshuar satelitët nëpër kozmos e i ka vënë dylbitë vrimave të zeza, duke kontrolluar për të ditur nga e kanë hyrjen e nga i dilet. Çështje probabiliteti, tek e fundit. Se në këtë lukuni planetësh që vërtiten kot së koti, do këtë ndonjë të pabanuar që mezi ç'po pret të popullohet. Dhe njeriu është i gatshëm.
Në përpjekjen e tij për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të zgjeruar aktivitetet ekonomike, njeriu, shpesh herë ka ndërhyrë në natyrë pa marrë parasysh pasojat e këtyre veprimeve. Këto ndërhyrje, të maskuara nën emrin e zhvillimit dhe përparimit, po shkatërrojnë planetin në mënyra të ndryshme dhe me një ritëm alarmant.
Po si e ka shkatërruar njeriu shtëpinë e vet, Tokën?
Tre nga faktorët kryesorë të këtij degradimi janë bonifikimet, betonizimet dhe mbetjet urbane. Por ka edhe më shumë se kaq. Ja t’i zemë me rradhë:
*Bonifikimet, të cilat fillimisht u prezantuan si një zgjidhje për të shndërruar tokat kënetore e moçalore në toka të punueshme, kanë sjellë pasoja të rënda ekologjike. Këto zona, që dikur ishin habitat natyral për shumë specie, janë shkatërruar për t’i bërë vend kulturave bujqësore. Humbja e biodiversitetit është një nga pasojat më të mëdha të këtij procesi. Më tej, bonifikimet kanë ndërhyrë në ciklin natyror të ujit, duke shkaktuar përmbytje e tharje të lumenjve apo liqeneve.
*Ndërtimi i pakontrolluar dhe urbanizimi i tepruar kanë transformuar peizazhin natyror në qytete të betonizuara, duke zëvendësuar pyjet, fushat dhe zonat e gjelbra me ndërtesa, rrugë dhe parkime. Efekti i “ishujve të nxehtësisë” në qytete rrit temperaturat lokale, ndërsa mungesa e sipërfaqeve të gjelbra pengon absorbimin e ujërave të shiut.
*Prodhimi dhe menaxhimi i mbetjeve urbane është një tjetër problem i madh ekologjik. Sasitë e mëdha të mbetjeve, përfshirë plastikën, mbetjet organike dhe materialet e riciklueshme, nuk trajtohen siç duhet. Depozitat e mbetjeve zënë hapësira të mëdha dhe ndotin tokën dhe ujërat nëntokësore. Ndërkohë, djegia e mbetjeve çliron gazra të dëmshme në atmosferë, duke kontribuar në ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike.
*Uji i pijshëm është një nga burimet më të çmuara në planetin tonë, por fatkeqësisht është në rrezik serioz. Problemet me ujin e pijshëm janë rezultat i një kombinimi faktorësh. Ndotja nga kimikatet industriale, mbetjet bujqësore dhe mbetjet urbane ka ndikuar në cilësinë e ujit, duke e bërë të papërshtatshëm për konsum njerëzor.
*Një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në tharjen e lumenjve është shpyllëzimi dhe degradimi i tokës. Kur pyjet priten, toka bëhet më pak e aftë për të mbajtur ujin, duke çuar në tharjen e lumenjve dhe në përmbytje. Degradimi i tokës, i shkaktuar nga bujqësia intensive dhe urbanizimi, gjithashtu kontribuon në këtë problem.
*Detet dhe oqeanet janë bërë depozita të mëdha për mbetjet plastike. Çdo vit, miliona tonë plastike përfundojnë në det, ku shpërndahen dhe bëhen pjesë e ekosistemit. Mikroplastikat, që rezultojnë nga shpërbërja e mbetjeve më të mëdha, përhapen në të gjitha nivelet e ushqimit detar. Qëniet ujore i gëlltisin këto copëra plastikash. Kjo ka krijuar pasoja të rënda për gjallesat detare dhe për shëndetin e njerëzve që konsumojnë produktet e detit.
*Lëndët radioaktive, të cilat shpesh janë rezultat i testeve bërthamore, aksidenteve në centralet bërthamore dhe hedhjes së mbetjeve radioaktive, përfundojnë gjithashtu në oqeane. Këto lëndë, që janë tepër të rrezikshme, dekompozohen shumë ngadalë dhe mbeten në mjedis për qindra apo edhe mijëra vjet. Kur këto substanca bien në fund të oqeanit, ato mund të ndotin ujërat e thella dhe sedimentet detare.
*Ndotja e atmosferës është një nga problemet më serioze mjedisore me të cilat përballet bota sot. Çlirimi i gazrave të dëmshëm si dioksidi i karbonit, metani, oksidet e azotit dhe komponimet organike të avullueshme kontribuon në ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike. Një nga pasojat më të dukshme të ndotjes së atmosferës është efekti serë. Ngrohja globale ka pasoja të shumta negative, duke përfshirë shkrirjen e akujve polarë, rritjen e nivelit të detit, dhe ngjarje ekstreme si uraganët dhe thatësirat. Shtresa e ozonit është një shtresë e hollë gazi që ndodhet në stratosferë dhe që luan një rol kyç në mbrojtjen e jetës në Tokë. Ajo vepron si një mburojë, duke thithur shumicën e rrezatimit ultravjollcë të dëmshëm nga Dielli. Shtresa e ozonit është dëmtuar kryesisht për shkak të përdorimit të kimikateve të quajtura klorofluorokarbone  dhe substancave të tjera të ngjashme. Këto kimikate janë përdorur tek frigoriferët, ajri i kondicionuar dhe aerosolet. Ky proces ka krijuar vrima të mëdha në shtresën e ozonit, veçanërisht mbi Polin e Jugut. Shkatërrimi i shtresës së ozonit ka sjellë rritjen e nivelit të rrezatimit UV që arrin në sipërfaqen e Tokës. Kjo ka shkaktuar një rritje në rastet e kancerit të lëkurës dhe kataraktit, si dhe dëmtime në ekosisteme dhe prodhime bujqësore.
Në përfundim, ndërhyrjet e njeriut në natyrë po e shkatërrojnë planetin blu.
Duke parë që në Tokë, - të cilës i ka vënë flakën, - nuk ka të ardhme, njeriu i ka vënë syrin kozmosit. O do gjejë një planet me kushte ideale, që të jetë të paktën nja 200 fish i madhësisë së Tokës, ku të ketë resurse pa fund e çdo tokësor të jetë një fermer me një plantacion sa pasuria t’i dalë nga hundët, e sytë sytë vëndit, o do pëlcasë nga marazi.
Por deri sa të vijë ajo ditë, do kenë kaluar shumë kohë. Aq shumë kohë do kalojë sa dhe Paqësori do jetë kthyer si një rezervuar pa digë.

Tuesday, July 23, 2024

Spartaku, kryengritësi i përjetshëm



Nga Leonard Veizi
 
Një rebelim i pamenduar, një thirrje instinkti shumë më tepër se sa arsyeja, një inat i akumuluar por shpërthyer në një çast vetëmbrojtje, krijuan një rrethanë që do të donte shumë energji dhe viktima të pafundme derisa të shuhej. Dhe për shkak të shndërrimit të saj, nga një rebelizëm pasionant në një kauzë të vërtetë, ajo i kaloi epokat për të ardhur deri në ditët tona si: Kryengritja e Spartakut...
 
...Kirk Dagllas ndoshta do të ishte aktori më i përshtatshëm që do të interpretonte në mënyrë të jashtëzakonshme Spartakun e tij. Një tjetër Spartak, ai i interpretuar nga Endi Uetfill e më pas nga Liam Makentajër do të ishin më spektakolar, por jo as jetësor sa ai që na ka lënë Kirk Dagllas në realizimin e largët kinematografik të vitit 1960.
 
Ngjarja
Kryengritja e Spartakut, e njohur gjithashtu si Lufta e Tretë e Skllevërve, është një prej ngjarjeve më të famshme dhe dramatike në historinë e Romës antike. Kjo revoltë e skllevërve, e udhëhequr nga gladiatori Spartak, shërbeu si një shembull i fuqishëm i luftës për liri dhe drejtësi në një kohë kur Roma dominonte botën me forcë dhe tirani.
Në vitin 73 p.e.s., Spartaku, një gladiator trakas që ishte kapur dhe shitur si skllav, arriti të arratisej nga shkolla e gladiatorëve në Kapua, bashkë me rreth 70 shokë të tij. Ata u vendosën në malin e Vezuvit, ku nisën të grumbullonin gjithnjë e më shumë skllevër të arratisur dhe të pakënaqur. Kjo lëvizje shpejt mori përmasa të mëdha, duke tërhequr mijëra skllevër të tjerë dhe duke formuar një ushtri të fuqishme. Në kulmin e fuqisë së saj ushtria e Spartakut arriti në më shumë se 70.000 njerëz.
Fillimisht Roma dërgoi Gaius Glaberin të shtypte kryengritjen, duke e nënvlerësuar situatën. Glaber dhe 3.000 ushtarët e tij u asgjësuan dhe po aq shpejt u mund edhe Publius Variniusit, me ushtrinë e tij prej 2.000 vetësh
Spartaku dhe ndihmësit e tij, si Kriksus dhe Oenomaus, udhëhoqën me zgjuarsi dhe guxim ushtrinë e improvizuar, duke sfiduar legjionet romake në disa beteja të suksesshme. Megjithëse nuk ishin të armatosur e të trajnuar si legjionet e disiplinuara romake, rebelët e Spartakut treguan një aftësi të jashtëzakonshme strategjike dhe një vendosmëri të pathyeshme për të fituar lirinë.
Në kulmin e kryengritjes, ushtria e Spartakut arriti të marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të Italisë jugore, duke terrorizuar pronarët e mëdhenj të tokave dhe duke shkatërruar shumë qytete dhe fshatra romake. Roma, e tronditur dhe e turpëruar nga këto humbje, dërgoi disa prej gjeneralëve të saj më të mirë për të shtypur revoltën.
U gjendur në alarm, Senati romak, dërgoi gjeneralin Markus Krasusin që të shtypte rebelimin, duke i vënë në dispozicion 8 legjione që numëronin më shumë se 40,000 ushtarë romakë të stërvitur. Në vitin 71 p.e.s., ushtria e Spartakut u ndesh me forcat e mëdha të Krasit dhe Pompeut. Në betejën vendimtare pranë lumit Silarus, Spartaku dhe luftëtarët e tij u rrethuan dhe u masakruan. Mendohet se vetë Spartaku humbi jetën në këtë betejë. Sepse një version tjetër thotë se ai arriti të shpëtojë dhe të largohet me nje grup ndjekësish besnik. Plutarku, Apiani dhe Florus pretendojnë se Spartaku vdiq gjatë betejës, por Apiani gjithashtu raportoi se trupi i tij nuk u gjet kurrë.
Kur kryengritja ra, 6.000 luftëtarë u kryqëzuan gjatë “Via Apia” që lidhte Kapuan me Romën.
Edhe pse kryengritja e Spartakut përfundoi në mënyrë tragjike, ajo mbetet një shembull i fuqishëm i rezistencës dhe guximit në përballjen me tiraninë. Spartaku drejtoi revoltën më të madhe të skllevërve në Romën antike. Ndaj sot ai konsiderohet si një figurë frymëzuese.
 
Romani
“Spartacus” është një roman historik i botuar në viti 1951 nga shkrimtari amerikan Houard Fast. Bëhet fjalë për revoltën historike të skllevërve të udhëhequr nga Spartaku rreth vitit 71 para Krishtit. Libri frymëzoi filmin e vitit 1960 me regji të Stenlei Kubrik dhe përshtatjen televizive të vitit 2004 nga Robert Dorhelm.
Struktura narrative e romanit ndryshon midis kohës së shkuar dhe të tashmes në vetën e tretë. Ajo bazohet në disa anëtarë të hierarkisë sunduese romake, të cilët, duke përdorur kohën e shkuar, takohen për të treguar ngjarjet për jetën dhe kryengritjen e Spartakut. Fabula tregohet në kohën e tashme duke u zgjeruar në faktet e njohura historike.
Houard Fast e publikoi romanin në Shtetet e Bashkuara gjatë epokës së McCarthy-t në vitin 1951. Ai nisi ta shkruajë atë si një reagim ndaj burgosjes së tij për akuzat që rridhnin nga përfshirja e tij e mëparshme në Partinë Komuniste të SHBA. Ai kishte refuzuar t'i tregonte Kongresit emrat e kontribuuesve të një fondi për një jetimore për fëmijët e veteranëve amerikanë të Luftës Civile Spanjolle. Për përbuzjen ndaj Kongresit ai u burgos për tre muaj në vitin 1950. Ndërkohë romani i tij dhe vetë historia e Spartakut u bë frymëzues për disa versione filmike.
 
Filmi versioni I
“Sins of Rome” apo “Mëkatet e Romës” është një film dramatik historik italian i vitit 1953 i drejtuar nga Rikardo Freda dhe i bazuar në historinë e jetës së Spartakut. Të drejtat e negativëve dhe kopjeve të filmit u blenë nga producentët e filmit të Stenlei Kubrik të vitit 1960, “Spartacus”, për të parandaluar shfaqjet e reja eventuale të filmit që mund të dëmtonin rezultatin komercial të filmit të Kubrick; kjo rezultoi në tërheqjen e “Sins of Rome” nga tregu për rreth tridhjetë vjet.
Në vitin 74 p.e.s., Spartaku, një ushtar romak me origjinë trake, skllavërohet nga Krasus pasi erdhi të shpëtonte skllavin e bukur Amytis. I regjistruar në gladiatorët e Lentulus, ai përpiqet vazhdimisht të arratiset. Kur gladiatorët fillojnë një revoltë, Spartaku bëhet udhëheqësi i tyre dhe largohet nga Roma me ta. I plagosur nga ushtarët e Rufus gjatë një patrullimi, ai strehohet te vajza e vogël e Krasus, Sabina, e cila bie në dashuri me të. Pas shërimit, Spartaku kthehet te njerëzit e tij dhe i udhëheq në një sulm fitimtar në kampin e fortifikuar të Rufus. Humbja e papritur alarmon senatin; Krasus thërret Spartaku dhe i premton lirinë atij dhe ndjekësve të tij. Ndërkohë, rebelët, të shqetësuar në mungesë të udhëheqësit të tyre, vendosin të sulmojnë trupat romake. Spartaku bashkohet me ta dhe vdes në betejë, e cila kthehet në masakër për skllevërit.
 
Filmi versioni II
“Spartacus” është një film dramatik historik epik amerikan i vitit 1960 me regji të Stenlei Kubrik dhe me Kirk Dagllas në rolin kryesor. Përshtatur nga Dalton Trombo nga romani i Howard Fast-it i vitit 1951 me të njëjtin titull, në film luan gjithashtu Lorenc Olivier si gjenerali dhe politikan romak Marcus Liçinius Krasus, Çarles Laughton si Sempronius Grakus, Peter Ustinov si tregtari skllevërsh Lentulus Batiatus si dhe Xhon Gishatus si Jul Cezari. Zhan Simons luajti gruan e Spartakut, Varinia, një personazh imagjinar, dhe Toni Kurtis luante rolin e skllavit imagjinar Antoninus.
Dagllas, kompania e të cilit “Bryna Productions” po prodhonte filmin, hoqi regjisorin fillestar Enthoni Men pas javës së parë të xhirimeve. Kubrik, me të cilin Dagllas kishte bërë “Paths of Glory” në vitin 1957, u soll në bord për të marrë drejtimin. Ishte i vetmi film i Kubrik ku ai nuk kishte kontroll të plotë artistik.
Filmi fitoi katër çmime Oscar nga gjashtë nominime: Aktori më i mirë në rol dytësor për Ustinov, Kinematografia më e mirë, Regjia më e mirë Artistike dhe Dizajni më i Mirë i Kostumeve. Ai gjithashtu mori gjashtë nominime në Golden Globes. Në kohën e publikimit filmit ishte fituesi më i madh i parave në historinë e Universal Studios.
Në vitin 2017, “Spartacus” u zgjodh për t'u ruajtur në Regjistrin Kombëtar të Filmit të Shteteve të Bashkuara nga Biblioteka e Kongresit si "kulturor, historikisht ose estetikisht i rëndësishëm".
 
Filmi versioni III
“Spartacus and the Ten Gladiators” apo “Spartaku dhe dhjetë gladiatorët” është një film bashkëprodhim ndërkombëtar Italo-Franko-Spanjoll i vitit 1964 me regji nga Nik Nostro dhe me skenar të përbashkët nga Nostro, Alfonso Balkázar dhe Serxhio Solima. Në rolin e Spartakut luan aktori Alfredo Varelli
 
Filmi versioni IV
“Spartacus” është një mini-serial amerikan i vitit 2004 me regji nga Robert Dornhelm dhe prodhuar nga Ted Kurdylla. Ai u transmetua gjatë dy netëve në USA Network, me interpretimin e Goran Visnjic si Spartaku, Alan Bates, Rona Mitra, etj. Filmi bazohet po në romanin e vitit 1951 me të njëjtin emër nga Houard Fast. Ngjarja, mjedisi dhe kostumet janë pothuajse identike me ato të versionit të vitit 1960; megjithatë, por ky adaptim ndjek romanin e Houard Fast më afër sesa filmin e Kubrik.
 
Filmi versioni V
“Spartacus: Blood and Sand” apo përndryshe “Spartaku: Gjaku dhe rëra” ishte sezoni i parë i serialit televiziv amerikan “Spartacus”, i cili u shfaq premierë në rrjetin televiziv “Starz” më 22 janar 2010. Producentët ekzekutivë Stiven S. Denajt dhe Robert Tejpërt u përqendruan në strukturimin e ngjarjeve të jetës së hershme të errët të Spartakut që çuan në fillimin e të dhënave historike. Me regji të Stiven S. Denajt, në këtë serial interpretojnë: Endi Uetfill në rolin e Spartakut, Lusi Lalless, Manu Benet, etj.
Në mars 2010, Uetfill u diagnostikua me limfomë jo-Hodgkin të fazës IV dhe filloi t'i nënshtrohej trajtimit të menjëhershëm në Zelandën e Re. Kjo vonoi prodhimin e sezonit të dytë të “Spartacus”: “Vengeance”. Ndërsa priste trajtimin e Uetfill dhe shërimin e pritur, “Starz “prodhoi një prequel prej gjashtë pjesësh, “Spartacus: Gods of the Arena”. Edhe pse u deklarua pa kancer në qershor 2010, një kontroll mjekësor rutinë në shtator 2010 zbuloi një rikthim dhe Uetfill u detyrua të braktiste rolin. “Starz” riformuloi aktorin australian Liam Makentajër si pasardhësin e Uetfill.
18 muaj pas diagnozës së tij fillestare, në 11 shtator 2011, Uetfill vdiq në Sidnei, Australi nga limfoma jo-Hodgkin.


Monday, July 22, 2024

Rebelimi i ekuipazhit të destrojerit, Italia u jep azil 31 ushtarakëve grek

 
27 maj 1973

Nga Leonard Veizi
 
Ai mund të quhej një skandal i vërtetë për marinën greke, ushtrinë në përgjithësi dhe vetë qeverinë. Ushtarakë që braktisën frontin dhe u dorëzuan tek aleatët. Nuk ishte një veprim i pamatur. Për më tepër kur flitej që anija e flotës detare të Greqisë, ishte pjesë e manovrave të një NATO-s. Por ushtarakët e kishin një qëllim sigurisht. Veprimi i tyre nuk ishte thjeshtë se donin të largoheshin nga shteti grek për të jetuar në shtetin italian, por sepse në këtë mënyrë ata donin ti jepnin një goditje asaj që quhej “junta ushtarake e kolonelëve”.
 
…Komandanti i destrojerit dhe ushtarakët e tjetër të ekuipazhit, u bashkuan në një kryengritje si pjesë e një komploti të supozuar kundër regjimit ushtarak në Athinë. Mediat italiane raportuan se ata zbarkuan në një port peshkimi pranë Romës pasditen e 26 majit 1973.
Destrojeri “Velos D-16”, i cili ishte në spirancë tre milje larg Fiumicinos më pas lundroi në një kurs drejt jugut. Luftanija të nesërmen hyri në një bazë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut pranë Napolit përpara se të lundronte për në Greqi.
Ata që u cilësuan rebelët ishin shtatë oficerë dhe 24 nënoficerë. U larguan nga anija të shoqëruar nga rojet bregdetare italiane dhe mjetet e policisë ushtarake.
 
Negociatat
Gazetari Paul Hofmann në një shkrim të rubrikën “speciale” për New York Times, informonte më pas se azili për komandantin rebel, kapiten Nicholas Pappas, dhe ushtarakët e tjerë erdhi pas më shumë se 12 orësh negociatash të tensionuara mes zyrtarëve italianë të NATO-s dhe diplomatë e ushtarakë grekë.
Më herët, destrojeri, që ishte një anija e prodhimit amerikan që kishte pasur emërtimin dikur “USS Charette”, kishte braktisur stërvitjet detare të aleatëve në Mesdhe, në të cilat merrnin pjesë luftanije të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Turqisë dhe Greqisë.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Athina, “Velos” lundroi nga baza detare e Heraklion, Kretë, të dhe ishte pranë Sardenjës kur “doli nga manovrat”.
Në një seri mesazhesh radio drejtuar autoriteteve italiane dhe shtypit në Romë, ushtarakët grekë deklaruan besnikërinë e tyre ndaj aleancës perëndimore dhe u zotuan të “luftojnë për të rivendosur demokracinë në Greqi”.
New York Times informoi gjithashtu se kur destrojeri mbërriti në Fiumicino, dy oficerë dolën në breg me një varkë. Ata me sa duket u përpoqën t’i telefononin mbretit Konstandin të Greqisë, i cili jeton në mërgim në periferi juglindore të Romës. Përpjekja dështoi dhe policia italiane u kërkoi dy oficerëve të ktheheshin menjëherë në anijen e tyre; ata u pajtuan me këtë gjest.
Më vonë, një luftanije e marinës italiane dhe pesë anije të rojës bregdetare rrethuan destrojerin dhe ndaluan të gjitha mjetet e transportit civil, – duke përfshirë disa të marra me qira nga fotografët e lajmeve, – që t’i afroheshin.
Përfaqësuesi i marinës greke në selinë e NATO-s në Napoli, Gjeneral George Antonopoulos dhe oficerë të tjerë grekë të NATO-s mbërritën më pas dhe u bashkuan me ambasadorin grek në Romë, Stephanos Rocamas si dhe personelin tjetër të Ambasadës Greke.
Pasi u dërguan disa mesazhe midis destrojerit dhe zyrtarëve, ambasadori grek hipi në një anije italiane për të inspektuar “Velos”.
Media italiane raportuan se një grup majtistësh italianë dhe grekë, të cilët ishin mbledhur në një nga kalatat e portit, nisën të  thërrisnin “Liri për Greqinë!”
Zyrtarët italianë thanë se në bordin e anijes nuk kishte ndodhur asnjë lloj dhune dhe se shumica e oficerëve dhe ushtarakëve të tjerë dukej se simpatizonin komandantin e anijes, por se një pjesë e tyre donin të ktheheshin në Greqi.
Agjencia e lajmeve Reuters e cilësoi si: një kryengritje detare në bordin e destrojerit grek Velos, që solli një incident të çuditshëm ndërkombëtar. Sipas Reuters, veprimi i ushtarakëve të marinës greke pasoi një përpjekjeje të atyre që mbështesnin mbretin e mërguar Konstandin, kundër grushtit të shtetit.
 
Azili
Burimet italiane thanë se qeveria kishte dhënë azil, megjithëse rebelimi është një vepër e ekstradueshme, sepse ishte marrë në konsideratë motivimi politik i kapitenit Pappas dhe 30 ndjekësve të tij. Kërkesa e Qeverisë së Athinës për ekstradimin e rebelëve u refuzua, edhe pse Italia dhe Greqia ishin anëtarë të NATO-s.
Në Athinë, Qeveria e mbështetur nga ushtria greke pranoi se kapiteni i destrojerit “Velos” dhe 30 ushtarakët e tjerë që u bashkuan me të, u larguan nga një stërvitje e NATO-s dhe iu dha azil në Itali. Media greke bëri të ditur se anija u kthye në Greqi pas një muaji me ekuipazh zëvendësues.
 
Anija muze
“Velos” u kthye në Greqi nën një tjetër komandant. E dekomisionuar më 26 shkurt 1991 ajo u ankorua në Parkun e Traditës Detare në bregdetin e Falironit dhe u shndërrua në një muze detar. Destrojeri Velos D-16, është një nga dy muzetë lundrues në pronësi të marinës greke. Është gjithashtu, i vetmi muze lundrues që fokusohet në periudhën e diktaturës në Greqi. Kjo ishte periudha e diktaturës në Greqi nga viti 1967-1974, më së shumti e i njohur si Junta Ushtarake Greke, ose Regjimi i Kolonelëve.

Enigma e madhe: A kanë shkelur në Hënë 12 kozmonaut amerikanë?

 20 korrik 1969 – 55 vjet 


Nga 
Leonard Veizi
 
Nëse ka qenë e vërtetë, me siguri ka qenë një realitet i frikshëm. Edhe pse tokësorët kanë qenë të testuar deri në lartësinë e duhur psikologjikisht, në Hënë, realiteti do të ishte përtej pritshmërive. Fillimisht i vetëm një prej kozmonautëve zbriti shkallët e hekurta të modulit dhe vendosi këmbën mbi sipërfaqe. Në platformën tokësore ku dhjetëra monitorë shkëmbenin pamjet, dëgjoheshin të thirrura entuziazmi pa fund, por në 386.160 kilometra largësi qetësia ishte e kobshme. Më pas zbriti dhe kozmonauti i dytë, me veshje speciale e skafandër në kokë, që e trembte disi ankthin. Aty nisën të kuptonin tërësisht se përballeshin me një terren krejt të shkretë dhe krejt të errët gjithashtu. Nuk kishte oksigjen, as ujë dhe as gjelbërim, por vetëm shkëmbinj magmatik të ftohur. Megjithatë ata nisën të ecnin nëpër errësirën e Hënës. Sepse këtë jemi mësuar të shohin nga ekrani i televizorit, në shtëpitë tona të mbushur me dritë e oksigjen...
 
...Një dyzinë misionesh nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare kanë dështuar të ulen në Hënë. E pra, prej 20 korrikut të vitit 1969, kanë kaluar 55 vjet. Dhe pretendohet se teknologjia ka ecur me hapa galopantë. Por njeriu që dikur shkeli në sipërfaqen e satelitit të Tokës, - duke lënë një gjurmë që tanimë është kthyer në simbol, - vitet e fundit e ka pasur të pamundur praktikisht të realizojë të njëjtën gjë. Në librin e NASA-s dokumentohet se janë 6 misione Apollo me gjithsej 12 kozmonautë të cilat kanë zbritur në sipërfaqen e Hënës. Por gjithsej kanë qenë 24 astronautët e NASA-s që udhëtuan në Hënë në misionet Apollo ndërmjet viteve 1969 dhe 1972.
 
Pretendimet
Tema e 20 korrikut 1969, kur Neil Armstrong bëri hapin historik mbi sipërfaqen e Hënës, ka qenë objekt i teorive të konspiracionit për dekada me radhë. Njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, ky çast triumfi teknologjik dhe shkencor për NASA-n u kthye shpejt në një burim skepticizmi dhe dyshimi për shumë njerëz.
A shkeli vërtet njeriu në Hënë?
Në thelb të këtyre teorive qëndron dyshimi mbi vërtetësinë e vetë uljes. Ndër më të përhapurat është ideja se ulja në Hënë ishte një trillim i realizuar nga qeveria amerikane, në një përpjekje për të fituar garën e hapësirës kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Sipas këtyre teorive, NASA kishte falsifikuar gjithçka, duke përdorur teknologjinë e kohës dhe efektet speciale për të krijuar një iluzion të bindshëm për publikun amerikan dhe për pjesën tjetër të botës.
Një tjetër element që shpesh përdoret nga teoricienët e konspiracionit është analiza e fotografive dhe videove të bëra nga misioni Apollo 11. Ata vërejnë detaje që i konsiderojnë të çuditshme, si mungesa e yjeve në sfondin e fotografive, mënyra si valëvitet flamuri amerikan, apo këndet e hijeve që nuk përputhen me burimet e mundshme të dritës. Këto elemente kanë qenë subjekt i analizave dhe debatimeve të pafundme në forume online dhe dokumentarë të ndryshëm.
Pavarësisht këtyre teorive, bota shkencore na vë përballë faktet dhe dëshmitë teknike që mbeten të palëkundshme. Uljet e mëvonshme të “Apollo”-s, raportet e astronautëve, provat e mbledhura nga Hëna dhe teknologjia e avancuar e asaj kohe dëshmojnë për autenticitetin e misionit “Apollo”. NASA pretendon se ka dërguar në Hënë 6 misione ku kanë zbritur 12 astronautë. Neil Amstrong ishte i pari që shkeli sipërfaqen hënore më 20 korrik të vitit 1961 kurse në 14 dhjetor të vitit 1972 i fundit tokësor që ka shkelur në Hënë ishte Herrison Shmit. Të 12 astronautët ishin amerikanë. Për më tepër, vendet e uljeve të “Apollo 11” dokumentohen se janë fotografuar nga sonda të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë “Lunar Reconnaissance Orbiter” të NASA-s, që ka kapur imazhe të qarta të vendeve të uljes dhe pajisjeve të lëna atje.
Të paktën kështu thuhet zyrtarisht. Dhe dokumentet zyrtare gjithmonë janë të vështira për t’u kundërshtuar.
Megjithatë ndodh edhe e kundërta.

Konspiracionet
Gjithçka nisi kur Bill Keizing, shtroi teorinë e vet me hollësi në librin “Kurrë nuk kemi shkelur në Hënë; mashtrimi i tridhjetë miliardë dollarëve të Amerikës”, i cili u botua në 1976. Bill Keizing ishte kreu i njësisë së prezantimeve teknike në Laboratorin e Fushës së Propulsionit Rocketdyne nga viti 1956 deri në 1963. Kjo periudhë përfshinte planifikimin kryesor për motorin dhe komponentët e projektit “Apollo”. “Mashtrimi për të cilin Amerika pagoi 30 miliardë dollarë”, – vë në dukje ai, – vazhdoi edhe me pesë zbritje të tjera të falsifikuara në Hënë dhe përfshin “fotografi të falsifikuara mirë”, shkëmbinj të falsifikuar hënorë dhe “astronautë të programuar”.
Më pas në librin “Konspiracionet dhe mashtrimet më të famshme të të gjitha kohëve”, i shkruar nga Xhonatan Vanckit dhe Xhon Ueilen, ku trajtohen një sërë ngjarjesh historike dhe teorish konspiracioni, përfshihet edhe ulja e Neil Armstrong në Hënë më 20 korrik 1969. Autorët eksplorojnë idenë se ky çast historik mund të ketë qenë një inskenim i sofistikuar. Sipas autorëve, Amstrongu e kreu kërcimin e vet gjigant për lavdinë e njerëzimit jo 386.160 kilometra larg Tokës, në detin e pajetë të qetësisë, por vetëm 150 kilometra në veri të qytetit të Las Vegasit që gjallonte nga jeta, në një kinostudio super sekrete. Sipas Vanckin dhe Ueilen, disa teori konspiracioni argumentojnë se qeveria amerikane kishte një motiv të fuqishëm për të falsifikuar uljen në Hënë: të fitonte garën e hapësirës kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Nëse SHBA-ja nuk do të arrinte të ulte njerëz në Hënë, mund të kishte humbur këtë garë, duke dobësuar pozicionin e saj global.
Fakti që pas vitit 1972 asnjë njeri nuk ka bërë një tjetër ulje në Hënë për më shumë se 50 vjet, ka nxitur spekulime dhe teori konspiracioni.
Po çfarë thuhet në dokumentacionin zyrtar?
Thuhet se ka edhe arsye të tjera më pragmatike për këtë mungesë të vazhdueshme të misioneve të uljes në Hënë. Pas misioneve të Apollo-s në vitet '60 dhe '70, prioritetet e NASA-s dhe financimet për programet hapësinore ndryshuan. Programi Apollo ishte jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe, pas suksesit fillestar, publiku dhe politika amerikane filluan të humbnin interesin për misionet në Hënë. Fokusimi u zhvendos drejt stacioneve hapësinore, eksplorimit të planetëve të tjerë, dhe më vonë, drejt misioneve robotike dhe sondave në Mars dhe përtej.
 
Epilogu
Megjithatë, në vitet e fundit, ka pasur një rilindje të interesit për Hënën. Programi "Artemis" i NASA-s synon të dërgojë astronautë përsëri në Hënë deri në mesin e kësaj dekade, me synimin për të krijuar një bazë të qëndrueshme atje si një hap drejt misioneve të ardhshme në Mars. Këto plane përfshijnë edhe partneritete me agjenci hapësinore ndërkombëtare dhe sektorin privat, duke përfshirë kompani si SpaceX dhe Blue Origin.
Në fund të fundit, pavarësisht gjithë konspiracioneve dhe dyshimeve, ulja në Hënë mbetet një testament i shpirtit njerëzor për të kërkuar dhe eksploruar të panjohurën. Shumica e ekspertëve dhe shkencëtarëve mbështesin provat e qarta të misionit Apollo 11. Ngjarja e 20 korrikut 1969 është më shumë se një çast historik; është një simbol i përpjekjes së përbashkët të njerëzimit për të tejkaluar kufijtë e së mundshmes dhe për të shtrirë duart drejt yjeve. Kjo simbolizon dhe suksesin e avancimin teknologjik të njerëzimit.
 
 

Friday, July 19, 2024

“Shtrigat e Salemit”, Arthur Miler shkroi një ngjarje për dy epoka



Nga Leonard Veizi
 
Xhon Proktor erdhi në skenën shqiptare, nëpërmjet figurës së dy prej aktorëve më të shquar të saj; fillimisht nga Fatos Sela e më pas nga Timo Flloko. Dhe gjithashtu vetë drama kishte dy përkthyes, fillimisht Enver Fico e më pas Rudi Erebara. Dhe Xhon Proktër erdhi plot dinjitet e karakter për spektatorin shqiptar. Sepse Xhon Proktor ishte një burrë krenar, që shkoi me vetëdije drejt litarit ku xhelati priste për të ekzekutuar vendimin e gjykatës. Dhe në fund Xhon Proktor mbetet heroi tragjik i një shfaqeje. Veç ai nuk donte t’u linte një njollë fëmijëve të tij si një njeri që dëshmonte të kundërtën e asaj që shihte e mund të perceptonte. Proktor njihej si njeri i mirë, i drejtë dhe fort punëtor por me një të fshehtë fatale. Epshi i tij për një çupërlinë të re çon në lidhjen e tyre dhe ngre xhelozinë e dashnores ndaj gruas me kurorë, Elizabet. Por Abigel Uillams është aq e zonja sa të vërë në lëvizje të gjithë histerinë e vajzave që kishte pas vetes për të akuzuar Elisabetën si shtrigë. Shkelja e kurorës ishte një e metë kundër ndershmërisë dhe reputacionit të Xhon Prokter, ndaj e detyron atë të pranojë lidhjen me Abigelën në një përpjekje për ta ekspozuar atë si një mashtruese, gjë që do të mund të ndalte gjyqet e shtrigave si dhe do të shpëtonte jetën e të dënuarve që mbaheshin në burg...
 
...Në vitin 1953 dramaturgu i njohur amerikan Arthur Miler botoi dramën e tij të fortë “The Crucible”. Ajo është një dramë klasike, e mbështetur mbi ngjarje reale, që gërmon në gjyqet e shtrigave të Salem të vitit 1692. E vendosur në qytetin Salem të Masaçuset, shfaqja e Miller shpaloset si një alegori rrëqethëse për “Frikën e Kuqe” të viteve 1950. Të paktën kështu shkruhet në kritikat që shoqërojnë botimin, por dhe shfaqet e ngritura mbi këtë tekst. Sepse rrëfimi i Millerit jo vetëm që kap kontekstin historik të gjyqeve të shtrigave në Salem, por shërben gjithashtu si një koment i fuqishëm mbi rreziqet e histerisë masive dhe pasojat e konformitetit të verbër. "Tema e rëndësishme" për të cilën shkroi Miler ishte e qartë për shumë vëzhgues në vitin 1953. Drama u shkrua në përgjigje të kryqëzatës së senatorit McCarthy dhe Komitetit të Aktiviteteve Jo-Amerikane të Dhomës së Përfaqësuesve kundër simpatizantëve të supozuar komunistë. Pavarësisht nga kritikat e dukshme politike që përmbante drama, shumica e kritikëve mendonin se "The Crucible" ishte "një shfaqje e pavarur për një periudhë të tmerrshme në historinë amerikane".
 
Ngjarja
Ngjarjet e dramës përqendrohen në histerinë që shpërthen kur një grup vajzash, të udhëhequra nga Abigail Uilliams, akuzojnë bashkëfshatarët për magji. Ndërsa provat përparojnë, qyteti mbërthehet nga frika, paranoja dhe një ndjenjë e shtrembëruar drejtësie.
Megjithëse ngjarjet e shfaqjes bazohen në ngjarjet që ndodhën në Salemin e vitit 1692, Miller ishte liberal në fiksionalizimin e ngjarjeve. Shfaqja mbetet aktuale sot si një përrallë paralajmëruese për brishtësinë e drejtësisë dhe lehtësinë me të cilën frika mund të manipulohet për përfitime politike ose personale.
 
Shfaqja teatrale
Shfaqja u shfaq për herë të parë në Teatrin “Martin Beck” në Broduej më 22 janar 1953, me aktorët E. G. Marshall, Beatris Strejt dhe Madalen Sheruod. Miller mendonte se ky prodhim ishte shumë i stilizuar dhe i ftohtë. Komentet për të ishin përgjithësisht armiqësore, megjithëse The New York Times vuri në dukje "një lojë të fuqishme". Produksioni fitoi çmimin “Tony 1953” për lojën më të mirë. Një vit më vonë, një prodhim i ri pati sukses dhe shfaqja u bë klasike. Ajo konsiderohet si një vepër qendrore në kodin e dramës amerikane.
Prej herës së parë “The Crucible” ka parë adaptime të shumta. Këto përshtatje çimentojnë më tej ndikimin e qëndrueshëm të veprës në letërsi dhe aftësinë e saj për të rezonuar me publikun në periudha të ndryshme kohore.
 
Shfaqja filmike
“The Crucible” është një film dramatik historik amerikan i vitit 1996 me regji nga Nikolas Hajtner, bazuar në shfaqjen e tij të vitit 1953 me të njëjtin titull shkruar nga Arthur Miller. Në film luajnë Daniel Dei-Luis në rolin e Xhon Proktor dhe Uinona Rajdër si Abigeil Uilliams,
Edhe pse u përshëndet nga disa personalitete, filmi nuk u prit aq mirë sa shfaqja teatrale. Për një pjesë të kritikës edhe kasti i mbushur me yje nuk ishte i mjaftueshëm për të shpëtuar filmin. Në një kritikë shkruhej:  "Uinona Rajdër dhe Daniel Day-Luis luajnë në këtë ndeshje bërtitëse dy-orëshe midis së mirës dhe së keqes. Nuk rekomandohet për ata me një tolerancë të ulët për mizogjininë e stilit të viteve '50 dhe sjellje moraliste."
The Crucible u shfaq në Festivalin e 47-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, ku konkurroi për Ariun e Artë. Në çmimet e 54-të Golden Globe, Skofielld dhe Allen u nominuan respektivisht për aktorin më të mirë dytësor dhe aktoren më të mirë dytësore, ndërsa Allen mori një nominim për aktoren më të mirë dytësore në çmimet e 69-të të Academy Aëards dhe Skofielld fitoi aktorin më të mirë në rol dytësor në Akademinë e 50-të Britanike. Çmimet e Filmit. Artur Miler u nominua për çmimin Oscar për skenarin më të mirë të adaptuar dhe çmimin BAFTA për skenarin më të mirë të adaptuar.
 
Në shqip
Fillimisht drama “The Crucible” u përkthyer në shqip nga Enver Fico në vitin 1973 me titullin e përshtatur si: “Shtrigat e Salemit”.
Më pas “The Crucible” njohu dhe një përkthim tjetër nga Rudi Erebara. Dhe ky mbetet versioni më i pastër sepse përkthimi i Ficos, për shkak të kundërshtisë që kishte rendi socialist me fenë në përgjithësi, pati dhe retushe të domosdoshme që vepra të kalonte për botim.
E regjistruar në vitin 1992 nga Televizioni Shqiptar “Shtrigat e Salemit” është intrerpretuar fillimisht nga aktorët e teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit ku në rolin e Xhon Prokter luan aktori Fatos Sela ndarsa Abigeil luhet nga Aurela Hyseni.
Ndërsa në vitin 2011 e njëjta dramë ngjitet në skenë nga Teatri Kombëtar ku rolin e Xhon Prokter e luan Timo Flloko dhe Abigeil interpretohet nga Elia Zaharia. Ndërsa Fatos Sela, gjithashtu aktor në këtë ngjitje të re në skenë merr rolin e gjykatësit Denforth.
 
Ngjarja
Në Salem, Massachusetts, në 1692, një grup vajzash fshati takohen në pyll me skllaven Tituba, duke u përpjekur të sjellin magji dashurie. Abigeil Uilliams vret një pulë dhe pi gjakun e saj, duke uruar që gruaja e Xhon Proktor, Elizabet të vdiste.
Xhon Proktor është një fermer që jeton në fshatin puritan të pushtuar nga histeria. Një grup vajzash adoleshente janë gjetur duke kërcyer në pyll natën vonë. Pastor Parrisi, apo reverendi siç quhet në orgjinal, gjen grupin gjatë një shëtitje në mesnatë. Ai është dëshmitar i magjive të çuditshme, sakrificave të përgjakshme dhe vajzave të zhveshura që vrapojnë nëpër pemë. Vajzat, nga frika se mos akuzohen për magji, i drejtohen shpejt udhëheqjes së Abigail Uilliams, antagonistes së shfaqjes, e cila i ngacmon të tjerët duke pretenduar se kanë qenë nën ndikimin e Djallit. Vajzat pendohen shpejt, të gatshme për të bashkëpunuar me krerët fetarë të kolonisë. Ato japin emra, duke i ekspozuar si shtriga që duhet të shkojnë për ndjekje penale. Xhon Proktor sheh mashtrimet e Abigeil. Konflikti qendror i Proctor është ngurrimi i tij për të sfiduar Abigail nga frika se ajo do të zbulojë lidhjen e tyre të kaluar të dashurisë, duke dëmtuar reputacionin e tij.
Përveç luftës me peshën e mëkatit të tij, fakti që ai duhet të zbulojë shkeljen e tij e mundon Proktorin. Zotërimi më solid që ai ka është emri i tij i mirë respekti dhe integriteti i lidhur me të. Pasi pranon lidhjen e tij me Abigeil-in, Proktor humbet emrin e tij të mirë.
Vendimi i Proktor për t'i treguar gjykatës lidhjen e tij jashtëmartesore tregon integritetin e tij. Ai me dëshirë sakrifikon emrin e mirë për të mbrojtur bashkëshorten. Vetëm përmes njohjes së tij publike të lidhjes, Proktor rifiton besimin e gruas së tij. Në fund të shfaqjes, Proktor refuzon të shpifë mbi veten duke lejuar gjykatën të gozhdojë rrëfimin e tij të rremë në derën e kishës. Ky veprim ilustron më tej integritetin e Proktor. Edhe pse ai dëshiron të jetojë, t'i shpëtojë vdekjes nuk ia vlente ta bazonte pjesën e mbetur të jetës në një gënjeshtër. Ky realizim, së bashku me faljen e Elizabetës, i mundëson Proktorit të falë veten dhe më në fund të rifitojë emrin e tij të mirë dhe respektin për veten. Ndërsa gjykata e çon atë në trekëmbësh, ai përfundimisht gjen paqen.
Në mbyllje thuhet se gjyqet e shtrigave në Salem përfunduan pasi nëntëmbëdhjetë persona u ekzekutuan, sepse ata refuzuan të shpëtonin veten duke dhënë rrëfime të rreme.